Në fund të muajit të kaluar, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës u miratua parimisht në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete. Kur të përfundohet, ky ligj do ta ndryshojë Kodin e Procedurës Penale për t’i mundësuar gjykimet e krimeve të luftës të mbahen edhe pa praninë fizike të personit të gjykuar – një lloj i gjykimit që njihet si ‘gjykim në mungesë’.
Ndonëse ky projektligj do ta mundësonte mbajtjen e seancave të këtij lloji, ai gjithashtu i rregullon rreptësisht rrethanat në të cilat mund të mbahen ato, duke paraparë qartë se imponimi i jurisdiksionit penal mbi një rast pa praninë e të pandehurit mund të bëhet vetëm pasi të jenë shfrytëzuar disa alternativa:
- Personi nën hetim do të kërkohet në Shtetin / Shtetet ku supozohet të jetë, bazuar në parimin e bashkëpunimit ndërkombëtar juridik, të paktën pesë herë, dhe vetëm pasi të jetë refuzuar apo shpërfillur krejtësisht një kërkesë e tillë nga autoritetet e Shtetit pranues;
- Në rast se shfrytëzohen kanalet e bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe ato nuk arrijnë ta kapin personin nën hetim;
- Pas dështimit të qëllimit nën pikën a dhe b, personi nën hetim do të shpallet si i kërkuar për hetim në procedurë penale për të paktën gjashtë muaj, në mediat e Republikës së Kosovës, përfshirë Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Duhet të ceket se nëse ky projektligj bëhet ligj dhe nëse përmbushen këto kritere, nuk do të jetë hera e parë që do të kryhen gjykime në mungesë në Kosovë. Menjëherë pas luftës, kur dispozitat nga Kodi Federativ Penal i Jugosllavisë ende ishin duke u zbatuar, kishte raste ku të akuzuarit po gjykoheshin në mungesë, veçanërisht për akuza për gjenocid.
Debati rreth etikës së gjykimit në mungesë dallon nëpër botë, për shkak se sistemet e ndryshme ligjore lejojnë qasje të ndryshme. Përderisa në disa sisteme ligjore ky koncept mund të shihet si shkelje e parimit ‘audi alteram partem’ (të dëgjohet pala tjetër), në sisteme tjera të ligjit civil, gjykimi në mungesë përbën një strategji mbrojtëse të pranuar, por varësisht nga shteti, mund të kërkohet prania e avokatit të të pandehurit.
Brenda Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, që janë nënshkruese të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është një nen i veçantë në Konventë që parasheh, dhe për më tepër edhe mbron, të drejtën për gjykim të drejtë. Është Neni 6, paragrafi 1, që në mënyrë eksplicite thotë:
“Në përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve civile të tij apo përcaktimin e çfarëdo akuzave penale kundër tij, çdo person ka të drejtë për gjykim të drejtë dhe publik, brenda një afatit të arsyeshëm, nga një tribunal i pavarur dhe i paanshëm, të themeluar nga ligji. Gjykimi do të shpallet publikisht, por shtypi dhe publiku mund të përjashtohen tërësisht apo pjesërisht nga gjykimi në interes të moralit, rendit publik apo sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, ku kërkojnë interesat e të rinjve apo mbrojtja e jetës private të palëve, apo nëse është rreptësisht e domosdoshme sipas mendimit të gjykatës në rrethana të veçanta ku publiciteti do t’i paragjykonte interesat e drejtësisë”.
Është shkelja e këtij neni që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), i referohet kryesish tkur merret me gjykimet në mungesë, të cilat i dërgohen asaj. Megjithatë, është edhe një Strukturë e Vendimit që argumenton se gjykimi në mungesë në fakt mund të konsiderohet se është në harmoni me Nenin 6.
E qartë është se këtë pikëpamje nuk e ka përvetësuar GjEDNj-ja dhe gjykimet në mungesë ende paraqesin problem të madh në rajon sa i përket fluiditetit të njohjes së ndërsjellë të gjykimeve juridike, që pastaj lidhen drejtpërdrejtë me (mos)obligimin për ta ekzekutuar një Urdhër Arrest Evropian.
Janë edhe disa kushte të dhëna nga Ministrat e Drejtësisë të Këshillit të Evropës nën të cilat gjykimet në mungesë mund të njihen, si: nëse mund të thuhet se personi ka qenë i vetëdijshëm për gjykimin, nëse një këshilltar e përfaqësoi atë në gjykim, nëse nuk kërkojnë apel me kohë ose nëse u është ofruar një apel.
Edhe Këshilli i Evropës ka dhënë komente për gjykimet të cilat janë marrë si rrjedhojë e gjykimeve në mungesë. Rezoluta (75) 11 specifikon rëndësinë e informimit me kohë të individit për gjykim, më shumë se rëndësinë e pranisë së tyre gjatë gjykimit, një qasje që reflektohet në këtë projektligj të ri në Kosovë.
Drejtësi penale ndërkombëtare dhe gjykime të krimeve të luftës
Konsensusi i përgjithshëm mund të jetë i paqëndrueshëm sa i përket koncepit të gjykimeve në mungesë për gjykime penale vendore, por si është situata në drejtësinë penale ndërkombëtare? E krimet e luftës? Çka nëse shtetet përballen me një situatë në të cilën është e pamundur të adresohen rastet e caktuara për shkak të refuzimit të personit të akuzuar për të qenë i pranishëm? A mund të justifikohen gjykimet në mungesë në këto raste?
Këtu i kthehemi vendimit të institucionit të mirënjohur që merret me drejtësi penale ndërkombëtare, specifikisht Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN). Duhet të ceket se para finalizimit të Statutit të Romës, kishte diskutime të gjata në lidhje me atë se a duhet apo jo të lejohen gjykimet në mungesë nën patronazhin e GjPN-së.
