Themeli është gërryer, dërrasat anësore janë vendosur. Gjithçka është gati për vendosjen e bazamentit dhe vazhdimin e murosjes së sheshit “Mbreti Petar” në veriun e Mitrovicës. Muri i ri po ndërtohet, pak më i ulët, dhe 2 metra më mbrapa se ai që u shkatërrua pas debatit të pafund me 5 shkurt. Por jo si ai i kaluari, ky i riu po ndërtohet me miratimin e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve lokale, si pjesë e planeve të miratuara për projektin e ashtuquajtur të rivitalizimit të urës mbi Lumin Ibër, në zonën përreth.
Këto përpjekje të vonuara për ta rivitalizuar këtë zonë vijnë gati dy dekada pasi “ura e re”, e njohur si ura e Ibrit, ishte ndërtuar me synim e proklamuar të krijimit të lidhjeve më të mira në mes të veriut me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare. Por duke u shëndrruar në ndër të vetmet ura ndoshta, që në vend të bashkimit simbolizon ndarjen e djepit të dikurshëm të rokut që bashkonte serbë e shqiptarë kosovarë. Kjo urë që u financua nga qeveria franceze dhe u ndërtua në vitin 2011, e trashëguar nga koha e administrimit të Kosovës nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) ishte punuar nga 61 punëtorë të përzgjedhur serbë e shqiptarë. Emrat e tyre dhe të menaxherit francez të projektit – Pierre Lottici – gjenden edhe sot të gravuar me bronz në anën e brendshme të urës.
“Në shenjë bashkimi i kanë shkru emrat”, është komenti që një kalimtar rasti nga jugu e dha për K2.0, një javë pasi u rrënua muri i parë në veri. Së shpejti, ky qytetar nga jugu do të ketë mundësinë që përtej urës, së cilës ia pëçmon simbolizmin, të shoh sheshin e ri “mbreti Petar”.
Sheshi i ri, në të cilin do të kenë qasje vetëm këmbësorët, e zëvendëson rrugën ekzistuese që vazhdon pas lumit Ibër, dhe me murin e ri si bazament, është e emëruar në nder të Mbretit Petar I, person që vështirë se simbolizon unitet; duke kujtuar se ishte mbreti i fundit i Serbisë dhe i pari i serbo-kroato-sllovenëve, dhe figurë e rëndësishme historike për serbët për shkak të rolit të tij në zgjerimin e territoreve të Mbretërisë në fillim të shekullit 20 – deri në Kosovën – që ende konsiderohet nga Serbia si zemra e saj.
Projekti i rivitalizimit, që sipas shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, do ta shëndrrojë sheshin “Mbreti Petar” , në “sheshin më të bukur në Kosovë”, është një prej katër çështjeve që u përfshinë në marrëveshjen e ashtuquajtur “historike”, të mbështetur nga BE, në mes të Kosovës dhe Serbisë në gusht 2015.
Por në sy të mitrovicasve, në jug e veri, duket se asgjë nga këto nuk është më as historike e as me interes. Vetëm disa ditë pas rrënimit të murit të parë atje, qytetarët shfaqin me apati mendimet e tyre rreth tij, duke kujtuar se Mitrovica ka shumë më shumë probleme që prekin jetën e qytetarit atje se sa muret e urat që mund të ndërtohen për çfarëdo lloj “propagande politike”. Krejt çka duan është një jetë më e mirë.
“Infrastrukturë më të mirë, ujë, kanalizim. Këto janë gjëra bazike”, numëron nevojat e tij një qytetar rreth të dyzetave në veri të qytetit, derisa takon kalimthti ekipin e K2.0 në sheshin qendror “Car Llazar”.
