Depresioni nuk është një sëmundje — në kuptimin e rëndë të termit — që prek vetëm disa njerëz dhe pjesa tjetër e botës nuk ka lidhje me të. Në fakt, depresioni ka të bëjë me një sërë ndjenjash, mendimesh dhe sjelljesh të pranishme te të gjithë njerëzit. Pothuaj secili njeri ndonjëherë humb interesimin apo kënaqësinë për aktivitete, mund të ndihet pa deponim, bënë gjumë të parehatshëm, humb ose shton peshë, e kapin ndjenja faji, mendon se është i pavlerë apo e mban mendjen te vdekja. Asnjë “simptomë” e depresionit nuk është e huaj për askënd, por ajo që dallon është thjesht intensiteti. Ashpërsia e simptomave mund të ndryshojë prej individit në individ apo nga dita në ditë tek i njëjti person.
Problemi më i madh i çrregullimeve të humorit është lidhja e tyre e fortë me sjelljen vetëvrasëse. Çrregullimi i Depresionit Madhor (MDD) është parashikuesi kryesor i vetëvrasjeve, vlerësojnë ekspertët. Sipas Asociacionit të Psikiatërve Amerikanë, 15% e personave që vuajnë nga depresioni madhor i rëndë kryejnë vetëvrasje.
Derisa studimet tregojnë se brenda një viti, 6,6% e amerikanëve dhe 4,4 % e evropianëve të rritur plotësojnë kriteret e Manualit Diagnostik (DSM) për t’u diagnostikuar me depresion madhor, në Kosovë mungojnë statistikat që tregojnë prevalencën e këtij “çrregullimi”. Edhe numri i vetëvrasjeve është më i lartë se që raportohet, dyshon Bind Skeja, psikolog. Ai thotë se vdekjet si pasojë e mbidozës së qëllimshme nuk përfshihen në kategorinë e vetëvrasjes. Po ashtu, tentimet për vetëvrasje shpesh mbesin të paraportuara për shkak të stigmës.
Që nga përfundimi i luftës, 1,132 persona kanë kryer vetëvrasje në Kosovë, ndërsa numri i raportuar i atyre që kanë tentuar është dyfish më i madh. Mesatarisht, çdo javë një person vetëvritet, ndërsa tre të tjerë provojnë ta bëjnë këtë. Pavarësisht se statistikat mund të mos e tregojnë numrin e saktë, për shkak të tabusë, mosraportimit, tendencës për t’i fshehur rastet, situata është e tillë që kërkon trajtim serioz.
Nisur nga kjo nevojë, disa të rinj kanë ndërmarrë një iniciativë duke e themeluar Linjën e Jetës, një linjë telefonike ku mund të telefonojnë personat që kanë mendime vetëvrasëse. Kosovo 2.0 ka biseduar me Bind Skejën, themeluesin e kësaj qendre. Bindi ka përfunduar studimet në degën e Psikologjisë Eksperimentale në Universitetin York, në Angli. Ai e menaxhon projektin Linja e Jetës në Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social, organizatë e cila po ashtu është themeluar nga ai.
Nga lufta e vitit 1999 deri sot pas 20 vjetësh, kushtet e rënda ekonomike dhe ndryshimet e rrëmbyera shoqërore vazhdojnë të ushtrojnë ndikim mbi jetët tona. Si lidhen krejt këto me shëndetin mendor?
Një gabim të cilin njerëzit shumë shpesh e bëjnë është që e lidhin depresionin me kushtet jo të mira ekonomike ose me disa ngjarje që ndodhin në jetë. Pa dyshim se këta janë faktorë rrezikues, por jo domosdoshmërisht çojnë në depresion ose mendime vetëvrasëse.
Ka plot njerëz që e kanë jetën shumë të mirë — nga perspektiva e asaj që shohim nga jashtë — kanë marrëdhënia të mira, kanë harmoni në familje, kanë para, kanë punë, kanë kohë dhe mundësi për të shëtitur, për të bërë qejf, e megjithatë vuajnë nga depresioni.
