Me votat e mazhorancës socialiste, muajin e kaluar Parlamenti shqiptar e refuzoi kërkesën e Prokurorit Publik për ta arrestuar ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahirin, i cili aktualisht është duke u hetuar për korrupsion dhe trafikim të drogës ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, duke u thirrur në zbulime të publikuara së fundmi nëpërmjet përgjimeve nga auroitetet italiane. Duke i tejkaluar kompetencat e tyre për t’i vlerësuar dëshmitë dhe argumentet e Prokurorit Publik dhe duke etiketuar dënimin si masë “ekstreme” për një deputet të Republikës së Shqipërisë, socialistët e krijuan një precedent të rrezikshëm ku Parlamenti bllokon gjyqësorin “e motivuar politikisht”.
Në fund të një seance që pashmangshëm ishte përplot me diskutime, Edi Rama u takua me gazetarët të cilët po e prisnin para Parlamentit, dhe u ofroi sulm verbal në vend të përgjigjeve.
“Jam këtu për juve, vetëm për juve. Të ju them të mendoni, të studioni dhe të kuptoni”, nisi Rama, madje para se t’i dëgjonte pyetjet e gazetarëve. “Parimisht, duhet të ju vijë turp, juve dhe të gjithë atyre që janë si ju, të cilët nuk kuptojnë. Ju, të cilët vazhdoni ta hutoni audiencën me pyetje të pakuptimta, nuk e kuptoni që kjo është tepër e qartë për ata që duan t’i lexojnë pesë rreshta”, tha ai, pa iu përgjigjur pyetjeve për rastin Tahiri, të cilat nuk ngurroi t’i përcaktonte si “idiotike” dhe “të pavenda”.
Në një fjalim 10-minutësh plot nervozë e kritika, Edi Rama, i cili po ndihej i akuzuar për udhëheqje të mazhorancës që përkrah krimin e organizuar, identifikoi shtypin që “mbin akuza pa kuptuar, pa ndjesi të përgjegjësisë” si një prej shkaktarëve të shumë problemeve në vendin tonë. Këtë nervozë ua drejtoi gazetarëve, analistëve dhe publicistëve. “Sa injorantë jeni. Flisni gjepura! Jeni të neveritshëm! Jeni thjesht amplifikues të thashethemeve”, “Pyetjet e juaja rrjedhin nga injoranca”, “Ju nuk lexoni dhe dëgjoni për të kuptuar çfarë po themi”, “Para se të shtroni pyetje kaq të pavenda, lexoni dhe studioni”, tha ai para se të ndërpritej nga gazetarët, të cilët e falenderuan, i ulën mikrofonat, dhe ikën.
Solidaritet
Menjëherë pas deklaratave të Ramës, një valë e indinjatës dhe solidaritetit e kaploi shtypin. Shoqata ‘Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë’ shprehi “shqetësim të thellë për fyerjet dhe kërcënimet që i bëri Kryeministri kundër mediave”, duke i bërë apel publikut dhe institucioneve që të ndihmojnë në frenimin e sulmeve të shumta të Ramës. Federata Europiane e Gazetarëve (FEG) gjithashtu reagoi duke deklaruar se “të gjithë gazetarët kanë të drejtë të shtrojnë pyetje të cilat politikanët mund t’i pëlqejnë apo mos t’i pëlqejnë, pa u kërcënuar apo sulmuar gjatë zhvillimit të hulumtimeve dhe punëve të tyre”.
Shoqata dhe opinionistë të ndryshëm i kanë ftuar kolegët e tyre t’i bojkotojnë aktivitetet e Ramës, qoftë edhe për vetëm një ditë.
