Pikëpamje | Dialogu

Ceci n’est pas une targë

Nga - 27.09.2021

Kjo nuk është targë.

Më 20 shtator, kryeministri Albin Kurti zbatoi një vendim i cili kërkonte që të gjitha automjetet me targa serbe që hynin në Kosovë të blinin targa të përkohshme që mbanin shkronjat RKS (Republika e Kosovës). Në 24 orët e para pas vendimit u shtypën 1,455 targa të përkohshme.

Por, targat e përkohshme nuk janë risi. Ato u zbatuan për herë të parë nga Serbia si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011, pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Që nga viti 2011, makinat me targë zyrtare të Kosovës që donin të hyjnë në Serbi është dashur t’i heqin targat e tyre dhe të blejnë targa të përkohshme serbe në kufi sepse Serbia nuk i njeh simbolet e Kosovës së pavarur.

Me skadimin e 15 shtatorit 2021 të shtesës me afat të kufizuar që lejonte targat e KS (targat e epokës së UNMIK-ut të cilat lëshoheshin herë pas here deri vonë) të hynin në Serbi, qeveria e Kurtit zgjodhi të mos e zgjasë shtesën dhe në vend të kësaj të vendosë masa reciprociteti. Të njëjtat rregulla që zbatohen nga Serbia për makinat e Kosovës që hyjnë në Serbi tani do të zbatohen për makinat serbe që hyjnë në Kosovë.

Çështje e targave u bë, përsëri, vendi për narrativat konkurruese dhe konfliktuoze. Për Kosovën, targat kanë të bëjnë me dëshmimin, apo ndoshta pohimin e sovranitetit të saj. Për Serbinë, ka të bëjë me refuzimin e çdo shenje të sjelljes së Kosovës si shtet i pavarur.

Çështja gjithashtu ka nxjerrë në pah mënyrën problematike me të cilën negociatat Kosovë-Serbi janë trajtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Gjatë gjithë kohës, sovraniteti i Kosovës ka mbetur i paarritshëm derisa për Serbinë, sovraniteti i Kosovës mbetet i pakthyeshëm. Ndërsa BE-ja mbetet rrezikshmërisht e pavëmendshme në rajon sot, jetët janë në rrezik.

Kosova

Narrativa dominuese në Kosovë është se masat e reciprocitetit janë një vendim i natyrshëm dhe i drejtë që pohon barazinë e vendit dhe nxit sovranitetin e tij. Në diskursin e qeverisë aktuale, masat e reciprocitetit përdoren si akte performative të pushtetit sovran.

Në fjalimin e tij në Kuvend, Kryeministri Kurti deklaroi se ishte detyruar ta marrë këtë vendim. Kurti tha se nuk i favorizon targat e përkohshme, megjithatë, ai shtoi, për aq kohë sa Serbia mban politikën e saj, Kosova do të duhet t’i drejtohet me të njëjtën.

Duke pasur parasysh karrierën e Kurtit — si aktivist dhe si politikan — vendimi i tij nuk është i befasishëm. Që nga fillimi i viteve 2000, ai ka kritikuar paradokset e luftës së Kosovës për sovranitet, një sovranitet pa substancë siç do ta quante shpesh.

Me ekspozimin e gabimeve dhe hipokrizive të ndërhyrjes ndërkombëtare dhe shtet-ndërtimit, si dhe qëndrimin pengues të vazhdueshëm të Serbisë ndaj ekzistencës së Kosovës, Kurti ndërtoi një narrativë, disa do të thoshin një fetish, rreth nocionit të vetëvendosjes.

Kurti është i lidhur me nocionin statist të sovranitetit që organizohet fillimisht rreth kufijve, forcës ushtarake dhe aspekteve të tjera mashkullore.

Kurti, në koalicion me Listën Guxo të Presidentes Osmani, fitoi zgjedhjet e shkurtit 2021 me rezultat të paparë, duke premtuar se do ta ndihmonte Kosovën ta kërkonte sovranitetin e saj dhe t’i jepte substancë shtetësisë së saj. Prandaj, përgjigja e njëllojtë ndaj politikës penguese të targave të Serbisë për vite të tëra është logjike dhe e drejtë. Për më tepër, është në përputhje me premtimet e tij elektorale dhe linjën e tij ideologjike.

