Në shkurt të vitit 2024, komisioni për të drejtat e njeriut i Kuvendit të Kosovës dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile u mblodhën në Prishtinë për të diskutuar rreth situatës aktuale të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në Kosovë. Takimi mori kthesë të errët kur anëtarja e komisionit, Labinotë Demi-Murtezi shprehu komente nxitëse kundër komunitetit LGBTQ+, duke thënë se marrëdhëniet seksuale mes personave të të njëjtit seks shkaktojnë sëmundje të rënda. Fjalët e saj komprometuan qëllimin e takimit dhe shpërfaqën mungesë shqetësuese të llogaridhënies lidhur me deklaratat paragjykuese.
Është alarmuese të hasësh edhe një herë homofobi të shprehur nga një anëtare e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut. Fyerjet homofobike të Demi-Murtezit janë të papranueshme, zemëruese dhe pjesë e një fushate më të gjerë të çnjerëzimit dhe mohimit. Të heshtësh përballë një armiqësie të tillë, nënkupton t’i tradhtosh parimet themelore të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Për t’iu kundërvënë kësaj heshtjeje, 57 avokues/e të të drejtave të njeriut dhe grupe të shoqërisë civile i shkruan një letër të hapur kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, dy javë pas mbledhjes së komisionit. Letra dënon fuqishëm komentet poshtëruese të Demi-Murtezit dhe kërkon që ajo dhe kryetarja e komisionit, Duda Balje të largohen nga komisioni.
Sjellja e Demi-Murtezit cenon rëndë legjitimitetin e punës së saj dhe të kolegëve të saj.
Deputetëve, të përqendruar në të drejtat e njeriut, si Demi-Murtezi iu është besuar mbrojtja dhe promovimi i të drejtave themelore. Përgjegjësitë e tyre përfshijnë respektimin e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, monitorimin e kushteve të të drejtave të njeriut, investigimin e abuzimeve, rritjen e ndërgjegjësimit publik, avokimin për reforma të politikave për t’i adresuar padrejtësitë e vazhdueshme dhe mbështetjen e atyre, të cilëve u janë shkelur të drejtat.
Sjellja e Demi-Murtezit cenon rëndë legjitimitetin e punës së saj dhe të kolegëve të saj.
Sjellja joetike
Demi-Murtezi, e cila për herë të parë u bë deputete në vitin 2014, si deputete e Partisë së Drejtësisë dhe u kthye në Kuvend me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) në vitin 2019, prej kohësh njihet për retorikën e saj nxitëse dhe homofobinë e rrënjosur. Në vitin 2022, në Kuvendin e Kosovës, gjatë një seance parlamentare rreth draft-Kodit Civil, ku u diskutua për bashkësitë civile midis personave të të njëjtit seks. Ajo shfrytëzoi rastin për ta nisur një debat të gjatë e fyes, të mbushur me gjuhë përçmuese kundër njerëzve LGBTQ+.
Megjithatë, Konjufca, kryeparlamentar dhe koleg i Demi-Murtezit në LVV, as nuk e ndëshkoi dhe as nuk e qortoi për këto komente apo për përsëritjen e tyre në mbledhjen e shkurtit 2024. Heshtja e tij është po aq shqetësuese dhe pasqyron se ai i jep përparësi ruajtjes së shumicës parlamentare të VV përpara dënimit të sjelljeve diskriminuese.
S’duhet të jesh ekspert në etikë, për ta kuptuar se sjelljet e Demi-Murtezit janë të dëmshme dhe është e pamundur t’i shpërfillësh ndërlikimet morale të saj. Pretendimi i saj se personat LGBTQ+ transmetojnë sëmundje është faktikisht i pabazuar, duke shpërfaqur mungesën e thellë të integritetit etik dhe paragjykimet e ashpra, që u japin përparësi paragjykimeve para paanësisë dhe drejtësisë.
