Në thelb | Krishtlindjet

“Dekorimi të jep jetë”

Nga - 30.12.2022

Në fshatrat Bistazhin e Pjetërshan dekorimet për fundvit nisin nga komuniteti.

Nuk ka ndonjë datë se kur nisë dekorimi i shtëpive, oborreve, shesheve e kishave për festat e fundvitit. Thjesht ndihet se ka ardhur koha. Kështu, kah fillimi i muajit nëntor, në muzg, nëpër qytetet e mëdha si Prishtina, Prizreni, Peja, Ferizaj, Gjilani, Gjakova e tek ato më të vogla si Klina apo Suhareka, sa në një cep e sa në tjetrin ndizen dritat. 

Mirëpo, një traditë e veçantë e e moçme e zbukurimit gjendet në dy fshatra pranë Gjakovës, në Bistazhin e Pjetërshan.

Rajoni i Gjakovës në atë anë ndahet me atë të Rahovecit. Ura e Fshajt, me Drinin që kalon nën të, është edhe kufiri mes dy komunave. Fill pas kësaj ure shtrihen këto dy fshatra, që mbrëmjeve të dimrit lehtë shquhen me ndriçimin e hapësirave rreth kishave dhe oborreve të tyre dhe kryqin e vënë në komunare të kishës, në 52 metra lartësi. 

Derisa në qytete, dekorimet kryesisht nisin pasi kompania të ketë fituar tenderin, në këto dy fshatra gjithçka nis nga komuniteti, në katër javët para Krishtlindjes, kohë që njihet si “Koha e Ardhjes”. 

“Në aspektin shpirtëror fetar, ne e kemi ‘Kohën e Ardhjes’, ku për katër të diela ndizet nga një qiri në shtëpi e kisha dhe bëhet lutja”, thotë Don Lush Sopi, në të 60-tat, famullitar i Bistazhinit e i pari i Kishës “Zonja Rruzare”. 

“Qirinjtë i dekorojnë dhe kemi një përgatitje shpirtërore për ardhje të Krishtlindjeve. Por, rregullimi i jashtëm ka rëndësi të madhe, ngaqë e forcon të brendshmen“, tregon Don Lush që përgjatë këtyre katër javëve lëviz me 11 famullitarë tjerë nëpër kishat e rajonit të Gjakovës për t’ua dhënë qytetarëve mundësinë e rrëfimit. “Pas një viti jo të lehtë festat ta bëjnë më të lehtë, na çlirojnë e na relaksojnë edhe psiqikisht”.

Kisha “Zonja Rruzare” në Bishtazin. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

30 vjet më parë, Don Lushi si një i ri 30-vjeçar kishte ndërmarrë një mision: të bënte diçka më ndryshe. I lindur në fshatin Binçë të Vitisë, ai misionin e famullitarit e kishte nisur në Zllakuqan të Klinës, ku kishte kaluar 18 vite. Kurse tash e tri vjet shërben në Bistazhin “ku me gjithë gojë mund të them se ky fshat e ka kishën më të bukur në vend”, thotë Don Lushi, teksa herë pas here ndërpret bisedën për t’i shërbyer besimtarët me qirinj, që i marrin për t’i ndezur në varreza atë natë në vigjilje të Krishtlindjes.

Që në vitin 1992, në Zllakuqan të Klinës në oborr të kishës ishte zbukuruar një lis i madh.

“Nga modestia nuk e kam përmend ndonjëherë, por në Kosovë, jam i pari që kam filluar me dekorimin e oborrit të kishës në Zllakuqan. Duke parë jashtë si bëhej, kemi vendosur me të rinjtë që të bëjmë edhe ne një dekorim. Sa di unë, deri atëherë nuk ka pasë askund”, tregon Don Lushi. 

Don Lush Sopi, famullitar i kishës "Zonja Rruzare" në Bistazhin, në Gjakovë, ia kishte nisur traditën e zbukurimit të kishave që në vitin 1992. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

E paparë deri atëherë, dekorimi kishte marrë vëmendjen e të gjithëve. 

