Ishte viti 2002 dhe Kosova sapo kishte dalur nga lufta, ndërsa periudha e rindërtimit i kishte prekur shumë pore të jetës, përfshirë këtu edhe federatat e sportit. Gjuetia nisi për udhëheqësin e ri të Federatës së Boksit. Meqë nuk mungonin legjendat që kishin bërë nam në periudha të kaluara, spekulimet sa vinin e shtoheshin. A do të vinte në krye fituesi i medalljes së bronztë olimpike, Aziz Salihu? Apo njëri prej ish-kampionëve të Jugosllavisë së atëhershme, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, apo edhe Nazif Gashi?
Ç’është e vërteta, askush prej këtyre nuk erdhi në krye të kësaj federate, dhe këtë rol e mori njeriu i cili kurrë nuk kishe hyrë në ring në cilësinë e garuesit; ishte ky Ramadan Selimi, i cili ende e mban këtë post, për gati 15 vjet.
Selimi është vëllau i ish-pjesëtarit me ndikim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe anëtarit të tanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Lidhjet familjare ndërmjet kryesuesve të federatave sportive dhe politikanëve në Kosovë janë bërë njëfarë trendi, ndërsa po dëgjohen pretendimet se Selimi e ka siguruar dhe po e mban këtë post falë lidhjeve politike.
Selimi i hedh poshtë këto akuza, duke instituar se ai u zgjodh në mënyrë të drejtë dhe se e ka mbajtur këtë pozitë falë punës që e kryen. “[Këto pretendime] nuk kanë bazë, sepse në vitin 2002 vëllai im nuk ishte politikan”, i tha ai K2.0. “Unë u bëra kryetar i federatës më herët”.
Selimi shpjegon se ai ishte pjesë e ekipit drejtues të Klubit të Boksit të Prishtinës kur u propozua për postin e kryetarit të federatës në vitin 2002. “Në fillim ngurova, meqë nuk e shihja veten si kryetar [i federatës] përpara kampionëve të boskit si Bogujevci, Salihu, Peci, Gashi dhe shumë e shumë të tjerë”, zbulon ai. “Në fillim refuzova, por pastaj duke i parë rrethanat, duke parë se nuk mund të pajtoheshin, [unë vendosa që] ndoshta do të duhej ta drejtoja Federatën e Boksit”.
Klubi i boksit Prishtina në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, dega zyrtare e federatës së boksit të Kosovës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Sa i përket meritave të tij, Selimi përmend përvojën e tij në drejtimin dhe organizimin e aktiviteteve kulturore, dhe insiston se nuk është absolutisht e nevojshme të jesh sportist i suksesshëm në një fushë përkatëse për ta drejtuar një federatë”. “Me rëndësi është të jesh menaxher i mirë”, tha ai. “Njerëzit që i kanë të dyja këto cilësi janë shumë të rrallë. Mendoj se kam qenë menaxher i mirë dhe se i kam arritur qëllimet e mia. Jam përnjëmend i lumtur me veten time”.
Përkundër kënaqësisë së Selimit me karrierën e tij gati 15-vjeçare, shumë njerëz që kanë pasur punë me Federatën e Boksit të Kosovës nën drejtimin e tij duken shumë më pak të kënaqur. Disa prej boksierëve më të suksesshëm të Kosovës besojnë se Federata e Boksit është e zhytur në politikë.
Armend Xhoxhaj është boksier i kategorisë së rëndë nga Prizreni, i cili aktualisht është i ranguar në pozitën e 53-të në kategorinë e tij në Konfederatën Evropiane të Boksit, dhe është fitues i çmimit “Boksieri i vitit” i Federatës së Boksit të Kosovës për vitin 2015 dhe 2016.
Përkundër vlerësimeve që i ka pranuar nga kjo federatë, Xhoxhaj nuk ka mendim fort pozitiv për praktikat e saj. “Ka shumë njerëz aty që janë të përfshirë në politikë, dhe jo vetëm kryetari i saj, Ramadan Selimi”, i tha ai K2.0. “Unë nuk dua të merrem më me ta”.
Xhoxhaj është i zhgënjyer me kushtet për boksierët e Kosovës, dhe mendon të largohet nga Kosova për ta vazhduar karrierën e vet. E ky është një hap të cilin një boksier tjetër, Naser Shala, tashmë e ka ndërmarrë.
