Në thelb | Ekstremizmi

Të zgjedhësh mes qytetit tënd dhe Shtetit Islamik

Nga - 17.10.2017

Radikalizimi i të rinjve të lënë anash.

“Kush menon që lufta e Kosovës u kanë luftë për komb, o shumë larg. Ata kanë ardhë me luftu Islamin”.

Këto ishin fjalët e Naman Demollit gjatë fjalimit të tij të mbajtur në vitin 2011 përballë vendit ku tash gjendet Katedralja Nëna Terezë, e që asokohe vetëm planifikohej të ndërtohej. Demolli dhe një grup i të rinjve, në mesin e tyre edhe Lavdrim Muhaxheri, u paraqitën në dy inçizime të publikuara në YouTube, duke protestuar kundër vendimit për ta ndërtuar katedralën në kryeqytetin e Kosovës. Në vend të saj e donin një xhami.

Vetëm një vit pas kësaj ngjarje, Naman Demolli nga Prishtina do të bëhej edhe luftëtari i parë i vrarë si xhihadist nga Kosova, në Siri, përkrah asaj që sot njihet si Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut, dhe në luften kundër pushtetit të Bashar al-Assadit. Lajmin për vdekjen e tij e kishin dhënë familjarët në nëntor të vitit 2012, atëherë kur e gjithë bota e dinte vetëm një gjë, që pushteti i Assadit në Siri do të duhej të luftohej dhe opozita që atëkohë nuk njihej shumë por vetëm si “Free Syrian Army”, do të duhej të përkrahej dhe të ndihmohej.

Dy vite më herët, gjatë një fjalimi në konferencën ndërkombëtare të titulluar “Miqtë e Popullit Sirian”, më 6 korrik 2010, ministri i atëhershëm i punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, e kishte shprehur edhe mbështetjen e Kosovës kundër Assadit. “Assadi është Miloseviqi, e ne jemi opozita”, u tha Hoxhaj afro 100 liderëve botërorë të cilët ishin mbledhur në Paris, duke treguar se Kosova rreshtohet krah shteteve si Gjermania, Britania e Madhe, SHBA-ja, Franca dhe Belgjika, të cilat e kishin dënuar publikisht Assadin, dhe e kishin mbështetur opozitën.

Krejt më vonë, një narrativë e njëjtë do të përshtatej e përdorur nga rekrutues të Shtetit Islamik, përfshirë këtu Demollin, që tregonte synimin e tij për të bindur sa më shumë mbështetës nga Kosova për të luftuar në “mbrojtje të Islamit”.

Narrativa e tij dhe e shumë të tjerëve më vonë këtë vit do të analizohej, dhe së fundmi në një studim të titulluar “Narrativa e shtetit Islamik në Kosovë e dekonstruktuar në një tregim, dhe në një kohë”, i cili u publikua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në shtator, madje thuhet se se prezantimeve publike të Demollit, që shfaqnin shenja radikale, pakkush i kushtoi vëmendje.

Kosovarët e Shtetit Islamik, sipas shifrave

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, 300 kosovarë kanë shkuar në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik; 170 besohet se janë ende atje (ose janë vrarë), ndërsa 130 janë kthyer.

Tri figurat kyçe që shkuan nga Kosova në Shtetin Islamik, Naman Demolli, Ridvan Haqifi dhe Lavdrim Muhaxheri, vijnë nga tri rajonet e vendit të cilat kanë prodhuar numrin më të madh të të rekrutuarve të Shtetit Islamik: Prishtina, Gjilani dhe Ferizaji.

Prishtina, së paku sipas disa statistikave të papërditësuara, e ka numrin më të madh të qytetarëve të cilët kanë shkuar në Siri, me gjithsej 25 persona, 2 prej tyre gra; Gjilani është i dyti me gjithsej 23 persona, 2 prej tyre gra; dhe Ferziaji i treti, me 22 persona, të gjithë burra.

