Gjerë e gjatë | Tirana

Fundi i gegëve si zanat

Nga - 26.01.2023

Një fis akullorexhinjsh del nga skena.

Në Shqipëri, viti 1983 ishte i qetë, pa ndonjë ngjarje të veçantë e me një verë të përgjumur. Por kur e mendon tani, mënyra se si rrodhën gjërat më vonë, sa shpejt e tërësisht u transformua një vend i tërë, u duk ndoshta një paradite qershori të atij viti, kur një njëzet-e-ca vjeçar hyri me shpejtësi me makinë në rrugën kryesore të lagjes sime, te rruga “Myslym Shyri”. Me rrotat që kuisnin, vetura bënte zigzage nga një qosh trotuari tek tjetri, derisa në fund dha frymë e u përplas në një pemë në fund të rrugës, ngjitur me kioskën ku Rriku shiste gazeta.

Por para se të përplasej, mu përballë kinemasë, Fiati polak i ra gegës sonë, akullorexhiut të lagjes, duke e marrë shtatë-tetë metra zvarrë para se ta linte përtokë. Karroca iu përmbys, termoset u bënë copë, akullorja u derdh në asfalt. Filluan të mblidheshin kureshtarët, pastaj erdhën sirenat: policia dhe ambulanca që e çoi atë mesoburrë në spital.

Ki parasysh Tiranën e para dyzet vjetëve – ato pak vetura në qarkullim ishin o të shtetit o të partisë, kështu që lajmi se një veturë e hallakatur e kishte fshirë gegën me gjithë lugë akulloreje mori dhenë.

Nuk e di nëse ai kujtim i largët do dilte në shesh sërish nëse para tre-katër vjetësh nuk do kishte dalë një fotografi e gegës në një nga ato forumet nostalgjike të Facebook-ut. Faqja në fjalë i kushtohet periudhës së vonë të komunizmit në Shqipëri dhe quhet “Na ishte dikur”.

Në atë fotografi, gega shihet teksa shtyn karrocën në sheshin “Skënderbej” dhe një vajzë që ecë drejt tij me akullore në dorë. Në sfond, pankarta gjigante me portretin e Enver Hoxhës rri varur në kolonat e Pallatit të Kulturës.

Gjysma e qindra e qindra komenteve nën atë postim shpërthenin me mllef ndaj diktatorit, gjysma tjetër ishin gjithë mall për akullorexhiun tonë. Si fotografi u shpërnda 200 e kusur herë. Edhe Enveri edhe gega ishin dy figura të përhershme të fëmijërisë sime, kështu që atë foto e shpërndava dhe unë.

“Të kujtohet si i ra makina gegës?” më shkroi një komshi kur pa atë fotografi. Nuk më kujtohej. As nuk e dija që kishte ndodhur. Por kur ma përmendi, fillova të rindërtoj atë fotografi dhe botën prej nga vinte. “Çfarë kishte ndodhur me gegën?” pyesja veten. Kush dhe çfarë ishte ai, në fakt? A kishte, a kishin të gjithë ata shitës akulloresh, emra?

Për tre a katër breza kalamajsh, ai ishte gega i gjatë, për ta dalluar nga Aliu, gega i shkurtër dhe i rrumbullakët me të cilin ndante territorin. Kishim disa të tillë në qytet dhe quheshin kështu se vinin nga veriu. Shqiptarët ashtu ndahen, toskë në jug e gegë në veri, por ne kalamajtë, prej Tirane e poshtë, kur thoshim gegë nuk e kishim fjalën për prejardhjen e tyre. Për ne, gegët ishin shitësit e akulloreve dhe të çikërrimave.

Po ashtu, shqipja që flisnin nuk ishte gegërishtja, me ato r-të e saj të buta dhe ato prapashtesa të ngrëna pjesoresh (nuk thoshte shkû, thoshte shkuar); ose të paktën, shumica nuk e fliste ashtu. Pjesoret e gegës ishin të plota dhe kur thërriste “A-ku-llo-REJ” me atë zë bariton, gjëmonte.

