Bursa | Shëndeti mendor

Mes sëmundjes dhe paragjykimeve

Nga - 10.12.2019

Beteja e dyfishtë e personave me probleme të shëndetit mendor.

Po qëndronte i shtrirë në dhomën e tij. Ishte pasdite marsi e këtij viti dhe jashtë bënte ende ftohtë. Albani* nuk po e ndjente veten mirë dhe qe mbërthyer nga mendime të errëta. Ai beson se shqetësimet e tij kishin për shkak ankthin dhe depresionin.

Atë ditë, diçka më e pazakontë po ndodhte. Më vonë do ta përshkruante gjendjen e tij sikur të qe ngujuar në një hapësirë, nga e cila nuk po mund të çlirohej. I zihej fryma sikur një lëmsh t’i ishte mbledhur në fyt. Ndjente angështi dhe mendimet po fillonin ta humbnin qartësinë. 

Për një moment mendoi që është i pashpresë për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje. Në ato çaste, ideja për t’i dhënë fund jetës iu duk zgjidhja e vetme. Ia mësyu tarracës së katit të tretë, shtrëngoi fort grilat por në fund u tërhoq.

Zgjidhja të cilën e kishte konceptuar, në çast iu kthye në një veprim iracional. Ndaj dhe u zmbraps. 

“Kur kam mendu për vetëvrasje ka qenë vikend. Nëse nuk bëj diçka, nëse nuk shpërqendrohem në diçka tjetër, mendja më shkon te vetëvrasja”, shpjegon ai krejt zakonshëm problemet e tij, tek ngre një gllënjkë nga filxhani i kafesë. “Është dhimbje e shpirtit. Në ato momente mendon që s’ka rrugëdalje, dhe vjen mendimi për t’i dhënë fund jetës. Mendon që kjo është e vetmja mënyrë për t’u dhënë fund vuajtjeve”.

Beteja e Albanit me jetën po ndodhte në katin e sipërm të shtëpisë së tij në lagjen Arbëria në Prishtinë. Poshtë gjendeshin prindërit dhe familjarët e tjerë, të cilit nuk dinin asgjë për gjendjen e tij emocionale. Ai nuk është hapur fare me ta për problemet me të cilat ballafaqohet.

“Kërkimin e ndihmës psikologjike e kam pa si dobësi te vetja."

Albani, 23 vjeç

Frika se do të keqkuptohet ka bërë që të mos flasë me askënd për luhatjet e tij emocionale. Për shkak të stigmës që mbështjellë problemet e shëndetit mendor dhe mungesës së njohurive për to, ai nuk ka kërkuar fare ndihmë profesionale. Për më tepër, trajtimin psikologjik e konsideron dobësi.

“Arsyeja pse s’kam kërku ndihmë është se kam thënë që kjo është normale dhe nëse e kalon pa ndihmën e dikujt je edhe më i fortë”, thotë 23 vjeçari. “Kërkimin e ndihmës psikologjike e kam pa si dobësi te vetja”.

Albani nuk gjen ndonjë shpjegim bindës për gjendjen e tij emocionale. Thotë se jeta po i shkon mbarë, dhe se nuk ka ndonjë faktor të jashtëm që e bën të ndihet keq. Me profesion është inxhinier i programimit dhe punon në një kompani amerikane të programimit dhe teknologjisë informative. Nga puna që bën merr pagë të majme, sa trefishi i pagës mesatare në Kosovë. Por thotë se kjo nuk po e bën të lumtur.

Albani beson se vuan nga ajo që në literaturën mjekësore njihet si depresion klinik. Si shumë persona që ballafaqohen me shqetësime të tilla psikologjike, ai nuk ka diagnozë mjekësore për problemet e tij.

Manuali Diagonostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore — dokumenti më i rëndësishëm në fushën e shëndetit mendor që shërben si bazë për diagnostikim për shumicën e psikiatërve e psikologëve në botë — liston disa kritere për diagnostikim me depresion. Më të rëndësishmet janë: ndjenjat depresive që zgjasin shumicën e ditës për javë të tëra, çrregullimet e gjumit, humbja e interesimit dhe kënaqësisë për shumicën e aktiviteteve, mungesa e energjisë, ndjenja negative për veten, si dhe mendimet, ideimet apo tentimet për vetëvrasje. 

Me shqetësime të tilla prej vitesh ballafaqohet edhe Bind Skeja. Porse qasja e tij ka qenë krejt e ndryshme. I diplomuar më 2016 për Psikologji në Universitetin e Yorkut në Britani të Madhe, Skeja kishte njohuri për problemet e shëndetit mendor para se të sfidohej me to.

Së fundmi Bind Skeja ka hapur “Linjën e Jetës”, një linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjes. Ai filloi të punonte në promovimin e shëndetin mendor pasi studioi psikologjinë dhe përjetoi probleme me shëndetin mendor. Foto: K2.0.

Luhatjet emocionale i kishin filluar para dy viteve, pak pasi u kthye nga Britania. Ndjente faza depresive që thotë se ia bënin të vështirë edhe të ngrihej nga shtrati në mëngjes. Por, pika e kthesës qe momenti kur e përjetoi sulmin e parë të panikut. 

