Në thelb | LGBTQ+

Fytyrat e EuroPride

Nga - 17.09.2022

Aktivistët e aktivistet queer mblidhen në Beograd për një javë feste.

Përkundër përpjekjes së qeverisë për ta ndaluar marshin e Krenarisë, javësh të tëra reagimesh dhe protestash të krahut të djathtë, ngjarja ndërkombëtare pan-evropiane LGBTQ+, EuroPride, përfundimisht po zbarkon në rrugët e Beogradit. Njerëz LGBTQ+ dhe mbështetës nga e gjithë bota iu bashkuan njerëzve queer, aktivistëve e aktivisteve dhe aleatëve e aleateve serbë/e në marshin e Krenarisë të shtunën pasdite. Kjo është EuroPride e parë që u organizua diku jashtë Bashkimit Evropian.

Për arsye sigurie, organizatorët e EuroPride lajmëruan se një rrugë e re, shumë e shkurtër për marshin, vetëm disa qindra metra e gjatë, do të zëvendësonte rrugën fillestare të planifikuar e që supozohej ta përshkonte rrugën përmes qendrës së qytetit. Marshi i EuroPride nisi simbolikisht nga Gjykata Kushtetuese përpara se të vazhdojë për në stadiumin Tašmajdan, ku u mbajt një koncert.

Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë vazhdimisht njoftoi se marshi i Krenarisë ndalohet këtë vit, organizatorët këmbëngulën se do t’i vazhdonin planet e tyre. Në mesditë të ditës së marshimit, kryeministrja Ana Brnabić njoftoi se marshi i EuroPride mund të vazhdojë dhe se shteti do të sigurojë që rrugët të jenë të sigurta.

K2.0 foli me tetë njerëz queer nga e gjithë bota, që morën pjesë në javën e EuroPride në Beograd. Ata treguan për kërcënimet në rritje ndaj njerëzve LGBTQ+ për shkak të rritjes së autoritarizmit të krahut të djathtë, gjithashtu edhe për lëvizjet e tyre të rezistencës dhe fitoret e tyre në luftën për të drejtat e LGBTQ+.

Këto janë fjalët e tyre.

Ana Vujadinović

21-vjeçare, lezbike

Vullnetare e Krenarisë, Serbi

Në Serbi ka shumë maskulinitet toksis dhe patriarki. Neve, lezbikeve, shumë shpesh na shohin si objekte, thjesht për të kaluar ca kohë apo për të pasur diçka seksuale dhe sipas këndvështrimin tim kështu na shohin që nga momenti kur dalim haptazi si lezbike. S’kemi mendim, fytyrë, asgjë. Thënë troç, njerëzit mendojnë se ne lezbiket jemi të zhgënjyera dhe se orientimi ynë është thjesht në kokën tonë dhe se të gjitha ne në fund do të bëhemi “gra prej së vërteti”, nëna, gra heteroseksuale.

Përpiqem t’u shpjegoj, gjatë viteve pasi dola haptazi njerëzve për lezbiket, që t’i largoj njerëzit nga patriarkia toksike. Ndonjëherë njerëzit me të cilët bisedoj ndihen të sfiduar dhe distancohen nga ai paragjykim. Mungesa e njohurive krijon frikë dhe frika krijon urrejtje. Jam shumë e lumtur gjatë viteve, ka pasur gjithnjë e më shumë gra që identifikohen si lezbike, që kanë dalë hapur dhe i ndajnë publikisht rrëfimet e tyre. Më vjen mirë që jam pjesë e kësaj.

Protestat kundër Krenarisë nënkuptojnë se duhet të luftojmë më shumë se kurrë, të dalim në rrugë. Shpresoj që njerëzit të mos kenë frikë sepse ka kaq shumë informata të rreme që po përhapen. Ka zëra se personat pjesëmarrës në Krenari do të gjobiten, ose se do të arrestohemi dhe shpresojmë që kjo të mos i trembë njerëzit. 

