Në thelb | Serbia

Kultura bashkëkohore vështirë po mbijeton në Suboticë

Nga - 22.12.2017

Qeveria lokale dhe institucionet e kulturës në konflikt në Vojvodinë.

Subotica është pikë e rëndësishme kulturore në Vojvodinë e cila dikur quhej “porta e Europës”. Ky qytet dallohej për nga shumëllojshmëria dhe kulturat e ndryshme. Plot mysafirë vijnë për t’i vizituar festivalet e mëdha si Palic European Film Festival (FEF), Trenchtown, Desire Central Station, Jazzire, Jazzik, Etnofest, Interetno, Summer3p, dhe shumë të tjerë. Megjithatë, mbijetesa e pjesës më të madhe të këtyre festivaleve tani është në pikëpyetje për shkak të zvogëlimit të financimit.

Subotica është qytet ku jetojnë më shumë se 10 grupe etnike, prej së cilëve më të përfaqësuarit janë serbët, hungarezët, kroatët dhe bunjevcët. Kjo komunë drejtohet nga Partia Progresive Serbe (SNS) dhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM).

Sipas shumë punëtorëve të fushës së kulturës në këtë qytet, administrata po i nënçmon vlerat kulturore të Suboticës, dhe i ka shkatërruar themelet e kulturës sepse datojnë nga koha e Jugosllavisë. Thuhet se pjesërisht kjo ndodh për shkak të emërimit të anëtarëve të paaftë të partive politike në pozita udhëheqëse të institucioneve të kulturës.

Por ka edhe akuza për përqendrimin e politikave ekzistuese kulturore në kultivimin e vlerave tradicionale të kombeve shumicë, në vend se të ofrohet hapësirë për shumëllojshmëri – pikë e përqendrimit janë ditët kombëtare, të cilat festohen me ushqim e pije tradicionale.

Mungesa e komunikimit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe autoriteteve lokale

Para disa dekadave, gjigantët e kulturës punuan dhe jetuan në Suboticë, duke përfshirë këtu aktorin Rade Sherbexhija dhe regjisorin Ljubisha Ristiq, ndërsa festivali “Omladina” shërbeu për afirmimin e të gjithë përbërësve të trashëgimisë së muzikës rock ‘n’ roll në ish-Jugosllavi.

Tani muzika që ofrohet përbëhet kryesisht prej koncerteve të Bora Drljaçës dhe Baja Mali Kninxhës – artistë të muzikës folklorike, kreativiteti i të cilëve shpeshherë flirton me kiç, e të mos flasim për ulra-nacionalizmin e të nëntëdhjetave. Rrugët tani emërohen sipas shkrimtarëve të cilët e promovuan këtë nacionalizëm, si Branislav Crnçeviq apo Matija Beçkoviq. E gjithë kjo financohet nga buxheti shtetëror.

Njëkohësisht, paratë janë kufizuar për festivale të njohura dhe institucione civile kulturore të cilat e ushqejnë kulturën bashkëkohore, ndërsa strategjia e qytetit për kulturë nuk është përcaktuar qartë për më shumë se dy vjet – detyrë kjo e autoriteteve lokale.

Dejan Vujinoviq ka punuar në sektorin kulturor të qytetit për një kohë të gjatë dhe është organizator i tri festivaleve të njohura në Suboticë. Ai tha për K2.0 se sa i përket artit, Subotica gjithmonë ishte e përzier – nuk i përkiste Beogradit apo Budapestit – dhe se artistët e qytetit gjithmonë ishin pjesë e lëvizjeve artistike më avangarde, e jo e lëvizjeve populliste.

Dejan Vujinoviq, punëtor i kahmotshëm i sektorit të kulturës, është nismëtari i idesë për bashkëpunim ndërmjet sektorit civil dhe autoriteteve të qytetit, që Subotica ta ruajë trashëgiminë kulturore. Foto: Natalija Jakovljevic.

“Gjithmonë ka pasë kryengritje – nëpërmjet arteve të bukura gjatë viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta, dhe më vonë nëpërmjet muzikës”, shpjegon Vujinoviq. Ai beson se arti në qytet tani e ka humbur aftësinë për të kritikuar. “Në 20 vitet e fundit, gjithçka disi po ‘pastrohet’ që të ‘përshtatet me rrjedhën ’e atyre që e konsumojnë”, shton ai. “Filluam të bisedojmë për kulturën si konsumerizëm, diçka që duhet të blihet, dhe artistët dikur përpiqen të gjejnë hapësirë për mbijetesë”.

Vujinoviq mendon se postet kyçe kulturore të këtij qyteti ngadalë po mbyllen dhe po zhduken për shkak të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve të qytetit dhe institucioneve kulturore. Ai tha se situata u bë e patolerueshme kur filluan shkarkimet në institucione të ndryshme, me pretekstin e të ashtuquajturit ‘racionalizim’ të buxhetit të qytetit.

Për shembull, në Fondacionin Danilo Kish tani ka mbetur vetëm drejtori dhe një menaxher i sapoemëruar i projektit, ndërsa tre persona u shkarkuan. Deri para disa viteve, ky fondacion ishte institucioni udhëheqës i kulturës dhe qendra e kreativitetit rinor për gjithë rajonin, jo vetëm për Suboticën.

