Në thelb | Amësia

Depresioni i patrajtuar i paslindjes

Nga - 12.12.2020

Prej Baby Blues në psikozë: efektet e rënda të amësisë.

Para dy vitesh, Blerina Lila e priste lindjen e fëmijës së parë me një grumbull emocionesh të përziera e të fuqishme, ashtu siç ndodh rëndom në situata të tilla. Ajo ndihej e ngazëllyer dhe e gëzuar, por edhe e frikësuar.

Kur shtatzënia dhe lindja e vajzës kaluan lehtësisht, çlirimi dhe lehtësia zotëruan mbi shqetësimin dhe sikletin. Por kjo zgjati pak ditë.

Disa ditë pasi u bë nënë, filloi të ndihej e pafuqishme dhe e pashpresë. Humori i luhatej vazhdimisht. Ndihej e largët me këdo dhe çkado që i kishte dhënë kënaqësi deri atëherë – madje edhe me beben e sapolindur. As nata nuk bëhej më e mirë, ku pagjumësia dhe ankthi zinin vendin e gjumit.

“Kam qarë çdo ditë. Më dukej se askush nuk po më mirëkupton”, thotë Blerina.

Shëndeti mendor i pafolur i nënave

Gruaja 30-vjeçare nga Prishtina punon si pedagoge në SOS fshatin e Kosovës, dhe udhëheq një çerdhe private në Prishtinë. Puna me fëmijë dhe prindër e ka takuar me përvoja dhe përjetime të ndryshme. Edhe vetë gjatë shtatzënisë ka lexuar me qëlllimin për t’u informuar më shumë për dinamikat e ndryshme që do të bëheshin pjesë e jetës së saj prej çastit të lindjes. Megjithatë, gjendja e re ishte prapëseprapë tejet e papritur për të. 

“Fatmirësisht që jam pak e kësaj fushe dhe kam lexuar, por nuk ma ka marrë mendja që kam me u prekë aq shumë, sa të mendoj se më mirë është mos ta kisha lindë fëmijën”, thotë Blerina.

Sot Blerina tregon se si ka lënë pas përballjen me atë që njhet si depresion pas lindjes. Gjendja serioze që prek gratë disa ditë apo javë pas lindjes, me simptomat si të Blerinës, përkon shumë me depresionin e zakonshëm dhe atë kronik por megjithatë ka disa faktorë që bëjnë dallimin mes tyre. 

Ndryshimet kimike përfshijnë një rënie të shpejtë të hormoneve pas lindjes. Lidhja aktuale midis kësaj rënieje dhe depresionit nuk është ende e qartë. Por ajo që dihet është se nivelet e estrogjenit dhe progesteronit, hormonet riprodhuese të grave, rriten dhjetëfish gjatë shtatzënisë. Pastaj bien ndjeshëm dhe papritmas pas lindjes, dhe në kombinim me ndryshimet e zakonshme sociale dhe psikologjike të lindjes, krijojnë të gjitha kushtet për bazën e depresionit.

Blerina Lila nuk e kishte imagjinuar që depresioni pas lindjes do ta rëndonte aq shumë, me gjithë informatat që kishte për të. Foto: Uran Krasniqi.

Edhe pse hulumtimet sugjerojnë se një në shtatë gra vuan nga ndonjë formë depresioni pas lindjes — ashtu siç ndodh me shëndetin mendor në përgjithësi, të folurit për të kryesisht mbetet tabu, të paktën në Kosovë. 

Gjatë realizimit të këtij hulumtimi K2.0 ka takuar 10 gra që kanë qenë ose janë të prekura nga depresioni i paslindjes, por vetëm gjysma e tyre kanë pranuar të intervistohen me kërkesën që të mos u publikohet identiteti. Gjatë ballafaqimit me depresion ato shpesh nuk kanë hasur në mirëkuptim e mbështetje nga bashkëshorti dhe familja e tij, gjë që përveç frikës prej ndonjë paragjykimi, ka ndikuar vendimin e tyre për të mos zbuluar emrin.