Për shkak të njerëzve të krahut të djathtë dhe njerëzve në ato ceremonitë fetare [kundër Krenarisë], posaçërisht, ne duhet të dalim sot në rrugë, për të demonstruar se jemi këtu dhe jemi të dukshëm dhe se duam të drejtat tona. Nuk do të lejojmë që dikush të na i marrë ato.

Si dhe EuroPride, duke pasur gjithë këta njerëz prej ngado e bën atë edhe më të rëndësishme. Rrit dukshmërinë tonë. Por ne të jemi të bashkuar nuk është e rëndësishme vetëm për Serbinë, por për të gjithë Evropën, e cila nuk është as afër respektimit të të drejtave të njeriut, pasi shpesh është çnjerëzore ndaj njerëzve, jo vetëm ndaj komunitetit LGBTQ+, por edhe ndaj të tjerëve.

Lenny Emson

Bigjinore

KyivPride, Ukrainë

Situata e tanishme në Ukrainë është shumë e vështirë, sepse komuniteti LGBTQ+ po lufton për mbijetesë para së gjithash, për të mbetur gjallë, për t’iu shpëtuar zonave të rrezikshme dhe në  anën tjetër po luftojmë për ta ndihmuar vendin, për ta ndihmuar komunitetin. Shumë njerëz janë vullnetarë, shumë po përpiqen të mbijetojnë edhe ekonomikisht sepse situata është e vështirë për ta, është kohë shumë e vështirë.

Po përpiqemi t’i kontaktojmë të gjithë pjesëtarët e komunitetit, ata që janë aktivë në komunitet, ata që nuk janë, që t’iu ofrojmë ndihmë, t’iu ofrojmë ndihmë financiare, t’iu sigurojmë ushqim dhe barna, t’iu organizojmë strehim. Tani për tani po i ndihmojmë njerëzit të risocializohen e të kenë një profesion tjetër, që do t’i ndihmonte të fitonin para në mënyrë që të mbijetonin në këtë kohë.

Edhe personat LGBTQ+ janë qytetarë ukrainas dhe shumë po i bashkohen ushtrisë, njësive të mbrojtjes territoriale, me qëllim që të marrin pjesë në mbrojtjen e vendit. Dhe KyivPride si organizatë ka disa ushtarë queer që po ndihmojmë me furnizime, barna, telefona dhe gjithçka që mund t’u nevojitet atyre në vijën e parë të frontit.

Për mua është e rëndësishme të jem këtu dhe ta përfaqësoj Ukrainën sepse na duhet të jemi të dukshëm, duhet të jemi të dukshëm si komunitet që qëndron në Ukrainë dhe ka nevojë për mbështetje, ka nevojë për shumë mbështetje për të mbijetuar në këto kohë. Dhe na duhet t’i bëjmë thirrje komunitetit LGBTQ+ nga e gjithë bota që të qëndrojë me ne në solidaritet.

Dani Verastegui

40-vjeçar, jobinar

Fondacioni GAAT, Kolumbi

Në Kolumbi, kemi një nga arritjet më të përparuara për sa i përket të drejtave të njeriut për personat LGBTQ+ në rajon. Në vitin 1982 e filluam Krenarinë tonë dhe që nga ajo kohë janë bërë 40 vjet që marshojmë. Na kujtohet se si në atë marsh njerëzit kishin maska ​​në fytyrë dhe ishin vetëm 30 persona që marshonin. Çmenduri.

Tani, vitin e kaluar ka pasur më shumë se 100,000 njerëz që marshuan vetëm në Bogotá. Edhe në qytetet e tjera mbahen marshe dhe tash kemi tre marshe të ndryshme. Pesë vjet më parë komuniteti transgjinor dhe komuniteti jobinar u ndie se nuk ishim përfaqësuar sa duhet në marshin kryesor dhe vendosëm ta mbanim një marsh të ri. Është padyshim njëra nga popullatat më të cenuara në të gjithë botën dhe po ashtu në Kolumbi nuk ofrohen shumë mundësi për njerëzit transgjinorë dhe jobinarë. Kështu që, gratë transgjinore kryesisht punojnë si punëtore seksi dhe kjo i bën më të cenueshme ndaj dhunës.