Shumica e gegëve nuk e kishte shqipen gjuhë amtare. Ishin goranë, një grup sllavësh myslimanë prej pllajash malore dhe luginash të humbura aty ku takohen Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut sot. Flasim për rreth 29 fshatra, me ca dhjetëra-mijë banorë në malësitë e Sharrit mes Kukësit, Prizrenit dhe Tetovës.

Gjuhën që flasin mes tyre e quajnë “nashinski”, që do të thotë “e jona” apo “gjuha jonë”. Ajo më shumë u afrohet dialekteve perëndimore të maqedonishtes, megjithëse ka karakteristika të vetat në gramatikë dhe është mbushur me leksik edhe nga serbishtja, shqipja dhe turqishtja e vjetër. Gjatë periudhës osmane, goranët ishin një komunitet pastoral, që i çonin bagëtitë për dimërim deri në fushat e Thesalisë. Por siç tregojnë, shtegtimi i kopeve u ndërpre për shkak të kusarisë, duke e detyruar një pjesë të braktisin bagëtitë dhe të kërkojnë punë nëpër qytete, ku shisnin bozë, qiqra apo hallva në pazar dhe ushtroheshin në mundje.

Për hallvën dhe mundjen

Por, arsyeja që i shpërndau nëpër hapësirën osmane për punë mund të ketë qenë thjesht mbipopullimi. “Ishte emigrim sezonal,” më tregon Thomas Schmidinger, një etnolog austriak. Burrat e kishin bërë zakon të niseshin për kurbet për Shën Mitër, në tetor, dhe të ktheheshin në fshat për Gjuren, ditën e Shën Gjergjit, nga fundi i pranverës. Vera ishte koha për të lëvruar tokën, për të mbjellë patate e thekër, për t’u marrë me bagëtinë, për martesa dhe syneti, që shoqëroheshin me gara mundjeje. Gjatë shtegtimeve, ata punonin si shitës ambulantë çikërrimash ushqimore në rrugë; shisnin qiqra të pjekura apo qebapë. Me kalimin e kohës, ajo për të cilën po njiheshin gjithnjë e më shumë ishin ëmbëlsirat: hallva, boza, salepi dhe akulloret.

Namin për ëmbëlsira mund të kenë filluar ta marrin që në Prizren, i cili ishte tregu kryesor i zonës, më thotë hulumtuesi i ushqimit, Jeton Jagxhiu. Bile deri në vitet 50, në oborrin e një shtëpie gorane në qytet ndodhej një gropë ku ruhej bora gjatë verës — e domosdoshme në stinën e nxehtë për të bërë akullore dhe pije freskuese në mungesë të frigoriferit. Deri para pak kohësh qyteti kishte dhjetë e më shumë ëmbëltore goranësh.

Tregëtar mysliman ëmbëlsirash në Prizrenin osman. Fotografia: Auguste Léon, Muzeu Albert Kahn, Francë

Në një regjistrim të popullsisë në kohën e Luftës I Botërore del se 90% e burrave goranë ishin hallvaxhinj dhe pastiçerë gjithandej nëpër botë. Tri familje kishin ngritur tezga deri në Aleksandri të Egjiptit dhe po t’u besosh legjendave, goranët i gjeje deri në filifistun — edhe në Kinë i kishin parë. “Unë i quaj marinarët e atyre maleve,” më thotë Jagxhiu. “Udhëtonin larg dhe sillnin me vete historitë.”

Sipas Andrea Pieronit, një etnobotanisti italian që është marrë me ta, kurbeti i bënte dhe më të zgjuar. Marrim, për shembull, hallvën, atë brumë të sheqerosur mielli, susami apo fëstëkësh të skuqur në vaj. Tani hallva në Shqipëri është më shumë ëmbëlsirë xhenazesh, por dikur ka qenë shumë e zakonshme.

Recetë e thjeshtë për të marrë karbohidratet, yndyrat dhe proteinat që të duhen dhe ushqim që ruhet mirë. Mirëpo në të nxehtë, vaji mund të ndahet nga brumi dhe hallva thahet dhe bëhet tullë. Për ta mbajtur vajin brenda masës së miellit, në Lindjen e Mesme përdorin ekstraktin e një bime që turqisht e quajnë çöğen. Por goranët i gjetën një zëvendësues atyre bimëve të rralla me rrënjët e një barishteje të livadheve të tyre që e quanin çujen.

