Blogbox | Korrupsioni

Djemtë e Daphne-s

Nga - 18.04.2019

Vdekja e një gazetareje.

Çfarë personi ishte nëna juaj? Kjo është pyetja më e vështirë që më parashtrohet. E duke qenë se ajo është vrarë, kjo pyetje më bëhet vazhdimisht.

Është pyetje e vështirë për shumë arsye. Më duket se më pyesin për të matur diçka që nuk mund të matet. Ndërsa unë kam frikë se kurrë nuk mund ta përshkruaj siç duhet.

Për këtë arsye iu drejtohem fakteve: Ajo ishte gruaja e parë që shkruajti një kolumne politike në Maltë dhe personi i parë që e përdori emrin e saj në vend që të shkruajë anonim. Ajo ishte personi që solli çdo tregim të madh në vend prej se filloi të shkruante në moshën 24 vjeçare në vitin 1988, viti në të cilin unë, djali i saj i tretë, linda. Ishte gruaja që e bashkëthemeloi njërën prej gazetave ditore të vendit katër vite më vonë dhe i hulumtoi neo-nazistët, trafikantët e drogës dhe armëve, presidentët, kryeministrat dhe gjykatësit.

Por, faktet s’mund ta tregojnë të gjithë tregimin.

Më kujtohet kur vinte babai në shtëpi nga puna dhe e gjente nënën, e cila kishte mësuar teknika të shkrimit në shkollën e sekretariatit (oh, planet që i kishin për të!), duke shkruar në tastierë kolumnën e saj të së enjtes. Ajo i tha atij mos ta pengonte pasi afati për dorëzim po afronte. Ai e injoroi sugjerimin e saj.

“Në rregull Daph. Çka je duke shkruar për nesër?”

Një gjyqtar, ajo u përgjigj. Një gjyqtar që doli të ishte personi me të cilin do të grindej të nesërmen babai im i cili ishte avokat me profesion.

“Madonna, pse për nesër; a duhet ta bësh për nesër?”

Po, ajo thotë.

Ajo çka njerëzit nuk e shihnin ishte se të qenit njëri nga “Djemtë e Daphne-s” ishte e mrekullueshme.

Kur njerëzit lexojnë se nëpër çfarë ka kaluar nëna ime nga hakmarrja për shkrimet e saja — sulme zjarrvënëse, kërcënime me vdekje, helmimin e qenit tonë, prerjen e gomave të makinës, masat ndëshkimore ndaj nesh, familjes së saj — besojnë se jemi rritur në një zonë lufte.

Kanë të drejtë: Në njëfarë mënyre, Malta ishte një zonë lufte.

Bomba e vendosur nën ulësen e veturës së nënës sime gjatë natës së 15 tetorit të vitit 2017 dhe shpërthimi mbasditen e ardhshme nuk ishte atentati i parë ndaj saj. E para kishte ndodhur një dekadë më parë.

Ishte koha e provimeve. Isha jashtë me shokë dhe u ktheva në shtëpi në 2:30 në mesnatë për të parë një zjarr të madh prapa shtëpisë. Kohë e çuditshme për të ndezur zjarr, mendova. Por tymi dukej i madh dhe i zi dhe kur u afrova më afër munda t’i dëgjoja xhamat e dritares duke kërsitur nga nxehtësia.

Shtëpinë e kishte kapluar zjarri, prindërit dhe vëllau më i madh ishin duke fjetur brenda. Vrapova dhe i zgjova dhe kur e shuajtëm zjarrin e pamë se nuk ishte djegur akoma një grumbull i omave të veturës dhe shisheve të plastikës të mbushura me vaj dhe të vendosura pranë dhomës së ndenjës që hapej për të dalë në kopsht.

Nëna ishte duke raportuar për grupin e neo-nazistëve të cilët me mbështetjen e një pjese të vogël të elektoratit të Maltës donin të shtinin mbi dhe të vrisnin refugjatët afrikan që po kërkonin azil në det para se të vinin në Maltë.

Në kolegjin tim Jezuit të hënën e ardhshme, njerëzit më thonin se ishte e papërgjegjshme nga ana e nënës sime të më linte të dilja jashtë kaq vonë. Më kujtohet se mendoja: Ka një problem në këtë vend dhe ai problem nuk është nëna ime.

