Programet politike që po prezantohen dhe retorika e vazhdueshme e partive politike përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, shpërfaqin qasjen e kahershme të shtetit të Kosovës ndaj drejtësisë gjinore: një përmendje simbolike në vend të një prioriteti transformues.
Thirrjet për barazi gjinore, të mbështetura nga politika konkrete, rrallëherë janë dëgjuar brenda mureve të Kuvendit. Në vend të kësaj, ato thirrje kanë jehuar fuqishëm jashtë, përballë kuvendit, në rrugë, ku gratë kosovare janë mbledhur për të protestuar dhe kërkuar drejtësi gjinore. Megjithëkëtë, ato janë përballur me indiferencën e përfaqësuesve politikë, të cilët vazhdimisht kanë dështuar t’i shndërrojnë këto kërkesa në ndryshime të prekshme dhe domethënëse.
Çdo statistikë apo e dhënë e re e konfirmon një realitet të vjetër e të ashpër: niveli i papunësisë së grave është i lartë. Prej 595, 474 grave në moshë pune, vetëm 19.8% janë të punësuara, numër që është gati trefish më i ulët krahasuar me atë të burrave — prej 576, 289 burrave në moshë pune, 53.4% janë të punësuar. Por kjo është vetëm sipërfaqja e një problemi më të thellë strukturor.
Ligji i punës në Kosovë, i cili nuk është përditësuar qe 15 vjet, për shembull, përforcon normat patriarkale duke vendosur barrën kryesore financiare të pushimit të lehonisë te punëdhënësi. Kjo praktikë shkurajon bizneset që të punësojnë gratë. Po ashtu ligji, në përgjithësi, duke ia dhënë babait vetëm dy ditë të lejes prindërore, përjashton ata nga përgjegjësitë e përbashkëta prindërore dhe e lidh kujdesin dhe punën e papaguar përjetësisht për gratë.
Ndërkohë, numri i kufizuar i institucioneve parashkollore/çerdheve publike ose mungesa e plotë e tyre — 62 në të gjithë Kosovën, përderisa nëntë qytete s’kanë fare çerdhe publike — i lë shumë gra pa zgjidhje tjera pos kujdesit me orar të plotë për fëmijët. Kjo ua vështirëson përfshirjen në tregun e punës. Ndërkohë, nuk ka përpjekje sistematike për të përfshirë në ekonomi gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane, të cilat përballen me mundësi dyfish të kufizuara për t’u punësuar. Edhe më të përjashtuara janë gratë queer, që përballen me realitete edhe më të ashpra, duke përfshirë dhunën në familje, izolimin, përjashtimin e konsiderueshëm nga tregu i punës dhe shkallën e lartë të varfërisë.
Establishmenti politik ka dështuar të zbatojë edhe dispozitat ligjore progresive, siç janë Ligji për Barazi Gjinore dhe Konventa e Stambollit. Ndërsa ligji kërkon përfaqësim të barabartë, listat e partive politike mezi arrijnë pragun prej 30% të përfshirjes së grave. Po ashtu, Konventa e Stambollit — një traktat historik për luftimin e dhunës me bazë gjinore — ka pasur ndikim minimal në përmirësimin e përgjigjes së sistemit të drejtësisë ndaj dhunës në familje që prej kur është bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës në vitin 2020. Dhunuesit shpesh trajtohen me tolerancë nga sistemi i drejtësisë, strehimoret për viktimat janë vazhdimisht të nënfinancuara, dhe punonjësit socialë shpesh nuk kanë burimet bazike për të ofruar mbështetje efektive.
Mungesa e një qasjeje feministe brenda institucioneve lejon që normat kulturore, që e lidhin pronën me burrat, të mbeten të paprekura, duke mirëmbajtur kështu përqindjen e ulët të pronësisë te gratë. Sigurimi i qasjes në pronë, jo vetëm që do t’u garantonte grave qasjen në të drejtën e tyre të patjetërsueshme, por gjithashtu do të kontribuonte në pavarësinë e tyre ekonomike.
