Biseda | Barazia gjinore

Dyshja feministe gjermane: Kemi nevojë për më shumë ndërlidhshmëri në lëvizje

Nga - 01.06.2018

Aktivistet e mirënjohura feministe Dagmar Schultz dhe Erika Hügel-Marshall flasin për fuqizimin e kauzës nëpërmjet pranimit të diversitetit.

Audre Lorde dikur kishte thënë: “Ato prej nesh që qëndrojnë jashtë rrethit të definicionit të kësaj shoqërie mbi gratë e pranueshme; ato prej nesh që janë farkëtuar në shkritoret e dallimeve – ato prej nesh që janë të varfëra, që janë lezbike, që janë me ngjyrë, që janë më të moshuara – e dinë që mbijetesa nuk është aftësi akademike. Është të mësosh, si t’i marrim dallimet tona dhe t’i bëjmë fuqi. Sepse mjetet e pronarit nuk do ta shkatërrojnë kurrë shtëpinë e pronarit”.

Shkrimtarja amerikane, aktiviste e të drejtave civile dhe feministe, u mundua ta krijojë një urë komunikimi ndërmjet grave afrikano-amerikane dhe të bardha, duke e luftuar përjashtimin e grave jo të bardha nga lëvizja feministe në Shtetet e Bashkuara.

Avokimi i saj për njohje dhe adresim të dallimeve dhe shtresave të ndryshme të identitetit, si klasa, mosha dhe gjinia, pati ndikim të madh tek shumë aktivistë që filluan ta pranojnë ndërlidhshmërinë e lëvizjeve feministe nëpër botë, derisa u bë frymëzim për shumë njerëz.

Foto: Blerta Hoçia.

Dy prej atyre, tek të cilat ajo ka ndikuar shumë janë gjermanet Dagmar Schultz dhe Erika ‘Ika’ Hügel-Marshall.

Sociologia, regjisorja dhe profesoresha Schultz e ftoi Lorde në Berlin në vitin 1984 për të ligjëruar letërsi afrikano-amerikane dhe shkrim kreativ në Universitetin Freie, ku edhe Schultz ishte profesoreshë. Ftesa për ligjëratë u bë përvojë e përhershme, pasi që Lorde përfundoi duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës së saj në Berlin deri në vitin 1992, kur e humbi betejën e gjatë me kancer.

“Gjatë atyre viteve, unë dhe disa të tjerë e ndamë Berlinin me Audren dhe ajo i ndau me neve njohuritë, urtësinë, humorin, aktivizmin dhe dashurinë për jetën”, shkroi Schultz në dedikimin e saj në Revistën Online të Lorde në Berlin, një uebfaqe që i përkushtohet trashëgimisë së Lorde-s. Me të vërtetë Lorde pati ndikim të madh tek komuniteti afrikano-amerikan në Gjermani, duke nxitur lëvizjen afrikano-gjermane dhe duke i sfiduar gratë e bardha që t’i përdorin në mënyrë dobiprurëse privilegjet e tyre si persona të bardhë.

Për ta bërë këtë kapitull të jetës së Lorde-s më të paharrueshëm, Schultz i dokumentoi vitet e saja në kryeqytetin gjerman nëpërmjet rrëfimeve të kolegëve dhe miqve në dokumentarin e vitit 2012 të vlerësuar me çmime ndërkombëtare, “The Berlin Years —- 1984 – 1992”.

Hügel-Marshall, bashkëautore e dokumentarit, u frymëzua veçanërisht nga thënia e njohur e Lorde: “Heshtja nuk të mbronë”. Në vitin 1998, ajo e botoi një autobiografi, “Invisible Woman” (Gruaja e Padukshme), nëpërmjet së cilës i përshkroi vështirësitë e të qenit grua me ngjyrë në Gjermani dhe diskutoi racizmin në këtë vend.

Pasi e shfaqën dokumentarin nëpër botë, nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin e deri te Palm Springs, “The Berlin Years — 1984 – 1992” erdhi në Prishtinë këtë javë si pjesë e festivalit feminist FemArt (25-30 maj).

Foto: Blerta Hoçia.

Disa orë para se të ktheheshin në Gjermani, Schultz dhe Hügel-Marshall biseduan me K2.0 për ndikimin e Audre Lorde tek komuniteti i afrikano-gjermanëve dhe jetesa e tyre, për privilegjet e të bardhëve dhe për ndërlidhjen e shtypjeve dhe dallimeve.

K2.0: Çfarë do të thotë feminizmi për ju?

Schultz: Për mua feminizmi është që gratë të vendosin vet për jetët e tyre, të kenë kontroll mbi trupat e tyre dhe mbi edukimin dhe punën e tyre. Dhe të kenë rol vendimtar në qeveri dhe shoqëri dhe zhvillim. Gjithashtu për seksualitet – kontroll mbi seksualitetin.

Hügel-Marshall: Për mua feminizmi do të thotë… fillimisht, unë jam grua, sigurisht – por jam grua me ngjyrë. Pra kur unë isha shumë aktive në lëvizjen feministe për herë të parë, ishte ‘unë jam grua’. Por pastaj e kuptova se në lëvizjen feministe nuk flasin për gratë me ngjyrë. Unë u rrita në Gjermani, por fëmijëria ime në Gjermani ishte shumë më ndryshe nga ajo e grave të bardha. Deri shumë vonë edhe feministet e bardha e kishin shumë të vështirë të flasin për racizmin. Unë jam rritur shumë më ndryshe.

"Gratë afrikano-amerikane po thonin: ‘Ok, ju po kërkoni të drejtën për abort, por edhe ne po e kërkojmë të drejtën për të bërë fëmijë’, sepse gratë afrikano-amerikane shpeshherë i sterilizonin me forcë. Pra gjithmonë janë dy anë".

Dagmar Schultz

Para disa ditëve, në një referendum në Irlandë, njerëzit votuan me mazhorancë të madhe për të bërë amendamente ligjore për ta legalizuar abortimin. Është histori e suksesit për lëvizjen feministe, por kur po flasim për kontroll mbi trupin në një shtet evropian sot, a aludon kjo se aktivistët e të drejtave të grave ende po përballen me vështirësi?

Schultz: Mendoj se ka shumë kundërplasje. Mendojeni që Presidenti Trump tani po mundohet ta bëjë të njëjtën që e bëri Irlanda deri më tani – ai po mundohet t’i shkurtojë të drejtat e grave për të vendosur a duan abortim apo jo. Dhe është shumë keq që një prej aktiviteteve të para [të administratës së Donald Trump] ishte shkurtimi i buxhetit për donacione tek shtetet e ashtuquajtura të botës së tretë në rast se kanë çfarëdo lidhje me abortin apo madje edhe nëse ofrojnë vetëm konsultime për abortim. Kjo ka patur ndikim të tmerrshëm, për shembull për trajtimin e HIV-in. Pra aktualisht po përballemi me shumë kundërplasje.

Por dua të them diçka tjetër për kontrollin mbi trupat tonë. Këtë e kam mësuar në fillim të viteve të 70-a kur isha në lëvizjen e grave në Çikago, kur gratë afrikano-amerikane po thonin: ‘Ok, ju po kërkoni të drejtën për abort, por edhe ne po e kërkojmë të drejtën për të bërë fëmijë’, sepse gratë afrikano-amerikane shpeshherë i sterilizonin me forcë. Pra gjithmonë janë dy anë.

Ju po kërkoni që gratë e bardha të punojnë, të jenë profesionale, të kenë qasje në punë dhe gratë afrikano-amerikane thonin: ‘Po, kjo është OK, por njëkohësisht duhet ta kuptoni se ne kemi punuar gjatë gjithë jetës dhe zakonisht kemi punuar për gra të bardha, duke u kujdesur për fëmijët e tyre në shtëpitë e tyre’. Pra të gjitha këto lloj dallime dhe përvoja në të gjitha fushat… ne si gra të bardha duhet të jemi shumë të vetëdijshme për këtë.

Tani është bërë popullore biseda për ndërlidhshmërinë në feminizëm. A ka ndodhur kjo për shkak se aktivizmi nga gratë jo të bardha është më sfidues se që ishte më parë?

Schultz: Nuk jam e sigurt. E di që gratë afrikano-amerikane, apo gratë me ngjyrë, filluan të organizoheshin, dhe sigurisht në Shtetet e Bashkuara ato u organizuan shumë më parë. Por… gratë me  ngjyrë, në Gjermani të paktën, u organizuan në vitet e 80-a dhe e morrën hapësirën për vete.

Dhe ndoshta kjo ishte një arsye… jo vetëm gratë me ngjyrë, por edhe burrat. Dhe pastaj gratë me ngjyrë të përkatësive të ndryshme u bënë edhe më të zëshme, edhe më të dukshme. Pra në një mënyrë nuk mund të injorohet më fakti se kishte forca të tjera përveç lëvizjes së grave të bardha. Në një mënyrë ishte… “OK, po flasim për ndërlidhshmëri”… por unë mendoj se po ashtu u bë temë akademike për hulumtime, konferenca… pra ndonjëherë akademikët flisnin për diçka për ta përdorur për zhvillim të karrierës.

Foto: Blerta Hoçia.

Sa i përket perspektivave dhe mendimeve të ndryshme të teorive feministe, a do t’u kishit pozicionuar brenda konceptit të ndërlidhshmërisë?

Schultz: Do të thoja që po. Së fundmi shkuam në një takim të madh të lezbikeve që mbahet çdo vit në pranverë. Në parim ishte takim i grave të bardha. Ishin vetëm dy gra me ngjyrë.

Hügel-Marshall: E shfaqëm filmin, por unë nuk u ndjeva shumë mirë dhe u detyrova të iki. Të gjitha ishin të bardha. Nuk kishte diskutim për racizëm dhe çështje tjera. Veçanërisht për Gjermaninë, ku ka shumë njerëz me ngjyrë- e në takim nuk kishte…

"Kur të organizosh diçka, duhet ta analizosh përbëjen e grupit të grave."

Dagmar Schultz

Schultz: Kishte shumë diskutime për personat trans dhe queer. E mbajtën edhe një koncert, dhe ishin disa gra që shprehën kritika për faktin se takimi ishte plot me gra të bardha. Dhe tani po mendoj të shkruaj diçka sepse veç kanë filluar ta planifikojnë takimin e vitit të ardhshëm. Një grup i përbërë prej nëntë grave i organizon këto takime; unë do t’i pyes ’Si jeni të përbëra? A është grup që inkuadron vetëm gra të bardha?’

Sepse mendoj që për të ndryshuar diçka, duhet të i’a nisësh nga fillimi. Kur të organizosh diçka, duhet ta analizosh përbëjen e grupit të grave – a është grup i përbërë nga gratë e bardha dhe gratë me ngjyrë, apo ato  çifute etj… pra a është një grup me diversitet.

Kur e formon një grup vetëm me gra të bardha dhe pastaj thua ‘ndoshta t’i ftojmë edhe…’ Pastaj gratë me ngjyrë nuk duan të vijnë, a po kupton? Sepse kur të formohet baza nga gratë e bardha, gratë me ngjyrë do të thonë ‘Harroje, do ta bëjmë vet’. Prandaj tani ke grupe të grave me ngjyrë të cilat nuk duan më të merren me gratë e bardha.

Ne shkruam për këtë në vitet e 90-a. E botuam një libër për racizmin dhe shtypjen e klasave dhe shkruam për gjithë këtë, për atë se si është e domosdoshme të bëjmë atë që u’a tha Audre grave kur erdhi në Gjermani: ‘Si po krijoni lidhje? A jeni në kontakt me gratë emigrante dhe gratë me ngjyrë?’ Ajo u’a tha këtë grave të bardha dhe pastaj ato filluan ta mendojnë. Por tani është shqetësuese kur shkon në organizata të grave dhe ende janë krejt të bardha.

A mendoni se mungon diversiteti dhe gjithëpërfshirja në lëvizjen feministe të Evropës? Për shembull, përfshirja e grave arabe në Francë, apo e grave me origjinë të Azisë Jugore në Mbretërinë e Bashkuar, apo grave me origjinë afrikane apo turke në Gjermani?

Schultz: Nuk është e padukshme, por ende nuk po formohen aleancat. Nuk mund të flas për vende tjera, por me sa e dimë ne, për shembull, gratë afrikano-gjermane të cilat shkuan për të jetuar në Londër ndihen shumë më rehat atje. Por nuk e di çfarë marrëdhënie kanë me organizatat e bardha atje.

Mendoj se në Paris ka mjaft veprim mes grave të bardha, me ngjyrë, lezbike dhe refugjate, pra ka kontakt të tillë. Por mendoj se strukturat e pushtetit janë të njëjta si pjesa më e madhe e shoqërisë, e cila është e bardhë.

"Desha ta demonstroja nëpërmjet librit se ne kemi përvoja më ndryshe prej njerëzve të bardhë, por si njerëz jemi gjithë të tjerët."

Erika Hügel-Marshall

Hügel-Marshall: Është hera e parë që po vi në Kosovë… është shumë më ndryshe nga Gjermania. Ndihem shumë e mirëpritur. Në festival [FemArt] njerëzit janë shumë miqësor dhe kurrë nuk e kam pasur këtë ndjenjë… për mua është shumë e pazakonshme kjo ndjenjë. Dhe këtu ka shumë burra. Më pëlqen kjo.

Njerëzit nuk bëjnë me gisht drejt meje dhe për herë të parë e pata ndjenjën që jam normale – nuk jam diçka e veçantë. Për mua ishte përvojë shumë e veçantë. Askush nuk më ka pyetur prej nga vi. Jo si në Gjermani, kur u them jam nga Gjermania dhe më thonë ‘Prej nga je me të vërtetë?’ – dhe unë u them, ’nga Bavaria’.

Audre Lorde kishte shumë ndikim tek vendimi juaj, Ika, për të shkruar libër. Ishte veçanërisht thënia e saj për të mos heshtur. Sa është e rëndësishme ta shkruash historinë tënde?

Hügel-Marshall: Fillimisht, Audre më tha: ‘Duhet ta shkruash këtë libër’. Dhe ishte e rëndësishme sepse njerëzit e bardhë gjerman kanë perceptim të veçantë për njerëzit me ngjyrë dhe afrikanët. Dhe për mua ishte shumë e rëndësishme ta tregoja veten si normale, si njerëzit e bardhë.

Desha ta demonstroja nëpërmjet librit se ne kemi përvoja më ndryshe prej njerëzve të bardhë, por si njerëz jemi si gjithë të tjerët. Ka gjermanë me ngjyrë të cilët e kanë vrarë veten për shkak të racizmit, por nuk do të thotë se duhet të trajtohen si njerëz të posaçëm.

Foto: Blerta Hoçia.

Në një diskutim në FemArt ju përmendët se nëna juaj, e cila është gjermane e bardhë, është model shembull për ty. A mund të flisni më shumë për të?

Hügel-Marshall: Unë u linda në 1947 dhe lufta përfundoi në 1945. Pra nëna ime ishte në situatë shumë të vështirë pasi më lindi mua. Atë e diskriminuan [për shkak se bëri fëmijë me një afrikano-amerikan] dhe u munduan ta përjashtonin nga kisha.

Një efekt ishte që si fëmijë nuk i’a tregoje nënës çfarëdo përvoje të diskriminimit. Si fëmijë mendoje që ajo do të vuante po t’i tregoje, kështu që nuk kishe dëshirë të ja imponoje. Nuk është racionale, por shpeshherë fëmijët nuk i tregojnë nënave çfarë u kanë bërë fëmijët e tjerë apo mësuesit.

Ndërsa kush ju frymëzon juve Dagmar?

Schultz: Unë isha e rrethuar me gra të cilat, pas luftës, ishin nëna pa bashkëshortë. Në klasën time, 70 përqind ishin pa baba. Dhe më kujtohet se isha e rrethuar prej grave të cilat arritën ta vazhdojnë jetën me fëmijë pa burrë në shtëpi. Pra ky ishte frymëzimi i parë.

Dhe më vonë, një grua me të cilën punoja në një program për planifikim familjar dhe e cila ishte kreu i programit të planifikimit familjar në Puerto Riko. Ishte koha kur filluan të eksperimentonin me hapin [për parandalim të shtatëzënisë] dhe gratë e Puerto Rikos ishin të parat që vdiqën për shkak të dozave të larta. Në mënyrë shumë radikale, ajo e ekspozoi sterilizimin e grave dhe mënyrën e zgjedhur të kontraceptimit. Ajo ishte grua shumë interesante. Më vonë ishin Audre Lorde dhe partnerja e saj Gloria Joseph, gra më të moshuara me ngjyrë të cilat kishin shumë përvojë në aktivizëm.

Ajo [Lorde] në një farë mënyre ishte e para [që foli për ndërlidhshmërinë] dhe në fakt tani është bërë koncept akademik dhe shumë i njohur, i cili përdoret vazhdimisht. Kimberlé Crenshaw konsiderohet si personi që e themeloi atë, por në fakt në vitet e 70-a Audre veç se e kishte emëruar veten si grua feministe me ngjyrë, socialiste, nënë, poete, dhe më vonë e mbijetuar nga kanceri. Pra ajo gjithmonë i theksonte haptas të gjitha identitetet të cilat i ndjente si përbërës të saj.

Foto: Blerta Hoçia.

Në filmin që e bëmë, në një moment ajo thotë: ’Të gjitha shtypjet ndërlidhen’. Kjo ishte në vitin 1984, pra ajo nuk ishte e njohur edhe aq në kontekstin akademik në atë mënyrë, sepse gjithmonë kishte qenë aktiviste dhe njëkohësisht poete. Mendoj se në ditët e sotit po njihet më shumë roli që e luajti ajo në zhvillimin e atij lloj procesi të mendimit.

A ishte ide e dokumentarit që të krijohet një tribut i denjë për trashëgiminë e Audre, veçanërisht sa i përket ndërlidhshmërisë në aktivizëm?

Unë nuk mendoj se aspekti i ndërlidhjes ishte aq i theksuar në atë kohë. Kur arrita ta bindi Audre për të ardhur në Gjermani për të ligjëruar si mysafire në universitetin në të cilin po ligjëroja unë, mendova se ishte shumë e veçantë që po e prisnim atë në Gjermani. Qëllimi im kryesor ishte ta vëja atë në kontakt me gratë e lëvizjes së grave.

Unë isha duke i dokumentuar të gjitha intervistat, leximet, sa i përket inçizimeve të tingujve dhe fotografive… dhe nuk kisha planifikuar realisht të bëja film në atë kohë. Por ajo ishte person i veçantë, person që nuk e kishim në Gjermani. Politikat e saja ishin globale… ajo ishte gjithashtu ambientaliste, por këtë nuk e përfshimë në film sepse do të ishte zgjeruar shumë.

Në vitet e fundit, veçanërisht pas krizës së refugjatëve, në Evropë kemi parë rritje të nivelit të ksenofobisë dhe racizmit, e kjo u reflektua posaçërisht në rritjen e grupeve të krahut të djathtë radikal. Gjermania nuk është përjashtuar nga ky diskutim. Çfarë roli ka lëvizja feministe në gjithë këtë? Çfarë mund të bëjnë aktivistët?

Schultz: Mendoj se mund të bëjnë shumë më shumë. Kur e mendojmë atë takim të lezbikeve, ishte shumë dëshpëruese. Kishte disa kritika për lezbiket, që u fokusuan më shumë në organizim të ngjarjeve zbavitëse të vallëzimit dhe lojërave me letra e aktiviteteve të tilla, e nuk ishin shumë politike. Por ka grupe.

Mendoj se nuk është lëvizje e madhe kombëtare. E ke Partinë e Gjelbërt, disa nisma në grupe më të vogla dhe shumë gra të reja të cilat po flasin kundër supremacisë së bardhë dhe racizmit. Shpresat i kam tek gratë e reja, sepse në përbërjen e tyre ka më shumë diversitet në krahasim me grupet e grave të bardha më të moshuara. Dhe në rrjete sociale, mënyra e shprehjes së ideve të tyre dhe niveli i ndërgjegjësisë së tyre, çfarë ndikimi mund të kenë është diçka tjetër.

Foto: Blerta Hoçia.

Sapo u mbajt një demonstratë e madhe nga partia [populliste e krahut të djathtë] Alternativa për Gjermaninë, e cila është në parlament në Gjermani dhe u mbajt një kundër demonstratë e madhe. Ka opozitë të fortë, përndryshe do të kishte qenë e tmerrshme. Por prapëseprapë është situatë e rrezikshme. Edhe më shumë në zonat ku nuk ke refugjatë dhe të ashtuquajtur të huaj, në pjesën lindore të vendit.

Në një prjej diskutimeve në FemArt u theksua veçanërisht nevoja për më shumë solidaritet mes grave dhe dikush tha se patriarkati i internalizuar e vështirëson më shumë solidaritetin. Çfarë mendoni për këtë?

Schultz: Shpesh mendoj se kur gratë marrin pozita të pushtetit, ato veprojnë si burrat. E përjetova në akademi; u thoja studenteve, ’Nëse e shkruani temën e diplomës, ndoshta duhet ta zgjedhni një profesor burrë më të moshuar e jo një profesoreshë grua më të re’. Sepse ndonjëherë gratë mund të mendojnë ‘Unë jam ballafaquar me shumë vështirësi kështu që edhe ato duhet ta përjetojnë njejtë’ apo ‘Unë duhet ta mbroj këtë person në komision dhe nëse i jap 10-she do të thonë se nuk jam mjaft kritike”, ndërsa profesorët burra më të moshuar do të thonin ‘Duhet ta bësh më të mirën për t’i ndihmuar kësaj gruaje të re’.

Pra, gratë ndonjëherë përfundojnë duke bërë më shumë se që duhen, qoftë duke afirmuar pozitat e tyre, apo duke e mbrojtur veten, apo duke kërkuar më shumë se që është e nevojshme nga gratë e reja. Por në përgjithësi, të paktën në Gjermani, patriarkati nuk është aq shumë i fuqishëm saqë gratë e reja të rriten duke e internalizuar në atë mënyrë.

Foto: Blerta Hoçia.

Hügel-Marshall: Në FemArt për herë të parë kam parë burrat duke qëndruar për diçka që kërkojnë gratë. Ata po rrinin aty të ulur dhe ishte interesante – ne nuk e përjetojmë këtë shumë në Gjermani. [Lëvizja feministe] është shumë e ndarë. Këtu kishte burra në secilin diskutim.

Për fund, a doni të shtoni diçka për aspiratat që duhet t’i kenë aktivistët e rinj?

Schultz: Thjeshtë që shpresoj se në të ardhmen e afërt do të ketë më shumë ndërgjegjshmëri në anën e feministëve të bardhë, që ndërtimi i aleancave me grupe të tjera të shihet si domosdoshmëri, jo si… siç ka thënë një grua afrikano-amerikane: ‘Nuk duam të na ftoni për shkak të ndjenjës së fajësisë, por sepse ndiheni sikur u mungon diçka kur nuk jemi ne aty’.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Blerta Hoçia.