Ka njerëz që ia kushtojnë tërë jetën dhe karrierën një kauze. Hamze Bytyçi është figurë e tillë. I lindur në vitin 1982 në Prizren, Bytyçi tash banon në Berlin dhe ia kushton jetën aktivizmit, punës kulturore dhe shoqërore si dhe regjisë e aktrimit. Prodhimet që i formëson dhe në të cilat merr pjesë ngrenë dallga në peizazhin kulturor të Berlinit dhe shkojnë larg përtej qytetit, kurse ndonjëherë mbërrijnë edhe në Kosovë.
Shpirti prej aktivisti iu shfaq herët dhe natyrshëm nga nevoja. Për shkak të tensioneve të shtuara dhe shtypjes së kosovarëve nga Milošević-i, familja e tij migroi në Gjermani në vitin 1989. Së pari kaluan nëpër shumë qëndrime të përkohshme në hapësira banuese për azilkërkues, ku sërish u përballën me përjashtimin dhe me mohimin e të drejtave themelore të njeriut.
Bytyçi ishte vetëm 8 vjeç kur iu kundërvu dëbimit të familjes ë tij dhe iu bashkua një shoqate kishtare të aktivistëve për azilantë në Tybingen të Gjermanisë. Çfarë erdhi pas kësaj proteste të parë kundër vendimit të autoriteteve ishte një varg tjetër i angazhimeve aktiviste, ndërsa format e shprehjes ndryshuan nga aktrimi në teatër, nga filmi në arte.
Pa marrë parasysh çfarë bën Bytyçi, qëllimi i tij është t’i kundërpeshojë pengesat me të cilat ballafaqohet komuniteti rom për shkak të margjinalizimit, racizmit, antigjipsizmit (sentimentit negativ ndaj romëve) dhe disavantazhit socio-ekonomik. Edhe pse është një kulturë e nacionalizuar e shumicës që shkakton margjinalizimin, Bytyçi është i bindur që vetëm kultura ka potencialin për të ndryshuar mënyrën si përkapim kulturat e të tjerëve dhe po ashtu atë që supozohet të jetë e jona.
Në vitin 2012, ai themeloi RomaTrial e.V., një organizatë transkulturore rome dhe një platformë interaktive që ka për qëllim paraqitjen e problemeve komplekse të antigjipsizmit (diskriminim kundër romëve) në skenë dhe ekran — por në veçanti ndryshimin e mentalitetit.
Bytyçi po ashtu themeloi Balkan Onions (Qepët Ballkanike), një shkollë filmike që mbahet në Prizren çdo verë, sipas mundësive. Bytyçi thotë se e bazon punën “në përmirësimin e të drejtave të njeriut sa i përket margjinalizimit të njëmendtë ekonomik dhe shoqëror, sidomos të grupeve më të cenueshme. Veçanërisht të minoritetit më të madh në Evropë, romëve që numërojnë 12 deri në 15 milionë, historia dhe e shtypja e tashme e të cilëve vazhdimisht mënjanohet dhe zhduket”.
Një pjesë e asaj historie përfshin Holokaustin e Luftës së Dytë Botërore, ku u vranë më shumë se gjysmë milioni romë dhe sintë, ose çereku i popullsisë së tyre të atëhershme.
K2.0 u ul me Bytyçin për të diskutuar rreth përkushtimit të tij shoqëror dhe politik si dhe për angazhimin në çështen e margjinalizimit të romëve dhe potencialin e artit për të sfiduar stereotipet negative.
K2.0: Në dy fjali, a mund të na thoni se çfarë bëni?
Hamze Bytyçi: Do të thosha se jam ndrikull kulturore nga rastësia dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut për nga synimi. Pra, pjesa më e madhe e asaj që bëj është mbrojtja e së drejtës së njerëzve për të bërë art që krijon kulturë me ndikim politik.
E latë Kosovën gjatë një kohe të trazirave politike dhe arritët në Gjermani në vitin 1989. A mund të na tregoni për kujtimet që keni dhe për atë se si ndikoi përjashtimi te ju dhe familja juaj?
