Dezinformimi është kthyer në ushqimin e përditshëm, që individë ose portale ia shërbejnë audiencës në këmbim të klikimeve, por jo vetëm. Mjafton të hapësh profilin në Facebook, Instagram, TikTok –– kanalet ku publiku angazhohet më së shumti në Shqipëri –– dhe sheh një mori informacionesh shumë joshëse për t’u lexuar.
Sa hap e mbyll sytë, këto lajme përhapen përmes fenomenit share që nga fëmijët e deri te kategoria e adoleshentëve e të moshuarëve, të cilët, bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të Faktoje, kanë tendencën të shpërndajnë një informacion pa e verifikuar nëse është i vërtetë. Shpërndarja e madhe e përmbajtjeve të paverifikuara tregon se dezinformimi ia ka arritur qëllimit –– të arrijë te një audiencë sa më të gjerë.
Ngjashëm me trendin botëror, edhe në Shqipëri, dezinformatat që u bënë virale gjatë dy viteve të fundit, lidheshin kryesisht me vaksinimin kundër Covid-19, të frymëzuara sidomos nga grupimet antivax (kundër vaksinimit) apo edhe teoritë konspirative nga të ashtuquajturit studiues të shkencave okulte, të cilëve u liheshin hapësira të gjera transmetimi nga televizionet kryesore në vend.
Aq ndikuese ishin këto dezinformata, sa nga verifikimet e bëra nga platforma për verifikim të fakteve Faktoje në qytete si Tirana, Kukësi, Korça, individë të moshave të ndryshme pranonin se vendimin për të mos u vaksinuar e kishin marrë nën ndikimin e informatave të paverifikuara rreth të ashtuquajturave “dëmeve të pakthyeshme” nga vaksina kundër Covid-19.
Numri i lartë i shpërndarjeve në rrjetet sociale dëshmoi se audienca i përtypi këto informacione të shitur me tituj sensacionalë, paçka se në brendësi të raportimit nuk kishte qoftë edhe një citim eksperti apo fakte të bazuara shkencore.
Por publikimi dhe shpërndarja e dezinformatave me ndikim negativ në shëndetin publik, ishte vetëm njëra pjesë e fushatës dezinformuese, që mori aq hov me nisjen e pandemisë, sa që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti infodemi. Në Shqipëri, infodemia tejkaloi dezinformatat për shëndetin publik dhe preki pothuajse çdo temë në interesin qytetar.
Dezinformatat shpërndahen sepse besohen si të vërteta
Faktoje prej vitit 2018 angazhohet në kontrollimin e vërtetësisë së lajmeve. Në gjysmën e dytë të vitit 2022 ka gjetur dhjetëra dezinformata që shpërndahen çdo ditë nga portale fantazmë, të cilat janë të dyshimta që nga emërtimi.
Përshembull ka emërtime të tilla si lajm, news dhe bashkëngjitur një numër rastësor. Apo togfjalësha që nuk kanë asnjë lidhje me lajmin apo raportimet profesionale gazetareske, pavarësisht se titujt e raportimit flasin për çështje më rëndësi të madhe për publikun.
Ja një rast tipik: Pak muaj më parë, një portal në Shqipëri shkruante në titull: “Arrestohet kryebashkiaku i Belshit, pas kallëzimit në SPAK [Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar], pranga edhe për zyrtarët e tjerë”. Artikulli, i cili kishte marrë qindra klikime dhe ishte shpërndarë masivisht, ishte i rremë.
Faktoje, pasi verifikoi burimet në SPAK, Policinë e Shtetit dhe vetë Bashkinë, publikoi të dhënat e sakta dhe artikulli në fjalë u hoq nga portali. Mirëpo këta lloj artikujsh riciklohen nga shumë portale të tjera duke i servirur me tituj sensacionalë për të peshkuar sa më shumë persona dhe është e pamundur që të identifikohen në kohë të gjitha portalet që e bëjnë këtë.
Ky rast ilustron se me çfarë shpejtësie dezinformohet një masë e gjerë njerëzish dhe sa i ngadaltë në krahasim me të, ecën procesi i verifikimit dhe raportimit të informacionit të bazuar në fakte. Dëmi që shkakton përhapja e dezinormimit është gjithnjë e më i vështirë për t’u riparuar.
Por lajmi pozitiv është se në të njëjtat kanale ku përhapen dezinformtatat, shërbimi fact-checking po shton fushatat kundër këtij fenomeni. Këtë është duke bërë Faktoje çdo ditë. Përmes verifikimit të “fake news” ajo ndihmon publikun që të dallojë informacionin e rremë. Për shembull, kur shohim artikuj me gabime të rënda drejtshkrimore, ka shumë mundësi që gabimet janë të qëllimshme, për të mos u njohur nga algoritmi e rrjedhimisht për t’i ikur verifikimit të përmbajtjes. Ky është elementi që e gjejmë thuajse në të gjitha raportimet virale dhe me tituj bombastikë.