“Inçizo lirisht, por mos më kërko emër”, ishte kushti që u caktua prej shumë banorëve me të cilët foli K2.0 në pjesën veriore të qytetit. Shumë prej tyre i druhen vëmendjes së vazhdueshme mediale që e tërheq Mitrovica, sa herë të shtohen tensionet, por ka edhe tjerë që kanë frikë prej ndëshkimeve që mund të pësojnë prej grupeve ilegale që ende i frikësojnë njerëzit që flasin – qoftë për politikë, qoftë për probleme të përditshme si kanalizimi i dobët – ‘kundër interesave serbe’.
“Shihni automjetet dhe taksistët e paregjistruar, parkohen vend e pa vend dhe tregomëni si mund të udhëtosh me një taksi kur nuk ka firmë të regjistruar dhe nuk ka targa, çfarë sigurie është kjo dhe garancë për jete e sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë?”, pyet një burr rreth të dyzetave. “Tash e 40 vite jetoj në Mitrovicë. Kam jetuar edhe me shqiptarë dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme deri më 1999. Fqinji im i parë ka qenë shqiptar…jemi lodhur nga lojërat politike”, thotë ai duke u larguar dalëngadalë.
Një bashkëmoshatar i tij ndanë të njëjtat halle. Për murin, as që lodhë mendjen. Tensionin rreth tij e quan “lojë politike”.
“Çështjet si kjo e murit janë vetëm lojëra rreth parasë e pushtetit e të cilat bëhen në shpinën e njerëzve të zakonshëm”, thotë ai.
Ai foli për halle të mbijetesës e nostaligji për vitet para vitit ‘99. Mitrovica dikur ishte qendër e xeheve në Jugosllavi dhe punësonte diku 40 për qind të popullsisë së qytetit vetëm në fabrikën e “Trepçës”, ndërsa sot është qyteti më i varfër në Kosovë, me një shkallë afro 70 për qind të papunësisë. Thesarin e dikurshëm të një Jugosllavie të tërë, në të dyja anët [jug e veri], e karakterizon një kaos infrastrukturor, me rrugë të paasfaltuara apo të lëna në gjysmë gjatë riparimit, me mungesë të bollshëm të ujit e përplot qenë endacakë nëpër rrugë.
“Në vitin 2000 kur ka pasur probleme më të mëdha, atëherë në këtë qytet nuk ka pasur fare mur – muri kemi qenë ne. Tani kjo është vetëm një lojë politike. Kemi halle shumë më ekzistenciale”, vazhdon bashkëbiseduesi ynë.
Të normalizosh diçka “jo normale”
Por të flasësh për probleme të tilla me përfaqësues shtetëror apo politikanë nuk konsiderohet diçka normale. Sepse vetë Mitrovica nuk konsiderohet normale.
Se atje tensionet janë pjesë e përditshme e jetesës së fundi tregoi edhe djegja e zyrës së partisë demokratike serbe të Marko Jakshiq në mëngjesin para ditës kur po fillonte rindërtimi i murit në Mitrovicë. Jakshiq akuzoi kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vucic dhe njerëzit e tij në veri për këtë akt, që ndodhi një ditë pas Jakshiq kishte kritikuar ashpër Vucicn për gjithë histroinë me murin në Mitrovicë.
Versioni zyrtar i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës është se dy nxehmëse e kanë shkaktuar zjarrin që shkatërroi tërë zyren. “Kemi angazhuar dy eskpertë, një institucional si dhe një të pavarur për të hequr çdo dyshimë, sipas raporteve të tyre bëhet fjalë për një zjarrë të shkaktuar nga dy nxehmëse të lëna gjatë tërë natës ndezur në zyre”, ishte përgjigja e zëdhënësit të Policisë në veri të Mitrovicës. “Do kisha bërë thirrje që mos të politizohen gjërat siç ndodh shpesh në veri sepse kjo vetëm po shkakton tensione të panevojshme tek qytetarët”, ka apeluar ai.
