Ta njohësh politikën sipërfaqësisht i bie se politikën kosovare e njeh shumë mirë. Zhvillimet politike në Kosovë përgjatë këtyre 20 vjetëve të pasluftës të bëjnë të kuptosh se partitë dhe politikanët te ne nuk njohin konsistencë e as traditë — nuk njohin ideologji e as plan afatgjatë.
Dinamikat e saj janë të çuditshme, përplot kthesa e trajektore dhe thyerje të befta e kombinime të pajustifikueshme. Por, të gjitha këto (mos)zhvillime pluskojnë në sipërfaqe andaj motivet e tyre shihen qartazi mjaftueshëm sa të konsiderohet politikë sipërfaqësore. Do të doja të thosha se njohin interes, por kur më bien ndërmend ca akte politikisht vetëvrasëse të partive e politikanëve, as ai term nuk do të ishte gjithëpërfshirës.
Prandaj, një labilitet i tillë ia pamundëson një intelektuali të mirëfilltë aderimin te ndonjëra prej këtyre subjekteve. Si mund të funksionojë në lëmshin e budallallëqeve politike një intelektual mendimi i të cilit ndjek një rrugë të thekur logjike, apo që ka një forcë intuite të pakuptueshme për sharlatanët me të cilët mund të jetë i rrethuar? Kështu, shumë intelektualë vendosin të mos përfshihen në asnjërën prej partive dhe të mbesin neutralë për nga përkatësia — jo edhe për nga situata.
Mirëpo këtu pastaj lind halli. Përbrenda luftës kryesore për përmirësimin e jetës dhe kushteve në këtë vend, është edhe një betejë e madhe e cila mund të humbet në heshtje, e mbytur në zhurmën e zemëratës dhe trazirave të masës. Për dikë mund të duket ankesë minore në ballë të problemeve aktuale në Kosovë, ama duhet siguruar mirë që përgjatë rrugës së përbashkët për ndryshim mos të ndodhë dëm kolateral ndaj një prej themeleve kryesore për progres: lirisë — së mendimit, shprehjes dhe veprimit.
“Kur je neutral në situatë padrejtësie, atëherë je duke ia mbajtur anën shtypësit”, thotë Desmond Tutu. Sipas meje kjo thënie është korrekte; indiferenca e Kombeve të Bashkuara në gjenocidin e Ruandës dhe në atë të Bosnjës janë dy raste të dhimbshme kur thënia e Tutu-s merr vërtetësi. Por ai e specifikon: situatë.
Prandaj jam i rezervuar kur njerëzit e mllefosur ma përplasin fytyrës thënien e klerikut jug-afrikan; kjo sepse ndryshimtarët kërkojnë që t’ua mbash anën pa kushte në secilën situatë për hir të rrugëtimit të tyre drejt ndryshimit të përgjithshëm. Mirëpo parajsa nuk ndërtohet me tulla ferri; kur e legjitimojmë rrenën në favor të “së mirës”, ajo armë bëhet njëlloj e ligjshme për t’u blerë dhe përdorur nga gënjeshtarët e sharë për tërë këto vite. A nuk na kanë bindur përvojat e panumërta të së kaluarës se nuk është poenta që diçka të ndërtohet, porse si ndërtohet?
Hero apo matrapaz
Në përgjithësi, ke gjithfarë neutralësh. Ke neutralë frikacakë që tuten se çfarëdo zgjedhje që bëjnë do t’iu kushtojë. Ke neutralë indiferentë që as nuk ua ndien e as s’e ndiejnë flakën e kaosit dhe të shtypjes. Ke neutralë kalkulatorë të cilët e presin momentin e duhur të profitit që të kapen për vagonin më të begatshëm. Mirëpo, mes aq shumë llojesh nuk mund të mohohet se ke edhe të tillë që mbeten ashtu për hir të një adhurimi të përjetshëm për të vërtetën dhe të drejtën për të cilat besojnë se mund të kontribuojnë përherë, ndonëse me raste pasivisht.
