Në thelb | Barazia gjinore

Fillikat vetëm

Nga - 14.12.2016

Nënat vetëmbajtëse ballafaqohen me stigmatizimin shoqëror dhe telashe ekonomike.

Pas ndarjes nga bashkëshorti i saj pas 12 vjetësh martese, Flutra Zymi vendosi ta kthente mbiemrin e vajzërisë. Kur ajo aplikoi në Komunën e Prishtinës për t’i përditësuar dokumentet personale, zyrtari i administratës ia parashtroi pyetjen me të cilën ajo tashmë ishte ballafaquar kohë pas kohe.

“Pse s’po kqyrë mu ndreqë?”

Katërdhjetëvjeçares ia kanë parashtruar këtë pyetje shërbyesit civilë, punëtorët socialë, njërëzit që i njeh, miqtë e anëtarët e familjes. Këtë pyetje e kishte dëgjuar edhe gjatë seancës gjyqësore kur i dha fund martesës së saj. Edhe sot, shtatë vjet pas divorcit, këtë pyetje vazhdojnë t’ia bëjnë rregullisht. Dhe çdoherë ajo e sheh se kjo pyetje mbart një nivel të caktuar mospajtimi, fajësimi e paragjykimi.

Flutra është aktore, regjisore teatri dhe nënë e dy fëmijëve. Puna e saj me orar të plotë nuk ka lidhje me artet dramatike, meqë natyra e kohëpaskohshme e projekteve artistike nuk i ofron stabilitet financiar që i nevojitet për të siguruar jetë të mirë për të dhe për fëmijët e saj. Ajo punon si koordinatore lokale e Korporatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në Prishtinë, duke i kushtuar pjesën më të madhe të kohës së saj para dhe pas punës djalit dhe vajzës së saj.

majlinda-hoxha-single-mothers-flutra-zymi-11-2016_13

Flutra Zymi është e divorcuar qe shtatë vjet, por ende e ndjen stigmatizimin ditor e të qenit nënë vetëmbajtëse në Kosovë.

Kur bëri kërkesë për divorc, Zymi u pajtua me ish-bashkëshortin e saj që ajo t’i ketë të drejtat parësore të kujdestarisë, duke përfshirë edhe kontrollin ligjor dhe kujdesin për fëmijët, derisa babai i tyre zakonisht takohet me ta gjatë fundjavës. Marrëveshja e dyanshme për kushtet e jetesës e kurseu Zymin nga stresi me të cilin zakonisht ballafaqohen prindërit që divorcohen, ku beteja për të drejtat e kujdestarisë shpesh di të jetë e hidhur dhe marrja standarde në pyetje nga ana e zyrtarëve të gjykatës dhe punëtorëve socialë mund t’u duket prindërve se janë pjesë e procesit gjyqësor.

Megjithatë, ajo thotë se ish-bashkëshorti i saj nuk i ofroi ndihmë me fëmijët, që do të thotë se kur asaj i duhet të punojë jashtë orarit të punës, të marrë pjesë në trajnime apo në takime pas punës, ajo zakonisht varet nga nëna e saj, që kjo të kujdeset për fëmijët e saj.

“Mendoj që sfida më e madhe pas ndarjes është që ti mu shkëput nga fajësimi”, thotë Zymi, duke shprehur frustrimin që çdo hap i saj është nën vëzhgim. “Sepse krejt përreth, edhe nëse nuk ta thonë, ta lëshojnë një energji që ti i ke fajet pse je nda, ti i ke fajet pse edhe po don me punu dhe me ba art – ‘Pse nuk mundesh veç me shku në punë, edhe mu kthy prej punës?’ Nuk munden me pa ma larg se çka dojnë ata me pa”.

Edhe pse ajo ndihej e ngujuar në një martesë të palumtur, iu desh shumë kohë që të vendoste të ndahej. Zymi besonte se vendimi i saj nuk do të pranohej aq lehtë sa në rastet kur ajo mund të ishte viktimë e ndonjë veprimi specifik të bashkëshortit të saj.

“Edhe kur e shpjegon, nuk ke arsy të fortë për shoqëninë — që ai të ka rreh, të ka tradhtu ose që po lun kumbarë”, ajo thotë. “Unë ende përballem me fjalët ‘Je çu peshë! Ti ende nuk e din çka don’, ose ‘Ti je shumë e lazdrume’. I kam 40 vjet dhe ende përballem me ato fjali në çdo aspekt”.

“Gjithmonë është tendenca që [nënat vetëmbajtëse] të shikohen si më pak të denja, si më pak të rëndësishme, dhe përgjithësisht më pak të vlerësuara nga shoqëria në rrafshin e reprezantimit dhe në rrafshin kulturor".