“Mitrovica është ndryshe”, tregon Valdete Idrizi – ndër aktivistet më aktive që nga paslufta në Mtirovicë – se si të tjerët e cilësojnë vendlindjen e saj. “Kështu na thonë: ‘Ju jeni ndryshe.’ Këtu edhe gjërat më banale janë politike, janë madhore dhe bëhen me urdhra prej lartë”, thotë ajo.
Idrizi është një ndër shqiptaret e veriut të Mitrovicës që u dëbua me familjen e saj më 1999, për të mos u kthyer kurrë më në pronën e familjes. “11 banesa i ka ndërru nana ime me qera në jug a banesën e saj në veri nuk mundet me shfrytëzu…sepse ne s’kemi qenë asnjëherë prioritet i qeverisë sonë, pikë së pari. Sepse ne jemi ndryshe, se jemi Mtirovicë”, thotë ajo.
Sipas saj papunësia e madhe dhe izolimi si pasojë e mosliberalizimit të vizave janë ndër problemet kryesore që bashkon qytetin e ndarë të Kosovës më shumë se çdo urë apo projekt i “revitalizimit”. “Njerëzit kanë rënë në apati, sepse kanë kaluar shumë vite dhe çkado që kemi nisur për të bërë, për të përparuar, është politizuar apo shfrytëzu nga cilado palë – jo vetëm nga politika në Beograd por edhe kjo në Kosovë”, thotë Idrizi.
Valdete Idrizi thotë se vendimet në Mitrovicë rrallëherë merren në nivel lokal, ato vijnë sipas saj nga “të tjerët dhe nga lartë”. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Me hezitim, por nostalgji e kujton periudhën para luftës dhe momentet kur ajo dhe familja e saj jetonin në pronën e tyre në veri të Mtirovicës. “Me hezitim sepse ka tendenca që sa herë që kujtojmë atë periudhë me na quajt tradhtarë ose nostalgjik për Jugosllavinë”, thotë ajo me një të qeshur sarkastike. “Por atëherë kemi jetu mirë, njerëzit kanë jetuar mirë. Ka familje të tëra që kanë pasur prona e banesa e sot jetojnë në qendra kolektive e në mjerim në jug”, vazhdon ajo tregimin e saj të dhimbshëm për qytetin e rokut. Të jetosh në Mitrovicë, sipas Idirizit, do të thotë të ndjesh gjithmonë frikën “se diçka do të ndodh”.
“Shpeshherë edhe jemi tallur si mitrovicas, qoftë me bashkëqytetarët në jug apo veri, kur ka pasur takime në Bruksel se thoshim nëse diçka nuk shkon si duhet atje, diçka gjithqysh do të ndodh ketu”, thotë ajo. “Domethënë ne gjithmonë kemi me qenë një gomë rezervë apo trampolinë për politikat e dy shteteve”. Optimiste ajo është për nga natyra, megjithatë nuk beson shumë në procesin e revitalizimit të urës së Ibrit e as në krijimin e kushteve për lëvizje të lirë në veri e jug mes dy etnive, ku nuk adresohen problemet themelore.
Idrizi thekson faktin se qytetarët në veri rrallëherë ndihen sikur mund t’i adresojnë problemet e përditshme të institucionet e Kosovës, ndërsa qytetarët në jug ende po jetojnë në të kaluarën. “Janë disa ura në kokat e njerëzve që janë më të rënda në peshë edhe se ura e Ibrit plot metal. Më e vështira është me kthy besimin mes njerëze, sepse lufta ka ndodh nuk mundesh me kthy mbrapa kohën”.
Por, në ndërkohë që ura e Ibrit ka ndarë Mitrovicën tash e dy dekada, tregu i përbashkët mes serbëve e shqiptarëve në “Mahallën e Boshnjakëve” është ai që çdoherë i ka bashkuar. Tregtarë serbë e shqiptarë në këtë lagje, e banuar me shumicë boshnjake, bashkëpunojnë për të shitur mallrat e tyre. Serbët flasin shqip, e shqiptarët serbisht. Pemë, perime, produkte ushqimore, veshmbathje, këpucë, madje edhe bizhuteri, të gjitha në një vend. Këta as që duan të ia dinë për murin. “I kemi punët tona”, i tha K2.0 një shitëse shqiptare ndërsa po kërkonte një palë take ngjyrë kreme për klienten e saj serbe.
