Pikëpamje | Politika

Klasa e mjerueshme politike e Kosovës nxjerr veten në shesh

Nga - 27.03.2020

Rrëzimi i qeverisë në mes të pandemisë COVID-19 ekspozon përçmimin e pafalshëm për jetën e njeriut.

Të mërkurën në mbrëmje, pas një seance 12-orëshe të Kuvendit, 82 deputetë votuan për mocionin e mosbesimit që e rrëzoi qeverinë e Kosovës në ditën e saj të 52-të.

Po cilësohet si një moment për librat e ardhshëm të historisë — momenti i një klase politike të papërgjegjshme dhe të mjerueshme që përsëri zgjodhi politikën zemërngushtë dhe vetëshërbyese para lidershipit dhe ruajtjes së shtetit; momenti kur deputetët dhe liderët politikë shkaktuan trazira në një kohë kur pandemia COVID-19 po rrezikonte vendin tonë dhe gjithë botën. 

E gjithë kjo në një kohë kur solidariteti duhet të shërbejë si themel i shoqërisë dhe qeverisjes, dhe debati politik duhet të përqendrohet rreth njohjes së nevojave të atyre që janë më të prekurit, që janë duke vuajtur. 

Por nuk ka solidaritet. Dhe nuk ka njohje për askënd tjetër përveç vetes së tyre.

Nuk ka njohje për 86 individët që deri më tani janë diagnostikuar me COVID-19 në Kosovë, as për 82 vjeçarin që ndërroi jetë si pasojë e saj.

Nuk ka njohje për mjekët, infermierët, teknikët, farmacistët apo profesionistët tjerë të shëndetësisë, të cilët duke qenë në front të betejës janë detyruar të heqin dorë nga kontakti me të dashurit e tyre pa pasur mundësi të kujdesen për ta, e me gjasë duke rrezikuar veten. E gjithë kjo kur po hyjmë në javën më vendimtare të përhapjes së COVID-19, me një sistem të dobët të shëndetësisë si rrjedhojë e akumulimit të qeverisjes dhe menaxhimit të papërgjegjshëm.  

Nuk ka njohje për punëtorët në disa prej industrive më të mëdha të punësimit — si ato të ndërtimtarisë, shërbimeve apo tregtisë me pakicë — të cilët ballafaqohen me pasiguri financiare gjithnjë e më të lartë për shkak se punët e tyre nuk mund t’i kryejnë nga shtëpia. E as për bizneset e vogla, të cilat janë detyruar të mbyllen për një kohë të pacaktuar, shumë prej tyre duke mbetur kështu pa burimin e vetëm të të hyrave familjare. E as për arkëtarët e supermarketeve, furrtarët, punëtorët e stacioneve të karburantit apo mbledhësit e mbeturinave të cilët nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të dalin për të punuar çdo ditë dhe ta rrezikojnë veten. E as për ata që punojnë në sektorin joformal — pastruesit dhe kujdestarët e fëmijëve e të moshuarve.

Nuk ka njohje për nënat beqare, detyra e vështirë e të cilave për ta balancuar punën e paguar dhe kujdesin për fëmijët tani është bërë shumë më e vështirë.

Klasa politike e Kosovës i ka zhgënjyer qytetarët përhershëm.

Nuk ka njohje për qytetarët në qyteza të vogla apo zona rurale, ku uji është luks — jo vetëm që u mungon qasja në ujë si burim kryesor i parandalimit të infektimit, por u mungon edhe uji i pijshëm si e drejtë themelore njerëzore.

Nuk ka njohje për gratë që janë viktima të abuzimit në familje, të cilat janë të mbyllura brenda me abuzuesit e tyre. 

Nuk ka njohje për familjet që janë të ndara matanë kontinentit dhe matanë botës, të cilat brengosen për sigurinë dhe mirëqenien e njëri-tjetrit e nuk e dinë se kur do ta shohin dhe prekin njëri-tjetrin sërish, pasi që kufijtë janë të mbyllur për të ardhmen e parashikueshme meqë pasojat e virusit ende janë të panjohura.

Nuk ka njohje për gjyshërit, të cilët me gjasë do të këshillohen për një periudhë më të gjatë kohore që të mos kenë kontakt fizik me nipat e mbesat e tyre për shkak të rrezikut që paraqet ekspozimi. 

Nuk ka njohje për shëndetin mendor të popullsisë së përgjithshme — shumëkush po ballafaqohet me trauma të rënda nga e kaluara — të cilët janë të mbyllur në apartamente të vogla, të rrethuar nga pasiguria dhe frika.

Nuk ka njohje për jetën njerëzore. 

Klasa politike e Kosovës i ka zhgënjyer qytetarët përhershëm.

Natyra e tyre çnjerëzore është ekspozuar; injoranca e tyre ka dalë në shesh para të gjithëve. 

