Të premtën (19 maj) në orën 5 pasdite, më shumë se 250 njerëz u dëbuan nga kampi i improvizuar në pjesën e vjetër të Sarajevës. Nga shkurti, refugjatët dhe emigrantët vinin në këtë vend, ku fqinjët dhe vullnetarët u sjellnin ushqim, veshmbathje, u ndihmonin për të gjetur ndihmë mjekësore dhe i prisnin në shtëpitë e tyre, duke u ofruar një vend për pushim dhe për t’u larë.
Fillimisht, në park vinin vetëm burra të pamartuar, por deri në fund të marsit filluan të vijnë edhe disa familje nga Siria, Jemeni, Nigeria, Afganistani, Tunizia, Maroku, të cilët gjenin strehim në shtëpitë e banorëve apo në hostele – shumë qytetarë boshnjakë ishin të gatshëm për ta demonstruar solidaritetin e tyre. Në prill, kur u shtuan numrat, disa filluan të ngrejnë tenda dhe të flejnë në park, për shkak se shteti nuk ofronte akomodim apo çfarëdo lloj sigurie.
Foto: Nidžara Ahmetašević / K2.0.
Sipas Ministrisë së Sigurisë së Bosnjes dhe Hercegovinës, mbi 4000 njerëz hynë në Bosnje vetëm në katër muajt e parë të këtij viti; disa shkonin drejt Sarajevës e të tjerë drejt zonave rreth Bihaçit dhe Klladusha e Madhe afër kufirit me Kroacinë, duke shpresuar për ta kaluar kufirin dhe për të vazhduar drejt Evropës Perëndimore.
Javën e kaluar ata u dëbuan nga parku i Sarajevës, dy ditë para se të vizitonte presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili morri pjesë në një tubim të madh zgjedhor të organizuar nga partia e tij. Ai dhe miku i tij – siç e quajnë njëri tjetrin – Bakir Izetbegović, anëtari boshnjak i Presidencës tripartiake shtetërore dhe anëtari i Partisë Boshnjake për Veprim Demokratik (SDA), fillimisht kishin planifikuar të ecnin në Qytetin e Vjetër dhe të hanin iftar së bashku. Në fund, kjo pjesë nuk ndodhi.
Sidoqoftë, refugjatët dhe emigrantët – shumë prej të cilëve kishin shprehur qëllimin e tyre për të kërkuar azil – u dërguan në kampin Salakovac në Mostar – kamp i cili u rinovua së fundmi me ndihmën e UNHCR-së. Vendimi u bë në nivel shtetëror, i mbikëqyrur nga Ministria e Sigurisë e Bosnjes dhe Hercegovinës, me përfshirje të Ministrisë për Refugjatë dhe të Drejta të Njeriut.
Rrugës për në Sarajevë, policia e Kantonit të Sarajevës i shoqëroi pesë autobusët deri në skaj të zonës së jurisdiksionit të saj; kufiri kantonal me Kantonin fqinj të Mostarit. Megjithatë, pasi autobusët hynë në Kantonin e Mostarit, policia speciale e Mostarit i ndali ato, duke thënë se ky udhëtim nuk ishte lajmëruar paraprakisht.
Duke e bërë këtë, ata e sfiduan vet ekzistencën dhe autoritetin e shtetit, për shkak se vendimi për t’i zhvendosur emigrantët dhe refugjatët u bë në nivelin e Këshillit të Ministrave, i cili ka jurisdiksion mbi azilkërkuesit. Autobusët u detyruan të kthehen tek kufiri i padukshëm ndërmjet dy kantonëve, e brenda tyre ishin më shumë se 250 njerëz të cilët më parë strehoheshin në parkun e Sarajevës.
Foto: Nidžara Ahmetašević / K2.0.
Veçse të lodhur pasi kishin jetuar disa ditë në kushte jonjerëzore, këta persona u lanë për katër orë në mes të rrugës. Vullnetarët dhe vendasit ishin aty për t’u ndihmuar, siç ishin edhe ekipet e mjekësisë emergjente. Policët ishin nevrikë… I gjithë vendi e përcjelli këtë dramë që po ndodhte te kalimi Ivan-sedlo dhe po transmetohej në TV dhe internet.
Pas disa orëve, Ministri i Sigurisë i Bosnjes dhe Hercegovinës, Dragan Mektiç, e mbajti një konferencë për shtyp, e cila u transmetua drejtpërdrejtë në disa kanale kombëtare. Ai tha se këto zhvillime përbënin një “përpjekje për puç” dhe se do të sigurohej që ta arrestonin kreun e policisë së Kantonit të Mostarit.
“Kemi forca policore në njërën anë dhe policë të armatosur në anën tjetër. Kjo që po bënë policia e Mostarit është e kundërligjshme dhe kundër Kushtetutës”, tha Mektić. “Nëse nuk e respektojmë Kushtetutën dhe ligjin, do të thotë që sistemi po thyhet”.
Pas konferencës, autobusët vazhduan udhëtimin e tyre dhe më në fund arritën në kampin Mostar, ku njerëzit u akomoduan – më në fund në kushte të përshtatshme.