Pasi u miratua drafti i fundit i Statutit të Romës më 1998, Neni 63 e bëri të qartë se të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm gjatë gjykimit, dhe vetëm disa dispozita të vogla lejonin gjykimin në mungesë në rast se i akuzuari vazhdimisht e pengon gjykimin, ose gjatë seancës në të cilën konfirmohen akuzat.
Shtetet tjera në rajon kanë qasje të përziera ndaj gjykimit në mungesë. Neni 29 i Kushtetutës së Republikës së Kroacisë përcakton se i akuzuari ka të drejtë “të jetë i pranishëm në gjykim nëse është në dispozicion të gjykatës”. Siç vërehet lehtë, neni e përmend vetëm të drejtën për të qenë i pranishëm, duke e kushtëzuar atë me disponueshmërinë e të akuzuarit, që e lë të hapur mundësinë për gjykime në mungesë.
Sanader vs Kroacia është një nga rastet më të njohura në Kroaci sa i përket gjykimeve në mungesë, për shkak të faktit se shkoi deri në GjEDNj.
Mile Sanader u akuzua për krime lufte kundër të burgosurve të luftës më 1992 dhe gjykimi u mbajt në mungesë të tij. Bazuar në deklarata të ndryshme të dëshmitarëve, ai u dënua me 20 vjet burg, ndërsa gjykatat lëshuanurdhër arrest për të.
Sanader u ankua dhe kërkoi rigjykim duke e çuar rastin e tij deri në GjEDNj. Më 2015, GjEDNj mori vendim në lidhje me rastin, duke shprehur se gjykatat kroate e kishin shkelur të drejtën e Sanader-it për gjykim të drejtë, duke iu referuar Nenit 6 (paragrafi 1) të Konventës, siç u përmend më lartë.
Pavarësisht këti vendimi, Kroacia ende vazhdon të zbatojë gjykime në mungesë. Në muajin tetor në Zagreb nisi gjykimi në mungesë i 29 komandantëve paramilitarë serbë të akuzuar për masakrën e kroatëve në Voćin më 1991.
Edhe gjykatat serbe lejojnë alternativën e gjykimeve në mungesë, çështje kjo e rregulluar në Kodin e Procedurës Penale të këtij vendi. Neni 381 i Kodit të Procedurës Penale të Serbisë thotë në mënyrë eksplicite: “I pandehuri mund të gjykohet në mungesë të tij vetëm nëse ekzistojnë arsye të posaçme dhe të justifikuara për ta gjykuar atë edhe pse nuk është i pranishëm, duke marrë parasysh se ai është në arrati apo nuk është në dispozicion të autoriteteve publike”.
Ndonëse Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi (ZPKL) është lëvduar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për shkak se i është shmangur lëshimit të padive për njerëz që janë në arrati dhe gjykimit të njerëzve në mungesë të tyre, është një përjashtim i dalluar. Në atë që njihet si ‘rasti i Gjilanit’, ZPKL e ngriti një padi kundër 17 ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i gjykuar 8 prej tyre në mungesë. Kjo përsëri tregon se Serbia e praktikon alternativën e gjykimeve në mungesë.
Ndërsa, Kodi i Procedurës Penale të Bosnjes dhe Hercegovinës është shumë i qartë sa i përket gjykimeve në mungesë. Neni 247 thotë në mënyrë eksplicite: “I akuzuari nuk mund të gjykohet kurrë në mungesë.” I njëjti parim me sa duket zbatohet në Dhomën e Gjykatës për Krime të Luftës, që u themelua në mars 2005. Qëllimi i vetëm i gjykatës është hetimi dhe ndjekja penale e njerëzve të përzier në shkelje të ligjit ndërkombëtar gjatë luftës 1992-95, por pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk ka mbajur gjykime në mungesë.
Një hap përpara?
Por, pavarësisht debateve ligjore, a do të ndihmojë ky amendament drejtësinë tranzicionale në Kosovë dhe viktimat e krimeve të kryera gjatë luftës?
Duke marrë parasysh dështimin e sistemit ligjor vendor dhe dështimet e misioneve UNMIK- dhe EULEX për t’i adresuar në mënyrën e duhur rastet e krimeve të luftës në Kosovë, si dhe rezistencën e Serbisë për të bashkëpunuar në lidhje me gjykimet e krimeve të luftës, është e rëndësishme ta kemi mundësinë t’i adresojmë ato që kanë ndodhur në Kosovë – edhe nëse do të thotë se duhet të bëhet pa praninë fizike të personit që është duke u gjykuar. Sa i përket drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën, duhet ta pranojmë dhe të pajtohemi me faktin se nuk ka situatë në të cilën fitojnë të gjithë, dhe se disa njerëz nuk do të jenë të kënaqur në cilindo skenar.
Shqetësimi im kryesor sa i përket këtij amendamenti lidhet me viktimat që mund të mos kenë mundësi për t’u ballafaquar vet me autorët e krimeve që i kanë prekur ata. Një nga shtyllat më kryesore të ballafaqimit me të kaluarën janë viktimat, dhe si e tillë ata duhet të përfshihen në debat; të njoftohen siç duhet dhe të jenë të përgatitur për ndryshimet që po vijnë. Është shumë e rëndësishme që edhe ata të përfshihen kur të fillojnë këto gjykime. Përndryshe kemi dështuar t’i adresojmë – se le më t’i trajtojmë si duhet – krimet e luftës.
Nuk kemi më kohë për të humbur.
Kemi humbur shumë.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0