Grusht shteti i Thaçit

Ka shumë fajtorë, dhe shumëçka mund të thuhet për atë se cili kombinim i agjendave (të fshehta), veprimeve apo motiveve politike kishte më së shumti ndikim. Ekspertët dhe “njerëzit me ndikim” në rrjete sociale kanë pasur shumë për të thënë teksa po shpalosej kjo fiasko politike. 

Presioni i shtuar, posaçërisht nga ShBA-ja, mbi qeverinë e Kosovës për ta hequr taksën 100% mbi produktet e Serbisë e thërmoi karakterin veçse të dobët dhe servil të LDK-së. Ata e pranuan presionin si udhëzim, dhe e zgjodhën servilizmin para kujdesit për qytetarët.

“Liderët” të cilët kanë vullnet dhe gatishmëri të veprojnë sipas udhëzimeve dhe t’u përmbahen atyre — qoftë në formë të udhëzimeve të drejtpërdrejta, apo të presionit të papërkulshëm — përfundojnë jo vetëm duke i tejkaluar institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike, por edhe duke mos i marrë parasysh qytetarët. Dhe një diskurs që e paraqet vendimin mbi tarifën si pro-amerikan apo anti-amerikan nuk është vetëm thjeshtëzim, por edhe përpjekje e pavlerë dhe të rrezikshme për ta diskredituar dhe linçuar këdo që mund të mendojë ndryshe.

Njëzet vjet pas luftës, është e rëndësishme të kujtojmë që SHBA-ja është aleat dhe partner i Kosovës — por ajo nuk është Kosova, dhe Kosova nuk është SHBA-ja. Kur harrohet kjo, afrohemi në një distancë të rrezikshme me retorikën nacionaliste të cilën e përhap me ngulm Beogradi. 

Nëse është një person që me veprime të përllogaritura dhe keqdashëse ka nxitur antagonizëm, ndarje dhe huti, ai është personi të cilit pozita kushtetuese i kërkon të jetë unifikues.

Mbase nuk duhet të na befasojë aq shumë që një koalicion të cilit iu deshën katër muaj për t’u formuar pas mospajtimeve për ndarje të posteve dhe pozitave — në vend se për politika dhe vizione për qeverisje — përfundoi duke u ndarë pjesërisht për shkak të konflikteve të nxitura prej njerëzve.

Shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu — i cili e mbështeti thirrjen e Presidentit Hashim Thaçi për Gjendje të Jashtëzakonshme përkundër vendimit të qeverisë së tij — nga ana e Kryeministrit në largim Albin Kurti mund të lexohet si provokim i nxitur nga cilido prej këtyre tre burrave. 

Asnjëri nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë. 

Por nëse është një person që me veprime të përllogaritura dhe keqdashëse ka nxitur antagonizëm, ndarje dhe huti, ai është personi të cilit pozita kushtetuese i kërkon të jetë unifikues. 

Presidenti Hashim Thaçi është e kundërta e një roli të tillë, është person karriera politike e të cilit është ndërtuar mbi pandershmëri dhe manipulim, për ta thënë në mënyrën më të butë. Manovrat e fundit të tij, nga lajmërimi krye në vete i planeve për të shpallur Gjendje të Jashtëzakonshme e deri te adresimi publik i jashtëzakonshëm në të cilin u bëri thirrje qytetarëve të mos i respektojnë masat e qeverisë që kishin për qëllim ta kufizojnë përhapjen e COVID-19, është një përpjekje tjetër e tij për të përfituar nga një moment delikat i pasigurisë. 

Këto veprime duhet të merren me seriozitet, dhe nuk duhet të shpërfillen thuajse përbëjnë vetëm një lëvizje tjetër mashtruese dhe të pritshme politike, që i përshtatet karakterit dinak të tij. Në fakt, ato e konfirmojnë që nëse dhe kur paraqitet mundësia, ai do të mundohet ta ngre veten si sundimtar suprem.

Veprimet e Thaçit janë hiç më pak se një grusht shteti.

Është një trend që kriza aktuale rrezikon të përhapet anembanë shteteve me liderë politikë të cilët veçse po sillen si oligarkë dhe po mundohen t’i kapin fushat kryesore të jetës publike, ekonomike apo politike. Thaçi është përgatitur për këtë rol për të paktën 12 vjetët e fundit, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Disa mund të jenë "të kënaqur” që qeveria e Kosovës ra në rrethana kaq jetike — qofshin administratat e huaja të pasigurta dhe detyruese, opozita e poshtëruar, presidenti tinëzar...

Duket se ai ka mbështetje për këtë; jo nga qytetarët, por nga mbrojtësi tjetër i Kosovës, SHBA-ja. 