Megjithatë, këto apele me gjasë do të kontribuojnë në reduktimin efektiv të gazetarëve në amplifikues të thjeshtë të deklaratave apo thashethemeve nga vendet e pushtetit. Një bojkotim afatgjatë i konferencave për shtyp mund të jetë më efektiv për ta kthyer përsëri hapësirën e domosdoshme për reflektim, shtjellim dhe komentim të thellë për përmbajtjet dhe çështjet aktuale. Një pushim i detyruar që e ndan atë që e thotë politika prej fakteve mund të na ndihmojë ta kuptojmë çfarë veprimesh politike janë të domosdoshme për të shkuar përtej dinamikave të grindjeve dhe thashethemeve që shpeshherë e karakterizojnë spektrin e mediave shqiptare.
Perceptim i përbashkët?
Ende i nervozuar, Rama vazhdoi ta shtjellonte këtë temë në ditët në vijim duke reguar ndaj protestave në rrjete sociale – këto reagime i ka të domosdoshme gjatë udhëtimeve me veturë zyrtare – duke argumentuar se nuk njeri, meqë thjesht e shprehi një mendim, dhe se sidoqoftë, kjo strofull grenzash e indinjonte atë.
Pavarësisht protestës së kuptueshme dhe mesazheve të solidaritetit, pikëpamjet e Ramës mund të mos dallojnë aq nga ato të publkut, duke marrë parasysh përgjegjësitë e mediave sa i përket lirisë së shtypit në dekadat e fundit.
Në fakt, nuk është hera parë që në mediat shqiptare ka redaksi pa gazetarë, artikuj pa lajme, sensacionalizëm dhe përpjekje për ta frikësuar publikun, lajme të rreme, mungesë të përgjithshme të verifikimit të fakteve, kryeartikuj pa reflektim paraprak, hetime pa dëshmi, emisione të pafund të mbrëmjes që komentojnë deklaratat e mëngjesit dhe gazeta që transkriptojnë debatet televizive të natës së mëparshme.
Megjithatë, ajo që e dëmtoi më së shumti kredibilitetin e shtypit përgjatë viteve ishte afërsia që e kishte me politikën, duke kaluar nga e majta në të djathtën pas çdo ndryshimi në pushtet – nëse ka kuptim të përdorim koncepte të cilat lidhen shumë pak me realitetet politike, që vetëm sipas traditës thirren për t’i përfaqësuar. Sigurisht jo i gjithë spektri i shtypit është i varur nga pushteti, por fatkeqësisht një pjesë e madhe e tij është, e kjo ka shkaktuar një atmosferë mosbesimi në të cilën publiku zgjedh thashetheme dhe artikuj për “stil” në vend të informatave.
Por nëse informata bëhet zbavitje, ekziston rreziku që dikur publiku të dorëzohet së kërkuari të vërtetën, dhe të përfundojë duke anuar nga Kryeministri – i cili e fajëson sistemin në krijimin dhe ruajtjen e të cilit ai vet ka kontribuar me vite – dhe duke vallëzuar nën tingujt e politikës që e zhvlerëson shtypin për ta fuqizuar veten.
Gazetarët në konferencën e improvizuar për shtyp para Parlamentit dhe ata të cilët shikojnë nga studiot në të cilat i presin politikanët dhe kolegët e tyre opinionistë mund të gjejnë rehati në protesta dhe bojkotim, ose mund t’u bashkohen kolegëve të cilët kanë zgjedhur t’i dallojnë të vërtetat e deklaratave të Ramës nga të pështirat e tij të pavend. Sidoqoftë, sigurisht se ata nuk do të mbështeten nga pronarët e grupeve mediale, të cilët gjithmonë janë afër lobistëve të pushtetit.
Pa marrë parasysh se a e bëri këtë shfaqje Rama për ta larguar vëmendjen nga vota që e dha në mbrojtje të Saimir Tahirit apo ishte thjesht një nga shpërthimet e shpeshta të nervozës së tij, ai i dha opozitës qendërdjathtiste të udhëhequr nga Lulzim Basha një mundësi tjetër për të llomotitur për liritë e shtypit në vendin tonë. Pa marrë parasysh faktin se kur pjesëtarët e opozitës aktuale ishin në pushtet, ata i shpërndanin privilgjet dhe fondet te shtypi “miqësor”, dhe gjobat e agresionin – jo vetëm verbal, por edhe fizik – te zërat kritikë.
