Biseda | Dialogu

Këndvështrimet mbi dialogun (I)

Nga - 28.09.2021

Pamja nga Brukseli.

Dialogu. Për këdo në Kosovë, por edhe në Serbi, kjo fjalë ka kuptim shumë specifik. Në dekadën e fundit ka qenë një dialog i pafundmë, dialogu. Ky pra, padyshim, është dialogu i Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo siç edhe njihet zyrtarisht, dialogu i lehtësuar nga BE-ja në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Nisur në mars të vitit 2011, dialogu synon të arrijë “një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme e cila i adreson çështjet e pazgjidhura në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian, të krijojnë mundësi të reja dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve”.

Dekada e fundit ka parë një sërë takimesh dhe samitesh historike, përparimesh e dështimesh.  Fillimisht u nënshkruan një mori marrëveshjesh dhe kompromisesh për telekomunikacionin, menaxhimin e kufirit dhe arsimin. Por shumë nga marrëveshjet u zbatuan vetëm pjesërisht dhe procesi është dëmtuar që prej fillimit nga mungesa e transparencës.

Për një kohë dukej se shumë gjëra po ndodhnin, por asgjë nuk po ndryshonte. Një propozim për shkëmbim territoresh në vitin 2018 zgjoi frikën përreth Evropës për konflikte të reja etnike. Shtetet e Bashkuara caktuan të dërguarin e tyre special dhe njësoj u përgjigj edhe BE. ShBA-ja ndërmjetësoi një marrëveshje pothuajse të gatshme mes palëve, duke e lënë mënjanë Brukselin. Përpos shpërthimit të një pandemie globale, dokumenteve joformale (non-papers) senzacionaliste dhe në përgjithësi lodhjes nga zgjerimi në rajon, dialogu vazhdon ngadalshëm.

Tarifat doganore të Kosovës për mallrat serbe i ndërprenë diskutimet për një kohë, por me shumicën e qartë politike në pushtet në Kosovë dhe Serbi, disa sugjeruan se mund të jetë koha e duhur për një përparim. Tani me zhvillimin e fundit në lidhje me targat që rritën tensionet në pjesën veriore të Kosovës, ka një pengesë tjetër në rrugën drejt zgjidhjes.

Derisa të dyja palët të kthehen për një raund tjetër, K2.0 pyet: si duket dialogu sot? Si arritëm deri këtu dhe ku po shkojmë?

Para se të rinisin diskutimet në nivel të lartë, po ju sjellim biseda informuese nga njerëz me perspektiva unike dhe të ndryshme rreth dialogut. Ky është grupi i parë i intervistave i serisë së përbërë prej tri sosh. Bisedat u zhvilluan nga fillimi deri në mes të shtatorit, para ndezjes së fundit të tensioneve në veri të Kosovës.

Në këtë pjesë të intervistave dëgjojmë nga dy politikanë të BE-së puna e të cilëve lidhet ngushtë me rajonin dhe dialogun, Deputetë të Parlamentit Evropian (MEP) që punojnë drejtpërdrejt me Serbinë dhe Kosovën.

Viola von Cramon është një euro-deputete gjermane, pjesë e grupit të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Evropiane në Parlamentin Evropian. Ajo është anëtare e Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Delegacionit në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Serbi. Është gjithashtu raportuese për Kosovën.

Vladimír Bilčík është një euro-deputet sllovak i Partisë Popullore Evropiane. Ai kryeson Delegacionin në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Mali i Zi dhe është anëtar i Delegacionit në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Serbi. Është gjithashtu raportues për Serbinë.

K2.0: Ku do të thoshit se qëndron tani dialogu mes Kosovës dhe Serbisë? A do ta cilësonit procesin deri tani si të suksesshëm?

Vladimír Bilčík: Për momentin jemi të mirëorganizuar dhe ka një strukturë të qartë. Ekziston një linjë e qartë përgjegjësie me lehtësuesin, Miroslav Lajčák, që ka mbështetjen e të gjitha institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare. Po ashtu kemi një proces të vendosur në të dy nivelet e punës, përmes kryenegociatorëve, dhe të nivelit më të lartë politik.