“Ka qenë diçka shumë interesante. Ajo rrugë lidh Klinën me Istog, Gjurakoc dhe kalojnë shumë mjete andej. Kur e kemi rregullu atëherë, nuk ka pasë autobus që nuk është ndalë aty me dalë në fotografi dhe me shiku. Ka qenë diçka e pabesueshme deri atëherë. E kemi pasë një lis shumë të madh, i vjetër 150 vite, që e kemi dekoru. Më pas edhe kishën edhe oborrin. Ka qenë perfekt”, tregon ai.

Vullnetarët e “Zonja Rruzare”

Në krah me Don Lushin, rrinte Lekë Tuci, 46-vjeçar, udhëheqësi i punës për dekorimin e kishës dhe oborrit dhe përcillte priftin teksa fliste. 

“Unë këtu kam qenë gjithmonë. Brenda kishën gjithmonë e kemi zbukuru, prej që e mbaj veten mend. Vëllai im përshembull gjithmonë e ka rregullu Betlehemin [skenën e lindjes së Krishtit], atij askush nuk i është përzi. E në vitin 2001-2002 kemi filluar të zbukurojmë me të madhe kishën”, fillon rrëfimin ai.

Kap telefonin e tregon një grup në platformat e komunikimit, ku gjithçka nis me një mesazh.

“Ne mbledhemi shpesh, por këtu e kemi grupin dhe e lëjmë me u mbledh me ia nis. Të gjithë dalin njëherazi. Dikur ka pasë më shumë rini, por këta që janë punojmë shumë mirë”, tregon Tuci, që kishte shtëpinë disa hapa larg kishës.

Lekë Tuci, udhëheqësi i punës për dekorimin e kishës dhe oborrit në Bistazhin, thotë se tradita e shtëpizës me pije ka nisur në këtë fshat. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Banorët e atyre fshatrave, përfshirë edhe ata të besimit islam, sipas Lekë Tucit, ndalen e u sjellin pije apo diçka për të ngrënë, në shenjë respekti për punën që e bëjnë. Edhe 30 vjet më parë, sipas Don Lushit, shqiptarët myslimanë vinin pandalë në Zllakuqan, kur ishte dekoruar për herë të parë. 

Kisha “Zonja Rruzare” shtrihet në një lëndinë të mirëmbajtur në mes fshatit. E rrethuar me shtëpi në të gjitha anët, ajo ka një arkitekturë moderniste. E ndërtuar në fillim të ’70-va me projekt të arkitektit Pren Krasniqi nga fshati Nepole i Pejës. Ndikimi i arkitekturës së kohës kishte lënë gjurmë aty –– muret masive të betonit mbulohen nga gurë gjashtë-këndorë, të gjithë të gdhendur me dorë. 

“Një punëtor i ka gdhendur 3-4 gurë në ditë kur është ndërtu. Është punë kolosale”, tregon Don Lushi, të cilin asnjë kompani nuk ka arritur ta bindë se do të mund ta rregullonte pjesën e pasme të kishës ashtu që t’i ngjante me përpikëri pjesës së ndërtuar në të ‘70-tat.

E gjithë ndërtesa e kishës ishte e rrethuar me drita. Bashkë me objektin e famullisë, dritat mbulonin 1,000 metra gjatësi teksa në gjithë oborrin janë të shpërndara 1,250 palë drita.

“Për krejt këto duhen punë 25 deri 28 ditë punë. Kaq kemi bërë këtë vit ta rregullojmë”, tregon ai, që punon krahas mirëmbajtjes së varrezave për zbukurim. Ata që janë në punë u ndihmojnë pas orarit, kurse një grup punon intensivisht.

Plot vullnetarë të fshatit Bistazhin ndihmojnë në zbukurimin e kishës. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Duke u kujdesur edhe për kursimin e energjisë elektrike,, Don Lushi bashkë me komunitetin e fshatit, këtë vit kanë caktuar një orar se kur do të jenë të lëshuara dritat.

