Biseda | Film

Hassan Haidar Diab: Isha gazetar, por me kokën e një luftëtari

Nga - 28.08.2024

Intervistë me Hassan Haidar Diab, gazetar i së përditshmes kroate Večernji list.

Hassan Haidar Diab është reporter i zonave të luftës dhe gazetar në të përditshmen kroate “Vecernji List”. Jeta e tij është objekt i filmit “Hassanovi Ratovi” (shq. “Luftërat e Hasanit”), që u shfaq në edicionin e fundit të Dokufest, që u mbajt nga 2 deri më 10 gusht 2024, në Prizren. 

Luftërat e Hasanit kanë nisur herët. Ato nuk i pa vetëm si gazetar, por edhe si ushtar — nga mosha 10-vjeçare Haidar Diab, i lindur në Bejrut, Liban, iu bashkua Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Siç thotë vetë, ai s’pati fëmijëri të zakonshme në Liban. Pushkën e kapi në duar pak pa i bërë 11  vjet.  Në moshën 18-vjeçare, viti 1981, PLO e dërgoi për studime në ish-Jugosllavi. Prej vendeve të ish-federatës, Haidar Diabi zgjodhi Zagrebin e Kroacisë, ku nisi karrierën si gazetar dhe ku jeton sot e asaj dite.

Si gazetar nisi me mbulimin e luftës në Kroaci, më pas asaj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, për të vazhduar në Lindjen e Mesme, si në Liban, Siri e Palestinë. Në këto lufta shkoi si gazetar, por, siç thotë ai,  “me kokën e një luftëtari”, gjë që ia mundësoi të shkonte në terrene më të vështira e të kapte pamje që jo domosdo të gjithë mund t’i merrnin. Kjo, dhe njohja e gjuhëve kroate e arabe e bënë të njohur për raportimet nga luftërat e konfliktet në Lindje të Mesme — sidomos për mediet në Ballkan.

Dekada pasi e kishte lënë vendlindjen, në vitin 2022 ai u kthye në Liban, për ta rrëfyer jetën e tij për “Lufëtrat e Hasanit”, me regjisor kolegun e tij, Robert Bubalo, i cili është redaktor në “Večernji list”. Bubalos iu deshën gati dhjetë vjet ta bindë për ta rrëfyer jetën e tij në një film. 

Ndryshe prej Ballkanit ku nuk ka më luftë, në Lindjen e Mesme sipas Haidar Diab luftës nuk po i shihet fundi. Megjithatë, Ballkani në sytë e tij gjithmonë ka një ambient me barut në ajër, që rrezikohet të ndizet nga Rusia, që rrezikon të përdor ndezësit e saj presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidentin e Republikës Serbe në kuadër të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Për shkak të gazetarisë së tij hulumtuese për pushtimin rus në Ukrainë, Haidar Diab ndodhet në mbrojtje nga policia kroate. Ai është kërcënuar direkt nga aparati shtetëror rus, nëpërmes ambasadës së tyre në Kroaci.

K2.0 foli me Hassan Haidar Diab për luftën si ushtar e si gazetar, Ballkanin e Lindjen e Mesme.

Foto: Agon Dana / K2.0.

K2.0: Ka afërsisht 2,800 kilometra nga Bejruti në Zagreb, por ka edhe shumë dallime mes dy qyteteve. Si përfunduat në Kroaci, atëherë pjesë e Jugosllavisë?

Hassan Haidar Diab: Unë kam qenë anëtar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO). Si një luftëtar i ri, në moshën 10-vjeçare gradualisht u integrova në organizatë, nga një luftëtar i zakonshëm në një njësi speciale. PLO atëherë kishte qëllimet e veta; shumë vende e njohën dhe përveç luftës së armatosur, synohej të zhvilloheshin intelektualë dhe njerëz të arsimuar. Prandaj vendosën të më dërgojnë në Jugosllavi. 

