Një pronar i një vullkanizeri, një mësuese e muzikës, një pronar i një depoje të gomave, një i kombajave dhe një kontabilist i pompës së benzinës, po garojnë për Asamblenë Komunale nga katuni im. Se kush do t’i merr votat varet nga premtimet e tyre, reputacioni që e kanë në katun, relacioni me bashkëkatunarët e tyre, por edhe partia për të cilën garojnë. Njësoj vendoset për asambleistët nga lagjia apo qyteti.
Me 22 tetor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet komunale në Kosovë. Vëmendje e madhe në këto zgjedhje i është dhënë kandidatëve për kryetarë të komunave, por partitë politike e dijnë se votat e katunit dhe të lagjeve janë shpesh të ndërlidhura me emrat e asambleisteve që vijnë nga to.
Në këto zgjedhje konkurojnë afro 7000 persona për asambletë komunale, nga parti të ndryshme. Në një vend si Kosova kjo do të thotë se secili i njeh personalisht disa kandidatë për asambleistë dhe mund të dijnë – nga lidhja personale me asambleistin, ngaqë votuesit nga katuni apo lagjja e njejtë me asambleistin mund të kenë edhe raporte familjare e shoqërore – se a është kandidati/ja i/e duhur për të përfaqësuar ata në Komunë.
Në zgjedhjet komunale ka numër të madh të partive që kërkojnë kandidatë për asamble nëpër qytete dhe katune. Njëkohësisht ka numër të pamjaftueshëm të kandidatëve të kualifikuar që janë të interesuar për të kandiduar për asamble. Kjo diskrepancë mes ofertës dhe kërkesës shtynë partitë (sidomos ato të voglat) t’i ulin kriteret dhe të gjejnë çfarëdo kandidati që ua sjellë disa vota nga pjesa që vjen ai ose ajo.
Kjo ndodh në masë të madhe në katune dhe qytete. Prandaj gjatë fushatave të zgjedhjeve lokale numri i madh i kandidatëve joserioz dhe të pakualifikuar bën që asambleistët të përqeshen, sidomos nëpër rrjete sociale. Përqeshje vijnë edhe për shkak të gabimeve drejtshkrimore që lënë në tekstet e afisheve të tyre, slloganeve qesharake apo edhe për shkak se thjeshtë i gjithë rrethi i njeh dhe e di se kandidatët në fjalë nuk ia kanë haberin politikës, por kandidojnë ta provojnë fatin për ta zënë një vend pune si asambleist/e.
Sidoqoftë, fushatat përqeshëse të njerëzve per kandidatë të asambleve komunale së bashku me kandidimin joserioz, dhe vetëmsa për një vend pune e jo me qëllim të kontribuimit për një qeversije më të mirë, ia heqin rëndësinë dhe përgjegjesinë politike asambleistit. Kjo meqë, kur një pozitë politike konsiderohet jo e rëndësishme nga opinioni publik atëhere është edhe vështirë të kërkohet llogaridhënie për të në të ardhmen.
Zhvillimi i katunit dhe i lagjes së qytetit varet nga vullneti dhe aftësitë politike të udhëheqësëve të katunit apo lagjes, për të bërë presion politik në Komunë, për t’u organizuar në sjelljen e fondeve të rejanga komuna, donacione të organizata vendore e ndërkombëtare apo edhe shtete të jashtme, që investojnë në pjesë rurale apo politika rurale të vendeve në zhvillim si Kosova. Asambleistët mund të nidhmojnë edhe ndonjë aksion të komunitetit për të mbledhur vetë fonde apo edhe për të kërkuar kontribut të diaspores së katunit e lagjes në projekte të komunitetit .
Zani i qytetarit në Komunë
Asambleistët e katunit dhe të lagjës do të mund të organizonin komunitetin e fshatit për të ndihmuar në projekte të llojllojshme si projekte që ndërlidhen me ndriçimin e një rruge, ndërtimin e një rruge, furnizimin e kabineteve shkollore me materiale të nevojshme për mësimnxënie, apo projekte që ndihmojnë në emancipimin ekonomik të grave në zonat rurale dhe në lagjet tona.
Përveç funksionit politik asambleistët gjithashtu ushtrojnë funksionin administrativ në Komunë, si në përcaktimin e planëve urbane, e që i bie se nëse komuna ndërton diçka që i pengon lagjës apo fshatit atëhere asambleistët mund të lobojnë për tërhjekjen e atij vendimi.
Asambleistët gjithashtu ndihmojnë në administrimin e kompanive publike, që i bie se nëse kompania publike dështon të pastrojë rrugët nga bora në sezonën e dimrit, apo të rregullojë kanalizimin, asambleisti/istja është ai ose ajo që e adreson këtë problem në Komunë dhe kërkon zgjidhje. Njësoj siç ka të drejtë të kërkojë llogari për mënyren se si ndahet buxheti komunal, apo vendimet si ato për ndërtimin e një ambulance ose shkolle.
Asambleistët mund të takohen rregullisht me qytetarë nga komuniteti tyre e pastaj ti përcjellin brengat, shqetësimet dhe idetë e banorëve në Asamblenë Komunale dhe të shtyjnë përpara projekte për zgjidhje të problemeve lokale
Jo rastësisht thuhet “mendo globalisht dhe vepro lokalisht’, sllogan ky që thekson rëndësinë e komunitetit lokal për ndryshimet e mëdha që sjellë puna në komunitet.
Pra roli i asambleistëve në komunat tona është tejet i rëndësishëm për qeverisjen demokratike lokale dhe për një jetë më kualitative në vendet ku jetojmë, dhe me një përzgjedhje të duhur të asambleistëve dhe me nje organizim të mirëfilltë të tyre, fshatrat dhe lagjet do të mund t’i përjetojnë disa ndryshime të mira.
Por ndryshimin nuk do ta shohim assesi nëse vazhdohet me përqeshjen e tyre.
Foto Kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.