“Kur Naman Demolli foli me keqardhje për Katedralen e saponisur romake në qendër të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, pakkush i kushtoi vëmendje botëkuptimit dhe fuqisë së tij atëkohë. Një adhurues mysliman shqiptar i veshur me të zezë nga Kosova me kishën ortdokse serbe në sfond të tij dhe me një varg ankesash të përziera me viktimizim, poshtërim, frikësim dhe një islam tjetër kërcënues për Kosovën, u shpërndanë në një video amatore të vitit 2010”, thuhet në raport.

Raporti i QKSS-së tregon se si narrativa të cilën e promklamoi Shteti Islamik në Kosovë e lidh “luftën e tyre për Islamin” me luftën e Kosovës në vitet 1998-99, dhe duke e paraqitur konfliktin etnik të asaj kohe si dëshirë të Serbisë “për ta luftuar Islamin dhe muslimanët në Kosovë”.  Të njëjten narrativë e kishte përdorur edhe Lavdrim Muhaxheri në deklarimet e tij të para në vitin 2011, në videon ku shihet me Demollin dhe të rinjtë e tjerë, në prapavijë të së cilës shihet  kisha e diskutueshme ortodokse serbe e ndërtuar në kampusin e Universitetit.

Më vonë, në nëntor të 2012-s, 23-vjeçari Muhaxheri nga Kaçaniku, dhe ish-punëtor në kampin amerikan të KFOR-it në Ferizaj “Bondsteel”, u pa edhe në videoinçizime të tjera propagandistike të Shtetit Islamik, të cilat u shpërndanë në rrjete sociale dhe YouTube. Ai fliste arabisht rrjedhshëm, duke e përfaqësuar kështu Shtetin e vetëshpallur Islamik dhe duke e promovuar valutën e tyre, ‘dinarin e artë’. Ai u vra në fillim të vitit 2017, por jo para se të paraqitej në një fotografi duke ia prerë kokën një fëmiu, dhe në një video duke e vrarë një të ri me armë antitank në një zonë të kontrolluar nga Shteti Islamik.

Roli i tij në këtë organizatë nuk mund të mos komentohet. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës të cilët u larguan nga Kosova për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri udhëtuan atje gjatë viteve 2012 dhe 2013, në kohën kur Muhaxheri po e quante vetën ‘komandanti i shqiptarëve’ në oganizatën radikale; afro 80 për qind prej 300 sa kishin shkuar, kishin shkuar në Siri në këtë periudhë kohore. Por pavarësisht kësaj, shteti filloi t’ua kushtonte vëmendjen e duhur këtyre shkuarjeve tek në vitin 2014.

Në këtë kohë, Muhaxheri ishte pozicionuar në rolin e tij si ‘komandanti i Shtetit Islamik nga Ballkani’ dhe po rekrutonte haptas përkrahës për grupin radikal islamik; këto thirrje i bëri edhe ai i cili e zëvendësoi Muhaxherin si ‘komandant i shqiptarëve të Kosovës’, Ridvan Haqifi – nxënës i imamit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Zekrija Qazimi, i cili më vonë u dënua me 10 vjet burg për terrorizëm, përfshirë këtu rekrutimin.

Operacioni më i madh i arrestimeve të atyre që kishin rekrutuar përkrahës për Shtetin Islamik apo që kishin shkuar në Siri për ta përkrahur këtë organizatë, ndodhi më 17 shtator 2014, duke rezultuar me arrestimin e disa imamëve të cilët kishin rekrutuar kosovarë, dhe të njerëzve të cilët ishin kthyer nga Siria. Ky operacion ishte realizuar në disa qytete të Kosovës, dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, arrestoi diku 40 persona të dyshuar për rekrutim të luftëtarëve për të luftuar në Siri dhe Irak, pjesëmarrje në luftë përkrah Shtetit Islamik dhe mbështetje për organizatën e tyre, si dhe veprime të tjera terroriste. Ky  veprim i shtetit u përcoll më vonë edhe me akte politike, si miratimi i një ligjit të ri në mars të vitit 2015 që e ndalonte pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja.