Shala ishte kampion i Kosovës për gjashtë vite me radhë, por i tha K2.0 se karriera e tij nuk mund të ecte përpara përderisa Selimi ishte kryetar i kësaj federate. “Ramadan Selimi kurrë nuk ka qenë i përfshirë në boks, dhe prandaj nuk e ka idenë për këtë sport”, tha ai. “Ai është aty ku është, dhe ka mbetur aty ku është për shkak të politikës”, tha boksieri nga Prizreni, i cli tani po e vazhdon karrierën në Holandë.
Kampioni i gjashtëfishtë i Kosovës në boks, Naser Shala, i cili pretendon se përfshirjet politike e kanë lënë atë pa garuar në lojërat Olimpike. Foto nga Naser Shala.
Është pikërisht ndikimi i politikës në federatë ai që, sipas tij, e ka penguar më së shumti karrierën e tij në Kosovë: “[Selimi] personalisht, së bashku me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, më nxorën nga Olimpiada, meqë një prej familjarëve të mi ka lidhje me PDK-në dhe është anëtar i Kuvendit Komunal në Prizren. Boksi kosovar është tepër i ndikuar nga politika”.
Këto fjali dëgjohen edhe nga goja e të boksierit të ri prishtinas, Arian Gashi, i cili gjithashtu po e shqyrton mundësinë ta vazhdojë karrierën jashtë Kosovës, pasi ka një vit që kishte hequr dorë nga karriera e tij në vendlindje pas zhgënjimit të vazhdueshëm me kushtet që ofrohen. Ai i tha K2.0 se “ka disa klane të cilat e kanë kapur federatën” duke shtuar se ai nuk po sheh ditë të mira për boksin kosovar.
Përveç politikës, një faktor tjetër janë edhe paratë. Gashi, Shala dhe Xhonaj insistojnë se ata e kanë ngritur lartë shpirtin e boksit amator dhe kurrë nuk e kanë marrë as edhe një qindarkë gjatë gjithë karrierës së tyre. Shala beson se kjo vlen edhe për menaxhmentin e federatës, për të cilin thotë se rrallëherë e ka shfrytëzuar buxhetin e federatës në dobi të boksierëve.
Xhevdet Peci ishte katër herë kampion i Jugosllavisë, dhe u votua si sportisti i shekullit i Mitrovicës në vitin 2000. Peci tash i trajnon boksierët në gjithë vendin, me të cilët shpesh edhe udhëton në gara e turne të ndryshme. “Një herë ishim në një turne jashtë vendit dhe federata i mbuloi vetëm shpenzimet e udhëtimit”, i tha ai K2.0. “Më besoni, i kam shpenzuar paratë e mia për kafe dhe ushqim. Ky është realiteti i boksit kosovar”.
Rrëfime të ngjashme gjithashtu mund të dëgjohen nga Xhoxhaj, Shala, Gashi e Liridon Zeqiri, që dikur ishte boksieri më i mirë në vend. Shala përmendi raste kur u detyrua të merrte kredi për t’i mbuluar shpenzimet e nevojshme për të qenë në gjendje të bëjë atë që ia do zemra — të boksojë.
K2.0 ia përmendi këto pretendime Selimit. Në vend se të mbrohej në lidhje me praktikat e federatës, Selimi iu përgjigj kritikave duke insistuar se nuk ishte koha e duhur që t’i drejtoheshin akuzat një organizate e cila ishte në zhvillim e sipër. Ai gjithashtu i kritikoi sportistët të cilët largohen nga vendi në “një kohë kur sportistët kosovarë të përgatitur jashtë vendit tash po kërkojnë të kthehen e ta përfaqësojnë Kosovën”.
Ndarja e sportit nga shteti
Federata e Boksit e Kosovës nuk është i vetmi organ sportiv i Kosovës i cili ballafaqohet me akuzat e ndikimit politik. Deri para pak kohe, Federata e Futbollit e Kosovës kishte dy politikanë në Komitetin Ekzekutiv — deputetë në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu – Kamishi i PDK-së dhe Murat Hoxha i LDK-së. Të dytë dhanë dorëheqje më 11 tetor, 2016 me kërkesë të UEFA-së.
Një grup i zyrtarëve të shtetit përfshirë Bekim Haxhiun-Kamishin duke inspektuar punimet në stadiumin Adem Jashari. Foto nga zyra e Kryeministrit.
