Edhe një “luftë” në mes të Kosovës dhe Serbisë përfundoi. Kjo e fundit ishte për targat dhe e ktheu veriun e Kosovës sërish në qendër të vëmendjes përtej Prishtinës dhe Beogradit. Ky skenar i kësaj “lufte” ngjasoi shumë me ata të shkuarit në veri. Kosova përdori forcat e saj më të fuqishme, Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, kurse serbët e Kosovës përsëri ngritën barrikada për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për targat.
Përfundimisht, pas gati dy javë tensionesh, të dyja palët e panë të nevojshme që t’i ulin tensionet, kështu që arritën një marrëveshje në Bruksel e cila ishte pak a shumë e ngjashme më atë të vitit 2016. Natyrisht, të dy qeveritë e paraqitën rezultatin e fundit si fitore të anës së tyre.
Me përfundimin e kësaj ‘lufte’, u shua edhe lufta e mediave të Kosovës dhe Serbisë. Mënyra e pabarabartë e raportimit në media të konfliktit të Kosovës dhe Serbisë sikurse në rastin e reciprocitetit me targat është një “traditë” e dialogut që ka zgjatur mbi dhjetë vjet. Shumica e mediave në Serbi e ndjekin politikën zyrtare shtetërore, por edhe ato në Kosovë ndjekin përceptimin e krijuar në opinion. Deklarimet publike konfliktuoze mbi marrëveshjet dhe mungesa e transparencës në dialog sjellin deri tek atmosfera e përshtatshme për tensione.
Që nga fillimi, dialogu është dëmtuar nga keqinterpretimi i qëllimshëm i marrëveshjeve të arritura midis të dyja palëve. Të dyja palët në dialog i përdorin këto interpretime për të paraqitur marrëveshje të caktuara si fitore historike dhe për t’i fshehur aspektet e marrëveshjeve në momentet kur u duhet të bëjnë kompromis.
Kur media punon vetëm që t’u shërbejë pushteteve, apo pajtohet me atë qe pajtohet shumica e opinionit publik, flakët e tensionit vetëm do të ngriten.
Mediat në raste të tilla ndjekin politikën zyrtare shtetërore, duke i paraqitur ngjarjet ashtu si shteti i sheh dhe jo se si është realiteti. Përgjegjësia gjithmonë kërkohet tek pala tjetër. Kur media punon vetëm që t’u shërbejë pushteteve, apo pajtohet me atë që pajtohet shumica e opinionit publik, flakët e tensionit vetëm do të ngriten.
Pjesë delikate të dezinformimit i udhëzojnë lexuesit se si duhet të ndihen. Për shembull, titujt e shumicës së mediave në Beograd më 20 shtator ishin në lidhje me kapjen e pikave kufitare të Bërnjakut dhe Jarinjes nga ROSU, pavarësisht faktit se njësia ROSU e Policisë së Kosovës nuk ekziston prej vitesh. Por për shumicën e shtypit në Beograd kjo nuk ka rëndësi. ROSU është e lidhur në mënyrë konvencionale me konfliktet e mëparshme në Veriun e Kosovës dhe i ndihmon mediat t’i përkujtojnë ato ngjarje.
Në Serbi pak njerëz besojnë se epilogu i konflikteve të tilla mund të jetë lufta. Shumë të tjerë mendojnë se incidentet krijohen për nevoja politike. Në fakt, konfliktet dy-tri ditore mes Kosovës dhe Serbisë dikur quheshin “luftëra fundjavash”, ndonëse kësaj radhe zgjati gati dy javë.
“Na duket se është hera e parë që kemi arritur një milimetër larg prej një konflikti të armatosur dhe, e them pa asnjë modesti, kjo u ndalua duke e falënderuar Aleksandar Vučić. Dhe bravo i qoftë për këtë, ia heq kapelën”, deklaroi kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić vetëm disa ditë pasi u arritën një marrëveshje të përkohëshme në Bruksel.
Ajo ҫfarë kryeministrja serbe Brnabić ka të drejtë është fakti se Serbia kishte vënë disa herë në gjendje gatishmërie ushtrinë e saj ose të paktën pjesë ushtrie, Por që nga viti 1999 nuk kishte nxjerrë në rrugë ato tanke apo fluturuar avionët dhe helikopterët në zonën kufitare. Serbia nuk mund të fluturojë sipër zonës ajërore të Kosovës pasi kjo është nën kontrollin e NATO-së.
Tensionet u ngritën në terren krahas tensioneve në rritje në media. “ZBULOHET PLANI DJALLËZOR: Kurti dëshiron një luftë për ta krijuar Shqipërinë e Madhe”, ishte vetëm një nga titujt kryesorë të tabloideve të Beogradit.
Serbia mobilizoi të gjithë aparatin medial pro-qeveritar për të reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vënien e masave reciproke për targat. Si në rastet e mëparshme ku mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë, presidenti Vučić dha sërish një fjalim në të cilin ai ҫdo herë përsërit se nuk do të lejojë “poshtërimin e Serbisë apo vendime të njëanshme”.
Ndërsa mediat shqiptare nuk e provokuan drejtpërdrejt situatën, ato më shumë e kryen pjesën e tyre me transmetimin e provokimeve të të tjerëve.
