Biseda | Film

Alush Gashi: Deshëm ta krijojmë një forum në të cilin kultivohet mendimi kritik

Nga - 07.11.2019

Drejtori dhe menaxheri kulturor i Kino Armatës flet për kulturën publike, memorien dhe artin.

Hapësira në të cilën gjendet Kino Armata në sheshin “Edit Durham”  është e ndërtuar gjatë viteve të 70-ta, dhe ka qenë pjesë e “Dom Jugosllovenske Narodne Armije” apo në shqip “Shtëpia e Armatës Popullore të Jugosllavisë”. Ajo kishte funksionin e kinemasë ku shfaqeshin filma dhe evente të tjera kulturore kurse në kuadër të ndërtesës punonin zyrtarët e lartë ushtarakë jugosllavë. 

Në vitin 1988 kjo hapësirë mbyllet nga ushtria e ish-Jugosllavisë për shkak të situatës politike që ishte krijuar në vend, për tu hapur në vitin 1999 pas luftës së fundit në Kosovë ku në këtë hapësirë u vendos misioni i UNMIK-ut për një periudhë të gjatë kohore. Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, këtë hapësirë e kishte marrë nën menaxhim misioni tjetër nga Bashkimi Evropian, EULEX-i. Herë pas herë organizoheshin ekspozita publike, por kryesisht përdorej për trajnime dhe ngjarje tjera të mbyllura për publikun.

Në vitin 2018, misioni i EULEX e la pronën dhe ajo kaloi në pronësi të Ministrisë së Administratës Publike, e cila i menaxhon të gjitha pronat shtetërore. Një marrëveshje u arrit ndërmjet Ministrit Mahir Yagcilar dhe Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në mënyrë që hapësira të mund të përdorej nga komuna. Komuna më pas dha leje që kinemaja të drejtohet nga Fondacioni Armata, një organizatë jofitimprurëse e themeluar për ta menaxhuar hapësirën dhe për të mbledhur fonde për kinemanë.

Hapësira publike Kino Armata u hap më 18 prill, 2018, për të promovuar kulturë alternative dhe dialog social.

Alush Gashi, drejtori i Kino Armata, thotë: “Ne e kemi ditur për ekzistencën e hapësirës dhe në vitin 2015 e kemi bërë një studim bashkë me Bashkësinë Evropiane për mënyrën se si kjo hapësirë pas daljes nga Eulex-i mundet me u shndërru në hapësirë publike dhe qendër kulturore çfarë është sot”.

Foto: Altin Gashi / K2.0.

K2.0. bisedoi me  drejtorin e Kino Armatës, Alush Gashin, rreth hapësirës publike dhe artit e kulturës që promovohet në këtë hapësirë.

K2.0: Duke ditur faktin se hapësira në të cilën është tash Kino Armata ka pasur funksione të ndryshme si shtëpi e Armatës, zyre për zyrtarët e Unmiku-t, dhe zyre për zyrtarët e Eulexit, si erdhi ideja dhe cili ishte qëllimi që ta ktheni në vend për komunitetin social dhe të artistëve?

Alush Gashi: Unë dhe një pjesë relativisht e vogël e banorëve të Prishtinës e kemi ditur për ekzistencën e këtij vendi [Kino Armatën] para se me u rihapë për publikun në prill të 2018. Për shkak që ka qenë jashtë domenit publik për 30 vite, kur është mbyllur në vitin 1988 për funksione publike e quajtur në atë kohë Armata Jugosllave, të cilët e kanë menaxhuar hapësirën dhe kanë punuar program këtu. Dhe më pastaj siç e përmendet këtu ka qenë Unmik-u e Eulex-i. 

Kështu na që e kemi ditë për ekzistencën e kësaj hapësirë [të Kino Armatës]  e kemi ditë edhe për potencialin që e ka, për shkak të lokacionit, për shkak të ambientit, ku unë si fëmijë kam ardhë këtu me këqyrë filma dhe kam qenë prezent në shumë evente që këtu kanë ndodhë. 

Unë dhe miqtë e mi kemi kujtime të mira nga ajo kohë. Armata në atë kohë ishte një nga tri kinematë aktive në qytet. Më kujtohet që shihnim filma me aktorë të njohur si Bruce Lee, Bud Spencer, Terrence Hill dhe tjerë.

