Blogbox | BiH

Drejtësia vjen nga sheshet, rrugët dhe tubimet qyetatare

Nga - 10.06.2020

Dhuna shoqërore-ekonomike dhe drejtësia në Bosnjë e Hercegovinë.

Prej vitit 2014, kam kaluar shumë kohë duke hulumtuar në Bosnjë dhe Hercegovinë (BeH) dhe për të. Isha e interesuar për proceset e ballafaqimit me të kaluarën dhe për dhunën pas përfundimit të luftës, por me të kryer hulumtimet e mia të mëhershme mbi këtë, nuk u binda se gjykimet e krimeve të luftës mund ta përbëjnë tërë procesin e drejtësisë së pasluftës në BeH.

Në veçanti isha e interesuar për pasojat shoqërore-ekonomike të luftës, për kontekstin në të cilin janë promovuar reformat ekonomike të pasluftës, dhe atë se si është lidhur me përvojat e njerëzve nga lufta. Ndërsa filloja projektin, protestat e shkurtit 2014 e bënë mjaft të qartë se kjo mbetej çështje e rëndësishme për aktivistët dhe për qytetarët boshnjakë.

Të nisura në Tuzlla, demonstratat u përhapën shpejtas nëpër vend dhe krijuan hapësirë për diskutime publike rreth çështjeve shoqërore-ekonomike dhe për ekonominë politike që ishte margjinalizuar nga elitat politike përgjatë periudhës së pasluftës.

Pas shumë vitesh pune, pjesa më e rëndësishme e hulumtimit do të botohet në librin tim “Drejtësia Shoqërore-Ekonomike: Intervenimi Ndërkombëtar dhe Tranzicioni në Bosnjën e Hercegovinën e Pasluftës” që do të dalë nga shtypi në qershor.

Rrëfimet nga Prijedori dhe Zenica

Kërkimi im në Bosnjë është përqendruar në tri gjëra:

  • Mënyra se si komunitetet përjetuan dhunën shoqërore-ekonomike gjatë luftës (dhe si kjo padrejtësi është zgjatur përgjatë tranzicionit);
  • Si këto përjetime janë përkthyer në pretendime për drejtësi dhe mobilizim shoqëror;
  • Roli që ka luajtur komuniteti ndërkombëtar në këto procese, duke marrë parasysh anën shoqërore-ekonomike të ndërhyrjeve në drejtësinë tranzicionale dhe implikimet e drejtësisë të ndërhyrjeve ekonomike nga Institucionet Ndërkombëtare Financiare (INF-të). 

Për t’i rrokur dy pyetjet e para, kam kryer intervista me njerëz në Prijedor dhe në Zenicë. I zgjedha këto dy qytete sepse doja të fokusohesha në qytezat industriale që janë ndikuar në mënyra të ndryshme nga konflikti.

Dhuna shoqërore-ekonomike zakonisht trajtohet vetëm si kontekst, më parë si nënprodukt sesa si pjesë thelbësore e ngjarjeve të kohës së luftës.

Fakti se këto dy qytete po ashtu kanë qenë pjesë e zinxhirit të njëjtë të çelikut ishte po aq i rëndësishëm, sidomos kur dihet se ArcelorMittal bleu dy pjesët e xeheve të hekurit dhe fabrikën e çelikut në Zenicë gjatë privatizimit.

Hulumtimi tregoi se dhuna shoqërore-ekonomike në formën e shpronësimeve, shkarkimeve, privimeve dhe margjinalizimit ishte thelbësore në përvojën e njerëzve gjatë luftës dhe është sipërvendosur dhe ndërthurur në mënyra të ndryshme me llojet e tjera të dhunës.

Kjo mund të duket afërmendsh për ata që kanë kaluar nëpër luftë, por kjo formë e dhunës — dhuna shoqërore-ekonomike — zakonisht trajtohet vetëm si kontekst, më parë si nënprodukt sesa si pjesë thelbësore e ngjarjeve të kohës së luftës dhe margjinalizohet në debatet për drejtësinë trazicionale.

