Në thelb | Shëndeti | Korrupsioni

Industria e farmaceutikës në gjendje kronike

Nga - 05.06.2018

Korrupsion, skandale dhe medikamente të papërshtatshme.

Medikamentet, nga natyra e tyre duhet t’i shërojnë njerëzit. Por në Kosovë, gjendja kronike e industrisë farmaceutike shpesh ka efekt të kundërt, duke lënë qytetarët – dhe shtetin – të varfër dhe në gjendje të keqe shëndetësore.

Telashet fillojnë që nga regjistrimi i barnave, pasiguria në cilësinë e tyre, deri tek dyshimet për raportin korruptiv mjekë- kompani farmaceutike, duke vazhduar më tej me blerje të barnave shumëfish më shtrenjtë se sa çmimi real dhe Lista Esenciale e barnave, që është e hartuar në bazë të interesave të operatorëve farmaceutik e jo nevojave të pacientëve. Të gjitha këto, e bëjnë fushën e farmacisë si një nga fushat më problematike dhe korruptuese në Kosovë.

Pothuajse të gjitha hallkat e zinxhirit të cilat do të duheshin të monitoronin farmaceutikën, kanë dështuar.  Zyrtarë të lartë publik janë duke u përballur me drejtësinë dhe disa prej tyre janë dënuar me vendim të formës se prerë. Ndërsa të gjitha qeveritë deri më tash kanë dështuar të krijojnë një treg të sigurt farmaceutik, ku sistemi publik nuk do të ndikohet nga operatorët privat farmaceutik.

Ndërsa për qytetarët, rezultati përfundimtar është blerja e barnave nga xhepat e tyre, për të cilat do të duhej të paguante shteti. Përveç kësaj, në disa raste profesionistët mjekësor kanë ngritur dyshime për cilësinë e ilaçeve që përdoren për trajtimin e qytetarëve të Kosovës.

Prokurimi rrëmbyes publik

Në vitet e fundit janë zbuluar shumë nga këto të meta dhe abuzime, të cilat fillimisht portretizoheshin si probleme të natyrshme për një industri të sapolindur.

Shembull konkret është Lista Esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë, që përmban barna dhe pajisje me të cilat Ministria është e detyruar të furnizoj spitalet e Kosovës. Deri më tani, Ministria nuk ka prezantuar rregullore të tregut për këto produkte esenciale, duke i lënë operatorët ekonomik të vendosin çmimet siç u pëlqejnë, në përputhje me dëshirat e tyre.

Që nga viti 2016, çmimet e shumë barnave individuale të blera nga Ministria janë rritur në mënyrë dramatike pa asnjë arsyetim. Kjo kosto disa-milionëshe, që i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë, fillimisht është zbuluar nga gazeta Koha Ditore e me pas është trajtuar nga organizatat joqeveritare.

Muajin e kaluar, Instituti Columbus që merret kryesisht me prokurimin e kujdesit shëndetësor, ka publikuar raportin “Depoja e Keqpërdorimeve Farmaceutike”. Ky raport jep të dhëna për 200 produkte mjekësore ose pajisje që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë me çmime abuzive, duke treguar se në vitin 2016 kompanitë e njëjta të cilat e kanë furnizuar Ministrinë,  kanë rritur pothuajse të gjitha çmimet, nga 100 përqind deri në 2,000 përqind.

Shkalla e buxheteve në fjalë është shumë e lartë. Në vitin 2017, kjo Ministri, ka pasur në dispozicion rreth 21 milionë euro për furnizim me barna dhe pajisje – një pjesë e madhe e këtij buxheti, deri në rreth 40 përqind i dedikohet citostatikëve (barna për trajtimin e kancerit).

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e pranon se ka probleme në sektorin e farmaceutikës dhe thotë se do të garantojë të mos ketë më abuzime me buxhetin publik. Foto nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Ministria ka thënë se është në procesin e krijimit të një Udhëzimi Administrativ që do të përcaktojë kushtet për blerjen e ilaçeve dhe do të rregullojë kostot e barnave esenciale që kërkohen për furnizimin e spitaleve publike. Sipas Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, deri më tash, vetëm Kosova dhe Bjellorusia nuk kanë pasur bazë ligjore për përcaktimin e çmimeve të barnave.