Jo rrallë, punonjësit shëndetësorë mbesin të vetmit që kuptojnë simptomat që manifestohen me ndryshime komplekse fizike dhe të sjelljes.

Shukrie Statovci, psikiatre në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë se depresioni i paslindjes zakonisht shfaqet në katër javët e para të lehonisë, me shenjat e ngjashme si të Blerinës: pagjumësi, mbyllje në vetvete, shpërqendrim, ndjenja për të qarë, mungesë apetiti.

Hulumtimet tregojnë se si depresioni pas lindjes shfaqet në tri forma, me simptoma herë dalluese e herë identike, dhe me intensitet dhe kohëzgjatje të ndryshme. 

Shumica e nënave të reja përjetojnë Baby Blues, që fillon zakonisht dy deri tri ditë pas lindjes dhe mund të zgjasë deri në dy javë. Baby Blues karakterizohet si depresion i butë dhe shpërfaqet në formë të trishtimit, melankolisë, ankthit dhe problemeve me gjumë.

Por në raste tjera, disa nëna përjetojnë forma më të gjata dhe intensive depresioni — që ka përcaktuar edhe termin ‘depresion i paslindjes’ — që zhvillohet brenda disa javësh pas lindjes por mund të fillojë edhe më herët ose gjatë shtatzënisë dhe zgjat deri në një vit, e ndonjëherë edhe me vite të tëra.

“Gjatë gjithë kohës kam qajtë, thojsha 'A jam mirë? Unë s’kokna normal.'”

Ndërsa në raste të rralla, gratë pas lindjes mund të përballen me psikozë, gjendje që zhvillohet brenda javës së parë pas lindjes dhe manifestohet me simptoma që kërkojnë trajtim emergjent: huti dhe çorientim, mendime obsesive dhe paranojë, halucinacione dhe agjitacion, dhe përpjekje për ta lënduar veten dhe foshnjën.

Mirjeta* 34 vjeçe nga Kamenica bën pjesë në kategorinë e dytë, atë të depresionit të përgjithshëm pas lindjes, por nganjëherë simptomat i janë rënduar sikur në rastet e psikozës.

“Gjatë gjithë kohës kam qajtë, thojsha ‘A jam mirë? Unë s’kokna normal’”, thotë ajo.

Ajo shpjegon se si disa javë pas lindjes në vitin 2016 vazhdimisht e ka pasur ndjenjën se nuk e do të bijën e posalindur dhe se do t’i bëjë keq asaj; kjo i ka shkakuar ankth sa herë që ka mbetur vetëm me fëmijën në shtëpi.

“Ato ditë kanë qenë të tmerrshme. Ka pasë rast që kam dashtë të bëj vetëvrasje, veç të mos i kem këto mendime se do t’i bëj keq vajzës”, thotë ajo. “Thojsha si ka mundësi që një nëne me i shku mendja ashtu”.

Pa humbur kohë ka vizituar psikiatrin. Varësisht prej intensitetit të simptomave, psikologët dhe psikiatrët janë ata që e trajtojnë depresionin e paslindjes me psikoterapi, ilaçe, ose të dyja si në rastin e Mirjetës. 

“Gjinekologu asnjëherë nuk e ka përmend, as nuk e ka diskutu kurrë këtë temë.”

Në filim asaj i janë përshkruar seanca psikologjike, meqenëse terapia me antidepresantë do të ishte e dëmshme për fëmijën për shkak të ushqyerjes me gji. Shenjat e para të përmirësimit i vërejti vetëm pas një viti, kur pas ndaljes së gjidhënies e filloi terapinë me antidepresantë. 

Edhe pse kanë kaluar katër vite që kur është diagnostikuar, ajo thotë se depresioni i paslindjes e ka lënë me pasoja për shkak se kur i bie në vesh ndonjë lajm i keq, si ndonjë vrasje në qytet, i rikthehen simptomat dhe rifillon terapinë derisa të përmirësohet.