Deputetëve/eve tanë/tona të zgjedhur/a iu është besuar të udhëheqin me ndjeshmëri dhe mirëkuptim, veçanërisht kur angazhohen me komunitetet e margjinalizuara. Fatkeqësisht, disa duket se veprojnë sipas një standardi krejtësisht të ndryshëm, më të rrezikshëm, i cili favorizon pandershmërinë dhe mizorinë dhe përhap gënjeshtra. Kështu duket të jetë rasti me Demi-Murtezin. Duke i kornizuar individët LGBTQ+ përbrenda një narrative të pabazë, konspirative, ajo promovon diskurs pa asnjë koherencë ideologjike dhe gërryen obligimet etike, të cilat duhet të karakterizojnë udhëheqësit publikë për të drejtat e njeriut.
Besimi ynë te zyrtarët publikë/e, si Demi-Murtezi dhe Konjufca, shembet kur ata/o neglizhojnë përgjegjësitë e tyre etike.
Kundërshtia ndaj keqinformatave të saj është qenësore për nxitjen e dialogut të informuar qytetar. Pa përpjekje të tilla, Demi-Murtezi do të vazhdojë të ushtrojë ndikim qenësor, duke përjetësuar narrativa të dëmshme dhe joetike homofobike. Për më tepër, është e domosdoshme që institucionet qeveritare të sigurohen që deputetët/et e zgjedhur/a të vendosen në pozita që përputhen me ekspertizën e tyre, duke nxitur gjykimin e paanshëm, të nevojshëm për qeverisje efektive. Komisionet, veçanërisht komisioni për të drejtat e njeriut, luajnë rol kyç në formimin e shoqërisë së drejtë që të gjithë kosovarët/et meritojnë. Por me Demi-Murtezin në komisionin për të drejta të njeriut, është e qartë se qeveria ka dështuar, duke vendosur figurë të papërshtatshme në një pozitë kritik.
Besimi ynë te zyrtarët/et publikë/e, si Demi-Murtezi dhe Konjufca, shembet kur ata/o neglizhojnë përgjegjësitë e tyre etike. Kjo shembje minon më tej besimin e publikut tek institucionet qeveritare, të cilat tashmë po ballafaqohen me vlerësime të dobëta miratuese.
Drejtësia do të triumfojë
Demi-Murtezi flet sikur të ishte e shtyrë nga ndonjë fuqi apo detyrë më e lartë, për t’i shprehur publikisht pikëpamjet e veta personale për personat LGBTQ+. Publiku i saj dëgjon, dhe nëse kjo vazhdon, ndikimi i saj mund të pengojë përpjekjet për ta mbrojtur komunitetin queer, apo edhe ta ekspozojë atë ndaj dhunës së mëtejshme. Retorika e saj homofobike shkakton më shumë sesa thjesht përjetësimin e stereotipeve të dëmshme; gjuha e saj kontribuon në mënyrë aktive në margjinalizimin dhe poshtërimin e individëve LGBTQ+, duke përforcuar portretizimet negative në shoqëri.
Komentet nënçmuese në Kuvendin e Kosovës shtrembërojnë perceptimin publik për homoseksualitetin dhe përforcojnë stereotipet e dëmshme, që i tëhuajsojnë më tutje njerëzit LGBTQ+. Kosovari/ja mesatar/e, i/e ekspozuar ndaj akuzave të tilla të rreme, mund të zhvillojë armiqësi më të madhe ndaj personave LGBTQ+, duke përkeqësuar një situatë edhe ashtu të vështirë. Megjithatë, çfarë është me të vërtetë më e tmerrshme është moskokëçarja e dukshme e Demi-Murtezit ndaj saktësisë së fjalëve të saj ose dëmit që ato mund të shkaktojnë. Siç u shpreh njëri nga miqtë e mi, “Duket se e shijon të jetë në qendër të vëmendjes teksa shpreh sentimente degraduese dhe neveritëse”.