Nëse e shohim faktorin ekonomik si shkaktar të problemit, mund të na çojë te mendimi i gabuar se duke i ndihmuar dikujt financiarisht, do t’ia lehtësojmë depresionin.
Jo rrallë, kur shikojmë hulumtime që matin ndërlidhjen midis varfërisë apo papunësisë dhe depresionit, e vërejmë që efekti i këtyre variablave është më tepër periferik sesa thelbi i problemit.
Duhet pasur parasysh që depresioni ka edhe dimension biologjik. Pra, duhet një ndërveprim i faktorëve biologjikë dhe socialë për të prodhuar një terren të përshtatshëm për të nxjerrë krye depresioni. Megjithatë, personat që gjenden në kushte jo të mira ekonomike kanë më pak mundësi financiare për të kërkuar ndihmë, më pak lidhje shoqërore që do të mund t’i përdornin për t’i sfiduar problemet.
Për shembull, në Kosovë, një seancë psikoterapie kushton diku 20-25 euro. Shërbimet psikologjike që janë falas ofrohen nga shteti, por nuk janë shumë kualitative. Për ta përmbledhur, nëse ekzistojnë predispozita për depresion, të jetuarit në kushte të vështira i rrit shanset për shfaqjen e këtij problemi.
Por, nuk mund të thjeshtohet në frazën “x personi ka probleme ekonomike, domosdoshmërisht vuan nga depresioni”. Nëse e shohim faktorin ekonomik si shkaktar të problemit, mund të na çojë te mendimi i gabuar se duke i ndihmuar dikujt financiarisht, do t’ia lehtësojmë depresionin.
Foto: Altin Gashi / K2.0.
Si e shihni vetëdijesimin e shoqërisë tonë në lidhje me rëndësinë e shëndetit mendor?
Ka dallime të mëdha brenda vetë shoqërisë kosovare, do të thotë dallime gjeografike, demografike, etj. Nëse e shikojmë Prishtinën, vërehet që në përgjithësi njerëzit janë më mendjehapur, sidomos gjeneratat e reja që kanë shumë interes për t’u informuar apo për të diskutuar për temat e shëndetit mendor.
Besoj se edhe shkolla është faktor që i shtyn përpara këto çështje. Për shembull, nxënësit sot e dinë çfarë është bullizmi dhe flasin në mënyrë të hapur për probleme të kësaj natyre. Por, sa trajtohen këto nëpër instanca më të larta, ajo është çështje tjetër.
Nëse shkojmë nëpër fshatra, nuk flitet shumë për shëndetin mendor. Edhe në qendrat tjera jashtë Prishtinës, për shembull në Pejë, Gjilan, Gjakovë, tema të tilla janë ende tabu. Në përgjithësi, jemi në fazën e të kuptuarit, por ende nuk kemi arritur në fazën e aksionit. Pra, e dimë që problemet ekzistojnë, jemi të vetëdijshëm që duhet diskutuar, duhet de-tabuizuar, por në anën tjetër nuk jemi duke ndërmarrë veprime konkrete.
Si me çdo problem tjetër, të folurit hapur me dikë mund të çojë në lehtësim.
Nëse shkojmë nëpër fshatra, nuk flitet shumë për shëndetin mendor. Edhe në qendrat tjera jashtë Prishtinës, për shembull në Pejë, Gjilan, Gjakovë, tema të tilla janë ende tabu. Në përgjithësi, jemi në fazën e të kuptuarit, por ende nuk kemi arritur në fazën e aksionit. Pra, e dimë që problemet ekzistojnë, jemi të vetëdijshëm që duhet diskutuar, duhet de-tabuizuar, por në anën tjetër nuk jemi duke ndërmarrë veprime konkrete.
Progres ka, por është i ngadalshëm. Situata është më mirë se para 10 vjetëve, fjala vjen, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të mbërrijmë një stad ku njerëzit janë të vetëdijshëm se depresioni, çrregullimet e ankthit etj., janë gjendje normale, janë njerëzore.