Vjollca Krasniqi

Përvoja e Flutra Zymit assesi nuk mund të merret si rast i izoluar. Hulumtimet, raportet dhe artikujt në media që dokumentojnë përvojat e prindërve vetëmbajtës anembanë botës nxjerrin po këtë përfundim: Nënat vetëmbajtëse shpesh stigmatizohen nga shoqëria. Ato përgjithësisht konsiderohen egoiste se nuk po përpiqen sa duhet që martesa e tyre të ketë sukses, apo akuzohen se veprimet e tyre kanë ndikim negativ te fëmijët e tyre.

Vjollca Krasniqi, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe bashkëudhëheqëse e Programit për Studime dhe Hulumtime Gjinore të këtij universiteti, thotë se nënat vetëmbajtëse të cilat jetojnë vetëm shikohen me përçmim krahasuar me gratë që jetojnë në marrëdhënie heteroseksuale.

“Gjithmonë është tendenca që [nënat vetëmbajtëse] të shikohen si më pak të denja, si më pak të rëndësishme, dhe përgjithësisht më pak të vlerësuara nga shoqëria në rrafshin e reprezantimit dhe në rrafshin kulturor”, thotë Krasniqi.

Orvatjet e nënave vetëmbajtëse bëhen edhe më të theksuara kur ato jetojnë në shoqëri patriarkale të cilat priren të nxisin pafuqinë te gratë, ndërsa fuqimisht nxjerrin në pah rëndësinë e martesës heteroseksuale, amësisë dhe familjes së gjerë.

“Një grua e martuar që ka fëmijë, mundësisht një djalë dhe vajzë, dhe jeton me vjehrrin dhe vjehrrën – kjo është idila”, thotë Krasniqi. “Kjo është diçka që projektohet si familja më ideale. Si gruaja ideale. Dhe nëse diçka destabilozhet brenda këtij koncepti, atëherë bëhet problem. Atëherë menjëherë atakohen gratë, sepse ato janë problemi, sepse ato po e çrregullojnë atë rend shoqëror”.

majlinda-hoxha-single-mothers-dafina-halili-vjollca-krasniqi-11-2016

Profesoresha e sociologjisë, Vjollca Krasniqi, thotë se nënat vetëmbajtëse rëndom shikohen me përçmim nga shoqëria, sidomos nga ato patriarkale.

Krasniqi thotë se stigmatizimi kryesisht i prek gratë të cilat divorcohen për shkak se gratë bashkëshortët e të cilëve ndërrojnë jetë “ende priren të konsiderohen si viktima në një kontekst tjetër”.

Larg nga kryeqyteti i Kosovës, në qyteza më të vogla e më tradicionale si dhe në mjedise rurale, nënat vetëmbajtëse kanë më shumë gjasa të përjashtohen nga shoqëria dhe të jetojnë në margjina të shoqërisë, ndërsa presioni për t’iu përshtatur normave të përbashkëta është shumë më i madh. Megjithatë, Krasniqi konsideron se edhe në vendet si Prishtina, që janë me llojllojshmëri më të madhe sociale sesa vendet tjera, stigmatizimi i nënave vetëmbajtëse ende është shumë i pranishëm.

“Mendoj që edhe në kulturën shumë urbane, siç është Prishtina, gratë jetojnë me “etiketën” e të qenit nënë vetëmbajtëse”, thotë Krasniqi. “Nuk kemi të zhvilluar një kulturë kujdesi, e cila nuk është intrusive, e cila nuk ndërhyn në jetën individuale të këtyre grave, e cila nuk paragjykon dhe i sheh këto gra si subjekte, si subjekte të jetës së vet, që kanë marrë vendimin për atë sesi dëshirojnë ta organizojnë jetën e vet”.

Disavantazhi ekonomik

Kur Zymi bëri kërkesën për divorc, ajo kishte mundësi ta paguante avokatin, meqë kishte të ardhura të veta. Por në Kosovë vetëm rreth 20 përqind të grave janë aktive si fuqi punëtore – që do të thotë se rreth 80 përqind të grave as që kërkojnë punë – dhe vetëm 13 përqind të tyre janë të punësuara. Duke qenë se shumica e grave janë ekonomikisht të varura nga bashkëshortët e tyre, gratë në martesa të palumtura thjesht mund ta shpërfillin opsionin e fillimit të një jete të re.