Dy dekada ndërhyrje ndërkombëtare të shënuara me praktika neokoloniale, së bashku me pengimin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, kanë ngulitur nocionet e sovranitetit dhe barazisë me një rëndësi të lartësuar. Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë rezultate të kësaj, në masë të madhe.

Në fakt, Kurti është i lidhur rreth nocionit të statist të sovranitetit, i cili është i organizuar kryesisht rreth kufijve, forcës ushtarake dhe aspekteve të tjera mashkullore. Për shembull, vendimi për t’i dërguar forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në kufi për ta mbikëqyrur zbatimin e rregullave të reja të targave në ditën e parë është sovranitet i maskulizuar tipik.

Dhe megjithëse është e qartë se qeveria e Serbisë është adresa e kësaj performance të sovranitetit të maskulizuar, pyetja që duhet të shtrohet është në kurriz të kujt po ndodh kjo shfaqje?

Serbia

Në narrativën serbe, çdo përpjekje e Kosovës për ta pohuar sovranitetin e saj është sulm i drejtpërdrejtë ndaj Serbisë. Për më tepër, ekzistenca e thjesht ose përfaqësimi i Kosovës në çfarëdo forme apo mënyre interpretohet si kërcënim i drejtpërdrejtë për Serbinë, që nga përfshirja e ekipit të saj të futbollit në turnetë ndërkombëtare, e deri te marrja e medaljeve të arta olimpike.

Kushtetuta aktuale serbe, Kosovën e përcakton si pjesë përbërëse e Serbisë. Në diskursin publik serb, përfshirë akademinë dhe median, Kosova përgjithësisht quhet ose si krahinë e Serbisë ose si “e ashtuquajtura Republika e Kosovës”.

Menjëherë pas vendimit për targat e reja, presidenti serb Aleksandar Vučić thirri në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë ku kritikoi vendimin e Kurtit si shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

Më 22 shtator, në një debat në Budapest në shoqërinë e liderëve të Hungarisë, Sllovenisë, Sllovakisë dhe Republikës Srpska, Vučić e quajti Kurtin një provokator që dëshiron të nxisë dhunë.

Kur Kosova përpiqet të veprojë si e barabartë, Serbia e sheh si akt provokimi.

Përkundër kësaj zhurme të turbullt, në pikat e tjera të paqarta të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011 askund nuk thuhet qartë se cilat duhet të jenë kushtet për automjetet serbe që hyjnë në Kosovë. Në fakt, Marrëveshja thotë se Kosova ka të drejtë, pas konsultimeve me BE-në, të vendos targa të përkohshme për automjetet nga Serbia.

Vučić është i vetëdijshëm se pavarësisht fushatës së vazhdueshme të çnjohjes nga Serbia, pavarësia e Kosovës, sado e paplotë në kuptimin Westfalian, nuk kthehet mbrapsht.

Për këtë qëllim, zgjatja e status quos së brishtë — duke mos i nxitur aktivisht konfliktet etnike derisa ende nuk punon për t’i shuar ato — qeveria e Serbisë e mban Kosovën si kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë për Serbinë.

Duke qenë në kundërshtim të patundur për pavarësinë e Kosovës, përgjigja e Vučić ishte e parashikueshme. Megjithatë qëndrimi i autoriteteve serbe tregon edhe një herë se kur Kosova përpiqet të veprojë si e barabartë — qoftë kur respekton Kushtetutën e saj apo zbaton atë që është dakorduar në Bruksel — Serbia e sheh si akt provokimi.

Në këtë këndvështrim, deklarata e më hershme e Kurtit në shtator se “nuk mund të ketë barazi pa reciprocitet” në marrëdhëniet me Serbinë është diçka që sfidon metafizikën serbe, e cila thotë se shteti i supozuar inferior i drejtuar nga shqiptarët mund të ekzistojë vetëm si vartës ndaj Serbisë, i gjymtuar përmes strukturave paralele ose si vasal i fuqive të tjera të mëdha. Kosova e drejtuar nga shqiptarët kurrë nuk duhet të lejohet të veprojë nën agjencinë dhe subjektivitetin e saj.