Nga ajo pikë, unë dhe vëllezërit e mi u mësuam të quheshim “Djemtë e Daphne-s”. Një vit para se të vritej, ajo shkroi:

“E kam bërë këtë punë për një kohë kaq të gjatë aq sa djemtë e mi, tani të gjithë 30 vjeç e më shumë, nuk dinë asgjë tjetër pos saj. Kur fillova ta shkruaj kolumnën e gazetës njëri prej tyre ishte në pelena ndërsa dy të tjerët në kopsht.

“Ata u rritën duke mendur se ishte krejt normale ta gjesh emrin e nënës nëpër të gjitha gazetat dhe në majën e gjuhës së politikanëve, ta kesh shtëpinë në zjarr, t’i kesh policët te porta për ta ruajtuar ose për ta arrestuar nënën, nëna të kontrollojë nën veturë për bomba para se t’i dërgojë në shkollë, të përgjgjet në telefonin e shtëpisë e t’i dëgjosh disa të çmendur që të shajnë kur je vetëm tetë vjeç, të gjesh kuti me jashtëqitje të njeriut në postë, ta shohësh nënën të kritikohet ashpër në televizionin e Labour Party, e portretizuar si një shtrigë në gazetën e Labour Party (Partisë së Punës) dhe që thuhen thashetheme pafund dhe brutale për të nga njerëzit që i njeh dhe prindërit e tyre në Facebook”.  

Ajo kurrë nuk e ka thyer besimin edhe nëse jeta e saj ka qenë në rrezik.

Çka njerëzit nuk e shihnin ishte se të qenit njëri nga “Djemtë e Daphne-s” ishte e mrekullueshme. Ajo dukej se kishte gjithë kohën e botës për ne — nuk e di si, por ajo e bëri. Do të na dërgonte në plazh pas shkollës, në gërmime arkeologjike kur u regjistrua në universitet, në piknik. Na mësoi të lexojmë shumë, të mendojmë lirshëm dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin, shoqërinë tonë, familjen, qentë dhe brejtësit tonë. Shpesh mendoja pse shoqëria e nënës sime ishte kaq ndryshe nga shoqëria ime.

Daphne me djemtë e saj Andrew and Matthew, të lindur në vitin 1987 dhe 1986. Foto e familjes Caruana-Galizia.

Nëna ime, që kishte pikëpamje të forta për kishën nuk donte të më dërgonte në shkollë për ditën e Komunikimit të Shenjtë ( Holy Communication day), por nuk donte që të ndihesha i lënë anash. Më me dëshirë do ta kisha kaluar ditën në shtëpi duke luajtur PlayStation me vëllezërit e mi, por kjo nuk bëhej. U dërgova në shkollë i veshur në një maicë, pantallona të shkurtra dhe papuqe. Të gjithë të tjerët, të gjeneratës sime, ishin të veshur në fustana të bardhë tradicional dhe kostume.

“Pse të ka dërguar nëna në papuqe?” një shok klase më pyeti.

“Nuk e di. Pse e jotja të ka vendosur në një tuxedo (veshje formale) të bardhë?”

Kjo më bën të mendoj se nëna ime gjithmonë ishte e përcaktuar të bëhej gazetare. Një prift i tregonte asaj për vetminë e tij dhe si babai e kishte braktisur kur kishte qenë i vogël; inspektori i bankës i tregonte asaj si iu është kërkuar të mbulojnë shpërlarjen e parave; punëtorët e qeverisë i zbulonin korrupsionin.

Asnjëherë nuk e ka thyer besimin edhe nëse jeta e saj ka qenë në rrezik. Ajo s’ka mbajtur shënime dhe i ka fshirë email-at dhe mesazhe të ndjeshme, diçka që këta që po e hetojnë vrasjen e saj nuk e besonin derisa kontrolluan shtëpinë një ditë pasi ajo u vra.

Kjo dhe aftësia për reagim ndaj padrejtësisë, gjë që kurrë nuk e humbi, e bënë nënën time ndërgjegjen morale të Maltës.

Nuk e di nëse kishte nevojë për një pikë kthimi për të vendosur të bënte atë që bënte, por nëse do të ishte një ajo mund të ketë qenë koha kur u arrestua për herë të parë në moshën 19 vjeçare kur kishte protestuar kundër mbylljes me dhunë të shkollave nga ana e qeverisë.