Nuk është çudi të kenë qenë goranët ata që gjetën mënyrën për të bërë bozë joalkoolike, gjë e vështirë kur fermenton drithin. Prej Gore thuhet se mund t’i ketë pasur rrënjët familja Vefa, e cila ka dyqanin më të njohur të bozës në Stamboll.

Nga nuk i gjeje në Ballkan, prej Bosnjës në Kostancë të Detit të Zi, prej Sofies e deri në Selanikun e vjetër. Në fakt, pastiçeria më e njohur për tullumba dhe kadaif sot në Selanik,Hatzis”, i ka fillimet tek një shitës boze i zbritur aty në vitin 1908 nga Brodi, fshati i Gorës në Kosovë.

Siç i kishin qytetet e Jugosllavisë pelivanët e tyre, ashtu i kishin ato të Shqipërisë gegët.

Në Beograd ka një dyqan që daton edhe më herët dhe që akoma mbahet nga pasardhësit e themeluesit të tij prej fshatit Zlli Potok. Edhe familja edhe dyqani i tyre mbajnë akoma emrin “Pelivan”, që do të thotë “mundës” në turqisht. Thuhet se themeluesi i ëmbëltores kishte fituar ca para në një kampionat mundjeje dhe ato pastaj i kishte përdorur për të hapur atë dyqan. Dhe aq i njohur u bë ai, saqë emri Pelivan u bë sinonim i fjalës ëmbëltore. Dhjetëra e dhjetëra ëmbëltore goranësh në ish-Jugosllavi kanë marrë atë emër. Prizreni ka pasur Pelivanin e vet. Po ashtu Mitrovica, Nishi apo Subotica. Shkupi ka pasur dy të tillë.

Ashtu siç kishin qytetet e ish-Jugosllavisë pelivanët, Shqipëria i kishte gegët. Disa prej tyre rendnin me tabaka me hallva dhe hasude në kokë gjatë Qafës së Pazarit në Gjirokastër. Të tjerë do të hapnin dyqane ëmbëlsirash në Tepelenë apo Durrës pasi e kishin provuar më parë në Janinë apo Shkodër. Të tjerë ende shkonin të shisnin hallva a qiqra jashtë fabrikave apo shkollave në Vlorë apo jashtë fushave të sportit në Tiranë. Kështu “Gega” u kthye në llagap popullor: Qemal Bala, një goran që kishte zbritur me makinën e vet të akulloreve në Delvinë në jug të Shqipërisë, thirrej nga të gjithë Qemal Gega.

Çifligjet e akulloreve

Kur Tirana u bë kryeqytet në fillim të shekullit XX dhe sidomos me rritjen e shpejtë që mori pas Luftës II Botërore, gegët filluan të vinin me shumicë. Pjesa më e madhe ishin nga dy fshatrat më të mëdha të Gorës nga ana e Shqipërisë, Borja dhe Shishtaveci.

Një a dy prej tyre kishin dyqane. Njëri syresh solli me vete vite të tëra përvojë pune nga Sarajeva; një tjetër një makinë të vjetër akulloreje: një enë ku përzihej qumështi për akullore brenda një ene më të madhe të mbushur me ujë të kripur për ta ftohur. Por pjesa më e madhe, në njërën nga dhomat e shtëpive, që kishin marrë me qira, fermentonin bozën e në tjetrën flinin. Të nesërmen dilnin në rrugë që me mëngjes për ta shitur.

Të pamartuarit, verës ktheheshin në Gorë për të gjetur nuse apo për të marrë rrënjë çujeni për hallvë. Por me kalimin e kohës, sidomos pas viteve 60, do ktheheshin gjithmonë e më rrallë në fshat. Për Gjuren tani bënin piknikë në kodrat përreth Tiranës.

Një mbasdite në javë, mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit, më shumë tek Sabir Sula, i pari goran që hapi dyqan në Tiranë. Shtëpia e tij kishte më shumë oborr që t’i mbante të gjithë – fëmijët loznin, Sabirica, e shoqja dhe gratë e tjera gatuanin, burrat shtroheshin me muhabet, këngë dhe raki.

