Biseda | Volume Up

Fotis Filippou: Ndryshimi duhet të vijë nëpërmjet fuqisë së popullit

Nga - 22.12.2018

Drejtori i fushatave evropiane të Amnesty International flet për mobilizimin masiv, mesazhet e targetuara dhe demokratizimin e protestave në botën digjitale.

Për aktivistët dhe mbrojtësitë e të drejtave të njeriut, dhjetori 2018 shënon një kohë për të reflektuar mbi arritjet, ndryshimet dhe aktivizmin përgjatë dekadave. Para 70 vitesh, Kombet e Bashkuara e miratuan Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, që shërben si dokument kyç në historinë e të drejtave të njeriut dhe i përcakton të drejtat themelore të njeriut që duhet të mbrohen universalisht.

Këtij viti po i vjen fundi dhe kjo pasqyrë e protestave dhe kërkesave për respekt dhe jetë të dinjitetshme tregon që bota nuk është as afër eliminimit të shkeljeve. Kur ndodhin shkeljet, mbrojtësit e të drejtave të njeriut si Fotis Filippou i Amnesty International mundohen t’i theksojnë problemet dhe të kërkojnë ndryshime nëpërmjet avokimit dhe fushatave.

Më herët gjatë javës, Filippou ishte i ftuar në edicionin e fundit të programit të K2.0 për biseda publike dhe masterklasa, Volume UP. Zëvendës drejtori rajonal dhe drejtori i fushatave për Evropë e ndau përvojën e tij të zhvillimit të fushatave të suksesshme të avokimit dhe mobilizimit efektiv të njerëzve për çështje që lidhen me të drejtat e njeriut.

Ai i ka drejtuar fushatat e organizatës në këtë rajon në 12 vitet e fundit dhe ka menaxhuar fushata të cilat i kanë mobilizuar njerëzit rreth botës për të ndërmarrë veprime; veprimet e tij kanë çuar deri te ndryshimet në politika, si dhe përmirësimin e jetëve të njerëzve.

Ai ka drejtuar fushata për disa çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, përfshirë këtu lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protestë paqësore, mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve, personat LGBTI dhe minoritetet si komuniteti rom. Gjithashtu, ai i ka trajnuar qindra aktivistë mbi përdorimin e metodave të bashkëpunimit për të planifikuar fushata efektive dhe të mbështetura prej popullit.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0 bisedoi me të për rezistencën e grave në 2018, fushatat që kanë sjellur ndryshime dhe mënyrën e komunikimit me njerëz që janë të domosdoshëm për t’i realizuar ndryshimet.

K2.0: Raporti i përvjetshëm i Amnesty i jep shumë hapësirë të drejtave të grave. A është kjo rrjedhojë e aktivizmit të drejtuar prej grave në vitin 2018, që është theksuar shumë nëpërmjet plot protestave që janë mbajtur përgjatë vitit në pjesë të ndryshme të botës? Apo raporti korrespondoi me këtë rastësisht?

Fotis Filippou: Definitivisht nuk është rastësi. Në përvjetorin e 70 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut ne e publikuam “Rights Today” (të Drejtat Sot), që është pasqyrë e situatës në lidhje me të drejtat e njeriut në vitin 2018, dhe vendosëm të fokusohemi në gra sepse është e qartë që gratë ishin në krye të ndryshimeve sociale sivjet.

Kishte lëvizje për të drejtat e grave nëpër gjithë botën, nga Afrika e Jugut në Indi, SHBA, Irlandë e Poloni. Njerëzit dolën në rrugë dhe treguan se ndryshimet janë të mundshme. Ata kërkuan ndryshim dhe gjithashtu demonstruan se pavarësisht faktit se e kemi këtë Deklaratë Universale qe 70 vjet, të drejtat e grave ende nuk po njihen plotësisht, nuk po respektohen plotësisht dhe lufta e përpjekjet për barazi të plotë dhe eliminim të diskriminimit janë ende në vazhdim e sipër.

Në 70 vjetorin e Deklaratës Universale, Amnesty e përdori si moto pyetjen “Deri ku kemi arritur?”, duke aluduar se ende ka shumë punë për t’u bërë. Mënyra si po keqtrajtohen e sakrifikohen grupet minoritare dhe emigrantët në ditët e sotme, ngjallë kujtime të viteve para Luftës së Dytë Botërore. E gjithë kjo në shekullin 21, është mjaft dëshpruese apo jo?

Është alarmuese. Në thelb jemi duke i parë politikanët dhe liderët duke e prezantuar veten si liderë të rreptë që sulmojnë, përdorin politika mizogjiniste, ksenofobike dhe homofobike për t’i shtyer para agjendat e tyre… dhe për t’i sakrifikuar njerëzit në shoqëri.