Më pas pati një marrëveshje mes Josip Broz Titos dhe Yasser Arafatit [presidenti i parë i Autoritetit Palestinez, kryetar i PLO dhe udhëheqës i Fatah, grupi më i madh ndër grupet përbërëse të PLO-së]. Në atë kohë unë isha pjesëtar i një njësie elitare, një njësi speciale brenda lëvizjes Al-Fatah, e cila quhej Forca 17 dhe që ruante kryesisht Yasser Arafatin. Në një moment më thanë se do të më dërgonin në Jugosllavi, megjithëse kishte mundësi të tjera si Bullgaria, Çekosllovakia dhe Bashkimi Sovjetik. Zgjodha Jugosllavinë sepse Josip Broz Tito më bëri përshtypje si revolucionar dhe udhëheqës i luftës për liri. Isha 18 vjeç, ose më saktë nuk isha shumë më i vjetër se 18. Ishte viti 1981 kur erdha.

Nga e gjithë Jugosllavia, pse Zagrebi?

Më duhej të zgjidhja mes Beogradit, Sarajevës, Prishtinës, Shkupit, Lubjanës dhe i vizitova të gjitha këto qytete, përfshirë Titogradin, tani Podgoricën. Megjithatë, kur mbërrita te sheshi “Ban Jelačić”, tani Sheshi i Republikës në Zagreb, ishte një kafene e qytetit që më bëri përshtypje. U ulëm aty dhe rreth meje ishin zagrebas të vjetër. Ndonëse në atë kohë nuk e njihja gjuhën kroate, më fascinoi dialekti i tyre dhe mënyra se si flisnin. Kështu që zgjodha Zagrebin. Edhe pse Bejruti është qyteti im, ku jam lindur, unë ende e dua Zagrebin më së shumti në botë.

Tito ishte çelësi për ardhjen tuaj në Jugosllavi, por nuk e gjetët të gjallë për një vit.

Fatkeqësisht, jo. Të them të drejtën, gjithmonë e kam dashur historinë dhe nuk kam gjykuar askënd. Ja, për shembull, idhulli im është Che Guevara, edhe pse disa e konsiderojnë vrasës. Nuk dua të hyj në debate me askënd për këtë temë. Për mua edhe Adem Jashari është ikonë e lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Edhe pse disa në Serbi dhe në ish-Jugosllavi i konsiderojnë këta njerëz kriminelë, për mua heronj janë ata që e çojnë popullin drejt lirisë. Është një gjë e madhe, diçka jashtëzakonisht e fuqishme dhe e dhimbshme.

Çfarë fëmijërie dhe rinie keni lënë pas në vendlindje?

Të jem i sinqertë, nuk pata fëmijëri fare. Për këtë ndoshta më së shumti më vjen keq sot, kur shoh fëmijë të tjerë duke u kënaqur. Unë jam lindur në vitin 1963 në një familje të madhe prej 11-anëtarësh — nëna, babai, vëllezërit dhe motrat. Babai im ishte një njeri i jashtëzakonshëm, punonte në një fabrikë dhe ne flinim, siç thoshim, kokë-këmbë, kokë-këmbë. Fatkeqësisht, situata ishte e vështirë. Jetonim në Shatila [kamp refugjatësh në Bejrutin jugor] dhe menjëherë pas nesh ishte aeroporti i vjetër. Atëherë ajo hapësirë duhej të ishte zbrazët përreth dhe kishte fusha të mëdha me rërë të kuqe. Në vitin 1967, palestinezët që ikën në vitin 1948 [gjatë luftës arabo-izraelite ku ndodhi zhvendosja masive dhe shpronësimi i palestinezëve] filluan të mbërrijnë dhe të ngrenë kampe e tenda në fushën pas shtëpisë tonë, bukfalisht 10 metra larg nesh. Në lidhje me marrëveshjen e vitit 1948 ndërmjet qeverisë libaneze dhe Kombeve të Bashkuara, ushtria dhe policia libaneze nuk u lejuan të hynin në kampe sepse kjo do të shkelte konventat ndërkombëtare, kështu që palestinezët filluan të organizohen, duke sjellë armë, duke u armatosur, duke bërë stërvitje dhe gjëra të ngjashme. Dhe ne uleshim atje dhe i shikonim si në një film, duke i parë teksa gjuanin, zvarriteshin dhe kërcenin.