Kur u shtetëzuan edhe punishtet e vogla nga fundi i të ‘60-ave – duke i dhënë dërmën me një goditje gjithë kulturës së pazareve dhe kafeneve – zanatçinjtë u futën në punë në ndërmarrje shtetërore. Hallvaxhinjtë dhe bozaxhinjtë përfunduan në zinxhirin shtetëror të prodhimit dhe shpërndarjes së ëmbëlsirave.

Sade Danjolli, gega i Pazarit të ri në Tiranë, me karrocën e akulloreve. Fotografia: Arkivi i familjes i Artur Danjollit.

Disa prej tyre ishin nga të parët që filluan punë në Punishten e Pastave (në Shqipëri “pastat” janë ëmbëlsirat e vogla). Kishte familje, si Fetishajt e Shishtavecit, që kishin nga një anëtar në të gjithë hallkat e prodhimit të ëmbëlsirave. Një vëlla bënte ëmbëlsira dhe torta, tjetri punonte tek punishtja e akulloreve, ku akullorja bëhej në fuçi gjigante dhe akulli fillimisht sillej nga kamionët me blloqe të mëdha. Të tjerë, punonin në pastiçeritë e lagjeve.

Atyre që mbetën u dhanë karroca me biçikletë për të shitur ëmbëlsira dhe akullore rrugëve.

Këta ishin gegët e fëmijërisë sime. Me përparëse dhe kapuçë si infermierë spitali. Shisnin lloj-lloj karamelesh dhe ëmbëlsirash: gjela apo mollë sheqeri; kokoshka të lara me sheqer të karamelizuar, që dikur i quanin “lule Stambolli”; marmelatë mes dy gurabijesh të ngjyera në çokollatë me emrin “Kokë harapi”, apo thjesht ingranazhet, gurabije rrethore me dhëmbëza. Dimrit, kaushët i mbushnin me mafishe, me kajmaklije. Por vinte i ngrohti dhe gegët nisnin t’u jepnin karrocave nëpër lagje duke bërtitur “A-ku-llo-REJ!”

E kishin ndarë qytetin çifligje-çifligje. Nurçja, ai që kishte sjellë makinën e hallvës nga Rumania dhe vitet e punës nga Sarajeva, tani shiste akullore në lindje të Tiranës. Sadja ishte më në qendër. Vajdja kishte zonën nga stacioni i trenit dhe bëhej me nerva kur i thoshin “Cuca” (hundëderr). Në verilindje ishte Aliu rrumbullak, një shqiptar që ishte arratisur nga Maqedonia në të ’60-at. Tani, me emrin “gegë” ndonjëherë thirreshin edhe Reshat rromi dhe Lluka greku, të cilët territoret i kishin në zonat e fabrikave në skajet në lindje dhe perëndim.

Në pjesën e qytetit nga brenda në perëndim, në kufi me Aliun, territori i përkiste Ziqos. Përditë në verë, ai mbushte termoset tek magazina në qendër, pastaj kalonte bulevardin e bërë gjatë fashizmit nëpër blloqet e pallateve të viteve ’60. Kapërcente “Lanën” tek ai hangar llamarine, që ishte sallë ekspozitash me emrin “Shqipëria Sot”.

Pastaj, avash-avash, futej me karrocë tek “Myslym Shyri”, një kilometër rrugë me pemë, trotuare dhe pallate. Ajo rrugë lidh qendrën me Unazën nga perëndimi, ndan blloqet drejtkëndëshe të banesave nga jugu prej rrugicave me shtëpi të vjetra në veri.

I dinim me emra kush shiste apo punonte aty, edhe pse dyqanet nuk i kishin të vetat, por të shtetit. Rradha tek Xhemilja e bulmetit kishte avulluar me kohë kur hynte Ziqoja në rrugë. Tim Pallaveshi i fruta-perimeve. Lil “topalli” i ushqimores, që e rrasën brenda me grupin e kontrabandës së vajit – e vidhnin vajin nga kombinati dhe e shisnin në të zezën në dyqan. Kalamajtë që silleshin para këpucarit, Murat çamit; mbi dyqanin e Muratit, gratë e punishtes së qilimave.

