-Zotëri a mund t’ju pyes diçka? Ku mund ta gjej objektin e komunës se vjetër? A më duhet të shkoj andej apo këndej? [bëj me shenjë djathtas dhe majtas]
-“Ndjeke këtë rrugë drejt (rr. “Luan Haradinaj”), pastaj shko djathtas dhe vazhdo vetëm drejt, kape rrugën “UÇK”.
-Ju faleminderit!
Kjo bisedë ishte prej të parave që pata kur erdha në Prishtinë nga Tirana, 6 vite më parë, për të studiuar Dizajn Grafik dhe Multimedia.
Shumë shpejt në ditët e para, fillova t’i krijoja kontaktet e para me miq dhe kolegë të rinj, të cilët e donin dizajnin dhe artin në përgjithësi po aq sa unë. Më la shumë përshtypje se sa shumë e donin të bukurën njerëzit. Këtë dashuri e ushqenin jo vetëm për artet e bukura, por edhe për dizajnin e aplikuar, arkitekturën, dizajnin e modës, atë grafik dhe interior. Interesimi që njerëzit e shfaqnin për t’i ndjekur trendet e kohës dhe të rejat, për këmbim kulturor me vende të ndryshme, për ekspozita, më dëshmonin se nuk kisha gabuar në zgjedhjen time.
Nuk isha mësuar t’i shihja edhe moshat më të vjetra teksa e donin të bukurën, përshtateshin shpejt me hapat e kohës dhe për më shumë, i inkurajonin të rinjtë e të rejat në këto drejtime. Normalisht, jo gjithçka rrethohej me të bukurën. Eshtë krejtësisht e natyrshme se kur ndërron vend, fillon e bën krahasimet e gjërave këtu me ato të vendit paraprak.
E fillova shkrimin me një bisedë të shkurtër me një qytetar të zakonshëm në rrugë. Mirëpo të tilla biseda të shkurta kam përjetuar me qindra, normalisht në fillim, sepse pas një kohe i mësova vendet, kafenetë, institucionet, fitneset, dyqanet që të mund të frekuentoja hapësirat dhe të bëja gjërat që zakonisht bëja në Tiranë. E këto biseda u bën një prej mënyrave të vetme për ta mësuar Prishtinën.
Një zgjidhje që nuk kërkon shumë
Për nga aspekti estetik, Prishtina është e bukur, por e pazgjidhur apo thënë ndryshe pa plan të qartë urbanistik. Çdo ditë, ishte e mundimshme ta mblidhja vullnetin për të dalë në qytet kur kisha ndonjë punë për të kryer. Mendërisht përgatitesha që të zhvilloja biseda me njerëz të panjohur, të llojit, “shko majtas, shko djathtas, afër kësaj, asaj ndërtese”.
Ndonjëherë më dukej se as njerëzit që banonin në Prishtinë nuk manovronin me orientim të saktë. Të gjitha përgjigjet, kur e pyesje dikë për orientim ishin “veç edhe pak ec”. Por këtu nuk e kisha shumë problemin.
Edhe më e mundimshme ishte kur kisha ndonjë punë me institucionet publike. Tani, kur i kujtoj me shoqërinë që krijova në Kosovë, kthehen në situata komike. Para se t’i hyja ndonjë pune që lidhej me institucionet publike, kërkoja në internet informata dhe orientim. Jo përherë, po në të shumtën e rasteve dëshpërohesha. Ajo që gjeja në internet ishte e papërditësuar dhe shpeshherë e paqartë. Kur pyesja kolegët se si mund ta nxjerr X dokumentin, e vëreja një lodhje dhe bezdisje tek ta. E shihja se edhe për njerëzit që jetonin në Prishtinë, ky proces ishte i lodhshëm dhe i mundimshëm.
Por dokumentet më duheshin, prandaj s’kisha tjetër zgjidhje. Shkoja me radhë nëpër kate, zyra, derë më derë, deri sa bëja zgjidhje dhe merrja dokumentet që më duheshin. Megjithëse zyrtarët ishin komunikues dhe çdoherë të gatshëm për të më ndihmuar, trokitja zyrë më zyrë ishte e lodhshme dhe merrte shumë kohë.
Ndonjëherë këto situata tejzgjateshin sepse zyrtarëve u bënte përshtypje theksi im. Nuk kishin si të mungonin dhe pyetjet e shpeshta rreth vendit nga vi dhe rreth përshtypjeve të mia për Kosovën, lidhjen emocionale të shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Për t’i shmangur këto biseda, më kujtohet tek bëja një imitim të theksit kosovar, por theksi im ishte vështirë i kamuflueshëm dhe kështu edhe shmangia e të njëjtave pyetje bëhej mision i pamundur.
Kur e mendoj sot, e di se kam pasur një përparësi. Në fund të fundit, flisja shqip. Por si ia dalin njerëzit dhe vizitorët që nuk flasin shqip apo që nuk kanë informacione paraprake? Sigurisht lodhen shumëfish më shumë se unë.
Tani kur mu dha mundësia ta shprehja atë që do doja të ndryshonte në Kosovë, ishte pikërisht ky kaos që më shkoi ndërmend. Ndonëse mendoj se ka edhe të tjera probleme, të cilat në fakt kërkojnë plane strategjike afatgjate, mendoj se kjo problematikë nuk do shumë punë për t’u përmirësuar, ndaj dhe u tregova modeste në zgjedhjen që bëra.
Përfundimisht, mendoj se Prishtina duhet të investojë më shumë në këtë aspekt. T’i përditësojë webfaqet e institucioneve, të dhënat, udhëzimet e orientimet nëpër institucione, ndarjet e departamenteve nëpër kate dhe kështu me radhë.
Dhe ju mund të mendoni se si mund të zgjidhet lehtësisht kjo çështje? Meqenëse krijimi i sistemeve orientuese dhe informacioni paraprak janë thelbësore për individin që drejtohet në një institucion, të njëjtat mund të kursenin kohë dhe lehtësim procedurash.
Shpeshherë e kemi pasur edhe temë diskutimi me kolegët e fushës dhe besoj se krijimi i tyre mund të arrihet përmes mbledhjes së një grupi dizajnerësh, të cilët do të punonin bashkarisht me institucionet, për t’i përmbushur kërkesat elementare dhe për t’i bërë ato lehtë të lexueshme, kreative, ndihmuese dhe dalluese, njësoj si shënjimet dhe simbolet që hasim në komunikacion. Kjo do t’ia zgjidhte kaosin Prishtinës.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0