Për shkak të lokacionit në qendër, ne mbledheshim para kinemasë edhe kur s’kishte filma. Teatri ishte i rrethuar me gjelbërim dhe ne kalonim kohë aty duke i ngrënë çokollatat e njohura KRAS, që prodhoheshin në Zagreb.

Para 5 viteve, kam draftuar së bashku me disa kolegë të Bashkimit Evropian, një studim se si kjo hapësirë mundet me u shndërru në një hapësirë kulturore-publike. Ky studim është bërë së bashku me zyrtarët nga Bashkimi Evropian dhe me bashkëpunëtor të tjerë nga jashtë që kanë kontribuar që të kemi një program potencial çfarë mund të kishte hapësira. 

Rekomandimi i studimit ka qenë që në momentin kur hapësira del nga përdorimi i Unmik-ut dhe Eulex-it, ajo [hapësira e Armatës] t’i bartet Komunës së Prishtinës ose ndonjë autoriteti të pavarur i cili do e menaxhonte hapësirën dhe ta shndërronte në kinema publike, çfare dhe ka qenë deri në vitin 1988.  

Kur Unmik-u dhe Eulex-i dolën prej kësaj hapësire, përafërisisht dy viteve, hapësira e cila është pronë shtetërore iu është dhënë Komunës [Prishtinës] në shfrytëzim dhe është krijuar fondacioni që tash e financon në mënyrë të pavaur kinemanë. Ideja e Kinemasë në përgjithësi dhe si misioni kryesor është promovimi i kulturës alternative dhe dialogut shoqëror përmes mediumeve siç është filmi njëri prej boshtit kryesor, pastaj muzikës, po ashtu dhe organizimin e debateve të ndryshme të cilat kanë interes publik, d.m.th., me kriju Kino Armatën si një lloj forumu në të cilin kultivohet mendimi kritik.

Sa ka ndryshuar hapësira brenda Armatës,  prej vitit 1988 kur thatë që dhe hapësira u bë private?

Fizikisht objekti ka ndryshuar shumë pak, e sidomos hapësira ku jemi tash [në sallën e kinemasë] në të cilën ndodhin dhe të gjitha aktivitetet. Enterieri ka mbetur i njëjtë që është fat shumë i madh sepse kemi diçka që është ndërtuar para 40 viteve. Ndërsa i vetmi ndryshim janë karrigat e reja, sepse ato të vjetrat siç duket kanë qenë të shkatërruara, dhe e di që ato janë ndërruar para 7 viteve, përndyshe edhe holli i kinemasë është i njejtë.

Në të vërtetë, kultura është ajo që e formëson shtetin, sepse përmes kulturës identifikohesh dhe ndërkombëtarisht.

Ndërtesa me bashkëpunim me disa ministri [të Republikës së Kosovës] i ka kaluar Komunës [së Prishtinës] në shfrytëzim dhe na [punëtorët e Kino Armatës] e menxhojmë tash. Në përgjithësi dhe ne jemi munduar me rujt autenticitetin e hapësirës, nga aspekti arkitektonik me përfshirjen e mobiljeve të vjetra me paisje muzikore dhe të tjerat që i takojnë asaj kohe, d.m.th., qëllimi ka qenë me rujt frymën e trashëgimisë kulturore.

Në Prishtinë ekziston përshtypja që nuk ka shumë hapësira në cilat njeriu dhe shoqëria munden me u merr me aktivitete të ndryshme sidomos me ato nga fusha e artit dhe kulturës sipas juve: a ka qenë e nevojshme të krijohet Kino Armata?

Po ka qenë e nevojshme, dhe njëri prej parimeve kryesore që e shtyn Kino Armatën përpara është karakteri publik i saj dhe bashëkpunimi/bashkëveprimi dhe puna në përgjithësi me komunitetin. Kino Armata është hapësirë publike e pavuar e cila kuron program të vet dhe në të njejtën kohë inkurajon komunitetin, organizatat, individët për projektet që i kanë në interes publik me u afru dhe shfrytëzu hapësirën ose dhe me bashkëpunu me ne, që është në të mirën e publikut. 