Një inspektor i policisë e mori, e tërhoqi në një furgon dhe e dërgoi në depon e policisë ku u mbajt në një “qeli të errët, me mure të njollosura me jashtëqitje dhe një kofe të metaltë për tualet” për 27 orë pa takuar askënd.

Inspektori i policisë e detyroi të nënshkruante një rrëfim të pavërtetë, të cilën ai e kishte shkruar vet dhe i cili thoshte se ajo e kishte sulmuar atë. Kur ajo u dërgua në gjyq dhe u akuzua, përveç tjerash, për sulm ndaj policit, gjyqtari menjëherë e hodhi poshtë rastin si i pambështetur nga dëshmitë.

“Më kujtohet gjyqtari Scicluna në vitin 1984 që dukej i tmerruar kur më dëgjoi të përshkruaj trajtimin tim në duart e inspektorit Farrugia,” ajo shkroi disa vite më vonë. “Unë, në anën tjetër, veç po i numëroja bekimet e mia: Dola gjallë dhe me gjymtyrët në vend. Gjë që nuk kishte ndodhur me të tjerët”.

Pak më vonë, nëna u martua me njërin nga avokatët që ishte i pranishëm atë ditë në dhomën gjyqësore të gjyqtarit. Prindërit e mi nuk u takuan aty, por mendoj se kjo episodë ishte më shumë një pikë kthimi për babain tim, Peter, sesa për nënën time.

”Gruaja ime u vra sepse ishte e rëndësishme, u vra sepse të fuqishmit kishin frikë prej saj dhe kriminelët ishin të xhindosur me të”.

Peter Caruana Galizia, burri i Daphne-s.

Një herë e zura duke e parë nënën në pjesën ku ipet dëshmia, në një nga 70 paditë për shpifje të paraqitura ndaj saj (34 prej të cilave i kanë kaluar familjes, si pasardhësit e saj), duke buzëqeshur dhe në frikë për gruan zemrën e të cilës e kishte fituar, kur ajo po ia kalonte në argument ministrit të kabinetit dhe ekipit të tij të avokatëve, njërin pas tjetrit, të cilët e kishin akuzuar atë. Kur u larguam, babai u kthye nga unë dhe më pyeti : A e shikove nënën?”

Prindërit e mi u takuan në një bar në Rrugën Julian, afër vendlindjes së tyre në Sliema. Nëna po qëndronte pranë barit, e lodhur dhe po hapte me gojë. Babai e pa mundësinë dhe iu afrua.

“E di – çfarë i çmenduri,” më tha ajo.

“Nëna jote ishte gjithmonë pak më ndryshe, e di”, është si e kujtonte ai.

Ishim të lumtur dhe të afërt kur po rriteshim. Nëna njëherë më përshkroi mua dhe vëllezërit e mi, gjatë njërës nga përleshjet tona se kush i mori pantollonat e tjetrit apo çkado tjetër, si një qaqoċċa (artiçoka), të cilat në Maltë janë më të vogla dhe gjethet e tyre më të ngushtuara rreth zemrës. Ashtu ishin dhe prindërit e mi, të cilët mundoheshin nën gjendje të vështirë të na mbrojnë neve dhe veten.

Ata folën shumë, për gjithçka. Të tre djemtë do të uleshim aty, duke u mundur të ndërlidheshim, dhe kur po rriteshim, u bashkuam. Në mbrëmje babai do t’ia përgatiste nënës një xhin tonik dhe verë për vete. Atyre iu pëlqente të punonin në kopsht — nëna kaktusët, babai pemët — ata e dinin historinë e çdo bime që e preknin.

Në një vend me 475,000 banorë uebfaqja e saj kishte 400,000 vizitorë unik në ditë.

Kurrë se kam parë nënën duke folur publikisht dhe e kam parë babain ta bëjë këtë vetëm një herë. Në një ceremoni në Parlamentin Evropian të mbajtur për të emëruar dhomën e konferencave sipas emrit të nënës sime pas vdekjes së saj, ai tha:

“Gruaja ime, Daphne, ishte një grua e jashtëzakonshme, por me siguri ju veçse e dini këtë sepse askush nuk do të mirrte masa kaq drastike për ta heshtur një grua që nuk ishte e rëndësishme. Gruaja ime u vra sepse ishte e rëndësishme, u vra sepse të fuqishmit ia kishin frikën dhe sepse kriminelët ishin të xhindosur me të. Kur të gjitha format ligjore u shteruan dhe të gjitha kërcënimet dolën të paefektshme, vetëm një zgjidhje kishte mbetur. Gruaja ime u ekzekutua papritur, pa mëshirë dhe dhunshëm pak metra larg shtëpisë në të cilën e kemi rritur familjen tonë”.

