Diku në vitin 2017, Safete Binaku ishte në një nga vizitat e saj të rastit në vendlindjen e saj në Bokshiq, një fshat jashtë Klinës. Rrugës, ndaloi pranë Grabanicës, një fshat aty pranë, dhe shkoi në një ndërtesë të vjetër që e njihte mirë. Shkolla “Azem Bejta” ishte ndërtuar në vitin 1974 dhe kishte marrë pak vëmendje nga shteti në dy dekadat e fundit. Binaku ishte në klasën e shtatë, kur, siç kujton ajo, në një ditë pranvere me shi të vitit 1998, la përgjithmonë shkollën, fshatin dhe vendin.
Masakrat e para të shkurtit të luftës së Kosovës në Drenicën e afërt kishin bërë jehonë, duke e bërë të qartë se kohë të vështira po vinin. Familja e Binakut vendosi të transferohej në sigurinë e Suedisë. Ata u bënë refugjatë brenda natës, duke marrë rrugën e njohur të migrimit nga Peja në Mal të Zi, duke vazhduar me varkë për në Itali dhe më pas u nisën drejt veriut.
Viteve të fundit shpesh do të kujtonte momente të jashtëzakonshme të fëmijërisë së saj.
Regjimi i Milošević-it i ndaloi studentët e shkollave të mesme dhe universiteteve të përdorin ndërtesat publike, por gjithashtu i ndau fëmijët në shkolla fillore në baza etnike. Në shkollën e Binakut shkonin gjithmonë nxënës të përzier, por marrëdhëniet vërtet të përziera shoqërore ishin vetëm një kujtim në historitë e të afërmve që shkonin në të njëjtën shkollë vite më parë. Në vitin 1991, si 6-vjeçare në klasën e parë, kujton barrierat e padukshme që e ndanin nga bashkëmoshatarët e saj serbë.
“Ndonjëherë luanim basketboll. Ne ishim në njërën anë, ata në tjetrën”, tha ajo. “Kam reflektuar shumë kohët e fundit, se si ishim shumë të ndërgjegjshëm për njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë nuk kishim asnjë kontakt”.
Mendoi për këtë përsëri atë ditë në vitin 2017, kur u ndal para shkollës së saj të vjetër. Por ishte një temë tjetër e lidhur me ditët e saj të shkollës në Kosovë që po e shqetësonte — tema e librave për fëmijë.
Pati biseda të gjata me miqtë në Stockholm për ndikimin e librave në jetën e tyre. Me miqtë që, njëlloj si ajo, emigruan nga Kosova, e diskutoi mungesën e leximit të organizuar në klasë në shkollat e Kosovës dhe se si e kuptoi se çfarë ishte duke humbur vetëm pasi filloi shkollën në shtëpinë e saj të dytë. Për këta fëmijë emigrantë, përvoja e leximit dhe diskutimit të veprave artistike së bashku me shokët e klasës dhe mësuesit kishte qenë thelbësore për t’i kuptuar idetë komplekse dhe kjo e bëri shumë më të lehtë përshtatjen me kulturën e re dhe gjuhën e re.
Mirëpo, në edukimin e tyre të hershëm në Kosovë kishte pak fokus në leximin kritik dhe nga ajo që kuptuan gjatë bisedat me të tjerët, klasat e sotme ende vazhdojnë të karakterizohen nga kjo mungesë.
“Teksa po bisedonim, thjesht thamë, ‘A mund të shkojmë në Kosovë dhe t’ua shpjegojmë idenë e leximit?’”, tha ajo. “Kështu që shkuam dhe e provuam. Fëmijët ishin kaq entuziastë dhe mësuesit e panë efektin. Çdo gjë ndryshoi”.
Projekti i Bibliotekës – Kosova lindi.
Leximi në klasë është çështje barazie
E themeluar në vitin 2017 nga Binaku dhe një grup miqsh, Projekti i Bibliotekës Kosova (The Library Project Kosova (TLPK)) synon të ndërtojë një komunitet aktiv dhe të angazhuar përmes zhvillimit të të kuptuarit të leximit te fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë dhe duke i motivuar që të bëhen lexues dhe nxënës gjatë tërë jetës.