Për mua, Prizreni nuk ëshë Kosovë. Prizreni është një kryeqytet kulturor, ende mund të vërehen ndikimet e kulturave osmane, sllave dhe së fundi perëndimore. Është shkrirje e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme, e shqipes dhe turqishtes, të gjithë kanë një gjuhë të dytë dhe për këtë arsye ne romët nuk e lamë Kosovën për shkak të shqiptarëve por për shkak të regjimit të egër të Milošević-it. Prindërit e mi humbën vendet e punës dhe ekzistonte një frikë rreth nesh që çoi në ikjen tonë. Në vitet e 90-ta, gjatë luftës, shtëpia jonë u rrënua, u dogj dhe më vonë humbi mes fijeve të barit.
Kthimi i parë në vitin 2005 ishte i dhimbshëm për mua dhe për familjen, shtëpia ishte puna e tyre jetësore. Dhe vitet në Gjermani nuk kishin qenë fare të lehta. Në Gjermani, viti 1990 ishte koha kur ndodhën sulmet neonaziste ndaj banesave të azilantëve. Frikësoheshim se mos do të digjeshin shtëpitë tona sikur në Rostock-Lichtenhagen [në vitin 1992, ekstremistët djathtistë sulmuan banesat e azilkërkuesve dhe të punëtorëve vietnamezë në Gjermani]. U mësova t’i dalloja vagabondët që na e mbronin strehimoren natën si majtistë antifashistë. Por në fillim ishin thjesht të panjohur më të çuditshëm se të tjerët, por prej atyre të mirëve.
Festivali “Akhe Dikea” ishte një nga ngjarjet që prodhon organizata Roma Trail e.V. e Bytyçit. Foto: Stephanie Bellantine.
Keni mjaft role të ndryshme, si aktor, regjisor e menaxher projektesh. A mund t’i shtjelloni rolet e juaja dhe projektet e fundit?
Unë bëj shumë punë në komunitet; punoj si edukator në teatër dhe media duke i vizituar shkollat në të gjithë Berlinin. Por më së shumti e kaloj kohën duke dëgjuar. E ndjek nga afër veprimtarinë e fushës së artit dhe krijoj hapësirë për temat dhe njerëzit që në të kundërtën mbesin të padëgjuar. Kjo është diçka që më është dashur ta mësoj si prodhues i festivaleve dhe bienaleve — të dëgjoj dhe pastaj, natyrisht, të veproj. Besoj në fuqinë e artit për të sfiduar mënyrën se si e shohim veten dhe të tjerët. Por puna ime nuk është të krijoj art, artin e bëjnë vetë artistët. Unë jam thjesht mamia kulturore që krijon hapësirë për ta dhe i inkurajon për të sjellur artin e tyre në jetë.
Në vitin 2015 e keni themeluar organizatën Roma Trail e.V. A mund të na tregoni për organizatën dhe aktivitetin e saj?
Kur e themeluam organizatën në vitin 2015, deshëm të krijonim një platformë interaktive që vetorganizohet nga njerëz të cilët vijnë nga komunitetet rome dhe jo-rome, për të krijuar kuptime transkulturore dhe për ta luftuar antigjipsizmin përmes shkëmbimeve kreative. Që prej asaj kohe, organizata punon rreth tri pikave kryesore: artit dhe kulturës, rinisë dhe arsimit, dijes dhe politikës. Fokusi ynë është në film dhe festivale kulturore, punë edukative kulturore dhe politike për të rinj dhe të rritur, teatër kreativ dhe projekte filmike, shkolla dhe seminare verore kundër antigjipsizmit. Pra, RomaTrial e.V. vepron si organizatë ombrellë për aktivitete të ndryshme.
A mund të na jepni disa shembuj se çfarë është duke bërë kohëve të fundit?
Unë jam bashkëdrejtor dhe kurator i festivalit transkulturor të filmit rom “Ake Dikhea”, që nga gjuha rome përkthehet si “A e sheh?”. Titulli i gjatë është: “A e sheh se është e mundur të vetorganizohet një festival filmi pa buxhet të madh dhe pa shumë kontakte?”
Këtë vit është hera e katërt që po prezantojmë filma nga komunitetet rome apo filma që merren me çështje që që kanë të bëjnë me komunitetet rome.