Administrata gjithnjë e paparashikueshme e Trampit, duke kërkuar dëshpërimisht diçka që mund ta prezantojnë si “fitore”, është gjithashtu e etur për t’i mbështetur ata të cilët i ngjajnë më së shumti. Thaçi është “njeriu i tyre” — me shpërfilljen e tij për transparencën dhe të vërtetën, indiferencën e tij ndaj proceseve të mirëfillta demokratike, nënçmimin e tij për gjithçka përveç mbijetesës së tij. Nëse kishte ndonjë dyshim për këtë, sigurisht se deklaratat e ShBA-së në ditët e fundit e kanë zhdukur për të gjithë, përveç partizanëve të mëdhenj dhe naivëve.

U deshën 24 orë që SHBA-ja ta publikojë një deklaratë pasi u rrëzua qeveria e Kosovës, dhe ajo deklaratë nuk iu referua fare ngjarjeve të jashtëzakonshme që ndodhën një ditë më parë. Para seancës, ambasadori i SHBA-së në Kosovë i doli nga fjala deklaratës së përbashkët të shteteve të QUINT-it që inkurajonte të “ruhet dhe garantohet funksionaliteti dhe integriteti i institucioneve dhe qeverisë së Kosovës”, dhe e kishte përcjellur disa orë më vonë me një postim në Twitter në të cilin deklaroi se ishte “i kënaqur” që do të mbahej seanca për mocionin e mosbesimit.

Disa mund të jenë “të kënaqur” që qeveria e Kosovës ra në rrethana kaq jetike — qofshin administratat e huaja të pasigurta dhe detyruese, opozita e poshtëruar, presidenti tinëzar, elita politike e ngulitur dhe e paguximshme dhe interesat personale dhe financiare të saj, apo deri diku një kryeministër në largim krenar dhe partia e tij, të cilët besojnë që do të kthehen më të fortë nga ky episod.

Dhe siç ka argumentuar shumëkush në ditët e fundit — ka gjasa, dhe shpresë, që këto veprime nuk do të harrohen më vonë. 

Por në të ardhmen e afërt, ne po hyjmë në një terren të pasigurt politik, në mesin e pasigurive tjera lidhur me atë se si duhet t’i japim fund pandemisë globale, dhe si do të duket Kosova, dhe bota, pasi ta kalojmë këtë krizë.

Qytetarë, jo subjekte

Një ditë pas rënies së qeverisë u njoftua për shërimin e parë të një pacienti me COVID-19 në Kosovë. Në përpjekje për ta asociuar vetën me këtë lajm të mirë, Thaçi postoi në Twitter një mesazh të mirënjohjes për stafin mjekësor dhe, thuajse po vuante nga humbja e kujtesës afatshkurtër pas shkatërrimit të cilin e kishte ndihmuar një ditë më parë, e shtoi edhe një “jemi të gjithë së bashku”. 

Pra ai vazhdon të sillet si mbret; një mbret që kërkon ta kapë mbretërinë e tij. Dhe siç ndodh me mbretër, në fund, ata rreth tyre përfundojnë me kokë të prerë. Ngjashëm me postimin e të birit të tij në Instagram pak pas rënies së qeverisë, që paraqiste “babën” Thaçi duke prerë degë në oborrin e tyre, të edituar për ta paraqitur atë duke ia prerë kokën Kurtit. Mesazh i një mbreti në bërje dhe i trashëgimtarit të fronit?

Në këso lloj “politike”, që shpesh mund të na bëjë të ndihemi të hutuar — çfarë është Kosova për të cilën jemi përpjekur dhe kemi shpresuar?

Qytetarët nuk janë as spektatorë, sado që ky mund t’i ngjajë një seriali që shikohet pandërprerë gjatë vetizolimit apo karantinës.

Tepër shumë individë brenda institucioneve politike të Kosovës ndihen se u përket pushteti, dhe sillen sikur mënyrat e tyre janë ato të shtetit.

Por shteti nuk është i tyre për t’u marrë, dhe qytetarët nuk janë shërbëtorë.

Qytetarët nuk janë as spektatorë, sado që ky mund t’i ngjajë një seriali që shikohet pandërprerë gjatë vetizolimit apo karantinës. 

“Audienca” është publiku, dhe publiku përbëhet nga individë dhe komunitete të ndryshme që po i ndiejnë apo përjetojnë pasojat e krizave të ndryshme që po shpalosen para tyre në javët e fundit.

Ata janë — dhe do të vazhdojnë të jenë — ata të cilët po e marrin përsipër të tregojnë solidaritet dhe të bashkohen për t’i ndihmuar njëri-tjetrit aty ku ka nevojë; për t’i përmbushur përkushtimet civile dhe për t’u kujdesur për të prekurit; dhe për t’i goditur tiganët në ballkonet e tyre në shenjë proteste, të zhgënjyer nga njerëzit që po shtiren se po i përfaqësojnë.

Njohja u shkon atyre.K

Imazhi i ballinës: K2.0.