Për herë të parë hasa në artistë që luanin zhanrin e muzikës xhaz në Mitrovicë, në qytetin tim të lindjes, gjatë festivalit të muzikës xhaz në Mitrovicë, në fund të viteve ’80-a. I rrethuar nga tingujt e njohur të muzikës popullore tradicionale, muzikës klasike dhe rokut, në moshën 9-vjeçare, u mahnita kur zbulova muzikën xhaz, një botë krejtësisht e re, që më tërhoqi menjëherë me energjinë e saj.
Lidhja e Mitrovicës me xhazin fillon shumë më herët se kaq. Ajo daton qysh në vitet e ’20-a, kur industria minerare e Trepçës u mor përsipër për t’u menaxhuar nga një kompani britanike. Teksa kompania e shndërroi minierën në prodhues të madh të metaleve, solli gjithashtu diçka të papritur në rajon — ndikimin kulturor nga jashtë, përfshirë ritmet tërheqëse të xhazit.
Ky ekspozim i parë la gjurmë te brezat e muzikantëve para meje, duke formësuar identitetin muzikor të Mitrovicës në mënyra që sot shpesh mbesin të panjohura. Festivali i xhazit në Mitrovicë pati vetëm një edicion, atë të vitit 1989. Edhe pas luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, qyteti nuk pa më një festival me të njëjtin ndikim.
Pas festivalit të vitit 1989, kureshtja ime për xhazin nuk dukej se do të thellohej. Megjithatë, kjo ndryshoi kur Miles Davis, trumbetisti legjendar i xhazit, vdiq në vitin 1991. Lajmi për vdekjen e tij e mora përmes televizorit, shoqëruar me tingujt e tij të papërsëritshëm. Ky çast nuk zgjoi sërish tek unë pasionin për xhazin, por siguroi që të mos shuhej më kurrë.
Muzika xhaz ka qenë gjithmonë më shumë sesa thjesht muzikë — është bisedë, kulturë, lëvizje. Që nga rrugët e New Orleans, tek klubet nëntokësore të New York City, nga kafenetë pariziene tek bodrumet plot tym të Tokios, xhazi lulëzon kur muzikantët, kuratorët dhe publiku angazhohen në një shkëmbim dinamik të ideve.
Nga garazhet e Mitrovicës në New York City
Në fillim të viteve ’90-a, pasi kalova vite duke mësuar vetë t’u bija baterive në garazhe, bashkë me grupe muzikore, fillova të ndiqja kurse më formale, me shpresën për t’u marrë me muzikë më profesionalisht. Me inkurajimin e prindërve dhe vëllezërve më të mëdhenj, në moshën 16-vjeçare, aplikova në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Dramatike në Graz (KUG), për të studiuar për bateri dhe xhaz, në Institutin e Xhazit në Graz. Fatmirësisht, u ftova për audicion dhe u pranova. Papritmas, kalova nga luajtja në bateri në garazhet e Mitrovicës, tek përgatitjet për të qenë student në njërin nga institucionet e shquara të Evropës për arsimin e lartë në xhaz.

Unë në moshën 9-vjeçare, duke luajtur tastierën e pianos. Foto nga arkivi i autorit.
E gjeta veten në një mjedis me studentë ndërkombëtarë dhe me mësues e mentorë të njohur, disa prej të cilëve ishin mjeshtër të shquar të brezit të parë të artistëve që përcaktuan kanunin e madh muzikor të xhazit amerikan: Dennis Irwin, Sheila Jordan, Mark Murphy, Dave Liebman, Al Foster, Idris Muhammad dhe Joe Lovano, ndër shumë të tjerë.
Gjatë kësaj periudhe të studimeve, vërejta dallime mes skenës së xhazit në Austri dhe asaj në Kosovë, ku më së shumti më la përshtypje numri i madh i hapësirave dhe institucioneve të dedikuara posaçërisht për muzikën xhaz. Shumë qytete në Austri kanë hapësira të mirënjohura të xhazit, me programe që sjellin talente rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo infrastrukturë mbështetëse, e cila mungon në Kosovë, ndërton një diskurs dhe një kuptim më të thellë lidhur me muzikën dhe shumë aspekte të saj.
Pasi kalova 12 vite duke jetuar në Austri dhe duke luajtur dhe udhëtuar profesionalisht nëpër Evropë, në vitin 2008 u shpërngula në New York City. Mentori dhe miku im i dashur, kontrabasisti i njohur Irwin, të cilin e njoha si student në KUG, ishte ai që ma kishte rekomanduar këtë hap shumë kohë më parë.
Shpërngulja në SHBA nuk ishte aq tronditje e madhe kulturore sa ajo në Austri, por niveli i muzikalitetit ishte i pakrahasueshëm. Në New York City, që shpesh konsiderohet si vatër e xhazit, muzika funksionon në nivel më të lartë, duke shtyrë kufijtë në mënyra që nuk i kisha eksploruar plotësisht gjatë qëndrimit në Evropë.
