Blogbox | Home

Iluzioni i një jete më të mirë

Nga - 18.07.2023

Migrimi jashtë vendit paguhet, por kërkon sakrifica të mëdha.

Lidhja familjare është lidhje e shenjtë për mua dhe besoj se e tillë është për shumicën prej nesh. Mendoj gjithashtu se mirëqenia e një kombi ndërlidhet me mirëqenien e familjeve që e përbëjnë atë dhe me masën e dashurisë dhe mbështetjes që njerëzit ia dhurojnë njëri-tjetrit. Ndonjëherë mendoj për sakrificat që prindërit e mi kanë bërë për mua dhe vëllezërit e motrat e mia dhe e di sa e vështirë duhet të ketë qenë për ta. Nëna dhe babai vijnë të dy nga shtëpi ku shumë anëtarë të familjes jetonin së bashku nën një çati. Ata vishnin rrobat që ua falnin dhe  luanin me lodra të punuara me shkopinj e gurë për ta kaluar kohën dhe e di se iu desh të përpiqeshin shumë për ta siguruar një të ardhme më të mirë për brezin e ardhshëm.

Nëna u rrit në një mjedis familjar tiranik, të cilin unë ende e kam të vështirë ta kuptoj, ndërsa babai jetoi në ekstremin tjetër: babai i tij vdiq kur ai kishte pothuajse 13 vjeç dhe iu desh ta merrte përsipër menjëherë barrën e një të rrituri. Pavarësisht këtyre sfidave, ata ia dolën ta ndërtonin një mjedis të ngrohtë familjar për mua dhe vëllezërit e motrat e mia.

Por për ta arritur këtë, u deshën sakrifica. Në fëmijëri, babai shkonte në punë para se unë të zgjohesha dhe shpesh më zinte gjumi natën para se ai të kthehej. Ai ishte zdrukthëtar dhe në Kosovën e pasluftës kishte kërkesa të mëdha për mjeshtërinë e tij dhe familja e tij pesë-anëtarëshe kishte nevojë të pafund për të pasi shtëpia ishte e shkatërruar. Duke pasur parasysh atë sakrificë, nuk mund ta mendoj kurrë të largohem nga prindërit e mi. Ndihem më mirë në një të ardhme ku përfshihem drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe do të mund t’ua kthej këtë mbështetje dhe përkujdesje.

Sinqerisht, kam menduar të jetoj jashtë vendit. Të tundon, sidomos gjatë kohës së vështirësive financiare apo personale, të mendosh për të ikur nga Kosova. Por ka edhe mangësi. Këtë e kam parë nga përvoja e të afërmve që jetojnë jashtë vendit. Çdo vizitë në shtëpi prodhon lot gëzimi që po ribashkohen me familjen, por edhe lot të hidhur pikëllimi kur humbin ngjarjet më të rëndësishme në jetën e njëri-tjetrit. Kanë zgjedhur ta kenë një jetë që është më e qëndrueshme financiarisht, por kanë sakrifikuar gëzimin e të qenit të pranishëm në jetën e njerëzve që kanë rëndësi të madhe.

Bindjet e mia për anët pozitive dhe negative e të shkuarit jashtë vendit u qartësuan një mbrëmje kur të dy prindërve të mi iu  desh t’u nënshtroheshin intervenimeve urgjente mjekësore në një vend fqinj. Ata kishin nevojë për fëmijët e tyre. Teksa i dërgova për në spital, biseduam për tema të thella me prindërit dhe u ndieva shumë i gëzuar që isha aty për ta, për t’i mbështetur atëherë kur kishin nevojë për mua.

Atë natë qëndrova në shtëpinë e mikut tim duke pritur lajme për operacionin dhe mendova se çka mund të shkonte keq dhe sa e rëndësishme ishte që isha aty, afër, i gatshëm për të vepruar dhe për të ndihmuar. Gjithçka shkoi si duhet. Sot ne qeshim se si kur shkova për t’i vizituar pas operacionit dhe isha me rroba spitali, prindërit nuk më njohën dhe më përshëndetën me “Përshëndetje doktor”.

U bëra edhe më i vendosur në mendimet e mia rreth ikjes jashtë vendit kur lindi mbesa ime. Isha në spitai, duke admiruar fytyrën e saj engjëllore, teksa flinte në krahët e vëllait tim. Kur ma dha ta mbaja, kuptova se isha personi i tretë në botë që e mbajta atë. Nuk ka thesar më të çmuar. Një jetë ku nuk mund të jem pjesë e këtyre momenteve — ose më mirë të them e këtyre mrekullive — do të ishte jetë e varfër.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla përmes Midjourney.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?