Në thelb | Ambienti

Çfarë duhet të bëjë Kosova për qeset plastike?

Nga - 31.03.2020

Diskutimi i kufizuar lokal për ndikimin në ambient.

Në një supermarket të Prishtinës, një klient në seksionin e pemëve e merr një mollë dhe një banane dhe pasi i peshon, kërkon që pemët të vendosen në një qese të plastikës. Dy pemë në një qese, ka kuptim.

Ai befasohet kur punëtori i supermarketit i ndan pemët në dy qese dhe i vendos çmimet përkatëse në secilën qese. Si nën zë thotë diçka për udhëzimet e marra nga menaxherja që të mos futen produkte të ndryshme në një qese të plastikës, pasi në të kaluarën kjo kishte shkaktuar probleme gjatë pagesës.

Asnjëri prej tyre nuk duken të shqetësuar për efektin e qeseve të plastikës në ambient. 

Kjo pavarësisht studimeve të shumta që tregojnë se dëmet që qeset e plastikës ia shkaktojnë ambientit janë të përhapura dhe afatgjata.

“Efekti i plastikave në ambient është shkatërrues pasi ato i mbushin stomakët e kafshëve, ndërsa krijesat më të vogla ngatërrohen në to.”

Endri Haxhiraj, Instituti i Politikave Mjedisore

Qesja e plastikës doli në treg në vitin 1965 dhe u patentua nga kompania suedeze Celloplast; zbuluesi deshi ta krijonte një send të ripërdorshëm që do të na ndihmonte ta shpëtojmë ambientin. Së shpejti ajo u përhap dhe filloi të përdorej në Evropë dhe më gjerë.

Por reputacioni i plastikave filloi të bie në vitet e 70-ta me shumimin e mbeturinave dhe shqetësimet për efektet e tyre në shëndetin e njerëzve dhe në ambient. 

Që prej viteve të 60-ta, gjetjet shkencore kanë dëshmuar për praninë e plastikës — një përbërës sintetik i materialeve me bazë karboni — edhe në pjesët më të largëta të oqeanit, përfshirë pjesët e ndryshme të plastikave një-përdorimshe si paketimet e ushqimit, shishet, pipat, gotat dhe enët që datojnë nga vitet e 60-ta. Mikroplastikat janë gjetur edhe në borën dhe shtresat e akullit në Arktik.

Shkencëtarët gjithashtu kanë gjetur shumë mbeturina plastike në oqeane dhe lumenj, disa prej të cilave datojnë prej më shumë se 50 vjet më parë.

“Efekti i plastikave në ambient është shkatërrues pasi ato i mbushin stomakët e kafshëve, ndërsa krijesat më të vogla ngatërrohen në to”, thotë Endri Haxhiraj nga Instituti i Politikave Mjedisore në Tiranë.

Dhe nuk janë vetëm kafshët ato që po gëlltitin pjesëza të plastikës. Pjesëzat mikroplastike veçse janë të pranishme rregullisht në trupat e njerëzve. 

Një studim i autorizuar nga Fondi Botëror për Kafshë të Egra dhe i kryer nga Universiteti Newcastle në Australi në vitin 2019 konkludoi se në ditët e sotme një person i konsumon 2000 copëza të plastikës në javë, që i bie sikur të hash një kredit kartë në javë, apo 21 gram plastikë në muaj. 

Gjithashtu, shkencëtarët tani mendojnë se pjesëzat po barten nga erërat atmosferike dhe ka mundësi që ne jemi duke i thithur ato gjatë frymëmarrjes.

Luan Hasanaj, drejtor i Let’s Do It Kosova, thotë se plot njerëz janë të gatshëm të punojnë vullnetarisht për ta pastruar Kosovën, kështu që mund të jenë të gatshëm të heqin dorë nga qeset e plastikës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

 

Duhet të kalojnë deri në 500 vjet për t’u degraduar një qese e plastikës e hollë, jo-biodegraduese dhe një-përdorimshe; ndërsa jetëgjatësinë e përdorimit e ka mesatarisht 12 minuta. Shumica e ambientalistëve janë kundër këtyre llojeve të qeseve plastike.

