Blogbox | #CkaKishaNdërru

Dyfish të izoluar

Nga - 18.02.2022

Sistemi i vjetëruar arsimor i detyron të rinjt e të rejat të heqin dorë nga ëndrrat e tyre.

Aq sa e dua Kosovën, aq edhe dua t’ia eliminoj problemet me të cilat përballemi përditë. Si një e re që dalëngadalë po hyn në jetën profesionale, zgjedhja e drejtimit të studimit ka qenë tejet e vështirë, pasiqë në Kosovë nuk ofrohen drejtimet për të cilat jam e interesuar. 

E thelluar në fushën e teknologjisë, kam parë që disa drejtime goxha të rëndësishme ende nuk kanë arritur të thyejnë akullin nëpër institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. E gjendur në këtë situatë, u detyrova të kërkoja për mundësi jashtë vendit. 

Ky detyrim vjen me shumë sakrifica, ndër to, duhet ta lësh familjen dhe rrethin shoqëror dhe të shkosh në vende ku përshtatja mund të jetë e vështirë, duhet të shpenzosh shuma marramendëse të parave –– e gjitha vetëm për të ndjekur studimet në drejtimin që preferoj.

Duke i peshuar këto dy anë –– zgjedhjen e drejtimit që dua me gjithë sakrificat dhe qëndrimin në Kosovë, për të studiuar një drejtim tjetër, që nuk është i zgjedhuri im –– vendosa të qëndroj këtu, të zgjedh një drejtim (Shkencat e Web) që të paktën i përafrohej drejtimit tim të preferuar (Shkenca e të Dhënave njohur si Data Science dhe Mësimi i Makinave njohur si ML – Machine Learning).

Dhe në një situatë të këtillë, e di që nuk jam gjendur vetëm unë. Njoh shumë të reja e të rinj, të cilëve ose iu është dashur t’i bëjnë sakrificat që përmenda më lart, duke shkuar në një vend tjetër, ose iu është dashur të heqin dorë nga ëndrrat e tyre dhe të studiojnë në Kosovë. 

Normalisht, jo të gjithë mund të zgjedhim, sepse për shumë është e pamundur të shkojnë në shtete tjera, sepse shpenzimet janë thjesht të papërballueshme. Heqja dorë nga drejtimi i dashur jo rrallë është opsioni i vetëm. Kjo gjendje e pengon përmbushjen e potencialit të të rinjve e të rejave, prandaj këtë gjë do t’ia ndryshoja Kosovës. 

Një sistem arsimor i përditësuar

Sistemit arsimor duhet t’i kushtohet vëmendje sa më parë, sidomos arsimit të lartë. Duhet të rimendohen drejtimet ekzistuese dhe të përfshihen drejtimet që teksa janë inkuadruar në mbarë botën, te ne janë ende të panjohura. 

Në atë rrugë, gjeneratat e reja duhet të inkurajohen të ligjërojnë në lëmitë që lidhen me teknologji pasiqë ka mungesë të kuadrove të gatshme për të ligjëruar në këto drejtime të reja. Po ashtu, profesorët e tanishëm, duhet të angazhohen në trajnime të specializuara me qëllim që t’i përditësojnë njohuritë e tyre, kjo është qenësore pasiqë teknologjia është duke u zhvilluar vazhdimisht dhe me këtë zhvillim, ndërrojnë edhe informatat rreth saj. 

Një tjetër çështje që është e pandashme që shpesh vjen si rezultat i mosadresimit të sfidave që i përmenda më lart është moszhvillimi i tregut të punës, në veçanti në fushën e teknologjisë.

Kështu, shumë të rinj e të reja, në vend se të inkurajohen, dekurajohen për të studiuar drejtime që janë pak të njohura ose të panjohura në Kosovë, sepse me shumë gjasë do ta kenë të vështirë të gjejnë vende pune ku mund t’i aplikojnë njohuritë e tyre. 

Në një shtet të izoluar, kërkimi i qytetarëve të Kosovës për përgatitje akademike jashtë vendit është shumëfish më i vështirë se ai i qytetarëve të shteteve tjera.

Prapë kthehemi te rrethanat që i shtyjnë të rinjt e të rejat të studiojnë drejtime që nuk i duan, vetëm për hir të sigurisë financiare në të ardhmen. Në të kundërtën, të rinjt e të rejat emigrojnë që të zhvillojnë karrierën që duan –– proces ky i përcjellur me vështirësi të panumërta. Në një shtet veç të izoluar, kërkimi i qytetarëve të Kosovës për përgatitje akademike jashtë vendit është shumëfish më i vështirë se ai i qytetarëve të shteteve tjera. E patjetër, përpos vështirësive ekonomike dhe brengave tjera, shtohet problemi i pajisjes me viza. 

Shpeshherë ekspozohemi ndaj mundësive për trajnime, punëtori e programe të ndryshme jashtë Kosovës, që do mbushnin boshllëqet që momentalisht ekzistojnë në sistemin formal të arsimit në Kosovë. Për të marrë pjesë në këto iniciativa, duhet të kalojmë nëpër procesin e lodhshëm e të shtrenjtë të pajisjes me vizë. Mbledhja e një mali me dokumente, dëshmitë e shumta e shpenzimet që i sjell ky proces bëhen arsye e mjaftueshme që të mos i shqyrtojmë këto mundësi për rritje profesionale. Si rrjedhojë, përfundojmë dyfish të izoluar. 

Përqendrimi i qeverisë, specifikisht Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në këto sfida, do e lehtësonin jetën shumë qytetarëve të Kosovës. Po të ofroheshin zgjidhje, të rinjt e të rejat nuk do të kishin nevojë të heqnin dorë nga rrugëtimi drejt karrierës ideale për ta. Përpjekjet serioze në këtë drejtim, nuk do të na vendosnin përpara situatave ku duhet të heqim dorë nga ëndrrat tona.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0