Në Maltë çdokush e lexonte Daphne-n; mbiemri ynë ishte i shumëpërfolur. Në një vend me 475,000 banorë uebfaqja e saj kishte 400,000 vizitorë unik në ditë, më shumë se një milion gjatë fushatave zgjedhore dhe numër më të madh se lexueshmëria e të gjitha gazetave të Maltës bashkë. Ajo nuk dilte në media dhe nuk i pëlqente interesimi për jetën e saj në vend të punës, duke thënë se gjërat në Maltë ishin kaq depresive, kaq të kalbura, saqë ajo u bë një person i famshëm.

Por politikanët, miqtë dhe banditët e tyre për të cilët ajo kishte raportuar, e bën atë qendër të fushatave të vazhdueshme të urrejtjes. Këshilltari për komunikim i tanishëm i kryeministrit, Glenn Bedingfield, gjithashtu deputet, e hapi një blog me qëllimin e vetëm që ta poshtërojë, duke kërkuar nga lexuesit të dërgojnë foto të saj gjatë ditës, foto tona (të djemëve), dhe të babait tonë.

Përndjekja u keqësua në vitet e fundit të jetës së saj, sa ajo u ndje e pafuqishme të dilte nga shtëpia dhe filloi të përdorte një veturë me qera, veturë të cilën të gjithë e mbajnë mend si vetura që shpërtheu në një fushë të shkretë, më shumë sesa që ishte vetura e saj.

Këshilltari i kryeministrit e hapi atë blog pak ditë para se nëna të shkruante një për një ngjarje sesi një ministër i lartë i kabinetit, Konrad Mizzi dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Keith Schembri, kanë hapur shell kompani të regjistruara në Panama, pak ditë pas zgjedhjeve të tyre në vitin 2013. Një grup i gazetarëve, si pjesë e Projektit të Daphne-s, kanë gjetur se kompanitë do të fitonin 150,000 dollarë në muaj për 18 vite prej një marrëveshje të korruptuar të energjisë me Azerbajxhanin dhe e nënshkruar me “diskrecion ministror” të ministrit.

Prej momentit që ajo e postoi këtë ngjarje e deri te vdekja e saj, ajo nuk e drejtonte më ciklin e lajmeve, ajo ishte cikli i lajmeve, në Maltë dhe, për shkak të Panama Papers, përtej Bashkimit Evropian.

Politico e quajti si njërën nga 28 njerëzit që e formësuan Evropën në vitin 2017. Sa shumë që kishin të drejtë. Citimi i saj shkruan: “Një grua WikiLeaks, që merr pjesë në kryqëzatën kundër jotransparencës dhe korrupcionit në Maltë, një shtet ishull i famshëm për të dyja”.

Ishte në uebfaqen që e hapi në vitin 2018. Running Commentary, që solli ngjarje të mëdha, duke i përfshirë këto të Panama Papers. Uebfaqja e saj i dha lirinë të përdorë satirë aq sa donte. Satira ishte diçka e padëgjuar në Maltë por ajo ishte e shkëlqyeshme në të.

Ende qeshi sa herë që e lexoj e pastaj e ndjej zemrën që më thyhet në copa.

Në muajin maj para se të vritej, ajo shkroi për Kryeministrin Joseph Muscat: “Është thjesht çështje kohe para se bastardi i korruptuar do të fillojë të na citojë lutjen e famshme të Francis of Assisi siç bëri në zgjedhjet e fundit elektorale (“Zot, më bëj mua një instrument të paqes Tënde”). T’ia lehtësoj punën, ia kam rishkruar në një version bashkëkohor”.

Duke iu referuar Henley & Partners, kompania private që ka një monopol në shitjen e pasaportave malteze, një marrëveshje që ajo e zbuloi në fillimin e mandatit të parë të kryeministrit në vitin 2013, ajo filloi:

“Henley, më bëj mua një instrument të shitjes së pasaportave…”

Ende qeshi sa herë që e lexoj dhe pastaj e ndjej zemrën që më thyhet në copa.

