S`fundmi

K2.0 flet për hapësirën publike

Nga - 06.09.2024

Përmbledhje e diskutimit për hapësirën publike.

Të martën, më 3 shtator, rreth 60 njerëz u mblodhën në oborrin e K2.0 për diskutimin “Hapësira publike, e kujt?” 

Kjo bisedë ndodhi si përpjekje për të hedhur dritë mbi zhvillimet e fundit në lidhje me mbylljen e Qendrës për Praktikë Rrëfyese (CNP), e cila ishte trashëgimia kryesore, që bienalja Manifesta 14 Prishtina do t’ia linte Prishtinës dhe pastaj bartjen e disa zyrave të Drejtorisë së Kulturës të Prishtinës në një pjesë të kësaj ndërtese, gjë që ngjalli kundërshti te punëtorët e pavarur të kulturës, artistët, organizatat e artit dhe kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile. Të fundit, në qershor të këtij viti, reaguan përmes një letre publike drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, drejtores së Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal. Letra kërkonte, ndër tjera, lirimin e hapësirës së ish-bibliotekës Hivzi Sylejmani, si dhe nisjen e një procesi pjesëmarrës mbi të ardhmen e hapësirës. 

Më pas, në fund të qershorit u mbajt një takim i thirrur nga Komuna e Prishtinës në CNP, midis përfaqësuesve/eve komunalë/e dhe qytetarëve/eve për ta diskutuar të ardhmen e hapësirës dhe përgjithësisht për shfrytëzimin e hapësirave tjera publike në kryeqytet e përtej. Po ashtu, ky diskutim ndodhi kur Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, i miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2023, pritet të vendoset për votim në Parlament. Organizata të shoqërisë civile kanë shprehur kundërshti edhe për përmbajtjen e këtij ligji — duke thënë se rekomandimet e tyre për përmbajtjen e ligjit janë shpërfillur. 

Për t’i diskutuar këto çështje na u bashkuan Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, anëtari i bordit të Manifesta 14 Prishtina, Yll Rugova, përfaqësuesja e Punëtorëve në Art (PART), Rozafa Maliqi dhe Dren Puka, Drejtor për Avokim dhe Hulumtim në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.

Diskutimin e nisi Rugova, duke dhënë më shumë hollësi rreth asaj se pse CNP u mbyll në fillim të vitit, pse zyret e drejtorisë së kulturës janë në një pjesë të ndërtesës tani dhe për të ardhmen e hapësirës, sipas Manifesta 14 Prishtina. 

Programi i CNP ishte planifikuar të zgjasë deri në fund të vitit 2025, në bazë të kontratës në mes të Komunës së Prishtinës dhe Manifesta 14 Prishtina, por, sipas Rugovës, për shkak të disa ndryshimeve në ambasadën e Luksemburgut dhe Ministrinë e Kulturës, një pjesë e fondeve u ndërprenë më herët, duke rezultuar që programi të ndalet në fillim të këtij viti.

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, ndonëse ka pasur letra dhe kërkesa të shumta nga Manifesta 14 ndaj institucioneve, nuk u arrit një zgjidhje konkrete, por u arrit një marrëveshje verbale me Komunën e Prishtinës. Sipas Rugovës, dy palët mbërritën në një mirëkuptim që “Komuna e Prishtinës ta rimerr ndërtesën përkohësisht deri sa të përcaktohet një modalitet i ri i organizimit të hapësirës”. 

Megjithatë, sipas Rugovës, ky proces ka sjellë edhe keqkuptime, pasi Komuna e Prishtinës ende vazhdon të jetë aty, ndërkohë që ekzistojnë propozime të tjera për organizimin e qendrës. Në formë të një letre drejtuar kryetarit Rama, pak javë më parë, Manifesta 14 Prishtina ka kërkuar që të lirohet hapësira nga zyret e Drejtorisë së Kulturës dhe që ajo t’i rikthehet komunitetit.

“Esenca është që hapësira të mbetet për komunitetin dhe të mos jetë vetëm zyre për Drejtorinë e Kulturës, sepse në këtë mënyrë po e shuajmë edhe një hapësirë e cila është e hapur për komunitetin”, tha Rugova. Ai gjithashtu tha se nuk ka marrëveshje të nënshkruar me Komunën në lidhje me vendosjen e zyrave në hapësirë, dhe sipas kontratës që dy palët kanë, objekti i takon nën shfrytëzim dhe menaxhim Manifesta 14 Prishtina deri në dhjetor të vitit 2025. 

Rugova gjithashtu theksoi se po planifikohet një thirrje e hapur me të cilën ftohen organizatat të aplikojnë me program tre-mujor brenda hapësirave të CNP në mënyrë që ajo të jetë në funksion të tyre. Sipas këtij plani, do të krijohet një juri, që pastaj do t’i shqyrtojë këto propozime dhe do të përzgjedhë organizatat varësisht prej programit edhe kohës në të cilën ato janë propozuar.