Natyrisht, dialogu po zhvillohet në një kontekst të veçantë të përcaktuar nga politika në Beograd dhe Prishtinë. Kohët e fundit kemi pasur zgjedhje në Kosovë, të cilat e ndryshuan peizazhin politikisht. Mendoj se ka një numër pikëpyetjesh në lidhje me përkushtimin e përgjithshëm dhe pritjet nga dialogu në anën e Prishtinës. Në të njëjtën kohë, Beogradi po bëhet gati për zgjedhjet pranverën e ardhshme.

Politika ka pasoja shumë të rëndësishme për mënyrën se si zhvillohet dhe kornizohet dialogu. Gjithmonë do ta luajë rolin vendimtar. Megjithatë, ka një numër çështjesh që lidhen me praktikat e jetës së përditshme të qytetarëve në Kosovë, të cilat mendoj se duhet të jenë me interes pavarësisht se ku ndodhemi me ciklin elektoral ose lidership. Ky dialog është shumë i lidhur me Perspektivën Evropiane të rajonit.

Viola Von Cramon: Situata me dialogun është disi më e mirë tani, kryesisht falë punës së Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajčák, pasi është krijuar një momentum në vitin 2020 përmes takimeve të rregullta në nivele politike dhe teknike. Për më tepër, të dy anët e Atlantikut janë riorganizuar dhe përkushtuar për ta mbështetur dialogun, kështu që unë jam optimiste se kjo mundësi do të përdoret nga Beogradi dhe Prishtina.

E kuptoj që shumë kanë pritur rezultate të shpejta dhe askush nuk ka thënë se këto do të jenë bisedime të lehta. Sidoqoftë, dialogu ka dhënë disa rezultate të prekshme dhe ka lejuar lëvizjen e mallrave dhe njerëzve mes Kosovës dhe Serbisë, që është një nga rezultatet e tij më të dukshme. Prandaj, do ta quaja një sukses të kufizuar i cili mund të ishte shumë më i madh nëse do të ekzistonte vullneti i brendshëm politik për të.

Raportet tregojnë se shumica e qytetarëve në të dy vendet mendojnë se nuk kanë përfituar nga dialogu. Dhe një numër më i madh janë ankuar se nuk dinin mjaftueshëm rreth tij. Dialogu është përcaktuar si proces lart-poshtë dhe i drejtuar nga elita. A do të pajtoheshit me këtë perceptim? A ka vend për qytetarët dhe shoqërinë civile në proces?

Von Cramon: Dialogut i mungonte një gjithëpërfshirje që nga fillimi dhe kjo nuk është korrigjuar ende. Përpjekja për të pasur një dialog kombëtar për Kosovën në Serbi në vitin 2019 ishte një farsë dhe për fat të keq ishte mundësi e humbur, gjersa dialogu i brendshëm në Kosovë me serbët vendas nuk ka filluar asnjëherë.

Është absolutisht e nevojshme që të ketë platforma mbarëkombëtare që përfshijnë qytetarë, organizata të shoqërisë civile si dhe komunitete pakicë. Është e vetmja mënyrë për t’u siguruar që procesi është transparent dhe se marrëveshjet e dakorduara do të pranohen dhe zbatohen.

Bilčik: Në çdo negocim, asgjë nuk është përfundimtare derisa gjithçka të dakordohet. Kjo është veçanërisht sfiduese në një dialog që zgjat shumë. E kuptoj pse disa njerëz mund të ndihen të paduruar apo nuk kanë njohuri sa duhet. Mendoj se pjesërisht është çështje komunikimi, sepse, e kam thënë tashmë, kjo nuk ka të bëjë me një marrëveshje specifike, por shumë çështje praktike [të vazhdueshme] të cilat dialogu mundet, duhet dhe po i trajton.

Ka shumë emocione të lidhura me këtë dialog, i cili shpesh në debatin publik paraqitet si një çështje e vetme. Mendoj se është e rëndësishme të shikojmë mënyra për t’i vënë këto pyetje praktike në plan të parë, veçanërisht në lidhje me atë që është arritur tashmë dhe atë që është ende në proces.