Dhe e mbajmë një marshim të tretë sepse disa thonë se të tjerët janë tepër të bardhë. Kështu që po thonë se do të mbajmë marshin tonë — anti-racist, anti-kolonial.

E drejta për adoptim të fëmijëve nga prindër të të njëjtit seks njihet në Kolumbi, gjithashtu edhe martesat e të njëjtit seks dhe tash, pas avokimit tonë, ia dolëm ta fitonim të drejtën për t’i ndryshuar emrat tanë dhe shenjuesit e seksit në letërnjoftimet tona.

Mendoj se tërë ky ndryshim ka ndodhur për shkak të lëvizjes, për shkak të organizatave dhe aktivistëve e aktivisteve. Jetuam në një luftë civile për më shumë se 50 vjet. Kemi jetuar në luftë e tërë gjenerata ime dhe të drejtat e LGBTQ+ kanë qenë gjithashtu pjesë e luftës. Edhe ne ishim viktima të luftës po ashtu.

Kështu që, duke mbrojtur dhe avokuar për të drejtat tona e ndryshuam jetën tonë dhe ky është frymëzim për mbarë botën. Ashtu siç është fuqizuese dhe frymëzuese kur shohim aktivistë e aktiviste dhe njerëz këtu që bëjnë ndryshime në vendet e tyre.

Mustafa

32-vjeçar, queer

Civil Rights Defenders, Turqi

E gjithë bota po bëhet super-konservatore, jo vetëm Turqia. E gjithë bota. Qeveria që kemi ka qenë gjithmonë konservatore, por që nga grusht shteti, marshet e krenarisë në Turqi ishin punë e madhe. Disa Krenari kanë qenë prej marsheve kryesore në rajon me mbi 100,000 njerëz pjesëmarrës.

Kemi qenë gjithmonë në shënjestër, por që prej grusht shtetit, u bëmë një nga tri grupet kryesore të shënjestruara: refugjatët, kurdët dhe komuniteti LGBTQ+. Tash po kalojmë kohë të vështira dhe si njerëz queer jemi gjithmonë në rrugë duke protestuar, ndonëse e dimë se policia do të na sulmojë.

Në vitin 2015, marshi i Krenarisë së Stambollit u ndalua dhe tani kemi 16 komitete të ndryshme të Krenarisë në pjesë të ndryshme të vendit. Nëse tenton t’i bësh presion, ta shtypësh një komunitet dhe pakicë, do të gjejnë mënyra tjera. Gjithmonë gjejmë mënyra. Rezistojmë shumë, e mbrojmë njëri-tjetrin shumë. S’mund të shkojmë në polici, s’mund të shkojmë në gjykatë sepse gjykata nuk do ta mbajë anën e të drejtit; do ta mbajnë anën e atij që është me qeverinë.

Retorika që po përdor qeveria është e ngjashme me atë këtu në Serbi. Turqia është vend ku shumica janë myslimanë dhe në Serbi janë të krishterë ortodoks, por retorika në Bibël dhe Kuran është e njëjtë — librat fetarë thonë se marrëdhënia dhe martesa mes të njëjtit seks janë mëkat. Çdo natë këtu përballë Shtëpisë së Krenarisë, vijnë disa priftërinj. Fetë janë të ndryshme, por retorika, formulimi dhe ajo çfarë thonë, gjithçka është e njëjtë.

Kam qenë këtu edhe vitin e kaluar. Por këtë vit është jashtëzakonisht e rëndësishme që EuroPride po zhvillohet në Beograd. Sepse është hera e parë që EuroPride, kjo ngjarje e madhe, po ndodh në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore. Dhe kjo mund t’u japë shpresë aktivistëve e aktivisteve në vende të tjera.

Vite më parë, kur tentuan ta organizonin Krenarinë në Beograd, njerëzit u rrahën. U lënduan dhe iu desh të shkonin në spital. Iu deshën muaj për t’u rikuperuar. Dhe kur e sheh sot, është zhvillim i madh.

Kur flasim për të drejtat dhe mbështetjen e LGBTQ+, priremi të mendojmë për vendet e Evropës Perëndimore. Mund të kemi beteja të ndryshme dhe suksese të ndryshme, por EuroPride nuk është vetëm e vendeve perëndimore. Është e të gjithë neve.