Ndërkohë, edhe kur ndodhin diskutime të fokusuara te çështjet gjinore, toni patriarkal i Kuvendit vazhdon t’i reduktojë gratë në një grup homogjen, të përcaktuar kryesisht nga rolet e tyre si nëna brenda familjeve nukleare. Kjo dinamikë u vu në dukje veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, gjatë debatit për Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin të Asistuar Mjekësor (FAM).
Debati kryesisht u përqendrua te neni 15 i projektligjit, që njihte gratë beqare mbi moshën 18-vjeçare si përfituese të së drejtës për FAM. Aktualisht, përmes një udhëzimi administrativ, gratë pa partnerë dhe çiftet mund të bëhen prindër përmes FAM në spitale private. Megjithatë, me projektligjin aktual, ky proces do të rregullohej edhe në sistemin shëndetësor publik, me shpenzime shumë më të ulëta. Deputetët konservatorë bllokuan miratimin e projektligjit, në mes një debati të mbizotëruar nga keqkuptime mbi procesin, si dhe një gjuhë të ngarkuar me paragjykime gjinore, duke dëmtuar thelbin e çështjes.
Këto diskutime dhanë një mesazh shqetësues: përfaqësuesit politikë as nuk e kuptojnë, as nuk kujdesen dhe as nuk i japin përparësi autonomisë trupore të gjysmës së popullsisë së vendit. Kjo neglizhencë reflektohet më tej në mungesën e debateve mbi çështje thelbësore, si e drejta për aborte të sigurta dhe për përkujdesin e lidhur me afirmim të gjinisë.
Për transgratë dhe individët jo binarë, diskriminimi në qasjen në kujdes shëndetësor thekson edhe më shumë fshirjen sistematike të nevojave të tyre. Në thelb, kjo nuk ka të bëjë vetëm me kujdesin shëndetësor apo mundësinë për të pasur fëmijë — ka të bëjë me krijimin e hapësirave të sigurta, qoftë si studente, punonjëse apo në jetën familjare.
Mungesa e këtyre debateve reflekton një mungesë më të gjerë të qëndrimeve dhe pozicionimeve të qarta, që reflektohet edhe në platformat dhe ofertat elektorale të partive politike më të mëdha në vend.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2025, K2.0 analizoi planet e tri subjekteve politike më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate, partinë Forumi Intelektual E-30 dhe Listën Konservatore.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk e ka publikuar ende programin zgjedhor, andaj, K2.0 shqyrtoi hapat që ka marrë gjatë qeverisjes së vendit në katër vitet e fundit, duke parë se çka mund të nënkuptojë kjo nëse marrin një mandat tjetër.
Lëvizja Vetëvendosje
LVV, partia në pushtet në Kosovë dhe e para që ka përfunduar një mandat të plotë pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk ka paraqitur një program politik koheziv që adreson drejtësinë gjinore. Pavarësisht shumicës së saj të konsiderueshme parlamentare, LVV ka dështuar në mënyrë të përsëritur të trajtojë pabarazinë sistematike gjinore, duke zbatuar politika të fragmentuara që, në vend se t’i çmontojnë, i forcojnë më tej rolet tradicionale gjinore.
Gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, kryeministri i tanishëm dhe kandidati i LVV për kryeministër të ardhshëm, Albin Kurti, premtoi se mandati i ardhshëm do të shënojë rritje të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës përmes iniciativave si “Superpuna”, në kuadër të skemës për punësimin e të rinjve. E lansuar në mars të vitit 2023, kjo nismë – e prezantuar si një nga masat kyçe për punësimin e të rinjve – ofron subvencione financiare prej 350 eurosh në muaj për gjashtë muaj për punëdhënësit që punësojnë individë të moshës 18 deri në 29 vjeç. Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri deklaroi se rreth 14,000 të rinj janë punësuar përmes “Superpuna,” gjysma e të cilëve, sipas tij, janë gra.