Në moshën 10-vjeçare mora për herë të parë pushkën në duar dhe ndieva një gëzim të papërshkrueshëm. Ishte një ndjenjë e madhe për mua. Prandaj i pyeta [PLO]: “A mund të vij me ju?” dhe ata më thanë: “Mundesh, si jo”. Dhe kështu iu bashkova [PLO] në moshën 10-vjeçare dhe prindërit e mi nuk e dinin këtë. Më vonë më thanë se duhet të shkoj në jug të Libanit për stërvitje intensive në male dhe lugina. U thashë se mund të shkoj dhe u largova për disa muaj, askush nuk e dinte se ku isha. I thashë nënës që po shkoj dhe ajo më tha: “Hajde, shko, por sillu mirë”.

Në moshën 10-vjeçare kalova një stërvitje jashtëzakonisht të vështirë, gati brutale, ku ti në fakt në gjithë atë çmenduri bëhesh njëfarë ‘face’. Në të njëjtën kohë, ishe ekspozuar ndaj shpëlarjes së trurit me histori për çlirimin e Palestinës, revolucion dhe tema të ngjashme. Si fëmijë, isha plotësisht i dehur me ato gjëra. Konflikti im i parë ndodhi kur isha 10 vjeç e tre muaj, në maj 1973. Ishte hera e parë që mora pjesë në luftime [mes ushtrisë libaneze dhe PLO]. Mbaj mend që na dhanë “Shmajserka” të vjetra [armë automatike MP 40] dhe u ngjitëm në katin e tetë të një pallati. Ushtria libaneze kishte aeroplanë “Mirage”. Po qëlloja në aeroplan duke menduar se do ta rrëzoja dhe tre shokë ishin me mua. Dhe ata nga avioni nuk hidhnin bomba nëpër ndërtesa sepse kishte njerëz në to… Mund të shihje gjithfarë gjërash në atë kohë.

Atëherë kuptova për herë të parë se nuk është lojë, por vdekje. Ata që ishin me mua, disa kanë vdekur dhe disa kanë humbur gjymtyrët. Dhe e kupton atëherë se ata kanë shkuar drejt vdekjes dhe nuk ka kthim prapa.

Foto: Agon Dana / K2.0.

Duket se luftërat ju kanë ndjekur që në moshë të re. Lufta ju ndoqi edhe në ish-Jugosllavi dhe në Lindjen e Mesme, këtë herë si gazetar. Si nisët të punoni si gazetar lufte?

Fatkeqësisht, Lindja e Mesme ka qenë burimi kryesor i problemeve në të gjithë botën për 75 vjet dhe mendoj se as ju, as unë, as fëmijët tanë, nipërit e mbesat, madje edhe stërnipërit, me siguri nuk do ta përjetojmë paqen atje. Kur studioja në fakultetin e shkencave politike më interesonte gjithmonë politika, por doja të largohesha nga luftërat. Kur erdha në Jugosllavi në vitin 1981, fillova të kuptoj se bota nuk është vetëm luftë dhe vrasje, por se ka diçka tjetër. Shkon në det, pi birrë, kënaqesh. Do të thotë ka një jetë ndryshe nga ajo që ti aspiron në luftë, ku ti je i lumtur që do të të vrasin dhe që fotografia jote do të varet në mur. Kjo do të thotë që ti jeton për diçka të tillë ditë për ditë.

Luftërat e para që ndoqa ishte në territorin e ish-Jugosllavisë: në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë, luftra shumë, shumë mizore. Shiko, njohuritë e mia të gjuhës kroate dhe puna ime e mëparshme me mediet arabe nga Lindja e Mesme, libaneze, saudite dhe të tjera, më mundësuan të punoja për ta sepse arabishtja është gjuha ime amtare. Raportimet e para ishin për mediet kroate. Isha i çmendur, por në kuptimin që nuk e besoja se do të vdisja. Kam kaluar luftëra të pabesueshme, luftërat libaneze janë sinonim i të gjitha luftërave, mizore. Gjatë gjithë kohës nuk beson se do të vdesësh dhe në asnjë moment nuk të shkon mendja se plumbi nuk zgjedh kë do të godasë. 

Kur fillova të raportoja nga Kroacia, hyja në zona ku nuk shkonte askush. Isha gazetar, por me kokën e një luftëtari, që, mund t’ju them, është një kombinim i tmerrshëm. Sapo hyn në Siri, nuk je më thjesht gazetar, por një luftëtar që dëshiron gjithnjë e më shumë. Kolegët e mi gazetarë nga Kroacia panë se ku po shkoja dhe filluan të më luteshin që të më jepnin një kamerë amatore për të filmuar për ta dhe për t’u dhënë materiale. 