Marya Alfa Stavgaard

30-vjeçare, biseksuale

Krenaria e Kopenhagës, Danimarkë

Gjatë këtyre ditëve me aktivistë e aktiviste nga e gjithë bota, ngjashmëria më e madhe që shoh lidhet me rritjen vërtetë shqetësuese të retorikës anti-LGBTQ+. Të drejtat që sapo i kemi fituar po sfidohen dhe vihen në pikëpyetje në të gjithë Evropën dhe botën.

Në Danimarkë sigurisht kemi shumë liri në sytë e ligjit, por shumë politikanë përdorin idenë se Danimarka është përparimtare, për ta fshehur faktin se në shumë fusha jemi mjaft regresiv dhe një vend mjaft konservator, në thelb. Dhe kjo duhet të vazhdojë të sfidohet. Nuk e kam menduar kurrë se do të na duhej të qëndrojmë kaq fort për të drejtat që vetëm sa i fituam. Siç e shohim e njëjta po ndodh në shumë prej vendeve, që aktualisht po përballen me shumë kundërreagime; priret ta shënjestrojnë komunitetin trans, por edhe njerëzit me ngjyrë.

Pra ekziston ky nocioni që arritëm barazinë, kemi të drejta të barabarta. Por realiteti është se disa njerëz queer po protestojnë dhe po thonë, “S’kam qasje në kujdes shëndetësor të mirëinformuar sa i përket gjinisë”, ose “S’kam të drejta të barabarta për jetën familjare sipas ligjit”. Praktikisht po i vënë në dukje këto çështje, por pastaj po konsiderohen ekstremistë nga të djathtit. Retorika është ashtu që thuhet se njerëzit queer duan që t’u merren të drejtat njerëzve jo-LGBTQ+. E që është krejtësisht e gabuar sigurisht sepse ka të drejta të mjaftueshme për të gjithë.

Por ekziston një argument që qarkullon se familja tipike heteronormative bërthamë daneze është nën kërcënim në njëfarë forme. Një parti e krahut të djathtë nisi një fushatë kundër marshit, së fundmi, me moton “Është në rregull të jesh normal”. Praktikisht po thonë “Ju njerëz po i kufizoni disi të drejtat e njerëzve heteroseksualë”.

Një arsye e madhe për të qenë këtu është se komuniteti serb LGBTQ+ po shfaq guxim kaq të jashtëzakonshëm përballë gjithë këtyre sfidave. Ardhja këtu dhe mbështetja ndaj tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme. Në këtë lloj klime në të cilën ndodhemi për momentin, ajo që ka ndodhur gjatë javëve të fundit këtu dhe ajo që po ndodh në vende të tjera, të qëndrojmë të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë.

Can Kortun

27-vjeçare, queer

Krenaria e Stambollit, Lambdaistanbul, Turqi

Punoj për së afërmi për të drejtat e kafshëve dhe të drejtat e LGBTQ+ sepse mendoj se janë të lidhura. Dhuna vjen në të gjitha format dhe mënyrat, veçanërisht dhuna fizike. Dhe për këtë duhet folur në një kuptim më të gjerë. Dhe dhuna ndaj kafshëve është shumë e ngjashme me dhunën ndaj trupave të grave dhe trupave LGBTQ+.

Asnjëherë s’kemi parë kaq shumë arrestime në Stamboll gjatë krenarisë sikur këtyre viteve të fundit dhe në krenaritë e fundit u ndeshëm me dhunë të pabesueshme të policisë, arrestime të qindra njerëzve, të cilët u keqtrajtuan më pas nga policia. Dhe çdo vit e padisim qeverinë sepse e ndalojnë krenarinë. S’funksionon, s’përbën dallim, por prapëseprapë e bëjmë.

Me pandeminë, njerëzit filluan të flisnin më shumë për të drejtat e LGBTQ+ sepse të gjithë  ndodheshin në shtëpi dhe dhuna po përkeqësohej. Dhe po i afroheshim zgjedhjeve dhe Erdogan po përdorte ekstremin e djathtë për të na poshtëruar.