UEFA ka rregulla strikte për parandalimin e ndërhyerjes politike në futboll. Megjithatë, futbolli kosovar prapëseprapë nuk është krejt i pastruar nga figurat politike. Edhe pse Kamishi dhe Hoxha janë larguar, Vjollca Krasniqi e cila kishte shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës, ende vazhdon të jetë në këtë komitet. Në anën tjetër, Muharrem Sahiti punon edhe si këshilltar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe si ndihmës i Përfaqësueses së Kosovës.
Nuk është vetëm Federata e Boksit ajo që ka të afërm të politikanëve në pozitat kyçe. Federata e Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve e Kosovës drejtohet nga Arben Lila, bashkëshorti i kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, derisa presidenti i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja është vëllai i politikanit Shaip Muja nga radhët e PDK-së.
Po ashtu, ish-ministri i kulturës dhe tash ministri i bujqësisë, Memli Krasniqi, është pjesë e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës bashkë me ish-këshilltarin e tij Shasivar Haxhiaj, i cili gjithashtu është kryetar i degës së PDK-së në Istog.
Kjo është një dukuri e cila i ka shqetësuar shumë figura sportive në mbarë Kosovën, të cilët, duke qenë të vetëdijshëm se kontributi i qeverisë në sport është jetik, theksojnë nevojën e ndarjes së sportit nga shteti.
Besim Hasani është kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës. Ai beson se raporti ndërmjet politikës dhe sportit duhet të jenë mbështetës por tjetërfare. “Politika duhet të jetë pranë sportit dhe duhet ta ndihmojë atë, por nuk guxon të ndërhyjë në sport”, tha Hasani. “Organizatat sportive janë të pavarura dhe autonome. Pavarësia dhe autonomia kërkojnë udhëheqje të mirë të organizatave sportive dhe menxhment të mirë e të përgjegjshëm”.
Këtë qëndrim e ka edhe Iber Alaj, kryetar i Departamentit të Sportit pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Alaj megjithatë beson se Kosovës ende i duhet kohë ta arrijë qëllimin e vet. “Përkundër përpjekjeve të institucioneve sportive për t’i ikur kthetrave të politikës, unë besoj se si shoqëri jemi ende në fazat fillestare, pas njohjes së plotë nga organizatat ndërkombëtare”, i tha ai K2.0. “Duhet t’i ndajmë përgjegjësitë politike për të krijuar kushtet e favorshme për sportet si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.”
Megjithatë, Alaj thekson se edhe federatat kanë obligime ndaj shtetit. “Ne duhet të kërkojmë që organizatave sportive t’i përfaqësojnë vlerat kombëtare në sport, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, tha ai. “Unë mendoj se [aktualisht] ndarja e përgjegjësive sa i përket drejtimit të organizatave sportive po bëhet spontanisht”.
Post të përjetshëm
Përveç ndikimit politik, një çështje tjetër menaxheriale me të cilën ballafaqohen federatat është mungesa e ndërrimeve në postet kyçe. Në sportet kosovare, personat e njëjtë po i drejtojnë organizatat për më shumë se një dekadë. Besim Hasani i përmendur më lartë e mban postin e kryetarit të Komitetit Olimpik për më shumë se 20 vjet, derisa kësaj dukurie nuk i qëndrojnë larg as federatat tjera sportive, duke i vazhduar mandatet e tyre në pakufi.
Halil Sulejmani e mban postin e kryetarit të Federatës së Atletikës që nga 21 shtatori i vitit 1991, dhe do të vazhdojë edhe për dy vjet të tjera; kur ta përfundojë mandatin, ai do ta ketë mbajtur pozitën e kryetarit për afër 30 vjet. Mandatin e katërt është gati ta vazhdojë edhe kryetari i Federatës së Kikboksit, Fatmir Makolli, i cili erdhi në këtë pozitë para 9 vitesh, përafërsisht në kohën kur Fadil Vokrri erdhi në krye të Federatës së Futbollit.
Xhavit Kajtazi është trajner volejbolli dhe gazetar i njohur i sportit të cilin shpesh e quajnë ‘profesori’. Ai konsideron se nevojitet gjak i ri në postet kyçe të institucioneve sportive. “Mendoj se gati krejt federatat janë drejtuar nga njerëzit e njëjtë për më shumë se 25 vjet”, i tha Kajtazi K2.0. “Udhëheqësit e njëjtë, kokat e njëjta… Pa ardhur njerëz të ri dhe pa i hequr qafe këto koka të përjetshme — si dhe disa të tjera brenda komiteteve; njerëz të cilëve nuk u ka mbetur asgjë për t’i dhënë sportit, ose nuk u ka mbetur fije kreativiteti — vështirë se do të ketë përparim. Thuajse i kanë trashëguar këto poste, dhe as që mërziten!”