Mirjeta, që u bë nënë pas shtatë viteve përpjekje, thotë se nuk ka pasur njohuri për depresionin e paslindjes. Vetëm njëherë ia kishte përmendur këtë një shoqe me të cilën punon në një institucion shtetëror në Gjilan.

“Gjinekologu asnjëherë nuk e ka përmend, as nuk e ka diskutu kurrë këtë temë”, thotë ajo.

Larg kujdesit shëndetësor

Gjinekologët në të vërtetë mund të kenë rol të jashtëzakonshëm në diagnostikimin e depresionit të paslindjes dhe të jenë dora e parë ndihmuese ndaj grave. Por brenda sistemit shëndetësor të koklavitur dhe të neglizhuar të Kosovës është vështirë të caktohet fajtori kryesor.

Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës së Mamive dhe mami në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së, thotë se duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi rolit të mamive në parandalimin e depresionit. 

“Për ta menaxhuar depresionin e paslindjes duhet të ketë një bashkëpunim mes familjes, mamisë dhe psikologut”, thotë ajo. “Mamia përveç që është profesioniste, ajo bëhet shoqe e gruas duke dëgjuar shqetësimet dhe angazhimi i saj ka ndikim të madh në lehtësimin e gjendjes”.

"Aktualisht i mbuloj edhe pacientet e neonatologjisë dhe ka nevojë për më shumë psikologë.”

Brikena Krasniqi-Hoti, psikologe në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të QKUK-së

institucionet publike shëndetësore nuk i kushtojnë rëndësi aspektit psikologjik të grave shtatzëna ose pas lindjes më së miri e tregon fakti se në asnjë nga shtatë spitalet rajonale të Kosovës nuk ka psikologë në repartet e gjinekologjisë. Ndërkaq, vetëm në vitin 2019 në këto spitale ka pasur 11,730 lindje.

Ndërsa në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të QKUK-së që nga tetori i vitit 2018 për herë të parë është punësuar një psikologe, Brikena Krasniqi-Hoti, për të ofruar shërbime psikologjike. Por duke marrë parasysh se është e vetmja psikologe aty, numri i grave që mund të marrin shërbime nga ajo është i vogël. Në këtë klinikë në vitin 2019 ka pasur 9,461 lindje. 

“Klinika është shumë e madhe, janë 12 reparte. Aktualisht i mbuloj edhe pacientet e neonatologjisë dhe ka nevojë për më shumë psikologë”, thotë Krasniqi-Hoti.

Ajo thotë se i trajton kryesisht gratë që kanë pasur lindje të komplikuar, që e kanë foshnjën në gjendje jo të mirë pas lindjes dhe janë të shqetësuara. Por ky shërbim përfundon kur gratë përfundojnë trajtimin gjinekologjik në klinikë. Edhe nëse ndonjëra prej tyre mund të shfaqë simptoma të depresionit, pasi lirohet nga spitali nuk kontaktohet apo përcjellet gjendja e saj.

Krasniqi-Hoti thotë se kujdesi psikologjik për gratë para dhe pas lindjes mund të mundësohet përmes hapjes së një qendre të veçantë mjekësore. Aktualisht, kur në gjinekologji vlerësojnë se gjendja e disa grave nuk është e mirë sa i përket shëndetit mendor, ato rekomandohen të shkojnë për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë.

Brikena Krasniqi-Hoti është psikologja e parë dhe e vetme deri tani në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të QKUK-së. Foto: Uran Krasniqi.

“Qëllimi është të bëhet një ambulancë për këshillim psikologjik, jo vetëm për gratë që janë të shtrira në klinikë, por edhe për ato që dalin dhe vërejnë se kanë probleme”, thotë ajo. “Në këtë mënyrë të mos kenë nevojë të shkojnë në psikiatri, por të vijnë këtu”.

Ajo shpjegon se si tranzicionet e shumta nëpër të cilat kalojnë gratë — prej menstruacionit të parë, lindjes, e deri te periudha e menopauzës — si dhe problemet e shpeshta shëndetësore gjinekologjike të cilat shoqërohen me ndryshime hormonale e bëjnë të domosdoshme këshillimin psikologjik.