Të papunë, por optimistë
Është e shtunë. Gjatë fundjavës shumë qytetarë nga veriu i Mitrovcës kalojnë ditët në Beograd tek familjarët apo miqtë. Por Dino, Vasko, Jovana dhe Nenadi, që të gjithë 20 vjeç, atë ditë kanë vendosur të presin ekipin e K2.0. Kafen vendosëm të pijmë në qendër afër sheshit “Car Llazar’. Me një anglishte të rrjedhshme të rinjtë nuk e kanë problem të bashkëbisedojnë për gjëra që i preokupojnë. Për urretje e ndarje nuk kanë dëshirë të flasin e dëgjojnë.
Të ardhmen e mendojnë në një Kosovë të bashkuar e në paqe, e ku edhe prindërit dhe paarardhësit e tyre do të binden se mënyra më e mirë për të bashkëjtuar është në paqe.
Për murin në sheshin “Kral Petar” nuk u intereson. Të rinjtë kanë halle shumë më të mëdha. Janë të papunë, e pa mundësi për të punuar aty ku jetojnë, të izoluar…“Rrugët e njëjta, dyqanet e njëjta… është shumë e mërzitshme këtu”, thotë Dino. “Në vitet 90-të kur Trepça ka punuar familjet kanë pasur punë, një jetë më të mirë. Unë do të doja që të ishte sërish ashtu… Neve qytetarëve nuk po na pyet askush se çka po dojmë. Muri e këto gjëra janë krejt vetëm propagandë nga të dyja palët. Askush nuk na ka pyetur kur e kanë ndërtuar, e askush nuk ka pyeti kur e kanë demoluar”, thotë ai.
Dino thotë se qytetarët nuk pyeten se çfarë donë dhe të dyja palët serbët dhe shqiptarët politikanë të Kosovës e përdorin Mitrovicën për propaganda të tyre. Foto: Jonny Wrate / K2.0.
Dino dhe bashkëmoshatarët e tij nuk kanë kujtime të mira për ditën kur u shpall pavarësia e Kosovës. Çka kujtojnë janë protesta e gaz lotësjellës nëpër rrugët e Mitrovicës veriore. Por fajin për këtë ia lënë vetë banorëve atje. “E ki parasysh: e ke një pikturë të njerëzve që janë në gjendje të lëndojnë veten, e të thonë ne nuk ua pranojmë pavarësinë. Pra, ne do të lëndojmë veten dhe do të shkatërrojmë jetën tonë, por nuk do të pranojmë pavarësinë. Kjo është ajo që kam parë unë dhe të them të drejtën vetëm ndjenjë pavarësie nuk ishte. Ne duhet të ecim përpara”, thotë Dino.
Jovana, e lindur në Prishtinë, thotë se shqiptarët dhe serbët e Kosovës janë në situatën e njëjtë, me shumë ankesa për gjithcka por askush nuk po bënë asgjë për të ndryshyar diçka rreth tyre. Foto: Jonny Wrate / K2.0.
Jovana u lind në Prishtinë, por familja e saj u zhvendos në fund të luftës në 1999, dhe më nuk është kthyer kurrë. “Kam qenë disa herë në jug në trajnime, në Prizren na kanë dërguar me furgon”, tregon ajo. “Unë nuk ndihem e frikësuar nga shqiptarët. Kam bërë miq shqiptar”, tregon Jovana.
