17 shkurti 2017 shënoi 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në këtë ditë u pa një prezencë më e madhe e flamujve të Kosovës në krahasim me përvjetore të kaluara të pavarësisë, por në të njejtën kohë edhe u vërejt edhe një normalizim i valëvitjes së këtij flamurit kaltër-verdhë me gjashtë yje.
Valëvitja ishte më e normalizuar sepse ishte pavarësia e parë pas paraqitjes së Kosovës në Lojërat Olimpike dhe paraqitjes së parë të Kombëtarës së Kosovës në futboll në gara ndërkombëtare. Në të dy rastet flamuri kosovar valëvitej duke konfirmuar pavarësinë dhe shtetësine e Kosovës. Kjo valëvitje e flamujve bashkë me forma të tjera të zakonshme ditore që janë pjesë e rutinave tona ndikojnë në formimin e botës rreth neve dhe nguliten në pavetëdijën tonë.
Këtë dukuri Michael Billig e përkufizoi si ‘Nacionalizëm Banal’, në librin e tij me të njejtin titull. Ky libër i botuar në vitin 1995 ka një ide mjaft të thjeshtë në bërthamën e tij, e ajo është se nacionalizmi banal është një fenomen i ditëpërditshëm që është prezent përreth nesh dhe shumicën e kohës mbetet i pavërejtur. Para Billig, shumica e akademikëve që kishin shkruar për nacionalizmin kishin karakterizuar atë si ekstrem, të dhunshëm, duke u fokusuar vetëm në format separatiste apo irredentiste të nacionalizmit. Me përkufizimin e tij Billig e zgjeroi nacionalizmin për të përfshirë edhe “një koleksion të shprehive ideologjike që ri-prodhojnë kombe të caktuara si kombe”.
Ideja e kombit apo shtetit në rastin e Kosovës, konstruktohet dhe përjetësohet në shoqëri por edhe në mendjet e individëve. Por, si ndodh ky përjetësim i shtetit kosovar në mendjet tona përmes nacionalizmit banal?
Sipas Billig, kjo ndodh me valëvitjen e flamujve në gara sportive, në këngë nacionale, në shprehje të popullarizuara, etj. Në veçanti nacionalizmi banal vërehet në dhënien e lajmeve me përdorjen e fjalëve deiktike (deictic) – fjalë kuptimi i së cilave varet prej kontekstit në të cilin përdoren, p.sh. këtu, ti, unë, të shtunën e ardhshme, etj. Kur këto fjalë deiktike i përdorim me kontekstualizimin kosovar atëherë gradualisht normalizohet Kosova si diçka që i bashkon banorët e Kosovës. Për shembull në secilin kanal kosovarë, sa herë flitet për “motin në vendin tonë” nënkuptohet Kosova, njejtë ndodh kur themi “kryeministri”, “presidenti”, “gjykata kushtetuese” nënkuptohen institucionet kosovare, ndërsa kur flitet për presidentin e një vendi tjetër atëherë themi kryeministri i Shqiperisë apo Kryeministri Rama, etj.
Njejtë nëpër gazetat apo edhe lajmet televizive, nëse i shikojme p.sh. lajmet në KTV apo RTK, ato fillojnë zakonisht me lajmet “e vendit” – që do të thotë lajmet nga Kosova – dhe vazhdojnë më vonë më “lajmet botërore apo rajonale”. Këto simbole dhe shprehje janë shumë efektive sipas Billig, për shkak të përseritjes konstante, të lehtë dhe të pavetëdijshme që krijojnë një unitet mes qytetarëve “të vendit”. Elitat politke sipas tij praktikojnë ndërtimin e e nje flamurëzimi të vazhdueshëm të shtetësisë për të përforcuar atë. Në Kosovë ky flamurëzim gradual dhe konsistent ngadalë familjarizon edhe popullin me nocionin e Kosovës si shtet, duke e bërë flamurin pjesë të identitetit të saj shtetëror.
Ndërlikimi i teorisë
Sidoqoftë, ta përdoresh nacionalizmin banal për të shpjeguar kosovarizmin ka problematikat e veta. Në ditën e 17 shkurtit, po të ecje nëpër rruget e Prishtinës do shihje njerëz, lokale e ndërtesa që kishin flamuj të Kosovës, disa me flamuj të Shqipërisë, e disa me të dyjat. E këto janë pikërisht rrymat qe ekzistojnë brenda Kosovës sa i përket pranimit të flamurit kosovar dhe kosovarizmit si identitet.
Grupin e parë të njohur si kosovarist tejkalon konceptin e shtetësisë kosovare duke ia mveshur edhe një komb të ri. Grupi i dytë përbëhet nga nacionalist shqiptarë që refuzojnë flamurin e Kosovës dhe e shohin flamurin e Shqipërisë si të vetmin flamur që përfaqëson identitetin e tyre. Ndërsa grupi i tretë janë ata që identifikohen si shqiptarë të Kosovës, këta të fundit janë emocionalisht të lidhur me dy flamujt.