“Ne e dijmë se kemi krizë energjetike. Kështu që dritat janë lëshuar nga ora 16:30 ose 17:00 deri në ora 23:00”, tregon prifti, që ndërpritet nga Leka për të treguar një rast.

“Një natë kam kaluar rreth orës 1 të natës dhe dritat ishin të ndalura. Një automjet ishte ndalë dhe disa persona kishin hyrë në oborr. U ndala dhe i pyeta, kur më thanë se kishin ardhë për drita. U futa brenda dhe i lëshova. I bënë fotografitë dhe ikën, më pas i ndala [dritat]”, tregon Lekë Tuci.

Tri dyer të çonin brenda kishës në katin përdhesë. Leka me pasion na shtynte që ta shihnim katin e dytë. Xhamat me ngjyra atje ishin vendosur dekada më parë. Ndryshe nga kati përdhesë atje ishin të punuara me dorë dhe të vendosur me blloqe. Kur drita përthehej në ata xhama ngjante në ballinën e albumit të famshëm të Pink Floyd, “Dark Side of the Moon”.

“Ne e kemi ndërtu të parët shtëpizën [për pije]. Kemi nis me u mbledh bashkë aty, me pi çaj, kafe, çokolladë të nxehtë apo verë të nxehtë. I shesim lirë dhe të ardhurat i përdorim për kishë, për shembull me i ble dritat”, tregon Tuci.

Brenda kishës atë ditë po punohej, pasi në mbrëmje do të prisnin mbi 400 besimtarë për Krishtlindje. Një motër nderi dhe një vullnetar përkujdeseshin që gjithçka të vihej në vijë.

Një motër nderi në kishën "Zonja Rruzare" duke u përgatitur për kremtimin e Krishtlindjes. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Vijat e bardha të tavanit të kishës në formë rrethi takohen me dritaret me piktura shumëngjyrëshe, që edhe dritën nga jashtë e kthenin në ngjyra. Anash ulëseve bojëkafe ndodheshin dy ballkone për besimtarë e korin e kishës. 

“Papa Gjon Pali i II-të, Padre Pio i shenjtë mrekullibërës, Zonja Rruzare që mban emrin edhe kisha, Nënë Tereza, pasohen nga katër apostujt: Mateo, Marko, Luka dhe Gjoni”, i tregonte me gisht Don Lushi secilin prej tyre të shtrirë në vitrazhe.

Don Lushi qëndron para vitrazheve. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

“A e shihni se si Krishti në këtë statujë e ka plagën nën gjoks. Eh shihne tash në vitrazhe atje te Krishti se si e ka vrimën në të njëjtin vend. Aty ka goditur një plumb gjatë luftës së fundit”, tregon Don Lushi, që tash po e bën gati edhe një pllakë që e sqaron këtë vrimë në vitrazh.

Kisha që mori vëmendje përtej kufijve

Mes rrugësh të ngushta, rreth 6.5 kilometra larg Bistazhinit është fshati Pjetershan. Ka pak medie shqipfolëse që nuk kanë dërguar një ekip apo nuk kanë botuar ndonjë lajm për këtë fshat. Fshati ka rënë në sy për rregullimin e kishës dhe oborrit.

Një shtëpi e zbukuruar në mes fshatrave të Bistazhinit dhe Pjetërshanit. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Në Pjetërshan, rrugës një shtëpi e madhe i bënte konkurrencë hënës që në qiell të hapur shihej qartë. E gjithë shtëpia ndriçohej nga dritat. Pishat e ndezura e lidhnin atë me rrugën kryesore po ashtu të ndriçuar e në oborrin e saj të madh ishin shpërndarë edhe kaproj ndriçues. Roletat e mbyllura ishin ogur se në shtëpi nuk ka njeri për momentin. Roletat e mbyllura ishin pamje e zakonshme që shihej në çdo të dytën shtëpi e që tregonte se numër i madh mërgimtarësh vinin nga këto fshatra.