Binaku shpjegon se punojnë me nxënësit dhe mësuesit për ta përmirësuar nivelin e të të kuptuarit të leximit dhe se po punojnë për rritjen e numrit të librave dhe hapësirave në të cilat fëmijët kanë mundësi të lexojnë lirshëm dhe të marrin mbështetjen e duhur.
Motoja e organizatës është: “Çdo fëmijë në Kosovë meriton qasje në libra”. Foto: Projekti i Bibliotekës – Kosova.
“Përfundimisht, ne avokojmë që të kuptuarit e leximit të bëhet një faktor themelor në kurrikulë”, tha ajo.
Ajo dhe ekipi kanë bashkëpunuar me shkolla nga pothuajse secila komunë për ta implementuar leximin si aktivitet javor në klasë.
“Çdo fëmijë në Kosovë meriton qasje në libra”, është motoja e organizatës.
Binaku e sfidon idenë se sjelljet kulturore të trashëguara nga familjet e tyre janë fajtorë për mungesën e interesit të fëmijëve për të lexuar.
“Në Kosovë thonë se fëmijët nuk janë si në Suedi. Nuk i nxjerrin librat për t’i lexuar”, tha ajo. “Por në Kosovë nuk ka libra në shkolla dhe kjo është arsyeja pse jemi kaq entuziastë për projektin tonë. Librat duhet të jenë aty ku janë fëmijët”.
Kur Binaku emigroi në Suedi, u trondit kur mësuesit e saj nuk ishin të kënaqur me përgjigjet e saj dhe e shtynë t’i shtjellonte më tej mendimet e saj në klasë.
“Thjesht më thoshin ‘Kjo nuk është përgjigjja’ dhe më pyesnin se në çfarë i bazoja mendimet e mia”, tha ajo. “Fëmijëve të tjerë u vinte natyrshëm t’i argumentojnë mendimet e tyre. Por unë vija nga një sistem ku do të mësoja gjithçka mekanikisht pa reflektuar mbi të”.
Metodologjia e vjetër e vendit, e pareformuar, e mësimdhënies përmendësh — e cila dështon t’u mësojë studentëve aftësitë e leximit kritik, si të zgjidhin në mënyrë kreative problemet matematikore apo të shpjegojnë fenomenet në mënyrë shkencore — u bë e dukshme pas publikimit të rezultateve të vlerësimit ndërkombëtar të arsimit, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) në vitin 2016 dhe 2018. Në të dy herët Kosova u radhit në pesëshen e fundit nga pothuajse 80 vendet pjesëmarrëse dhe u radhit e fundit në Evropën Juglindore. Performanca e nxënësve 15-vjeçarë të Kosovës ishte në fund të listës së të gjitha kategorive të testeve.
Rezultatet e konfirmuan besimin dhe pritshmëritë e përgjithshme për mangësitë në sistemin arsimor të vendit. Për Binakun, leximi i organizuar në klasë do të ishte ndërhyrje fillestare në një sistem të kalbur arsimor që nuk është rikuperuar që nga dëmet që pësoi në vitet e 90-a.
Mungesa e politikave reale pas luftës, madje edhe pas pavarësisë, për rregullimin e sistemit arsimor kontribuoi në motivimin e Binakut dhe Projektit të Bibliotekës Kosova për të vazhduar me projektin e tyre. Sfidat me të cilat përballen janë masive. Planet strategjike arsimore pothuajse nuk përmendin aftësitë e leximit dhe buxheti që ndahet për lexim dhe hapësira të cilat inkurajojnë leximin është shumë i ulët. Shumë biblioteka në Kosovë mirëmbahen keq dhe u mungon furnizimi i mjaftueshëm me libra, kurse të tjerat janë mbyllur për shkak të buxhetit të ulët.
Fokusi i Binakut për t’u lexuar me zë të lartë fëmijëve nuk ka të bëjë vetëm me mësimin, fjalorin e përmirësuar apo kreativitetin. Për të dhe miqtë e saj, leximi në klasë është çështje barazie.