Cili është roli i shoqërisë dhe normave sociale në zbutjen e problemit të vetëvrasjes?
Sikurse varfëria, që mund të konsiderohet faktor rrezikues, përkrahja shoqërore ka funksion të kundërt, pra është faktor lehtësues. Sa më shumë ke hapësirë ku mund të diskutosh për probleme, aq më tepër pajisesh me aftësinë për t’i kapur, për t’i kuptuar, për t’i mbajtur nën kontroll para se të arrihet një pikë kritike, siç është vetëvrasja.
Si me çdo problem tjetër, të folurit hapur me dikë mund të çojë në lehtësim. Izolimi dhe mbyllja e ashpërsojnë problemin, dhe nëse jo në përpjekje suicidale, e shtyjnë individin drejt një cilësie të ulët të jetës që gjithashtu është problem i madh.
A keni të dhëna si qëndrojmë në raport me të kaluarën? A është fenomeni i vetëvrasjes më i përhapur në ditët e sotme? Cila është urgjenca e ndërmarrjes së këtij hapi nga ju?
Problemi me këto të dhëna, së paku në këndvështrimin tim, është se ato nuk më rezultojnë shumë reprezentative të gjendjes reale në terren. Kjo kryesisht për shkak të tabusë. Shumë raste të tentim-vetëvrasjeve nuk raportohen. Derisa nuk është e domosdoshme përfshirja e policisë, rastet mund të fshihen. Kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, por gjithkund nëpër botë.
Është e zorshme t’u besohet raporteve mbi numrin e tentimeve.
Te ne është edhe problemi tjetër që vetëvrasjet mund të raportohen si diçka tjetër. Disa raste mund të duken si aksidente dhe nuk mund të jemi të sigurtë nëse veprimi ka qenë i qëllimshëm apo jo. Edhe këtu krijohet një hendek apo mundësi për të manipuluar mbi shkaqet e vdekjes.
Në Kosovë, të rinjtë janë shtresa më e prekur nga vetëvrasja.
Në shoqërinë tonë ekziston edhe motivi fetar për ta fshehur vetëvrasjen, duke e raportuar atë si vdekje aksidentale ose të natyrshme, për ta shmangur refuzimin e kryerjes së ritualeve të varrimit nga përfaqësuesit fetarë. Madje, ekzistojnë mendime se nëse dikush varroset pa iu bërë ritualet religjioze, nuk do të shkojë në parajsë.
Krejt këta faktorë bëjnë që tentimi për të fshehur vetëvrasjen të jetë goxha prezent, gjë që ndikon edhe mbi statistikat që nxirren. Edhe ashtu ka mungesë të dhënash. Organizata Social Lab ka mbledhur disa të dhëna dhe është duke e përpiluar një raport, por kjo ndërmarrje merr kohë se ka goxha punë.
Në përgjithësi, cila periudhë e jetës është më e lidhur me vetëvrasjen?
Zakonisht, në vende të tjera, në vendet evropiane, më e prekura është mosha e mesme. Meshkujt në të 40-at që nuk janë të martuar ose në lidhje, bien më shpesh në depresion dhe janë më të rrezikuar nga vetëvrasja. Kjo ndodh për shkak se duke jetuar vetëm u mungon mbështetja sociale, nuk kanë dikë me të cilin mund të bisedojnë, shohin që nuk i kanë arritur të gjitha qëllimet në jetë dhe nuk ka kush t’ua shtrijë dorën kur kalojnë nëpër fazën e vetmisë.
Në Kosovë, të rinjtë janë shtresa më e prekur nga vetëvrasja. Ka mungesë të dhënash pse ndodh kjo.
Çfarë mund t’i bëjë njerëzit të shfaqin sjellje vetë-lënduese apo vetëvrasëse?
Mungesa e shpresës dhe mungesa e përkrahjes. Kur janë të dëmtuara rrjetet sociale apo thjesht s’ka kush t’u ofrojë mbështetje kur mendimet vetëvrasëse veç kanë filluar të vërtiten nëpër kokë. E çfarë i ngjizë këto mendime është shumë individuale, subjektive. Zakonisht janë racionalizime të depresionit që tashmë e kanë.
