Pikëpamje | Politika

Dje në parlament kumboi fashizmi

Nga - 22.10.2020

Deputeti Lushtaku kundër Kodit Civil në emër të të ashtuquajturave vlera tradicionale.

Në seancën e djeshme parlamentare, deputeti Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, na tregoi se me sa kujdes e ka ndjekur përpilimin e Kodit Civil. Atij ia kishte zgjuar interesin dhe ia kishte shtuar cytjen e kurreshtjen pikërisht e drejta familjare. 

Si një nxënës që më në fund ka mësuar mësimin, ngutet që ta kalojë hyrjen e të dalë sa më parë tek manifestimi i fashizmit të tij, e të cilin ai pretendon ta arsyetojë si të bazuar në kërkimet e tij shkencore.  

Kërkimi i dijeve shkencore në vetvete nuk është parzmorja, e cila të mbron nga të folurit fashist në parlament. Edhe dija mund të kërkohet mbrapshtë. Kur dija kërkohet me qëllimin eksluziv për të konfirmuar atë që “kërkuesi i dijes” e beson si të pandrysheshme, ajo nuk është kërkim i dijes, por kërkim me ngulm i njerëzve që të përkëdhelin bindjet. 

Deputeti Lushtaku kishte kërkuar dije pa pasur pyetje. Pra, ai duket se i ka ditur të gjitha. Sepse ishte nisur në ekspeditën e tij të kërkimit, duke i pasur përgjigjet tashmë. Dija kërkohet për të ditur, prandaj edhe raporti i ndërtuar me dijen këtu është i pasinqertë. 

Ai, kishte mbledhur të gjithë studiuesit që bien dakord me të. Prandaj, qysh në fillim kur thotë që shumica e studiuesve bien dakord, është dashur të thotë që shumica e studiuesve që ai ka zgjedhur t’i konsultojë, bien dakord me të. Pra, gjithnjë nëse deputeti me të vërtetë ka kërkuar, ai i ka bërë dijes padrejtësi në vetë mënyrën e kërkimit.

“Ky model i martesës [midis gjinive të njejta] i sheh fëmijët si opsional dhe të parëndësishëm”, tha deputeti Lushtaku. Por nuk e mendoi se vetëm një njeri që konsideron fëmijët të parëndësishëm do të thoshte atë që ai e tha dje. 

Në bazë të asaj që e tha, duket që deputeti Lushtaku e konsideron opsionale dhe të parëndësishme përgjegjësinë e tij ndaj nesh, sovranit. Prandaj me sigurinë që veç i binduri i papërkulshëm e ka, dje na dha një ekspoze të fashizmit.

Fjalë për fjalë, përse dje dëgjuam ekspoze të fashzimit

Për të kuptuar fashizmin në fjalimin e deputetit Lushtaku është e rëndësishme të rikujtojmë adresimin e tij në Kuvend.

“Shumica e studiuesve bien dakord që fëmijët e rritur nga dy prindër biologjik, të një martese të qëndrueshme janë më të mirë sesa fëmijët në format e tjera familjare, ndërsa asaj që pretendohet t’i jepet hapësirë ligjore është e kundërshtueshme edhe nga pikëpamja shkencore e argumentimit. Sipas tyre, legalizimi i martesës mes gjinisë së njejtë do të çojë në efekt katastrofik shoqëror dhe familjar, si dhe martesa është në mënyrë më të natyrshme institucion heteroseksual. Poashtu, ajo që mund të nxjerrim  prej martesës së gjinisë së njejtë është se fëmijët nuk kanë nevojë për nëna dhe baballarë, se dhe martesa nuk është qëllim të ketë foshnje.” 

Deputeti Lushtaku konsideron se ka fëmijë të mirë dhe të këqinj. Varësisht se kush i lindë, rritë ata. Mbi këtë bazë, fashistët më famëkeq kanë vrarë, masakruar, djegur fëmijë. Nuk ka arsye për t’u brengosur nëse fëmijët kanë një prind, dy, apo tre. Brenga është kur për fëmijët flitet në frymë fashiste. Pra, në vend se ta vëmë në dyshim të drejtën e një nëne vetëushqyese apo dy baballarëve për të qenë prindër, le t’i vëmë në dyshim dhe t’i refuzojmë bindjet përjashtuese, sikurse të Lushtakut. 

Deputeti Lushtaku konsideron martesën institucion që për qëllim sublim dhe fundamental ka riprodhiminin. Kësaj mendësie i faturohet jeta e padurueshme e grave që nuk mund të kenë fëmijë apo zgjedhin të mos kenë fëmijë. Pra, ushqen institucionalisht praktikën e “të lëshuarit” të grave kur ato nuk funksionojnë si makineri riprodhimi. 

