Blogbox | Arsimi

Mijëra grave do t’iu mohohet e drejta për të votuar në zgjedhjet e së dielës

Nga - 06.06.2017

Kur burrat i rrëmbejnë votat e grave janë ndërkombëtarët ata që kritikojnë ‘votimin familjar’, por problemi thelbësor anashkalohet nga të gjithë.

Në vitin 2000, menjëherë pas përfundimit të konfliktit, Kosova i mbajti zgjedhjet e saja të para të përgjithshme dhe ato lokale. Që prej këtyre zgjedhjeve të para të pasluftës, vazhdimisht kam marrë pjesë në procese të monitorimit në zgjedhje të ndryshme, duke përfaqësuar entitete të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore për të cilët punoja, qoftë si punëtore ose si vullnetare.

Sidoqoftë, zgjedhjet e vitit 2000 më mbetën në kujtim për shkak të thënies ‘zgjedhje të lira dhe demokratike’. Të gjithë punuam me ortë të tëra, ditë e natë, por lodhja mungonte karshi zgjedhjeve demokratike e të civilizuara. E gjithëpranishme ishte era e demokracisë e lirisë. Burra e gra, të vjetër e të rinj, të gjithë po i ushtronin të drejtat e tyre civile. Pritjet nga komuniteti ndërkombëtar ishin që zgjedhjet ta shtronin rrugën për zhvillim demokratik, respektim të të drejtave të njeriut dhe zbatim të sundimit të ligjit.

Prej atëherë, kam monitoruar disa zgjedhje në pjesë të ndryshme të Kosovës ku kam patur mundësinë që të njoftohem me njerëz të ndryshëm në vendvotime, e të diskutoj me ta për çështje të përgjithshme, specifike e herë pas herë edhe personale – ne kosovarët nuk e kemi problem që ta bëjmë këtë me njerëz që sapo i kemi njoftuar. Në Kosovë gjithmonë kemi patur monitorues të zgjedhjeve; ndonjëherë kemi patur raste kur ‘vëzhguesit i monitoronin vëzhguesit e tjerë’, për shkak të numrit të madh të misioneve monitoruese vendore dhe ndërkombëtare që kanë qenë të pranishme gjatë ditëve të zgjedhjeve në Kosovë.

Misioni i fundit monitorues në të cilin morra pjesë ishte në vitin 2016, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në një prej komunave të Kosovës. Zakonisht përgatitjet për ditën e monitorimit të zgjedhjeve nisin në 5 të mëngjesit, kur e merr kartelën identifikuese të monitoruesit, një fletore dhe një laps, si dhe pak ushqim të lehtë për ta kaluar ditën. E kështu ishte edhe në këtë rast. Udhëtova me një grup të kolegëve monitorues, u ndalëm për një kafe të shpejtë të mëngjesit, e pastaj vazhduam për në destinacionin tonë përfundimtar.

Shumica e grave arritën që të votojnë vetëm pasi e kishin përmbushur rolin e tyre në ‘obligimet familjare të ditës së diel’.

Kur arrita në atë qendër të votimit, një shkollë fillore relativisht e re, policët na dhanë atë shikimin ‘erdhën këta’. Në korridor të shkollës u njoftuam me menaxherin e qendrës së votimit dhe me të tjerë që po punonin në tryezën e ndihmës. Mua dhe kolegun tim na pritën mirë pasi e identifikuam vetën. Na informuan me mirësi se do të stacionoheshim aty për gjatë gjithë ditës, dhe u ndamë nga njëri – tjetri për të shkuar në dy vendvotime të ndryshme.

Ngadalë u futa në klasë, duke mos dashur që të vërehem shumë si vëzhguese. Ishin rreth 10 burra në dhomë, të gjithë pjesëtar të Komisionit Komunal Zgjedhor, ose vëzhgues të partive. E prezantova vetën dhe ua dhashë dorën secilit, ashtu siç bëjmë në shenjë përshendetje ne kosovarët. Kryetari i Komitetit të Vendvotimit i morri informatat e mia dhe më dha një karrige për t’u ulur. Fillova t’ia shtroja disa pyetje dhe ai u përgjigj pa ngurrim; besoj se kishte dëshirë që të më tregonte se gjithçka ishte mirë, dhe se do të shkonte mirë edhe më vonë.