Teksa qëllimet e mëdha politike për ta luftuar korrupsionin dhe të ngjashme janë padiskutim për t’u përshëndetur, është po aq e rëndësishme të përballemi me fjalët dhe veprimet e nxitura nga urrejtja, kur ato ndodhin në skenën politike. Përdorimi i gjuhës diskriminuese kundër një komuniteti të margjinalizuar për të fituar pikë politike është për keqardhje. Sulmi i Demi-Murtezit ndaj një komuniteti të margjinalizuar është veçanërisht skandaloz, marrë parasysh se pozita e saj financohet nga burimet publike — paratë e taksapaguesve. Kjo na kujton vigjilencën që kërkohet në vendimet tona gjatë zgjedhjeve.
Mbajtja përgjegjës/e e deputetëve/eve të zgjedhur/a për fjalët dhe veprimet e tyre është qenësore në luftimin e keqinformimit dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë.
T’ia lejosh asaj të shpifë për një komunitet të margjinalizuar pa përgjegjësi, kërcënon parimet e drejtësisë dhe drejtësisë që, të paktën në letër, përbëjnë shtyllën kurrizore të sistemit tonë ligjor. Megjithatë, nuk ekzistojnë dispozita të drejtpërdrejta për të lafrguar Demi-Murtezin nga komiteti i të drejtave të njeriut vetëm për fyerjet e saj të përsëritura.
Në mars të vitit 2024, pesë grupe të shoqërisë civile ngritën padi kundër saj dhe Kuvendit në tërësi, duke e akuzuar atë për cenim të dinjitetit të individëve LGBTQ+, që i poshtëroi drejtpërdrejt ata dhe që i shënjestroi me komente diskriminuese. Kjo është e mirëseardhur. Mbajtja përgjegjës/e e deputetëve/eve të zgjedhur/a për fjalët dhe veprimet e tyre është qenësore në luftimin e keqinformimit dhe në ndërtimin e një shoqërie të drejtë.
Homofobia për përfitime elektorale
Politikanët/et si Demi-Murtezi instrumentalizojnë identitetet LGBTQ+ për qëllime elektorale, duke rrezikuar sigurinë e individëve queer për t’i kënaqur votuesit e tyre. Këto veprime i shtyjnë shumë njerëz në rrethana të pasigurta — dhe nganjëherë, të rrezikshme. Dënimi i veprimeve të saj nuk është vetëm shprehje zemërimi — është obligim publik, i panegociueshme për mua si burrë gej.
Edhe pse komentet e Demi-Murtezit i kanë rrënjët në bindjet fetare, njohuritë e moçme mjekësore nga shkollimi i saj ose përpjekje e kalkuluar në vota për t’u rizgjedhur, ato shpërfaqin një strategji politike shqetësuese. Me kalimin e viteve, ajo ka treguar gatishmëri për të bërë gjithçka vetëm për ta çuar përpara karrierën e saj, nga ndërrimi i partive te orkestrimi i spektakleve mediale. Sulmet e saj ndaj personave LGBTQ+ janë pjesë kyçe e një strategjie për t’u bërë thirrje votuesve, që janë të kapur pas vlerave të ngurta e konservatore fetare, një qasje që fiton pohimin e saj nga ata/o që ndajnë pikëpamjet e saj diskriminuese.
Ta luash antagonistin si politikan, nuk është kurrë e rastësishme. Në rastin e Demi-Murtezit, është shfrytëzim dinak i pikave të brishta shoqërore. Duke i quajtur njerëzit LGBTQ+ armiq të së ashtuquajturës familje tradicionale, ajo prek paragjykimet e rrënjosura rreth identitetit gjinor, orientimit seksual dhe vetë konceptit të barazisë. Për të, familja heteronormative — një institucion i portretizuar si themel i vlerave patriarkale të familjes — rrezikon të zëvendësohet nga ato që ajo i konsideron familje queer “degjeneruese”. Portretizohet si e pambrojtur ndaj forcës së ndryshimit shoqëror.