E vërteta është se këto veprime kanë pasur ndikime në parandalimin e shkuarjes së kosovarëve për të luftuar përkrah Shtetit Islamik në Siri – rastet e fundit të regjistruara datojnë nga fundi i vitit 2014 . Por, mbesin pyetjet  si: çfarë i joshi fillimisht kosovarët t’i bashkohen një organizate kaq radikale?

Dhe me zgjedhjet lokale në prag, çka mund të bëjë niveli lokal i qeverisjes për të parandaluar rekrutimin e mëtejmë të të rinjve nga Kosova në orgaizata radikale si Shteti Islamik, në të ardhmen?

kërkim të identitetit

Sipas vlerësimeve të organizatave të ndryshme, faktorë të përbashkët te një numër i madh i atyre kosovarëve të cilët iu bashkuan Shtetit Islamik janë kushtet e vështira ekonomike dhe niveli joadekuat i arsimimit. Afro 80 për qind e të rekrutuarve kosovarë e kanë të përfunduar vetëm shkollën e mesme.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se këta faktorë nuk janë të mjaftueshëm për ta shpjeguar ndjeshmërinë e disa të rinjve të cilët vazhdojnë ta mbështesin Shtetin Islamik dhe organizatat tjera radikale të cilat luftojnë kundër Assad-it, si Al-Nusra, meqë ka qytetarë të cilët janë më të varfër dhe më pak të arsimuar por nuk e kanë zgjedhur rrugën e njëjtë.

Sibel Halimi, sociologe dhe asistente në Universitetin e Prishtinës, thotë se ekzistojnë disa faktorë të cilët i nxisin të rinjtë t’i bashkohen luftërave të huaja, dhe se është vështirë të përgjithësohet kur secili rast mund të ketë faktorë specifikë që e kanë shtyrë t’u bashkohet atyre. “Megjithatë, në esencë shkaqet sociale janë përcaktues kryesor, të motivuara edhe nga aspektet e tjera të natyrës individuale, si paperspektiva, mungesa e ndonjë kualifikimi përkatës për punë, depresioni, humbja e shpresës etj”, thotë ajo.

Sipas Shpend Kursanit ndërkaq, autorit të raportit të QKSS-së që u publikua në vitin 2015 dhe analizoi shkaqet dhe pasojat e bashkimit të kosovarëve në luftërat në Irak dhe Siri, një shkak shoqëror i “pararadikalizmit” – të qenët i/e prekshëm/me ndaj radikalizmit – është “vakuumi i identitetit”, apo siç e shpjegon ai moslidhjen e qytetarit me shtetin dhe mungesën e ndjenjës së të qenët pjesë e një komuniteti.

Hulumtuesi në fushën e politikave të sigurisë, Shpend Kursani, thotë se shumë të rinj e përjetuan një “vakuum identiteti” pas luftës në Kosovë, e këtë e shfrytëzuan disa grupe radikale. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kjo ide e krizës së identitetit është e ngjashme me shkaqet e radikalizimit në SHBA dhe Europën Përendimore. Por në Kosovë ka karakteristika më specifike, veçanërisht për shkak të periudhës komplekse të pasluftës, dhe veçanërisht për gjeneratat e reja, për të cilat kjo periudhë ishte koha kur ata po u jepnin formë personaliteteve të tyre.

Në vitin 1999, menjëherë pas fundit të luftës në Kosovë, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e miratoi Rezolutën 1244 për të siguruar një strukturë ligjore administrative; kjo e bëri Kosovën shtet në tranzicion, të menaxhuar drejtpërdrejtë nga OKB-ja. Megjithatë, kjo periudhë nëntëvjeçare, deri kur Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, i la njerëzit e Kosovës në një fazë tranzicioni, veçanërisht për shkak të faktit se ata sapo kishin dalur nga regjimi shtypës i viteve të ‘90-a në një sistem që po e quante veten demokratik.