“E përjetuam vetë. Kontaktin e parë me librat fiktivë e kam pasur si një fëmijë 14-vjeçar emigrant”, tha ajo. “Ligji për Arsimin në Suedi thotë se shkolla është përgjegjëse për të lexuarit e fëmijëve. Nuk është përgjegjësi e prindërve. Është përgjegjësi e shtetit”.
Ajo beson se përvoja e përbashkët e leximit të letërsisë fiktive i vendos fëmijët me prejardhje të ndryshme sociale dhe ekonomike në të njëjtën pozitë dhe se aftësia e mësuar e të menduarit në mënyrë kritike për përmbajtjen e tregimeve mund ta ngushtojë hendekun mes të privilegjuarve dhe atyre në disavantazh.
Furnizimi i shkollave me libra
“Vetëm shikojeni këtë video dhe do ta shihni”, thotë Binaku.
Videoja shfaqë më shumë se njëzet fëmijë, përafërsisht të moshës 10-vjeçare, në shkollën “Azem Bejta” të ulur rreth bankave të tyre në formë rrethi duke pritur me padurim që mësuesja ta zbulojë surprizën. Hapësira zhurmon nga gëzimi kur dëgjojnë se një tjetër libër për fëmijë nga seria e tyre e preferuar “Pax” është përkthyer nga suedishtja në shqip. Shkruar nga autorët Åsa Larsson & Ingela Korsell, “Pax” u bë hit i menjëhershëm në Suedi me përzierjen e folklorit nordik, magjisë dhe dramës së jetës reale.
Projekti i Bibliotekës Kosova bashkëpunon me shtëpinë botuese kosovare “Magjia e Librit” për t’u siguruar që kjo seri e njohur të përkthehet nga suedishtja në shqip. Librat “Pax” janë vetëm disa nga 200 titujt që janë blerë që nga viti 2017.
Për gjatë katër viteve të fundit, Binaku dhe pjesa tjetër e ekipit kanë punuar me shkollën “Azem Bejta” që ta zbatojnë konceptin e orës së leximit, ku fëmijët lexojnë së bashku libra fiktivë dhe më pas e diskutojnë ngjarjen së bashku, si dhe pajisjen e shkollës me libra në klasa. Shumë shpejt, nisën një bisedë me mësuesit dhe nxënësit për diçka që duket si ide e largët — krijimin e një biblioteke shkollore.
Bibliotekat shkollore nuk janë të zakonshme në Kosovë, por TLPK zgjoi interes për themelimin e tyre në mbarë vendin. Foto: Projekti i Bibliotekës Kosova.
Në fillim, thjesht lexonin me zë të lartë me fëmijët, të cilët u mahnitën nga aktiviteti i ri. Por sfida kryesore ishte sigurimi i një mjedisi ideal të leximit, si dhe një vend për vendosjen e librave.
“As ne nuk prisnim diçka tjetër, bazuar në faktin se koncepti [i një] biblioteke shkollore nuk ekzistonte në Kosovë”, thuhet në një dokument prezantues të TLKP.
Një dhomë e gjerë e pashfrytëzuar në shkollën “Azem Bejta” me tavan të lartë dhe dritare të mëdha që i linin rrezet e diellit të binin gjatë gjithë ditës, u shndërrua në bibliotekë të shkollës. Është plotësisht në pronësi dhe mirëmbajtje të shkollës dhe është e hapur për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin gjatë gjithë vitit.
“Funksionon si vend leximi, për të dhënë ligjërata, për të mbajtur fjalime për libra dhe shumë ngjarje të tjera shkollore — një vend për nxënësit dhe stafin të gjejnë paqe dhe qetësi”, thuhet në një deklaratë nga TLKP.
TLPK ka siguruar libra për rreth 20 shkolla publike në mbarë vendin. Foto: Projekti i Bibliotekës Kosova
Të gjithë fëmijët e shkollës kontribuuan në dizajnimin e bibliotekës. Vizatuan llojet e bimëve, perdeve, llambave, mobiljeve dhe rafteve të librave që dëshironin ta mbushnin hapësirën. Idetë e tyre u shndërruan në tri dizajne të ndryshme dhe ata u bënë votuesit më të rinj në historinë e vendit kur votuan që opsioni i tyre të preferuar që të realizohej.