Kishte edhe disa paqartësi me rritjen e tensioneve. Mediat në gjuhën serbe raportuan për rrahjen e tre qytetarëve serbë dhe Beogradi me nxitim akuzoi policinë e Kosovës. Policia e Kosovës e mohoi një ngjarje të tillë. Mediat serbe më pas mbuluan ngjarjen nga spitali ku burrat e intervistuar dhanë informacione se ishin rrahur nga policia. Petar Petković, kreu i zyrës për Kosovën, ia hodhi fajin kryeministrit Kurti.
“Për këtë drejtpërdrejt është fajtor Albin Kurti. Tani është më se e qartë që nuk i intereson dialogu apo zgjidhja e krizës, por vetëm përpjekja për ta okupuar veriun e Kosovës dhe Metohisë me forcë”, tha Petković.
Media serbe gjithashtu vunë në pikëpyetje nëse Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) ishte infiltruar në radhët e policisë që vepronte në veri.
Ndërsa mediat shqiptare nuk e provokuan drejtpërdrejt situatën, ato më shumë e kryen pjesën e tyre me transmetimin e provokimeve të të tjerëve. Përveç kësaj, mungesa e qasjes në komunitetin serb nënkuptonte që nuk kishte trajtim të thellë të situatës.
Një nga ngjarjet që u raportua në Kosovë, por shumë pak në Serbi ishte një lajm për praninë e katër rusëve, infiltrues të supozuar në radhët e serbëve që kalonin si protestues.
“Rusët kanë sjelle me vete edhe tri ҫanta, të cilat i kanë hapur vetëm kur është errësuar”, aludonte një lajm në mënyrë të paqartë. Artikulli theksoi se ardhja e rusëve shkaktoi shqetësim në mesin e serbëve vendas, por specifikoi disa rreshta më vonë se “serbët kishin ardhur nga Mali i Zi”.
Kryeministri Kurti ishte gjithashtu i etur për të vënë në dukje praninë e serbëve jo-kosovarë tek barrikadat. Ai postoi imazhe dhe të dhëna biografike të dy burrave në faqen e tij në Facebook, duke i përshkruar ata si ekstremistë malazezë dhe serbë me prejardhje kriminale dhe me lidhje me qeverinë serbe. Mediat serbe nuk raportuan për këtë.
Kalimi i kufirit
Lëvizja e lirë ka qenë temë e bisedimeve që në fillim të dialogut teknik dhe baza e marrëveshjes së parë të Brukselit, pjesë e së cilës ka qenë edhe marrëveshja për targat që nga viti 2011. Por, edhe në arritjen e marrëveshjes para dhjetë vitesh ka qenë e paqartë se për ҫfarë është rënë dakord.
Në fillim targat e Kosovës nuk lejoheshin fare pavarësisht se ato nuk e kishin akronimin e republikës brenda dhe ende ishin vetëm “KS”. Në këtë kohë, shoferët me targa të Kosovës që donin të hynin në Serbi detyroheshin të paguanin 30 euro për leje të përkohshme tri-ditore dhe mbi 100 euro për leje një mujore. Më vonë, makinat me targë “KS” u lejuan të hyjnë në Serbi pa pagesë, por jo edhe ato me targë “RKS”.
Shumë shpejt Serbia i pranoi kartat e identitetit, por ende askush nuk e sqaronte se si ishte rënë dakord për pasaportat e Kosovës. Kjo mund të mos ketë qenë problem për njerëzit që udhëtonin veç mes Kosovës dhe Serbisë, por për mbajtësit e dokumenteve të Kosovës që udhëtonin me aeroplan përmes Beogradit, ishte një çështje e rëndësishme.
Ambiguiteti i marrëveshjeve të arritura në Bruksel përforcohet nga mungesa e hapësirës mediale.
Serbia tani i lejon udhëtarët me karta identiteti të Kosovës të fluturojnë përmes aeroportit të Beogradit nëse kanë vizë valide dhe dokumentin e përkohshëm që e lëshon policia serbe. Pra, nevojiten dy dokumente dhe një letër. Kjo i ka hutuar shumë udhëtarë. Nganjëherë as policia e Serbisë nuk i din detajet e marrëveshjes dhe përgjigjet me diçka kësisoj “me këto dokumente mund të udhëtoni vetëm në mënyrë tokësore, por jo edhe ajrore”.
Ambiguiteti i këtyre marrëveshjeve përforcohet nga mungesa e hapësirës mediale. Shumica e mediave në gjuhën shqipe nuk kanë korrespondentë në Beograd apo Bruksel, dhe pak gazetarë serbë në Kosovë flasin shqip dhe kryesisht kur raportojnë për mediat e Serbisë, Kosovën e shohin vetëm përmes prizmit zyrtar. Krejt kjo nuk lejon shumë hapësirë për një informim të baraspeshuar për një ҫështje kaq të ndjeshme si marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Fenomeni i mediave kosovare dhe serbe që raportojnë gjëra krejtësisht të ndryshme ka qenë pjesë e dialogut që nga fillimi. Mungesa e informacionit në lidhje me marrëveshjet i lë qytetarët t’i kuptojnë detajet vetë, pa udhëzimin e duhur. Mbi të gjitha, kjo pengon normalizimin e marrëdhënieve midis dy popujve.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
ALB: Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd.
Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.