Kjo vlente veçanërisht për gjeneratën e re, e cila ishte dëshmuar si veçanërisht e ndjeshme ndaj pararadikalizmit. Në një studim për historinë e radikalizmit në Kosovë, i cili publikua gjatë këtij viti, Kursani dhe hulumtuesi Arbër Fetiu theksuan se shumica e atyre të cilët i janë bashkuar Shtetit Islamik nga Kosova janë të rinj; 65 për qind e tyre janë nën moshën 28-vjeçare dhe shumica dërrmuese kanë dështuar të krijojnë lidhje të identitetit me familjet, shoqërinë apo qytetet e tyre.

Sipas Kursanit, ata të cilët janë rritur gjatë ngjarjeve të viteve të ‘90-a dhe i kuptuan ato ishin më pak të ndjeshëm ndaj pararadikalizmit, meqë veçse e kishin të zhvilluar një ndjesi të fuqishme të identitetit – identitetit të shqiptarëve të shtypur nga shteti i Serbisë.  

Por, për gjeneratën e ardhshme, ata të rinj që kërkuan një ndjesi të identitetit menjëherë pas luftës dhe gjatë administrimit të UNMIK-ut, ishte çështje krejt tjetër. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, ata u quajtën kosovarë, dhe kishin flamur e himn që u zgjodhën nga Qeveria e Kosovës pas konsultimit me partnerët ndërkombëtarë, jo nga vetë qytetarët.

“Gjithçka thjesht është servuar përpara dhe qytetari nuk është pyetur fare nëse e do atë që i është servuar apo jo”, thotë Kursani. “Pra ka pasur një vakum total identitar”.

Ai beson se një zbrastësi e tillë i la njerëzit në rrugë duke kërkuar një ndjesi të përkatësisë të cilën shteti nuk arriti t’ua ofronte. Si rrjedhojë, ai thotë se njerëzit u kthehen grupeve apo komuniteteve të tjera të cilat mund të ofrojnë një kauzë, qofshin ato partitë politike apo grupet e lëvizjet e tjera, ose në rastet ekstreme, grupet radikale si Shteti Islamik.

Hapësiren për këtë e kishte krijuar vetë shteti. Sociologia Halimi pajtohet se politikanët e pasluftës i përjashtuan njerëzit nga procesi i shtetndërtimit dhe nuk i parashikuan pasojat.

“Të habitur pas idesë për pasurim dhe për pushtim të institucioneve shtetërore, njerëzit e politikës, lanë në harresë tërësisht një hapësirë të mugët ku diçka zhvillohej jashtë vëmendjes së tyre”, thotë ajo duke shtuar se kjo ndodhi në kohën kur një shtresë e personave gradualisht po etablohej, që nën petkun e Islamit, të përpiqej ta kornizojë shoqërinë sekulare të Kosovës duke e religjionizuar atë me veprime hap pas hapi e duke e kultivuar ideologjinë radikale në disa nivele, duke përfshirë madje institucionet shtetërore dhe universitetin publik.

Sociologia Sibel Halimi thotë se politikanët i kanë shpërfillur qytetarët në procesin e shtetndërtimit, dhe njëkohësisht e kanë përjetësuar “mitin e heroit”. Foto: Ardhe Mulla / K2.0.

Por ajo beson gjithashtu se diskursi i përditshëm politik i liderëve të Kosovës, i cili vë në theks “mitin e heroit”, e luajti një rol po ashtu ndikues te disa të rinj, të cilët filluan të kërkojnë vende në të cilat mund të bëheshin heronj. “Diskursi i shumë partive politike në Kosovë ende dominohet nga historia dhe qasja ndaj saj – dhe historia i projekton vetëm heronjtë”, thotë Halimi.

