Pikëpamje | Diaspora

“E kam gjetur mënyrën për t’i thënë gjërat përmes fotografive”

Nga - 17.11.2023

Fotografi trans italiano-shqiptar shqyrton identitetin queer shqiptar të diasporës.

Kairo Urovi është fotograf transmaskulin italiano-shqiptar, që shqyrton identitetin, gjininë dhe përkatësinë. Lundrimi nëpër kulturën shqiptare si person queer ka sfida të panumërta, por veprat fotografike të Urovi, veçanërisht projekti i tij i fundit në Shkodër, ballafaqohet me këto sfida me një energji të rrallë dhe freskuese.

Me punën e Kairos u njoha për herë të parë në qershor të vitit 2021, kur rastësisht gjeta faqen e tij në Instagram. Ta shohësh një tjetër shqiptar që identifikohej kaq hapur me të qenit queer, më la përshtypje tej mase. Jam rritur në Mbretërinë e Bashkuar, si anëtare e diasporës shqiptare dhe shpesh ka qenë e vështirë të identifikohesha me krenari me trashëgiminë time. Gjatë rritjes sime, s’dija për ndonjë shqiptar LGBTQ+. Për shkak të kësaj, ndonjëherë e shihja të qenit queer si diçka që qëndronte në kundërshti me të qenit shqiptare. 

Megjithëse lidhja ime me kulturën shqiptare është shpesh burim i forcës dhe i paqes, unë jam po aq shpesh e irrituar me mënyrën se si kjo kulturë shpesh i refuzon komunitetet e margjinalizuara, sidomos njerëzit që nuk u përshtaten normave konservatore seksuale ose gjinore. Më frymëzoi zgjedhja e Kairos për ta jetuar identitetin e tij i paturpëruar dhe pohimi i tij se ky identitet lidhet me kulturën shqiptare.

Fotografitë e para që i pashë në faqen e Kario ishin disa fotografi të tij, i veshur me veshje tradicionale shqiptare, edhe maskuline edhe feminine. Të kërkosh për një fjalor të queerness në kulturën dhe historinë shqiptare, është si ta vendosësh dorën para fytyrës në një dhomë të errët — ndonjëherë, nëse shikon mjaftueshëm, mund ta dallosh siluetën. Kairo më ndihmoi ta shoh atë siluetë.

Puna e Kairos, që vë dritë në lidhjet mes kulturës shqiptare dhe të qenit queer bazohet në një projekt universitar për “burrneshën” e Shqipërisë, të ashtuquajturat “virgjëreshat e betuara” të veriut të Shqipërisë. Në një përshkrim në Instagram, ai ndërlidh trashëgiminë e lashtë të burrneshës dhe transmaskulinitetit bashkëkohor. “Individët transmaskulinë”, shkruan ai, “kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë shqiptare”.

Kairo u lind dhe rrit në Lugo të Italisë, në një familje shqiptare. Familja migroi në Mbretëri të Bashkuar, kur ishte 14-vjeçar. Ndonëse shkrepjen e fotografive e nisi gjatë pushimeve me familjen, siç më tregon ai, shpërngulja në Londër e frymëzoi të merrej më seriozisht me fotografinë.

Në atë kohë, shumë familje shqiptare që jetonin në Britani të Madhe, ruanin kujtime dhe mbanin lidhje familjare përmes ruajtjes së albumeve me fotografi. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe midis dhunës në rritje, që u çoi te lufta në Kosovë, shumë shqiptarë u nisën për në Mbretëri të Bashkuar. Një nga format e pakta se si arritën të mbanin kontakte me familjet e tyre në shtëpi ishte përmes shkëmbimit të fotografive. Në të njëjtën mënyrë që prindërit tanë shqiptarë e përdorën fotografinë për t’u ndier më pak të vetmuar, Kairo më tha se fotografia e bënte të ndihej më pak i vetmuar në Londër.

Duke shfrytëzuar izolimin, si rrjedhojë e Covid-it, Kairo filloi tranzicionin e tij fizik në vitin 2020, duke e dokumentuar të gjithë procesin në mënyrën se si ai dëshironte t’i prezantohej botës. Fotot polaroid që ai shkrepi gjatë gjithë dokumentimit të vetes, e lejuan atë t’i shihte menjëherë rezultatet, ato ishin një pasqyrë përmes së cilës ai mund ta shihte veten më mirë.

Me projektin e dokumentimit, Kairo donte ta eksploronte identitetin e tij kulturor. Ai ndjeu, më tha, sikur “asgjë në Britani të Madhe nuk lidhej me identitetin tim kulturor”.

