Në pasditen e 29 majit, dhjetëra pjesëtarë të KFOR –– misionit të NATO në Kosovë –– u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan. Pasi KFOR kërkoi nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba, koktej molotovi. U dëgjuan edhe të shtëna. Protestat e tensionuara në këto tri komuna po vazhdojnë edhe më 30 maj me prezencën e KFOR dhe Policisë së Kosovës.
Sipas KFOR, 11 ushtarë të kontingjentit italian dhe 19 ushtarë hungarez ishin objekt i “sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme”, si rezultat i të cilave, ushtarët pësuan thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe morën djegie. KFOR po ashtu njoftoi se tre prej ushtarëve janë plagosur me armë zjarri. Sipas Policisë së Kosovës, pesë persona janë arrestuar në lidhje me këto sulme.
Të hënën, serbë në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, u mblodhën para ndërtesave të komunave, për të penguar zhvillimin e punës së kryetarëve jo serbë, që fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill. Pos këtyre tri komunave, zgjedhje pati edhe në Mitrovicë të Veriut.
Kjo është protesta e dytë, që erdhi si rrjedhojë e zgjedhjeve lokale. E para ndodhi më 26 maj, një ditë pasi katër kryetarët e sapozgjedhur mbajtën ceremoninë e betimit për detyrën e re. Më 26 maj, për shkak të protestuesve serbë, ata hynë në objektet e komunave nën përcjellje të Policisë së Kosovës.
Edhe atë ditë, Policia hasi në rezistencë nga qytetarët serbë. Pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.
Hyrja e kryetarëve në këto objekte me asistim të policisë u dënua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët e fajësuan qeverinë e Kosovës për moskoordinim me ta. Ata e cilësuan këtë hyrje si “hyrje me forcë” dhe i kërkuan qeverisë të mos e tensionojë situatën. Sipas tyre, meqë serbët lokalë nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, rezultatet nuk u japin legjitimitet të plotë kryetarëve të sapozgjedhur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 maj tha se janë të vetëdijshëm dhe i kuptojnë shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por që çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë. Në një postim në faqen e tij në Facebook, kryeministri Kurti tha: “[…] do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”.Në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe votuan rreth 3% e 45,095 qytetarëve me të drejtë vote. Lista Serbe (Srpska Lista), partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njëherit e përkrahur nga qeveria e Serbisë, që qeverisi në këto komuna prej vitit 2013, nuk mori pjesë në këto zgjedhje. Këtij bojkotimi zgjedhjesh nga Lista Serbe i parapriu një sagë e tërë ngjarjesh, që nisën qysh prej nëntorit 2022. (Për t’u informuar për zhvillimet, që sollën deri këtu, lexoni artikullin: Çka para dhe pas Ohrit?)
Më 23 prill, votuesit serbë e shqiptarë mund të zgjidhnin kryesisht midis kandidatëve nga partitë shqiptare. Nga 10 kandidatë për kryetarë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.
Protesta të dhunshme
Që herët në mëngjesin e 29 majit, protestues serbë u mblodhën para ndërtesave të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Në të tri komunat, KFOR shtoi prezencën, duke penguar protestuesit të hynin në objekte.
Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve në Zveçan, kur këta të fundit tentuan të hynin brenda objektit të komunës.
Që nga orët e hershme aty ishte i pranishëm edhe Goran Rakić, kryetari i Listës Serbe dhe nënkryetari i saj, Igor Simić. Rakić tha se ua ka përcjellë dy kërkesa përfaqësuesve të KFOR dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri.
“Kërkesat tona janë që sherifët — siç e quajnë veten — të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakić. Lista Serbe i përcolli të njëjtat kërkesa te KFOR edhe në Leposavic e në Zubin Potok.
Ndërkohë, po atë ditë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier i ftoi në takim kryetarët e sapozgjedhur të komunave me shumicë serbe. Në takim nuk shkuan dy kryetarët nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq, kryetar i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Leposaviqit.
“Në takim me kryetarët biseduam se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre, për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, në një mënyrë që tregon përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, dhe diçka e tillë, sipas nesh, tani nënkupton moshyrje në ndërtesë me forcë”, tha Hovenier pas takimit me kryetarin e ri të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe atë të Zveçanit, Ilir Peci.