“Zgjohem në mëngjes dhe shkoj poshtë në kuzhinë”, tregon ai. “Babai ishte duke përgatitur mëngjesin dhe desha t’i ndihmoja diçka. Eca pak drejt tij dhe tamam mbërrita te vendi, po e ndjej zemrën duke me rrahë shumë shpejt”.

“Nuk mundja të rrija në këmbë dhe kisha nevojë të mbështetem diku”, vazhdon Skeja. “Po shtrihem në divan, po e ndjej në fyt një presion. Një ndjesi ngushtimi, sikur të ma shtrëngonte dikush fytin me duar. Isha djersitur i tëri. Mendova që isha duke përjetuar sulm në zemër. Më kapi babai, më hipi në kerr dhe u nisëm për në spital”.

"Dilja me shoqëri, por kur u ktheja në shtëpi, ishte prapë e njëjta. Asnjëherë më parë nuk e kam ndi më shumë vetminë, depresionin, dhe boshllëkun brenda vetes."

Bind Skeja

Ai e dinte që ishte sulm paniku. Kjo përvojë e shtyri që problemet emocionale t’i marrë më seriozisht.

“Pas sulmit të parë të panikut, unë kam qenë sikur një ndërtesë e shkatërruar. Dilja me shoqëri, por kur u ktheja në shtëpi, ishte prapë e njëjta. Asnjëherë më parë nuk e kam ndi më shumë vetminë, depresionin, dhe boshllëkun brenda vetes. Këtë ndjenjë e përshkruaj si një dhimbje në gjoks, por jo dhimbje fizike”, thotë ai. “Prej atëherë fillova të kërkoja psikolog për me folë me të për këto probleme”. 

Sot, një vit pas kësaj ngjarjeje, Skeja thotë se ndihet shumë më mirë. Ka shtatë muaj që ka filluar terapinë me psikolog. Ai e mban nga një seancë 45 minutëshe çdo javë, përmes së cilës synon t’i menaxhojë problemet e ankthit dhe depresionit.

Kur flet për qasjen e shoqërisë karshi shëndetit mendor, e potencon stigmën si një nga problemet kryesore. Thotë se ka pasur fatin që familja dhe shoqëria e tij e kanë kuptuar për problemet dhe rrugën që ai ka zgjedhur për trajtimin e tyre. Por për shkak të stigmës dhe frikës nga paragjykimet, jo të gjithë e zgjedhin një rrugë të tillë. 

I sfiduar vetë nga këto probleme dhe me njohuri të thella për shëndetin mendor nga studimet në Britani, Skeja ia ka përkushtuar kohën dhe karrierën promovimit të kësaj fushe në Kosovë. 

Ai është drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), e themeluar në tetor të 2016-ës. Pa mbështetje institucionale, në nëntor të këtij viti ai e ka hapur “Linjën e jetës”, një linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjes.

Linja telefonike për parandalimin e vetëvrasjes, “Linja e Jetës”, u hap në nëntor 2019 dhe aktualisht është e vetmja e këtij lloji në Kosovë. Foto: K2.0.

11 vullnetarë nga Prishtina janë trajnuar gjatë këtij viti nga kjo organizatë, me trajnerë nga linja telefonike e Holandës “113”, për parandalimin e vetëvrasjes. Përmes vullnetarëve, kryesisht studentë nga fusha të ndryshme, “Linja e jetës” synon t’i ofrojë çdo personi që është duke përjetuar situata të vështira emocionale, një mundësi që të dëgjohet, por duke u ruajtur anonimiteti. Aktualisht ajo është e vetmja e këtij lloji në Kosovë. 

Skeja thotë se qasja e shoqërisë ndaj problemeve të shëndetit mendor ka qenë arsyeja kryesore për këtë iniciativë.

”Ne nuk jemi një shoqëri e hapur që mundemi me i bisedu lirshëm problemet e shëndetit mendor, prandaj kjo është e nevojshme. Edhe në vendet perëndimore një linjë e tillë konsiderohet e domosdoshme, e lëre më te ne ku stigma është edhe më e theksuar”, thotë ai. 

Numri i madh i vetëvrasjeve

Mbështetur në të dhënat e Policisë së Kosovës, 1,032 persona kanë kryer vetëvrasje që nga paslufta. Në vitin 2018 janë shënuar 37 vetëvrasje dhe 164 tentime për vetëvrasje. Shifra më e lartë është regjistruar më 2014, me 77 vetëvrasje. 

Mesatarisht çdo javë së paku një person kryen vetëvrasje ndërsa tre të tjerë tentojnë të kryejnë vetëvrasje.

Të dhënat tregojnë se të rinjtë janë më të prekurit nga ky fenomen. Rreth 70% e vetëvrasjeve janë kryer nga burrat, ndërsa grupmosha më e prekur është ajo mes 26-30 vjeçe, pasuar nga ajo 19-25 vjeçe.

