Të definohet ‘diplomacia digjitale’ është e vështirë, në veçanti sepse duket se ekziston një debat i hapur midis mendimeve dhe shkollave të ndryshme në lidhje me natyrën e saktë të saj. Një shpjegim i vrazhdtë do të mund të ishte që diplomacia digjitale e shfrytëzon internetin dhe teknologjitë e reja të informimit dhe komunikimit, për të arritur qëllime të diplomacisë.
Shtete të ndryshme e kanë shfrytëzur diplomacinë digjitale për të arritur qëllime të ndryshme. P.sh., Izraeli e ka shfrytëzuar internetn për t’i ndihmuar në mbajtjen e komunikimit me mbështetës të Izraelit në tërë botën, dhe me diasporën. Diplomacia digjitale poashtu ka ndihmuar në paraqitjen e Izraelit “përtej konfliktit”; kulturën e tij, llojllojshmërinë, teknologjinë e përparuar, turizmin, e më shumë.
Në vitet e fundit, Kosova ka ndërmarrë hapat e saj tentativë drejt përqafimit të revolucionit të diplomacisë digjitale. Edhe pse ka një popullsi të vogël prej rreth 2 milionë banorësh, raportohet se mbi 80% të qytetarëve të saj kanë qasje në internet, gjë që paraqet një potencial të madh në këtë fushë, nëse ky potencial njerëzor mund të shfrytëzohet në mënyrë efektive.
Një diplomat digjital mund të bëhet kushdo që ka kompjuter dhe qasje në internet.
Por pse është diplomacia digjitale e rëndësishme për Kosovën? Ka disa arsye, por ajo që është më e rëndësishmja është nevoja për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Ata që kanë kontakt me të huajt që jetojnë këtu, e dinë që për shumicën e tyre, imazhi I Kosovës (para se të vinin dhe të njoftohen me vendin) ka qenë i përkufizuar me atë të një vendi që ka pasur luftë, që ka popullsi me shumicë muslimane, dhe që vuan nga tensionet etnike dhe varfëria. Edhe pse ka ca të vërteta në këto stereotipe, realiteti nuk është kaq i zymtë.
“Kosova nuk është kopsht me lule, por transmetimi i një imazhi të normalitetit do të ndihmonte shumë,” thotë Arianit Dobroshi, një nga “diplomatët digjitalë” të parë të Kosovës. “Kjo do t’i ndihmonte edhe investimeve dhe turizmit. Por nëse nuk mund t’i tregojmë botës që Kosova ka përparuar që nga viti 1999, atëherë gjithnjë do të ketë probleme.”
Diplomacia digjitale për popullin
Një diplomat digjital mund të bëhet kushdo që ka kompjuter dhe qasje në internet, përderisa ndjek qëllimet e lartpërmendura. Dobroshi, që ka studiuar fusha që ndërlidhen me aviacionin, në SHBA dhe Holandë, ishte një ndër të parët që e ka hulumtuar këtë mundësi qysh në vitin 2005. Ai krijoi një portal lajmesh në gjuhën angleze, Kosovareport (linku është arkiv sepse uebfaqja është mbyllur një vit më vonë), për komunitetin ndërkombëtar.
Nismat e pavarura të diplomacisë digjitale, si kjo e Dobroshit, janë bërë të përhershme në internet përgjatë këtyre viteve. Ato e kanë promovuar turizmin, sportin, kulturën, ushqimin dhe shoqërinë kosovare në Facebook, Instagram, Twitter, si dhe në platformat e tjera sociale. Ekziston edhe një mori blogësh dhe uebfaqesh të lajmeve që i kushtohen publikut që flet anglisht.
Suksesi më i madh i diplomacisë digjitale në Kosovë, ndodhi përmes njërës nga uebfaqet më të popullarizuara në botë. Qysh prej vitit 2010, përdoruesit kosovarë të Facebook-ut krijuan grupe që kërkuan nga Facebook-u ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Peticioni gjerësisht i përhapur përfundoi edhe në change.org, midis lokacioneve të ndryshme në internet. Peticioni thoshte që: “Kosova është njohur nga mbi 100 vende të botës dhe është shtet I pavarur, dhe na vjen keq që Facebook-u ende e njeh Kosovën si krahinë të Serbisë. Si çdo shtet tjetër, kemi të drejtë të regjistrohemi në Facebook.com si qytetarë të Kosovës.”