Procesi drejtohet nga elita, dhe kjo është e natyrshme. Elitat e kanë mandatin e njerëzve, të cilët i përfaqësojnë. Për momentin lidershipi si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë ka mandat të fortë me shumicë të qartë në parlament dhe mbështetje publike. Që është gjë e mirë, pasqyron legjitimitetin e atyre liderëve në ballë të dialogut.

Megjithatë, mendoj se ka hapësirë për përmirësim në aspektin e komunikimit. Publiku në Serbi dhe në Kosovë mund të ketë një pasqyrë më të qartë të asaj që është në rrezik dhe çfarë po diskutohet, veçanërisht për hir të qytetarëve dhe jetës së tyre të përditshme. Nuk është dialog për një çështje, është një ushtrim kompleks që përfshin një numër pyetjesh të vështira.

Rajoni po përjeton njëfarë lodhje rreth anëtarësimit. Kjo është posaçërisht e vërtetë për Kosovën, ku disa po argumentojnë se pasi që BE-ja “dështoi” në procesin e liberalizimit të vizave nuk ka asnjë arsye për t’i dhënë përparësi një dialogu që shihet kryesisht si një prioritet evropian. Mendoni se kjo çështje ka pasur ndikim në qëndrimin e BE-së si lehtësuese? A duhet të shqetësohet BE për rifitimin e besimit të humbur?

Bilčik: Patjetër, ne duhet të shqetësohemi dhe ta marrim këtë seriozisht. Përgjigja e thjeshtë dhe e lehtë për ata që thonë “pse duhet ta bëjmë këtë nëse ju nuk po bëni atë që e premtuat?” është se ju nuk e bëni për hir të premtimit tonë, por për veten tuaj. Tani kjo duket si diçka e thjesht, por e dimë se në realitetin politik mund të mos jetë nxitje e mjaftueshme për politikanët në pushtet.

Sigurisht, duhet ta trajtojmë mesazhin për një sërë interesash dhe situatash të brendshme të menjëhershme. Kjo është kur një vizion strategjik rreth ndryshimit të cilësisë së jetës publike shpesh lidhet me qëllimet e mëdha strategjike, dhe perspektiva evropiane e ofron atë qëllim strategjik.

Pranimi i fuqisë së perspektivës, mendoj se është e rëndësishme që njerëzit e rajonit të besojnë në të. Mund ta shoh se si ai besim po dobësohet dhe e them këtë vazhdimisht, duhet të tregojmë se jemi seriozë.

Duhet t’i kishim hapur negociatat me Shkupin dhe Tiranën tashmë, muaj më parë. Madje do të thosha disa vjet më parë.

Hapja e bisedimeve për anëtarësim është sikur ta lejosh një vend që po përpiqet ta drejtojë një maratonë të hyjë në stadium. Nëse nuk po i lejojmë ta bëjnë as këtë, duke i lënë jashtë, e kuptoj pse politikanët dhe publiku janë të irrituar.

Mendoj se mundemi dhe duhet të bëjmë më shumë për ta kaluar topin tek partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor dhe për t’u dhënë atyre një mundësi të mirë për të treguar se janë seriozë në zotimet e tyre. Hapja e negociatave të anëtarësimit, hapja e kapitujve është me të vërtetë një mënyrë për të ofruar më shumë incentiva.

Mendoj se BE-ja, në nivele të ndryshme, duhet të jetë shumë më e mirë në komunikimin e ndihmës sonë, mbështetjes sonë, historisë sonë. Fatkeqësisht, Rusia dhe Kina po bëjnë punë shumë më efektive, megjithëse po i sjellin shumë më pak rajonit. Kjo është gjithashtu pjesë e garës më të gjerë. Nëse humbasim zemrat dhe mendjet e elitave dhe publikut, rrezikojmë ta humbim rajonin ndaj fuqive që janë rivalë të drejtpërdrejtë dhe e shohin botën shumë më ndryshe nga sa e shohim ne në Bruksel.

Drejtuesit vendorë duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë, por gjithashtu duhet t’u jepet mundësia t’i bëjnë ato përmes incentivave të duhura. Nuk mendoj se po i përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion.

Parlamenti Evropian është qartë i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane, por ka një numër problemesh me disa shtete anëtare.