Agjencia për Ndihmë Juridike Falas është institucion i pavarur publik i cili u ofron këshilla juridike falas qytetarëve kosovarë të cilët nuk mund t’i përballojnë vetë shpenzimet, meqë rëndom margjinalizohen si rezultat i varfërisë dhe u ofrohet ndihmë sociale. Shumica e klientëve të tyre janë gra të cilat vinë nga familjet e varfëra nga çdo cep i Kosovës, të cilat kërkojnë ndihmë juridiike për të bërë kërkesën për divorc, për të drejtat e kujdestarisë e alimentacionit, dhe të cilat shpesh kanë histori të gjatë marrëdhëniesh abuzive dhe dhunë në familje.

“Obligimi për t’i strehuar këto gra i takon Ministrisë [së Punës] dhe Mirëqenies Sociale, por ata nuk kanë buxhet dhe kanë dështuar në këtë pikë”.

Flutura Zena

Flutura Zena, zyrtare e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, shpjegon se ka raste të shpeshta grash me fëmijë të cilat mbesin në rrugë pasi që familjet e tyre nuk i pranojnë më pas ndarjes nga bashkëshortët e tyre. “Ka raste kur famijla e [nënës] i’u thotë ‘Ty të pranojmë se të kemi fëmijë, por fëmijët e tij nuk i pranojmë”, thotë Zena.

Në anën tjetër, asnjë institucion qeveritar apo agjenci relevante nuk e monitorojnë numrin e grave që janë vetëm, të papunësuara dhe nëna, që nënkupton mungesë politikash për të ofruar zgjidhje; politikat sociale të qeverisë për gratë vetëmbajtëse, gratë e papuna dhe nëna shtrihen vetëm brenda skemës së përgjithshme të ndihmës sociale, me nga 50 deri në 150 euro në muaj – që mezi mjafton për mbulimin e shpenzimeve të qirasë së një banese njëdhomëshe.

“Obligimi për t’i strehuar këto gra i takon Ministrisë [së Punës] dhe Mirëqenies Sociale, por ata nuk kanë buxhet dhe kanë dështuar në këtë pikë”, thotë Zena.

Mungesa e të ardhurave mund të jetë sidomos shkatërruese për nënat vetëmbajtëse kur bëhet fjalë për të drejtat e kujdestarisë së fëmiljëve. Duke u nisur nga fakti që kushtet ekonomike janë faktor i rëndësishëm të cilin e merr parasysh gjyqi kur vendos për dhënie të kujdestarisë, e pjesëmarrja e burrave në fuqinë punëtore është shumë më e madhe sesa ajo e grave, ka raste kur gratë efektivisht e kanë humbur të drejtën e kujdestarisë edhe para fillimit të shqyrtimit. Apo, siç thotë Zena, nganjëherë nënat heqin dorë nga beteja për të drejtat e kujdestarisë sepse thjesht nuk kanë kulm mbi kokë.

Krasniqi thotë se kjo është pjesë e një tërësie ku shteti i shpërfill gratë. “Politikat sociale shpesh herë janë të pabarabarta nga aspekti i barazisë gjinore, dhe kjo është pjesë e racionalitetit të shtetit”, thotë Krasniqi. “Këtë e shohim në politikë, e shohim kush janë liderë; 90 përqind e liderëve të Kosovës dhe botës janë burra. Edhe në raste të intervenimeve përmes politikave sociale që shikohen si më progresive, e shohim që mbrohet interesi i burrave, baballarëve dhe bashkëshortëve – gjithmonë gratë janë të dytat”.

Mbështetja e papaguar financiare

Një burim i mbështetjes financiare i cili është teknikisht i hapur për gratë vetëmbajtëse është ai nga ish-partnerët e tyre. Prindi i divorcuar apo i ndarë i cili nuk ka të drejta të kujdestarisë prapëseprapë obligohet të kujdeset për fëmijët e vet përmes pagesës së mbështetjes financare. Gjithashtu, personave të divorcuar të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme financare për ta mbështetur veten – shpesh gra të papuna – u takon alimentacioni nga ish-partnerët e tyre.

Megjithatë, caktimi i saktë i niveleve të duhura të mbështetjes financare, dhe detyrimi i pagesave pasi gjykatat t’i kenë vendosur nivelet e pagesave, mbesin sfida të mëdha për sistemin e drejtësisë në Kosovë sepse baballarët shpesh ose kanë pak ose nuk kanë fare të ardhura, ose nuk i deklarojnë të ardhurat të cilat i kanë.

“Ne shpesh marrim vendime duke e ditur që është vështirë të realizohen".

Enes Mehmeti

Enes Mehmeti, gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, konsideron se kushtet ekonomike në Kosovë paraqesin pengesë për çështjen e pagesës së mbështetjes financare të urdhëruar nga gjykatat, dhe kështu ndikojnë në mirëqenien e grave dhe të fëmijëve të tyre. Ai thotë se gjykatat zakonisht i favorizojnë gratë kur bëhet fjalë për dhënien e të drejtave të kujdestarisë, duke ua lënë burrave obligimin ligjor t’i mbështesin ish-partneret e tyre përmes ndihmës financiare.