Por u bëmë më të fuqishëm. Frikësohen se mund të ndodhë një grusht shtet i dytë. Ata janë të frikësuar se do të ndodh një tjetër Gezi Park. Sepse ne s’kemi stabilitet financiar, lira turke s’vlen asgjë, s’kemi punë, njerëzit queer nuk mund ta përballojnë strehimin dhe janë të pastrehë. Dhe s’mund të gjejmë punë sepse nuk na japin punë. Të gjithë janë tejet të lodhur. Por po krijojmë aleatë të rinj, veçanërisht nga grupe të ndryshme të pakicave etnike; Kurdët na kanë mbështetur gjithmonë, por tani po na bashkohen edhe të tjerët.

Është e frikshme për të rinjtë, për ata që dalin haptazi është vërtet e frikshme. Për ata që nuk dalin haptazi është shumë e frikshme. Por për njerëzit që kanë qenë aktivistë qe një kohë, kjo s’është asgjë. Na kanë ndaluar, na kanë burgosur për “terrorizëm”, ka ende që janë në burg. Kjo nuk do të na ndalojë. Besojmë në njëri-tjetrin.

Prej që kam qenë aktiviste për të drejtat e LGBTQ+, krenaria në Stamboll është ndaluar. Pra këtu do të jetë parada ime e parë e ligjshme. Jam shumë e emocionuar që jam pjesë e një parade të ligjshme. Sa herë që shoh policinë këtu jashtë, më duket se ndodhen këtu për të më arrestuar. Këtë vit erdhëm rreth tetë veta nga Krenaria e Stambollit. U bashkuam në solidaritet.

Hamza Nasri Jridi

29-vjeçar, aktivist politik queer

Intersection Association for Rights and Freedoms, Tunizi

Në Tunizi, marrëdhëniet mes të njëjtit seks janë të kriminalizuara. Kodi penal i dënon njerëzit me tri vite burg dhe madje në disa vende njerëzve u ndalohet të hyjnë në vendlindjet e tyre.

Të qenit aktivist në Tunizi të bën cak të dyfishtë, dyfish të rrezikuar, sepse të qenit queer është e kriminalizuar dhe të jesh aktivist politik është e kriminalizuar. Në vitin 2020 jam arrestuar për tri ditë për protestën para parlamentit. Më kanë akuzuar se kam dëmtuar veturën e një deputeti. U lirova pas një fushate avokimi kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas dy muajsh më arrestuan përsëri për pjesëmarrje në një demonstratë dhe më pas muaj më vonë u dënova me tre muaj burg.

Pasi u ndoqa penalisht dhe u dënova për tre muaj, tani ndodhem në Stokholm duke jetuar për një kohë dhe duke pritur shqyrtimin e ankesës sime që të mund të kthehem në vendin tim. Kjo është ajo me çka përballen njerëzit e vijës së parë në Tunizi dhe aktivistët e aktivistet e vijës së parë, pasi situata politike në Tunizi po përkeqësohet dhe njerëzit queer po shënjestrohen gjithnjë e më shumë.

Para revolucionit ishte më keq, por pastaj nisëm të kemi njëfarë përparimi për sa i përket të drejtave të njeriut dhe të drejtave LGBTQ+, por fatkeqësisht Tunizia përjetoi një grusht shtet. Presidenti mori të gjithë pushtetin dhe shpërndau parlamentin në vitin 2021 dhe pas kësaj, shënjestrimi i mbrojtësve të të drejtave të njeriut është rritur. Po flisja me disa pjesëmarrës këtu në EuroPride dhe është frymëzuese për mua të jem këtu sepse vij nga një vend me kufizime, ndalime, ndjekje penale dhe këtu po takoj aktivistë e aktiviste të vijës së parë nga e gjithë bota, të cilët bëjnë gjërat të marrin formë. Dhe kjo është frymëzuese për një person arab, me prejardhje myslimane, të ndodhet në një kontekst të tillë.