Bind Skeja dyshon se shifrat e vërteta të vetëvrasjeve janë edhe më të larta. Kjo pasi që në këtë kategori nuk përfshihen edhe vdekje të tjera, siç është për shembull mbidoza e qëllimshme. Ai thotë se për shkak të stigmës shumë tentime për vetëvrasje nuk raportohen fare.

Sipas Skejës, shkaktarët që i shtyjnë personat drejt vetëvrasjes janë kryesisht biologjikë.

“Baza është biologjike. Dikush është i lindur me predispozita për një çrregullim të tillë [të shëndetit mendor]”, thotë ai. “Nëse dikush është biologjikisht i prirur të ketë probleme të shëndetit mendor, siç është depresioni apo ankthi, rrethanat socio-ekonomike munden me ndiku që simptomat me u shfaqë, mirëpo ato nuk janë shkaku i këtyre problemeve”.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së tregon se që nga paslufta, 52 veteranë kanë kryer vetëvrasje.

Por, sociologu Albert Mecini thotë se edhe faktorët socialë luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Ai thotë se numri i burrave që kryejnë vetëvrasje në Kosovë është më i lartë për shkak se gjendja e rënduar ekonomike dhe sociale rëndon paralelisht edhe gjendjen psiko-emocionale të tyre, duke i shtyrë drejt humbjes së vetëbesimit.

“Duke qenë se në traditën tonë shoqërore, burri konsiderohet ende si bartësi kryesor i barrës së familjes në aspektin e financave dhe strehimit, atëherë në rast të dështimit të përmbushjes së këtij funksioni dhe kësaj pritshmërie shoqërore, presioni psiko-emocional vetëm sa shtohet, duke u bërë në disa raste i pamenaxhueshëm dhe i papërballueshëm për individët”, thotë Mecini.

Një kategori tjetër tek e cila është shënuar rritje në numrin e vetëvrasjeve, është edhe kategoria e veteranëve të luftës. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tregon se që nga paslufta, 52 veteranë kanë kryer vetëvrasje. Shkaktari kryesor është gjendja e rënduar emocionale nga traumat e luftës, thotë ai.   

“Mbi 90% e vetëvrasjeve të veteranëve janë kryer si pasojë e traumave të luftës”, thotë Gucati. “Në gjithë botën, pas luftërave, ndodhin çrregullime. Edhe te ne ka ndodhë e njëjta. Ne kemi veteranë në spitale por edhe në shtëpi që kanë probleme psikiatrike dhe marrin medikamente”.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Shërbimin Klinik Spitalor Universitar të Kosovës (QKUK), Shaban Mecinaj, tregon se çrregullimi nga i cili vuajnë shumë veteranë është stresi post-traumatik (PTSD). Studimet e Departamentit amerikan për çështje të veteranëve tregojnë se deri në 20% të ish-luftëtarëve diagnostikohen me PTSD. 

“Ngjarjet traumatike sikur që është lufta për shembull dhe situatat tjera jetësore në të cilat rrezikohet jeta drejtpërdrejt, gjithsesi që mund të prodhojnë çrregullimin e stresit post-traumatik, e që më vonë, pas atyre ngjarjeve, kohë pas kohe përsëriten në bashkërendim me çrregullim depresiv”, shpjegon Mecinaj. “Domethënë shkon kah depresioni, shkon edhe kah çrregullimet tjera psikiatrike, e që kulmojnë me sjellje dhe mendime suicidale, si kryerja e vetëvrasjes”.

Shaban Mecinaj, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, thotë se shumë veteranë të luftës në Kosovë vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik. Foto: Adi Beqiri / K2.0.

Ngjashëm mendon edhe neuropsikiatri Jusuf Ulaj. Ai thotë se edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga lufta, vazhdimisht ka raste që për herë të parë kërkojnë ndihmë profesionale e që ndërlidhen me situata të ndryshme traumatike të përjetuara gjatë luftës në Kosovë. Ai shpjegon se simptomat kryesore janë ankthi, depresioni, pagjumësia dhe ëndrrat e tmerrshme që ndërlidhen me traumën psikologjike.

Megjithatë, ai thotë se numri i vetëvrasjeve në Kosovë ndikohet edhe nga faktorë të tjerë ekonomikë e socialë.

“Rritja e numrit te vetëvrasjeve pas luftës në Kosovë, duke përfshirë edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, mund të ndërlidhet me situatën e përjetuar traumatike. Por nuk mund të anashkalohet mjerimi ekonomik dhe social, zhgënjimi dhe humbja e shpresës”, thotë Ulaj.

Ndërkaq sociologu Mecini thotë se numri i lartë dhe shqetësues i vetëvrasjeve në radhët e veteranëve të luftës dëshmon faktin se kjo kategori shoqërore nuk u trajtua si duhet menjëherë pas luftës.

“Një pjesë e tyre vazhdoi të mbetej në harresë institucionale, duke vazhduar ballafaqimin me kushtet e rënda të jetës dhe varfërisë. Pastaj mungoi prezenca e programeve dhe projekteve të karakterit shëndetësor për veteranët, ashtu siç ndodhë në ushtritë e vendeve tjera, ngase nuk mjafton vetëm lirimi nga pagesat për shërbime dhe pensionet, por nevojitet përkujdes i vazhdueshëm dhe trajtim i veçantë për këtë kategori shoqërore”, thotë ai.