Këtë vit u desh ta zhvendosim programin online, me partnerët tanë SO36 [një hapësirë arti alternative e njohur në Berlin] duke ofruar ende runde të diskutimeve të drejtëpërdrejta dhe një platformë online. Si rezultat i pandemisë, zhvendosja e festivalit online tregoi potencialin e imazheve për të bërë bashkë pikat, lidhjet historike, shkaqet dhe dhimbjet e përbashkëta në të gjithë globin. Jemi mahnitur me vlerësimin pozitiv nga komunitetet rome nga Zelanda e Re deri në Amerikën Latine.
Hamze Bytyçi ka qenë aktivist që prej moshës 8-vjeçare. Foto: Nihad Nino Pusjia.
Cilat kritere i përdorni për ta kuruar programin tuaj të festivalit të filmit? Dhe pse është kaq ndryshe nga të tjerët?
Mënyra e kurimit të festivalit dhe përzgjedhjes së filmave ka ndryshuar përgjatë viteve bazuar në reagime. Më është dashur të gjurmoj thellë për të gjetur filma të prodhuar nga romët dhe të mësoj të jem i kujdesshëm me filmat e bërë për romët nga regjisorë jashtë komunitetit. Duke parë shumë filma për këtë temë, kemi arritur të kuptojmë se kush në të vërtetë ëshë në solidaritet dhe ka empati dhe kush dëshiron thjesht të bëhet i famshëm duke treguar rrëfimet e të tjerëve.
Me çfarë mase kinematografike e kuptoni nëse një film thjesht e përvetëson temën ose si stereotipet e rrënjosura riprodhohen në aspektin filmik?
Mund ta vëresh në minutat e parë të filmit nëse regjisori i ka rënë pikës, nëse ia ka qëlluar diskriminimit ose nëse ka qenë në ndonjë mënyrë pjesë e komunitetit që ka luftuar racizmin. Ndonjëherë vija ndarëse është e hollë. Shumë njerëz bëjnë filma qëllimmirë por ata kontaminohen kinematografikisht me stereotipe të rrënjosura. Si rregull, ne nuk i marrim parasysh filmat që nisin me pamje të mbeturinave ose të një romi të zhveshur e të zbathur. Ne nuk i shfaqim këto, edhe nëse kanë qëllim të mirë dhe kanë kushtuar shumë për t’u prodhuar. Është kundërproduktve në luftën kundër stereotipeve dhe antigjipsizmit. Thjesht nuk mjafton.
Pra parapëlqeni t’i zgjedhni filmat e bërë nga njerëz të komunitetit rom?
Jo, më lër ta them ndryshe. Nëse janë bërë mirë dhe kanë qëllim të mirë, natyrisht që mirëpresim filma nga regjisorë që s’i përkasin komunitetit, do të ishte marrëzi dhe do të bëheshim si ata që na përjashtojnë ne nëse nuk do t’i pranonim. Por ato duhet të kenë synim politik. Njëkohësisht duhet të veprojë si kundërpeshë ndaj regjisorëve të bardhë, prej të cilëve ka shumë në botë. Ne i kushtojmë vëmendje të posaçme ndërseksionalitetit dhe prandaj i shtyjmë regjisorët, producentët dhe aktorët romë t’i dorëzojnë filmat e tyre. Para disa vitesh, numri i “regjisorëve romë” ishte i kufizuar, por tash është në rritje. Dhe gëzohem shumë për këtë sepse jep përshtypje të madhe që inkurajon të tjerët që vetëcensurojnë historinë e tyre ose janë të margjinalizuar për nga aspekti socio-ekonomik.
Një çështe tjetër e festivalit është inkurajimi i pjesëmarrjes dhe aktivitetit krjimtar nga margjinat?
Po, sigurisht. Tash me zhvillimin teknologjik, çdokush mund të bëjë filma. Nuk duhet shumë që ta ndërtosh rrëfimin dhe t’ua përçosh të tjerëve. Dhe nëse rrëfimi është i mirë, filmi është i mirë. Çdokush mund ta bëjë. Ka shumë rrëfime që lidhen me jetën dhe historinë e komunitetit rom që nuk tregohen kurrë dhe shpresoj që më shumë njerëz do ta shohin si mundësi shfaqjen e këtyre rrëfimeve përmes imazheve.
Ndonëse unë nuk i prodhoj filmat e mi, ne si juri ofrojmë hapësirë dhe përpiqemi ta krijojmë një program që është estetikisht i kënaqshëm dhe që ka një strukturë narrative paksa sfiduese, origjinale, dhe që s’është thjesht riprodhim i filmave të tjerë për romët.