Gazetaria e saj financiare ishte udhërrëfyese. Edhe pse vendi ishte kthyer në një qendër financiare në vitet e fundit, asnjë gazetar i pavarur nuk i kuptoi se si punonin paratë në të vërtetë, si po shpërlahen, zhvendosen dhe fshihen.

Ajo këmbëngulte se Malta duhej të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian dhe luftoi ashpër për anën e “hyrjes” në fushatën e suksesshme për anëtarësi në vitin 2003.

Ajo ishte rritur në Maltën që ishte më kontrolluese dhe më e varfër në kuptimin material. Një shtet që ishte krejtësisht i varur në importin kishte kuota të ashpëra të importit. Për shembull, dyqanet përmbanin një markë të çokollatës të prodhuar nga fabrikat në pronësi të shtetit. Kishte shijen e dyllit, më tha ajo.

Pajisjet shtëpiake dhe televizorët me ngjyra ishin jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe iu jepeshin vetëm aparatçikëve (zyrtarëve) politik. Malta dhe fëmijëria e saj ishin afër një shteti komunist, duke preferuar lidhjet me Gaddafin, Kolonelin e Libisë, Korenë e Veriut dhe Bashkimin Sovjetik sesa me Evropën Perëndimore.

“Vetëm mbi trupin tim të vdekur, fëmijët e mi do të mbesin me këto vështirësi”, ajo i kishte thënë Politico-s për anëtarësinë e Maltës në Bashkimin Evropian. Shpresa e saj ishte se anëtarësia do ta demokratizojë vendin.

Zemërimi i saj ndaj padrejtësive është çka e shtyu të shkruante: dhuna ndaj kërkuesëve të azilit dhe fëmijëve, ikja nga kolonat në trafik nga ministrat e kabinetit, shkatërrimi i fshtatrave të Maltës, abuzimi i zyrës publike për përfitime personale dhe mizogjinia. Ajo ishte quajtur “shtrigë”, “lavire” dhe “grua në menopauzë” gjatë karrierës 30 vjeçare të saj.

Daphne dhe djalin e saj Pauli-n, i lindur në vitin 1988. Foto e familjes Caruana-Galizia.

Pak muaj para se të vritej shkroi: “Këtë mëngjes në gjyq: Mizogjinia duhet të dëgjohet në mënyrë që të besohet”.

Ajo e përshkruante një skenë të gjyqit të një nga rastet e shpifjes kundër saj, tani një rast famëkeq i paraqitur nga ministri i ekonomisë, Chris Cardona, dhe këshillitari i tij kryesor, Joe Gerada, pasi ajo kishte raportuar se dy burrat kishin shkuar bashkë me një prostitutë në një shtëpi publike derisa ishin në një udhëtim zyrtar në BE.

Ajo kishte raportuar se toni i avokatit të tyre, këshilltar në Labour Party dhe në qeveri, “vlon me urrejtje të pamëshirshme dhe zemërim, me përbuzje  dhe mbi të gjitha, me irritim ekstrem që një grua jo vetëm që e hap gojën për të mos lavdëruar egot (apo diçka tjetër) por pastaj nuk do të mbyllë gojën.

A do ta thonin këtë, me këtë ton dhe me këtë qëndrim, a do t’i thoshin pikërisht këto gjëra nëse do të isha burrë?”

Hera e fundit që nëna doli nga shtëpia ishte të takohej me menaxherin e bankës për të pasur qasje në fondet e ngrira nga ministri i ekonomisë.

Në këtë rast, ministri i ekonomisë e bindi gjyqin të bllokonte pasuritë e nënës sime duke e përdorur një “urdhër paraprak” normalisht e rezervuar për rastet e kreditor-borxhli dhe e përdorur këtu për herë të parë në historinë e Maltës për një rast të shpifjes. Këshilli i Evropës e qortoi Maltën për këtë veprim ligjor.

Qeveria u përgjigj në një letër zyrtare dërguar Këshillit duke e quajtur nënën time një “blogere urryese.” Lexuesit e saj mblodhën 70,000 euro në një ditë të vetme për ta ndihmuar ta paguajë mbrojtjen e saj dhe t’ia mundësoj të vazhdojë të jetojë. Pas mbledhjes së parave, ajo tha:

“Pas tarifave të gjyqit dhe zgjidhjes së komplikimeve tjera të panumërta, paratë e mbetura do të dhurohen te Dar Merhba Bik, strehimi për gra. Mendoj se kjo është e përshtatshme pasi gjinia ime është një faktor i rëndësishëm në dhunën morale që e përjetoj çdo ditë si një kritikë e politikanëve meshkuj në Mesdheun jugor. Është gjithashtu një çështje shumë e rëndësishme për mua”.