Aktivistët në Kosovë theksojnë se pavarësisht mungesës relative të vëmendjes për këtë çështje në sferën lokale, ajo nuk u përket vetëm shteteve të huaja. 

“Bizneset dhe shtëpitë në Kosovë prodhojnë rreth 600,000 tonë mbeturina në vit, dhe plastika është ajo që shkakton më së shumti probleme”, thotë Granit Gashi nga grupi i aktivistëve të ambientit GAIA, dhe shton se plastikat një-përdorimshe janë posaçërisht problematike.

Luan Hasanaj, drejtor i organizatës për mbrojtje të ambientit Let’s Do It Kosova, thekson se ndikimet janë shumë të dukshme, meqë veçanërisht lumenjtë janë shumë të ndotur me plastika dhe deponitë e jashtëligjshme të mbeturinave janë plot me plastikë që digjet rregullisht.

Ndalimi i qeseve

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), prej korrikut të vitit 2018, 127 shtete i kanë ndaluar apo kufizuar qeset e plastikës në ndonjë mënyrë. Këto rregulla përfshijnë masa të ndryshme, prej obligimit të klientit për të paguar për qese, e deri te ndalimi i prodhimit, importit dhe shitjes së qeseve të plastikës.

Kenia i ka ndaluar qeset plastike me masa më drastike. Nga viti 2017, kushdo që prodhon apo shet qese të holla një-përdorimshe të plastikës mund të dënohet me burg apo me gjobë deri në 40,000 dollarë (rreth 37,000 euro).

Bashkimi Evropian ka marrë masa për t’i ndaluar qeset e plastikës dhe plastikat tjera një-përdorimëshe si pipat dhe gotat, ndërsa në SHBA, shtetet si Nju Jorku, Oregoni dhe Kalifornia tani i kanë ndaluar qeset e plastikës, me disa përjashtime. Në Irlandë, një çmim i vendosur për qese të plastikës në vitin 2002 është raportuar të ketë shkaktuar reduktim 95 përqindësh në përdorimin e qeseve të plastikës. 

Në rajon, Shqipëria aktualisht kërkon nga tregtarët të shesin qese të plastikës në dyqane ushqimore dhe markete, si dhe i ka ndaluar qeset e holla jo-biodegraduese dhe një-përdorimëshe. Shqipëria ishte shteti i parë në rajon që i ndaloi qeset jo-biodegraduese në vitin 2018.

Kujtim Gjevori, pronar i fabrikës kosovare të plastikës SCAMPA, thotë se Kosova nuk është e gatshme për t’i ndaluar qeset e plastikës. Foto nga Kujtim Gjevori.

Disa ekspertë e kanë kritikuar ndalimin e qeseve të plastikës, duke thënë se përdorimi i qeseve alternative është problematik pasi që prodhimi i letrës dhe pambukut kërkon sasi të mëdha të ujit. Gjithashtu, disa studime tregojnë se një pasojë e paqëllimshme e ndalimit të qeseve është se i ka shtyrë njerëzit të blejnë më shumë qese të plastikës për mbeturina

Disa ekspertë thonë se taksa për qese është më produktive se ndalimi, dhe se ajo e rritë jetëgjatësinë e qeses; pothuajse të gjithë ekspertët e ambientit pajtohen se të gjitha llojet e qeseve duhet të ripërdoren sa më shumë që është e mundur. 

Çfarë ka bërë qeveria e Kosovës?

Në mars 2019, Ministri i atëhershëm i Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se ministria e tij po kërkonte një model për zëvendësimin e qeseve të plastikës që do të funksiononte në Kosovë, por diskutimet me biznese ishin në një fazë fillestare.

Në dhjetor 2019, gjatë konferencës “Për Një Jetë të Shëndetshme, Pa Qese Plastike” të organizuar nga Qendra e Kosovës për Mbështetje të Bizneseve, Matoshi tha se “plastika është armiku më i madh i ambientit”, duke theksuar dëmet e shkaktuara nga shishet dhe qeset e plastikës.

Por me sa duket situata nuk ka ndryshuar në praktikë dhe institucionet kanë qenë kryesisht pasive në këtë proces.