Hulumtimet që kanë tentuar të gjejnë një emërues të përbashkët — një faktor që e bën të identifikueshëm dikë si potencialisht vetëvrasës — e vetmja gjë që kanë gjetur është tentimi i mëparshëm për vetëvrasje. Nuk është gjetur asgjë tjetër që mund të jetë parashikues.
Shpesh vetëvrasja ndodh pasi personi ka një histori të përpjekjeve vetëvrasëse. Çfarë tenton të transmetojë dikush që bën një tentim të pasuksesshëm për të vrarë veten?
Është thjesht një mit. Qarkullojnë mendime se ata që përpiqen të vrasin veten e bëjnë këtë për të fituar vëmendje. Është gabim. Personi që provon vetëvrasjen nuk ka qëllim të përçojë kurrfarë mesazhi. Mund të lexohet si “jeta për mua ka qenë e padurueshme”, por ky nuk është ndonjë mesazh që personi përpiqet ta bëjë të ditur për të tjerët, por një ndjenjë të cilën, mbase, nuk ka gjetur terren ta shprehë ose ta ndajë me dikë.
Mund të ketë edhe raste në të cilat përpjekja për vetëvrasje është një mënyrë tjetër për të kërkuar ndihmë, por kjo nuk duhet të na çojë te paragjykimi se gjithmonë ka një mesazh prapa sjelljes vetë-lënduese. Madje, një konceptim i tillë i problemit e rrit edhe më shumë stigmën.
A ka Kosova kapacitete institucionale që të ofrojë ndihmë në raste të tilla?
Nëse nuk ka kapacitete [institucionale], ka organizata që janë shumë të gatshme ta ofrojnë ndihmën e tyre. Megjithatë, shteti duhet të jetë i gatshëm të ofrojë, nëse jo ndihmë financiare, të paktën të sigurojë mbështetje juridike duke krijuar infrastrukturë ligjore në funksion të rritjes së kapaciteteve për të trajtuar problemin e vetëvrasjes.
Trajtimi i rasteve duhet të bëhet në mënyra për të cilat shkenca ka gjetur dëshmi se janë efikase, jo me metoda “të vetë-shpikura”.
Kam pasur takim me Ministrin në detyrë [të Shëndetësisë], Uran Ismailin, i cili ka premtuar mbështetje, por përtej fjalëve nuk është ndërmarrë diçka. Po shpresojmë që tash me qeverinë e re do të mund të krijohen kushtet për të lidhur bashkëpunim me institucionet shtetërore.
Qendrat e shëndetit mendor janë shumë të dobëta. Kontrolli i shtetit është minimal, një pjesë e stafit të pakualifikuar, keqpërdorimet janë evidente. Ka raste kur edhe shkelet konfidencialiteti dhe kur ndodh kjo, më nuk mund të flitet për trajtim psikologjik. Sigurisht, ka psikologë që janë jashtëzakonisht të aftë, të përgatitur dhe kjo më jep shpresë. Megjithatë, nuk duhet harruar që gjërat mund të përmirësohen ende.
Duhet urgjentisht të ndërmerren reforma të thella, sidomos në procesin e rekrutimit të stafit. Nevojitet një mënyrë transparente, e drejtë, e bazuar në merita për të punësuar psikologët klinikë. Trajtimi i rasteve duhet të bëhet në mënyra për të cilat shkenca ka gjetur dëshmi se janë efikase, jo me metoda “të vetë-shpikura”.
Foto: Altin Gashi / K2.0.
Sa pengon stigma rreth shëndetit mendor në kërkimin e ndihmës, dhe a e konsideroni problem ekskluzivisht kosovar, apo është i përhapur edhe në vendet e tjera?