Ishte Shati, berberi dhe Sati i kinemasë, që ndonjëherë na linte t’i hidhnim një sy filmit nga dhoma e projektimit. Tek dera e daljes së kinemasë kishim gërryer vrima që të shihnim filmin pa u lodhur që të futeshim brenda, por ato vrima nuk hynin në punë gjatë gjyqeve publike, sepse kishte policë. Kjo ishte lagjja.

Ziqoja e llogariste që në 10 e gjysmë të ishte tek shkolla tetë-vjeçare për pushimin e madh, që pastaj të arrinte pushimin e orës 11.00 tek reparti i rrobave të gatshme, ku i punonte e bija. Pastaj, e bënte xhiron nga e para.

Zeqir Kamberi e kishte emrin e plotë. Baba i pesë fëmijëve me shtëpi një-katëshe qerpiçi në lindje të Tiranës. Ziqoja është gega që mbajmë mend unë dhe të tjerët, që fëmijërinë e patëm në atë lagje ato vite; është personi fotografia e të cilit qarkulloi në Facebook në 2019-ën.

Jeta e një gege

Gjatë verës, gegës do i dilte përpara Nasrudini, që vinte me gomar në lagje për të shitur dru zjarri. Dhe Nasrudini do i blinte dy kaushë me akullore, njërin për vete dhe tjetrin për gomarin. Arben Cullhaj, që është rritur në lagje, tregon se kalamajtë e pyesnin: “Po pse, i jepet akullore gomarit, o Nastradin?” Dhe Nasrudini u përgjigjej: “Ka vapë edhe gomari.”

A-ku-llo-REJ!

Kalamajtë dilnin me vrap prej shtëpive, zbrisnin shkallëve dhe mblidheshin rreth karrocës. “Durim” thoshte gega. “Ka për të gjithë.” Kalamajtë përpiqeshin të kacavirreshin në karrocë për të parë brenda termosit, por nuk ai nuk i linte. Kështu shkonte bllok mbas blloku.

“Pse, i jepet akullore gomarit, o Nastradin?”

Kamberët kishin ardhur në Tiranë viteve ’50, babai, një vëlla më i madh dhe Ziqoja vetë. Një a dy breza më herët, familja shiste ëmbëlsira rrugëve në Rumani. Siç e mbajnë mend, gjatë Luftës së Parë Botërore, gjyshi i Ziqos me vëllezër përfunduan të internuar në Sevastopol të Krimesë, ku nxirrnin ndonjë pare si hamej. Pastaj paguan për një vend në një anije për Stamboll dhe mbetën në Turqi deri sa filloi Lufta e Dytë, kur u kthyen në fshat, në Borje.

Në fillim Ziqoja nuk punoi me të atin kur erdhën në Tiranë. Bëri ushtrinë në Përmet – dhe nga atje kishte marrë shqipen në fillim – dhe pastaj gjente punë në ndërtim. Por kur u martua me një grua nga fshati, u fut në biznesin e familjes. Viteve gjashtëdhjetë, në dyqanin e tyre, mes një kasapi dhe një berberi, Kamberët bënin hallva dhe akullore. Gratë rrinin përgjithësisht në shtëpi, dhe si shumë gra gorane që jetonin me familjet në kurbet, nuk e mësuan mirë gjuhën e vendit, megjithëse fëmijët flisnin kryesisht shqip.

Kur ua mori shteti dyqanin në 1967-ën, bashkë me të vëllain u bënë gegë akulloresh në shtet.

“Cuca,” Sadja dhe Ziqoja, disa nga gegët e Tiranës. Foto: Arkivi familjar i Artur Danjollit.

Nuk ishte punë e keqe të shisje akullore gjatë komunizmit, sepse përveç rrogës, merrje para shtesë për numrin e kaushëve me akullore të shitura. Me pak hile, arrije të bëje dy a trefish rrogën. E mbushje kaushin me më pak akullore nga ç’duhej, si rezultat shisje më shumë kaushë dhe në fund të muajit, merrje më shumë para nga inxhinieri apo polici.