“Nuk mund ta shëroj historinë, por mund të përkujdesem që abuzimi me buxhet të mos përsëritet”, ka thënë Ismaili për K2.0. “E për këtë na duhet një bazë e mirë ligjore”.

Por pas gati nëntë muajsh, Ministri Ismaili nuk ka ndërmarr ende ndonjë iniciativë konkrete për rregullimin e tregut privat farmaceutik – që do të ndihmonte në rritjen e sigurisë së produkteve brenda këtij tregu.

Gjithashtu, që në ditët e para të marrjes së postit, Ministri Ismaili është përballur me skandalin e blerjes se çmimit të barnave të Listës Esenciale për institucionet publike shëndetësore, shumëfish më shtrenjtë se sa çmimet në tregun privat.

Avokati Visar Ramaj, i cili ka përfaqësuar shumë raste të prokurimit të barnave ose materialit shpenzues, thotë se, në Kosovë ka munguar kontrolli i industrisë farmaceutike si dhe transparenca e cila do ndihmonte në rritjen e konkurrencës. “Kosova nuk ka ende kontroll efektiv mbi çmimet”, thotë ai. “Po ta kishte, do të parandalonte blerjet me çmime më të larta se çmimet e tregut”.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe Ministria e Shëndetësisë në disa raste kanë ndarë fonde për barna të caktuara, të cilat kanë qenë më shumë se vlera e tregut.”

Visar Ramaj, avokat

Sipas tij, Kosova nuk ka sistem të hapur të blerjeve të parashikuara afatmesme (3-5 vite) e cila do ndihmonte që kompanitë e reja të hynin në treg, që do të thotë se kompanitë e mëdha janë në gjendje të dominojnë. “Kosova ende nuk ka strategji të përkrahjes së prodhuesve vendor, por edhe të kompanive të cilat mund të blejnë dokumentet e regjistrimit”, ka deklaruar avokati.

Ramaj thekson, se në vitet e fundit ka pasur një sërë problemesh në lidhje me prokurimin e barnave në sektorin publik. Disa nga problemet që kanë të bëjnë me blerjen e barnave, ai i lidh me mënyrën se si ka funksionuar prokurimi në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Problemi i dytë më serioz, ka qenë me ndarjen e buxhetit për blerje të produkteve farmaceutike. Në mungesë të kritereve ligjore për kontroll të çmimit dhe ndarjes së fondeve reale sipas çmimit të tregut, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe Ministria e Shëndetësisë në disa raste kanë ndarë fonde për barna të caktuara, të cilat kanë qenë më shumë se vlera e tregut”, thotë Ramaj, duke cekur se kjo ka ndikuar që të deformohet konkurrenca në tender dhe që kompani të caktuara të aplikojnë me çmime maksimale sa është ndarë buxheti.

Isuf Zejna, hulumtues në Democracy Plus, thotë se kosto e medikamenteve të blera për sektorin publik është rritur drastikisht, por se kjo nuk reflekton rritje në nivelin e kualitetit të medikamenteve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Eksperti i prokurimit Isuf Zejna, është hulumtues në organizatën joqeveritare Demokraci Plus (D+) e cila ka kaluar dy vitet e fundit duke monitoruar Organin Shqyrtues të Prokurimit, institucionin përgjegjës për trajtimin e ankesave në procesin e prokurimit publik. Zejna thotë se, çështjet e lidhura me prokurimin e ilaçeve në sistemin publik, vetëm sa janë përkeqësuar më shumë gjatë viteve të fundit.

“Prokurimi i barnave në shumë raste bëhet me procedura të gabuara të prokurimit publik dhe për pasojë nuk merren produktet me cilësinë dhe çmimin më të mirë”, thotë ai. “Çmimi i barnave të cilat blihen përmes prokurimit ka shënuar një ngritje shumë të lartë, por cilësia në raste të caktuara, ka stagnuar dhe është përkeqësuar”, ka deklaruar ai.

Sipas Zejnës, problemi është që Kosova nuk e përditëson Listën Esenciale, e cila për herë të fundit është përditësuar në vitin 2013.