Stigma nuk është problem vetëm kosovar, por është problem gjithkah nëpër botë. Megjithatë, vendet e zhvilluara kanë filluar ta trajtojnë, ndërsa te ne akoma injorohet. P.sh., në Angli, Princi Harry ka dalë në BBC bashkë me disa futbollistë dhe kanë folur rreth depresionit dhe çrregullimeve tjera mendore. Të marrësh modelet e meshkujve që konsiderohen “super-maço” dhe të flasësh me ta rreth përvojave të tyre të ankthit dhe frikës — është një sulm goxha i fortë kundër tabusë dhe stigmës.
Ndërkaq në Kosovë, lufta kundër stigmatizimit mbetet në nivel individual, e shumta në nivel të OJQ-ve, por nuk ka arritur të bëhet strategji shtetërore. Kjo është pengesa kryesore që frenon njerëzit të kërkojnë ndihmë.
Të kalojmë në pyetje konkrete rreth iniciativës tuaj: Çfarë është linja e jetës?
“Linja e jetës” është linjë telefonike për parandalim të vetëvrasjeve. Këtu mund të thërrasin personat që kanë mendime vetëvrasëse.
Kush i përgjigjet në telefon personit që kërkon ndihmë?
Në anën tjetër është një vullnetar apo vullnetare që pret, i cili/a është i/e trajnuar nga Linja Holandeze 113 për t’iu qasur personave në krizë. Vullnetarët jo patjetër kanë ndonjë bagazh uniform. Disa janë psikologë, ka juristë, inxhinierë. Ajo që na duhet është që vullnetarët të jenë empatikë, dëgjues të mirë dhe që mund ta përballojnë stresin e kësaj pune. Pastaj, trajnimi që ata marrin këtu i aftëson për punën që do ta bëjnë. Trajnimi është goxha intensiv dhe mund të them se është tejet efikas në përgatitjen e stafit.
Si funksionon Linja e Jetës?
Ajo që ndodh në linjë është një bashkë-bisedim. Vetë ne, ashtu si edhe vullnetarët, jemi të përgatitur për të pranuar një person i cili është në pikën kritike, do të thotë dikë që është duke menduar ta vrasë veten.
Detyra e vullnetarit është ta kapë personin, [ta nxjerrë] nga kriza në të cilën gjendet dhe ta çojë në një tjetër gjendje mendore, në të cilën mund të gjykojë më ftohtë dhe të bëjë plane më afatgjata të kërkimit të ndihmës. Ka mënyra të ndryshme se si t’i qasemi personit në krizë, por pjesa më e rëndësishme mbetet biseda.
Shumë shpesh, personat që kanë mendime ose sjellje vetëvrasëse kanë arritur në atë pikë për arsye se nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje tjetër, dhe arsyeja pse nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje tjetër është sepse nuk e kanë diskutuar më dikë tjetër. Prandaj, nganjëherë, thjesht një bisedë ku mund të shpalosen problemet, ku personat në të dy anët e kuptojnë se shqetësimet, brengat, dertet janë normale mjafton që të rimendohet plani për të vrarë veten.
Sigurisht, kjo nuk është zgjidhje afatgjate por mund të frenojë aty për aty dikë që mos të ndërmarrë veprime vetëvrasëse. Pra, ideja është ta shtyjmë aktin suicidal, pastaj personi mund të kërkojë ndihmë psikologjike.
Cili është orari kur linja është aktive?
Linja punon çdo ditë prej orës 21:00 deri në 01:00.
Pse natën?
Në kontaktet që kemi pasur me linjën e kaluar, linjën e ndihmës, na kanë informuar se ky është intervali kohor në të cilin ata kanë pasur më së shumti thirrje. Ideja ka qenë ta mbajmë një orar më të gjatë, por mungesa e vullnetarëve dhe e kushteve ka bërë që fillimisht t’i mbulojmë vetëm 4 orë në ditë dhe pastaj me shtimin e vullnetarëve, me trajnimet që do të vazhdojnë do të mundohemi të kapim një kohë më të gjatë.
Ruajtja e konfidencialitetit është e shenjtë.