“Prandaj, në një klinikë të madhe siç është Klinika e Gjinekologjisë, e cila trajton me qindra paciente brenda ditës, është tejet e nevojshme prezenca e psikologut klinik, ku krahas kujdesit për shëndetin e tyre fizik, ofrohet mundësia edhe për identifikimin dhe trajtimin e problemeve të ndryshme emocionale apo çrregullimeve psikologjike të mundshme”, thotë ajo.

Në Klinikën e Gjinekologjisë nuk kanë të dhëna se sa gra i kanë rekomanduar për në psikiatri, e as në këtë të fundit nuk e dinë se sa gra i kanë pranuar. Asnjëra nga këto nuk mbajnë të dhëna të tilla sepse nuk kanë bashkëpunim formal mes vete në identifikimin dhe trajtimin e grave që shtrihen në Klinikën e Gjinekologjisë dhe që kanë nevojë për trajtim psikiatrik.

“Prej 10 nënave që kanë marrë pjesë në një klasë, tri ndoshta kanë pasur informacione për depresionin e paslindjes.”

Laberie Çarreti, Action for Mothers and Children

Ndonëse drejtori i kësaj klinike Jakup Ismajli e sheh si të domosdoshme që secilës shtatzënë t’i sigurohet këshillimi për ndryshimet që e presin gjatë dhe pas shtatzënisë, ai thotë se në klinikën që e udhëheq nuk jepet asnjë informacion i tillë, as në formë të ndonjë materiali.

Por atë që nuk po e bëjnë institucionet shëndetësore publike ka filluar ta bëjë organizata “Action for Mothers and Children – AMC Health”. Kjo organizatë që nga vitit 2015 organizon klasa informuese për gratë lidhur me procesin e shtatzënisë, ndërsa prej vitit 2017 e kanë përfshirë edhe temën e depresionit të paslindjes.

Laberie Çarreti, koordinatore e projekteve në këtë organizatë, thotë se në 12 qytete të vendit i kanë hapur qendrat ku deri para pandemisë kanë mbajtur dy herë në javë ligjërata për gratë shtatzëna. Në këto klasa që janë të vendosura brenda qendrave të mjekësisë familjare dhe në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, mund të marrin pjesë edhe bashkëshortët e tyre.

Laberie Çarreti thotë që organizata ku ajo punon, “Action for Mothers and Children – AMC Health”, po përpiqet të sigurojë qasje në informacion për depresion të paslindjes. Foto: Uran Krasniqi.

Çarreti thotë se përveç informacioneve për depresionin e paslindjes, gjatë ligjëratave gratë mësojnë për ndryshimet normale që ndodhin gjatë shtatzënisë, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurit, mënyrat e ushqimit si dhe aktivitetet fizike gjatë shtatzënisë.

“Prej 10 nënave që kanë marrë pjesë në një klasë, tri ndoshta kanë pasur informacione për depresionin e paslindjes”, thotë ajo.

Më tej shpjegon se kur gratë të kuptojnë më shumë për depresionin pas lindjes, do ta kenë më lehtë të kërkojnë ndihmë në momentin që ato nuk ndihen mirë, dhe që organizata ku ajo punon e mundëson këtë edhe përmes telefonit.

Shërbimet e papërballueshme

Ndërkaq kur gratë tentojnë të bëjnë zgjidhje vetë duke trokitur në ordinancat private të psikologëve dhe psikiatërve, del të jetë kosto e papërballueshme jo vetëm për ato që janë pa punë, por edhe për gratë me rrogë mesatare të Kosovës. Në një rast një grua i ka thënë K2.0 se i janë kërkuar 40 euro për një seancë psikologjike. 

Për të vërtetuar çmimet që ordinancat e psikologëve kanë për një seancë, K2.0 ka telefonuar disa prej tyre, duke pretenduar se i duhet ky shërbim për shkak të depresionit të paslindjes.