Si xhaz-muzikant në New York City, ekzistojnë standarde teknike dhe artistike të cilat duhet t’i aspirosh. Skena promovon frymë konkurruese të shëndetshme, e cila të shtyn ta dëshmosh talentin tënd. Çdo artist duhet të punojë fort dhe ta sfidojë veten, në mënyrë që të pranohet nga komuniteti këtu.
Gjatë udhëtimit tim si student dhe profesionist, ka ekzistuar një reflektim personal lidhur me atë që xhazi përfaqëson përtej thjesht të bërit muzikë.
Për fat të mirë, marrëdhëniet që ndërtova me artistët amerikanë gjatë kohës sime në Evropë më ndihmuan të lidhesha me skenën e xhazit në New York City. Teksa zotëroja mjeshtërinë time, nën udhëheqjen e bateristëve legjendarë të ndjerë Muhammad dhe Milford Graves, pikërisht në New York City fillova gjithashtu bashkëpunimet afatgjata me Fondin Kombëtar për Artet “Jazz Master Liebman”, kompozitorin dhe saksofonistin fitues të çmimit Grammy, Lovano, si dhe emra të tjerë të mëdhenj si George Garzone dhe Ben Street. Këto shkëmbime kulmuan së fundmi me albumin tim debutues, “Sparkle from the Infinite”, (në shqip: Shkëndijë nga pafundësia), i cili u publikua në tetor të vitit 2024.
Gjatë udhëtimit tim si student dhe profesionist, ka ekzistuar një reflektim personal lidhur me atë që xhazi përfaqëson përtej thjesht të bërit muzikë. Muzika xhaz, edhe pse e ndikuar nga shumë kultura dhe stile muzikore përgjatë zhvillimit, lindi nga shtypja e vazhdueshme e qytetarëve me ngjyrë në SHBA, një komunitet që u rrit dhe u zhvillua përballë një shteti represiv.
Duke qenë se jam rritur në Mitrovicë, e di shumë mirë se çka do të thotë jesh pjesë e një komuniteti që ka qenë i detyruar të durojë sulme ndaj të drejtave themelore të njeriut. Shteti jugosllav gjatë viteve ’90-a iu nënshtrua regjimit të udhëheqësit serb, Slobodan Milošević. Ne përfunduam në një komunitet që një shtet represiv e detyroi të jetonte, të rritej dhe të mbijetonte në një sistem paralel. Ishte e rrezikshme të flisnim shqip në publik, sistemi arsimor ishte i ndaluar për shkak të mbylljes së shkollave dhe, më e tmerrshmja, ishim dëshmitarë të asaj që përfundimisht u shndërrua në spastrim etnik të popullit tonë.

Gjatë kohës sime në KUG. Foto nga arkivi i autorit.
Vështirësitë që kam përjetuar dhe vazhdoj t’i ballafaqoj, si rezultat i prejardhjes sime dhe agjendave politike të së kaluarës dhe të tashmes, më lejojnë t’i përqafoj rrënjët e xhazit. Si ambasador i vetëshpallur i xhazit nga Kosova që jeton në SHBA, e kam për mision ta ndaj këtë muzikë si simbol të fuqishëm të luftës për liri nga të gjithë popujt e shtypur.
Për mua, xhazi është liri
Është qenësore që kuratorët të kenë njohuri lidhur me atë që po ndodh përtej rrethit të tyre të ngushtë. Udhëtimet, rrjetëzimi dhe angazhimi — qoftë përmes paneleve artistike, konferencave, koncerteve apo programeve të festivaleve — janë mënyra për të fituar në vazhdimësi dhe për të shkëmbyer njohuri me ekspertë, studiues dhe muzikantë nga e gjithë bota.
Nëse kuratorët në Kosovë do të përqendroheshin te shkëmbimet, bazuar në përvojën time, ndikimi do të ishte i padiskutueshëm: një nivel më i lartë i profesionalizmit muzikor, programe më të larmishme dhe një profil ndërkombëtar më i ngritur i sektorit të arteve dhe kulturës në Kosovë, duke përfshirë edhe artistët individualë.
Krahas kësaj, duhet të ndërmerren hapa që xhazi të konsiderohet zhanër i veçantë. Nga përvoja ime, shumica e artistëve dhe grupeve që përfaqësojnë Kosovën në festivalet si “Jazz Festival Prishtina”, “Peja Jazz Festival” apo “Mitrovica International Jazz Days”, nuk do të klasifikoheshin si xhaz artistë në një skenë ndërkombëtare. Muzika xhaz po përdoret si term i pasaktë për stile të tjera muzikore (rok, pop, etno-fuzion, etj.), në këto festivale dhe në aktivitete të tjera kulturore, që pretendojnë se përfaqësojnë këtë zhanër.