Nëse gjejmë përkrahje, po mendojmë ta bëjmë funksionale për gjithë ditën, do të thotë pa ndërprerje. Megjithatë, ne, vetëm, bazuar ekskluzivisht në punën vullnetare, maksimalisht mund të jemi aktivë 8 orë, prej orës 19 deri në 3 të mëngjesit. Ndërsa për qasje 24 orëshe duhet patjetër përkrahje nga shteti.
Nga ju erdhi ideja për këtë ndërmarrje?
Linja të tilla ekzistojnë në çdo vend. Madje, në Angli çdo rajon ka diçka të ngjashme. E njëjta mund të thuhet edhe për Indonezinë. Edhe në Ballkan ekzistojnë linja të tilla.
Nuk ka ndonjë arsye pse Kosova mos të ketë një mundësi të tillë, që njerëzit të gjejnë një qenie tjetër njerëzore që është e gatshme t’i dëgjojë. Është diçka aq bazike, që nuk kërkon ndonjë alamet pune. Është diçka të cilën edhe një i ri si unë, një 24 vjeçar ka mundur ta bëjë. Është edhe njëfarë vetë-nxitje, njëlloj inati që më ka dhënë krahë për të ndërmarrë një hap të tillë. Është shumë e lehtë, shumë e thjeshtë, lehtësisht e implementueshme por, që nuk është bërë kurrë. Pastaj i thashë vetes, nëse nuk po e bën kurrkush tjetër, po e bëj unë. Pra, linja e jetës është rezultat i këmbënguljes.
A keni probleme me ruajtjen e konfidencialitetit të personave që thërrasin?
Ruajtja e konfidencialitetit është e shenjtë. Nuk është aspak e zorshme të ruhet ajo që thuhet në besim. Është shumë e lehtë. Thjesht nuk diskutohet jashtë linjës ajo që ka ndodhur brenda.
Maksimalisht tre persona mund të dinë mbi përmbajtjen e bisedës: personi që telefonon, vullnetari që e pret dhe eventualisht ndonjë vullnetar tjetër që mund të ofrojë ndihmë në trajtimin e rastit. Jashtë këtij trinomi nuk mund të rrjedhë asnjë fjalë. Të dhënat nuk ruhen, nuk regjistrohen askund. Madje, nuk mund t’i përdorim as për statistika.
Kushdo që paraqitet në linjë, në momentin që ndalet telefoni shkëputet çdo fije që na lidh me të.
A keni paraparë mbështetje psikologjike për vullnetarët pasi që edhe ata vetë mund të ngarkohen ose të shqetësohen emocionalisht nga puna që bëjnë?
Jemi në kontakt me një psikologe e cila tashmë ka pranuar të ofrojë psikoterapi grupore për anëtarët vullnetarë të linjës. Seanca e parë është mbajtur para disa ditësh. Seancat do të mbahen çdo muaj dhe janë pa pagesë. Por, edhe unë vetë, pasi nuk merrem direkt me telefonatat, jam i gatshëm t’i mbikëqyr punëtorët këtu, të jap mbështetje, të shoh nëse dikush po ndihet i mbingarkuar e gjëra të tilla. Pra, anëtarët e stafit nuk janë të vetëm në këtë punë.
Sa është numri i atyre që kërkojnë ndihmë gjatë një dite?
Nuk ka stabilitet. Dallon dita prej ditës radikalisht. Nuk është kohë e gjatë që jemi aktivë, prandaj nuk mund të bëhet fjalë as për ndonjë mesatare që do të mund ta nxjerrnim. Duhet të kalojë një kohë që të mund të flasim për shifra, për trende e të tilla. Është vetëm java e tretë që kemi filluar. Në fillim ishte një fluks më i madh, tani shihet një rënie. Por, të presim…
Personi telefonon, adreson problemin, ju i ofroni ndihmë. Por, çfarë më pas, a interesoheni nëse telefonuesi ka ndërmarrë ndonjë veprim vetë-lëndues ose ka arritur ta tejkalojë krizën?