“Flas për këtë me një dozë tmerri dhe ndjesi neverie për mënyrën si po e trajtojmë kulturën”, thotë Vujinoviq. “Kemi ardhur në një pikë ku personat me diploma të cilët ishin themelues të institucioneve kanë mbetur pa punë, ndërsa persona të tjerë të papërshtatshëm emërohen në pozitat e tyre”.

Ai shtoi se secili segment i buxhetit shtetëror që është i përkushtuar për kulturë shihet si potencialisht i përdorshëm, duke u përvetësuar nga ndonjë departament që ka nevojë t’i përmbushë objektivat e veta.

Nismë civile

Vujinoviq ka dorëzuar një kërkesë formale pranë Këshillit të Qytetit duke dhënë gjashtë pika për një nismë për dialog ndërmjet OJQ-ve dhe autoriteteve. Kjo nismë ishte nënshkruar nga rreth 20 organizata qytetare dhe artistë të Suboticës.

“Ne, si sektori civil në fushën e kulturës, duam të shkojmë te autoritetet e qytetit dhe të kërkojmë mundësi për të biseduar”, shpjegon ai. “[Ne duam] ta mbrojmë pozitën e kulturës bashkëkohore në këtë qytet duke gjetur zgjidhje”.

Vujinoviq zbulon se opinionet brenda këtyre 20 institucioneve civile të kulturës janë të shumëllojshme, dhe se pjesa më e madhe e tyre nuk besojnë se mund të ketë shumë ndryshime – por të gjithë duan ndryshim.

Petar Mitriq, ish-selektor i festivalit Palic European Film Festival, thotë se kultura po administrohet prej menaxherëve, ndërsa artistët po mbesin mbrapa. Foto: Natalija Jakovljevic.

Ish-selektori i festivalit Palic European Film Festival, Petar Mitriq, thotë për K2.0 se është e qartë ajo që po ndodh në politikën aktuale të kulturës në Suboticë – kultura po administrohet prej menaxherëve, komuniteteve kombëtare, shoqatave, mbrojtësve të traditave dhe partive politike. Ndërsa, ironikisht, rreziku më i madh për kulturën me sa duket mendohet të jenë vetë artistët, si dhe kuratorët, historianët e artit, kritikët, intelektualët dhe audienca.

Ai përmend si shembull Galerinë Vinko Perçiq. Kjo galeri financohet nga buxheti i qytetit. E në të parashihet që një punëtor “të pastrojë, t’i varë pikturat, t’i rregullojë kazanet e toaleteve, ta udhëheqë administratën… dhe po person të jetë edhe kurator”, thekson Mitroviq. “Kuvendi i Qytetit në mënyrë të paturpshme e ka përgjysmuar orarin e punës së Bibliotekës së Qytetit”.

Drejtoresha e Galerisë Bashkëkohore të Suboticës, Nela Tonkoviq, thotë për K2.0 se nuk ka ide për nevojën për bashkëpunim strategjik ndërmjet institucioneve të ndryshme dhe qeverisë lokale, as për përcaktimin e synimeve kyçe të zhvillimit të kulturës në qytet dhe mënyrave për realizimin e këtyre synimeve.

“Vetëm kur të zhvillohet strategjia mund të diskutojmë për nevojat kulturore, politikat e programimit, infrastrukturën, financimin… Mund ta bëjmë, po s’po e bëjmë. Dilemat nuk po diskutohen, problemet nuk po zgjidhen”, thotë Tonkovic.

Drejtoresha e Galerisë Bashkëkohore në Suboticë, Nela Tonkoviq, beson se zgjidhja është bashkëpunimi strategjik ndërmjet institucioneve dhe qeverisë lokale. Foto: Natalija Jakovljevic.

Tonkoviq thotë se Galeria Bashkëkohore e Suboticës ka marrëdhënie mjaft të mira me qeverinë lokale, veçanërisht me Sekretarin për Çështje Sociale dhe Sekretarin e Financave, por pavarësisht efikasitetit të tyre, ata nuk janë përgjegjës për të diskutuar për çështje strategjike.

“Ka një mungesë diskutimi me qeverinë lokale. Kështu ka qenë tash e disa vjet”, tha Tonkoviq. “Prandaj me të vërtetë nuk mund t’i përqendroj kritikat e mia vetëm në 18 muajt e fundit. Ato duhet t’i zgjeroj për t’i përfshirë të gjitha vitet kur është udhëhequr në mënyrë sovrane qasja “nga lart poshtë”, e bazuar vetëm në fuqi të pozitave publike, shpeshherë pa bazë reale të njohurive për çështjet në fjalë”.

Partia Progresive Serbe, me mbështetje të partnerëve të saj në koalicion, e emëroi Miroslava Babiqin si anëtare të Këshillit të Qytetit për fushën e kulturës. Babiq ka diplomuar në degën e ekonomisë dhe në CV-në e saj nuk ka referenca nga fusha e kulturës. K2.0 e kontaktoi Babiqin për të diskutuar për një mori çështjesh që lidhen me kulturën në Suboticë, por nuk mori përgjigje.

Megjithatë, anëtarja e Këshillit Josipa Ivankovic (SNS) me gjasë e përshkroi më së miri qëndrimin e autoriteteve lokale ndaj kulturës kur foli nga foltorja e asamblesë lokale në fund të prillit, duke thënë se për t’u marrë me kulturë nuk nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë arsimore.K

Foto kryesore: Natalija Jakovljevic.

KOMENTO