Dy grupet e para janë me kategorike e jo medomos e gjejnë mbeshtetjen aq të madhe, kosovaristët kontestojnë shqiptarësinë e idenitetit të tyre dhe mundohen ta ri-definojnë se çka do të thotë të jesh shqiptarë, ndersa grupi i dytë kontestojnë simbolet e pavarësisë së Kosovës, për shembull duke refuzuar që ta mbështesin ekipin kombëtar të Kosovës në futboll. Sidoqoftë është grupi i tretë është më gjithëpërfshirës dhe fleksibil.
Gjëja interesante në nacionalizmin banal të Kosovës është se ai e ri-krijon vetveten përmes simboleve dhe gjuhës, por në të njejtën kohë mbahen gjallë simbolet kombëtare shqiptare. Për shembull, tek shkollat fillore të para-pavarësisë nëpër muret e shkolles gjeje zakonisht ndonjë flamur të Shqipërisë dhe çdo klasë kishte fotografinë e heroit shqiptar, Skënderbeut. Në shumë shkolla të pas-pavarësisë simbolet kombëtare nuk janë hequr, por paralelisht janë shtuar simbolet kosovare. Tash nxënësit vizatojnë flamuj kombëtar shqiptarë për 28 nëntor dhe gjithashtu vizatojnë flamuj kosovarë për 17 shkurt. Tash krahas heroit kombëtar nëpër shkolla, shpesh herë shihet edhe heroi i njohur luftës së Kosovës, Adem Jashari.
Por edhe akterët shtetëror e mbështesin identitetin kosovar si sub-identitet i një identiteti ombrellë shqiptarë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një intervistë në Shqipëri pati mohuar ekzistimin e kombit kosovarë duke thënë se shqiptarët kudo janë shqiptarë, njejtë Edi Rama në Kosovë pati përqeshur idenë e kombit kosovarë.
Për t’i ikur fjalëve e krijimit të një kombi në mënyrë të pavetëdijshme përmes nacionalizmit banal, shqiptarët e Kosovës luajnë me fjalë në mënyrë shumë të kujdesshme, nocioni shtet dhe komb janë të ndara me idenë se është një komb shqiptar dhe dy shtete me shumicë shqiptare, festohet 28 nëntori edhe në Kosovë dhe festohet 17 shkurti edhe në Shqipëri, Skënderbeu shihet si hero kombëtar dhe Adem Jashari shihet si hero i luftës së Kosovës, në parakalimin e delegacionit olimpik të Kosovës në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Verore 2016, trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Uka valëviste një flamur të vogël të Shqipërisë krahas flamujve të Kosovës, apo edhe sportistët shqiptarë që nuk luajnë për Shqipërinë jo rrallë e bëjne shenjën e shqiponjës me duar, etj.
Ky dualizëm dhe ngritja e një sub-identiteti paralel shteterorë apo rajonal për të mbajtur të qendrueshme arkitekturen e sigurisë ballkanike është fenomen shumë interesant, por në të njejtën kohë varet shumë nga rrethanat gjeopolitike, nga pozita socio-ekonomike e individive dhe se me çka asociohet ai flamur. Kur para atij flamuri qëndrojnë politikanë e ish-komandant qe akuzohen për korrupsion Kosova fillon të perceptohet nga vet shqiptarët e Kosovës si një shteti hajnave, një Kosovë në të cilën mu ata që pozohen me flamuj kosovarë janë ‘çuditërisht’ po ata që u pasuruan pasluftës, kjo natyrisht nuk përçon emocion për klasën e mesme dhe të ulët, ndërsa kur Majlinda Kelmendi e valëvit apo edhe Rita Ora, apo Kombëtarja e futbollit (që disa e quajnë vetëm përfaqësuese) atëherë ka më shumë krenari për atë flamur. Në të njejtën kohë kur shtohet presioni nga Serbia atëherë identiteti shqiptar forcohet, njejtë ndodh nëse Kosova injorohet nga Bashkimi Evropian, atëherë ndezen fitilat nacionalist e shqiptarët e Kosovës kthejnë kokën nga Shqipëria për mbështetje e ndoshta edhe bashkim.
Sadoqë nacionalizmi banal prodhon e ri-prodhon shtetësinë e Kosovës dhe sub-identitetin kosovarë në të cilin bëjnë pjesë edhe minoritetet (së paku në teori), sadoqë më shumë flamuj të Kosovës valëviten dhe ngadalë normalizohen në nënvetëdijën e shqiptarëve, fakti që qytetarët e Kosovës mbeten të varfër dhe të izoluar nuk mbulohet me krijimin paralel të një sub-identiteti përmes flamujve, e sukseseve të sportistëve, këngëtarëve apo filmave. Simbolizmi imazhi dhe flamurëzimi mund t’i ndihmojnë shtetësisë përmes fuqisë së butë, por pak po e ndryshojnë standardin e jetës te kosovarëve pa dallim etnie.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.