Jo befasisht, më 25 shtator, Serbia dërgoi automjete ushtarake dhe avionë në vijë të kufirit që nuk e njeh. Në veri të Kosovës, një zyrë qeveritare e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok u dogj, ndërsa një zyrë e ngjashme në Zvečan u godit nga dy granata që nuk shpërthyen.

Shumë serbë në Kosovë, veçanërisht në komunat veriore, kanë përdorur automjete me targa serbe, të cilat mund të shihen si sfidë e përditshme për pavarësinë e Kosovës.

Në fakt, mund të gjenden shumë shembuj të refuzimeve të përditshme të shtetësisë së Kosovës në zonat e banuara me serbë, siç janë objektet arsimore dhe mjekësore që drejtpërdrejtë financohen dhe drejtohen nga shteti serb. Edhe brenda qeverisë së Kurtit, Goran Rakić, ministri për Komunitete dhe Kthim, e quajti vendimin e eprorit të tij “një akt kundër popullit serb“.

Mbetet të shihet se si kjo plejadë e re do të ndikojë në qëndrimin e serbëve të Kosovës ndaj qeverisë dhe shtetit të Kosovës.

Bashkimi Evropian

Në narrativën zyrtare të BE-së, që nga viti 1999 Kosova ishte preteksti për inxhinerimin e një shoqërie multietnike dhe demokratike të bazuar në “standardet më të larta ndërkombëtare”. Që atëherë, Kosova ka vepruar si një vend eksperimental për të provuar forma të reja të shtetndërtimit liberal, e gjitha pa u njohur plotësisht si shtet nga vetë BE-ja.

Ky konceptim i Kosovës si një lloj strukture post-moderne që imiton fantazitë e BE-së duket se është në kundërshtim me vendimin e Kosovës për t’i dhënë substancë sovranitetit në kuptimin më klasik.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia kanë negociuar për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Janë arritur më shumë se 30 marrëveshje, edhe pse shumë prej tyre janë pllakosur nga problemet e transparencës dhe zbatimit të pjesshëm. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e cila i referohet targave është gjithashtu rezultat i këtij dialogu.

Më 25 shtator Charles Michel, kreu i Këshillit Evropian, deklaroi se ishte “koha që edhe Serbia edhe Kosova … të tërhiqen dhe t’i zbusin tensionet duke përfshirë tërheqjen e Njësive Speciale të Policisë dhe barrikadat dhe të vazhdojnë negociatat me propozimin e [Përfaqësuesit Special  të BE-së]”.

Dialogu ka qenë një shfaqje kryesisht për vetë BE-në dhe imazhin që dëshiron ta portretizojë përpara botës.

Ngjashëm, pas vendimit të Kryeministrit Kurti për targat, Përfaqësuesi Special i BE-së që drejton dialogun, Miroslav Lajčák, deklaroi se është i shqetësuar me situatën në veri të Kosovës dhe bëri thirrje për deeskalim të menjëhershëm”.

“Është e rëndësishme të ulen tensionet, të rivendoset një atmosferë paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për t’i lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, tha Lajčák.

Paradoksi këtu është se Lajčák është i shqetësuar me faktin se qeveria e Kosovës zbatoi një marrëveshje që u lehtësua nga vetë BE-ja, e cila ngre pyetje nëse BE-ja është e vetëdijshme për përfshirjen e saj në proces dhe nëse ka ndonjë kujtesë institucionale të marrëveshjeve që janë nënshkruar.

Megjithatë, më pak paradoksale, qëndrimi i BE-së — përmes Lajčák dhe Michel — tregon përsëri se dialogu i lehtësuar nga BE nuk ka të bëjë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend të kësaj, ai ka qenë një shfaqje kryesisht për vetë BE-në dhe vetë-imazhin që dëshiron ta portretizojë në pjesën tjetër të botës: një akter që i ka zgjidhur problemet e veta me fërkime etnike dhe kombëtare dhe tani është në gjendje të normalizojë konflikte dhe më anormale.

Imazhi i Ballinës: K2.0.

KOMENTO