Sipas Lushtakut, çdo kush që bie ndesh me bindjet e tij personale rreth të natyrshmes dhe të panatyrshmes, nuk ka vend në ligj, nuk ka qasje në mbrojtje, nuk ka të drejtë në jetë.

Këtu lëshuesit janë burrat, të lëshuara janë gratë. Burrat që burrërohen tutje me deklaratat e përfaqësuesve të popullit (këtu, popull janë burrat), i hedhin gratë tutje, njëlloj siç hedhet një makineri që nuk prodhon më. Atyre u lëmojnë krahët fjalët e njerëzve si deputeti Lushtaku. Ata, për të përmbushur detyrën e tyre morale, kombëtare, atdhetare, i lënë gratë dhe kërkojnë gra të tjera që prodhojnë. Ose, në martesën e tyre e shtojnë edhe një grua, edhe një tjetër. Kjo është sakrificë kombëtare për burrat, në terma të deputetit Lushtaku.

Deputeti Lushtaku konsideron martesën heteroseksuale si të vetmen martesë të natyrshme. Rrjedhimisht të pranueshme. Të dëshirueshme. Të ligjshme. Edhe këtu, baza më e themeltë e fashizmit është të gjykuarit e dukurive, sjelljeve, personave si “të natyrshëm” dhe “të panatyrshëm”. Kur këto themele të së natyrshmes dhe të panatyrshmes ndërtojnë ligjet dhe qasjet institucionale, i bie që pikërisht ashtu siç tha edhe Lushtaku, çdo kush që bie ndesh me bindjet e tij personale rreth të natyrshmes dhe të panatyrshmes, nuk ka vend në ligj, nuk ka qasje në mbrojtje, nuk ka të drejtë në jetë. Për më tepër, autoriteti që e vendosë këtë është një cis burrë, me kravatë, në parlament. 

Deputeti Lushtaku zhveshë martesën nga dashuria dhe e shndërron martesën ose e përforcon të kuptuarit, e mbi të gjitha të përjetuarit e martesës, si institucion përmes së cilit shteti e qeveria, me anë të përfaqësuesve të sojit të Lushtakut kontrollojnë jetën, kryesisht riprodhimin e saj. Pra, rregullojnë jetën jo në cilësi e qasje në drejtësi, por në kuantitet, numër. 

Ai konsideron që individët që nuk funksionojnë simbas rregullave të tij “të së natyrshmes”, janë qytetarë të shkallës së dytë ose madje jo-qytetarë.

Deputeti Lushtaku, më tutje, qëndrueshmërinë e martesës e bazon në qëndrueshmërinë e portretit të tij ideal familjar, burrë-grua-fëmijë. Nuk ka rëndësi se si zhvillohet jeta brenda saj, e rëndësishme është që në këtë portret familjar të jenë të gjithë. Pra, është e parëndësishme nëse në këtë portret familjar një grua ka shenja bërrylash nëpër sy. Me këtë retorikë, familja në thelb duhet përjetuar përbrenda këtij kompozicioni dhe çfarëdo tjetër është i gabueshëm. Këtu, deputeti refuzon të njohë të përjetuarit e familjes si zgjedhje. Për të, familja e shenjtë çshenjtërohet dhe nuk mund të jetë e tillë nëse në të ka dy burra pa fëmijë ose dy gra pa fëmijë, ose një burrë e një grua pa fëmijë ose çfarëdo ndjenjimi tjetër ndaj familjes që nuk përkon me ndjenjimin e tij.

Deputeti Lushtaku konsideron që individët që nuk funksionojnë simbas rregullave të tij “të së natyrshmes”, janë qytetarë të shkallës së dytë ose madje jo-qytetarë. Kur je jo-qytetar në një vend i bie që nuk ke të drejta, nuk trajtohesh barabartë, nuk ke qasje në jetë. Dhe kur nuk ke qasje në jetë, je jo-njeri. Kur shteti të trajton si jo njeri, atëherë po i njejti e shndërron të qenit qytetar në privilegj. Kjo i bie sipas Lushtakut, nënat vetëushqyese anipse kanë lindur fëmijë, ato rrisin fëmijë të këqinj dhe nuk janë të denja për të qenë qytetare. Personat LGBTI, sipas kësaj nuk i duhen këtij vendi. Njëlloj, personat e divorcuar. Personat e pamartuar. 

Kjo, teknikisht i bën vetëm burrat (cis burrat) qytetarë të mirë; gratë i fton që në emër të moralit mbarëkombëtar, që sipas tij mbështetet në ruajtjen e familjes burrë-grua dhe fëmijë, pra në riprodhimin e vlerave reduktuese të familjes, ta durojnë shtypjen dhe të rrijnë në familjet e tyre. Edhe nëse këto familje vrasin. Kjo i bie që deputeti Lushtaku dje morri të drejtën të tregojë se kush meriton të jetë njeri dhe kush jo. Ai, dje është vetëshpallur autoritet që vendosë se cila jetë është e ligjshme dhe cila jetë është e paligjshme. Dhe dhënë pushtetin e tij, ai këtë të drejtë mund ta realizojë përmes votës së tij.