Kur flitet për mbështetjen e grave, në masë të madhe, vëmendja e qeverisë është përqendruar te skemat për nënat lehona dhe fëmijët. Gratë e papuna përfitojnë nga 170 euro në muaj për gjashtë muaj pas lindjes, ndërsa gratë e punësuara përfitojnë të njëjtën shumë për tre muaj, përveç kompensimit standard për pushimin e lehonisë.
Megjithëse këto përfitime ofrojnë lehtësim financiar afatshkurtër, veçanërisht për gratë nga mjedise ekonomikisht të pafavorshme, në mungesë të përcjelljes me politika ose nisma të tjera ligjore, këto politika rrezikojnë të përforcojnë rolet tradicionale gjinore duke e lidhur vlerën e grave në shoqëri kryesisht me amësinë.
LVV nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt ndryshimit të dispozitave për pushim të lehonisë, që do kalonin një pjesë më substanciale të përgjegjësisë për pagesën e këtij pushimi te shteti, apo për të prezantuar politika për pushimin prindëror që do të inkurajonin burrat të ndanin përgjegjësitë e kujdesit për fëmijët. Madje, edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Punës, që ishte pjesë e Programit Legjislativ të qeverisë për vitin 2023, nuk ekzisonte fare në Programin Legjislativ për vitin 2024.
Sa i përket kujdesit për fëmijët, prej fillimit të fushatës zgjedhore, kryeministri ka përmendur disa herë një ide jokonvencionale, e cila tashmë është kthyer në premtim zgjedhor lidhur me kujdesin në fëmijërinë e hershme: shteti do të paguajë gjyshet dhe gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre. Megjithëse ende nuk është e qartë se çfarë nënkupton një politikë e tillë, në pamje të parë tingëllon më shumë si një ide konservatore që ia kalon përgjegjësinë e shtetit familjes së gjerë. Mbetet për t’u parë nëse kjo politikë do të zëvendësojë premtimin e mëparshëm për ndërtim çerdhesh. Nga 160 sosh sa ishin premtuar, deri në dhjetor 2024 ishin ndërtuar vetëm pesë sosh.
Në kuadër të luftimit të dhunës në baza gjinore, Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026 është vlerësuar si një hap i rëndësishëm dhe emergjent nga organizatat për të drejtat e grave. Megjithatë, ende nuk ka të dhëna konkrete për efektet e zbatimit të saj në terren.
Nga ana tjetër, pavarësisht fuqisë së saj parlamentare, LVV ka dështuar të avancojë disa reforma të rëndësishme për drejtësinë gjinore dhe shpesh ka bërë lëshime ndaj narrativave konservatore. Një nga shembujt më të dukshëm është draft-Kodi Civil, i cili, në vitin 2022, u bllokua në Kuvend mbi pretendimet dhe keqinterpretimet e deputetëve se ai do të lejonte martesat mes personave të të njëjtit seks. Në fakt, ai draft i Kodit Civil, u hapte rrugë vetëm bashkësive civile midis personave të të njëjtit seks, teksa parashihte që ato të rregulloheshin me një ligj tjetër. Kjo gjë vazhdimisht është kritikuar nga aktivistët për të drejtat e njeriut si një qasje përjashtuese dhe kundërkushtetuese.
Pos kësaj, disa deputetë, sidomos nga LVV – disa prej të cilëve më vonë formuan partinë Lista për Familjen – vazhdimisht ushqyen retorikë homofobike në diskursin publik.
LVV jo që s’ia doli të realizojë një draft-Kod që do t’i njihte martesat midis personave të të njëjtit seks, ajo nuk arriti as ta ndalonte shndërrimin e Kuvendit në hapësirë të stigmatizimit të individëve queer. Po ashtu, pas seancës së vitit 2022, draft-Kodi Civil nuk u soll më për votim në Kuvend.