Sigurisht, në rastin e Kosovës problemi është liberalizimi i vizave. Mendoj se kjo është një domosdoshmëri, është vonuar shumë dhe është turp që nuk është bërë. Këtë e shoh si një hap të vogël politik për ne në BE, por një fitore potenciale e madhe ndaj zemrave dhe mendjeve në rajon, dhe në veçanti në Kosovë.

Von Cramon: Çështja e gjatë e liberalizimit të vizave është shumë e dëmshme për reputacionin tonë. Jam plotësisht me zhgënjimin e njerëzve në Kosovë. Ua kam thënë kolegëve të mi në Parlamentin Evropian se kjo shkon përtej çështjes së regjimit pa viza dhe nuk lidhet me standardet ose përcaktimin e kufijve.

Si mund të kërkojmë diçka nga vendet që duan të anëtarësohen nëse ne nuk po ofrojmë? Ne kërkojmë diçka ndërsa Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet, megjithatë, thjesht nuk po e mbajmë premtimin tonë. Nëse tani kërkojmë disa reforma nga ndonjë qeveri e Ballkanit Perëndimor me disa “karrota” të premtuara, pse duhet të na besojnë se do t’ua japim ato shpërblime? Kështu që, i bëj thirrje edhe një herë Francës dhe Holandës, të cilat janë ende në mëdyshje, që më në fund ta mundësojnë liberalizimin e shumë-merituar të vizave.

Derisa shpesh dëgjojmë se Serbia ka shansa të mëdha për t’u bërë shtet anëtar i BE-së, udhëheqësit evropianë janë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur flasin për “perspektivën evropiane” të Kosovës. Çfarë duhet të kuptojmë nga kjo? A ka të ardhme për Kosovën në Bashkimin Evropian?

Von Cramon: Kam qenë gjithmonë shumë e qartë se Kosova ka perspektivë evropiane dhe me plotësimin e kritereve të anëtarësimit, duhet të bëhet anëtare e plotë e BE-së. Për më tepër, shumica dërrmuese e Parlamentit Evropian mbështet vazhdimisht një Kosovë të pavarur me një perspektivë të qartë të pranimit në BE dhe nuk shoh ndonjë ndryshim në këtë drejtim.

Sapo të arrihet marrëveshja e normalizimit në fushën e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, besoj fuqimisht se do ta hapë gjerësisht derën e anëtarësimit në BE si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Bilčík: Perspektivat evropiane për Kosovën dhe Serbinë janë të njëjta. Janë në faza të ndryshme të procesit, por janë të njëjta. Sigurisht, Kosova ka më shumë punë për të bërë në rrugën e saj evropiane, dhe kjo shkon prapa në pikën time themelore rreth përkushtimit. Unë mendoj se nëse dialogu vërtet përparon dhe mbyllet përfundimisht, mund të jetë një ndryshues i lojës si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën.

Mendoj se kjo është një pjesë e rëndësishme e asaj për të cilën po flasim; ekziston vetëm një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor, si rajon, dhe kjo ka të bëjë me të gjitha kryeqytetet. Besoj se nëse i zhbllokojmë negociatat e anëtarësimit, kjo do ta bëjë diskutimin mes liderëve rajonalë një lojë tjetër.

Duhet të shohim një dinamikë të re me hapjen e bisedimeve, kapitujve dhe grupeve, por në mënyrë ideale me mbyllje. Ajo që ka rëndësi është mbyllja e kapitujve të hapur; Mali i Zi ka hapur të gjithë kapitujt, por ka ngecur tani për muaj.

Kur udhëheqësit shohin se shpërblehet investimi në reforma, se shpërblehet investimi në perspektivën evropiane, besoj se kjo histori duhet të vlejë edhe për Prishtinën. Nuk shoh ndonjë ndryshim. E kuptoj që linja e fillimit është e ndryshme, por procesi dhe faza e fundit është e njëjta për të gjithë.

Sa për ta sqaruar, faza e fundit është anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Besoj në këtë, por ne nuk kemi një afat kohor; ekziston një parim regatta, secili lëviz me ritmin e vet. Është shumë e komplikuar dhe është proces i ndryshëm nga ai që kishim në Evropën Lindore dhe Qendrore për shkak të luftërave të viteve 1990.