“Kemi një Listë Esenciale të barnave e cila nuk i përshtatet nevojave të institucioneve shëndetësore, por një numri të kufizuar të kompanive farmaceutike”, thotë Zejna.

Sipas ministrit Ismaili, Lista Esenciale do të revidohet brenda këtij viti.

“Ne vetëm kemi filluar punën në revidimin e Listës Esenciale. Janë krijuar komisionet dhe do të përfundohet brenda një afati të arsyeshëm” ka thënë Ismaili. ” Revidimi do të mbikëqyret nga ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe patjetër që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes”.

Barnat e (pa) sigurta

Sipas Institutit Columbus, milionat që i ka humbur Ministria e Shëndetësisë nga blerja e barnave me çmime shumëfish më të shtrenjta, mund të gjurmohen tek një Udhëzim Administrativ i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2016. Udhëzimi paraqiti kritere të rritura të testimit të cilësisë për barnat e blera nga shteti si pjesë e Listës Esenciale të Barnave, por njëkohësisht i la disa kompani me një monopol virtual të tregut.

Më parë, barnat që ishin regjistruar në Evropë, Amerikë, Australi apo Kanada ishin të ligjshme për t’u blerë nga shteti, që do të thotë se kompanitë ndërkombëtare mund të konkurronin lehtësisht për tenderët e Kosovës, pra në këtë mënyrë kompanitë e licencuara duhej të ishin konkurruese për çmimet.      Por, Udhëzimi i ri kërkonte që ilaçet të regjistroheshin edhe në Kosovë, duke krijuar kosto shtesë dhe duke i dekurajuar kompanitë ndërkombëtare që nuk ishin të gatshme të rrezikonin edhe më shumë për të konkurruar në një treg të paqëndrueshëm. Pa konkurrencë nga jashtë dhe pa rregullore të tregut, numri i kufizuar i kompanive të bazuara në Kosovë mund të vendosnin pothuajse çfarëdo çmime, sipas dëshirave të tyre.

Ndërkohë, kriteret shtesë për regjistrim teoritikisht duhet të nënkuptojnë standarde më të larta të cilësisë, pasi produktet duhet të kalojnë teste shtesë për cilësisë, mirëpo institucioni që është përgjegjës  për garantimin e cilësisë, Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM), prej themelimit të tij pasluftës është përcjellë me shumë skandale.

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM) ka për detyrë garantimin e kualitetit të medikamenteve në Kosovë, por kjo agjenci është hedhur nga një skandal në tjetrin në vitet e fundit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ish kryeshefi i AKPPM-së Ilir Dushi, është mes një numër zyrtarësh që përballen me akuza për shpërdorim të pozitave ose autorizimeve të tyre zyrtare, siç janë edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me sektorin farmaceutik.

Në vitin 2016 ,kryeshefi aktual i AKPPM-së Jeton Shala, ka qenë i akuzuar nga Prokuroria e Shtetit në lidhje me skandalin e vjedhjes se barnave të konfiskuara të cilat po mbaheshin në AKPPM. Përveç barnave, atëkohë ishin vjedhur edhe laptopë me të dhëna shumë të rëndësishme të Marketing Autorizimit të barnave. Ndonëse prokurori kishte punuar dy vjet deri në ngritjen e aktakuzës, vullnetarisht ishte tërhequr në seancën e parë.  Mediat kanë tentuar të kërkojnë nga Prokuroria e Shtetit që të kenë qasje në dokumentin që përmban arsyen e tërheqjes së prokurorit, por ky institucion nuk ka lejuar qasje.

Vitin e kaluar, AKPPM është futur në një cikël skandalesh, ku rreth një milionë banderola dyshohet se kanë përfunduar në tregun e zi.

E dhëna është evidentuar në një raport auditimi që mban të stampuar statusin “Jo për publikim”, por që disa të dhëna të këtij raporti i kanë publikuar mediat.

“Ne kemi identifikuar mospërputhje në mes banderolave të shtypura (21,340,784) dhe atyre të shitura (20,503,919). Pra, kemi një diferencë prej 836,865 njësive të shtypura”, thuhet në gjetjet e raportit pjesërisht të zbuluar, të cilat i referohen periudhës janar-shtator 2017.