“Nuk është aspak etike që për një seancë psikologjike [ku përfshihet këshillimi psikologjik] të merret shuma deri në 50 euro."

Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës

Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive për një seancë 40-minutëshe ka vendosur çmimin prej 15 deri në 30 euro varësisht se me cilin psikolog kërkon të konsultohesh. Në ordinancën “Empatia” një seancë 45-minutëshe kushton 30 euro. Ordinanca “Agani” për një seancë që zgjat një orë e ka çmimin 20 euro, përveç te psikiatri Ferid Agani ku kushton 30 euro dhe nuk përcaktohet kohëzgjatja e vizitës. Ndërsa një seancë 45-minutëshe te psikologia Mimoza Shahini kushton 30 euro.

Brikena Krasniqi-Hoti duke u bazuar në përvojën e deritanishme thotë se për një grua me depresion të paslindjes që është në fazën e hershme nevojiten rreth 10-12 seanca. Por në rastet kur depresioni është i shkallës së rëndë, ajo thotë se mund të nevojiten rreth gjashtë muaj ose më shumë seanca psikoterapike.

Lidhur me çmimet që i kanë përcaktuar ordinancat psikiatrike, kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, thotë se duhet të bëhet një standardizim i çmimit për seancat psikologjike. Ai thotë se vendosja e çmimeve të ndryshme po ndodh edhe për faktin se nuk ka Odë të Psikologëve.

“Nuk është aspak etike që për një seancë psikologjike [ku përfshihet këshillimi psikologjik] të merret shuma deri në 50 euro. Kjo është jashtë çdo norme. Për një seancë psikologjike çmimi duhet të jetë 20 euro”, thotë Havolli.

Kontakti i zymtë i parë

Editës* nuk i kishte rastisur të dëgjojë ndonjëherë për depresionin pas lindjes derisa filloi të lexonte për të qëllimisht.

Një muaj pas lindjes së fëmijës së dytë ajo kishte filluar të mos ndihet mirë, e pas shtatë muajve gjendja iu përkeqësua edhe më shumë. Kërkimi i një shpjegimi për simptomat që i vuante e dërgoi te depresioni pas lindjes. Ajo thotë se në lindjen e parë nuk ishte ballafaquar me këtë situatë. 

“Nëntë muaj kam pritë për atë moment që ta përjetoj, por m’kanë poshtëru."

Dhjetë muaj pas lindjes ajo vazhdon të përballet me shumë vështirësi: ka humbur para kohe qumështin e gjirit, raporti me fëmijën e parë trevjeçar i është ftohur, dhe ndihet e pafuqishme të kujdeset për ta.

“Po m’duket sikur ka mbaru jeta për mu. Çkado që të boj po më duket keq. Djali m’duket ka me mbushë një vit edhe nuk ka me m’kalu kjo gjendje”, thotë ajo. “E çikës, nganjëherë nuk jam në gjendje m’i kthy përgjigje. Detyrohem shumë shpesh me ia bo rrafsh. Ma shpesh i them çikës ‘Mos fol shumë, sesa që ulem me fol me të’”.

Psikologia Brikena Krasniqi-Hoti thotë se nënat me depresion të paslindjes e kanë ndjenjën e fajit se nuk janë mjaftueshëm të mira.

“Kjo ndikon që ato të mos kenë gjumë të rregullt, ushqyerje të rregullt dhe kjo kthehet në një gjendje shumë të lodhur për ato, e që ndikon edhe në sasinë e qumështit të gjirit dhe kualitetin e tij”, thotë Krasniqi-Hoti. 

Vetë Edita është e bindur që shëndeti i saj mendor është keqësuar që nga ditët e qëndrimit në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së.

“Nëntë muaj kam pritë për atë moment që ta përjetoj, por m’kanë poshtëru. Ma bojshin: ‘Ta ka kojtë që e ke bo me burrë tash duhesh me e bo vetë fëmijën, s’kena çka me të bo na”, thotë ajo. 

Edita thotë se përvoja e saj në QKUK është përplot përbuzje dhe pakujdesi, që i ka lënë pasoja në shëndetin mendor.