Për shembull, kur i analizojmë të drejtat e grave dhe retorikën rreth grave në vende si Polonia dhe Hungaria dhe pjesë tjera të botës, kjo definitivisht është diçka që na alarmon, por është gjithashtu pjesë e realitetit që gratë rreth botës, përfshirë këtu shtete të tjera, ende po vuajnë nga abuzimi dhe diskriminimi që nuk po adresohen.

Për shembull një nga problemet që i kemi analizuar është abuzimi online me të cilin ballafaqohen gratë në plot shtete, përfshirë këtu Mbretërinë e Bashkuar. Gratë, individët transgjinor dhe njerëzit jobinar (që nuk identifikohen as si gra dhe burra) ballafaqohen më shumë me këtë lloj të abuzimit dhe njëkohësisht po shohim që kompanitë si Twitter nuk po ndërmarrin veprimet e domosdoshme për ta parandaluar këtë.

"Është e qartë që rrjetet sociale definitivisht i kanë bërë fushatat shumë më demokratike, më të hapura dhe më të qasshme."

Në njërën anë, rrjetet sociale krijojnë hapësirën që kontribuon në përdorimin e gjuhës së urrejtjes, por në anën tjetër gjithashtu e ndihmon aktivizmin dhe fushatat online.

Rrjetet sociale kanë qenë një fuqi e së mirës në plot mënyra sa i përket lëvizjeve… për shembull gratë rreth botës e kanë ngritur zërin dhe kanë folur kundër abuzimit e ngacmimit në këto platforma. Ka qenë një mënyrë shumë e mirë për organizim dhe mobilizim të njerëzve dhe lëvizjeve. Kemi parë miliona njerëz që kanë dalur në rrugë dhe kanë protestuar kundër kufizimeve për abort dhe janë mobilizuar kundër abuzimit seksual në vende si Irlanda. Edhe në Argjentinë kemi parë njerëz që kanë dalur në rrugë për të protestuar kundër kufizimeve për abort.

Kjo është diçka që ka nxitur në një mënyrë ndryshime pozitive kulturore, që janë absolutisht të domosdoshme. Sa i përket diskriminimit kundër grave, përdhunimit, ngacmimit seksual, sigurisht se duhet t’i adresojmë ndryshimet në ligje dhe politika, por duhet gjithashtu ta ndryshojmë diskutimin dhe kulturën rreth këtyre çështjeve dhe rrjetet sociale kanë qenë element kyç që ka kontribuar në këtë drejtim.

Cili është ndryshimi më i rëndësishëm që e kanë sjellur rrjetet sociale dhe interneti për botën e aktivizmit?

E kanë bërë më të hapur. Më shumë njerëz, jo vetëm organizatat e mëdha dhe aktivistët profesional, tani kanë qasje në vegla që i mundësojnë atyre të organizohen, komunikojnë dhe mobilizohen për t’i shtyer para kauzat për të drejtat e njeriut, për ambientin; pra në thelb për të realizuar ndryshime shoqërore. Po shohim platforma që i ofrojnë të gjithë njerëzve mundësinë për të nisur fushata.

Është e qartë që rrjetet sociale mund të përdoren prej të gjithë njerëzve për të lidhur dhe bashkuar komunitete të njerëzve që luftojnë për të njejtën kauzë dhe kjo definitivisht i ka bërë fushatat shumë më demokratike, më të hapura dhe më të qasshme për njerëz që pa to nuk do të kishin pasur mundësi ta bëjnë këtë pa qenë të lidhur me grupe apo organizata specifike.

Cilat fushata që janë zhvilluar sivjet i konsideroni si të suksesshme?

Një nga fitoret më të mëdha në 2018 ishte referendumi për abort në Irlandë. Kjo është diçka për të cilën organizatat e grave dhe gratë aktiviste kanë luftuar me vite dhe për të cilën Amnesty ka punuar tash e disa vite.

Një nga sukseset më të mëdha të asaj fushate u lidh me historitë që i ndanin gratë e guximshme, duke theksuar problemet që i shkaktonte dhe ndikimin që e kishte amendamenti i tetë i kushtetutës irlandeze [që e bëri abortin të kundërligjshëm]. Ishte një fushatë që i frymëzoi plot njerëz për të votuar, për ta bërë atë ndryshim të domosdoshëm në bazë të vlerave, ndjeshmërisë, dinjitetit, barazisë dhe respektit. Kjo është diçka që na ka frymëzuar plot prej neve që e kemi parë dhe përcjellur fushatën.

Lufta për të drejtat riprodhuese dhe seksuale vazhdon në shtete të ndryshme dhe Amnesty bashkë me njerëz e organizata të tjera po bëjnë fushatë për ta ndryshuar këtë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Referendumi për legalizimin e abortit në Irlandë ishte një sukses i madh për aktivistët e të drejtave të njeriut, por protestat në Argjentinë nuk sollën ndryshime të njëjta. Çfarë është e rëndësishme të ndodhë për ta realizuar ndryshimin?