“Bazuar në këtë fakt, AKPPM-ja ka dështuar që të ketë kontroll të plotë mbi menaxhimin adekuat të banderolave. Ky dështim ka dy kahje: në njërën anë në AKPPM ka mungesë të të hyrave për këto diferenca dhe tjetri efekt është se këto banderola mund të dalin në tregun informal”, thuhet në raport.

Përveç kësaj, në fillim të këtij viti mediat kanë raportuar edhe për një keqpërdorim në AKPPM, i cili ka bërë bujë. Rreth 300,000 euro janë përdorur nga kodet e ndryshme buxhetore për udhëtimet ndërkombëtare, ndërsa menaxhmenti i institucionit mund të demonstronte vetëm dokumentacion adekuat për 32,000 euro të shpenzuara për udhëtime jashtë vendit. Pas publikimit të rastit, tre zyrtarë janë pezulluar nga puna dhe një është arrestuar. Ndërsa hetime të mëtejshme janë duke u zhvilluar.

Për disa javë, Kosovo 2.0 ka provuar të flasë me kryeshefin e AKPPM-së Jeton Shala, por ai nuk i është përgjigjur kërkesës.

Shala kohëve të fundit nuk po deklarohet për mediat, por në muajin prill është obliguar të marr pjesë në Komisonin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Deputetët pjesëmarrës, që kryesisht janë mjekë me profesion, shfaqën publikisht dilemat se barnat që përdoren në Kosovë nuk kanë cilësi të garantuar.

“AKPPM deri më tani, nuk ka dëshmuar kapacitete të matjes së cilësisë së produkteve shëndetësore.”

Besim Kodra, Shoqata për të Drejtat e Pacientit

I gjithë institucioni, që pretendon se e matë cilësinë e barnave, ka vetëm 39 të punësuar, ndërsa  laboratori që kanë është pothuajse jofunksional dhe të rralla janë barnat që analizohen në të.

Në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, deputeti i Kuvendit dhe njëherësh anëtar i komisionit Naser Rugova, deklaroi se ka shumë raste kur në barna mungon substanca aktive. “Një nga rastet është i një pacientit, të cilit gjatë një vizite në Suedi i është përkeqësuar gjendja dhe gjatë trajtimit atje, barnat të cilat i ka përdorur në Kosovë i kanë analizuar, me arsyetimin se ky bar është dashur ta parandaloj përkeqësimin e gjendjes”, tregon Rugova, duke shtuar se pas analizave, mjekët suedezë kanë ardhur në përfundim se në ato barna nga Kosova ka pasur mungesë të substancës aktive.

Substancat aktive janë elementi më i rëndësishëm i barnave, pasi ato përcaktojnë efektin dhe aktivitetin e tyre. Përveç substancës aktive, barnat përmbajnë gjithashtu substancat ndihmëse të cilat ndihmojnë në përthithjen e medikamentit.

Një lloj medikamenti që ishte veçanërisht problematik dhe shkaktoi një debat publik vitin e kaluar, ishte insulina Biosimilar, me të cilën Ministria e Shëndetësisë kishte vendosur t’i furnizojë pacientët kosovar të prekur nga diabeti. Përdorimi i kësaj insuline është kontestuar nga dy endokrinologë, Bardhyl Gashi dhe Luan Gola, ku në nëntor të vitit 2016 kishin paralajmëruar se pasojat e këtij produkti mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme për pacientët.

Ankesën e kishin paraqitur para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ku Gashi kishte treguar me fjalë të ashpra opinionin e tij mbi insulinën e re, duke thënë se: “Qytetarët nuk do të duhej të ishin shtazë eksperimentale”.  

Para më shumë se dy viteve, ishte raportuar se Kosova është vendi i vetëm në Evropë që e përdorë insulinën Biosimilar emri i së cilës është Gensulinë. Vetë qytetarët e Kosovës publikisht kanë folur për përkeqësim të gjendjes pasi kanë filluar të trajtohen me këtë lloj insuline. Shumë pacientë janë ankuar në media se kjo insulinë nuk po rezulton me efekt, deklaratat e të cilëve janë mbështetur nga mjekët që i trajtonin po këta pacientë.