Ministri i ekonomisë, i cili do të merret në pyetje nga policia si pjesë e hetimeve të vrasjes, e hodhi çështjen ashtu siç bëri këshilltari i tij pasi dështuan të paraqiteshin për një dëgjim të vetëm pas vrasjes së saj. Nëna vdiq pa qasje në paratë e saj përderisa ministri mbetet në kabinet, ndërsa ne, trashëgimtarët e saj, duhet të vazhdojmë të luftojmë në gjykatë për t’i lëshuar paratë.

Hera e fundit që nëna doli nga shtëpia ishte të takohej me menaxherin e bankës për të pasur qasje në fondet e ngrira nga ministri i ekonomisë. Ajo mezi doli nga rrugica për në shtëpinë tonë nga rruga Bidinija kur bomba nën ulësen e saj shpërtheu duke e hedhur atë dhe Peugeot-in e saj në një fushë të afërt. Pastaj vetura shpërtheu në një grumbull flakësh.

Ishte në vendin e njëjtë ku 20 vite më parë vëllau im i dytë Andrew kishte rënë nga një go-kart (veturë lodër) që e kishim ndërtuar dhe e gërvishti pulpin e këmbës shumë keq. Kishte provuar ta fshihte nga prindërit por nëna e kishte parë. “A je çmendur? Ta vozisësh një veturë lodër në atë kodër. Djem, a e dini sa e rrezikshme është kjo?”

Vendi tani shënon vendin ku gazetarja e famshme e Maltës, nëna ime, u vra në moshën 53 vjeçare të hënën më 16 tetor 2017 në ora 3 të mesditës.

Isha në Londër. Andrew dhe babai ishin në punë në Valletta. Mathew ishte në shtëpi me nënën para se ajo të dilte nga shtëpia. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa i dridhi dritaret dhe dyert e shtëpisë.

“Menjëherë e kuptova që ishte një shpërthim i bombës në veturë”, Matthew, që kishte vrapuar nga shtëpia këmbëzbathur, iu kishte treguar gazetarëve. “Ishte një zjarr tepër i madh”, ai tha. “Si zjarri i ferrit. Ishte… tmerrshëm, tingulli i timonit. Pjesët e trupit ishin kudo nëpër tokë”.

Unë dhe Matthew nuk flasim për atë pasdite. Ai e ka diskutuar aq shumë me gazetarët, avokatët, zyrtarët policor dhe në kokën e tij. Sidoqoftë, unë nuk mund ta përballoj. Është një nga dy skenat — tjetra skenë është fotoja e shtypit e Andrew dhe babait kur kanë mbërritur ne skenën e  shpërthimit – që ma bllokojnë mendjen dhe ma ngrinë zemrën.

Por më kujtohet kur Matthew më thirri, pandërprerë, prej një numri që nuk e njoha. Ia dërgova numrin nënës për ta pyetur nëse e njihte. Asnjë përgjigje. Tezja ime Cora, më e madhja nga tri motrat, më thirri pastaj duke më thënë se duhej ta thirrja Mattew-n menjëherë.

“Ishte një bombë në veturën e saj”, më tha. E ndjeva një përjetësi në mes të çdo fjale pas kësaj. “Nuk ma merr mendja që ka shpëtuar. Paul, eja në shtëpi”.

Patjetër që ai e dinte që nuk kishte shpëtuar. Pjesët e trupit ishin kudo nëpër tokë. Edhe unë në zemrën time e dija. Mirëpo, kjo ma lejoi të shtiresha mjaftueshëm kështu do të mundja — me gruan time, Jessica-n që pothuajse më mbante — të shkoja në shtëpi.

I kaluam bashkë ditët e ardhshme në shtëpi duke dalë vetëm tri herë brenda tri javëve. Hera e parë shkuam në morg për t’i dhënë mjekut ligjor një mostër të ADN-së kështu ai mund t’i identifikonte të mbeturat e nënës. Deri tani identifikimi ishte i varur nga rrethanat, shpjegoi ai, duke marrë parasysh se bomba ishte e fuqishme.