Në këtë fazë të krijimit të identitetit të Armatës, jemi kufizuar në atë që aktivitetet me qenë të karakterit publik si dhe eventet që ndodhin me qenë të qasshme për krejt, për shkak se mendojmë që involvimi i krejtve në debatet që zhvillohen pas çdo filimi ose ndonjë prezantim që ndodhë janë të rëndësishme me kuptu pse po shfaqet ajo vepër aristike dhe me diskutu për të sepse mendojmë që ajo krijonë një lloj avansimi shoqëror. 

Mirëpo në vendin tonë kulturës i ipet shumë pak rëndësi sepse siç duket [ligjëvënësit e qeveritarët] nuk e shohin shumë prioritare në zhvillimin e shtetit, e në të vërtetë kultura është ajo që e formëson shtetin, sepse përmes kulturës identifikohesh dhe ndërkombëtarisht.

Çka përfaqëson për komunitetin social të Prishtinës Kino Armata, për nga emërimi i saj, dhe si lidhet ajo me memorien kolektive të këtij komuniteti dhe të Prishtinës në përgjithësi – duke e ditur që edhe mban emrin që lidhet me këtë çështje?

Është shenjë e mirë për shkak të karakterit që e ka Armata ngase inciativa dhe projekti është i mirëpritur dhe qysh e përmendët nuk ka shumë hapësira në të cilat munden me u shfrytëzu sidomos karakterit të tillë dhe madhësisë së tillë. Kemi salla protokolare por ato nuk janë tërheqëse për të rinjët ose artistët që do i kishin shfrytëzu për nevojat e tyre. 

Ndërsa emri i Kino Armatës, në fillim ka qenë emri që është shtyer me inercion për shkak se ndërtesa dhe karakteri i saj në shoqëri njihen si “Shtëpia e Armatës”, kjo koencidon me misionin tonë: ruajtja e një memorie kolektive e cila si e mirë apo e hidhur shërbenë në formësimin tonë.

Ne mendojmë që gjanat që kanë ndodhë këtu, ose arkitektura e cila është krijuar në një kohë pa marr parasyshë çfarë ka qenë ajo kohë dhe simboliken që ka pasë është mirë me u hulumtu dhe me e trashëgu si në mënyrë fizike dhe atë shpirtërore në kuptim përmes ruajtjes së emrit dhe diskutimit të një diskursi që unë konsideroj që nuk është aspakt i dëmshëm.

Simbolika e kohës është diçka që nuk mundemi me evitu dhe emërtimi është vetëm një send i cili e mbanë gjallë atë kohë.

A ka pasur kundërshtime për emrin që e bartë Armata?

Kemi pasë debate dhe ka pasë indvid që kanë kundërshtuar, por në fund jemi pajtuar të gjithë për shkak të argumenteve, sepse shumë njerëz kanë memorie të mirë prej kësaj hapësire kur është shfrytëzu ku përveç filmave që janë shfaqur ka pasë edhe evente të tjera. Simbolika e kohës është diçka që nuk mundemi me evitu dhe emërtimi është vetëm një send i cili e mbanë gjallë atë kohë dhe e lenë vend me u studiu.

Si po funksionon tash Armata, a është arritur qëllimi i dëshiruar dhe sa është arritur afirmimi në raport me atë që ju keni synuar?

Hapësira po funksionon shumë mirë, në fillim e kemi pasë një koncept të cilin e kemi zhvillu qysh kishim dashtë me drejtu projektin. Kjo [Armata] është kinema por nuk është veç kinema, sepse jemi mundu me promovu kulturë alternative në kuptim me promovu filma, vepra të ndryshme artistike, bende të cilët potencialisht nuk kishin mujt me pasë akses dhe qasje tek publiku dhe në vendet e tjera, sepse janë jo-komercial. 

Në anën tjetër ne nuk shfaqim film të njejtë për dy javë për shkak se ne mundohemi me shfaq sa më shumë filma dhe vepra artistike që ato me u debatu dhe me kriju një shumëllojshmëri, këtu kemi hasur në mirëkuptim dhe përkrahje prej komunitetit që është seni me i rëndësishëm. 