Mbretëron lufta për poena politikë
Disa ditë më vonë, ende nuk është e qartë se si u zhvilluan ngjarjet e së premtes. Megjithatë, me sa duket njerëzit kanë rënë dakord, se kalkulimet dhe manovrat politike ishin në thelb të këtij incidenti – siç ndodh në shumë raste në Bosnje, veçanërisht në vite zgjedhore.
Sipas disa raporteve në media, kreu i policisë së Mostarit nuk ka lëshuar urdhër të shkruar për ndalimin e autobusëve. Disa po spekulojnë për ndikim të mundshëm të partisë udhëheqëse në atë zonë, Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ).
Josip Grubeša, Ministri i Drejtësisë i BiH dhe anëtari i HDZ, e ka kontradiktuar kolegun e tij të Këshillit të Ministrave, Mektić, i cili është pjesë e Partisë Demokratike Serbe (SDS), duke thënë se sipas ligjit në Bosnje dhe Hercegovinë nuk ka shkelje të njohur si ‘puç shtetëror’. “Është më shumë term joformal i cili nuk njihet nga ligji”, tha ai.
Pavarësisht faktit se është pjesë e Këshillit të Ministrave, organ ky i cili e morri vendimin e parë për t’i çuar emigrantët dhe azilkërkuesit në Mostar, Grubeša gjithashtu pretendoi se qeveria shtetërore nuk mund të merr vendime për akomodimin e tyre dhe nuk ofroi hollësi për atë se kujt i përkasin këto kompetenca.
Pothuajse njëkohësisht, presidenti i entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik – i cili ka lajmëruar se do të garojë për Presidencën shtetërore në tetor – dha një deklaratë për strehimin e emigrantëve në Republika Srpska, ani pse entiteti të cilin e ka nën jurisdiksion nuk u ndikua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga incidenti i së premtes.
“Ne nuk lejojmë që Sarajeva t’i përcaktojë veprimet tona sa i përket kësaj çështjeje”, tha ai, duke i përsëritur deklaratat e mëparshme që nuk do të lejonte krijimin e çfarëdo lloj qendre për emigrantë në Republika Srpska. Më parë Dodik kishte thënë se, Republika Srpska do t’i garantojë “kalim të shpejtë dhe të sigurt” nëpër territorin e saj.
Ndërkohë, të shtunën, kreu i policisë së kantonit të Mostarit u thirr për të dhënë deklaratë para shërbimeve të sigurisë shtetërore; mbetet e paqartë se çfarë do të ndodh tani.
Vendimmarrje jofunksionale
Me tërë këtë huti, e gjithë kjo aferë veç sa dëshmon – përsëri – sa jofunksional dhe i ndërlikuar është procesi i vendimmarrjes në Bosnje dhe Hercegovinë. Incidenti i fundit është dëshmi e fortë që e ka ekspozuar të gjithë sistemin.
Ky shtet ende trajtohet si gjysëm-protektorat më shumë se dy dekada pas luftës, që përfundoi në vitin 1995 me Marrëveshjen e Paqës që u nënshkrua në Dejton, SHBA. Kjo marrëveshje e krijoi një strukturë të ndërlikuar dhe të shtresuar e cila rregullisht shkakton stagnime dhe ngërçe politike si dhe ka lejuar kapjen e shtetit nga politikanët.
Një raport i publikuar në vitin 2014 nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës, i cili mund ta kundërshtohet në disa instanca, sidoqoftë e kap thelbin e kulturës politike të Bosnjes, me konkluzionin: “një ‘grup joformal prej gjashtë liderëve’ partiak efektivisht e kontrollon qeverinë dhe pjesën më të madhe të ekonomisë. Koalicioni multietnik vazhdon të ekzistojë, i ndryshuar nga pak pas zgjedhjeve. Anëtarësimi fitohet me të fituar gara jotransparente brenda partive, në të cilat nuk kanë shumë ndikim votuesit”.
Në raport gjithashtu konkludohet se pushteti përforcohet më tej duke “kontrolluar punësimin, investimet dhe vendimet komerciale në firma të cilat janë në pronësi të shtetit, e kjo situatë e mbyt rritjen dhe investimet private”.
Të përballur me këtë realitet çdo ditë, qytetarët në Bosnje po e kanë gjithnjë më të vështirë, ku shumë prej tyre kanë vendosur të largohen nga vendi në kërkim të mundësive në shtete të tjera, por një numër edhe më i madh i tyre janë bërë pothuajse krejtësisht apatikë, sepse nuk po e shohin se si mund ta ndryshojnë gjendjen aktuale të ngërçit të përhershëm politik.
Ndryshimi i Kushtetutës, që në realitet është ende një Aneks i Marrëveshjes së Dejtonit – e cila është një qerek shekull e vjetër – është tepër i vështirë dhe shpeshherë politizohet deri në pikën ku bëhet krejtësisht e pamundur.