“Mjekja më ka pa që kam fillu pak me bërtitë dhe m’u derdh uji, por ajo ka dalë për kafe. Nëntë muaj e kam pagu edhe një ditë para se me lindë unë, burri ia ka dhanë 50 euro që m’u kujdesë për mu. Pas kafes ka ardhë masi e kom lindë djalin, më tha: ‘Edita, a linde a?'”, thotë ajo. 

K2.0 ka kërkuar të dhëna nga Policia e Kosovës nëse kanë evidentuar raste të ryshfetit në QKUK, përkatësisht në Klinikën e Gjinekologjisë, por nga policia kanë thënë se nuk bëjnë kategorizime të tilla sa u përket institucioneve.

Drejtori i Klinikës Jakup Ismajli, i cili udhëheq me këtë klinikë në dy vitet e fundit, thotë se sjellja të tilla nuk bëhen në këtë klinikë nga stafi mjekësor, dhe se ai nuk ka marrë ankesa nga pacientet për trajtim të keq.

Jakup Ismajli, drejtor i i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, thotë se grave duhet t’u sigurohet këshillimi për ndryshimet që mund t’i presin pas shtatzënisë, ndonëse klinika që ai drejton nuk ofron një gjë të tillë. Foto: Uran Krasniqi.

Por në vazhdimësi ndër vite ka pasur raportime për trajtime jo të mira të pacienteve pikërisht në këtë klinikë. Një rast i njohur i neglizhencës ishte ai i vitit 2017 kur një grua kishte lindur foshnjën në korridor të klinikës. Ajo kishte deklaruar se kjo ka ndodhur pasi që është neglizhuar nga stafi mjekësor. Gjatë lindjes foshnja kishte lënduar kokën duke pësuar gjakrrjedhje në cipën e trurit. 

Në lidhje me ankesat e pacientëve në QKUK, K2.0 ka kontaktuar edhe Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë. Nga kjo shoqatë kanë thënë se gjatë periudhës 2015-2017 derisa e kanë pasur zyrën në QKUK kanë pranuar disa ankesa sa i përket trajtimit jo të duhur në Klinikën Gjinekologjike, por që nga viti 2017 e deri më tash nuk kanë asnjë. 

Por Shoqata nuk ka ofruar detaje lidhur me numrin e ankesave dhe si kanë vepruar me to, me arsyetimin se ankesat janë të arkivuara dhe nuk kanë staf që mund të merret me këtë çështje.

Brikena Kransiqi–Hoti thotë se sjelljet e personave që kanë kontakt me shtatzënat kanë ndikim të madh në gjendjen emocionale, sidomos tek ato që janë më të ndjeshme.

“Varet shumë nëse kemi sjellje të ngrohtë miqësore qoftë nga stafi shëndetësor apo nga partneri dhe familja pasi kanë ndikim të jashtëzakonshëm”, thotë ajo. 

Mes stigmës dhe shëndetit të rëndë mendor

Me të gjithë rëndësinë që e kanë punonjësit shëndetësorë, janë të afërmit — e në veçanti bashkëshorti — përkrahja e të cilëve mund të luajë rol vendimtar që gratë ta kalojnë më shpejt depresionin pas lindjes, sipas ekspertëve të shëndetit mendor.

Por shumica e grave që janë intervistuar nga K2.0 rrëfejnë se në vend të përkrahjes kanë hasur në stigmatizim dhe mospërfillje.

“Duhet me u rujtë prej tjerëve që mos me ditë që jam me depresion se është marre."

Edita thotë se është lënë e vetme gjatë përballjes me depresionin e paslindjes ndonëse jeton në një familje të madhe. Ajo jeton me bashkëshortin, dy fëmijët, prindërit e bashkëshortit dhe kunatën.

Pavarësisht gjendjes së saj dukshëm të rëndë mendore, prej asaj përsëri kërkohet të kryejë detyrimet e pritura brenda roleve të përcaktuara tradicionale brenda shtëpisë: të kujdeset për punët e shtëpisë dhe për mysafirët.