Kështu, në vitin 1990, i dërgova xhirimet në HRT [Radiotelevizioni publik i Kroacisë] dhe stacione të tjera televizive; të gjithë donin të më punësonin. Pas luftës në Bosnjë e Hercegovinë kam pasur shumë probleme. Unë isha shtetas kroat, por për radikalët isha muxhahid. Për serbët isha muxhahid dhe ustash, për boshnjakët ustash. Unë isha i vetmi gazetar në konfliktet në Mostar dhe kisha xhirime të tilla që askush nuk i besonte. Një gazetare ndërkombëtare më kontaktoi dhe më pyeti nëse mund ta merrte materialin. Kur pa xhirimet, filloi të kapet për flokësh. Kishte aty xhirime të granatave teksa binin, koka fluturonin, të vdekur gjithandej. Ishin pamje të neveritshme, diçka vërtet e tmerrshme.

Keni qenë edhe gazetar në luftën në Kosovë?

Unë isha në Kosovë kur ndodhi bombardimi. Kam qenë në të gjithë Kosovën që nga viti 1999 dhe vij ende këtu. Lufta e Kosovës ishte e drejtë, luftë për çlirim, ky është një fakt i thjeshtë. Gjithmonë kam qenë i interesuar për Kosovën për disa arsye, sikurse për Kroacinë, por gjatë historisë kroatët nuk e kanë paguar çmimin siç e kanë paguar shqiptarët. Kjo dëshirë për pavarësi për mua është e jashtëzakonshme dhe ndoshta dikush do të më kritikojë tani, por interesante është se Adem Demaçi ka qenë një mik i madh i imi dhe kemi qenë miq deri në vdekjen e tij. Shiko, unë nuk dua të hyj në ideologjinë e tij, Shqipëria e Madhe, Shqipëria e Vogël, nuk më intereson. Por duhet të pranojmë se ai pagoi një çmim të lartë, por për çfarë? Për çlirimin e këtij populli. Ai mund të heshtte, të ulej në një kafene, të pinte, të bënte shaka dhe të kënaqej, por ai njeri e pagoi çmimin dhe duhet nderuar. 

Cilat janë momentet më interesante në karrierën tuaj, ndoshta tri më të rëndësishmet që do të ndanit?

Për mua çdo detyrë gazetareske është një aventurë. Kur mbërrita në Libi [2011], në fillim nuk e dija që celulari im nuk do të funksiononte dhe se do të më shpallnin të vdekur ose të zhdukur në Kroaci për 10 ditët e ardhshme. Në atë kohë u deshën rreth dy javë për të arritur në Tripoli për shkak të luftimeve të rënda që po zhvilloheshin dhe më pas u drejtuam për në Misrata. Na zunë pritë ushtria libiane dhe lufta zgjati dy ditë dhe nuk mundëm të dilnim. Ishte hera e parë që më dhanë një pushkë dhe më pyetën nëse mund të qëlloja. Unë u thashë që nuk dija. Jeta ime ishte në rrezik, por nuk kam gjuajtur asnjë plumb, ndonëse realisht jam kërcënuar deri në fund.

Një situatë tjetër ndodhi kur unë dhe Ljiljana (bashkëshortja ime) ishim në Siri, [kjo ndodhi] pasi më kishin shpallur të vdekur në Libi. Ljiljana më tha: “Nuk do të shkosh më askund pa mua” dhe ashtu ndodhi, kështu që edhe ajo e përjetoi luftën. Kur mbërritëm në Siri, atë ditë kishte luftime të tmerrshme në Damask. Përleshja zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Në një moment Ljiljana më thotë: “Të kthehemi në Bejrut”. Por si dhe ku, kur lufta ishte ndezur në Bejrut?