Një diskurs i ngjashëm ndodhi në fund të vitit të kaluar me doracakët për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues për mësimdhënësit e klasave 1-5 të shkollës fillore. Përmbajtja e doracakëve, me mangësi të dukshme gjuhësore dhe përkthime të dobëta, u shtrembërua edhe më tej dhe u përdor nga Eman Rrahmani, ish-deputeti i LVV-së dhe themeluesi i Listës për Familjen, me mbështetjen e figurave nga qeveria dhe opozita, për të propaganduar kundër edukimit seksual në shkolla. Në vend që të përdorej ky rast për të mbrojtur dhe promovuar rëndësinë e edukimit seksual gjithëpërfshirës, kryeministri Kurti dhe Ministria e Arsimit i tërhoqë doracakët, duke ndaluar përdorimin e tyre. Kjo përbën një mundësi të humbur për të nxitur njëmend reforma thelbësore në edukimin seksual, aq të nevojshme, në arsim.
LVV gjithashtu dështoi të çojë përpara Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor. Kur deputetë të opozitës dhe disa anëtarë të partisë u renditën kundër të gjithë procesit, qeveria qëndroi indiferente ndaj retorikës së dëmshme mbi të drejtat e shëndetit riprodhues.
Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe draft-Kodi Civil, u bënë në fakt shtysa e fundit për dikur anëtarët e LVV, Eman Rrahmanin dhe Visar Korenica që të heqnin dorë prej LVV e të formonin Listën për Familje, që tashmë garon në zgjedhje me një program thellësisht kundër-gjinor. E mbështjellë me retorikën e “shpëtimit të familjes tradicionale” dhe “mbrojtjes së identitetit kombëtar”, agjenda e tyre, pa program të publikuar, mbështetet në narrativa skajshmërisht patriarkale e politika pro-nataliste, që refuzojnë hapur drejtësinë gjinore dhe të drejtat themelore të identiteteve jobinare.
Mungesa e mbështetjes për reformat dhe idetë progresive — veçanërisht në lidhje me bashkimet mes personave të të njëjtit seks, edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues — tregon qartë mungesën e përkushtimit ndaj drejtësisë gjinore transformuese nga LVV. Kështu, kjo parti kryesisht ka ruajtur status quo-në e patriarkisë së institucionalizuar, duke lënë boshllëqe të mëdha në adresimin e nevojave dhe të drejtave të grupeve të ndryshme të grave. Megjithëse programi ende nuk është publikuar, propozimet e deritanishme e ruajnë këtë status quo.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Si një parti e qendrës së djathtë, LDK percepton drejtësinë gjinore përmes një këndvështrimi tradicional, duke e lidhur ngushtë me konceptin e familjes nukleare heteronormative si gurthemeli i shoqërisë. Një segment, përmes së cilit LDK synon të promovojë barazinë gjinore është politika e jashtme e Kosovës. Por se si saktësisht do të realizohej ky qëllim nuk është e qartë; në program shkruhet se “aktivitete, ndarje buxheti, dhe masa konkrete legjislative do të ndërmerren”.
Megjithatë, elementi thelbësor i platformës së LDK-së është përqendrimi në familjen si institucion kryesor për mirëqenien sociale, që manifestohet përmes propozimit për krijimin e Ministrisë së Familjes dhe Mirëqenies Sociale. Sipas tyre, kjo ministri synon të unifikojë dhe të koordinojë të gjitha politikat dhe programet që kanë në fokus familjen dhe mirëqenien e përgjithshme shoqërore.
Ndërsa partia shpesh e thekson familjen si një vlerë thelbësore, ajo dështon të adresojë realitetet shtypëse për gratë brenda familjeve në Kosovë, me vëmendje te dhuna dhe femicidi. Duke romantizuar familjen pa e pranuar karakterin e shpeshtë të saj si një hapësirë kontrolli dhe dhune ndaj grave, LDK shpërfill përvojat e përditshme të shumë grave dhe faktorët sistemikë që mirëmbajnë shtypjen e tyre.