Shtypi shqiptar vs shtypii i huaj
Nuk është hera e parë që jotoleranca tipike e Ramës për pyetje të papërshtatshme ka nxitur debat dhe përleshje në studiot televizive shqiptare. Rama autoritar dhe ngucakeq e ka pyetur fytyrën historike të Top Channel-it, Sokol Ballën, se a është i dehur, i ka thënë Blendi Fevziut të Klanit se koka e zbrazët e tij ishte problematike për të gjithë, dhe e ka ftuar korrespondenten e televizionit ABC News, Erisa Zikën, të vijojë kurs të anglishtës para se të merrte pjesë në konferencë për shtyp në Bruksel.
Disa gazetare janë bërë subjekt i stereotipeve gjinore dhe dykuptimësisë, si dhe paternalizmit të zakonshëm. Rama i tha Ilva Tares – një prej gazetareve më të njohura të Ora News – se ai e kupton pse puna e saj është kaq e dobët, meqë ajo duhet të ndajë kohë edhe për t’u kujdesur për të birin e saj. Kur Eni Vasili e televizionit News 24 e nxiti atë për t’u përgjigjur, ai i tha se është aty për t’ia përmbushur të gjitha nevojat e saj. Shumëkush e kujton ende gazetaren e Shijak TV-së, e cila pasi kishte shtruar një pyetje të papërshtatshme për mitmarrje në Komunën e Tiranës u bekua me emërtimin “prostitutë e informacionit”.
Ky ton ndryshon kur Kryeministri udhëton jashtë vendit. Në një intervistë me Deutsche Welle, edhe kur Tim Sebastian vazhdimisht nguli këmbë për të njëjtën pyetje, edhe kur ai i lexoi përsëri deklaratat të cilat ekspozonin mesazhe të fshehta, edhe kur buzëqeshi me ironi ndaj synimit të fshehur dobët nga Rama për ta provokuar Serbinë dhe për t’i bërë presion Bashkimit Europian me një fjali, Rama asnjëherë nuk e humbi durimin dhe në fund të 30 minutave shumë të gjatë, ai e falenderoi gazetarin, buzëqeshi dhe tha se ishte nder për të.
Në një intervistë me BBC-në, kur Sara Montague i kujtoi atij se Shqipëria ishte vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë, se partneri i tij në qeveri përfaqësonte, sipas fjalëve të Ramës, gjithçka të kalbur në këtë vend, dhe se premtimet e fushatës nuk mund të përmbusheshin, ai u përgjigj me përpikëri e madje edhe e vlerësoi këmbënguljen e saj.
Ndonëse ndryshimet e personalitetit të Edi Ramës brenda e jashtë vendit nuk janë diçka e re, nuk ka pyetje “idiotike” apo të “papërgatitura”, e as gazetarë “të egër’, që mund t’i justifikojnë ato.
Pas shfaqjes së Ramës para Parlamentit, shumë gazetarë kanë pranuar se kanë dështuar ta përmbushin rolin e tyre të interpretuesve të besueshëm të realitetit dhe ndërmjetësuesve të besueshëm të politikës dhe publikut. Në anën tjetër, me sa duket nuk ka politikan që është i gatshëm ta bëjë këtë. Si zakonisht, plot tym e aspak zjarr në atë front.
Foto kryesore: nga faqja zyrtare e Edi Ramës në Facebook.
Ky artikull u shkrua fillimisht për Osservatorio Balcani e Caucaso si pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. K2.0 është partner i projektit të ECPMF dhe ka publikuar përsëri artikullin me leje të Osservatorio Balcani e Caucaso. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.