“Duhet me u rujtë prej tjerëve që mos me ditë që jam me depresion se është marre. Edhe nëse ndihesh keq, duhet me qeshë para tjerëve. Kjo më bën të ndihem edhe më keq”, thotë ajo.

Ajo thotë se bashkëshorti dhe familja e tij e kanë gjykuar vazhdimisht si person të dobët, duke ia humbur edhe më shumë vetëbesimin dhe pamundësuar përballjen me depresionin.

“Prej që e kam lindë djalin, çdo person u mundu me ma dëshmu që unë jam budallë, ose s’duhet me folë për gjendjen time”, thotë Edita. “E vetmja e drejtë që kam, është me qeshë, me i këqyrë fëmijët dhe me vazhdu jetën”.

Gratë me depresion të paslindjes përballen me stigmatizim prej vetë familjeve të tyre. Foto: Uran Krasniqi.

Profesoresha e sociologjisë Linda Gusia thotë se pritjet e shoqërisë kosovare ndaj një gruaje që është bërë nënë janë në vetvete presion, pasi që nga ato pritet që të jenë ideale, të kujdesen mirë për fëmijët, shtëpinë, burrin, ta kthejnë trupin në gjendje si para shtatzënisë, dhe të jenë të suksesshme në punë.

“Kur dikush ka një sëmundje tjetër, shoqëria mobilizohet ta ndihmojë, por te shëndeti mendor, sidomos te depresioni i paslindjes, ekziston një tendencë e stigmatizimit, e që nuk ndihmon aspak në shërimin e atij personi”, shton ajo.

Ndërkohë Mirjetës progresi që bënte përmes seancave psikologjike i shkonte huq, për shkak të ambientit të papërshtatshëm familjar.

“Çka është më e keqja, as bashkëshorti nuk më ka kuptu. Ai e ka ditë që po shkoj te psikologu, por nuk është ulë asnjëherë me bisedu me mu për gjendjen time”, thotë ajo. “Bile edhe nëna gjithë kohën më thojke: ‘Je çu peshë prej të mirave, ta fali Zoti çikën, e ki punën’”.

“Njëra nga pacientet më ka treguar se kanë qenë maltretuese ‘seancat’ me hoxhën, ka qarë dhe ai i ka thënë se je bërë nënë dhe duhet të kujdesesh për foshnjën.”

Shukrie Statovci, psikiatre në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK

Laberie Çarreti nga organizata “AMC Health” thotë se duke u bazuar edhe nga përvoja e aktiviteteve të deritanishme, ndihet nevojë e madhe të dihet më shumë për depresionin e paslindjes në mënyrë që të kuptohet se ky lloj i depresionit nuk është zgjedhje e nënës, por “ndjenjë që vjen vetvetiu për shkak të shumë faktorëve”.

“Ka pasur raste që në fshatra na kanë thënë se ky depresion është prej ‘lazdrimllëkut’ pasi që gjyshet tona i kanë lindur nga 6-7 fëmijë dhe nuk kanë pasur probleme të tilla, e as nuk e kanë ditur çka është depresioni”, tregon Çarreti.

Profesionistet shëndetësore tregojnë se ka pasur edhe prej të tilla rasteve kur trajtimi është vonuar, me të gjithë vullnetin e familjarëve për të ndihmuar, si pasojë e besëtytnive. Për shembull, ndonjëherë gjendja e grave është përkeqësuar sepse fillimisht ishin dërguar te persona që nuk e kanë ekspertizë shëndetësine për metoda jo-shkencore si shkrimi i hajmalive.

“Njëra nga pacientet më ka treguar se kanë qenë maltretuese ‘seancat’ me hoxhën, sepse ka qenë e padisponuar, ka qarë dhe ai i ka thënë se je bërë nënë dhe duhet të kujdesesh për foshnjën”, thotë psikiatrja Shukrie Statovci. “Në këtë mënyrë vetëm sa e ka bërë të ndihet në faj për gjendjen e saj”.