Thirrja është komplet anonime. Ne nuk dimë kush është personi që telefonon, si quhet, apo ku banon, madje nuk e dimë as numrin me të cilin telefonon. Edhe po të duam të interesohemi, nuk mund ta gjejmë personin. Prandaj, kushdo që paraqitet në linjë, në momentin që ndalet telefoni shkëputet çdo fije që na lidh me të. Nuk mund ta kuptojmë nëse ka pasur efekt thirrja, nëse është drejtuar diku tjetër për ndihmë apo çfarëdo informate tjetër. Mbetet në dorën e vetë telefonuesit që të kërkojë ndihmë më afatgjatë. Ose, mund të telefonojë prapë te ne.
Mendimet vetëvrasëse janë të rrezikshme, duke qenë se bëhet fjalë për rrezikim të jetës së njerëzve. Varësisht nga rastet që paraqiten në linjë, a mund të raportoni në polici ose ndonjë institucion tjetër në rastet e skajshme kur konsideroni se ndihma juaj nuk po arrin të shmangë katastrofën?
Në mënyrë që ta ruajmë konfidencialietin, ne nuk i marrim të dhënat e personit. Kjo praktikë e bën të pamundur që të raportojmë rastin apo të përfshijmë një palë të tretë në zgjidhjen e situatës.
Kjo i ka dy anë. Në njërën anë, ne i kemi duart e lidhura, pasi nuk kemi mundësi të raportojmë rastin, sado ekstrem që është, ndërsa në anën tjetër, kjo e rrit besueshmërinë te ne dhe bën që njerëzit të na shohin si një mundësi për të ndarë problemet e tyre pa rrezikuar që ato mund të arrijnë në veshët e personave të paautorizuar. Ky është çmimi që e paguajmë për të pasur më shumë besueshmëri, më shumë thirrje e rrjedhimisht më shumë mundësi për të shmangur më shumë vetëvrasje.
Megjithatë, nëse dikush telefonon dhe i jep të dhënat, në bazë të kodit penal jemi të detyruar t’i lajmërojmë shërbimet emergjente kur gjykojmë se bëhet fjalë për rrezikim të jetës apo shëndetit. Por ky nuk është qëllimi jonë. Kur shohim se gjendja është jashtë kontrollit, mund t’i sugjerojmë personit të telefonojë emergjencën ose ndonjë institucion tjetër, por nuk mund ta bëjmë këtë në vend të tij.
Mendimet vetëvrasëse jo rrallë janë simptoma të çrregullimeve psikike të tilla si depresioni madhor, çrregullimi bipolar etj. Pra, ka gjasa që mendimet suicidale të kthehen herë pas here te personat që kanë probleme. A mund t’u ofroni ndërmjetësim për të aranzhuar ndonjë takim me profesionistë të shëndetit mendor, ndoshta për të nisur ndonjë program psikoterapie?
Ndërmjetësim direkt jo. Por, kemi këtu një listë të psikologëve të cilën mund ta ndajmë me telefonuesit.
A mund të telefonojnë personat e afërm të një personi në krizë?
Gjithsesi. Ne kemi edhe një protokoll se si familjarët mund t’i qasen një personi në krizë, në mënyrë që të shmanget veprimi suicidal.
Si mund ta identifikojnë familjarët dikë që po përjeton krizë mendore ose që ka rrezik të ndërmarrë veprime vetëvrasëse?
Të folurit në mënyrë të hapur. Shtrimi i rrugës që personi të shfaqë hapur problemet, shqetësimet. Por, nuk ka ndonjë shenjë të qartë e të sigurtë e cila do të ishte e vërejtshme edhe për një sy të pastërvitur. Por, ajo që mund të bëhet është krijimi i klimës që personi të mund ta shprehë veten.
Ka familje që i ofrojnë mbështetje, ndihmë, hapësirë, gjithçka tjetër personit që ka mendime vetëvrasëse, por prapë tragjedia ndodh.
Ekziston miti se personat që bëjnë vetëvrasje ndodhen nën afekt. Në fakt, shpesh vetëvrasja planifikohet ndoshta disa muaj më herët. Prandaj, hapësira për të folur krijon rrethanat për të identifikuar dikë që po planifikon t’ia marrë jetën vetes. Nuk ka mënyrë tjetër.