Pasdite, kryeministri Kurti u takua me përfaqësuesit e shteteve të QUINT, të ShBA, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës, të cilët kërkuan nga ai që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.Ambasadori i ShBA, Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.
“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin. Një qasje e tillë, shtoi Hovenier, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre.
Pas këtij takimi, përmes një komunikate për medie, qeveria e Kosovës akuzoi Beogradin për dirigjimin e “turmave ekstremiste”.
Kjo deklaratë e Zyrës së Kryeministrit thotë: “Edhe pse në këto grumbullime sot ka edhe protestues paqësorë, kryeministri vlerësoi se këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar. Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë joserbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”.
Në veturat e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të gazetarëve u shkruan simbole nacionaliste serbe, kryqi me katër “C”, që si simbol nënkupton “Vetëm bashkimi i shpëton serbët”. Gjithashtu, në automjete e Policisë së Kosovës, të KFOR dhe të medieve është parë edhe shkronja “Z”, një simbol ushtarak në propagandën ruse dhe që përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës. Protestuesit drejtuan fyerje e thirrje nacionaliste ndaj gazetarëve e policisë.
Policia e Kosovës njoftoi se në këto tri komuna po qarkullojnë persona e grupe kriminale të armatosur, të veshur në rroba të zeza e të maskuar. Të njëjtit ishin parë edhe në protesta.
Gjatë ditës së 29 majit dhe pas mesnatës, gazetarët që po raportonin nga komunat në veri u gjendën në rrezik nga protestuesit. Ekipi i Periskopit u sulmua, teksa u sulmuan edhe veturat e Kallxo, TV Dukagjinit, KOHA, Top Channel, T7. Veturës së Tëvë1 iu vu zjarri. Në veturën e televizionit lokal “Syri Vizion” një plumb kishte depërtuar në ulësen e vozitësit. Për më shumë se tri orë, gazetarët kishin mbetur të ngujuar në një kafene në Zveçan. Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, po ashtu, mbeti i ngujuar në objektin e komunës tërë natën.
Që të premten e 26 majit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, dha urdhër që ushtria të mbetet në gatishmëri luftarake, teksa të hënën, Serbia njoftoi se po atë ditë do të kryhej dislokimi i plotë i formacioneve ushtarake në afërsi të Kosovës.
Ndërkohë, KoSSev, medium lokal serb në Mitrovicën e Veriut, raportoi se shkollat në veri kanë vendosur që të ndërpresin mësimin në të gjitha institucionet shkollore për shkak të situatës. Si arsye, ata përmendën shqetësimet e prindërve dhe rrezikun për sigurinë e fëmijëve. Ky është informacioni që është përcjellë te prindërit, që kanë marrë mesazhe nga mësimdhënësit. Megjithatë, KoSSev nuk ka arritur të konfirmojë informacionin.
Tensionet e sërishme në veri — pas atyre të vitit 2022 — ngrisin pikëpyetje rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe Planit Evropian dhe Planit për zbatimin e tij. Kur më 18 mars, në Ohër, Kosova dhe Serbia u dakorduan për të, ky plan u pa gjerësisht si një mundësi e re për të dalë nga ngërçi i krijuar politik mes dy shteteve.
Çështja më e diskutuar vazhdon të mbetet neni 7 i Planit Evropian ku kërkohet krijimi i kushteve [në Plan: arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [në Plan: appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi, BE. Nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që ai të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 që parasheh themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Që nga marsi e deri tash, disa hapa janë ndërmarrë në këtë drejtim. Ekipi Menaxhues ka prezantuar draftin e parë të statutit për Asociacionin, teksa vetë kryeministri Kurti ka paraqitur “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Vučić, më 2 maj në Bruksel. Takimi i kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petković, rreth zbatimit të Planit Evropian më 15 maj nuk dha ndonjë rezultat.
Komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri dhe që Kosova e Serbia të punojnë për zbatimin e Planit Evropian, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit.
Imazhi i ballinës: NATO via CC.