Kubanët e letrave, Guillermo Cabrera Infante dhe Reinaldo Arenas, njëri fillimisht përfitues nga revolucioni kuban e tjetri pjesëtar i tij, u kthyen kundër Fidel Kastros kur ky shtriu dorën e fortë mbi vendin e tyre. Pra, pavarësisht anësisë situative të një kohe kur luftohej diktatura e Fulgencio Batistës, ishte perceptimi objektiv i situatës që ua mbante këmbët në tokë dhe sytë e kthjellët gjatë regjimit pasues të Kastros.
Nëse është një shtresë e lëndueshme e mendimtarëve, janë pikërisht ata të pavarurit të cilët shpesh i kemi parë të flaken në margjina, të injorohen dhe të përqeshen.
Përderisa pozicionimi në situata të tilla gati se gjithmonë është imperativ socio-moral, i tillë nuk është edhe pozicionimi përkatësor. Kur them përkatësor e kam fjalën për bashkërendimin konstant me një lider apo trup politik në secilin vendim të tyre për nder të qëllimit të përgjithshëm.
Mund të duket sikur po e dënoj konceptin e përkatësisë, por nuk është ashtu. E tëra çfarë po tentoj të sqaroj është se si mund të jetë për një njeri me mendim të formuar të ketë momentalisht përkatësi politike në Kosovë: ai ose ajo duhet të dalë dhe ta mbrojë secilin veprim partiak apo të liderit të vet edhe kur ai veprim nuk është i drejtë, legjitim apo konstruktiv. Tek e fundit, nëse kjo është sakrifica që duhet ta bëjë një mendimtar, le ta bëjë.
Por jo këto subjekte politike t’iu sulen atyre mendimtarëve që nuk marrin karta partiake identiteti pikërisht se duan që ta ruajnë integritetin e tyre intelektual; atyre që janë më të cenueshmit pasi që duan t’i thonë gjërat ashtu siç vërtet mendojnë se janë, dhe jo ashtu siç mund t’i konvenojë përherë filan politikani apo partie. Nëse është një shtresë e lëndueshme e mendimtarëve, janë pikërisht ata të pavarurit të cilët shpesh i kemi parë të flaken në margjina, të injorohen dhe të përqeshen, të akuzohen rrejshëm se janë të shitur apo se duan ta rrisin pazarin e tyre.
Të qenit neutral (jo i situatës, por i përkatësisë politike) në Kosovë është pothuajse sikur të jesh i pashtëpi. I bie që të mbetesh në udhëkryq, dhe krejt çfarë mund të dëgjosh është jehona e zërit tënd kur e thua atë që çiltërisht e beson si të drejtë pavarësisht a i konvenon nganjëherë atij që ty s’ta ka ëndja fare, apo e shiton edhe atë që mund ta duash më së forti.
Varësisht se kah shkon e drejta, herë zgjohesh si heroi i asaj që e beson masa, e herë i cilësuar si matrapaz. E drejta herë të rreshton me turmën — që në (pa)vetëdije të bën të ndihesh i vlerësuar dhe i vlefshëm, herë të qet në anën e kundërt, atëherë kur, siç thotë Kierkegaard-i, turma është e pavërtetë.
Andaj ta ruash ftohtësinë e mendimit të arsyeshëm nga dielli joshës i masave apo nga flaka përvëluese e elitave kontrolluese, është rrezik që të mbesësh i vetëm, por kurrë që të mos mbetesh vetja; sepse një njeri me vetëdije të mjaftueshme intelektuale e di se vdes si qenie po i vdiq mendimi.
Prandaj, është pikëlluese kur sheh mendimtarë të shquar të cilët — ose të frikësuar nga tërbimi i masave, ose të veskur dhe të etur për aprovimin e tyre — edhe në raste kur nuk mendojnë si ta, e adaptojnë atë besimin e keq që Sartri e trajton te “Qenia dhe Hiçi”. Për mua tingëllon ose qyqari ose vërshim i arsyes nga mllefi i pakontrolluar kur intelektuali nis ta ndjekë instinktin e tufës ose i aranzhon qëndrimet e tij në bazë të asaj që do t’iu pëlqejë atyre që ta dëgjojnë — asaj që do t’i sjellë mirënjohje në publikun e gjerë.
Asnjë politikan apo parti nuk guxon të pretendojë se e ka ekskluzivitetin e të lëshuarit certifikata dinjiteti, patriotizmi apo qytetarie të mirëfilltë.