Gjithmonë insistoj se jam aktivist politik queer sepse me të vërtetë besoj se personalja është politike dhe se organizatat e shoqërisë civile po bëjnë një punë të madhe, por tani është koha që njerëzit queer ta pushtojnë skenën politike dhe ta pushtojnë hapësirën publike, ku jemi mësuar të shohim vetëm njerëz cis-heteronormativë dhe meshkuj cis-gjinorë.

Është shumë e rëndësishme të jesh aktivist politik queer. Nga çka kam parë, për shembull nga lëvizja feministe në Tunizi, aktivistët e aktivistet e shoqërisë civile kanë bërë shumë, por pasi të arrish në parlament, pasi t’i propozosh disa ligje të reja, pasi të mbrosh dhe avokosh në parlament, ndryshime të mëdha mund të ndodhin. Kjo është arsyeja pse ne, njerëzit queer duhet ta pushtojmë parlamentin, ta pushtojmë qeveritë, për ta bërë ndryshimin e vërtetë përmes institucioneve politike.

Uroš Milutinović

19-vjeçar, gej

Vullnetar në Krenari, Serbi

Fillova të angazhohem në vullnetarizëm dhe të drejtat e njeriut kur isha mjaft i ri. Duhet t’i prezantojmë njerëzit me mundësi të tilla dhe t’i edukojmë në atë mënyrë sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më të rinj që të jenë. Në Serbi nuk kemi sistem aq të zhvilluar të vullnetarizmit apo njohjes me të drejtat e njeriut. Hera e parë që u bëra vullnetar në krenari ishte vitin e kaluar.

Qëllimi im është që dikur të arrij ta krijoj një paradë të vogël krenarie në vendlindjen time, Vrnjačka Banja. Mendoj se pjesa kryesore për t’i bërë të rinjtë e të rejat queer të ndihen rehat me veten është dukshmëria dhe të tregojmë se jemi këtu dhe ekzistojmë.

Vitin e kaluar pata rastin ta bëja një studim mbi pozicionin e studentëve queer në komunën ku u rrita dhe si pjesë e studimit u ktheva në shkollën time të vjetër dhe e patëm një anketë që e dërguam te nxënësit për ta plotësuar. Mbajtëm takim me përfaqësuesit e shkollës dhe pushtetit lokal. Isha i njohur me situatën e rëndë që mbretëronte sepse sapo kisha dalë nga ajo shkollë specifikisht, por s’e dija që ishte aq e rëndë.

Po punoja me organizatat kombëtare, Këshillet Kombëtare për Rininë e Serbisë dhe kur më në fund drejtuesit e shkollave dhe përfaqësuesit e komunës u pajtuan që të vinin në takim, u përgatitën të na sulmonin lidhur me raportin tonë që rezultoi se 50% e njerëzve të anketuar thanë se ata nuk ndihen të sigurt, përfshirë edhe njerëzit queer dhe jo queer.

Përfaqësuesit më thanë se po përpiqesha të dëmtoja reputacionin e qytetit tim dhe ata nënkuptuan se kjo mund të ketë pasoja serioze edhe për mua. Ishte përvojë që t’i hapë sytë, pasi ata praktikisht po më bërtisnin dhe më thërrisnin me emra të ndryshëm. Ishte tronditëse për mua se sa normale ishte për ta, të më quanin peder apo gjëra të ngjashme. Personat jashtë komunitetit nuk duhet t’i përdorin kurrë ato fjalë.

Krenaria e parë e Beogradit u mbajt pak muaj para se të lindja unë dhe ishte krenari  përgjakshme dhe pamjet e asaj krenarie na ndjekin të gjithëve. Kjo ishte njohja ime e parë me atë se çka do të thotë të jesh gej. Jem të njohur me këtë lloj sjelljeje, me grupe të djathta që na kundërshtojnë, por kësisoj ndodh edhe në vende si Polonia dhe Hungaria. Politizohet. Sensacionalizohet. Përdoret për të fituar pikë politike dhe për ta larguar vëmendjen nga problemet reale. Jemi të njohur me këtë, do ta luftojmë këtë, do të vijmë këtu dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Intervistat janë redaktuar sa për qartësi.

Fotografitë: Igor Čoko / K2.0.