Vetëm një shembull i kësaj është vendimi i marrë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vitin 2009, në lidhje me padinë e Azra Zornić kundër shtetit të Bosnjes dhe Hercegovinës, mbi të drejtat e njerëzve për të garuar për postet më të larta shtetërore.
Sipas ligjeve ekzistuese, vetëm anëtarët e një prej tri grupeve etnike që janë shumicë – serbët, kroatët dhe boshnjakët – kanë të drejtë për të mbajtur pozita në Presidencë apo në Shtëpinë e Popujve. Zornić u ankua, duke deklaruar se ajo nuk kishte mundësi të garonte për këto poste për shkak se e kishte shpallur identitetin e saj si qytetare e Bosnjes dhe Hercegovinës, pa ndonjë përkatësi etnike. Gjykata e mbështeti padinë e Zornić dhe vendosi që Kushtetuta të ndryshohet, por ky vendim nuk u zbatua kurrë.
Rruga drejt ndryshimit?
Arritja e emigrantëve dhe refugjatëve në këtë lloj shteti disfunksional dhe pothuajse inekzistent mund të shkaktojë një nga dy rezultate. Njëri është katastrofa totale, ku solidariteti i cili ka ekzistuar deri më tani në fund mbytet nga ksenofobia dhe dehumanizimi nëpërmjet mediave, të cilat shpeshherë kontrollohen nga grupet e ndryshme të interesit që kryesisht janë të lidhura me parti politike.
Mundësia e dytë është mbijetesa e solidaritetit; vendimmarrësit lokal e kuptojnë se arritja e njerëzve me aftësi, kultura, gjuhë dhe njohuri të ndryshme është diçka që mund ta ringjallë shtetin dhe t’i shtojë jetë Bosnjes dhe Hercegovinës në përgjithësi.
Šuhret Fazlić, kryetari i qytetit të Bihaçit – afër kufirit të BE-së në veri të vendit – është i pari që e ka pranuar një mundësi të tillë. Ai jo vetëm që i ka mirëpritur refugjatët, por edhe ka filluar të konsiderojë se si mund t’i ndihmojë atyre të integrohen në shoqëri dhe si mund të nxjerrë diçka të mirë për të gjithë nga kjo situatë. Aktualisht, idetë mbesin vetëm në fazën e konceptualizimit.
Po të krijohej një atmosferë më mirëpritëse, ndoshta refugjatët mund të pranohen si qytetarë boshnjakë; kjo mund të çojë më në fund te ndryshimi i Kushtetutës, apo shkrimi i saj në një mënyrë që me të vërtetë i merr parasysh nevojat e të gjithë qytetarëve, jo vetëm politikanëve udhëheqës dhe njerëzve të cilët e shpallin vetën si anëtarë të një prej tri grupeve përbërëse etnike.
Deri më tani, kjo duket si perspektivë e largët, për shkak se akterët politikë të cilët po e udhëheqin vendin janë të kënaqur me status quo-në; kjo i parandalon njerëzit që të mos kenë mundësi t’i qasen procesit të azilkërkimit dhe i parandalon qytetarët ekzistues që të mos garojnë për pozita shtetërore, nëse nuk janë serbë, kroatë apo boshnjakë.
Pjesa më e madhe e politikanëve thjeshtë nuk kanë mundësi, vullnet apo aftësi për të ndihmuar.
Lojërat politike, në të cilat kushdo dhe çkado mund të përdoren si figura shahu (zheton), janë pjesë e realitetit politik. Me vite të tëra politikanët i kanë përdorur të mbijetuarit e luftës, veçanërisht gratë, për të manipuluar. Në vend se t’i ndihmojnë procesit të shërimit të shoqërisë, ata kanë bërë gjithçka për t’i ngrirë frikat dhe urrejtjen nga lufta, në mënyrë që t’i përdorin për të mbetur në pushtet. Gjuha politike është e bazuar në ‘ne’ dhe ‘ata’, ku ‘ne’ jemi gjithmonë viktimat dhe ‘ata’ janë keqbërësit.
Tani, me arritjen e emigrantëve dhe refugjatëve, të gjitha dobësitë e shtetit po bëhen edhe më të dukshme.
Njerëzit përsëri po shndërrohen në vegla për partitë udhëheqëse politike në fushatat e tyre zgjedhore, nga incidenti i fundit i transferimit të tyre nga Sarajeva në Mostar, e deri te zënkat e shumta politike rreth emigrantëve dhe refugjatëve që ndodhën në muajt e fundit. Përsëri e përsëri, politikanët dhe mediat të cilat i kontrollojnë, po e ruajnë rrëfenjën ‘ne’ dhe ‘ata’, duke këmbëngulur që të flitet për sigurinë, në vend se të flitet për çështje humanitare dhe solidaritet të thjeshtë.
Me këtë strukturë tejet të ndërlikuar shtetërore, shtresat e tepërta të qeverisjes dhe elitat udhëheqëse politike që janë të fokusuara vetëm në interesa partiake dhe personale, është vështirë të shihet se si do tejkalohet situata aktuale. Dhe fushata zgjedhore veç sa ka filluar.K
Foto kryesore: Nidžara Ahmetašević / K2.0.