Realiteti me këto çështje është se ndryshimi nuk ndodh brenda ditës. Në Irlandë nuk ndodhi ashtu. Grupet e grave kanë bërë fushatë për një kohë të gjatë për ta bërë atë ndryshim në kushtetutë.

Amnesty e nisi fushatën para disa viteve dhe iu bashkua lëvizjeve për të drejtat e grave që veç se ishin duke bërë fushatë për këtë. Në vitin 2018, ne erdhëm në një pikë ku njerëzit në Irlandë e morrën një qëndrim për ta realizuar këtë ndryshim të madh, që sigurisht është një fitore historike dhe është diçka për të cilën ne aktualisht jemi duke bërë fushatë, për t’ua siguruar të njëjtat të drejta grave në pjesë tjera të botës.

Dhe në Argjentinë e kemi parë që sigurisht kjo nuk është pikë përfundimtare, nuk e kemi parë fitoren finale, por e kemi parë atë valë të ndryshimit duke u bërë më e fortë, gjithë ato gra duke e ngritur zërin dhe kjo është diçka që do të ndodhë.

Ndryshimi po vjen. Dhe po shohim progres si rrjedhojë e këtij mobilizimi.

Në praktikë, si e planifikoni një kampanjë? Çfarë është e domosdoshme të parashikohet apo mendohet?

Çështja kryesore është ta kuptosh mirë problemin dhe sistemin në të cilin operon problemi, dhe të mundohesh ta kuptosh se çfarë duhet të ndryshohet për ta adresuar në mënyrë efektive çështjen në fjalë. Dhe aty nuk duhet të përfshihet vetëm një simptomë e një problemi.

Për shembull, nëse i analizojmë ligjet që lidhen me përdhunimin, plot shtete në Evropë nuk e pranojnë që seksi pa pëlqim të të dy personave është përdhunim. Analizimi i ndryshimeve në legjislacion është një aspekt i kësaj, por poaq e rëndësishme është të analizohen çështjet më të gjëra strukturore, përfshirë këtu stereoptipet dhe normat gjinore. Pra e analizojmë se çfarë ndryshimi duam ta sjellim dhe çfarë nivele të ndryshimit duhet të ndodhin.

Dhe duhet t’i identifikojmë se cilat janë audiencat e ndryshme që mund të na ndihmojnë ta realizojmë ndryshimin kush mund të na ndihmojë. Dhe pastaj dalim dhe i identifikojmë problemet. Po e shohim që për plot çështje, ndryshimet duhet të vijnë nga fuqia i popullit.

Pra në mënyrë që të kemi mundësi ta fitojmë mbështetjen e njerëzve, duhet të shohim se si i kuptojnë njerëzit këto çështje, si mund t’i motivojmë ata, cilat janë pengesat që i parandalojnë njerëzit të mos veprojnë, dhe duhet të zhvillojmë taktika dhe aktivitete të përçimit të mesazhit, portretizimit të çështjes, komunikimit, që kontribuojnë që njerëzit t’i kuptojnë këto çështje, që përputhen me nevojat e tyre dhe që lidhen me zemrat e mendjet e tyre prapa një thirrjes shumë të qartë për veprim.

"Po mundohemi ta zbërthejmë se çfarë na lidhë neve si njerëz dhe humanitetin e përbashkët që ne e ndajmë".

I përmendët fushatat për ndryshime në legjislacion në shtetet e BE-së që e njohin seksin pa pëlqim si përdhunim. Gjetjet e analizës së Amnesty ishin alarmuese dhe nxitën një thirrje urgjente për veprim.

Nga 31 shtetet që ishin pjesë e studimit, vetëm 8 e njohin ligjërisht seksin pa pëlqim si përdhunim. Dhe kjo është diçka për të cilën po punojmë me grupe të grave në teren. Po i dëgjojmë gratë e guximshme që i kanë mbijetuar përdhunimit dhe po e ngrisin zërin, e ne po qëndrojmë me to në përpjekjet e tyre për ta ndryshuar legjislacionin, por gjithashtu edhe qëndrimet e publikut.

E kemi parë që në plot shtete… shumë prej këtyre qëndrimeve janë të bazuara në stereotipe dhe norma gjinore që gratë janë përgjegjëse për mënyrën si veshen, përgjegjëse për të thënë jo. Dhe ajo që po e thonë në fakt është ‘jo’   përveç nëse shprehet pëlqimi në mënyrë eksplicite, përveç nëse ka ‘po’, seksi është në thelb përdhunim.