Në të njëjtën kohë, rreziqet janë shumë më të mëdha. Nëse nuk kemi sukses në këto përpjekje, disa nga fantazmat nga një e kaluar jo shumë e largët, por një që ne të gjithë e mbajmë mend, mund të na përndjekin.

Kjo është arsyeja pse unë mendoj se të gjithë ne kemi përgjegjësi të madhe këtu, çdo udhëheqës në rajon, por edhe ata në BE. Jam i bindur se nëse BE-ja nuk mund ta bëjë ndryshimin kur bëhet fjalë për çështjet e vështira në Ballkanin Perëndimor, do ta komprometojmë besueshmërinë tonë si një akter ndërkombëtar.

Ndoshta për herë të parë që kur filloi dialogu i Brukselit, ka shumicë të qëndrueshme politike në të dy vendet. A e konsideroni këtë situatë si një mundësi apo një pengesë? Si mund ta përdorë BE-ja këtë për të çuar procesin përpara?

Von Cramon: Stabiliteti politik është vërtet thelbësor për negociata të qëndrueshme dhe, më e rëndësishmja, zbatimin e marrëveshjeve. Do të doja që të dyja palët të merrnin më shumë përgjegjësi politike dhe guxim për kompromiset e nevojshme.

BE-ja është për ta lehtësuar dialogun dhe për ta mbikëqyrur zbatimin e dispozitave të dakorduara, por nuk mund të imponojë një zgjidhje. Megjithatë, BE-ja mat rreptësisht përparimin në dialog si një nga kushtet kryesore politike për përparimin në rrugët e tyre përkatëse për në BE.

Në atë kuptim, do të doja që disbursimi i fondeve të BE-së për këto vende të kushtëzohet gjithashtu me përparimin e dialogut pasi është një nga mënyrat se si BE-ja mund ta vendosë peshën e saj pas dialogut në mënyrë që të ketë rezultate të prekshme.

Bilčik: Shumicat janë të rëndësishme, në fakt ato janë thelbësore si për negociatat ashtu edhe për zbatimin e suksesshëm të çdo rezultati. Duke qenë kështu, natyrisht që shumica duhet ta kenë së paku një përkushtim bazë për dialogun.

E kuptoj, natyrisht, se prioritetet janë të ndryshme në Beograd dhe në Prishtinë. Mendoj se ka një numër pikëpyetjesh, veçanërisht të lidhura me qëndrimin e përgjithshëm të kryeministrit Kurti kur bëhet fjalë për dialogun.

Por fakti që ai dhe Presidenti Vučić kanë qenë në gjendje të takohen dhe janë të përkushtuar të vazhdojnë të flasin me njëri-tjetrin, edhe nëse [diskutimi] nuk është aspak i lehtë, është shenjë e mirë.

E di që dialogu është i vështirë, por nuk shoh alternativë tjetër. Nuk shoh se si mund t’i ikim, duke pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur, dhe atë që është arritur tashmë midis Beogradit dhe Prishtinës. Kaq shumë vendime dhe çështje të tjera lidhen politikisht me dialogun dhe suksesin e tij, shpresoj që kjo të kuptohet plotësisht nga lidershipi politik në Beograd dhe në Prishtinë.

Sa i përket marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës, realiteti në terren është stabilizuar që nga viti 2011. Megjithëse ka shpërthime periodike të krizës politike, tensionet  në tërësi janë më të ulëta dhe një numër i strukturave serbe në Kosovë janë integruar në kornizën kombëtare. A mendoni se qasja aktuale e reflekton situatën në ditët e sotme? A është e përshtatshme për objektivat e dialogut?

Bilčik: Siç e thatë, tashmë kemi pasur njëfarë suksesi. Ky është një proces i rëndësishëm shërimi; nuk është kurrë e lehtë të diskutosh çështje të vështira. Ne vazhdojmë të kemi një proces shërimi në të gjithë Bashkimin Evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky është i gjithë qëllimi i projektit, i cili bazohet në Përafrimin Franko-Gjerman.

Politika evropiane nuk është kurrë e lehtë, por ideja se fantazmat e së kaluarës do të na përndiqnin përsëri është ajo që po na shtyn përpara me agjenda pozitive dhe vendime pozitive.