“Ne jemi shqiptarë dhe na vjen mërzi me thanë jemi të smutë mendorë."

Hysni Gucati, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Mosangazhimin e institucioneve e vë në pah edhe Hysni Gucati. Ai thotë se u ka propozuar institucioneve krijimin e një qendre rehabilituese për veteranët. Të njëjtën e ka parë në Kroaci. Porse ky propozim nuk ka marrë përkrahjen e institucioneve. 

Ndërsa nevoja për një qendër të tillë, sipas Gucatit, është shumë e madhe. Kjo pasi që numri i veteranëve të prekur me PTSD është më i madh nga sa mendohet. 

“Ne jemi shqiptarë dhe na vjen mërzi me thanë jemi të smutë mendorë. Për shkak të kësaj veteranët rrallë paraqiten te ne. Unë mendoj që numri është i madh por familjarët e tyre nuk duan që të tjerët ta dinë për këto probleme”, thotë ai. 

Krijimi i një qendre të tillë, në fakt, është obligim ligjor. Pika 3 e nenit 23 të Ligjit për veteranët parasheh krijimin e Qendrës së Stresit Post-traumatik për veteranë, e cila ka për qëllim “rehabilitimin emocional, shpirtëror dhe të traumave si pasojë e luftës”. 

Për krijimin e kësaj qendre, përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kjo ministri ka konfirmuar mungesën e një qendre të tillë, por nuk ka dhënë arsye se pse nuk e ka iniciuar krijimin e saj. 

Nevoja për përkrahje psikologjike për veteranët pothuajse asnjëherë nuk është marrë në konsideratë. Mbështetja për ta deri më tani është kuptuar vetëm në kontekst të pensioneve, gjë që ka qenë kërkesa kryesore edhe e organizatave nga kjo kategori shoqërore. Çdo vit miliona euro shpenzohen për këtë qëllim. 

Numri i njerëzve që marrin këto pensione, si dhe shuma e parave që shteti shpenzon për ta, po rritet çdo vit. Sipas një hulumtimi të K2.0, më 2016, 47.9 milionë euro u ishin paguar 28 mijë veteranëve. Gjatë vitit 2017, kjo shumë u ngrit në 65.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2018, shuma e përgjithshme për këto pensione mbërrijti në afër 80 milionë euro.

“Te psikiatri, vetëm ‘i çmenduri’”

Stigma dhe paragjykimet nuk po ndikojnë vetëm te veteranët e luftës, por edhe te personat tjerë të prekur nga problemet e shëndetit mendor.

Neuropsikiatri Jusuf Ulaj prej 34 vjetësh punon me persona qe kanë nevojë për mbështetje rreth shëndetit mendor. Ai i njeh mirë sfidat në këtë fushë. Ndonëse thotë se stigma dhe paragjykimet ndaj çrregullimeve emocionale ekzistojnë kudo, në shoqërinë kosovare ato gjenden në formë më të ashpër. Kjo për shkak të aspektit kulturor dhe qasjes së shoqërisë kosovare karshi shëndetit mendor. 

“Te shumë njerëz në shoqërinë tonë vazhdon të ekzistojë bindja se ‘te psikiatri shkon vetëm njeriu i çmendur’ dhe për pasojë ‘më mirë me pasë kancer se me u bë për psikiatër’”, thotë Ulaj, i cili shërbimet e tij i ofron në Klinikën “Aura” në Prishtinë. “Ashtu siç mund të kemi sëmundje të ndryshme trupore, për shembull diabeti, hipertensioni, reuma, gjëndra tiroide apo kanceri, mund të kemi edhe ndonjë problem psikologjik. Pra nuk është e turpshme nëse kemi shqetësime të tilla psikologjike dhe nuk duhet hezituar për të kërkuar ndihmë”.

Neuropsikiatri Jusuf Ulaj thotë se shumë njerëz në Kosovë besojnë se është më mirë të kenë kancer se të kenë nevojë për psikiatër, për shkak të stigmës që ende ekziston rreth shëndetit mendor. Foto: Adi Beqiri / K2.0.

Ulaj thotë se rastet më të shpeshta të problemeve emocionale me të cilat pacientët paraqiten tek ai janë ankthi, fobitë, çrregullimet e panikut dhe depresioni. 

Në anën tjetër, institucionet kosovare nuk kanë asnjë të dhënë që tregon se sa persona vuajnë nga këto probleme. Por, studimet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se ato janë mjaft të shpeshta dhe se asnjë shoqëri nuk bën përjashtim. 

Të dhënat zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë për mbi 300 milionë njerëz në mbarë botën të prekur vetëm nga depresioni, kurse rreth 800 mijë vetëvrasje numërohen çdo vit. Sipas OBSH-së, janë tri probleme kryesore që e përcjellin shëndetin mendor: stigma, diskriminimi dhe mungesa e qasjes në mjekim të duhur. Këto duket të jenë veçanërisht relevante në Kosovë.