Hamza e sheh rolin e vet si ndrikull kulturore që krijon hapësirë. Foto: Nihad Nino Pusjia.
A keni gjithashtu filma që vijnë nga rajoni i Ballkanit dhe në veçanti nga Kosova?
Po, sigurisht. Vitin e kaluar kemi pasur një film të mrekullueshëm nga dy djem nga komuniteti rom në Prizren. Filmi i tyre ishte për flamurin e veçantë rom të quajtur “Bajraku”; ishte i prodhuar me pak para por fitoi çmime. Në atë moment, ata ishin ambasadorë të realitetit të tyre, me imazhet që flisnin aq shumë në të tashmen. Ata shijuan momente shkëlqimi në skenë në Festivalin e Filmit në Berlin.
Isha i lumtur kur dëgjova se kjo i motivoi të vazhdonin të bënin filma. Dy të rinjtë kanë qenë pjesë e shkollës verore të filmit e cila organizohet nga ne, e quajtur “Qepët e Ballkanit”. Për herë të parë u mbajt në Prizren në vitin 2015 dhe që atëherë është zhviluar pothuajse çdo vit. Ne i ftojmë ndërkombëtarisht njerëzit nga komuniteti rom të marrin pjesë, të mësojnë si të krijojnë një film dhe të mendojnë për imazhet që lëvizin. Isha krenar të shihja që puna edukative po jepte frytet e veta.
A planifikoni të bëni shkolla të filmit dhe punëtori të mëtutjeshme në mënyrë që arti të mbështesë ndërtimin e urave mes minoritetit të romëve dhe të tjerëve?
Mendoj se arti është mënyra e vetme për pajtim dhe për të punuar kundër diskriminimit. Ndijimi përmes artit është më pak i politizuar dhe mund të jetë një fuqi gjithpërfshirëse që tejkalon kufijtë. Kam qenë dëshmitar i kësaj në të kaluarën me Balkan Onions përmes ndërhyrjeve publike ku ka dialog të drejtpërdrejtë përmes kulturës dhe artit me njerëzit.
Bëmë një performancë spontane në hapësirë publike, një kërcim me muzikën e Michael Jackson-it, dhe një baner kundër diskriminimit. Prita komente negative, por patëm vetëm reagime pozitive. Kam dëshirë të ndihmoj njerëzit dhe t’i motivoj që të mos largohen nga njëri-tjetri. Ka shumë nisma kritike dhe mendjehapura në Kosovë me të cilat ia vlen të bashkëpunohet në të ardhmen. Besoj se këto mund ta përmirësojnë jetën e komuniteteve rome në Kosovë shumë.
Shkolla e filmit Balkan Onions mbahet paralelisht me DokuFestin dhe vendos kontakt me romë nga e gjithë bota. Foto nga Hamze Bytyçi.
Prapëseprapë, realiteti i përbuzjes socio-ekonomike dhe mungesa e mbështetjes infrastrukturore dhe arsimore për romët mbizotëron në Evropën perëndimore dhe në Ballkan, përfshirë shumë dukshëm Kosovën. Si mendoni se arti dhe filmi mund t’i ndërgjegjësojnë njerëzit për këto çështje dhe madje t’i ndryshojnë ato? Cila është fuqia e tyre që fjalët si të vetme nuk e kanë?
Do të thosha se ndryshe nga fjalët, arti jep mundësinë për dialog. Ajo që e kanë bërë njerëzit që nga koha e dramaturgëve të Greqisë së lashtë është të krijojnë hapësirë që njerëzit të bëjnë dialog. Biseda, diskutimi i gjërave është vetëm një pjesë e procesit të shenjtë, pra do të thotë që teatri, filmi dhe çfarëdo që je duke bërë komunikon përtej fjalëve.
Si lidhet kjo me përvojat tuaja të përjashtimit? Përse është e domosdoshme që romëve t’u jepet hapësira, vendi dhe qasja që të flasin personalisht për margjinalizimin?