Njohje po, mbështetje jo
Sa herë që sportistët kosovarë kanë korrur suksese ndërkombëtare, politikanët e Kosovës nuk ia kanë huqur ta ndajnë tortën e suksesit të tyre. Pas suksesit të Majlinda Kelmendit e cila e fitoi medlajen e artë në Rio në vitin 2016, presidenti Hashim Thaçi shkroi në një postim në Facebook se ishte krenar dhe shumë i emocionuar me suksesin e Majlindës. Thaçi instistonte se xhudistja “e mishëronte historinë e re të sportit dhe suksesin ndërkombëtar në Kosovë” duke thënë se ajo kishte ‘shënuar’ ipon edhe për politikën e jashtme të Kosovës.
Kampionja Olimpike Majlinda Kelmendi së bashku me presidentin Hashim Thaçi, i cili tha se xhudistja “kishte shënuar ipon [sic] për politikën e jashtme të Kosovës.”. Foto: Atdhe Mulla/K2.0.
Megjithatë, sportistët kosovarë, duke përfshirë edhe ata që garuan në Rio, rrallëherë ndihen të siguruar nga federata se do të mbështeten me fondet shtetërore. Përveç se rrallëherë kanë sigurim shëndetësor, ata financohen mjaft dobët, dhe pagesat për mbulimin e shpenzimeve shpeshherë arrijnë vonë.
Ka edhe raste shumë më ekstreme. Qëndrim Guri nga Ferizaji është biciklisti i vetëm i cili e përfaqësoi Kosovën në garat Olimpike të Rios vitin që shkoi. Gjatë qëndrimit të tij në Brazil, ai pësoi një aksident trafiku, duke e goditur një veturë gjatë ngasjes së bicikletës me ç’rast i theu dhëmbët. Me t’u kthyer në shtëpi, atij iu oftua mbështetja ose prej Federatës së Atletikës së Kosovës ose prej Komitetit Olimpik. “Nuk mora kurrfarë ndihme”, i tha Guri K2.0. “Kurrkush nuk u mërzit. Vetë u desh t’i rregulloja dhëmbët. Babai im më ndihmoi. Dhëmbët e ri më kushtuan rreth 700 euro”.
Edhe një atlete olimpike, Vijona Kryeziu, u ballafaqua me shumë fatura mjekësore vitin e kaluar, kësaj radhe për shkak të infrastrukturës së dobët në Kosovë. Ajo u përfshi në një aksident derisa vraponte me atletet tjera në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’, i cili e la të gjakosur dhe shumë të lënduar. Për lëndimet e saj Kryeziu e fajëson renovimin e stadiumit, duke thënë se pistat e vrapimit nuk ishin të rrafshta. Ajo u detyrua të mos dilte nga shtëpia për disa jave rresht si rezultat i lëndimeve të saj dhe madje e shqyrtoi mundësinë t’i jepte fund karrierës, që në moshën 18-vjeçare.
“Ishte e tmerrshme. E pashë veten të gjakosur, dhe mendova se nuk ia vlen të bësh karrierë në atletikë në Kosovë”, i tha Kryeziu K2.0. “Erdha nga parajsa e Brazilit, ku gjithçka ishte e përsosur gjatë lojërave Olimpike, e tash po vrapoja në Kosovën gunga-gunga. Megjithatë, disa javë më pas, gjeta vullnetin për të vazhduar me shpresë për një të ardhme më të mirë”.
‘Një të ardhme më të mirë’ është ajo që shumë sportistë e sportiste, e të mos flasim për publikun e gjerë, shpresojnë nga sporti kosovar. Por, për ta shumëfishuar dhe për ta tejkaluar suksesin e madh që tashmë ka arritur sporti kosovar, sportistëve duhet t’u ofrohen kushtet e mira të punës dhe mbështetje e vazhdueshme nga federatat gjegjëse. Për ta arritur këtë, federatat e Kosovës duhet të drejtohen me ndershmëri dhe me mbështetje nga shteti, por të mos ndikohen nga individë të cilët i drejtojnë ato. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia e Sportit