Të nesërmen shkuam në Homs, ku po zhvilloheshin luftime të ashpra. Shoferi na çoi gabim, se po udhëtonim me ushtri. Ushtria u kthye djathtas dhe mendoj se ai u kthye majtas, dhe ne u ndodhëm pranë një stadiumi. Kur mbërritëm, hapësira ishte krejtësisht bosh, pa njeri askund dhe parkuam. Kur befas filluan të gjuanin mbi ne nga të dyja anët. Shoferi, i cili ishte vendas, doli nga makina dhe u largua me vrap. Unë dhe Liljana qëndruam në makinë, por duke pasur parasysh përvojën time në luftë, i thashë që edhe ne të dalim. Ne dolëm nga makina ndërsa plumbat na kalonin mbi kokë. Ajo zgjati rreth gjysmë ore, por ty të duket një përjetësi, derisa ushtarët e ushtrisë siriane i shtynë sulmuesit dhe na nxorrën jashtë.

Pastaj ata po më pyesin se ku është shoferi, dhe unë po u them që nuk e di, kurse doli që shoferi kishte vrapuar përtej rrugës dhe ishte fshehur poshtë në strehë. Çdo udhëtim në fushën e betejës është një aventurë e veçantë.

Një herë po ktheheshim përgjatë autostradës 10 kilometra midis Damaskut dhe Homsit, ku rebelët mund të qëllonin në rrugë në çdo moment. Gjithçka varej nga marrëveshja dhe sapo mbërritëm, ata filluan të qëllonin në autobusin ku ishim. Edhe pse ishim civilë, kishte shumë ushtarë me ne dhe ata menjëherë mbushën pushkët dhe filluan të kundërpërgjigjen me zjarr. Atje u krijua një kaos i plotë, nuk dihej kush po qëllonte kë, kush po pinte e kush po paguante. Atëherë për herë të parë ndieva frikën e vërtetë.

Lufta e Libanit ishte e tmerrshme. Po raportoja në vitin 2006 dhe si gazetarë po flisnim se si është kur 100 bombardues F16 bombardojnë gjithçka me radhë. Kjo, miku im, nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ka pasur edhe momente “të bukura” – kur jemi ulur në një kafene, duke pirë, pastaj granata po bien atje diku, e ne po pimë nargjile, e kështu.

Foto: Agon Dana / K2.0.

Sot Lindja e Mesme është sërish në zjarr. Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit dhe pasojat tragjike për palestinezët kanë tërhequr vëmendjen e gjithë botës, pjesërisht për shkak të krimeve të shumta të shfaqura në media. A e shihni përfundimin e këtij konflikti së shpejti?

Unë jam 61 vjeç dhe kam 50 vjet që jam i vetëdijshëm për veten. Gjithmonë kam thënë, për fat të keq, se brezat dhe brezat në Lindjen e Mesme nuk kanë shpresë. Tashmë në fillim të radikalizmit thashë se radikalizmi ekziston në të dyja anët. Më kujtohet viti 1993 kur u nënshkrua një marrëveshje midis Yasser Arafatit dhe Yitzhak Rabinit, një marrëveshje sipas së cilës palestinezët do të merrnin shtetin e tyre, dhe ky do të ishte fundi i viteve të luftës. Por brenda të dy kombeve, izraelitëve dhe palestinezëve, ka radikalë që në njëfarë mënyre nuk e duan atë paqe. Rabini u vra pikërisht për këtë marrëveshje.

Unë nuk e pranoj ideologjinë e Hamasit që avokon për një Palestinë “nga lumi deri në det”. Dhe çfarë do të bëjmë me hebrenjtë, çfarë do të bëjmë me izraelitët? T’i hedhin në det? Edhe nëse arrini t’i dëboni, ata do të formojnë sërish një lloj rezistence dhe cikli i dhunës do të vazhdojë. Nga ana tjetër, nuk i pranoj hebrenjtë radikalë që besojnë se ky është territori i tyre dhe se të gjithë palestinezët duhet të dëbohen. Por për fat të keq, nuk mendoj se Lindja e Mesme do të ketë kurrë paqe, kurrë. Sepse as njëra dhe as tjetra, jo vetëm tani, por as në të ardhmen, as në 100 vjet, nuk janë gati për paqe. Shikoni, përderisa feja në të dyja anët të çon në radikalizëm, paqja nuk është e mundur. Tora nuk shkruan atë që bëjnë hebrenjtë radikalë në terren, e as Ku’rani nuk shkruan atë që bën Hamasi.