Në vitin 2016 pacientët dhe doktorët janë ankuar për kualitetin e një llojit të insulinës të quajtur Gensulin, ku ishte raportuar se Kosova është i vetmi shtet në Evropë që e përdorë këtë medikament. Foto: Creative Commons.

Besim Kodra, kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientit (PRAK) konsideron që AKPPM-ja nuk është në gjendje të përmbush detyrën e saj për matjen e cilësisë  së barnave.

“AKPPM deri më tani, nuk ka dëshmuar kapacitete të matjes së cilësisë së produkteve shëndetësore”, është shprehur Kodra, sipas të cilit, disa herë janë ngritur shqetësime se barërat nuk e kanë cilësinë e duhur dhe ky agjencion nuk ka qenë në gjendje tu përgjigjet këtyre shqetësimeve. “Prandaj, konsiderojmë se duhet më shumë investime në cilësinë e shërbimeve të tij”.

Edhe për Isuf Zejnën nga organizata D+, AKPPM përveç që nuk cilësohet si garantues cilësie, ky institucion shihet me shumë si “garantues monopli për kompani të caktuar”.

“Përshtypja e përgjithshme është se ky institucion nuk e kontrollon cilësinë e barnave, mirëpo më shumë luan rolin e garantimit të disa pozitave apo monopoleve të kompanive në treg”, thotë Zejna. “Të lë përshtypjen se më shumë ekziston për të ngarkuar buxhetin e Kosovës me shpenzime – sesa që i shërben publikut.

Flirtimi i mjekëve me kompani farmaceutike

Përveç dyshimeve për kostot mjekësore dhe cilësinë e barnave në Kosovë, ka dyshime të mëdha edhe për “relacionin” e mjekëve me kompani farmaceutike.

Kompanitë farmaceutike që nga paslufta, kanë realizuar fushatë në drejtim të mjekëve që punojnë në spitale publike, duke gjetur forma të ndryshme përmes të cilave i kanë joshur me kushtin që t’i përshkruajnë barnat e këtyre kompanive. Nëpërmjet hetimeve u zbulua se kjo dukuri ka qenë veçanërisht e shprehur në mesin e doktorëve familjar në sektorin e shërbimeve shëndetësore primare.

Të joshur në mënyra të ndryshme nga kompanitë farmaceutike, këta mjekë dyshohet se i orientonin pacientët duke ua përshkruar në recetë emrin tregtar të ilaçit, emrin e kompanisë prodhuese, e në disa raste edhe ngjyrën e paketimit të barit.

“Lidhja e mjekëve me kompanitë është e evidentuar dhe shumë herë e dokumentuar.”

Isuf Zejna, Democracy Plus

Për këtë, është nisur një hetim penal në drejtim të shumë kompanive. Megjithatë, Prokuroria e Shtetit përveç që ka konfirmuar hetimin, nuk ka bërë asgjë publike.

Përshkrimi i barnave me emër të fabrikuar është i ndaluar me Ligjin për Shëndetësi. Me të njëjtin ligj mjekët e kanë të ndaluar edhe çdo përfitim material nga kompanitë farmaceutike.

“Kriteri ligjor është shumë i qartë: mjeku është i detyruar të përshkruaj produktet farmaceutike vetëm bazuar në emrin gjenerik të pambrojtur”, është shprehur Ramaj. “Çfarëdo përshkrimi sipas prodhuesit është shkelje ligjore. Ministria, Drejtoritë Komunale të Shëndetësisë dhe QKUK kanë për obligim të sigurojnë zbatimin e kësaj praktike”.

Por se zbatimi i ligjit nuk është bërë në shumë raste, është i mendimit dhe Besim Kodra nga PRAK.

“Konsiderojmë se ka një lidhje mes një pjese të stafit shëndetësor me kompanitë farmaceutike. Vet përshkrimi i barnave me emra specifik tregon lidhjen mes tyre”, thotë ai. “Gjithashtu, përshkrimi i madh i barnave që dallon nga vendet e tjera, të krijon edhe më shumë dyshime”.