Afër Pjetërshanit mund të vërehej fuqia e dritave të bëra bashkë në kishën “Shën Jozefi Punëtor”. Rruga e drejtë nga qendra e fshatit që kalonte afër shkollës të shpinte tek kisha. Në hyrje ishte formuar një tunel dritash. Trupat e blirëve ishin plot drita, pishat gjithashtu. Në anën e majtë të hyrjes ishte rregulluar skena e ardhjes së Krishtit në jetë. Pak më poshtë, në një shtëpizë, shiteshin pije të ngrohta.

Kisha e oborri i zbukuruar në Pjetërshan. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Një motër nderi po rregullonte detajet e fundit, teksa në ambientet e famullisë na priste famulltari Don Marjan Uka, 39-vjeçar. Ai kishte rrugëtuar nga Stublla e Vitisë në Klinë, Prizren, Budisalc e në fund, prej 2017, ishte vendosur në Pjetërshan.

“Dekorimet në ambient të kishës dhe oborr kanë filluar në 2008-2009 në një standard të mirë. Nga 2017-a kemi bërë një ndryshim ma të madh, sepse i kemi stërmbush dhe stolisë blinat, pishat… dhe nga 2018-2019 Pjetërshani ka filluar me marrë një hov shumë të madh, jo vetëm nga [vizitorët nga] Kosova”, tregon Don Marjani.

Don Marjan Ukaj, famullitar i kishës "Shën Jozefi Punëtor" në Pjetërshan, Gjakovë.

Vrulli i shpërndarjes së fotografive nga ky vend në rrjete sociale ka bërë që Pjetërshani të jetë destinacion dhjetori për mijëra vizitorë. Por, puna fillon shumë më herët.

“Me të tregu të drejtën, ne menjëherë në janar nisim të flasim. Janë diku 50 vullnetarë, që në gusht e shtator nisin përgatitjet intensivisht. Më pas puna bëhet për tri javë”, tregon prifti i ri, të cilit intervistat nuk i ndahen në kohë festash. 

Askush nuk kishte pritur që Pejtërshani të bëhet vend turistik dimëror, sepse gjithçka kishte filluar si nismë e komunitetit.

“Ne nuk e kemi pritë, sepse nuk e kemi ditur se në çfarë valle jemi duke hyrë. Tash përgjegjësia është edhe më e madhe, ngaqë gjithmonë pretendohet për më lartë. Nuk ka qenë qëllimi yni që ne të bëjmë që të tërheqim njerëz, por e kemi zbukuruar për bashkësinë”, thoshte Don Marjani, që ngulmonte ta quante dekor të Krishtlindjeve, në frymën që festa e Vitit të Ri përfiton nga rasti. 

Oborri i zbukuruar i kishës "Shën Jozefi Punëtor" në Pjetërshan.

Në vitin 2021, mediumi Euronews e kishte krahasuar zbukurimin e Pjetershanit me Washingtonin dhe Moskën, si vendet më bukur të rregulluara për Krishtlindje.

“Ishte diçka e jashtëzakonshme, është një krenari. Është me të dhimtë shpirti, sepse kur krahasohet diçka e tillë, duhet edhe shteti me u çu në këmbë dhe me kontribu që kjo gjë të bëhet më e bukur”, thotë ai, që në mendje ka një plan se çka duhet bërë. 

“Le të investohet për tregun e Krishtlindjeve. Unë kam një plan që e gjithë rruga nga shkolla e deri këtu të bëhet treg. Janë 700 metra në të cilat do të shitej nga fshatarët pije, ushqim e gjëra tjera. Por këtë ne nuk mund ta bëjmë vetë”, thotë Don Marjani teksa tregon se me forcat e veta kanë vënë 1,000 palë drita nëpër blinj e 1,200 metra nëpër pisha e hapësira tjera.

Betlehemi tek kisha "Shën Jozefi Punëtor" në Pjetërshan, Gjakovë. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Sikur në Bistazhin, edhe në Pjetërshan, besimtarët japin para për këto zbukurime. Shitja nëpër shtëpiza ua ndihmon paksa. Përmes shitjeve, ata nxjerrin një numër të përafërt të vizitorëve. Si njësi matëse për numrin e vizitorëve e përdorin numrin e gotave të shfrytëzuara. Përmes këtij numri tregojnë se në periudhën 2020-2021 ka pasur mbi 20,000 vizita, teksa deri në Krishtlindje të 2022 kanë qenë mbi 13,000 vizita.