Ka kritika në rritje për mënyrën se si mediet ndërkombëtare i mbulojnë konfliktet në Lindjen e Mesme. Kjo kritikë nxjerr në pah paragjykimet që mediat ndërkombëtare mund të kenë kur raportojnë për raste të ndryshme, si për Palestinën krahasuar me Ukrainën. Sipas jush, sa e justifikuar është kjo kritikë?

Media është një gjë e tmerrshme dhe mund t’ju them se ne nuk e kemi humbur busullën tonë. Virtytet e mia, t’ju them shumë sinqerisht, janë se jam një gazetar objektiv dhe i lirë. Unë e kam paguar çmimin dy herë për këtë, aktualisht jam nën mbrojtjen e policisë. Në fillim më kërcënuan vehabistët e tani rusët. Është një jetë vërtet e tmerrshme, po ju them, një jetë e tmerrshme, sepse ju nuk e dini kur do të largoheni nga shtëpia dhe sidomos tani që rusët po ju kërcënojnë.

Nuk mund të ulesh në zyrë dhe të shkruash tekste në këto situata, sepse për fat të keq hipokrizia ekziston dhe është një hipokrizi e madhe. Nuk ka rëndësi nëse je libanez, kosovar apo dikush tjetër – ne jemi njerëz. Por në medie, për fat të keq, ne pranojmë gjithçka që del nga fake news. Çfarë ndodhi më 7 tetor, kur Hamasi hyri në Izrael, ajo mizori nuk mund të justifikohet nga askush, pavarësisht nga kombësia. Por çfarë ndodhi më pas? Ne morëm njërën anë dhe dëgjuam atë që tha Benjamin Netanyahu [presidenti i Izraelit], për përdhunimin e fëmijëve, vrasjen e fëmijëve, prerjen e kokës së fëmijëve e kështu me radhë. Të gjitha mediet e raportuan, madje edhe [Joe] Biden foli për të dhe qau, dhe në fund – ku janë provat? 

Mediat nuk janë më ajo që ishin dikur – media të lira. Fatkeqësisht janë të politizuar, punojnë në shërbim të strukturave politike. Gazetaria ka rënë në degët më të ulëta. Mbaj mend 10-15 vite më parë kur erdhe gazetar të gjithë të drejtoheshin me respekt dhe sot sapo marrin vesh që je gazetar të thonë: “Largohu nga këtu o skifter”. E kuptoni, sot jemi kthyer në skifterë, në njerëz që në fakt përhapin urrejtje, intolerancë dhe shkruajnë marrëzira. Mundohem gjithmonë të jem objektiv dhe objektiviteti ka çmimin e vet. Shikoni, prandaj e vlerësoj gazetarinë time, sepse jetoj dita-ditës. E vërteta, sado që i pëlqen apo jo dikujt, duhet thënë në gazetari.

Nga ana tjetër, kemi luftën në Ukrainë, pushtimin e Rusisë, që në njëfarë mënyre destabilizoi Europën. Si e shihni ndikimin e kësaj lufte në Ballkan?

Fatkeqësisht, Ballkani nuk mund të çlirohet nga ndikimi i Rusisë. Për të qenë të qartë, ne kemi një problem të madh – një problem të quajtur Aleksandar Vučić. Pavarësisht se çfarë mendon ai për veten e tij, këtë nuk e them sepse jam në Kosovë apo në Prizren, as nuk po flas si gazetar kroat, po i tregoj faktet. Përderisa kemi Vučićin dhe Dodikun, dy personazhe, dhe fatkeqësisht edhe një pjesë të malazezëve që sot ndjekin politikën serbe, situata mund të bëhet jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse nuk e dimë se kur Vladimir Putin do të vendosë ta destabilizojë Ballkanin dhe ta urdhërojë këtë, më duhet të them, të çmendurin Dodik të shpallë pavarësinë e Republikës Srpska, që mund të jetë një prelud i një lufte të re. Ose, për shembull, nëse do të urdhëronte Aleksandar Vučićin të sulmonte Kosovën. Edhe pse Vučići shpesh tregon muskujt dhe flet për dërgimin e ushtrisë, këto janë histori fantastiko-shkencore, por ai e di shumë mirë se sulmi ndaj Kosovës është sulm ndaj komunitetit ndërkombëtar.