Siç u shpreh njëri nga kolegët e mi, “Është ironike që, vetëm një brez më parë, dikush si Demi-Murtezi — për shkak të gjinisë ose përkatësisë etnike — mund të ishte përjashtuar nga politika. Sot, duke poseduar pushtet, ajo e përdor atë kundër më të pambrojturve të shoqërisë.” Një ironi e tillë më bën të pyes veten: A e kupton Demi-Murtezi përgjegjësinë e thellë që sjell roli i saj? Pse ajo nuk shpreh më shumë ndjeshmëri dhe solidaritet për njerëzit në grupet e margjinalizuara?
Mjaft është mjaft
Diskriminimi — i çfarëdo lloji — s’ka vend në një shoqëri të drejtë. Kur shënjestron orientimin seksual ose identitetin gjinor, rrallëherë vepron i izoluar; përkundrazi, ndërthuret me forma të tjera të shtypjes — racizmi, seksizmi, klasizmi, patriarkia — duke ndërlikuar margjinalizimin e atyre që u përkasin grupeve të shumta të margjinalizuara. Trajtimi i këtyre padrejtësive të shtresuara kërkon çmontim të strukturave që i mirëmbajnë ato.
Komisioni i Kuvendit të Kosovës për të drejtat e njeriut duhet të jetë i lirë nga homofobia. Nuk mund të strehojë njerëz, pikëpamjet e të cilëve bien ndesh me parimet themelore të barazisë dhe vlerat demokratike. Nëse synimi është nxitja e një shoqërie ku të gjithë, pa përjashtim, janë të lirë të marrin pjesë, nuk ka vend për deputetë/e homofobikë/e si Demi-Murtezi.
Demi-Murtezi duhet ta pranojë se homofobia që ajo përjetëson është e përhapur në Kosovë. Një shëtitje nëpër çdo rrugë zbulon një heshtje të madhe: shprehja publike e dashurisë mes njerëzve LGBTQ+ është praktikisht joekzistente, duke reflektuar atmosferë të rrënjosur në mostolerancë dhe diskriminim. Ndonëse ka përparim, mbetet i brishtë. Frika nga kundërreagimi i pengon shumë njerëz që ta shprehin dashurinë e tyre hapur.
Për shumë njerëz LGBTQ+, kjo është zgjedhja: të përballesh ballë për ballë me deputetët armiqësorë dhe paragjykimet publike, ose të kërkosh strehim në vendet ku pranimi ofron një mundësi për të lulëzuar. Teksa Demi-Murtezi dëshiron që ne ta zgjedhim këtë të fundit, unë e refuzoj atë opsion. Pranimi i vizionit të saj as që bëhet fjalë.
Të qëndrosh i vendosur kundër deputetëve/eve homofobikë/e si Demi-Murtezi është hap themelor drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
Të ballafaqohesh me këtë përgjigje, lufto apo ik, formëson narrativa garuese. Individët LGBTQ+ kanë të drejtë të jetojnë të lirë — të ecin në rrugë, të dashurojnë hapur dhe të ekzistojnë pa frikë nga ngacmimi apo dhuna. Dështimi për ta trajtuar retorikën homofobike të Demi-Murtezit përbën rrezik shumë më të madh nga sa mund ta marrim me mend. Ta shpërfillësh atë, ushqen një mjedis dyshimi dhe armiqësie ndaj personave LGBTQ+.
Prandaj, ballafaqimi me Demi-Murtezin është qenësor për ta zhvendosur bisedën drejt drejtësisë. Pavarësisht peshës së vuajtjeve, shpresa mbetet. Të qëndrosh i vendosur kundër deputetëve/eve homofobikë/e si Demi-Murtezi është hap themelor drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0
Want to support our journalism? Become a member of HIVE or consider making a donation. Learn more here.