Kështu që e lansuam fushatën Let’s Talk About Yes për të zhvilluar diskutime, për t’i nxitur njerëzit të flasin për këto çështje dhe t’i njohin ato ligjërisht, por edhe për qëndrimet, që seksi pa pëlqim është përdhunim.

Rrjedhojë e mospërcaktimit të përdhunimit në legjislacion është shfajësimi i njerëzve, akuzimi i njerëzve për shkelje të ndryshme, por jo për përdhunim. Kjo do të thotë që gratë që i kanë mbijetuar përdhunimit nuk mund të gjejnë drejtësi, por edhe mund të mos e raportojnë. Mund të mos kërkojnë drejtësi për vuajtjet e tyre. Prandaj është aq e rëndësishme të ketë ndryshime në ligje sepse mund të shkaktojë ndryshime në qëndrime dhe sjellje.

Kur e marrim parasysh situatën në lidhje me të drejtat e njeriut në Evropë, a ka shtete që ju mendoni kanë nevojë t’i adresojnë më urgjentisht shkeljet apo që janë më problematike sa i përket respektimit të të drejtave?

Është shumë e vështirë të theksohet një shtet në veçanti. Sepse sigurisht që kemi parë shkelje të të drejtave të njeriut dhe probleme të ndryshme në nivele të ndryshme në shtete të ndryshme, dhe realizimi i ndryshimeve në plot prej këtyre rasteve nuk është fare i lehtë.

Edhe në vende ku po punojmë me plot raste të abuzimit të të drejtave të njeriut, prapëseprapë shihet që mobilizimi dhe aktivizmi mund të prodhojnë rezultate pozitive, si në Turqi për shembull. Dhe kundërshtimi i hapur i njerëzve ndaj kufizimeve dhe shtypjes mund të sjellë fitore.

Definitivisht jemi ballafaquar me vështirësi në kontekstin në të cilin jemi tani në Evropë me gjithë këtë sakrifikim, përhapje të frikës, urrejtje dhe demonizim. Dhe hapësira për shoqërinë civile po bëhet gjithnjë më e vogël, e kështu po bëhet gjithnjë më vështirë. Çështjet në lidhje me refugjatët dhe emigrantët po bëhen gjithnjë më toksike, dhe po e shohim që shtetet e BE po e vazhdojnë një qasje që është për ta ndërtuar një fortesë, për t’i mbajtur njerëzit jashtë, pra nuk mbështeten më në qasjen e emërimit dhe turpërimit, që me gjasë funksionoi më shumë në të kaluarën.

Pra ne po fokusohemi në ndërtim, jo vetëm si Amnesty, por të gjithë ne që po punojmë me këto çështje, për t’i fuqizuar lëvizjet dhe aftësitë e njerëzve për mobilizim, për të bërë fushata për këto çështje dhe për t’i mbështetur nismat bazë që po zhvillohen dhe po e rezistojnë atë lloj drejtimi, po e promovojnë një vizion pozitiv për shoqëritë tona, shoqëri që janë ndërtuar në parime të solidaritetit, dinjitetit dhe ndjeshmërisë.

Një nga elementet për të cilët duhet të reflektoni kur jeni duke planifikuar një fushatë është mënyra se si komunikoni me njerëz që nuk e mbështesin domosdoshmërisht kauzën, por janë në anën tjetër. Si e targetoni mendësinë e atyre njerëzve?

Lidhet me vlerat e përbashkëta që i kanë njerëzit në lidhje me problemin. Vlerat e përbashkëta të respektit, dinjitetit, barazisë dhe ndjeshmërisë janë ato që bëjnë dallim. Këtë po mundohemi ta bëjmë në të gjitha fushatat në të cilat jemi duke punuar. T’i identifikojmë vlerat e përbashkëta që janë rrënjë e ndryshimit që duam ta adresojmë dhe vlerat e përbashkëta të njerëzve që po mundohemi t’i mobilizojmë.

Kemi punuar për shembull për migrimin dhe të drejtat e refugjatëve, dhe këtu po mundohemi të fokusohemi në vlerat e solidaritetit dhe komunitetit, dhe të fokusohemi në shumë njerëz që në fakt janë të gatshëm t’i mirëpresin refugjatët në komunitetet e tyre, që janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe solidaritet për njerëzit që po kërkojnë shpëtim dhe jetë më të mirë në Evropë.

Këto janë parimet dhe vlerat për të cilat po flasim dhe që po mundohemi t’ua komunikojmë njerëzve që mund të kenë probleme tjera në jetë dhe nuk ua ndinë domosdoshmërisht menjëherë për këtë çështje. Por në fund po mundohemi ta zbërthejmë se çfarë na lidhë neve si njerëz dhe humanitetin e përbashkët që ne e ndajmë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0