Për Zejnën nga D+ mbi këto dyshime shpesh janë gjetur fakte të pakontestueshme.

“Lidhja e mjekëve me kompanitë është evidentuar dhe shumë herë e dokumentuar”, tregon Zejna. “Për fat të keq, nuk kemi një monitorim dhe inspektim të këtyre lidhjeve”, shton ai, duke thënë se lidhjet e ngushta mes mjekëve dhe kompanive farmaceutike mund të dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve, duke shkaktuar një rritje në çmimet e barnave si dhe potencialisht shitjen e barnave me cilësi të ulët.

Abuzimet me përshkrimin e barnave i ka dëshmuar edhe aktakuza “Stenta” në të cilën janë të përfshirë më shumë se 60 mjekë, profesionistë mjekësor dhe politikan po gjykohen rreth referimit te pacientëve nga spitali publik në atë privat për shërbime kardiologjike në shkëmbim të parave.

Edhe pse Prokuroria e Shtetit nuk i ka cilësuar bisedat e mjekëve me kompani farmaceutike si të rëndësishme për “pazarin me zemër”, këto biseda tregojnë se marrëveshje mes kompanive dhe mjekëve mbi recetat medicinale kanë ndodhur.

“Realisht, nuk jam marrë këta muajt e parë më këtë çështje për shkak të problemeve emergjente që kanë kërkuar zgjidhje emergjente.”

Uran Ismaili, Ministër i Shëndetësisë.

Dëshmitë e zbuluara gjatë hetimit të çështjes “Stenta” tregojnë se, brenda dy muajve dyshohet se dy mesazhe u janë drejtuar një numri të madh mjekësh. Nga përmbajtja e mesazheve vërehet se shkruesja, një person me emrin Sellma, është pjesë e një kompanie farmaceutike, por nuk dihet saktë se kush është ajo. Mesazhet e drejtuara në shumë numra të telefonit, në të njëjtën kohë dyshohet se janë dërguar me qëllim që të inkurajojnë mjekët të rrisin përshkrimin për disa barna të caktuara.

“Përshëndetje të nderuar. Ju lus që të nisni përshkrimin në Bivol, Carvedilen, Plavidosa sepse shitjen e kemi shumë keq. Me respekt Sellma”, thuhet në mesazhet e siguruara nga Policia e Krimeve Ekonomike që janë pjesë e dosjes së hetimit në rastin “Stenta”. Ky mesazh dyshohet që u është përcjellë një numri të madh mjekësh, më 6 qershor të vitit 2012.

Një muaj më vonë, më 16 korrik 2012, i njëjti numër dërgoi një mesazh tjetër tek mjekët, përmes të cilit kërkoi përshkrimin e barnave të kompanisë së tyre dhe u kujtoi mjekëve të punonin “sipas marrëveshjes”. Aty shkruan se janë të pakënaqur me numrin e vogël të përshkrimit të dy llojeve të barnave.

“Përshëndetje të nderuar. Desha të ju informoj se kemi vërejtje për Carvedilen dhe Plavidosa. Ju lus që t’i përshkruani ato të kompanisë tonë që të jemi edhe ne korrekt në bashkëpunim”, thuhet në mesazh, duke vazhduar se përshkrimi i këtyre barnave është në interes të të gjitha palëve.

Ministri Ismaili ka pranuar se deri më tash nuk është marrë shumë me këtë çështje.

“Realisht, nuk jam marrë këta muajt e parë më këtë çështje për shkak të problemeve emergjente që kanë kërkuar zgjidhje emergjente nga unë si ministër”, i tha K2.0. “Sigurisht që kjo çështje është problematike dhe kërkon zgjidhje të shpejtë”.

Ministria e Shëndetësisë sigurisht ka shumë punë për të bërë, por nëse çështjet themelore në sektorin farmaceutik nuk adresohen shpejt dhe tërësisht, prognoza për zhvillimin e një sistemi shëndetësor funksional që punon për pacientët mund të jetë terminale.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Redaktuar nga Leurina Mehmeti dhe Jack Butcher.

Kthehu në Monografinë e Shëndetit

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.