Mijëra email-ë, hashtag-ë dhe statuse të postuara nga mbi 860,000 shfrytëzues kosovarë të regjistruar në Facebook, me ngulm ndikuan që zyrtarë të Facebook-ut ta pranojnë Kosovën si shtet. Zgjidhja e gatshme për qytetarët e Kosovës ishte që të regjistroheshin nën emrin e Serbisë; edhe pse shumica e zgjedhnin Shqipërinë si shtet, në shenjë proteste, disa shkuan aq larg sa që regjistroheshin edhe nën shtetin e Antiguas.
Pastaj, më 2013, Kosova pati një “përditësim statusi”: Facebook-u e njohu si rajon të veçantë. Ky ishte një veprim që pati efekt jo vetëm në raport me njohjen e diplomacisë; (Facebook-u ka mbi 1.71 miliardë shfrytëzues aktivë në muaj), por edhe për tregti. Njerëzit tani mund ta regjistronin biznesin e tyre lokal në Kosovë, t’I promovonin produktet e tyre tek klientët potencialë përmes Facebook-ut, pa u dekurajuar nga emri “Serbi.”
Shteti shtyp butonin @
Ishte korrik I vitit 2012 kur Qeveria e Kosovës për herë të parë u përfshi në këtë medium, kur Ministra e Punëve të Jashtme (MPJ) e lansoi Strategjinë për Diplomaci Digjitale. Projekti u udhëhoq nga ish zëvëndësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ndërsa strategjia ishte hartuar nga eksperti i komunikimit Zeenat Khanche, nga Zyra për Punë të Jashtme dhe Commnwealth-i e Mbretërisë së Bashkuar, në koordinim të afërt me zyrën e Selimit.
Dokumenti i strategjisë nuk mund të gjendet në internet, megjithatë, K2.0 e mori një kopje nga Këshilli Britanik. Ai thekson se diplomacia digjitale është vitale për Kosovën, si një shtet që e ka imazhin e rënduar nga propaganda e huaj, perceptimi i hapit të ngadalshëm të reformave, paragjykimeve të vjetra dhe mungesës së përmbajtjes më proaktive digjitale, që buron nga Kosova. Dokumenti vjen në përfundim që arritja e qëllimeve të politikës së jashtme kërkon një fushatë afatgjate.
Për të ndihmuar në arritjen e këtyre qëllimeve, dokumenti 54-faqesh numëron një mori rekomandimesh dhe qëllimesh kyçe. Realizimi i kësaj strategjie dhe përpjekja për arritjen e këtyre qëllimeve, ishin mbështetur nga Ambasadat Norvegjeze dhe Britanike, Këshilli Britanik dhe Fondacioni Ipko, të cilët, sipas Selimit, e mundësuan zbatimin e tyre.
Wiki Akademia
Doruntina Demiri është menaxhere e projekteve në Fondacionin Ipko, që ka lansuar tri projekte të mëdha për ta ndihmuar strategjinë në arritjen e qëllimeve të saj: Wiki Academy, Digital Kosovo, dhe AppCamp. Arritjet e Wiki Academy, për aq sa zgjati, dhe të Digital Kosovo, mund të konsiderohen mesiguri si sukseset më të mëdha të strategjisë.
Wiki Academy pati një numër të madh njerëzish që u mblodhën për ta ndryshuar përmbajtjen në Wikipedia. Teksa i kujton ditët e Wiki Academy, Demiri shpjegon që ajo erdhi si rezultat i paanshmërisë së kontestuar të artikujve të Wikipedias. Edhe pse Wikipedia-n akademikët nuk e konsiderojnë si burim të besueshëm, ajo vazhdon të mbetet enciklopedia më e popullarizuar në internet, dhe rangohet shumë lart në rezultatet e kërkimit në Google. Sipas Demirit, deri në 2012, informatat që jepeshin aty ishin të tmerrshme dhe çorientuese.