Pas Rugovës, Rama, tha që Komuna ka ndërhyrë për ta mbajtur hapur këtë hapësirë, që ishte e mbyllur për shkak të mungesës së fondeve për Manifesta 14. Ai theksoi që qëllimi i Komunës është të ndihmojë që të mbahet hapur CNP për komunitetin deri sa të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme. Sipas tij, nuk ka pasur “tentativë të okupohet hapësira, por të mbahet hapur sepse ka qenë e mbyllur”. Ai tha se është i mendimit që komuniteti duhet të vendosë se çfarë ndodh me këto hapësira publike. Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës, pas bisedave me përfaqësues/e të Manifesta 14 Prishtina dhe në bazë të “mirëkuptimit” që është arritur në mes dy palëve, me këtë hap është munduar t’i ndihmojë organizatës që të rihapë CNP, në pamundësi të mbështetjes në forma tjera, si ato financiare. 

Ai thekson se sipas tij, gjendja në CNP është e njëjta dhe është hapësirë e hapur, me ç’rast i ftoi të gjithë të vijnë me një propozim për projekt apo program ku menjëherë e “marrin hapësirën. Për atë arsye ekziston Drejtoria e Kulturës, që t’i ndihmojë komunitetit, dhe jo të jetë kundër komunitetit”. 

Si përgjigje ndaj Rugovës edhe letrës të dërguar nga Manifesta 14 Prishtina për lirimin e hapësirës nga Komuna e Prishtines, Rama tha se janë të gatshëm ta lëshojnë hapësirën menjëherë “kurdo që vini me ndonjë projekt propozim apo program qe rezulton në mbajtjen e hapur të hapësirës.”

Më pas, Puka prezantoi propozimin e tyre, që është edhe pika e parë e letres të dërguar fillimisht te Komuna e Prishtinës nga punëtorët/et e pavarur/a të kulturës, artistët/et, organizatat e artit dhe kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile. Ai kërkoi nisjen e një procesi pjesëmarrës që nga fillimi, ku do të përcaktohej qartë qëllimi i hapësirës së CNP dhe do të krijohej një proces transparent me përfshirjen e komunitetit në përzgjedhjen e entitetit që do ta menaxhojë hapësirën. Puka theksoi rëndësinë e hartimit të një kontrate që të përcaktojë qartë përgjegjësitë dhe detyrat e secilës palë.

Sipas tij, CNP, fatkeqësisht “më së miri e shpërfaqë një problem tejet të madh që ne e kemi me qysh e definojmë hapësirën publike, kujt i takon hapësira publike dhe më pas në çfarë forme menaxhohet me hapësirën publike.”

Ne vazhdim, Maliqi tha se reagimi lidhur me CNP nuk është vetëm për shkak të rastit të fundit, por gjithashtu për shkak të urgjencës që te rikthehet kjo bisedë rreth hapësirave publike në përgjithësi. Ajo theksoi se “si komunitet, është e rëndësishme të fokusohemi në terme të përbashkëta dhe të krijojmë një vizion të përbashkët për hapësirat publike, duke qenë të gatshëm të veprojmë sa herë që një hapësirë e tillë rrezikohet.” Sipas saj, deri tani nuk ka pasur një konsultim të mirëfilltë me komunitetin për mënyrën se si do të menaxhohet hapësira e CNP dhe kjo është një pikë ku duhet të fillohet.

Maliqi theksoi që Drejtoria e Kulturës nuk është e thirrur për të menaxhuar një hapësirë publike. Ajo përsëriti nevojën për një thirrje të hapur për menaxhimin e kësaj hapësire dhe kërkon që drejtoria të largohet nga hapësira, duke e parë si hap të parë në këtë proces. Maliqi po ashtu shtoi se hapësira mund të menaxhohet dhe mirëmbahet pa nevojën e prezencës fizike së Drejtorisë së Kulturës në të. Ajo sugjeroi që të gjendet një formë e përbashkët për menaxhimin e hapësirës gjatë periudhës së tranzicionit dhe theksoi rëndësinë që ky proces të dizajnohet së bashku me komunitetin.

Në diskutim u përfshin edhe anëtarët/et e komunitetit, me ç’rast shtruan pyetje dhe ndanë pikëpamjet e tyre.

Një pikëpamje e shprehur ishte që Komuna përgjithësisht nuk u ka kushtuar rëndësi hapësirave publike, ku u përmendën disa raste, përfshirë edhe mungesën e renovimit të teatrit “Oda”, për të cilin patën nisur procedurat disa vite më parë; mosqasjen e disa organizatave në hapësirat publike për të cilat kanë nënshkruar memorandume me Komunën.

Po ashtu, një nga shqetësimet e ngritura ishte që hapësira e CNP nuk është më e hapur si më parë dhe se prania e administratës në hapësirë kufizon lirinë artistike aty, gjë që mund të çojë në censurë apo vetëcensurë. U fol edhe për atë se si Komuna nuk duhet ta lidhë shfrytëzimin e hapësirës me projekte a koncepte, por duhet të sigurohet që ajo hapësirë të jetë e qasshme për komunitetin, pavarësisht nëse ata/ato janë artistë/e a punëtorë/e kulturorë/e. 

Në fund, Rama tha se deri më datën 10 shtator do i tërheqin zyret nga ajo hapësirë. Ai gjithashtu thirri komunitetin të marrë pjesë në një punëtori për të diskutuar lidhur me të ardhmen e hapësirës. Punëtoria, tha Rama, do të mbahet më 10 shtator, ora 12.00 në CNP, e cila u propozua si hapësirë e mirë për ta diskutuar edhe thirrjen e hapur të Manifesta 14.

Imazh i ballinës: K2.0.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.