Platforma e LDK-së mbështet barazinë gjinore, por këtë e bën përbrenda nocionit të familjes. Kjo reflekton një perspektivë të ngushtë dhe përjashtuese, duke neglizhuar individët dhe komunitetet që përballen me diskriminim dhe shtypje sistematike. Për shembull, gratë queer, nënat vetëushqyese dhe gratë nga komunitetet jo-shqiptare mungojnë plotësisht në platformën e LDK-së.
Brenda këndvështrimit tradicional, nuk është rastësi që LDK fokusohet te vlerat familjare, duke theksuar nisma si mbështetja financiare për foshnjat e sapolindura dhe nxitjet për familjet e reja për të blerë shtëpi. Përmes programit “Incentiva e Pronësisë së Shtëpisë për Familjet e Reja,” që përfshin “norma të reduktuara interesi, paketa speciale të hipotekave dhe subvencione direkte”, LDK premton të ndihmojë familjet me fëmijë të vegjël të sigurojnë një shtëpi pa u ngarkuar me borxhe të papërballueshme. Politikat pro-nataliste pasqyrohen në propozime si ofrimi i 5,000 eurove për lindjen e fëmijës së tretë dhe mbështetja për të gjithë fëmijët gjatë vitit të parë të jetës për të mbuluar nevojat bazë dhe esenciale.
Ndërsa mbështetja për kujdesin ndaj të sapolindurve është e dobishme, theksi te inkurajimi për lindjen e fëmijës së tretë ngre pyetje të rëndësishme rreth ndikimeve të mundshme në të drejtat riprodhuese të grave, qasjen e grave në tregun e punës dhe implikimet më të gjera shoqërore.
Këto politika pro-nataliste shpesh përforcojnë rolet tradicionale gjinore, duke ushtruar presion mbi gratë dhe duke ushqyer presionin e të tjerëve ndaj tyre që të prioritizojnë lindjen e fëmijëve karshi aspiratave personale ose shëndetit, duke kufizuar kështu autonominë e tyre në vendimmarrjen riprodhuese. Për më tepër, nxitjet e këtilla financiare, që janë të qasshme vetëm me lindje fëmijësh, mund të shtyjnë gratë ekonomikisht të pafavorizuara të kenë më shumë fëmijë, pavarësisht gatishmërisë ose dëshirës së tyre.
Promovimi i familjeve të mëdha, pa adresuar punësimin e grave dhe mbrojtjen e tyre në vendin e punës, rrezikon të zgjasë ndërprerjet në karrierë për gratë, duke penguar rritjen e tyre profesionale. Mungesa e mbështetjes për përgjegjësi të përbashkëta prindërore përforcon më tej perceptimin se kujdesi për fëmijët dhe puna e papaguar janë kryesisht përgjegjësi e grave, duke thelluar pabarazitë gjinore në pjesëmarrjen në tregun e punës.
Partia Demokratike e Kosovës
PDK tregon një qasje të kufizuar kur është fjala te adresimi i barazisë gjinore dhe të të drejtave të grave. Edhe pse përfshin disa propozime progresive, nuk ofron strategji të qarta dhe të zbatueshme për ndryshime rrënjësore. Një nga aspektet më premtuese është përpjekja për të adresuar hendekun gjinor në punësim përmes rishikimit të propozuar të Ligjit të Punës.
Sugjerimi për zgjerimin e pushimit të lehonisë duke përfshirë edhe pushimin prindëror për baballarët është një hap progresiv drejt njohjes së përgjegjësive të përbashkëta për kujdesin ndaj fëmijëve. Ky propozim ka potencialin të krijojë një mjedis pune më të barabartë dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Megjithatë, mungesa e një plani të qartë mbi mënyrën e zbatimit të pushimit prindëror ka gjasë ta bëjë këtë masë më shumë një ide premtuese sesa një politikë me ndikim konkret.