Prandaj, në raport me subjektet politike që janë si opsione në Kosovë, neutraliteti është rezistencë — thënë më saktësisht: neutraliteti përkatësor, jo ai situativ. Në një botë praktike, natyrshëm se duhet shkuar me zgjedhjen e “më të mirit prej më të këqijve”. Kështu, kur këta “të mirët” fillojnë të të gozhdojnë në secilin rast pa pikë mëshire sa herë që del kundër tyre pavarësisht se e dinë mirë se je i pashitur dhe i paagjendë, atëherë ndoshta prapë duhet t’i përkrahësh për hir të së mirës së pandehur të përgjithshme.
Si? T’i llogarisësh të gjitha rrethanat dhe situatat dhe në fund të arrish në rezultatin total. Dhe nëse rezultati total bie në favor të këtyre “të mirëve”, që edhe pse të akuzojnë edhe në rastet më të vogla kur iu del kundër, atëherë prapë duhet t’i favorizosh — pa pasur nevojë që me këtë ta marrësh kartën e anëtarësisë tek organizata e tyre. Porse, pa u frikësuar që njëkohësisht të thërrasësh me krejt fuqinë që ke në veshët e qytetarëve: s’ka politikan apo parti që guxon të pretendojë se e ka ekskluzivitetin e të lëshuarit certifikata dinjiteti, patriotizmi apo qytetarie të mirëfilltë.
Kontributi i neutralit përkatësor
Të qenit neutral me dinjitet shpesh herë do të thotë të humbësh, por jo të jesh i humbur. Të mos jesh i humbur në segmentet e gënjeshtërta të një drejtëze, por t’i përkufizosh gjërat ashtu si ndodhin dhe ashtu si i sheh sinqerisht. Të qenit i paanshëm është më e afërta e të qenit mukajet për ndërgjegjen e popullit, edhe pse ky privilegj nuk i takon askujt. Kjo sepse secilën herë mund ta thuash atë që e beson si të drejtë dhe jo ta interpretosh të drejtën ashtu që t’i shkojë për shtati një lideri apo partie në rrugëtimin për ta fituar apo mbajtur pushtetin.
Neutralët e sinqertë politikë — jo neutralët e situatave — janë të mirë për këta politikanë sepse edhe atyre mund t’u shërbejnë si ndërgjegje kur duan ta rravgojnë të vërtetën apo mund të shërbejnë si roje të së mirës së përgjithshme kur këta të fundit rrezikojnë ta tkurrin atë të mirë ashtu siç kanë bërë partitë pararendëse politike.
Pa sulmuar domosdo intelektualët që me të hyrë nëpër parti janë zvetënuar si autoritete mendimi, them se neutrali me dinjitet del dhe e zgjedh njërin prej këtyre subjekteve politike në situata të caktuara. Mirëpo, pavarësia e tij ia mundëson që t’ua numërojë të gjithëve të gjitha — virtytet dhe gabimet. Atyre që kanë vjedhur dhe shkatërruar pambarimisht këto 20 vjet në Kosovë, si dhe atyre që aktualisht me raste po duan ta manipulojnë masën emocionalisht dhe mendërisht (natyrisht me kujdesin e duhur që ai të mos i barazojë ato).
E bukura e kësaj është se pavarësisht paanshmërisë, ajo që intelektuali i pavarur e thotë nuk është domosdo e vërteta apo e drejta, por së paku populli nuk ka të bëjë me një njeri me motive vetjake apo meskine. Ai i shpreh mendimet dhe bindjet e tij lirshëm sepse lufton që të trajtohet si qytetar me vetëdije normale politike, dhe refuzon që të shndërrohet në dele që ndërron bariun.
Jeta e tij në Kosovë ka mbetur e thjeshtë pikërisht sepse pasurinë më të madhe për vete e konsideron lirinë dhe mëvetësinë për ta thënë atë që vërtet e mendon dhe e beson. Andaj, ai nuk lejon që asnjë individ apo organizatë t’i mbivendoset si supremaci morale aq sa t’ia konfiskojë apo zhvlerësojë mendimin. Në kohët kur disa e kanë përvetësuar shumicën e asaj që është materiale, me të cilin rast disa duan që ta përvetësojnë krejt atë që është ideale, neutralitet përkatësor do të thotë të ngrehësh krye.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.