Gjendja aktuale e skenës së xhazit në Kosovë ngre dyshime serioze për diversitetin dhe transparencën e praktikave kuratoriale.
Nëse publiku në Kosovë nuk ekspozohet ndaj rrënjëve dhe kuptimeve autentike të xhazit, si mund të krijohet me të vërtetë ndjenja e thellë e vlerësimit dhe kuptimit të kësaj muzike?
Gjendja aktuale e skenës së xhazit në Kosovë ngre dyshime serioze për diversitetin dhe transparencën e praktikave kuratoriale. Nepotizmi dhe burokracia kufizojnë zhvillimin institucional në Kosovë. Nëse e njëjta gjë ndodh edhe në skenën e xhazit në Kosovë, atëherë e kuptoj pse ekzistojnë shumë pak mundësi për të nxitur një komunitet më dinamik dhe gjithëpërfshirës. Zbatimi i formave si përzgjedhja e kuratorëve përmes ftesave apo lansimi i thirrjeve publike mund të kontribuojë në ndërprerjen e këtyre praktikave.
Shumë organizata artistike në SHBA dhe në vende të tjera evropiane, procesin e tyre kuratorial dhe të përzgjedhjes e bëjnë të qasshëm për publikun përmes komunikatave për shtyp, rrjeteve sociale dhe promovimit. Në Kosovë nuk e vërej të njëjtën gjë, çka sugjeron se zhvillohet një proces më i brendshëm i përzgjedhjes.
Që nga viti 2006, nuk jam ftuar zyrtarisht për të ndarë muzikën time me publikun në Kosovë. Kjo nuk ka ardhur si pasojë e mungesës së përpjekjeve. Gjatë gjithë kësaj kohe jam përpjekur disa herë të krijoj marrëdhënie profesionale me kuratorët e festivaleve në Kosovë, për ta dhënë kontributin tim si muzikant dhe mësues, por nuk kanë shprehur interesim bashkëpunimi.

Foto: Anna Yatskevich
Kur punon me kuratorë nga New York City dhe nga e gjithë Evropa, ekziston një nivel i caktuar profesionalizmi. Kuratorët dhe stafi i tyre përgjegjës brenda skenave të tyre të xhazit i përgjigjen aktivisht propozimeve për bashkëpunim dhe, nëse takimet fillestare janë të suksesshme, zhvillohen bisedime për t’i finalizuar edhe kushtet kontraktuale, përfshirë planifikimin e performancave, pagesën, udhëtimin dhe akomodimin. Ndërkaq përvoja ime me Kosovën ma dëshmon se ka mungesë profesionalizmi.
Dua të jem në gjendje ta eksploroj këtë lidhje muzikore me publikun në vendin tim, por strukturat vendase më pengojnë ta bëj këtë.
Disa nga udhëheqësit e festivaleve në Kosovë më kanë kontaktuar së fundmi, duke shprehur interesin për të më ftuar mua dhe bashkëpunëtorët e mi, megjithatë kur i pyes për afatin fillestar dhe kushtet e angazhimit, ose nuk përgjigjen, ose pretendojnë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të ftuar artistë nga SHBA. Këto veprime shpërfaqin kundërthënie, marrë parasysh faktin se në edicionet e fundit të këtyre festivaleve kanë marrë pjesë disa performues, madje edhe emra kryesorë, të cilët aktualisht jetojnë në SHBA ose jashtë vendit.
Gjatë fjalimit hapës të kryeministrit Albin Kurti në “Prishtina Jazz Festival” në vitin 2024, ai u shpreh: “Jam i nderuar që jam sonte me ju dhe po e vazhdoj traditën e zhanrit më demokratik muzikor në Kosovë, që është ‘Jazz Fest Prishtina’”.
Nëse Festivali i Xhazit në Prishtinë është “zhanri më demokratik muzikor në Kosovë”, atëherë si ka mundësi që një muzikant si unë, një kosovar nga Mitrovica me arsimim të lartë dhe profil ndërkombëtar në skenën xhaz, nuk përfshihet? Rrugëtimi im në muzikë ka pasur gjithmonë për qëllim t’i lidhë njerëzit duke ndërtuar ura, jo duke i mbyllur ato. Çdo shkëmbim me publikun është përvojë e veçantë dhe transformuese. Dua të jem në gjendje ta eksploroj këtë lidhje muzikore me publikun në vendin tim, por barrierat strukturore të brendshme më pengojnë ta bëj këtë.
Për ta ngritur skenën e xhazit, Kosova duhet të marrë shembull nga ky model botëror i shkëmbimit, për t’iu ofruar si artistëve, ashtu edhe publikut të saj, përvoja muzikore që shkojnë përtej status quo-së.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.