Jam lindur dhe rritur në Kosovë. Pas përfundimit të studimeve Master, vendosa ta sfidoj veten edhe më shumë dhe shkova në Gjermani. Në fillim, mendoja se do të ishte qëndrim një-vjeçar, por qyteti i Hamburgut vazhdon të jetë vendbanimi im tash e katër vjet. Përpos ndërrimit të vendbanimit, ndërroi shumëçka tjetër, përfshirë këtu këndvështrimin prej të cilit e shoh Kosovën tash dhe gjërat që do doja të ndërrojnë në të.
Pas largimit nga Kosova, hera e parë dhe më e fuqishmja kur u përballa me diçka krejtësisht të re dhe fillimisht habitëse për mua, ishte padyshim jetesa me një familje gjermane, në një metropol si Hamburgu.
E formësuar ashtu që gjërat t’i kuptoj sipas ideve e mendimeve fikse, përbrenda narrativave mbizotëruese për ato gjëra, që shpeshherë ishin të ngushta, të jetuarit në këtë rreth të ri bëhej përvojë çdo ditë e më interesante. Më së shumti kurreshtjen ma ngjallte qasja në biseda e njerëzve përreth. Më dukej sikur secili mjeshtërisht shtjellonte çështjet dhe problemet e ndryshme. Mendimi i tjetrit respektohej e bashkëbiseduesit qëndronin mendjehapur dhe kritikë përgjatë tërë bisedës.
Këtë qasje nuk më ka rastisur ta dëgjoj aq shpesh sa jetoja në Kosovë. Po e banalizoj e po them se edhe bisedat mes fëmijëve më dukeshin më cilësore në krahasim me disa debate televizive në vendin tonë. Shkathtësia e të menduarit në mënyrë kritike dhe inkurajimi që i bëhet këtij të fundit, vazhdojnë të jenë disa prej gjërave më të bukura dhe domethënëse për mua në vendbanimin tim të ri.
E këtë normalisht që do doja ta shihja edhe në Kosovë. Korniza e imponuar e të menduarit dhe të kuptuarit të çështjeve përreth është pikërisht ajo që do dëshiroja të sfidohej në Kosovë e rrjedhimisht, ajo që do dëshiroja të ndërrojë sa më parë.
Disa ide për ndryshim
Mendimi jo-kritik dhe idetë fikse, të pashqyrtuara mjaftueshëm rreth ngjarjeve apo grupeve përreth nesh ende dominojnë nëpër institucionet edukativo-arsimore, shtetërore, media e me gjasë edhe më të madhe në shtëpinë e secilit prej nesh. Shpeshherë dëgjojmë deklarata pa dëshmi, arsyetime jologjike, shqyrtime të njëanëshme të temave apo edhe dyshime në të dhënat që nuk janë në vijë me idetë apo bindjet tona.
Për të thënë më thjesht, çdo gjë që nuk përputhet me atë që veç e dimë si të vërtetë shpesh konsiderohet si e pasaktë apo e pavërtetë. Nuk ka gatishmëri për të dëgjuar anën tjetër, apo për të kërkuar dije të reja e aq më pak për të pranuar se mbase ajo që e kemi besuar si të vërtetë, nuk qëndron. Mbrojtja e fuqishme e bindjeve tona kështu bëhet njësi matëse e vlerës sonë në shoqëri, prandaj edhe kjo mbrojtje vazhdon të praktikohet edhe më shumë. Në shumicën e rasteve kur dikush zgjedh ta tejkalojë këtë praktikë dhe të mendojë ndryshe, bie pre e paragjykimit shoqëror.
Për ta ndryshuar këtë praktikë dhe për të nxitur të menduarit kritik, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm luan familja, qysh në zhvillimin e hershëm të fëmijës. Në dinamikat familjare, duhet që sidomos prindërit apo kujdestarët të shfaqin interesim dhe të mos shpërfillin mendimet ndryshe apo sfiduese të fëmijëve, pavarësisht moshës së tyre. Fëmijëve dhe të rinjve u duhet një rreth që u beson dhe i mirëkupton, në mënyrë që të zhvillojnë këtë aftësi.