Psikologia Eurisa Rukovci në vitin 2018 ka themeluar organizatën joqeveritare “Social Lab”,  përmes së cilës synon prioritizimin e shëndetit mendor në politikat shtetërore. Rukovci poashtu potencon stigmën dhe paragjykimet si problemet kryesore.

Psikologia Eurisa Rukovci thotë se ende ekziston një perceptim i gabuar shoqëror në Kosovë, që njerëzit të cilët vuajnë nga depresioni kanë personalitet të dobët. Foto: K2.0.

Ajo evidenton dy lloje të stigmës në shoqërinë kosovare: stigmën sociale dhe atë të internalizuar, të cilat shfaqen në formë të stereotipeve, paragjykimeve dhe diskriminimit.

“E para ka të bëjë me qëndrimet dhe besimet e stigmatizuara ndaj individëve që mund të kenë çrregullime të shëndetit mendor, që është strukturore përbrenda publikut të gjerë; e dyta, stigma sociale apo edhe perceptimi që ekziston stigma sociale përbrendësohet nga një person që ka çrregullime të shëndetit mendor”, thotë Rukovci. 

Ajo merr shembullin e depresionit: “Një besim i bazuar në paragjykime që ushqen si stigmën publike ashtu edhe atë të internalizuar është se individi që ka depresion ka personalitet të dobët”. 

Ngjashëm, edhe sociologu Albert Mecini shpjegon stigmën në kontekst shoqëror e kulturor. Sipas tij, stigma është rezultat i botëkuptimeve të vjetra dhe të gabuara që njerëzit i kanë pasur në lidhje me këto probleme.

“Zakonisht është menduar, natyrisht gabueshëm, se më e rëndësishme ka qenë ruajtja e imazhit social të individit si qenie e përkryer dhe pa probleme, sesa gjendja reale e shëndetit të tij, sidomos aspekti psikologjik”, thotë Mecini. “Ky ka qenë një botëkuptim i gabuar i të kaluarës që fatkeqësisht vazhdon të jetë ende prezent, edhe pse jo në atë masë si dikur”.

Në buxhetin e vitit 2019, vetëm 3 milionë euro janë ndarë për institucionet e shëndetit mendor. Në përqindje i bie rreth 1.2% e buxhetit total për shëndetësi.

Krahas bindjeve stigmatizuese të shoqërisë, shëndeti mendor nuk merr vëmendje të duhur as nga institucionet. Profesionistët vërejnë se ka mungesë angazhimi dhe investimi në këtë fushë. 

Shaban Mecinaj nga QKUK thotë se shëndeti mendor nuk është fare prioritet, dhe se këtë e tregon më së miri mungesa e investimeve. 

“Për fat të keq, në Kosovë, përveç disa investimeve që janë bërë pas luftës në qendrat e shëndetit mendor, të cilat kanë pasur për qëllim që ta integrojnë shërbimin psikiatrik, në klinika, në reparte dhe në spitale rajonale nuk u është dhënë fare prioritet”, thotë ai. 

Ligjin për buxhetin për vitin 2019, për institucionet e shëndetit mendor janë rezervuar vetëm 3 milionë euro, nga 234 milionë sa janë ndarë për shëndetësi gjithsej. Në përqindje i bie rreth 1.2%. Për krahasim, vendet e Bashkimit Evropian ndajnë mesatarisht 13% të buxhetit të shëndetësisë për shëndetin mendor.

Mirëpo edhe ky buxhet 3 milionësh është ndarë vetëm për pagat dhe mëditjet e 258 punonjësve në këtë sektor, si dhe për mallra e shërbime. Nuk është paraparë as edhe një investim kapital.

Klinika e Psikiatrisë, që drejtohet nga Mecinaj, ndodhet në kryeqytet. Në qytetet kryesore të Kosovës operojnë edhe nëntë qendra të cilat ofrojnë shërbime të përgjithshme të shëndetit mendor. Dy janë në rajonin e Prishtinës, dy në rajonin e Mitrovicës, ndërsa nga një në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë dhe Gjakovë. 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto qendra ofrojnë aktivitete të edukimit psikologjik, psikoterapi individuale dhe grupore, vizita shtëpiake, konsultime me shërbimet e mjekësisë familjare dhe shërbime të tjera. Po ashtu, në tërë Kosovën janë edhe nëntë Shtëpi për Integrim në Bashkësi, secila me nga 10 shtretër, të cilat shërbejnë për rehabilitim dhe kujdes 24 orësh për të sëmurët kronikë psikiatrikë

Rukovci nga “Social Lab” thotë se, sa i përket trajtimit të shëndetit mendor në institucionet shëndetësore, problemet janë të mëdha. Përmend sistemin e dobët të referimit, mungesën e stafit të kualifikuar si dhe investimin e pamjaftueshëm. Tutje, Rukovci thotë se ekziston nevoja për t’i përforcuar, monitoruar dhe vlerësuar programet e ofruara nga institucionet publike, për të pasur informata mbi efikasitetin e tyre. 