Hapësira që dikur qe boshe, sot ka rreth 150 libra të ndryshëm në koleksionin e saj. Me 30 kopje të çdo libri, fëmijët e së njëjtës klasë mund ta lexojnë të njëjtin libër në të njëjtën kohë.
Zgjerimi i misionit
Entuziazmi i fëmijëve të shkollës “Azem Bejta” nxiti Binakun dhe TLPK-në që ta zgjerojnë projektin.
“Gjersa ishim dëshmitarë të entuziazmit të lexuesve tanë të rinj, u motivuam që orët e leximit t’i zgjerojmë edhe në shkollat e tjera në Kosovë”, tha ajo.
Historia e orëve të leximit, përrallave për fëmijë dhe bibliotekës shkollore e bënë shkollën e panjohur të Grabanicës frymëzim të menjëhershëm për shumë shkolla të tjera fillore anembanë vendit. Nxënësit dhe vullnetarët që e kishin kryer përfunduar shkollimin në shkollat urbane dhe rurale u përfshinë në TLPK dhe u siguruan ta përhapin fjalën, të kontaktojnë me shkolla të reja dhe të fillojnë të organizojnë orë leximi.
Ndërkohë, TLPK kishte nisur ofrimin e trajnimeve plotësuese për mësuesit rreth teknikave më të fundit që t’i ndihmojnë fëmijët të lexojnë, kuptojnë dhe analizojnë literaturën. Fokusi i trajnimit ishte t’i ndihmonte fëmijët të zhvillonin pyetje rreth asaj që lexonin, të bënin përmbledhje të teksteve, t’i qartësonin fjalët dhe paragrafët që nuk i kuptonin dhe të parashikonin se çfarë do të zhvillohej pastaj në tregim.
“Gjatë trajnimit materiali prezantohet detajisht dhe pasohet me aktivitete dhe ushtrime të cilat synojnë t’u ndihmojnë mësuesve të kuptojnë se si aplikohet dhe përdoret materiali”, tha Binaku. Ekipi i TLPK-së po sjell gjithashtu ekspertë pedagogjikë të përfshirë në programin suedez të leximit për fëmijë për të hartuar materiale shtesë për trajnimin e mësuesve.
Projekti i Bibliotekës Kosova ka përdorur të njëjtën logjikë dhe qasje në të gjitha shkollat që iu bashkuan programit, duke furnizuar rreth 20 shkolla të ndryshme me libra për secilën klasë si dhe materiale ndihmëse për mësimdhënësit.
Tani Binaku dhe ekipi po e vendosin krejt energjinë e tyre në krijimin e një rrjeti bibliotekash lëvizëse prej së cilave shkollat mund të përfitojnë. Mësuesit do të jenë në gjendje të huazojnë grupe librash dhe bibliotekarët do të jenë aty për t’i ndihmuar ata dhe fëmijët gjatë procesit të përzgjedhjes. Në këtë mënyrë TLPK mund ta zgjerojë më lehtë shtrirjen e librave të tyre duke i vënë ato në dispozicion të shumë shkollave me rotacion.
“Plani është që të krijohen biblioteka lëvizëse si pjesë shtesë brenda bibliotekave publike të komunave ku punojmë dhe gradualisht institucionet kosovare të fillojnë ta marrin përsipër të gjithë procesin”, tha ajo.
Në vitin 2022 TLPK do ta themelojë bibliotekën e parë publike lëvizëse në Mitrovicë së bashku me zhvillimin e vazhdueshëm të programit të këndit të leximit në shkollat anembanë vendit.
“TLPK do të përfshijë edhe gjashtë shkolla të reja në të cilat vijojnë numër i madh i fëmijëve nga pakicat etnike”, tha ajo. “Ëndrra është që leximi të shtrihet në çdo shkollë të Kosovës dhe shpresojmë të bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit dhe bibliotekat e qytetit”.
Dimensionet e sakta të së ardhmes të Projektit të Bibliotekës Kosova mbesin të paqarta, por tani për tani, tha Binaku, “përralla të tilla si Princi i Vogël, Harry Potter dhe Ditari i Ana Frankut po arrijnë te fëmijët në shkollat dhe familjet e tyre për herë të parë”.
Imazhi i ballinës: Projekti i Bibliotekës Kosova
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.