Etleva Qinamit i kujtohet si mësonte hile dhe fjalë nga gega. As dhjetë vjeç nuk ishte, atëhere nga fundi i viteve ’70 dhe dëgjoi “A-ku-llo-REJ” të gegës dhe zbriti me vrap poshtë, kur pa që kishte vetëm katër lekë, jo pesë lekët që duheshin për një akullore. “Më ra një lek në rrugë,” i thotë. “A ma jep një akullore për katër lekë?”

“Eh, ç’të di tajarja ty!” iu përgjigj gega, dhe ja dha akulloren. Kur shkoi në shtëpi, Qinami pyeti të atin. “O ba, çfarë është tajarja?”

Ditën e mbyllte mbasdite. Nganjëherë, akulloren e mbetur e çonte në pastiçeri ku riciklohej, ose ua jepte kalamajve të atyre që njihte.

Humbja e një tradite

Kur i ra “Fiati” polak në qershor të vitit 1983, Ziqoja kishte qenë duke i dhënë akullore një fëmije me të atin. Nga spitali, ambulanca e solli po atë darkë në shtëpi. Ishte mbështjellë me fashë i tëri. Ishte i topitur, e ju desh kohë t’i tregonte njerëzve të vet çfarë kishte ndodhur tamam, siç e kujton e bija, Fatbardha.

Por kishte pasur fat, plagët i kishte vetëm gërvishtje. Morëm vesh më vonë që ai djali që i ra e kishte marrë Fiatin tek një ministri në qendër mbasi kishte shitur mend në lokal se ishte i zoti ta hapte atë veturë me çelës biçiklete. Siç doli, o ai, o e motra e tij, kishin qenë në shkollë me një nga vajzat e Ziqos. Një ditë vajti ta takonte — kishte qenë i pirë, i kishte thënë, dhe i kishte kërkuar falje. Gega e fali në fakt, edhe në gjyq, sepse në fund të fundit ja kishte hedhur mirë. Sa hyri gushti, ashtu me fasho siç ishte, u kthye me karrocë akulloresh rrugëve.

Prej atyre dy protagonistëve të asaj fotografie Facebooku, diabeti ia mori jetën Hoxhës në 1985-ën dhe gega doli në pension tre vjet më pas, kur bëri 60 vjeç. Dhe disa vjet më vonë, në 1990-ën, brezi që e hodhi përtokë me makinë të vjedhur arriti të rrëzojë të gjithë sistemin dhe o u vu në punë të ndërtonte një vend tjetër, o iku fare. As fëmijëve të akullorexhinjve nuk u interesonte më zanati i vjetër.

“Nuk shiten kështu ëmbëlsirat, o jo!”

Edhe për ata që bënë përpjekje për ta mbajtur si traditë, kishin ndërruar brezat. Fetishajt, për shembull, familja që bënte akulloret dhe tortat e Tiranës, kur u liberalizua ekonomia në vitet 90, nisën të shisnin ëmbëlsira me tezga rrugëve. Por kur Arif Fetishaj pa të birin pas tezge me bluzë ngjitur mbas trupi dhe syze dielli, psherëtiu. “Nuk shiten kështu ëmbëlsirat, o jo!”

Djali i madh i Ziqos, Gëzimi, që punonte mekanik, iku shpejt për Greqi. Familja nuk e ndoqi, por kur Ziqoja i kërkoi një makinë moderne akulloreje që të bënte aq sa të shiste në lagje, ia çoi. “Më sill atë dhe çfarëdo lloj arome që të gjesh,” e pati porositur Ziqoja.

Për nja gjashtë-shtatë vjet, shiti akulloren që bënte me karrocë tek shkolla afër shtëpisë, por nga viti 2000, kur po e linin fuqitë, e la si punë përfundimisht.

Djali që vajti në Greqi kthehet rrallë në Tiranë. Djali i vogël, që njihej në zonë si Çimi i 97-ës pasi pati bërë emër në atë vit, u largua edhe ai nga Shqipëria. Ziqoja ndërroi jetë në 2007-ën, pesë vjet para se djali i vogël të humbte dhe ai jetën në një aksident të çuditshëm në veri të Italisë.