E vetmja organizatë që ka monitoruar punën e institucioneve të shëndetit mendor është Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Fatmire Haliti është monitoruese nga kjo organizatë.

“Numri i stafit është shumë i vogël në raport me numrin e klientëve dhe nevojave të tyre. Në shumë institucione, si për shembull Shtëpitë për Integrim në Bashkësi, gjatë natës kujdestaron vetëm një infermier, që duhet të kujdeset për 10 rezidentë me diagnoza psikiatrike”, thotë Haliti. “Infermieri duhet të kujdeset për ushqimin, higjienën dhe trajtimin, pasi që përveç infermierëve nuk ka staf mbështetës në këto institucione”. 

Krahas kësaj, ajo thotë se mungon plani individual i trajtimit dhe rivlerësimit të pacientëve në këto qendra.

"Ka raste kur psikologu i jep me lexu libra fetarë një personi në gjendje jostabile emocionale."

Bind Skeja, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social

Në anën tjetër, Bind Skeja thotë se edhe në institucionet shëndetësore ekzistojnë stigma dhe paragjykimet ndaj problemeve të shëndetit mendor. Këtë e bazon edhe nga përvoja e tij pas sulmit të panikut. Ai thotë se qasja e stafit mjekësor në Qendrën e Emergjencës në QKUK nuk ka qenë fare lehtësuese për të. 

“Stafi mjekësor ka qenë i tmerrshëm në aspektin psikologjik. Më thoshin gjëra si ‘djali i ri, s’ke nevojë me u stresu ti’”, thotë ai. 

Sa u përket Qendrave të shëndetit mendor, ai thotë se kushtet aty nuk janë të mira. Për stafin, thotë se ka të tillë që nuk i kuptojnë shqetësimet lidhur me shëndetin mendor.  

“Varët nga personi se kush qëllon, mirëpo në këto qendra ka edhe psikologë që, në vend se të ofrojnë shërbime psikologjike, ofrojnë këshilla religjioze. Ka raste kur psikologu i jep me lexu libra fetarë një personi në gjendje jostabile emocionale”.

Ai thotë që kjo e ushqen edhe më shumë stigmën dhe shton se “nuk ka kontroll të mjaftueshëm ndaj stafit në këto qendra dhe menaxhimi është jo i mirë”.

Ndërkaq, monitoruesja nga QKMRT thotë se stigma është më e theksuar në repartet e sëmundjeve të tjera, ku njerëzit me çrregullime më të mëdha mendore ndonjëherë refuzohen të pranohen apo nuk marrin trajtimin e duhur. 

“Nëse një klient i një qendre të shëndetit mendor ka nevojë me u trajtu në një repart apo klinikë të spitalit për ndonjë sëmundje tjetër, refuzohen [nga stafi mjekësor] të shtrihen në këto reparte me arsyetimin se nuk munden me i trajtu këto raste sepse janë me çrregullime mendore”, thotë Haliti. “Zakonisht kërkojnë që [ata pacientë] të shtrihen në reparte psikiatrike për trajtim edhe pse sëmundja në atë rast është tjetër”.

Pasoja e injorimit të problemit: abuzimi me “qetësues”

Mungesa e monitorimit adekuat të barnatoreve nga institucionet, si dhe ngurrimi për të kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e paragjykimeve, po sjellin pasoja te personat e prekur nga problemet e shëndetit mendor. Një nga to është përdorimi i madh i medikamenteve psikotrope pa recetë të mjekut.

Barnat psikotrope apo psikoaktive janë medikamente që ndërhyjnë në kiminë e trurit, si mjet për menaxhimin e problemeve të shëndetit mendor. Dy janë më të shpeshtat për trajtimin e çrregullimeve emocionale: antidepresantët, që shërbejnë për trajtimin e depresionit dhe ankthit, si dhe anksiolotikët, që përdoren për menaxhimin e atypëratyshëm të ankthit dhe frikës

Mjekët alarmojnë se në Kosovë këto lloje barnash po merren pa recetë. Një gjë e tillë po shkakton probleme te përdoruesit. 

Në vitin 2016, për afro dy muaj, Diana ka përdorur medikamentin Escitalopram pa rekomandim të mjekut. Ky medikament hyn në kategorinë e antidepresantëve, i cili rritë nivelet e neurotransmiterit serotonin në tru, mungesa e të cilit mendohet se shkakton depresionin dhe ankthin.

"Isha goxha skeptike për efektin e antidepresantëve. Fillova të mendoja se kjo nuk ishte mënyra e duhur për ta tejkaluar problemin.”

Diana, 24 vjeçe

Gjatë viteve të studimeve (2014-2017) ajo kishte përjetuar faza depresioni, që, sipas saj, buronin nga presionet dhe pritshmëritë e shoqërisë për të. Pas disa kërkimeve në “Google”, kishte filluar me përdorimin e antidepresantëve.

“Hezitoja të mbaja psikoterapi për shkak se i njihja shumicën e psikologëve, ndërsa ata që nuk i njihja nuk u besoja. Dhe më se lehti ishte të provoja ndonjë antidepresantë”, tregon 24 vjeçarja.