Pas pak kohe fillova të shikoja rreth klasës. Muret ishin të stërmbushura me piktura të fëmijëve; saktësisht 14 vizatime me flamuj kombëtar shqiptar, dhe dy me flamuj kosovar. E hutuar po i shikoja 14 pikutrat me flamurin kuq e zi, dhe po përpiqesha t’i kuptoja – çfarë kuptimi kishte numri i tyre dhe mënyra nëpërmjet së cilës ishin paraqitur?

Ngadalë, njerëzit filluan të futeshin në vendvotim plot ngazëllim për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Secili prej tyre kishte nga një histori individuale të formuar për të arsyetuar votën që po jepnin. Të inkurajonte ngazëllimi i të moshuarve, të cilët vinin me rrobat e tyre më të mira për këtë ngjarje, qenësisht e natyrisht duke i përshëndetur të gjithë me mirësjellje – këtë nuk e kam vërejtur në qytete më të mëdha, e më arrogante. Gjatë pjesës së parë të ditës shihja kryesisht burra që ishin të gatshëm për të votuar; gratë kryesisht mungonin; me gjasë ishin në shtëpi duke përmbushur rolet e tyre për t’i kryer “obligimet familjare të ditës së diel”.

Shtresa sociale e votuesve të hershëm përbëhej prej njerëzve të traditës, njerëzve të zakonshëm e disa familjeve që perceptoheshin si politikisht të fuqishme. Shumica prej tyre ishin burra të cilët shpeshherë i shoqëronte një erë e cigarës, që në mënyrë kulturore përfaqësonte burrërinë e tyre, dhe lirinë e tyre jo vetëm për të votuar, por edhe për të pirë cigare edhe brenda edhe jashtë shtëpive të tyre; veprim që në kulturën tonë shpeshherë nuk i pranohet grave.

Shumica e grave arritën që të votojnë tek pasi e kishin përmbushur rolin e tyre në ‘obligimet familjare të ditës së diel’. Përsëri gratë e moshuara shfaqen me shumë ngazëllim për ndryshimin e mundshëm për të cilin po shpresonin në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe shihja edhe lot gëzimi në sytë e disa prej të cilave ende mund të votonin përkundër moshës. E kujtoj një grua të moshuar që derisa po votonte tha “shpresoj që kjo çështje të plaket aq sa unë”. Interpretimi në kuptimin e plotë të fjalës së kësaj idiome është se ajo shpresonte që çështja e asaj se kush do të qeveris komunën e saj do të vendosej, meqë dy kryetarët komunal të kaluar ishin paditur për krime të luftës.

Situata fatkeqe e grave analfabete përdorej në mënyrë oportuniste për avantazhin e këtyre burrave, të cilët votonin dy herë për kandidatët dhe partitë politike që i preferonin ata.

Por edhe pse ajo mund ta thoshte këtë fjali lirshëm në vendvotim, ajo nuk ishte e lirë që ta shkruante fizikisht zgjedhjen e saj – asaj i ndihmoi një vajzë më e re dhe e shkolluar për ta ushtruar të drejtën për të votuar.

Siç thuhet në zhargonin e zgjedhjeve, ‘votimi familjar’ ishte tipar i zakonshëm në vendvotimet që po i vëzhgoja unë; ndodhi deri kur u mbyllën vendvotimet. Kur e numërova në fund frekuencën e këtij fenomeni, mësova se numri i atyre që votuan me ndihmë, apo ‘votim familjar’, ishte rreth 60 përqind i votuesve në tërësi, e te gati 80 përqind e votueseve gra. Ishte e qartë që gratë nuk kishin kontrollë në procesin e marrjes së vendimeve personale sa i përket votimit.