Si fëmijë ke dëshirë të jesh pjesë e një grupi dhe nëse përjashtohesh, ajo shkakton diçka brenda teje. Është traumë. Gjithmonë vret mendjen përse të ka ndodhur kjo, dhe përse je ndryshe? Më kanë shkuar vite të tëra duke menduar se cili është dallimi mes meje dhe të tjerëve. Është një sëmundje që rritet brenda teje. Dhe këtu do të lidhem me përjashtimin e dyfishtë të diasporës që po ashtu ka të bëjë me mohimin e vetvetes.
Babai më thoshte, thuaju të tjerëve se je shqiptar, turk ose italian, por mos thuaj që je rom sepse shokët e ty nuk do të luajnë me ty, sepse frikësohen ose diçka të tillë. Dhe kjo është diçka që s’do ta harroj kurrë. Kështu mundohesha të merresha me këtë në mënyrën time, që nuk ishte gjithherë më e mira sepse isha në një furi kaotike pa aftësinë e të folurit në gjermanishte si duhet.
Pra, të jesh pjesë e komunitetit pa folur gjermanisht si duhet dhe pa qenë pjesë e sistemit ishte punë e vështirë. Por mandej në shkollë mora mbështetjen e lëndës së teatrit, ku kuptova se mund të behesha kushdo nëse performoj role të tjera. Ishte mënyra e vetme për t’u duartrokitur dhe për t’u çmuar si ai që isha dhe me potencialin që kisha brenda meje si qenie njerëzore.
Dhe tash me punën tuaj përpiqeni ta lehtësoni jetën e atyre që përjetojnë gjëra të ngjashme? Ta gjeni një mënyrë të shëndoshë për të kanalizuar dhe për të mobilizuar?
Pikërisht. Një element i kësaj është të dalësh nga zona e rehatisë, por zona e rehatisë që vendoset nga të tjerët për një minoritet nuk është çdo herë vend i mirë për të qëndruar. Kështu, arti, aktrimi dhe prodhimi i imazhave mund të çojë drejt çlirimit. Personalisht mendoj se po të mos ishte për zemërimin që ndieja për shkak të përjashtimit të vazhdueshëm, nuk e di a do t’i bëja këto që bëj sot, përbashkimin e aktivizmit dhe artit. Nuk kam vendosur me qëllim që të punoj kështu në këtë fushë.
Unë nuk vendosa ta lë Kosovën — ose më saktë — të dëbohem. Dhe në Gjermani çuam vite në banesa të azilantëve, lëviznim shpesh, përjashtoheshim dhe protestonim kundër kësaj. Ishte diçka që më ka frymëzuar që në moshë të re. Më vinte natyrshëm, bashkë me të vinte edhe arti sepse më fuqizonte.
Tash, nga kjo përvojë lehtësoni qasjen e të tjerëve në aktrim dhe teatër, por po ashtu vazhdoni të aktroni vetë. A mund të na tregoni për shfaqjet ku jeni përfshirë?
Kam kryer shkollën e aktrimit në vitin 2005 në Frajburg ndërsa isha aktiv në teatrin e parë rom në Pralipe në Këln. Më vonë ndodhën edhe bashkëpunime me Teatrin Maksim Gorki në Berlin. Kam pasur mundësinë ta bëj regjinë e parë me shfaqjen time “Romeo rennt” (Romeo vrapon) në vitin 2012. Për këtë shfaqje jam frymëzuar nga puna sociale me një të ri rom, rreth 15 vjeç, që kishte probleme me policinë, prindërit dhe çdo lloj autoriteti.
Një ditë, ky djalë i ri po ngiste motoçikletën pa helmetë dhe pa patentë me një shok në një shpejtësi të lartë derisa u ndalën nga policia, të cilët ua bllokuan rrugën. Filloi një ndjekje derisa të dy të rinjtë hodhën mut qeni në fytyrën e policit. Sado qesharake që është, kjo ndodhi me të vërtetë; ai u dënua me punë shoqërore si ndëshkim. Pastaj u sugjerova autoriteteve shtetërore që ta shpaguajë dëmin duke marrë pjesë në punëtori teatrore.
Pra i kombinova sektorët, dhe nga përvoja ime personale me veglat edukative dhe artistike e rikrijova këtë rrëfim në një shfaqje me aktorë të tjerë dhe e shfaqëm në Ballhaus Naunynstraße në Berlin.
A është ky roli i ndrikullës kulturore që e keni përmendur më herët?