Ajo shpjegon se një sfidë tjetër në trajtimin e grave me depresion të rëndë pas lindjes, sidomos në rastet më të rënda si psikoza, është vetë stigma që e rrethon Klinikën e Psikiatrisë dhe perceptimet paragjykuese publike për shëndetin mendor. 

Shukrie Statovci, psikiatre në Klinikën e Psikiatrisë, thotë se familjarët po dështojnë vazhdimisht t’i ndihmojnë gratë që vuajnë nga depresioni i paslindjes. Foto: Uran Krasniqi.

Ndërkaq Gusia shton se për depresionin e paslindjes duhet të flitet më shumë në shoqëri, e sidomos në media, që qytetarët të informohen më shumë për këtë çështje dhe të bëhet e mundshme që depresioni të kuptohet si një problem që ka nevojë për ndihmë nga profesionistët shëndetësorë, e jo të mbetet temë tabu. 

Se përkrahja dhe të kuptuarit nga rrethi është shumë rëndësishme e tregon rasti i Blerina Lilës. Ajo thotë se bashkëshorti dhe familja i ka ndihmuar rreth punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj vajzës.

“Ka pasë momente që fëmija ka qarë shumë, nuk është rehatuar dhe e kam përjetuar me nervozë. Kam kërkuar ndihmë te burri apo te prindërit dhe është marrë nëna ose kunata, dhe unë jam tërheqë se m’u ka dashtë të qetësohem”, thotë ajo. “E ky minut i qetësimit më ka ndihmuar shumë”.K

Imazhi i ballinës: Uran Krasniqi.

*Shënim i redaksisë: Emrat Mirjeta dhe Edita janë pseudonime për ta mbrojtur privatësinë e burimeve, me kërkesë të tyre. 

Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.

 

 

 

 

 

  • 19 Oct 2023 - 09:09 | Erick Huff:

    What i don't understood is in reality how you're now not really a lot more smartly-favored than you might be now. You're very intelligent. You understand therefore significantly in terms of this topic, produced me personally believe it from a lot of numerous angles. Its like women and men are not interested except it is one thing to accomplish with Woman gaga! Your own stuffs outstanding. Always care for it up!

  • 15 Sep 2023 - 23:58 | Ira Bush:

    Thanks, I have just been looking for information about this subject for a long time and yours is the best I've discovered till now. However, what in regards to the bottom line? Are you certain in regards to the supply?

  • 15 Dec 2020 - 13:40 | Entela Shkreli:

    Unë jam ba nanë para 3 muajsh. Kisha dëgjuar për depresionin gjatë shtatzanisë edhe atë pas-lindjes, por pa i përjetuar vetë nuk kam mundur t'i kuptoj. Ndaj mund të them që kam qënë e papërgatitur për shumë gjëra. Grindjet tona me bashkëshortin kanë qënë "të frikshme". Për çrregullimin e raportit në çift, vërtetë nuk më kish folur askush deri më tash. Për mungesë e qumështit dhe ndikimit të këtij faktori në depresion prap askush s'më kish folur. Për fat, kam patur asistencën e psikologes qysh gjatë shtatzanisë. Do kisha sugjeruar; ngritjen e qendrave/klubeve të nënave të reja, ku ato të kenë mundësi të takohen e socializohen, për të folur e ndarë përvojat e tyre me njëra-tjetrën.

  • 14 Dec 2020 - 13:44 | Kaltrina Fejzullahu:

    Përshëndetje Hajrije, Ne jemi organizatë mediale dhe nuk ofrojmë shërbime ndihmese fatkeqësisht. Ju lutemi kontaktoni AMC - Action for Mothers and Children (Aksioni për nëna dhe fëmijë) në Facebook dhe mund të ju ndihmojnë. Ju dëshirojmë çdo të mirë, K2.0

  • 14 Dec 2020 - 06:05 | hajrije tmava:

    Pershendetje! A ndihmoni ju grate me depresion pas lindjes?

KOMENTO