Ky kuptim i ngushtë i dhunës më pas frymëzon atë se si ilaçet e dhunës — pra, drejtësia — përkufizohen dhe zbatohen.

Intervistat e mia treguan se njerëzit në Prijedor dhe në Zenicë duan që drejtësia të bëhet përmes rishpërndarjes, thirrjes për të drejtat e punëtorëve, pjesëmarrjes në vendimmarrjen ekonomike dhe mirëqenies.

Në Prijedor, kjo do të thoshte të ofroheshin mundësi domethënëse të punësimit dhe të drejta për ata që janë pushuar nga puna në vitin 1992 në bazë të diskriminimit etnik (gjë që ishte hapi i parë drejt spastrimit etnik).

Proceset e drejtësisë

Për njerëzit në Zenicë, kjo do të thoshte përfshirje në diskutimet për të ardhmen e fabrikës së çelikut, si dhe për shqetësimet ekonomike dhe mjedisore.

Sidoqoftë, proceset e drejtësisë pas luftës janë përqendruar në një kuptim të ngushtë, legalistik ose gjyqësor të drejtësisë së pasluftës, e cila do të ndiqej përmes gjykimeve për krime lufte në Hagë dhe në BeH. Edhe programet e tjera të drejtësisë tranzicionale, sikur pagesat e lidhura me luftën dhe programet e kthimit, nuk i kanë rrokur si duhet pasojat e dhunës shoqërore-ekonomike.

Përveç kësaj, tranzicioni i pasluftës është formësuar nga reformat e promovuara nga INF-të sikur Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe më vonë gjithashtu nga BE-ja. Këto reforma — privatizimi, liberalizimi, zvogëlimi i shpenzimeve — efektivisht kanë shtrënguar mundësine e arritjes së drejtësisë shoqërore-ekonomike siç kërkohej nga njerëzit me të cilët kam folur në Prijedor dhe në Zenicë.

Shqyrtimi i ekonomisë politike të konfliktit dhe të tranzicionit është element thelbësor për t’i kuptuar çështjet e drejtësisë në Bosnjë e Hercegovinë (dhe mbase edhe në vende të tjera).

Ç’është e rëndësishme të shënohet, diskutimi i drejtësisë së pasluftës zakonisht nuk ka analizuar përfshirjen e INF-ve në këto procese. Në fakt, puna e tyre shihet si pjesë e ndarë e sferës ekonomike që varet nga rezultatet e tregut, e jo nga konsiderimet e drejtësisë.

Ky hulumtim qartazi tregon se kemi nevojë t’i zhdukim këto hendeqe të pavyera mes atyre që duken si çështje “teknike” të ekonomisë në njërën anë dhe pyetjeve të drejtësisë dhe paanshmërisë në anën tjetër. Shqyrtimi i ekonomisë politike të konfliktit dhe të tranzicionit është element thelbësor për t’i kuptuar çështjet e drejtësisë në Bosnjë e Hercegovinë (dhe mbase edhe në vende të tjera).

Lidhja mes drejtësisë dhe ekonomisë politike ishte po ashtu qartazi e dukshme në lëvizjet protestuese sikur tubimet e vitit 2014. Ndërsa pretendimet për drejtësi shoqërore-ekonomike mbetën të parrokura si nga INF-të ashtu dhe nga programet tranzicionale, grupet aktiviste të vetorganizuara dhe qytetarët boshnjakë i sollën në ballë të debatit publik.

Përmes një analize të këtyre ngjarjeve, dhe bazuar në intervistat me aktivistë gjithandej Bosnjës, unë besoj se proceset e drejtësisë mund të gjenden jo vetëm në sallat e gjykatave por edhe në sheshet tona, në protesta publike dhe në tubime të qytetarëve. Ky hulumtim mëton ta theksojë një aspekt më pak të eksploruar por tepër të rëndësishëm të drejtësisë së pasluftës dhe përvojën që ka pasur Bosnja me të, dhe t’i mbështesë përpjekjet e njerëzve për të sjellë drejtësi shoqërore-ekonomike tani.

Imazhi i ballinës: Daniela Lai.

  • PËR AUTORIN/EN Daniela Lei
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO