Pikëpamje | Barazia gjinore

Gratë bartin barrën e punës së papaguar të përkujdesjes në Kosovë

Nga - 22.11.2022

“Më quajnë e papunë, por jam në dispozicion të familjes 24 orë”.

Më 24 tetor 1975, gratë në Islandë hynë në grevë një-ditore dhe e ndëprenë kryerjen e të gjitha formave të punës. Në atë ditë, që njihet si “Dita e Gruas“, gratë refuzuan të gatuanin, pastronin, lanin rrobat apo kujdeseshin për fëmijët. Ato gjithashtu refuzuan të kryenin ndonjë punë me pagesë.

Vendi ndaloi së funksionuari. Në fillim, burrat menduan se ishte një lloj shakaje. Por pastaj shkollat u mbyllën sepse shumica e mësueseve hynë në grevë, fluturimet u anuluan për shkak të mungesës së stjuardeseve, gazetat u mbyllën sepse daktilografistet e tyre gjendeshin në rrugë duke protestuar, linjat telefonike u bllokuan sepse askush nuk ndërmjetsonte lidhjen e telefonatave dhe të gjitha ushqimet lehtë të gatueshme u shitën nëpër shitore, sepse kjo ishte e gjitha që shumica e baballarëve mund ta bënin në kuzhinë.

Efektet ishin shumë të mëdha dhe ndihen ende edhe pas dekadash. Një projekt-ligj për barazinë gjinore u miratua vitin pasues dhe pesë vjet më pas Islanda zgjodhi presidenten e  parë grua, e cila qe e para jo vetëm në Islandë, por në tërë Evropën. Presidentja Vigdís Finnbogadóttir qëndroi në detyrë për 16 vite. Në një situatë që përmendet shpesh, një djalë i vogël në Islandë, kur kishte dëgjuar për zgjedhjen e presidentit të ShBA, Ronald Reagan citohet të ketë thënë “ai s’mund të bëhet president, është burrë”.

Efektet pasuese të grevës së vitit 1975 nuk erdhën vetëm nga demonstrimi i fuqisë ekonomike të grave në botën e punës që paguhet — ndryshimet shoqërore erdhën nga refuzimi i grave për të kryer punë përkujdesjeje që nuk paguheshin. Greva çoi në njohjen shoqërore të “punës së përkujdesjes” e kryer nga gratë si themelore për mirëqenien njerëzore dhe shoqërore, si dhe për zhvillimin ekonomik. Sot shteti i Islandës është lider botëror për barazi gjinore.

Gratë shpenzojnë 44% më shumë kohë duke kryer punët e përkujdesjes së papaguar sesa burrat.

Pas 47 vitesh e një dite nga ajo grevë e rëndësishme, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, vendi ku punoj, publikoi studimin e parë mbarëkombëtar mbi përmasat dhe perceptimet shoqërore rreth punës së përkujdesjes që nuk paguhet në Kosovë.

Studimi tregon se gratë në Kosovë, mesatarisht, shpenzojnë 6.2 orë në ditë duke kryer punë përkujdesjeje pa pagesë, ndërsa burrat shpenzojnë 3.5 orë duke kryer punë të ngjashme. Kjo do të thotë se gratë shpenzojnë 44% më shumë kohë duke kryer këto punë sesa burrat. Vlera e punës së papaguar të përkujdesjes vlerësohet të jetë e barabartë me afërsisht 33% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) së Kosovës.

Fokus grupet që u realizuan si pjesë e studimit zbuluan një ide të rrënjosur thellë për rolet gjinore në shoqërinë kosovare: puna e papaguar e përkujdesjes shihet gjerësisht si punë e grave. Qofshin përkujdesja për fëmijët, kujdesi për të moshuarit apo punët e shtëpisë, të gjitha shihen si përgjegjësi të gruas.

“Në shtëpinë tonë është ndryshe”, tregoi një djalë i ri nga Prishtina. “Nëna ime punon, kështu që unë kujdesem për të gjitha punët”. Edhe deklaratat si kjo, që në sipërfaqe duken përparimtare përmbajnë ide gjinore për punën. Në shtëpinë e tij gjërat janë “ndryshe” nga norma e supozuar sepse një burrë po i kryen punët e shtëpisë dhe implikimi është se nëse nëna e tij nuk do të punonte, obligimet do të binin mbi të.

Një tjetër i anketuar, burrë i moshuar, tha: “Larja e enëve, është punë e gruas, jo e burrit. Nëse gruaja ime s’mund t’i lajë, do t’i laja, por nëse mundet, pse t’i laj unë? Nëse e bëj këtë për të, do të mbetet duke shikuar filma”.

Pse përbën problem për këtë burrë nëse bashkëshortja e tij shikon filma? Isha thjesht vëzhguese, kështu që nuk mund ta pyesja drejtpërdrejt, e gjitha që mund të bëja ishte të spekuloja. A do të fillonte ajo të fitonte ide apo frymëzime të reja? A do të ishte problem për burrin nëse ajo do t’i zgjeronte horizontet e saj intelektuale?

Lidhur me këtë, pjesëmarrësit e fokus-grupit u pyetën nëse gratë janë natyrshëm më të mira në punën e papaguar të përkujdesjes sesa burrat. Shumica thanë po. Një pensionist nga Prishtina i tregoi grupit për bashkëshortene tij. “E ndihmoj atë shumë, por kurrë s’më kërkon ndihmë sepse është në natyrën e saj [t’i bëjë punët e shtëpisë],” tha ai, “kështu është ajo”.

Besimi se puna e përkujdesjes është në natyrën e grave është në thelb të konservatorizmit patriarkal. Por edhe shumë gra ndajnë këtë pikëpamje.

"Sytë e mi s’mund ta shohin bashkëshortin tim duke pastruar", tha një grua, në pamje pothuajse e neveritur.

“Bashkëshorti im është i gatshëm të më ndihmojë […] është dora ime e djathtë, më ndihmon shumë”, tha një grua nga Vushtrria. Fjala kyçe këtu është “i gatshëm”. Duket se kontributi në familje varet nga vullneti i burrit. Për atë, kjo është zgjedhje. Në përgjithësi, burrat që ofrojnë ndihmë në punët e shtëpisë shihen gati si heronj.

“Bashkëshorti im më ndihmon edhe pse është polic, nganjëherë më ndihmon në çfarëdo mënyre që mundet”, shpjegoi një grua nga Prishtina. Çka ka lidhje, pyesja veten, të qenit polic me punët e shtëpisë? Burri, në këtë rast, nuk është vetëm “burrë”, por edhe figurë me autoritet, prandaj nuk është i detyruar t’i lajë rrobat apo t’i lustrojë vetë këpucët.

Një grua tha se është kategorikisht kundër që bashkëshorti i saj të ndihmojë në punët e shtëpisë. “Sytë e mi nuk mund ta shohin bashkëshortin tim duke mbledhur pluhurin ose duke pastruar”, tha ajo, në pamje pothuajse e neveritur. Stereotipet gjinore të rrënjosura thellë kanë ndikuar, me sa duket, edhe në interesimin tonë edhe ndaj të tjerëve.

“Burrat si mbajtës të familjes” dhe “gratë si kujdestare” është qartazi modeli mbizotërues në shoqërinë kosovare. Gratë nuk janë vetëm të papuna, por edhe tejet joaktive në tregun e punës. Studimet tregojnë se detyrat që përfshihen në përkujdesjen ndaj fëmijëve janë arsyeja kryesore që gratë qëndrojnë në shtëpi dhe mbeten joaktive.

Por një grua në fokus-grup nuk toleronte t’i referoheshin si e papunë. “Thonë se gratë janë të papuna sepse nuk punojnë, nuk sjellin rrogë në shtëpi dhe kështu që je e papunë”, tha ajo. “Më quajnë e papunë, por jam në dispozicion të familjes sime 24 orë, duke i bërë të gjitha punët për ta”.

Puna e papaguar e përkujdesjes mund të quhet edhe punë riprodhuese. Teksa fuqia punëtore prodhon mallra dhe shërbime, puna riprodhuese prodhon fuqinë punëtore dhe përfshin një sasi të madhe aktivitetesh të nevojshme për zhvillimin njerëzor dhe shoqëror.

Në hulumtimin tonë pamë se prindërit po riprodhojnë normat ekzistuese gjinore lidhur me dallimet në aktivitetet e lidhura me përkujdesje te gjeneratat e ardhshme. “Fëmijët e mi janë të mrekullueshëm, na ndihmojnë në çdo gjë”, tha një burrë nga Prishtina, përfaqësues i këtyre prindërve, “vajza e ndihmon bashkëshorten time në kuzhinë dhe djali më ndihmon mua në kopsht”.

Ndarja gjinore e punës dhe shpërndarja e pabarabartë e kohës së shpenzuar në kryerjen e punës së papaguar të përkujdesjes në shtëpi janë në rrënjë të pabarazisë gjinore në shoqëri dhe në punën e paguar. Për më tepër, barra e rëndë e punës së papaguar të përkujdesjes ka pasoja të rënda në shëndetin dhe mirëqenien e individëve, veçanërisht të grave. Por edhe burrat mund të vuajnë në aspektin emocional nga ky sistem. Një burrë në fokus-grup tha se pasi bashkëshortja e tij përjetoi një aksident në punë, iu desh ta merrte barrën. “Të gjithë më thonë se s’je burrë sepse i bën punët e grave”, tha ai.

Pyetjet që duhet t’i shtrojmë: çka të bëjmë lidhur me bartjen e roleve tradicionale gjinore ndër breza? Çka mund të mësojmë nga shoqëritë tjera?

Në Islandë, e kanë zbatuar një qasje në çerdhet e fëmijëve si përpjekje për ta thyer bartjen e stereotipeve gjinore. Ata u mësojnë vajzave të reja jo më shumë dy vjeçe të punojnë jashtë me çekiç e gozhda dhe të rrokullisen në baltë, sepse pse jo? Tingëllon si diçka argëtuese.

Gjersa vajzat inkurajohen të jenë të vetë-mjaftueshme, djemtë i mësojnë t’i shprehin ndjenjat. “Shpresojmë t’i aftësojmë ata të bëhen të ndjeshëm dhe emocionalë dhe në këtë mënyrë shpresojmë t’i luftojmë maskulinitetet toksike”, thotë një mësuese në një video-lajm rreth programit. “Në klasën tonë të djemve […] ekziston një koncept shumë më i gjerë se si mund të jetë një djalë”.

Pabarazia gjinore në tregun e punës pasqyron pabarazinë gjinore në shtëpi.

Duke e pasur parasysh këtë, le ta kujtojmë Ditën Kombëtare të Mësuesit, 7 Marsin e vitit 2022, kur Kryeministri i Kosovës tha: “Nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë”.

“Ajo çfarë jemi sot […] varet shumë prej kësaj situate të definuar nga këto dy personalitete. Pra, nëna edhe mësuesja”, vazhdoi ai duke përdorur gjininë femërore të fjalës mësuese në shqip. Ky idealizim nostalgjik i amësisë i ndërthurur me edukimin nga kryeministri ynë tregon qëndrimin aktual të shoqërisë sonë për këtë çështje. Është gati ironike se sa përfaqësues është ai.

Debati publik për barazinë gjinore kryesisht është përqendruar në përfaqësimin e grave në sferën publike. Por pabarazia rrjedh që nga shtëpia dhe duhet të trajtohet me një qasje nga poshtë-lart. Pabarazia gjinore në tregun e punës pasqyron pabarazinë gjinore në shtëpi, por kjo nuk mund të trajtohet vetëm duke avokuar për punësim të grave, apo duke prezantuar politika që vetëm sa përforcojnë normat ekzistuese gjinore, siç është mbështetja e fundit e qeverisë për pushimin e lehonisë që supozon se vetëm gratë do të rrinë në shtëpi me fëmijët.

Çdo veprim për të drejtat e grave dhe fuqizimin ekonomik duhet të vijë nga një qasje politike e përqendruar te përkujdesja. Pra, përpara se përfaqësuesit tanë në Kuvend të takohen në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars 2024, le t’ua kërkojmë që edhe zyrtarisht, që po atë ditë, ta njohin punën e  papaguar të përkujdesjes si formë të punës.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.