Po ashtu, PDK propozon ndërtimin e çerdheve të reja për të siguruar infrastrukturë të mjaftueshme për edukimin e hershëm. Gjithashtu, premton ofrimin e 100 eurove në muaj për familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë çerdhet publike, një masë që mund të lehtësojë përkohësisht barrën financiare për disa familje.
Përmendja e mbrojtjes së të drejtave të grave në trashëgimi është një hap i rëndësishëm për sfidimin e normave patriarkale mbi pronën. Megjithatë, PDK e kufizon këtë çështje vetëm në aspektin procedural, pa adresuar barrierat kulturore dhe shoqërore që pengojnë gratë të kërkojnë të drejtat e tyre mbi pronën. Anipse PDK është e vetmja që e përfshin të drejtën pronësore të grave në program politik, kjo qasje mbetet sipërfaqësore dhe nuk prek problemin e diskriminimit gjinor në ndarjen e pasurisë.
Platforma e PDK-së pranon nevojën për të inkurajuar gratë të marrin pjesë në tregun e punës dhe për të reduktuar punën e papaguar si kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit, megjithatë, mungon një vizion i qartë se si do të mundësohet punësimi i më shumë grave. Por, edhe PDK është e heshtur për çështjet që prekin gratë queer, nënat e vetme, gratë nga pakicat etnike dhe të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
Kështu PDK synon të paraqesë disa ndërhyrje progresive, por politikat e premtuara mbeten të përgjithshme, pa ofruar zgjidhje konkrete për çështjet që prekin barazinë dhe drejtësinë sociale.
Koalicioni AAK-NISMA
Programi politik i koalicionit AAK-NISMA mbi barazinë gjinore paraqet një perspektivë të ngjashme me atë të LDK-së, duke e konsideruar familjen si “themelin e kombit dhe kujtesës historike.
Megjithatë, ky koalicion reflekton një qasje edhe më patriarkale, duke e kornizuar familjen si të kërcënuar nga ndryshimet ideologjike dhe shoqërore. Programi ia atribuon sfidat me të cilat përballet familja “kalimit të shoqërisë nga përgjegjësia kolektive në të drejtën e sforcuar individuale” dhe “përvetësimit të papërzgjedhur të vlerave të huaja.” Ndonëse krejt jo specifike, kjo retorikë nënkupton mbështetje për një model të ngurtë dhe tradicional të familjes, duke shprehur rezistencë ndaj autonomisë individuale dhe ndaj roleve përparimtare gjinore.
Për koalicionin AAK-NISMA, familja përmbush katër funksione bazike: riprodhimin, sigurimin e të ardhurave, rritjen dhe edukimin e fëmijëve, dhe mbrojtjen e saj. Për këtë qëllim, propozojnë krijimin e një Ministrie të Familjes, e cila do të hartonte politika dhe ligje që ruajnë këto funksione bazike.
Ndonëse programi përmend se Ministria do të zhvillonte politika për të promovuar barazinë dhe drejtësinë gjinore midis burrave dhe grave, është e vështirë të imagjinohet realizimi i këtij synimi brenda një qasjeje që thekson forcimin e strukturave tradicionale familjare. Një pikë pak më progresive është mbështetja e propozuar për prindërit e vetëm dhe promovimi i orareve të punës që përshtaten me përgjegjësitë familjare, por mungon një elaborim i mëtejshëm për këtë aspekt.
Kur bëhet fjalë për organizime jashtë familjes tradicionale, AAK-NISMA jo vetëm që përjashton, por shfaq hapur diskriminim ndaj individëve queer dhe grave apo burrave që nuk zgjedhin modelin e familjes nukleare. Programi bën thirrje për kujdes në hartimin e legjislacionit që prek familjen, duke e quajtur “të pakuptimtë tendencën e ligjësimit të martesave një gjinore, sterilizimin apo fekondimin artificial për gratë e pamartuara mbi 18 vjet”, duke iu referuar draft-kodit civil dhe legjislacionit të propozuar për fertilizimin e asistuar.