Madje, ka persona që janë shumë funksionalë, duken të shëndetshëm, nuk shfaqin asnjë simptomë e megjithatë vuajnë nga depresioni. Nëse doni të dini a keni njerëz rreth jush që po mendojnë për vetëvrasje, thjesht jini dëgjues empatikë, jepjani të tjerëve hapësirën për të folur. Sigurisht, kjo nuk nënkupton ndonjë formë presioni të llojit “tregomë, tregomë çka po të mundon…”. Po flasim për krijim rrethanash ku personi ndihet i relaksuar, i pagjykuar, i lirë për të ndarë shqetësimet me persona të besueshëm.
Megjithatë, ka raste kur mund të bësh gjithçka në mënyrë perfekte. Ka familje që i ofrojnë mbështetje, ndihmë, hapësirë, gjithçka tjetër personit që ka mendime vetëvrasëse, por prapë tragjedia ndodh. Ky është një fakt i hidhur me të cilin duhet të pajtohemi. Ne nuk mund ta shpëtojmë secilin. Prandaj, nuk duhet ta fajësojmë veten nëse përkundër përpjekjeve tona personi vendos t’i japë fund jetës.
Edhe në Linjën e Jetës, ne përpiqemi të ndihmojmë njerëzit, por edhe nëse nuk arrijmë ta parandalojmë dikë të veprojë dhe të bëjë vetëvrasje, kjo nuk do të thotë që nuk kemi bërë maksimumin.
Sa persona aktualisht janë të angazhuar në këtë projekt?
Janë 11 vullnetarë, dy menaxherë dhe një dizajnere. Po planifikojmë të marrim edhe disa mbikëqyrës për funksionimin e linjës. Jemi në kontakt me disa psikologë të cilët mund t’i bashkohen këtij projekti. Diku në janar do të fillojmë të rekrutojmë edhe vullnetarë të tjerë.
Foto: Altin Gashi / K2.0.
A e ka kohën e kufizuar personi që telefonon?
Jo. Megjithatë, nëse biseda shkon shumë gjatë, mund të fillojnë të përsëriten gjërat, gjë që çon në monotoni dhe mund të jetë kundërproduktive. Përveç kësaj, mund të ketë persona tjerë që po presin të kyçen në linjë. Secili rast është i veçantë dhe duhet të menaxhohet si i tillë.
Si bëhet rekrutimi i vullnetarëve?
Trajnerët holandezë na kanë aftësuar neve, mua edhe Ukën [menaxherin tjetër], që të mbajmë trajnimet tjera. Ne vazhdojmë të mbajmë kontakte me Linjën Holandeze në mënyrë që të marrim udhëzime për të përmirësuar aftësitë trajnuese. Por, trajnimi i radhës do të mbahet nga ne. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat mbi 18 vjeç. Aplikimi për vullnetar bëhet duke dërguar një mesazh në [email protected]. Pastaj ne i njoftojmë aplikantët për hapat e radhës. Sigurisht, përzgjidhen ata më të përshtatshmit, pasi që nuk mund të marrim më shumë se 20 persona që do të trajnohen.
A keni strategji për të përhapur projektin në gjithë Kosovën, dhe nëse po, si jeni duke e bërë?
Gjithçka varet nga përkrahja shtetërore. Nëse institucionet e shtetit ofrojnë ndihmën e nevojshme mund të fillojmë projektin e shtrirjes së linjës në tërë Kosovën. Ideja, projekti ekziston. Megjithatë, nëse nuk ka financues, ideja nuk mund të jetësohet. Ne po presim fonde, nëse jo nga shteti, së paku nga donatorë joinstitucionalë. Kjo është e vetmja mënyrë për ta zgjeruar veprimtarinë. Mbështetur vetëm në baza vullnetare kjo është e parealizueshme. K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Foto kryesore: Altin Gashi / K2.0.