“Këtu shpërfaqet tendenca për heroizim të grupeve të të rinjve të lindur në prag të shpërthimit të luftës apo pas saj. Kjo tendencë fuqizohet edhe nga fakti se disa prej tyre kërkojnë mundësinë e humbur në luftën e fundit në Kosovë, në të cilën shkaku i moshës apo i rrethanave të tjera nuk kanë qenë pjesë e saj”, thotë ajo.

Halimi mendon se disa të rinj të cilët po kërkonin mundësi për ta rregulluar këtë ‘mangësi’ u tërhoqën nga ndjesia e aventurës të cilën e ofronte pjesëmarrja në konfliktet e Lindjes, duke e parë si mundësi për ta përmbushur rolin e heroit dhe për të luftuar për diçka që ishte më e madhe se ata.

Një vështrim lokal

Paaftësia e shtetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve, të cilët dukshëm kishin nevojë për përmbushje, dhe për t’i lidhur ata me shtetin është më shumë përgjegjësi e qeverisë qendrore, por pjesërisht edhe e qeverive në nivel komunal.

“Komuna çka mundet me bë është me i bë njerëzit të ndihen krenarë për komunitetin ku jetojnë”, shpjegon Shpend Kursani. “Por puna është që prej pas luftës [pushtetarët] nuk kanë lënë vend për t’u krenuar me asgjë nëpër qytete”.

Duke folur për këtë ai merr shembull Mitrovicën dhe pjesën veriore të saj, që sot është e ndarë në bazë të grupeve etnike. “Nëse, ta zëmë, e sheh Mitrovicën, përpara njeriu ka mundur të mburret me të si vend industrial e progresiv, pra para luftës. Ke mujt me u lidhë domethënë me Mitrovicën si Komunë. Sot për shembull, çka ka me u lidh njeri me Mitrovicën si Komunë, pos me ndarje?”, thotë Kursani, i cili beson se nuk qëndrojnë më mirë as komunat e tjera, të cilat i lidhin problemet e njëjta si mungesa e transparencës në komuna, mungesa e debatit, kualiteti i ulët i jetës dhe shërbimet publike të dobëta ose të munguara.

Në vitet e UNMIK-ut, menjëherë pas luftës, qeveritë lokale kishin shumë pak kompetenca ekzekutive që u mundësonin të bënin diçka për qytetarët; kjo ndryshoi me procesin e ashtuquajtur të “decentralizimit”, i cili u nis menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, dhe u dha komunave kompetenca të gjëra për të ofruar shërbime të pavarura dhe për të menaxhuar me buxhetin.

Një fushë në të cilën tani kanë kompetenca bukur të mëdha për të ndikuar në jetën e qytetarëve është arsimi, por kualiteti i arsimit në Kosovë është i dobët në përgjithësi, në mos më keq. Rezultatet e publikuara nga PISA së fundmi tregojnë një mungesë të madhe të aftësive funksionale të shkrimit dhe leximit. Sistemi arsimor kritikohet shumë për atë se dështon të prodhojë mendim kritik, dhe persona të cilët e kuptojnë botën që i rrethon.

Sipas Kursanit investimi në arsim ndërkaq, nga ana e komunave, mund të jetë kyç sa i përket parandalimit të radikalizimit të të rinjve. “Niveli komunal e drejton arsimin fillor dhe të mesëm, kur një i ri pra gjendet në fazën kyçe të zhvillimit të personalitetit… Nëse kemi njerëz të cilët e lënë shkollën fillore ose të mesme dhe ende nuk dinë të lexojnë, atëherë kjo është përgjegjësi e komunës”, thotë ai.

“Ata [liderët politik] duhet t’i angazhojnë [të rinjtë] në projekte të ndryshme të cilat i përmbushin nevojat e tyre, në vend se t’i indoktrinojnë me ideologji”.