Komuna së Prishtinës, e cila është partneri kryesor institucional, ka investu në projketor dhe sitemin e zërimit bashkë me disa paisje që e kanë kompletu produksionin e filimit dhe jemi njejtë si krejt kinematë botërore dixhitale sepse kemi teknologjinë dixhitale. Partner tjetër institucional është Agjencioni Zvicerrian për Bashëkpunim dhe Zhvillim. 

Ne besojmë që Kino Armata është projekt shumë i rëndësishëm sepse është në shërbim të gjithë atyre që dojnë me u shpreh dhe me pasë ndihmë prej Aramtës, pra parnterët dhe komuniteti janë ata që e mbajnë gjallë Armatën, që na ka shtyer të krijojmë dhe planin aftatë mesëm dhe afatë gjatë për Kino Armatën.

Foto: Altin Gashi / K2.0.

Cili është funksioni primar i Kino Armatës, në këtë kontekst çka promovon më së shumti Armata, apo cila është shtylla kryesore e programit tuaj?

Filmi është boshti kryesor rreth të cilit mundohemi me kriju debatet dhe diskurset e debateve, kuptohet për shkak të inercionit që është kinema. Filmat që i shfaqim lidhen me promovimin dhe është shumë me rëndësi që këta filma me u shfaq në ekranin e madh dhe me u pa në mënyrën qysh e kanë paramenduar regjisorët shfaqjen e tij, pra, në ekran të madh dhe me zërim. 

Krijohet dhe një përshtypje tjetër për të [filmin]. Tema të cilat i shtjellojmë janë tema të një rëndësi të caktuar kohore dhe një relevance të caktuar, p.sh., në fillim të muajit tetor do kemi filma që trajtojnë racizmin në mënyrën qysh është trajtu ma herët dhe qysh trajtohet tash, dhe mënyrës se si është avoku për racizmin. Gjatë javës së fundit të muajit shtator kemi shfaqur filma që kanë trajtuar temën e migrimit. 

Këto tema i zhvillojmë me partnerë të ndryshëm, p.sh., tema rreth migrimit është zhvilluar në partneritet me ambasadën Armerikane,  pra, janë këto tema që kanë relevancë historike, por që shfaqim dhe vepra të tjera që kanë rëndësi për momentin.

Ku e ka vendin Kino Armata në rrjetin e institucioneve të artit në Prishtinë?

Në përgjithësi mendoj që është duke ndodhur një zhvillim pak ma intenziv i artit dhe kulturës dhe institucioneve kulturore. Janë krijuar shumë prej institucioneve që janë të ngjajshëm me Armatën, por dallimi është që Armata është hapësirë publike. Mirëpo në anën tjetër ka inciativa private dhe individ të cilët po bëjnë punë të shkëlqyeshme në këtë fushë. 

Kohëve të fundit Armata është vend kyç si akter i ri në këtë rrjetin e insitucioneve të pavaruara të kulturës dhe jemi duke lobuar bashkëarisht me shty këtë agjendën që e kemi. 

Kohëve të fundit kemi mbajtur një debat duke e shfryëzuar fushatën parzgjedhore [Zgjedhjet e parakohshme paralamentare, Kosovë 2019] ku janë ftuar disa akterë politik të disa partive politike që vetëm sa me dëgju të dy palët ata-neve, dhe ne-ata, se çka kishin mujt ata me ndihmu dhe cila është qasja e tyre ndaj temave të cilat neve na interesojnë si ndaj institucioneve kulturore dhe ndaj temave si arkitektura moderniste në Prishtinë për të cilën ka kundëthënie – se a duhet me u rujt apo jo. Kështu po më duket që Kino Armata si hapësirë kulturore- publike, relativisht unike në llojin e vet e ka një rol dhe përgjegjësi në shoqëri për shka të karakterit të saj publik.

Sepse çfarë do mendimi apo mënyrë e të shprehurit është e lejume derisa nuk i tejkalon disa limite të gjuhës së urrejtes. Nuk ka rëndësi sa do që mundet me qenë intriguese ose sfiduese intelektualisht.

Qysh i shërben Kino Armata komunitetit nga fusha e artit dhe kulturës dhe në anën tjetër qysh i shërben “konsumuesve” të kësaj fushe?