Kurbeti që kthehet në emigrim

Këto vitet e fundit, një minibus “Mercedes” me regjistrim britanik lidh Mançesterin dhe qytetet rrugës – Londrën apo Uluiçin (Woolwich) – me Shishtavecin në Gorë. Sjell mallra nga perëndimi në fshat dhe çon mall nga fshati në Angli. Qëllon të sjell rrota kaçkavalli dhe pastërma shtëpie që prindërit ua çojnë fëmijëve, që jetojnë në Londër. Qëllon që të sjell rrota kaçkavalli dhe pastërma nga Londra për prindërit në Shishtavec sepse nuk kanë para t’i blejnë.

Kur e kam bërë për herë të parë rrugën e Gorës para njëzet e kusur vjetësh, në krahinë kishin mbetur vetëm pleqtë. Por tani të ardhurat nga emigracioni kanë rregulluar një pjesë të mirë të shtëpive dhe çdo verë, të rinjtë kthehen me para dhe energji. Shumë prej tyre përdorin linjat e lira për të ardhur, dhe sjellin bagazhin me mikrobus nga Anglia. Ka që rrinë me javë, për të bërë dasmat dhe synetet, madje ka edhe nga ata që vijnë që kur hyn i ngrohti për Shën Gjergj.

Dasmë në Shishtavec, verë 2022. Veshjet e kuqe tregojnë gratë e martuara, të bardhat – të pamartuarat. Foto: Altin Raxhimi.

Shumica e goranëve tani emigrojnë në perëndim. Gjatë stinës së kthimit në shtëpi, vetura me targa italiane mbushin rrugicat e Restelicës, fshatit më të madh në Gorë. Banorët e atij fshati patën emigruar në Monteroni d’Alba, një qytezë afër Sienës, që prej viteve ‘80. Një fshat tjetër, Krusheva, ka krijuar komunitet në Muluzë të Francës. Shumë vite mbasi u hap Shqipëria, borjanët i kanë hedhur sytë drejt Gjermanisë.

Jo më për të shitur hallva apo qiqra.

“Si zanat nuk të lë pa ngrënë, por nuk të bën të pasur,” më thotë Musa Kingji nga Shishtaveci, i cili merret me historinë e zonës.

Si zanat, gega mori me vete formën dhe të çarat e shekullit XX. Kur u shpërbënë perandoritë dhe u vunë kufij, u kufizuan lëvizjet dhe tregjet. Erdhi komunizmi dhe fshiu krejt iniciativën private. Dhe kur edhe pastaj komunizmi e mori atë rrugë, kurbeti u transformua në emigracion në perëndim: me punë në ndërtim, larje makinash, pastrim shtëpish dhe shërbime, shitje satelitësh apo tregëti të vogla e të mëdha, të ligjshme e të paligjshme. Zanate që paguajnë më shumë se hallva.

Në fakt, ka ende ëmbëltore goranësh në ish-Jugosllavi apo Turqi, por edhe atje po rrallohen. Vetëm tri pastiçeri gorane ka tani Prizreni dhe pelivanë nuk ka më.

Verën që shkoi isha tek shtëpia ku kishte jetuar Gega—aty ku dikur kishte qenë kufiri i Tiranës nga juglindja—tani ishte zhytur mes pallatesh të reja. Dera e drurit, e dalë boje, hapej në një oborr të ngushtë përgjatë të cilit kishte dy dhoma. Tek e para, një kolltuk ishte hedhur mbi një grumbull tullash në dysheme. Tek tjetra, pak mobilje. Në një aneks në fund të oborrit, të mbuluar me perde garze, bënin akulloren viteve ’90. Një kaposh kërcente dhe klloçiste. “Na mban me muhabet,” më thotë Fatbardha, vajza e vogël e Ziqos, që tani është 58 vjeç.