“Nëse kërkonit në Google, artikujt që paraqiteshin në Wikipedia nuk e reflektonin realitetin në Kosovë,” thotë Demiri. “Paraqitej si një vend ku lufta ndodhi sepse shqiptarët e nisën atë, dhe se serbët ishin viktima.” Ofrimi i burimeve të reja të besueshme, dhe informatave më të detajizuara për luftën, dhe për aspekte të tjera të Kosovës, ishte qëllimi kryesor i projektit.
Wiki Academy mbajti dy edicione dhe mblodhi një numër të madh njerëzish dhe profesionistësh nga fusha të ndryshme.
“Në Wiki Academy të parë, ishin rreth 40 artikuj të ri të shkruar për kulturën dhe ekonominë e Kosovës, dhe shumë fotografi enciklopedike . Në edicionin e dytë patëm në shënjestër qytete të ndryshme të Kosovës, dhe secili ekip prej këtyre qyteteve, kishte për detyrë të shkruane diçka që i takonte atyre qyteteve,” thotë Demiri, duke shtuar që tani njerëzit mund të lexojnë informata më të sakta për Kosovën.
“Edhe sot mund të shihet përmbajtje e papërshtatshme në Wikipedia, sepse shqiptarët nuk janë aktivë.”
Arianit Dobroshi
Sipas MPJ-së, janë shkruar 57 artikuj të ri për Wikipedia-n, dhe janë publikuar mbi 1,400 fotografi të reja. Megjithatë, Demiri beson që dy edicione të akademisë nuk mjaftojnë për përmirësimin e imazhit të Kosovës, dhe nevojitet një ekip që angazhohet në mënyrë aktive në redaktimin e artikujve të Wikipedia-s.
Arianit Dobroshi, diplomati digjital i parë i Kosovës, poashtu ishte pjesë e Wiki Academy, bashkë me grupin Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK), të cilin ai e përshkruan si një organizatë të hakerëve, ‘në kuptimin më pozitiv të mundshëm të fjalës’.
FLOSSK ka qenë më parë aktive në përmirësimin e imazhit të Kosovës në Wikipedia. Ata kanë marrë pjesë në dy gara ndërkombëtare: “Wiki Loves Monuments,” për promovimin e monumenteve kulturore, dhe “Wiki Loves Earth”, për mbrojtjen e monumenteve natyrore.
Sipas Dobroshit, redaktimi i Wikipedia-s nuk është pa sfida, sepse redaktorët nga Kosova nuk janë aktivë. “Edhe sot mund të shihet përmbajtje e papërshtatshme në Wikipedia, sepse shqiptarët nuk janë aktivë,” thotë ai. “E në veçanti ata nga Kosova. Shqiptarët nga diaspora kontribuojnë më së shumti.”
Sipas tij, nëse nuk je aktiv në internet, atëherë ajo që lexohet për Kosovën do të shkruhet nga të tjerët, kryesisht nga serbët, dhe shpesh kjo nuk do ta përçojë imazhin e vërtetë të realitetit të sotëm të Kosovës, apo të historisë së saj të re.
Duke e përshkruar situatën me Wiki Academy, Dobroshi shpjegon që “pas publikimit të këtyre artikujve në Wikipedia, serbët filluan t’i ndryshojnë. Nuk është e lehtë të mirëmbahen ato sepse është e vështirë të mbahet komuniteti gjallë. Ata punuan shumë gjatë kohës sa zgjati academia, por pas përfundimit ata u shpërndanë”.
Demiri thotë që Fondacioni IPKO po përpiqet ta krijojë një komunitet që do t’i redaktonte artikujt kryesorë në baza të përjavshme, në bashkëpunim me Dobroshin dhe organizatën FLOSSK.