Ibrahim Balaj nga Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit thotë se ministria ka punuar në hartimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 11/2013 që aktualisht e rregullon prodhimin, importin dhe standardet e qeseve plastike në Kosovë. Udhëzimi i ndryshuar do ta rregullonte qarkullimin dhe format e tatimit për qeset plastike për prodhuesit dhe importuesit.

“Jemi konsultuar me bizneset; ato po kërkojnë të shtyhet ndalimi i qeseve plastike për të paktën 10 vite.”

Ibrahim Balaj, Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit

Deri tani, synimi i ministrisë ka qenë “kufizimi i përdorimit të qeseve plastike” dhe ndalimi i importit të materialeve jo-degraduese plastike, përfshirë edhe qeset. Mirëpo bizneset nuk kanë qenë të të njëjtit mendim. 

“Jemi konsultuar me bizneset; ato po kërkojnë të shtyhet ndalimi i qeseve plastike për të paktën 10 vite”, thotë Balaj. 

Kujtim Gjevori është pronari i fabrikës së plastikës SCAMPA dhe gjithashtu i përfaqëson prodhuesit tjerë të plastikës në Kosovë, duke lobuar te qeveria në emër të tyre.

“Duhet të kemi kujdes me ligjet që sjellen këtu nga shtetet e BE-së, sepse ne po krijojmë më shumë probleme se zgjidhje”, thotë ai. “Nëse e sjellim ligjin e atyre këtu, nuk do të funksionojë”. 

Gjevori thekson se alternativat e plastikës i kanë problemet e veta, dhe thotë se duhet të kemi kujdes kur ndërhyjmë në industrinë e plastikës, për të cilën thotë se “vlerësohet të jetë një nga industritë që po zhvillohen më së miri”. 

“Siç e shohim ne, zgjidhja është të punojmë për t’i ndërgjegjësuar njerëzit në mënyrë që ata t’i reciklojnë qeset, dhe më vonë, pas pesë apo 10 vitesh, të fillojmë të prodhojmë qese nga një bazë organike, si patatet, diçka që sapo ka filluar në disa shtete të BE-së”. 

Strategjia e Kosovës për Mjedisin 2013-2022 e liston tatimin e materialeve plastike, gjegjësisht shisheve dhe qeseve, si prioritet në menaxhimin e mbeturinave të ngurta. Por ky problem nuk adresohet askund në strategji, dhe plastika përmendet vetëm dy herë në dokumentin me 60 faqe.

OJQ-të që punojnë në sektorin e ambientit, si Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në Prishtinë, janë ankuar për mungesën e veprimeve qeveritare për qeset e plastikës dhe problemet tjera që lidhen me ambientin.

“Ne mendojmë se qeset e plastikës duhet të rregullohen në një pako bashkë me çështje tjera që lidhen me ambientin”, thotë drejtori ekzekutiv Burim Ejupi. “Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi punuar në Ligjin për Mbeturina Industriale. Në tri vitet e fundit, Ministria e Mjedisit nuk kishte ndonjë agjendë të posaçme për politika mjedisore”. 

Të mësojmë nga fqinji?

Në verën e vitit 2018, Shqipëria e ndaloi prodhimin dhe importin e të gjitha qeseve plastike më të holla se 35 mikronë në përpjekje për ta reduktuar përdorimin e plastikës.

Konsumatorëve u kërkohet të blejnë qese plastike nëse nuk kanë marrë me vete qese nga shtëpia. Në dyqanet shqiptare, një qese plastike kushton 5 deri në 15 lekë (10-15 cent). 

Por zbatimi i vendimit nuk po shkon mirë.

“Tregjet e hapura të pemëve dhe perimeve ende përdorin plastika të ndaluara."

Mihallaq Qirjo, Qendra Burimore e Mjedisit

Drejtori i Qendrës Burimore të Mjedisit në Shqipëri, Mihallaq Qirjo, thotë se ligji u zbatua mirë në tre muajt e parë pas hyrjes në fuqi, por më vonë qeset e ndaluara të plastikës u kthyen në dyqane.