Në dhjetor 2022, Kairo u kthye në vendlindjen e prindërve të tij, në Shkodër, ku s’kishte qenë qe 11 vjet. Ishte hera e parë që kthehej që nga vdekja e gjyshit. Më tha se e përdori udhëtimin për ta kuptuar se çfarë lloj hapësire mund ta përvetësojë në shtëpinë e tij kulturore, por edhe për ta kulmuar ciklin e tij të pikëllimit lidhur me gjyshin e tij të ndjerë. Kur hyri në shtëpinë e gjyshërve u takua me gjyshen, e cila kishte zbukuruar çdo cep të shtëpisë me fotografi familjare.

Kairo nisi të shkrepte fotografi të Shkodrës dhe anëtarëve të familjes së tij, veçanërisht gjyshes prej nënës dhe të vetes.

Fotografitë nga udhëtimi shqyrtojnë pamundësinë e tij për të gjetur vendin e tij në Shqipëri. Ai ndjeu, siç më tha, një nevojë të zjarrtë për t’u kthyer në vendlindjen e familjes së tij, për t’u ballafaquar me sfidat e të qenit transmaskulin dhe shqiptar. Ishte hap i domosdoshëm në tranzicionin e tij.

Projekti i tij u ndikua nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Përmbledhja daton nga gjysma e dytë e shekullit XIX, deri në fund të shekullit XX dhe përfshin punën e 18 fotografëve/eve. Përmbledhja “përshkojnë një periudhë të gjërë historike dhe dëshmojnë, ndër të tjera, gjurmët e para të fotografisë në Shqipëri”, siç thuhet në faqen e internetit. Por ai përfshin gjithashtu fotografi të praktikave queer gjatë epokës osmane “köçek”, vallëtarë me veshje me fustan dhe “dylber”, admirues të rinj meshkuj të poetëve ose këngëtarëve. Këtë arkiv Kairo e përdori si frymëzim për ta krijuar portretin e tij bashkëkohor të ekzistencës queer shqiptare.

Fotografitë e tij pasqyrojnë një ndjenjë nostalgjie që të kujton albumet fotografike familjare, ndërkohë që të përshkon një ndjenjë e fortë izolimit. Vepra përshkruan përvojën e diasporës, të kthimit në “shtëpi” dhe të kuptuarit se gjërat kanë ndryshuar   efektet e kalimit të kohës, ndryshimi në marrëdhëniet me vendin, ikja e njerëzve të dashur. E megjithatë gjërat janë të njëjta, fizikisht pak ka ndryshuar nga kujtimet e tij të fëmijërisë. Por fantazmat e së shkuarës, të jetëve që ecnin në këto rrugë, janë të prekshme në fotografitë e Kairos.

Gjatë udhëtimit të tij në Shkodër në dhjetor, Kairo tha se i vërejti anëtarët/et e familjes së tij dhe komunitetin e gjerë teksa e vështronin atë, duke vënë re tranzicionin e tij fizik, por se ndihej “se nuk mund t’ua shpjegonte atyre”. Ai ndihej, më tha, sikur ishte në një kafaz dhe se e vetmja mënyrë për të parë veten ishte përmes fotografive. Por me gjyshen e tij nga babai ishte ndryshe, “Ajo gjithmonë më bënte të ndihesha i rëndësishëm, tërësisht i rëndësishëm për të”.

Ai vendosi t’ia shpjegojë tranzicionin e tij, identitetin e tij transmaskulin. Iu afrua asaj “teksa ajo shihte një dramë turke”, tha Kairo. “Më tha se nuk kam nevojë t’i shpjegoj asgjë. Mirëkuptimi ynë shkon përtej gjuhës, ajo e sheh shpirtin tim”.

Ndonëse ai më tha se ndiente se ende nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të në kulturën shqiptare, ballafaqimi i tij me trashëgiminë e tij dhe projekti i tij fotografik kanë filluar të krijojnë një pjesë të asaj hapësire.

Kairo prezantoi projektin e tij “Light are the Wounds, Heavy is the Wind” [në shq. Të lehta janë plagët, e rëndë është era] në ekspozitën e tij të diplomimit në universitet në fund të majit. Mu në qendër, një fotografi e Kairos qëndronte fuqishëm teksa hyje. Kairo donte ta kuptonte hapësirën që ai e trashëgoi si shqiptar dhe queer. Kjo fotografi fliste vetë. Shpirti i tij buron nga ajo pamje dhe nga të gjitha të tjerat. Të krijosh një arkiv ku praktikisht nuk ka asnjë të tillë nuk është diçka e lehtë dhe megjithatë, Kairo ia doli.

Projekti ishte mënyra e Kairos për të thënë se ai është këtu. “Jo përkundër pikëllimit dhe heshtjes dhe mungesës së fjalëve dhe emërtimit të gabuar nga lindja, por për shkak të tyre”, siç shkruan ai në një postim për ekspozitën në Instagram. “Është një histori për të gjetur pikëllim në shtëpi po aq sa për të gjetur dashuri brenda saj. Për gjithçka që nuk mund të them me fjalë, e kam gjetur mënyrën për t’i thënë përmes fotografive”.

Fotografitë: Kairo Urovi.