Por ky model nuk përmbledh gjithë problematikën e dezinformimit të publikut në Shqipëri, ku sot numërohen me qindra portale apo profile që nuk dihet si financohen dhe çfarë niveli përgatitjeje profesionale kanë individët që punojnë aty.
Qeveria, pjesë e fushatës dezinformuese
Një këmbanë alarmi është dezinformimi përmes propagandës shtetërore.
Për shembull, pjesë e infodemisë gjatë pandemisë u bë edhe propaganda e qeverisë së Edi Ramës për përballjen “me sukses” me Covid-19. Në llupën e Faktoje kaluan dhjetëra deklarata e premtime të propaganduara nga institucionet dhe zyrtarët e shtetit, që garantonin se qeveria kishte financuar mbi 9.8 milionë euro për rimbursimin e pacientëve me Covid-19 për shpenzimet mjekësore me Covid-19, apo se shpenzimet e qeverisë në sektorin e shëndetësisë ishin disafishuar në krahasim me vitin 2013, kur Partia Demokratike ishte në pushtet.
Por verifikimi përmes disa burimeve, përfshirë edhe vetë ato të qeverisë treguan se skema e rimbursimit për pacientët me Covid-19 ishte, në fakt, fiktive. Nga të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor del se në periudhën janar-gusht 2021 kanë përfituar nga riimbursimi vetëm 5% e pacientëve të infektuar. Më “fatlumët” përfituan një rimbursim mesatar prej 40 dollarësh, teksa në realitet një pacient që kaloi Covid-19, varësisht prej komplikimeve, shpenzoi rreth 800 dollarë për ilaçe, suplemente –– pa përfshirë shtrimin në spital.
Ndërkohë, deklaratat për rritje të shpenzimeve të qeverisë në shëndetësi rezultuan të vërteta në shifra, por verifikimi i fakteve tregoi se rritja shkoi për pagesën e kompanive, që fituan tenderat me koncesion ose të njohura si Partneritet Publik Privat (PPP). Kjo do të thotë se rritja e raportuar e shpenzimeve të qeverisë nuk ndikoi në atë masë në interesin e qytetarit, i cili vazhdoi të shpenzojë nga xhepi. Provë për këtë është edhe fakti se Shqipëria renditet ndër të fundit mes vendeve të rajonit dhe Evropës për shpenzimet buxhetore në shëndetësi.
Por, si bëhen institucionet shtetërore burim dezinformimi në tema tjera? Thjesht, përmes fushatave të komunikimit me informacione të karakterit triumfalist apo krahasimor, qoftë edhe me shtete të tjera fqinje ose jo.
Një shembull i kohëve të fundit: Në fillim të vjeshtës u shtua debati mbi krizën energjetike globale për shkak të pasojave të luftës në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë. Në Shqipëri, si në shumë shtete tjera, nisën të qarkullonin lajme për masa drastike të qeverive për të kursyer energjinë. Titujt sensacionalë mbushën gazetat, tabloidët dhe portalet.
Deri këtu situata ishte e parashikueshme.
Por në Shqipëri qeveria nisi një fushatë ndërgjegjësimi për kursimin e energjisë elektrike, që u shtri edhe në institucionet arsimore, duke përdorur si fakte të mirëqena, informacione të paverifikuara.
“Zvicra dënon me burg qytetarët që ngrohen me më shumë se 19 gradë” përsëritej në fjalimet e zyrtarëve, të cilët shpjegonin se në Shqipëri nuk do merreshin masa të tilla, pasi qeveria do të kujdesej për qytetarët. Anipse shumë e morën këtë lajm si të mirëqenë, ai nuk ishte i vërtetë dhe një verifikim i Faktoje përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me institucione në Zvicër, informoi qytetarët se po mashtroheshin përmes përdorimit të informatave të paverifikuara nga zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë.
Raste të tilla, kur bëhen krahasime të paqena nga vetë zyrtarët publikë, janë të përsëritura duke kontaminuar informimin e saktë të publikut dhe duke ndikuar sakaq edhe në vendimmarrje të gabuara. Ky fenonomen është provuar se bëhet gjithnjë e më i pranishëm me afrimin e zgjedhjeve, kur makineria e propagandës shton premtimet për të tërhequr votat.
Brenda më pak se një viti Faktoje ka identifikuar tri raste flagrante kur autoritetet qeveritare kanë përdour informacion të pasaktë për të bërë analogji me shtetet e tjera.