Po, pra angazhimi im me teatrin nuk është thjesht linear, unë përpiqem të shoh çfarë vjen gjatë rrugës dhe i jap hapësirë. Në këtë rast ishte skena, qoftë si regjisor ose si aktor.
Çfarë mund të bëjnë teatrot që format e tjera të artit nuk mund të bëjnë, duke pasur parasysh përfaqësimin, format e tjera të jetës së komunitetit rom?
Shfaqja “Roma Armee” (Ushtria Rome) që dha premierën në Teatrin Gorki me regjinë e Yael Ronen është një ndër shembujt e punëtorive më të mira të antigjipsizmit. Shfaqjet teatrore janë lidhje të menjëhershme me njerëzit, ato udhëtojnë nga qyteti në qytet dhe kjo pati një turne të madh në qytete të ndryshme në Evropë. Audienca dhe aktorët janë live; ata qanë, qeshën dhe u dashuruan, kurse ka aq shumë reagime pas shfaqjes, biseda që përfaqësojnë pasurinë e teatrit.
Shfaqja luante me utopinë e një Ushtrie Rome që sulmon Evropën për ta demokratizuar, duke hedhur fjalën te margjinalizimi shumëshekullor. Dhe çuditërisht, njerëzit e audiencës nuk kuptonin çfarë është e vërtetë dhe çfarë e rreme, por kuptuan vërtetësinë brenda utopisë, rëndësinë e të kaluarës dhe të tashmes në lidhje me zhdukjen e romëve dhe sintëve në Gjermani dhe në Evropë në përgjithësi.
Prodhimet kulturore, qofshin teatrore, filmike ose artistike, ende veprojnë brenda një sistemi që është i mbarsur me kuptimësi të homogjenizuara të kulturës, identitetit dhe nacionalizmit. Cilat janë pengesat dhe kritikat ndaj qasjes suaj?
Ka kritika nga komuniteti rom dhe komunitetet e tjera të mëdha nacionale. Disa aktivistë romë nuk duan të marrin pjesë në pyetje-përgjigje me joromë sepse dhimbja e tyre është tepër e thellë dhe frustrimi është shumë i rëndë. Por përpiqem të ndërtoj ura dhe të inkurajoj dialog mes njerëzve që i përkasin ndonjë identiteti nacional ose komunitar. Për t’ua gjurmuar rrëfimet në trajektoret e ngjarjeve që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë të ndodhin në minoritetin rom, duke u përpjekur të mbetem ndërseksional.
Një aspekt tjetër është mohimi i vetvetes që e bëjnë shumë njerëz në komunitetin rom. Mohimi i trashëgimisë së tyre, qofshin ashkalinj, egjiptianë a sintë, përpjekja për t’iu nënshtruar nacionaliteteve më të forta ose qëndrimi në heshtje po ashtu fshin gjenocidin që ka ndodhur në të kaluarën nga historia e regjistruar.
Pra, që ta përmbledhim, ju besoni në aspektin fuqizues të artit dhe frymëzimin e kulturës drejt një shpirti më pak diskriminues. Kur etiketoni ngarjet si festivalet rome të filmit, a i flitni një kulture rome dhe a besoni se diçka e tillë ekziston?
Duke e quajtur kulturë dhe art rom, unë përpiqem të krijoj hapësirën që zakonisht nuk u jepet atyre. Qëllimi im është ta formësoj ndërgjegjen dhe t’i zbërthej nocionet e identitetit që u ngjiten atyre si pjesë e komunitetit rom. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë mbrojtje, ballafaqim me të kaluarën dhe vendosje të drejtësisë. E kundërshtoj të flitet vetëm për një kulturë të vetme rome, nuk ekziston vetëm një kulturë rome, ka shumëllojshmëri. Ashtu siç kultura nuk është një entiet statik dhe homogjen, identiteti po ashtu është i lëngshëm, ai mund ta shpikë dhe ta rishpikë veten. Por duhet të jemi të vetëdijshëm për historinë që na ka dhënë trajtë në mënyrë që ta përmirësojmë të ardhmen.
A mendoni se etiketat sikur “arti rom” mund të sjellin ndryshim, apo janë kundërproduktive dhe përforcojnë përjashtimin? Dhe si ballafaqoheni me këtë?
