Biseda

Hajde folim është një platformë e hapur për komunitetin — duke filluar nga aktivistë të shoqërisë civile e deri tek artistët, inovatorët dhe qytetarët që nuk kanë marrë pjesë në aktivitete të tilla — që t’i parashtrojnë shqetësimet e tyre dhe të dëgjohet zëri i tyre për çështje të rëndësishme që shpesh lihen pas dore.

Çka i veçon këto diskutime prej debateve të tjera është natyra e tyre përfshirëse dhe pjesëmarrëse, ku të pranishmit inkurajohen të përfshihen në mënyrë aktive. Ne synojmë të eliminojmë formatin paneli përballë audiencës dhe — në vend të krijimit të një bisede të njëanshme — të mundësojmë një bisedë mes të gjithë të pranishmëve.  

Prapë do të kemi musafirë të ftuar si dhe një moderator/e që të nisë bisedën dhe të sigurojë që perspektiva dhe ekspertiza të ndryshme të dëgjohen — por ne gjithmonë sigurohemi që një nga ta, të jetë një përfaqësues/e institucional/e që të ndihmojë në krijimin e lidhjes mes vendimmarrësve dhe qytetarëve.  

Hajde folim është një platformë ku qasjet tradicionale për tema të ndryshme mund të sfidohen nga prezantimi i pikëpamjeve të reja, ideve të ndryshme si dhe nga pjesëmarrja e një grupi të shumëllojshëm të njerëzve; ato duhet të shërbejnë si një pikë fillestare që të tjerët të vazhdojnë bisedimet e tyre — dhe veprimet.