Sibel Halimi - Sociologe

Kursani gjithashtu beson se potenciali që ka arsimi për t’u dhënë formë ideve dhe identiteteve të të rinjve shkon përtej mësimeve formale në klasa. “I riu në Kosovë gjatë verës, por edhe pas orarit mësimor, është i lënë në rrugë sikur të ishte ai i rritur edhe di se ku me shku, thotë ai. “Zvicra nuk e lë të riun thatë verës. S’ka atje ‘u kry shkolla e shihemi në shtator’ sepse tre muaj janë mjaftueshëm që ai me deviju në forma të ndryshme. Tek ne[në Kosovë], për shembull, nuk bëjnë asnjë kamp me të rinj, si program që do ta bënte të riun me u lidhë me vendin e tij”.

Ai beson se përfshirja e të rinjve në aktivitete komunale, si ndërtimi i një parku apo shkolle, do t’u ndihmonte atyre të lidheshin me komunat e tyre përkatëse por edhe me komunat e tjera nëse marrin pjesë në projekte jashtë komunës, dhe të ndiheshin krenarë që janë pjesë e procesit të shtetndërtimit në zonat përkatëse.

Edhe Sibel Halimi pajtohet me këtë qasje ngase edhe ajo është e bindur se shteti i Kosovës nuk ka bërë as përpjekje simbolike për t’i përfshirë të rinjtë në procesin e shtetndërtimit. “Ata [liderët politikë] duhet t’i angazhojnë [të rinjtë] në projekte të ndryshme të cilat i përmbushin nevojat e tyre, në vend se t’i indoktrinojnë me ideologji”, thotë ajo, duke shtuar se projektet e tilla duhe të zbatohen në mënyrë institucionale, që të rinjtë të mos margjinalizohen dhe të shtyhen drejt alternativave radikale.

Angazhimi i komuniteteve

Në përpjkeje për t’i edukuar të rinjtë për rreziqet e radikalizimit, organizatat si Qendra për Hulumtim të Politikave të Sigurisë (Security Policy Research Center – SPRC) kanë zhvilluar projekte Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, brenda të cilëve kanë përfshirë edhe mbajtjen e takimeve nëpër komuna dhe shkolla të mesme. Drejtori i SPRC-së, Burim Ramadani, e sheh rolin e nivelit komunal si shumë të rëndësishëm për të ndihmuar në parandalimin e radikalizimit të të rinjve, por thotë se administratat komunale duhet të bëjnë më shumë.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime të Politikave të Sigurisë, Burim Ramadani, thotë se komunat duhet të jenë shumë më të angazhuara me komunitetet e tyre, që t’i ndihmojnë njerëzit të lidhen me vendbanimet e tyre. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ai e vë theksin tek mekanizmat komunalë për trajtim dhe raportim të çështjeve të sigurisë – si Këshillat Lokale të Sigurisë, të cilat kryesohen nga kryetarët e komunave – dhe njihen si mënyrë për të mbledhur akterë nga sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë, vetë qytetarët, etj. Sipas Ramadanit, këto dhe mekanizma të tjerë të nivelit më të ulët kanë potencial, por duhet të bëhen më shumë përpjekje për t’u angazhuar vazhdimisht me komunitetin.

“Mendoj se çështja kryesore është se zyrtarët komunalë zakonisht kanë dështuar të mbajnë kontakt të përditshëm me komunitetin”, thotë Ramadani. “Si rrjedhojë e kësaj, aktivitetet potenciale të komunave për mirëqenien e qytetarëve ose nuk kanë ekzistuar, ose qytetarët nuk janë informuar mjaftueshëm për to. Sepse transparenca nuk nënkupton vetëm lajmërim në uebfaqe të komunës”.

Ramadani beson se komunat duhet t’i përfshijnë qytetarët shumë më shumë në vendimmarrje lokale, në mënyrë që ata të ndihen të lidhur me vendet në të cilat jetojnë. “Ata duhet të konsultohen me qytetarët për çështjet si ndriçimi publik, për shembull, ose mundësitë për të promovuar mënyra të ndryshme të kryerjes së biznesit në komuniteti ne tyre etj”, thotë ai.