Shumëçka është në rrezik. Sa i përket përkushtimit ndaj dialogut, nuk ka alternativë. Nuk do të ketë një lloj formule magjike për t’i zgjidhur këto çështje; askush nuk do të ndërhyjë dhe t’i zgjidhë ato në një mënyrë më miqësore ose të sjellë zgjidhje të gatshme.

Përkushtimi, durimi dhe gjithashtu komunikimi mbi procesin dhe arritjet e tij [janë të nevojshme]. Siç e thatë, atmosfera në të gjithë Kosovën tani është e ndryshme nga ajo që ishte dhjetë vjet më parë. Kjo është e rëndësishme dhe duhet ta pranojmë këtë. Të gjitha ato gjëra duhet të na inkurajojnë që të bëjmë përparim të mëtejshëm.

Von Cramon: Nuk do të pajtohesha, pasi jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve dhe sulmeve përgjatë vijave etnike midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, veçanërisht në komunitetet e kthyera. Elitat politike në Prishtinë dhe Beograd duhet të sigurojnë që të gjithë qytetarët të jenë të mbrojtur dhe të sigurtë, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike ose fetare. Për më tepër, kuadri institucional i integruar në Kosovë duhet të përdoret për ta filluar dialogun e nevojshëm të brendshëm me komunitetin serb dhe për t’u siguruar që sfidat e sigurisë po trajtohen.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan një “Marrëveshje Ekonomike” në Shtëpinë e Bardhë. Cili mendoni se duhet të jetë roli i ShBA-së në këto bisedime?

Von Cramon: Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë u krijua në kohë kur koordinimi midis aleatëve transatlantikë nuk ishte në pikën më të lartë. Fatkeqësisht, ishte një veprim i njëanshëm i cili e la BE-në — e cila udhëheq dialogun dhe mban përgjegjësinë politike për suksesin e saj —  anash.

Sidoqoftë, situata ka ndryshuar rrënjësisht me administratën e re. Si BE-ja ashtu edhe ShBA-ja tani e kanë përafruar qasjen e tyre ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Kështu që, shpresoj se ShBA-ja do të kontribuojë plotësisht me ndikimin e saj politik në tejkalimin e dallimeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Bilčík: BE-ja duhet të luajë rolin udhëheqës. Dhe kjo është shumë e qartë nga një numër Rezolutash të Kombeve të Bashkuara dhe dokumente të tjera ndërkombëtare. Problemet të cilat i trajton dialogu janë çështje të pazgjidhura nga e kaluara dhe natyrisht e ardhmja e Beogradit dhe Prishtinës qëndron në Evropë, brenda institucioneve të BE-së. Mendoj se është e qartë kudo, edhe në Uashington.

Megjithatë, ShBA-ja duhet të përfshihet; ky dialog do të ketë sukses vetëm nëse dhe kur të dy Brukseli dhe Uashingtoni vozisin në të njëjtin drejtim, ndajnë të njëjtat synime strategjike dhe mbështesin njëri-tjetrin. Mendoj se ka qenë mjaft e rëndësishme të shihet, veçanërisht që nga ardhja e administratës Biden në Uashington, se si ekziston një qëllim i qartë për t’i mbështetur përpjekjet e BE-së.

Do të thoja se roli i BE-së është thelbësor dhe i domosdoshëm, por lidershipi i tij ka nevojë për mbështetje të fortë dhe forcë plotësuese nga ShBA-ja.Nuk mendoj se ShBA-ja mund ta zëvendësojë BE-në në këtë proces, por duhet ta mbështesë BE-në.

Mendoj se kjo përpjekje e koordinuar tani po zhvillohet. Mund ta shihni atë nga paraqitjet publike, intensiteti i marrëdhënieve dhe nga komunikimet publike. Për shembull, Palmer dhe Lajčák kishin turneun e tyre të përbashkët në rajon. Mendoj se mund t’i shohim disa gjëra në Ballkanin Perëndimor ndryshe nga Brukseli dhe ndryshe nga Uashingtoni, por kur bëhet fjalë për dialogun, në thelb i kemi të njëjtat synime.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Imazhi i ballinës: K2.0.