Ne jemi shumë të hapur për inciativa dhe organizime për çfarë do tema që ka interes publik, të interesuarit janë të lirë me ardhë dhe me apliku këtu dhe me u diskutu puna e tyre ose deabti mbi atë punë, kjo është mënyra direkte qysh mundet me u shfrytëzu hapësira. 

Pastaj të gjithë filmat që shfaqen këtu në Armatë janë më të drejta autoriale dhe kjo është me rëndësi sespe kështu duhet me vepru: duhet me kërku prej autorit leje me shfaq atë film, dhe në të njejtën kohë shfaq dhe vepren ma të mirë të mundshme posaçërisht në film. Po ashtu organizatat nëse kanë dilema se çka me përzgjedh na i ndihmojmë në përzgjedhje të filmave ose mediumeve të tjera, d.m.th., jemi afër komunitetit të artistëve dhe komunitetit qytetar.

A i shërben Armata dhe komunitetit të artistëve alternativ dhe “underground”?

Po qajo është poenta sepse çfarë do mendim apo mënyrë e të shprehurit është e lejume derisa nuk i tejkalon disa limite të gjuhës së urrejtes, por nuk ka dallim sa do që mundet me qenë intriguese ose sfiduese intelektualisht ato janë të mirëseardhura sepse hapësira është e hapur për debat dhe artistët janë të hapur me ardhë me reprezentu diçka sepse atyre ju ndihmon me kuptu punën e tyre dhe publiku me u njoftë me ta.

Cili ka qenë aktiviteti i parë që ka organizuar Kino Armata dhe tash në këtë periudhë cilat janë aktivitetet që po i organizon Armata? 

Aktiviteti i parë është zhvillu në prill të 2018 me shfaqjen e filimit Cabinet of Dr. Caligari, dhe ka performuar “bendi” Tetris. Arsyeja ka qenë relavisht e qartë sepse dy shtyllat kryesore të Armatës janë filmi dhe muzika, filmi si boshti kryesor e muzika si diçka që lidhet në mënyrë të pamohueshme me filmin dhe Tetrisi në të njëjtën kohë është dhe kolektiv artistik i Armatës që i ndihmonë Armatës me kuru programin në eventet muzikore.

Cila ka qenë arsyeja pse u përzgjedh filmi pa zë me u shfaq si aktivitet i parë, ku filmi Cabinet of Dr. Caliagri, është i tillë?

Dy arsye, njëra se kemi dashtë me inkorporu aspketin e muzikës së gjallë dhe në të njejtën kohë me tregu që jo vetëm që kemi me qenë të hapur por edhe filmi Cabinet of Dr. Caligari është film me rëndësi historike, veçanërisht faza e ekspresionzimit gjerman po menoj që është inspiruese për krejt regjisorët, dhe kështu Armata është e hapur edhe për shfaqjen e atyre filmave që nuk janë komercial, sepse jo gjithkujt mundet me i pëlqy filmi pa za, por është e pamohshme rëndësia si vizule si konceptuale dhe kohore për rëndësinë që e ka pasë.

Këta filma definitivisht nuk janë që shfaqen në çdo kinema, jeni për t’u admiruar!

Po, edhe ajo njëri prej sendeve që donja me bo, sepse tash gjithçka është online, filmat munden edhe me u shkarku, por është mirë me u pa në ekran të madh dhe është mirë me i pa në një kontkest pak ma të gjanë, dhe pastaj me pa një komunitet që do e kishte komentu filmin. Dhe duhet theksuar se kinemaja si institucion fizikisht ka qëllimin e zbavitjes por edhe zhvillimin e mendimit kritik.

Dhe për fund cili është mesazhi për qytetarët që nuk e njohin ose nuk kanë qenë në hapësirën publike Kino Armata?

Hajdeni në Kino Armatë!. S’ka naj mesazh të caktum por është mirë me përcjellë se çka ka, sepse programi ynë është relativisht i ngjeshur dhe e kuptoj që repurtari nuk mundet me qenë për gjithsecilin por gjanat që i shfaqim mundohemi me i përzgjedh për shkak të rëndësisë vizuale, artistike dhe historike. Përgjithësisht duhet me cekë që hapësira e Armatës nuk është vetëm e artistëve por e gjithë komunitetit. K

Foto kryesore: Altin Gashi / K2.0.