Fatura e energjisë elektrike në këtë periudhë është më e lartë. Edhe Pjetërshani i ka lëshuar dritat me një orar më të shkurtuar për shkak të krizës energjetike, mirëpo edhe dritat që i blejnë tentojnë t’i marrin efiçiente. Por, dëmtimet e dritave janë diçka të cilën nuk mund ta minimizojnë shumë ngaqë të reshurat dhe cilësia jo e mirë e tyre jo e bëjnë të veten.

“Ne gjithmonë blejmë diçka kualitative, sikur dritat që i kemi rregulluar me poça, që janë efiçientë dhe me kabëll të fortë. Por, dritat e vogla nuk i mbijetojnë sezonës, nga 1000 palë, kur hiqen në fund shpëtojnë diku 200 palë. Megjithatë, investimet më të mira na zvogëlojnë buxhetin për vitin e ardhshëm”, shpjegon planifikimin Don Marjan Uka, që si kosto totale në këtë vit kanë pasur 6,500 euro.

Në të dy kishat pishat brenda ambientit ishin të marra nga mali, sipas Don Lushit, gjithmonë me leje nga autoritetet pyjore për t’i prerë.

Kisha e oborri i zbukuruar në Pjetërshan, Gjakovë. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Gjakova pas fshatrave

Pak kilometra më tej, qyteti me të cilin mbahen këto fshatra, Gjakova nuk e kishte lënë pas zbukurimin. Pjesa e parkut qendror të qytetit, përpara Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, ishte shndërruar në shesh feste.

Një “2023” i madh me drita të paralajmëronte se po shijonim ditët e fundit të 2022-tës. Një pishë e madhe shkëlqente e rrethuar me shtëpiza. 

Mes dritash shquheshin silueta njerëzish që ecnin, fotografoheshin e merrnin ndonjë pije të ngrohtë te shtëpizat. Vinte aromë feste. Të gjitha këto zbukurime Komuna e Gjakovës i ka bërë me një kompani private përmes një kontrate me vlerë rreth 29,000 euro.

Adhurim Haraqija, nga kjo kompani e që vjen nga Gjakova, bashkë me ekipin e komunës e kishin përgatitur projektin.

“Ne kemi punuar që të sjellim me anë të dekorimit edhe një atmosferë më të bukur festive. Megjithatë, një rëndësi të veçantë i kemi dhënë strukturave të hekurta, që ato të jenë stabile dhe të sigurta, sepse fëmijët do të jenë rreth e rrotull gjithandej”, tregon Haraqija, që kujdeset edhe për mirëmbajtje.

Në Gjakovë e qytete tjera, zbukurimet e qytetit për fundvit kryhen nga kompani private. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Ai ka punuar në zbukurim të Gjakovës edhe më parë, tash ka zbukuruar edhe Pejën dhe disa struktura zbukuruese i ka dërguar edhe në Bajram Curr të Shqipërisë.

Të gërmosh nëpër kontrata publike sheh që qytetet kanë shpenzuar shumë më shumë në kontrata dekorimesh për fundvit se sa Bistazhini e Pjetërshani. Prizreni ka dhënë mbi 36,000 euro, Podujeva mbi 19,000 euro e Drenasi afro 10,000 euro. 

Disa më shumë e disa më pak, siç thoshte edhe Don Lushi, “jo secila kishë ka buxhet të njëjtë, dikush dekoron më shumë – dikush më pak. Por mjafton ta bëjë sepse të jep jetë dhe të qetëson dekorimi”.

Në Pjetërshan e në Bistazhin, dritat dhe dekorimet tjera qëndrojnë deri më së largu më 6 janar, për t’u rikthyer plot ndriçim e gjallëri fundvitin e ardhshëm.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0