Babai sugjeroi thyerjet në krahun e saj të majtë dhe nyja e djathtë mund të ndihmojnë por mjeku ligjor iu përgjigj: “Ija, ħi, imma hemm ħafna fractures” (“Po, shok, por aty ka plot thyerje”).

Herën e dytë për të shkuar në Parlamentin Evropian për të marrë pjesë në një debat plenar për vrasjen e saj. Dhe, se fundmi, për varrimin e saj më 3 nëntor.

Në këtë predikim, kryepeshkopi i Maltës iu tha gazetarëve “kurrë mos u ndalni në misionin tuaj për të qenë sytë, veshët dhe goja e popullit”. Ai pastaj mu drejtua mua dhe vëllezërve të mi dhe tha:

“Siç e dini, kurdo që nëna juaj ishte jashtë, ajo kishte zakon të ndizte një qiri në kishë për secilin prej jush: lutja e heshtur e një nëne për fëmijët e saj… Nëna juaj e dashur pati një vdekje mizore nga dora e fshehur e dikujt që kishte vlerësuar errësirën ndaj dritës sepse veprimet e tij janë të liga. E shihni se ju gjithmonë do të jeni fëmijët e dritës”.

Tani që Malta ka vrarë Cassandra-n e saj, Daphne-n tonë, duhet të përballemi me atë që ajo ka provuar gjatë kësaj kohe të na tregojë.

I kërkuam kryeministrit, zyrtarëve të tij, udhëheqësit opozitar dhe presidentit, të gjithë subjekte të hetimeve të vrasjes së nënës sime, të qëndrojnë larg. Kështu vepruan. Anġlu Farrugia, inspektori policor që e kishte arrestuar nënën kur ishte 19 vjeçare, tani folës i House of Representatives, dërgoi lule me emrin e tij në to. Matthew i shqyu dhe i largoi nga arkivoli i mbyllur i nënës.

I ndezëm tre qirinj dhe Matthew e lexoi Ecclesiastes 3, për të cilin nëna një herë shkroi se ishte “i gdhendur në zemrën time”.  Ligësia është vendi i drejtësisë. Ka kohë për gjithçka, stinë për çdo aktivitet nën qiell. Një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, për të vrarë, për të shëruar, për të vajtuar dhe vallëzuar. Nuk e di kur do të vijë kjo kohë. Dhe nuk e di që do të jemi gjithmonë fëmijët e dritës në të cilën, ndonjëherë, duket si një errësirë e plotë.

U largova nga Malta pak orë pas varrimit të nënës dhe ende nuk jam kthyer. Është më e sigurtë dhe më e lehtë për mua, të luftoj betejat tona kundër qeverisjes së Labour Party dhe shtetit të Maltës, të cilët vazhdojnë të bllokojnë një hetim publik për vdekjen e nënës sonë edhe pse kanë obligim ligjor të thërrasin një, prej Londrës.

Në fund, për çka ishte e gjithë kjo? Për gjithçka. Gazetaria e saj ishte drita jonë udhëzuese për gjithçka. Ajo na krijoi neve dhe vendin tonë në diçka më të mirë. Dhe tani, Malta e ka vrarë Cassandra-n e saj, Daphne-n tonë, duhet të përballemi me atë që ajo ka provuar të na tregojë gjatë gjithë kësaj kohe.

26 vjeçare, tre djemtë e saj duke e tërhequr nga mangët, burri i saj duke e bezdisur, nëna ulet në tavolinën e saj duke e shikuar kopshtin në një pasdite me diell në një të shtune maji kur Malta është në momentin e saj më të mirë, për të shkruar kolumnën e saj të së shtunës. Ajo shkruan:

Frika, fatkeqësisht, është armiku më i madh i lirisë së shprehurit — dhe i dialogut. Frika të dërgon në situata të rrezikshme ku individëve iu mbyllet goja, janë të detyruar të mohojnë ato që kanë thënë nëpërmjet formave të frikësimit, apo nga disa mjete të tjera të zhvlerësuara… Individët nuk duhet të dënohen vetëm që e ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore të flasin çka kanë në mendje. Mund ta quajmë veten njerëz demokratik — në krahasim me një qeveri demokratike — ku shumë prej nesh e bëjnë të njëjtën, pa i pasur frikë pasojat”.

Foto kryesore: Daphne me burrin dhe djemtë. Foto e familjes Caruana-Galizia.

Ky artikull është botuar fillimisht nga media Tortoise dhe është ripublikuar këtu me lejen e tyre.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.