Megjithatë, vështrimet e banorëve në veriut ndërsa të rinjtë kalojnë nëpër qendrën e qytetit me persona “të huaj” për atë zonë nuk mungojnë. Vasko ndalet tek parku për të pozuar për K2.0 para një grafiti të këngëtarit John Lenon. Paqja thotë se është ajo që sjellë bashkimin e njerëzve pavarësisht a ka mur, apo urë mes qytetit të tyre.
Si ambasadoren më të mirë të Kosovës e emëron Majlinda Kelmendin. “Ajo që fitoi garën olimpike”, tha me buzëqeshje. Megjithatë shpreh zhgënjimin e tij për atë se askush nuk po e prezenton Kosovën si tërësi me serbët dhe shqiptarët e saj. “Disa serbë e disa shqiptarë akoma jetojnë në ndarje”. “Do të doja të shoh njerëzit më të bashkuar dhe pas 9 viteve Kosovën me shumë më pak papunësi, me ekonomi më të mirë”, thotë Vasko.
Vasko beson se Majlinda Kelmendi është ambasadorja më e mirë e Kosovës por është i pakënaqur që askush në fakt nuk po e preszenton Kosovën si të tërë. Foto: Jonny Wrate / K2.0.
Të ardhmen e tyre, megjithatë këta të rinj vështirë e kanë ta imagjinojnë në Kosovë. Dino ka dëshirë të hap një biznes të tij, por mundësitë thotë se janë të kufizuara. “Por nëse situata ekonomike nuk ndryshon, unë do të shkojë në Europën përendimore”, thotë ai.
Në veri të Mitrovicës, nuk ka teatër e as kinema, nuk ka sallë të sportit dhe arsimohen në dy shkolla të ndara në bazë etnike. Por këto probleme duket se nuk do t’i zgjedh askush – meqë vëmendja gjithmonë tërhiqet nga gjëra të tjera.
Nenadi është ithar i asaj që të rinjtë e zonave të ndryshme të veriut të mos ndikohen nga grupe radikale apo prindërit, por të ndryshojnë mendësinë e të jetojnë në paqë e harmoni. “Të gjithë ankohen për gjithçka, por çka bëjnë ata për të ndryshuar situatën, asgjë!”, thotë ai.
Nenad mendon se ka nevojë për ndryshim të mendësie në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më optimiste në Mitrovicë. Foto:Jonny Wrate / K2.0.
E kur vjen pun ate mendësia, Dino mendon se e njejta vlenë edhe për politikën kosovare dhe Kuvendin e Kosovës. “Unë do të votoja në zgjedhjet nacionale në Kosovë… po të kisha për kënd”, thotë ai, duke qeshur e njëkohësisht i hidhëruar me problemet e klasave politike që i unifikojnë serbët dhe shqiptarët. “Shihe si është puna, unë për shembull i njoh partitë që janë në lista Srpska dhe premtimet e tyre, por a janë duke bërë diçka në realitet, jo. E njoh partinë e Hashim Thaçit, por a po bënë ai diçka për qytetarët e Kosovës, jo. Vetëvendosje po na dëmton duke hedhur gaz lot sjellës për muaj të tërë, për shkak të demarkacionit [të kufirit të Kosovës me Malin e Zi], madje po del se kanë penguar liberalizimin e vizave. E tash ju pyes, kë të votojë edhe nëse dua të votojë?”,
Por, derisa qeveria e Kosovës dhe e Serbisë vazhdojnë procesin e gjatë të ngadalshëm të normalizimit të raporteve, pakënaqësitë ditore të Dinos dhe miqve të tij, vështirë se gjejnë hapësirë në agjendat e vendimmarrësve. Deri atëherë qytetin e minatorëve që në veri e ruan shtatorja e Car Llazarit, të cilin në jug e pret me flamur kombëtar në dorë shtatorja e Isa Boletinit, do të vazhdojë të përballet me ndarje nacionaliste, por i bashkuar në probleme të përditshme mbijetese.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.