Përgjatë dy muajve të përdorimit të antidepresantëve, Diana është përballur me dilema.

“Ndërkohë qe i përdorja, kisha edhe qasje antimjekësore ndaj problemeve psikologjike sepse isha goxha skeptike se a ishin duke pasur efekt. Fillova të mendoja se kjo nuk ishte mënyra e duhur për ta tejkaluar problemin”, tregon ajo. “Çfarë ndjeja unë në atë kohë ishte: e humbur. As mirë e as keq por e humbur. Prandaj në fund i ndërpreva”

Fuqishëm rekomandon që askush të mos i hyjë rrugës së vetëdiagnostikimit e vëtëpërshkrimit të medikamenteve. 

Shitjen e barnave pa recetë e sanksionon Ligji për produkte medicinale dhe Udhëzimi Administrativ për receta medicinale. Ndërsa për monitorimin e barnatoreve, autoritet përgjegjës është Inspektorati Farmaceutik, i cili funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Zyrtarë të këtij institucioni pranojnë fenomenin e shitjes së medikamenteve psikotrope pa recetë. Thonë se, me qëllim të parandalimit, Inspektorati Farmaceutik kryen inspektime ad-hoc dhe me kërkesë. Megjithatë barnatoret rrallë gjobiten. 

Gjatë vitit 2018, sipas Inspektoratit Farmaceutik, janë kryer mbi 600 inspektime, në të cilat janë gjobitur 4 barnatore me nga 1,000 euro për shkak të dhënies së barnave pa recetë. Ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, për këtë shkelje ligjore janë shqiptuar vetëm 2 gjoba. 

Numri simbolik i gjobave bën që shitja e barnave pa recetë të jetë prezente në masë të madhe. Diana tregon se blerja e antideprasantit pa përshkrim qe fare e lehtë. 

“Çuditërisht, pata arritë më lehtë me i marrë në barnatore në qendër të qytetit, sesa në lagjen Bregu i Diellit, ku jetoja”, thotë ajo. 

Në vitin 2014, për shitjen pa recetë të medikamenteve të fushës së psikiatrisë është bërë një hulumtim nga organizata joqeveritare “Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë”. Hulumtues të këtij Instituti kanë vizituar 23 barnatore në 6 qytete të Kosovës, ku kanë kërkuar barna të cilat janë të ndaluara për shitje pa recetë të mjekut. Pjesë e hulumtimit kanë qenë medikamentet: Alprazolam (Xanax), Diazepam dhe Methadon. Dy të parat janë medikamente benzodiazepine (qetësues), ndërsa Methadon është medikament për trajtimin e varësisë nga narkotikët. 

Problemet më të mëdha nga hulumtimi konstatohen në Prishtinë. Nga 11 barnatore sa janë vizituar, të gjitha kanë pranuar t’i shesin këto produkte pa përshkrimin e mjekut.

“Nga hulumtimi në terren ka rezultuar se secili qytetar ka mundësi që pa recetë të mjekut të blejë medikamente të ndaluara me ligj. Barnat narkotike mund të blihen pa ndonjë procedurë që do të kërkonte identifikimin e personit që blenë barna narkotike ose substanca psikotrope. Këto barna lehtësisht mund të blihen dhe përdoren pa ndonjë kriter”, thuhet në raport. 

Sipas mjekëve, lehtësia e blerjes së barnave në këtë mënyrë po krijon probleme serioze.

"Shqetësohem kur kam raste të tilla për faktin se është shumë vështirë t’ia largosh dikujt, shembull e zëmë Xanax-in, kur ai merr doza të larta ditore me vite të tëra."

Jusuf Ulaj, neuropsikiatër

Neuropsikiatri Ulaj thotë se ka shumë pacientë të cilët paraqiten pas një periudhe të gjatë të përdorimit të medikamenteve që ata i quajnë “qetësues”. Shumica e pacientëve, barnat i kanë marrë pa përshkrim të mjekut të lëmisë përkatëse, apo në disa raste edhe nga konsulta me mjekë familjarë apo të fushave të tjera mjekësore.

Sipas Ulajt, ndër medikamentet që më së shpeshti përdoren pa përshkrimin e mjekut janë Xanax, Diazepam e Lexilium. Të gjitha këto hyjnë në grupin e benzodiazepinëve, që në popull njihen si ‘qetësues’ për shkak të efektit të tyre të menjëhershëm.

“Ka raste kur “rekomandimin” e marrin nga ndonjë shoqe apo shok, nga ndonjë takim i rastit, nga persona që vetëquhen hoxhë apo mjekë popullorë, se kinse ‘ky ilaç të bënë mirë’”, thotë ai.  

Ulaj spjegon se këta persona, përpos sëmundjes bazë që është problemi psikologjik, fitojnë edhe një sëmundje tjetër, që është sëmundja e varësisë. 

“Si psikiatër shqetësohem kur kam raste të tilla për faktin se është shumë vështirë t’ia largosh dikujt, shembull e zëmë Xanax-in, kur ai merr doza të larta ditore me vite të tëra”, sqaron Ulaj.