Shumë njerëz e kritikojnë orvatjen për pjesëmarrje si politikë identitare ose art simbolik. Por është shumë më shumë se kaq, ka të bëjë me mbushjen e këtyre hapësirave të dialogut me përvoja të shumëllojshme të margjinalizimit. Nuk duhet të jesh i dukshëm si person me ngjyrë për t’u margjinalizuar, njerëzit e bardhë po ashtu mund të margjinalizohen. Sipas meje, nëse je artist dhe vjen në një shfaqje si artist, atëherë je i këtillë në rend të parë. Por për t’iu dhënë hapësirë të margjinalizuarve, për hir të lehtësimit dhe si pjesë e procesit të tij, unë e quaj festival rom, për shembull. Përndryshe është vështirë ta bësh.
A mund që një qasje ndërseksionale ta parandalojë homogjenizimin e një kulture rome?
Natyrisht! Dhe këtë përpiqemi ta bëjmë gjatë gjithë kohës. Kurrë s’kemi pasur më shumë nevojë për njerëz të guximshëm nga komuniteti LGBTIQ+, jo për t’i kënaqur pritshmëritë ose ndonjë kuotë, por të vënë në pah përmes aktivizmit dhe artit që identiteti është i konstruktuar dhe se ai zgjedhet nga vetë personi, jo nga të tjerët. Ata e dinë se ç’do të thotë të mos i takosh askujt. Ata e njohin dhimbjen, e kanë përjetuar dhimbjen. Dhe shpërfaqja e kësaj dhimbjeje është aq vendimtare për të na çuar përpara.
A hasni në vështirësi gjatë pozicionimit tuaj brenda politikave kulturore që përpiqen ta kuptojnë aktivizmin tuaj, ndërkohë që njëherazi rrezikoni margjinalizimin duke i vënë etiketë?
Ende gjendemi në matricën e dinamikave të pushtetit për të luftuar për hapësirë përfaqësimi, për ta krijuar imazhin tonë dhe për ta larmuar homogjenizimin. Mendoj se do të duhen disa brezni që të mund të ndalojmë së biseduari për etiketa, dhe shpresoj që një ditë artisti rom mund të jetë thjesht një artist pa pasur nevojë për shtojcë. Tash për tash e krijojmë hapësirën tonë në paradigmën e kulturës, e thyejmë, e vëmë në pyetje dhe shpresoj që një ditë do të mund të jemi artistë pa referencë për “prapavijat” tona dhe të vlerësohemi për artin që ia dhurojmë botës.
Çfarë duhet të ndryshojë në politikat kulturore në Gjermani dhe jashtë saj për ta lehtësuar pjesëmarrjen aktive të komuniteteve rome në art dhe në shoqëri?
Gjithmonë them se jemi të kënaqur që pranohemi të luajmë në Lojërat Paralimpike. Por shumë shpesh, vlera artistike e artistëve, filmbërësve dhe regjisorëve mbetet në harresë. Ato kanë më shumë përmbajtje jashtë të qenit të krijuara nga romët, ato kanë fuqi artistike, kanë jetë dhe frymë më të lartë. Artistët sikur Damian Le Bas [artist i famshëm rom nga Mbretëria e Bashkuar] i takojnë Ligës së Kampionëve, por ne mbesim në Lojërat Paralimpike. Jemi në fillim të një lufte për përfshirje dhe shtegu është mjaft i gjatë.
Çfarë ju shtyn të vazhdoni është motivimi që të krijohet hapësirë për rrëfimet e “të tjerëve” që vijnë nga komuniteti rom anekënd botës, por është gjithashtu zemërimi — kur mendoni se do të shuhet etja juaj për drejtësi?
Shtëpia e fëmijërisë e dikujt është thesari i vet. Thesari im u rrëmbye pa kërkimfalje nga autoritetet serbe, kurse trualli ynë u rrëmbye nga fqinjtë shqiptarë që ndërtuan shtëpinë e tyre pasi dogjën tonën, pa kompensim. Pastaj përjashtim dhe racizëm në Gjermani. Për mua është nder të bëj këtë që bëj por po ashtu ndihem i paqetësueshëm. S’mund të ndalem. Përderisa nuk ndalet kjo paqetësi nuk do të ndalem së bëri atë që bëj.K
Imazhi i ballinës: Lutz Knospe.