Por fushatat e zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen më 22 tetor, përsëri i kanë theksuar kritikat për atë se komunat po bëjnë shumë pak për t’i dëgjuar qytetarët e për t’u angazhuar me ta, si dhe për t’i ndihmuar ata të lidhen me zonat e tyre lokale, ose për ta përmirësuar kualitetin e jetës së përditshme. Debatet dhe premtimet në shumicën e fushave kanë pasur tendencë të jenë të përqëndruara në zhvillime të mëdha infrastrukturore, të cilat pastaj përkthehen në mbështetje politike dhe vota. Aktualisht, më shumë se një çerek i shpenzimeve komunale përdoret për projekte infrastrukturore, si për ndërtim të shkollave, rrugëve dhe kanalizimeve, ndërsa vetëm dy për qind përdoren si subvencione për klube, shoqata apo mirëqenie shoqërore.

“Sa herë mendoni që i kanë vizituar kryetarët e komunave këta njerëz në këto fshatra?”

Shpend Kursani

Kursani beson se shpërfillja e nevojave të qytetarëve nga ana e komunave dhe shtetit në përgjithësi, në vitet e fundit ka qenë një prej arsyeve që i ka shtyrë edhe ata e sidomos të rinjtë t’ drejtohen grupeve radikale në kërkim për një komunitet për t’u ndier të përmbushur. Komunat nuk janë dëshmuar si të përgatitura për t’u angazhuar me problemet e qytetarëve dhe për t’u munduar t’i ndihmojnë ata.

Ai thekson veçanërisht mënyrën se si familjet e qytetarëve të cilët kanë shkuar për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, si dhe atyre ‘luftëtarëve të huaj’ të cilët kanë vendosur të kthehen në Kosovë, janë injoruar pothuajse krejtësisht nga autoritetet lokale, të cilat nuk kanë bërë përpjekje për të kërkuar shpjegime, për t’i trajtuar problemet apo për t’u munduar t’i parandalojnë rastet e ngjashme në të ardhmen.

“Të paktën mund t’i kishin vizituar, për të parë mos u duhet diçka. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani, përveç në Han të Elezit, nëse nuk gaboj. Nuk kam dëgjuar ndonjë rast tjetër”, thotë ai, duke theksuar mungesën e ndërhyrjes nëpërmjet përpjekjeve të reintegrimit dhe deradikalizimit. “Zgjedhjet lokale u mbajtën para katër viteve”, thotë ai. “Sa herë mendoni që i kanë vizituar kryetarët e komunave këta njerëz në këto fshatra?”

Kursani thotë se në mandatin e ardhshëm, komunat dhe kryetarët e tyre duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, megjithatë është skeptik ndaj politikanëve të cilët papritmas po i vizitojnë komunat e izoluara, bash para zgjedhjeve. “Pra nga periudha 2013 e deri më 2017 ka pasur një vakum total dhe një mungesë të pranisë shtetërore në komuna dhe afër qytetarëve”, thotë ai. “Por tani, në vitin 2017, kjo prani është kthyer. Pse? Sepse ata i duan votat e qytetarëve”.

Kosova tani është në udhëkryq. Gati 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, administratat e reja lokale pritet të zgjedhen dhe mandatet e kryetarëve të komunave pritet të nisin. Ata që zgjedhen për t’i përfaqësuar komunat e tyre më 22 tetor e kanë mundësinë të fillojnë ndërtimin e lidhjeve të sinqerta me qytetarët e tyre, duke i dëgjuar problemet e tyre dhe duke zhvilluar qytetet në atë formë që i bëjnë të rinjtë të ndihen krenarë që janë pjesë e tyre.

E nëse dështojnë në këtë aspekt, atëherë mund të thuhet se vetëm sa i kontribuojnë shtimit të rrezikut për radikalizim të gjeneratave të ardhshme të të rinjve në Kosovë.K

Foto kryesore: CC license.

Kthehu prapa tek Monografia për Zgjedhjet Lokale 2017