“Meqë Kosova nuk figuronte si shtet, ishte e vështirë të blihej diçka në Amazon, apo të regjistrohej në ndonjë Universitet.”
Doruntina Demiri
Arjeta Emra është drejtoreshë e Këshillit Britanik në Kosovë, që ka pasur rol kyç në zbatimin e projektit Wiki Academy. Emra beson se qeveria duhet të mbajë trajnime mbi Wikipedia-n dhe Google-in, duke shtuar se lobimi duhet të jetë konsistent dhe jo ad hoc, dhe se duhet të intensifikohet përmes platformave në gjuhë të tjera pos shqipes dhe anglishtes. Emra shton se Këshilli Britanik tani ka ndërruar fokus, dhe po zbaton një iniciativë të ngjashme në Shqipëri, duke shpresuar që kjo do ta përmirësojë imazhin e përgjithshëm të shqiptarëve në botë.
Digital Kosovo
Lufta për kodin ISO të Kosovës ishte një fushëbetejë e madhe e strategjisë. Pa kodin ISO, që jepet nga Kombet e Bashkura, Kosova nuk paraqitej në listën e shteteve në shumë uebfaqes. Kjo domethënë që 1,523,373 shfrytëzuesit e internetit në Kosovë, nuk kishin mundësi të shfrytëzonin një mori shërbimesh bazike të internetit, përfshirë edhe regjistrimin e bizneseve, rezervimin e biletave apo porositjen e mallërave.
Digitalkosovo.org u lansua për të ndihmuar në përmirësimin e kësaj çështjeje dhe provoi ta integrojë Kosovën në listën e shteteve që figurojnë ne uebfaqe të ndryshme. “Meqë Kosova nuk figuronte si shtet,” thotë Demiri, “ishte e vështirë të blihej diçka në Amazon, apo të regjistrohej në ndonjë Universitet.”
Ata hapën një platformë, www.digitalkosovo.org, ku individët mund të dërgonin email apo kërkesë për përfshirjen e shtetit në uebfaqe të ndryshme, universitete apo institucione të tjera, përmes një forme të gatshme që përmbante informata konkrete dhe detaje të tjera të nevojshme, që kërkesa të merrej parasysh.
“Është krijuar në atë mënyrë që krejt çka duhet është të hyni, të regjistroheni dhe të dërgoni email [te organizata specifike] dhe kështu do të shkonte si kërkesë nga individët, e jo nga platforma,” shpjegon Demiri. “Sigurisht që kur ata pranojnë [mijëra] email-a nga shumë njerëz, kjo prodhon reagim, dhe zakonisht ky reagim është i suksesshëm.”
Ajo tregon që kanë pasur sukses me aeroporte, universitete (përfshirë edhe Universitetin e Okford-it), dhe kompani globale si Adobe, Google, Microsoft, Apple, Dailymotion, Linkedin, Amazon, dhe shumë të tjera që e kanë përfshirë Kosovën në listen e tyre të shteteve.
#InstaKosova dhe AppCamp
Një projekt që MPJ-ja lansoi vetë ishte hashtag-u #InstaKosova, një garë e fotografisë në internet e cila, sipas ministrisë, mblodhi rreth 8,000 foto të postuara nga qytetarët e Kosovës, që paraqitnin stilin e jetës, artin, natyrën nga i gjithë vendi. Fotografitë e përzgjedhura u bënë bashkë dhe u paraqitën më pas në një monografi. Kjo nismë u realizua dy herë, në vitin 2013, dhe në vitin 2015.
Projekti i tretë, i lansuar me Fondacionin IPKO, AppCamp, kishte për qëllim t’I mblidhte inovatorët e rinj dhe zhvilluesit e aplikacioneve, që të krijojnë aplikacione për iOS dhe Android, e të cilat do ta promovonin trashëgiminë kulturore, turizmin, ushqimin dhe stilin e veshjes në Kosovë, pos tjerash. Zhvilluesit poashtu krijuan edhe lojë përmes së cilave do të tregohej historia e Kosovës.