Seli Fetishaj, djali i Arifit të tortave dhe nipi i Ramadanit të akulloreve, tani merret me furnizimin e magazinave me ilaçe për një kompani në Tiranë. Bashkë me të vëllanë, në 2007-ën, patën shembur shtëpinë e vjetër dhe ndërtuan një tre-katëshe në vend të saj. Dhoma në qoshe, ku i ati dikur bënte ëmbëlsirat, u zhduk. Me atë vajtën edhe kusitë dhe veglat.

Nga e majta: Sade Danjolli, Ziqo Kamberi, Xheladin Hoxha dhe Nuredin Ramadani. Hoxha merrej me ushqimin e rrugës, por i vëllai kishte qenë hoxha që mbajti faljen gjatë varrimit të mbretit Zog në Paris. Ramadani ishte gega që solli makinë për prerjen e hallvës nga Rumania. Foto: Arkivi i familjes i Artur Danjollit.

“Vitet e fundit, babi ulej në oborr me mëngjes. I fiksonte sytë aty ku kishte qenë dhoma ku bënte ëmbëlsirat, sikur priste të dilte prapë. Nuk i besohej se nuk ishte më aty. Rrinte ashtu, si i paralizuar, me orë të tëra.”

Para ca vitesh në plazh në Durrës një burrë në moshë, i gjatë dhe ezmer, po u shiste lule Stambolli – të kujtohen? Janë ato topat e kokoshkave të karamelizuara – turistëve në breg. U tha çmimin, 10,000 lekë të vjetra, domethënë 1,000 të reja apo aty afër 10 eurove.

Marifeti klasik në Shqipëri. Edhe se ka kaluar mbi gjysmë shekulli kur shteti e rivlerësoi lekun, prapë kur thonë 10,000 lekë, kanë parasysh një mijë. Turistët nuk e dinin këtë dhe nuk dinin as sa lekë ishte një euro. Për 10 euro mall, dhanë 100.

Aty kishte qëlluar një mësues dhe shkrimtar nga Borja me emrin Nevruz Mehmeti.

Ovja im go šibna dosta!” i klithi vetes. “O, sa keq ia futi!”

Shitësi i luleve të Stambollit ngriti kokën.

I thotë Nevruzit: “Od kede si dečko?” Nga je, djalosh?

Od Borje!

Nemoj! A me, poznavaš mene?” Jo ore! E mua, më njeh?

U morën vesh që shtëpitë në fshat i kishin ngjitur.

“A tebe ka te vikaje? Po ty, si të quajnë? e pyeti Nevruzi.

Jashar! Živim vo Tirana i cev život so ovja som se zimaf. Svi me poznavaje!” i përgjigjet. Jetoj në Tiranë dhe këtë punë kam bërë gjithë jetën. Të gjithë më njohin.

Filluan t’u afroheshin disa turistë. Shitësi i piprave u frikësua, mendoi se do të ishin ata të mëparshmit që po vinin t’i kërkonin lekët mbrapsht, kujton Nevruzi.

“Zemige ovja lopke i jadige,” i thotë. Merri këto topsheqeret dhe t’i hani. “Ja go izvadi račun za deneska. Selam svim vo Borje od Jashara!” Për sot më ka dalë hesapi. Të fala të gjithëve në Borje nga Jashari.

Ashtu iku.

E kishte emrin Jashar Berisha. Dikur, viteve ’70-’80, kishte punuar në një pastiçeri lagjeje në Kombinat në Tiranë, duke shitur ndonjë pipër mënjanë. E mbanin mend si të dhënë mbas grave dhe si qefli të fotografisë. Vdiq parvjet. Sipas llogarisë që bëj, duhet të ketë qenë i fundmi i gegëve. Por ka kaluar shumë kohë që kur ky emër nuk do të thotë më gjë, si zanat nuk vlen më as pesë lekë.

Fotografia e kreut: Ⓒ Michel Setboun.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.

  • 29 Jan 2023 - 19:57 | Edlir:

    Respekte per juve si Gazetar qe paskeni bere nje artikulle kaq te saket per goranet vleresim maksimal hulumtimi juaj ne zona edhe qytete te tjera te shqiperise do tu jap informacion edhe per zanacinje te tjere goranesh ne te gjithe qytete te shqiperis ka patur gorane zanacinje !

KOMENTO