Të njëjtin shqetësim e ndan edhe drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Shaban Mecinaj. Ai thotë se medikamentet që i takojnë sferës së psikiatrisë duhet të jepen me kujdes dhe pacienti duhet të përcillet gjatë periudhës së marrjes së terapisë. Kjo për shkak se, sipas Mecinajt, shumica e këtyre medikamenteve mund të shkaktojnë efekte anësore të padëshirueshme, siç janë toleranca — kur organizmi kërkon rritje të dozës për të arritur efektin e njëjtë dhe varësia, të cilat edhe mund ta dëmtojnë pacientin. Veçanërisht medikamentet që hyjnë në grupin e benzodiazepinëve, apo “qetësuesit”, sipas Mecinajt, mund t’i shkaktojnë këto efekte. 

Fajin për këtë, mjekët ua hedhin institucioneve.

“Mangësi kryesore që e mundëson këtë fatkeqësi të shumë individëve, është sistemi shëndetësor dhe farmaceutik jofunksional në Kosovë. Për fat të keq, ju mund te shkoni në barnatore tona dhe të merrni çfarëdo ilaçi qe doni pa recetën e mjekut. Ligjet që ndalojnë dhënien e këtyre medikamenteve pa recetën e mjekut janë aprovuar ne parlamentin e Kosovës por nuk zbatohen në terren”, tregon neuropsikiatri Ulaj. 

Ka fare pak të dhëna lidhur me përdorimin e përgjithshëm të këtyre medikamenteve në shoqërinë kosovare. I vetmi hulumtim është bërë më 2014 nga Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë ndaj Drogave (EMCDDA). Në këtë hulumtim, 2% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë përdorur antidepresantë në të kaluarën, ndërsa rreth 3% kanë thënë se kanë marrë anksiolitikë (qetësues) gjatë vitit të kaluar. 

Përkundër shpërfilljes institucionale dhe qasjes paragjykuese të shoqërisë, profesionistët theksojnë rëndësinë që ka shëndeti mendor për jetën e njeriut.

Visar Sadiku, psikolog klinik, punon çdo ditë me klientë të cilët kërkojnë ndihmë për stabilizimin e gjendjes së tyre emocionale. Ai thotë se funksionimi i gjithmbarshëm i një njeriu nuk mund të jetë i kompletuar nëse komponenta e shëndetit mendor është e cenuar.

Psikologu klinik Visar Sadiku thotë se niveli i vetëdijes për shëndetin mendor në shoqërinë tonë është ende jo i kënaqshëm, dhe se shumë njerëz ngurrojnë të kërkojnë ndihmë si rrjedhojë e kësaj. Foto: Adi Beqiri / K2.0.

Se pse shumë persona që ballafaqohen me këto probleme nuk i drejtohen psikologut për ndihmë por zgjedhin metoda të tjera, ai jep dy shpjegime. 

“Psikologjia është një shkencë relativisht e re në vendin tonë dhe si e tillë stigma është ajo që e përcjellë atë. Zakonisht personat që referohen për të marrë shërbime psikologjike nga të tjerët mund të shihen si persona që kanë probleme që e prekin drejtpërsëdrejti natyrën e funksionimit të tyre mendor, e që jo domosdoshmërisht duhet të jetë ashtu”, thotë Sadiku.

“Një arsye tjetër është se, kur flasim me ta se cila ka qenë arsyeja që nuk është referuar drejt te ne, thonë po unë nuk e kam ditur saktësisht se çka ofron psikologu. Kjo tregon se niveli i vetëdijes për shëndetin mendor brenda komunitetit, veçanërisht në zonat rurale, është jo i kënaqshëm”, konsideron ai. 

Bind Skeja nuk është fare pishman që shtatë muaj më parë trokiti në derën e psikologut për ndihmë. Jeta e tij ka ndryshuar tërësisht që nga seanca e parë e psikoterapisë. 

“Tash jam një njeri komplet tjetër prej atij kur kam shku. Jam rindërtu prej fillimit. Tani unë jam versioni më i mirë i imi që mundem me qenë”, thotë ai. “Krejt kjo mbasi kam shku dhe kam punu me veten”.

Por, pa përkrahje të duhur institucionale dhe të ndrojtur nga paragjykimet e shoqërisë, shumë persona edhe më tej do të detyrohen të ballafaqohen të vetëm me problemet e shëndetit mendor.K

Nëse keni nevojë për ndihmë në lidhje me problemet e diskutuara në këtë artikull, mund ta kontaktoni linjën telefonike për parandalim të vetëvrasjes “Linja e Jetës” duke thirrur në numrin 0800 12345 (çdo ditë prej orës 21:00 deri në 01:00).

*Shënim i redaksisë: Emrat Alban dhe Diana janë pseudonime që janë përdorur për ta mbrojtur identitetin e individëve me kërkesën e tyre. 

Redaktuar nga Bekim Kupina.
Redaktim shtesë: Besa Luci dhe Tringë Sokoli.

Foto kryesore: Adi Beqiri.

Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.