Fatkeqësisht, Aleksandar Vučić nuk është një politikan pragmatik. Ai është një person që ndjek politikën e Slobodan Miloševićit dhe ëndërron ideologjinë budallaqe të Serbisë së Madhe, e cila nuk i ka ikur kurrë nga mendja. Kjo do të thotë se ai i kthen mendimet e tij në veprime. 

Në Ballkan, aroma e barutit ende qëndron në ajër, që do të thotë se një shkëndijë mund të ndezë të gjithë rajonin.

Foto: Agon Dana / K2.0.

Një film dokumentar për jetën tuaj në Kosovë u shfaq premierë në DokuFest të këtij viti. Si u ndietë që u kthyet në vendlindje për ta xhiruar dokumentarin?

Ishte tmerrësisht e vështirë për mua dhe mezi mund të merrja një vendim. Kolegu im, regjisori Robert Bubalo, i cili është redaktor në “Večernji list”, ka gati dhjetë vjet që më thotë të filloj këtë projekt. Ai e dinte përafërsisht kush isha unë, por nuk i dinte të gjitha detajet. Në fund u pajtova për disa arsye. Së pari, sepse bota po bëhet çdo ditë më radikale, qoftë lufta apo radikalizimi fetar, dhe Lindja e Mesme, për fat të keq, po bëhet çdo ditë e më keq. Kështu që vendosa të tregoj historinë time, si një djalë që ishte 10 vjeç kur hyri në një luftë të pabesueshme. Doja të përcillja një mesazh të fortë kundër radikalizimit, përmes historisë së një fëmije të humbur, i cili në moshën 10-vjeçare u bë një luftëtar me përvojë, dhe sot është një nga gazetarët më të vlerësuar dhe më premtues në Kroaci.

Vendimi nuk ishte i lehtë, sepse ishte tmerrësisht e vështirë të kthehesh pas në kohë. Kam qarë natën sepse, shiko, nuk është e lehtë të kthehesh në ato momente. Nuk do të them se më vjen turp për disa gjëra, por bart trauma me vete. E gjithë klasa ime, e gjithë shkolla, miqtë e mi që ishin me mua, vdiqën në atë luftë. Këta ishin fëmijë, jo luftëtarë – ata ishin 10, 11, 13 vjeç, dhe më i madhi ishte 15 vjeç. Afër shtëpisë sime ka disa varreza që nuk i vizitoj sepse më sjellin kujtime të tmerrshme. As varrin e nënës, e cila është varrosur aty, nuk e kam vizituar, sepse kjo hap plagë të vjetra. Duke ecur mes atyre varreve, fotografitë e atyre të rinjve sjellin të gjitha ato kujtime të dhimbshme.

Pamje nga filmi “Lufëtrat e Hasanit”.

Filmi juaj u shfaq në DokuFest. Si ka qenë pritja në Prizren, në Kosovë?

Vërtet fantastike, përnjëmend. Më vjen mirë që pas Velika Goricës, qytetit ku jetoj, shfaqja e filmit ishte në Prizren, sepse e adhuroj këtë qytet. Së pari, për shkak të historisë së tij të pabesueshme, dhe së dyti, për shkak të njerëzve tepër tolerantë që jetojnë këtu. Këtu mund të dëgjoni njerëzit duke folur kroatisht, serbisht, turqisht, shqip, romisht – të gjithë janë ulur në një kafene dhe flasin, dhe askush nuk ia kthen shpinën askujt.

Ndonjëherë, kur jam në Zagreb ose në ndonjë qytet tjetër dhe më thërret motra ime nga Libani, i them se do ta telefonoj pas pesë minutash, sepse nëse flas arabisht, të gjithë do të më shikojnë. Por në Prizren nuk është kështu. E dini, Kosova është atdheu im, së bashku me Kroacinë dhe Libanin. Nuk mund ta besoni, por sa herë që vij në Kosovë, ndihem vërtet si në shtëpinë time. Kosova ka një shpirt të pabesueshëm. Ljiljana e di që kur shkojmë në Liban, kaloj më shumë kohë në Damask sesa në Bejrut, sepse Damasku është një qytet i jashtëzakonshëm që ka shpirt. Dhe Kosova si shtet ka shpirt nga kufiri në kufi.

 

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën boshnjake/kroate/serbe.

Imazhi i ballinës: Agon Dana / K2.0

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.