Sipas Qirjos, problemi kryesor ishte mungesa e monitorimit nga institucionet, në një situatë ku është raportuar se ka vazhduar prodhimi i qeseve plastike të cilat tani janë të jashtëligjshme. Ai gjithashtu thotë se institucionet nuk kanë arritur ta vlerësojnë nivelin e kualitetit të qeseve përdorimi i të cilave është i lejuar. 

“Tregjet e hapura të pemëve dhe perimeve ende përdorin plastika të ndaluara”, thotë ai, duke theksuar se situata është më mirë në dyqane më të mëdha ku është më lehtë të kryhen inspektimet nga institucionet.

Sa jemi të gatshëm të ndryshojmë?

Ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit për ndikimin e plastikës dhe mbeturinave në ekosistem ka dalë të jetë sfidë globale. 

Ekspertët kanë tendencë të pajtohen se ndryshimi në mënyrën se si përdoren plastika dhe materialet tjera të dëmshme duhet të fillojë me fushata proaktive nga qeveritë dhe institucionet tjera anembanë botës, por se qytetarët individualë luajnë një rol jetik duke i ndryshuar zakonet dhe rutinën e përditshme.

K2.0 e mbajti një sondazh të thjeshtë joshkencor në Instagram për të parë se çfarë veprime individuale ishin të gatshëm të ndërmarrin njerëzit për ta mbrojtur ambientin; 85% të të anketuarve thanë se më përpara do të ishin të gatshëm të heqin dorë nga qeset plastike sesa të heqin dorë nga automjetet. Në një sondazh tjetër, 60% thanë se do të ishin të gatshëm të heqin dorë nga qeset plastike në krahasim me alternativën tjetër për të mbjellur drunj. 

“Nëse qeveria fillon të sillet në mënyrën e duhur, të gjithë do ta përcjellin.”

Luan Hasanaj, Let's Do It Kosova

Qirjo thotë se në Shqipëri, njerëzit të cilët jetojnë në zona urbane, si në Tiranë, kanë filluar të mendojnë më shumë për ambientin, kryesisht për shkak se dëmtimi i ambientit po ka efekt më të madh në mirëqenien e tyre.

“Ka njerëz këtu në Tiranë që nuk përdorin qese të plastikës”, thotë ai. “Por ky numër i njerëzve është i vogël dhe i pamjaftueshëm”. 

Hasanaj thotë se njerëzit në Prishtinë janë të gatshëm të ndihmojnë në punë dhe aktivitete që lidhen me ambientin.

“Sa herë që organizojmë një aktivitet të pastrimit, plot njerëz vijnë për të ndihmuar”, thotë ai. “Nëse qeveria fillon të sillet në mënyrën e duhur, të gjithë do ta përcjellin”. 

Njerëzit si Jerinë Musliu, e diplomuar së fundmi në degën e juridikut, kanë filluar ta bëjnë vetë ndryshimin. 

“Unë nuk përdori qese plastike dhe tani jam mësuar t’i marr sendet me qesen time, por supermarketet duhet të mësohen me klientët që nuk duan të përdorin qese plastike”, thotë ajo. “Në një rast, një punëtor i një supermarketi nuk më la t’i marr dy banane sepse tha që pa qese nuk i lejohet t’i shesë”.  

Disa individë, si Jerinë Musliu, kanë filluar t’i refuzojnë qeset e plastikës në dyqane. Foto nga Jerinë Musliu.

Por në përgjithësi, Hasanaj thotë se njerëzve ua ndien më shumë për sendet që u përkasin atyre, se për pronat apo hapësirën publike. Ai mendon se kjo vjen nga fakti që institucionet deri tani nuk kanë bërë sa duhet për t’i adresuar çështjet që lidhen me ambientin.

“Të gjithë e mbajnë oborrin të pastër, por rrugët janë plot mbeturina”, thotë Hasanaj.

Endri Haxhiraj thotë se njerëzit duhet të fillojnë të mendojnë për të hequr dorë nga shumë zakone të dëmshme në mënyrë që ta mbrojnë mjedisin e tyre dhe të jetojnë jetë më të shëndetshme.

“Nëse duam të jetojmë në këtë planet, nuk ka mënyrë tjetër”, thotë ai. “Ose njerëzimi zhduket krejtësisht”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.