Pjesëmarrësit ishin kryesisht studentë me njohuri për zhvillim të aplikacioneve. Edhe pse pjesëmarrësit ishin të talentuar dhe krijuan disa programme interesante, sipas Demirit, ata kishin punë të dobët ekipore, dhe patën vështirësi në finalizimin e projekteve. AppCamp nuk u vazhdua pas sesionit të parë.
Gjendja aktuale e diplomacisë digjitale
Prej përfundimit të këtyre projekteve të përbashkëta mes MPJ-së dhe partnerëve të tyre, duket se nuk ka më lobim të diplomacisë digjitale në nivel shtetëror, edhe pse uebfaqja www.digitalkosovo.org vazhdon të jetë aktive.
Strategjia e MPJ-së ka paraqitur një mori rekomandimesh të tjera për ta shtyrë diplomacinë digjitale të Kosovës përpara. Në të ishte paraparë edhe krijimi i një Njësiti Special Digjital që do të vazhdonte t’i arrinte qëllimet e diplomacisë digjitale të Kosovës; prej lobimit për pranimin e kodit ISO, te shënjestrimi i krijuesve të opinionit në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, e deri te bashkimi me ekipin e medias të MPJ-së për përmirësimin e përditësimeve në Facebook dhe Twitter. Sidoqoftë, ka pak dëshmi që një njësit i tillë është krijuar.
Lobimi përmes këtij medium të ri është i lirë, shumë më i shpejtë, dhe arrin më shumë publik se sa kanalet trandicionale të diplomacisë.
Dokumenti poashtu ka propozuar që diplomacia digjitale të inkorporohet në të gjitha ministritë dhe ambasadat, për të ndihmuar në themelimin e një Strategjie Nacionale të Diplomacisë Digjitale. K2.0 e kontaktoi MPJ-në për të marrë vesh se cilat janë planet për të ardhmen e Diplomacisë Digjitale në Kosovë, dhe këshiltari politik, Bashmir Xhemaj, tha se qeveria e ka një “plan shumë të mirë”.
Por, projektprogrami i Republikës së Kosovës për 2015-2018 thotë diçka tjetër. Ai thekson se qëllimet për diplomacinë digjitale janë të “realizuara” dhe e bart vëmendjen në çështje të tjera të diplomacisë publike. MPJ-ja nuk dha komente të mëtutjeshme për këtë artikull, pavarësisht kërkesave të shumta të K2.0.
Në lidhje me Strategjinë për Diplomacinë Digjitale, dhe arsyet se pse qëllimet e saj asnjëherë nuk janë realizuar plotësisht, K2.0 poashtu kërkoi intervistë me Petrit Selimin, por, meqë e ka lënë pozitën e tij si zëvëndësministër I jashtëm, ai nuk ishte i gatshëm të përgjigjej.
Duke pasë parasysh theksin që më herët I është vënë diplomacisë digjitale, ky kapërcim në aktivitetet zyrtare duket befasues. Lobimi përmes këtij medium të ri është i lirë, shumë më i shpejtë, dhe arrin më shumë publik se sa kanalet trandicionale të diplomacisë. Të gjithë të intervistuarit u pajtuan që Kosova, me mbi 80% të popullatës me qasje në internet, ka kapacitet të madh njerëzor, dhe kjo potencialisht do të thotë që ka shumë diplomatë digjitalë që, sikur dikush t’i organizonte dhe koordinonte në një mision të fokusuar, do të mund të kenin ndikim të madh në skenën ndërkombëtare.
Asgjë nuk sugjeron që format tradicionale të diplomacisë, si: diskutimet në tryezat e rrumbullakëta, takimet diplomatike, dërgimi i delegacioneve, dhe hapnja e ambasadave gjithandej nëpër botë, nuk kryejnë punë. Megjithatë, të gjithë njerëzit me të cilët K2.0 bisedoi, e shprehën besimin e tyre që Kosova do të fitonte shumë prej diplomacisë digjitale; krejt çka nevojitet është vullnet dhe më pak se gjysma e fondeve që shfrytëzohen për darka diplomatike.K
Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0