“Ne shpesh marrim vendime duke e ditur që është vështirë të realizohen. Këtu qëndron problemi. Situata reale ekonomike, të cilën e kemi sot në Kosovë është ajo që i sjellë këto vështirësi”, thotë Mehmeti, duke folur për problemet e mospagesës së mbështetjes financare.

Sipas kornizës ligjore të Kosovës, mospagesa e alimentacionit të urdhëruar nga gjykatat apo mbështetjes financiare për fëmijët është vepër penale. Megjithatë, përkundër asaj që thotë ligji, në Kosovë ekziston një tendencë shumë e përhapur e ish-partnerëve siç është rasti i Flutra Zymit – i cili, sipas saj, kurrë nuk ka paguar asnjë cent për gjithë këto vite – t’i shmangen pagesës së kontributit të cilin e kanë borxh.

Por shumica e grave nuk ngrenë padi kundër burrave të cilët nuk i përmbushin obligimet e tyre financiare, qoftë për shkak se nuk janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre, qoftë për shkak se ndihen të shkurajuara për shkak se nuk janë në gjendje t’i dëshmojnë të ardhurat e vërteta të ish-partnerëve të tyre.

Ata që kanë një vend pune nuk kanë kontrata pune dhe shpesh paguhen me para në dorë, kështu që pasqyrat financiare nuk dëshmojnë se ata kanë të ardhura financare. Kështu, gjykatat mashtrohen dhe vendosin nivele më të ulëta të mbështetjes financiare dhe as këto obligime nuk zbatohen.

Një mënyrë tjetër me të cilën baballarët shpesh i shmangen pagesave për mbështetje është duke regjistruar bizneset e tyre me emrin e kushërinjve të tyre, dhe megjithëse biznesi mund të jetë i sukseshëm, kjo nuk pasqyrohet në dokumentet e tyre zyrtare.

Ekspertët ligjorë nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (CLARD) thotë se ndonjëherë burrat i bartin ndërmarrjet e tyre në emrin e tjetërkujt vetëm për t’iu shmangur obligimeve financiare, duke marrë si shembull një burrë në Mitrovicë, i cili punonte si profesor për vite të tëra në një universitet privat pa kontratë pune, vetëm për t’iu shmangur pagesës së mbështetjes financiare për fëmijët e tij.

“Unë mendoj që ekomomia në të zezën po ndikon në pagesën e alimentacionit”, thotë Arbana Shala-Rama nga CLARD-i. “Nuk ka dyshim që gjykatat e kanë parasysh interesin e fëmijëve, por mos-zbatimi i alimentacionit e shkelë interesin e fëmijëve”. Krasniqi nxjerr përfundimin se qeveria në veçanti duhet ta drejtojë fokusin e vet te nënat vetëmbajtëse me status më të ulët ekonomik duke zhvilluar projekte edukimi.

“Mendoj që arsimi është një prej interevenimeve fuqizuese; sa më shumë shkollim, atëherë kjo është shpresëdhënëse për edukim”, thotë Krasniqi. “Pse [gratë] të jenë të varura prej shtetit? … Ajo varësi [duhet] të ndërprehet. Arsimi është kyç për ta ndalur ndërvarësinë nga familja, nga shteti dhe nga të tjerët. Mundëson mobilitetin e grave … që gratë të kenë mundësi në shoqëri”.

"Ka dritë në fund të këtyre peripetive”.

Flutra Zymi

Gjatë gjithë këtyre viteve pas divorcit, Zymi ka luftuar shumë për ta shtypur çdo ndjenjë brishtësie; edhe kufizimet financiare, edhe rraskapitjen dhe fajin ajo i ka përballuar vetë. “Prej ndarjes, në asnjë moment deri tash nuk kam pasë kohë me procesu dhimbjen”, thotë ajo. “Nuk i intereson askujt që ti ke dhimbje brenda vetes, dhe vazhdimisht duhesh me qenë e gatshme [të dukesh e fortë], që askush me ta pa atë dhimbje”.

Kohët e fundit në Kosova janë shfaqur shumë gra duke folur publikisht për sfidat e tyre sociale e emocionale të të qenit nënë vetëmbajtëse në Kosovë, duke i rrëfyer tregimet e tyre me vetë zërat e tyre përmes blogëve e artikujve.

“Ne që kemi kalu nëpër këtë proces është shumë e rëndësishme mu shprehë”, thotë Zymi. “Ky vend ka nevojë me pa që [këto gjëra] ekzistojnë, dhe që paska dritë në fund të këtyre peripetive”.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.