Kishte shumë raste në të cilat gratë as nuk u konsultuan nga burrat – zakonisht bashkëshortët – që po i ndihmonin për të votuar. Në fakt, situata fatkeqe e grave analfabete përdorej në mënyrë oportuniste për avantazhin e këtyre burrave, të cilët votonin dy herë për kandidatët dhe partitë politike që i preferonin ata. Pra burrat jo vetëm që e luajnë një rol të rëndësishëm kur vendosin se a duhet të shkojë në shkollë një vajzë e re apo jo – dhe nëse po, se sa duhet të zgjatë arsimimi i tyre – ata gjithashtu vendosin se si duhet të votojnë gratë që nuk kanë nivel adekuat të arsimimit, duke ua rrëmbyer kështu një prej të drejtave themelore të tyre.

Nuk duhet të jesh feminist për ta kuptuar që kjo është gabim dhe që duhet ndryshuar – të gjitha organizatat që e perceptojnë vetën si organizata feministe duhet ta theksojnë këtë problem dhe të punojnë për ta ndryshuar atë.

Nuk mund të mos pyes pse analfabetizmi nuk është i rëndësishëm për institucionet tona në Kosovë?

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), më shumë se 50,000 njerëz në Kosovë janë plotësisht analfabet, që do të thotë se nuk dinë të lexojnë e shkruajnë; një numër shumë më i madh janë pjesërisht analfabet, që do të thotë se kanë aftësi të kufizuara në shkrim e lexim. Kjo shifër 50,000 përbënë 3.2 përqind të popullsisë së Kosovës, apo 3.9 përqind e të gjithë atyre që janë mbi moshën 10 vjeçare – kjo është shkalla më e lartë e analfabetizmit në Europë. Kjo përqindje është edhe më e lartë në mesin e vajzave dhe grave.

Sidoqoftë, analfabetizmi mbetet problem i madh botëror. Vlerësohet se më shumë se 7 milion njerëz në botë nuk dinë shkrim e lexim, e kjo i kushton ekonomisë botërore më shumë se 1 trilion dollarë në vit. Nëpërmjet nismave ndërkombëtare për ndryshimin e këtij problemi njerëzit po mundohen që ta trajtojnë këtë çështje në mënyrë globale. Për shembull, objektivi i dytë i Synimeve Mijëvjeçare të Zhvillimit është që të arrihet arsimim fillor universal. Nisma e fundit e Michelle Obama ‘Let Girls Learn’ (Leri vajzat të mësojnë) synon që t’u ofrojë qasje në arsim 62 milion vajzave në botë. Deklarata e kësaj fushate është: “Kur vajzave nuk u ipet mundësia për ta arritur potencialin e tyre, e gjithë bota humb”.

Nuk mund të mos pyes pse analfabetizmi nuk është i rëndësishëm për institucionet tona në Kosovë?

Nuk mund të abstenoj nga kjo vërejtje për donatorët ndërkombëtar, që lufta kundër analfabetizmit në Kosovë nuk u duket ‘mjaft seksi’ për programet e tyre, e në të njejtën kohë u duket ‘votimi familjar’ si fenomen shumë shqetësues në kulturën tonë, dhe këtë e lidhin me mungesë të funksionimit të sundimit të ligjit. Sundimi i ligjit nuk i kufizohet funksionimit ligjor të vendit – kërkon gjithashtu që njerëzit, në këtë rast gratë, të kenë mundësi që të mësojnë se si t’i lexojnë dhe shkruajnë këto rregulla që janë krijuar për to.

Në zgjedhjet e ardhshme sigurisht do ta shohim një vazhdimësi të heshtur të kësaj çështjeje, por shpresoj që monitoruesit e zgjedhjeve do ta ‘vëzhgojnë’ më me vëmendje këtë çështje. Shpresoj që do ta theksojnë këtë çështje në gjetjet e tyre, dhe se do të ketë vëmendje për këtë problem, në mënyrë që në zgjedhjet e së ardhmës, grave t’u ipet më shumë kontrollë në ushtrimin e plotë të së drejtës së tyre për të votuar.