Ta rikujtojmë edhe një fjali tjetër nga adresimi i tij në kuvend, njëlloj për nga përmbajtja fashiste.

“Lufta e UÇK-së nuk kishte me qenë e suksesshme pa mobilizimin e shumë të rinjve. Ata ishin produkt i familjes së shëndoshë shqiptare, të cilët u rritën me vlera morale, atdhetare, dhe patriotike. Tjetra ajo që bie në sy që në pesë vite kemi rënie të natalitetit. Dhe si e tillë do duhej të ishte një shqetësim edhe për këtë kuvend edhe për institucione të tjera. Rreth 5,000 fëmijë më pak në 2019 dhe kjo duhet të ketë një shqetësim dhe një trajtim edhe nga ne si deputetë dhe përfaqësues së popullit.”  

Deputeti Lushtaku, këtu, ka frikë që do mbetet pa popull. Këtë frikë e manifeston duke përdorur retorikë kryekput nacionaliste kur flet për natalitet. Po të gërryejmë tutje te kjo që e thotë, i bie që vlera e qytetarëve matet me sa fëmijë prodhojnë dhe rrjedhimisht sa fëmijë mund t’i bëjnë ushtarë për luftë. 

Më mirë vishen burrat në luftë. Prandaj, mundësisht që teksa bëjnë më shumë fëmijë, të bëjnë burra, që më pas, nënat t’ua rrisin shtatin e ata ta kapin pushkën. Jo pa sherr në luftë, më së shpeshti përdoren thirrjet: nënat tona, mëmëdheu ynë, dheu që na dha shtat. Këto, nuk janë manifestim i dashurisë së pakusht ndaj gruas. Ashtu siç e sheh si qëllim sublim të martesës lindjen, Lushtaku, edhe këtu, qëllimin e fundm të gruas e sheh lindjen. Gruaja bëhet e madhe për kombin kur lindë. Dhe tkurret e s’ka vend në komb kur nuk lindë.

Dhe më pas, krijohen shoqëri ku ushtarët janë heronj, por gratë e dhunuara janë kurva.

Nëse ndalemi te nacionalizmi dhe militarizimi, gratë këtu përmbyllen brenda rolit të riprodhimit sërish dhe instrumentalizohen për këtë rol. Rrjedhimisht janë të pavlera kur nuk e përmbushin këtë rol. Kjo do të thotë që gratë edhe në parlamentin tonë janë figura shahu. Shahu luhet nga burrat. Dërrasa e shahut është foltorja e parlamentit tonë. Për to flitet, kur nuk na lindin fëmijë. 

Në fund, deputeti Lushtaku thërret kolegët e tij që sa më parë të shqetësohen që nuk janë lindur kaq shumë fëmijë dhe konsideron që “ky dështim kombëtar” duhet sa më shpejt të adresohet. Pra, shqetësohet që “na humbë fara”. Tash, ky s’është gjenocid, por ama në gjenocid përdoret e njejta mendësi, synohet humbja e farës. Gratë dhunohen për ta “fëlliqur farën”. Njëkohësisht, grave u shtohet presioni të lindin, për “ta ruajtur farën”. Dhe më pas, krijohen shoqëri ku ushtarët janë heronj, por gratë e dhunuara janë kurva. 

Si mendon deputeti Lushtaku që duhet të adresohet kjo? Si stimulohen familje për të pasur fëmijë? Pse? Dhe ku mbesin ata që nuk duan fëmijë? Në koshin e plehrave të qytetarisë? 

Pra, fashizëm.

Dhe, deputeti Lushtaku, përfaqësuesi ynë, e vulosë të gjithën me një fjali briliante që do t’ia lakmonin shokët e tij studiues. Ai, pluskimin e tij në fashizëm e përmbyllë duke na i shëruar zemrat e duke na thënë që nuk do ta votojë Kodin Civil, sepse mbi të gjitha, ai bie ndesh me bindjet e tij personale. Mbase, në të ashtuquajturin kërkimin e tij shkencor e ka mbyllur njërin sy kur i ka rënë kah Niçja dhe nuk e ka parë kur thotë që “bindjet, më shumë se gënjeshtrat, janë armiq të rrezikshëm të së vërtetës”.

Të bindur e të palëkundshëm, si deputeti Lushtaku, janë diktatorët dhe në emër të bindjeve të tyre, ata sillen si të tillë.

E kur fashistëve u kumbon zëri në foltoret e popullit, atëherë populli kërkon zërin e tij. Dhe ky zë do të kumbojë më lart.  

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.