Edhe në propozimin e mbështetjes financiare të quajtur “Pakoja për Mirëqenien e Familjes,” e cila është tërësisht brenda logjikës pro-nataliste, gratë shihen kryesisht brenda rolit të tyre riprodhues: mbështetje në vlerën e pagës minimale për gratë e papunësuara që kanë tre ose më shumë fëmijë, deri në 10 vjet; subvencionim prej 1,500 eurosh për lindjen e parë, 2,500 euro për të dytën dhe 3,500 euro për të tretën; si dhe subvencionim në vlerën e pagës minimale për një vit për lindjen e parë dhe të dytë për gratë e papunësuara. Të gjitha këto masa zbatohen pa asnjë vizion për të rritur punësimin e grave, duke kontribuar më tej në reduktimin e grave në rolin e tyre riprodhues si nëna.
AAK-Nisma, në programin e tyre, deklarojnë se Ministria e Familjes e Gjermanisë ka frymëzuar qasjen e tyre në lidhje me barazinë gjinore. Megjithatë, një Ministri e Familjes nuk mbështet domosdoshmërisht një koncept të ngushtë dhe heteronormativ të familjes. Për shembull, në Gjermani, Ministria Federale për Familjet, të Moshuarit, Gratë dhe Rininë (Bundesministerium für Familie, Senioren, Frauen und Jugend) adreson modele të ndryshme familjare, përtej familjes heteronormative nukleare.
Në faqen zyrtare të saj thuhet: “Mbështetja e familjeve që të jenë në gjendje të formësojnë jetën e tyre sipas ideve të tyre – ky është qëllimi i politikës së mirë familjare.” Për më tepër, në faqen e Ministrisë përfshihen edhe masa brenda planit “Queer Living,” (Jetesa queer) përmes së cilit qeveria federale synon të forcojë pranimin dhe mbrojtjen e diversitetit seksual dhe gjinor, si dhe të kundërshtojë ndjenjat anti-queer.
Nga ana tjetër, në shumë raste, ministritë e familjes shoqërohen me vlera konservatore për shkak të theksit të tyre mbi strukturat dhe rolet tradicionale familjare. Këto politika shpesh promovojnë modelin e familjes nukleare dhe politikat pro-nataliste, duke inkurajuar martesën heteronormative, rolet tradicionale gjinore dhe prindërimin si vlera qendrore shoqërore.
Çka mund të nxjerrim nga këto programe zgjedhore?
Programet politike, edhe këto zgjedhje, nuk ofrojnë një qasje të thellë, që do të adresonte padrejtësinë gjinore në rrënjët e saj. Mungesa e planeve konkrete dhe ndërhyrjeve në çështje si ligji i punës, që nuk është përditësuar qe 15 vjet e që vazhdon të mirëmbajë norma patriarkale që pengojnë gratë nga pjesëmarrja në tregun e punës është një shembull i kësaj qasjeje sipërfaqësore.
Pastaj, mosnjohja e pabarazive të shumëfishta me të cilat përballen nga pakicat etnike, si dhe gratë queer, si dhe mosadresimi i femicidit, flasin për një mungesë të një qasjeje feministe në ofertat zgjedhore këto zgjedhje.
Njëherit, lidhja e ngushtë e të drejtave të grave me nocionin e familjes nukleare heteronormative, sugjerojnë se përpjekjet e njëmendëta të njohjes së grave si të barabarta në vetvete, pa iu mveshur ndonjë rol si atë të nënës, vazhdon të mos jetë pjesë e vizioneve qeverisëse. Këtu vijnë në shprehje sidomos politikat thellësisht pro-nataliste — pjesë e shumicës së programeve politike — që përmes nxitjes financiare inkurajojnë lindjen e fëmijëve, sërish dështojnë të njohin presionet dhe shtypjen me të cilën përballen gratë edhe brenda, e edhe jashtë familjeve të tyre.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.