Pikëpamje | Ekonomia

Kosova duhet ta shqyrtojë legalizimin e kanabisit

Nga - 21.10.2019

Legalizimi mund të jetë më i dobishëm sesa qasja e tanishme e penalizimit.

Qindra kosovarë arrestohen çdo vit nga policia e Kosovës për posedim të drogës – më së shumti për marihuanë (kanabis).

Të rinjtë janë “viktimat” më të shpeshta të policisë së drogës së tanishme në Kosovë, e shumta në të 20-at e madje edhe nxënës të shkollave të mesme; ata janë edhe njerëz që nuk mund ta bëjnë zërin t’u dëgjohet për shkak të stigmës dhe paragjykimit që i bashkëngjitet përdorimit të marihuanës ose substancave të tjera këtu.

“Më pëlqen me pshtjellë barin nganjiherë,” thotë Niki, student 20 vjeçar nga Prizreni i cili dëshiron ta mbajë privat identitetin, sepse vetëm shokët e ngushtë ia njohin shprehitë. “Jam edhe student i shkëlqyeshëm, dhe madje punoj në profesionin tim – dizajn grafik,” vazhdon ai. “Pa dyshim që nuk jam kriminel, por nëse më kapin duke pi, do të trajtohem si kriminel nga sistemi”.

Frika e tij nuk është e pabazë. Njëri nga shokët e tij, gjithashtu student shumë i mirë dhe punëtor, është arrestuar për posedim njëherë, e kjo i ka sjellë shumë probleme. Përveçqë i është dashur ta zgjidhte rastin përmes sistemit të gjykatës, ai e ka humbur edhe shansin për të marrë vizë dhe për të marrë pjesë në një program shkëmbimi ku është përzgjedhur, për shkak të problemeve me ligjin.

Si është situata?

Si në shumicën e vendeve të botës, qasja e Kosovës ndaj drogës në përgjithësi dhe ndaj kanabisit në veçanti është e vjetëruar dhe përputhet me ato që dikur promovoheshin nga agjenci të BE-së dhe të autoritete të tjera ndërkombëtare për drogën.

Strategjia Kombëtare Kundër Lëndëve Narkotike dhe Plani i Veprimit 2018-2022 e Kosovës vë si qëllim të vetin që “të zhvillojë, me përdorim të arsyeshëm të burimeve materiale, financiare dhe njerëzore, politika për të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e individëve dhe shoqërisë nga problemet që vijnë nga abuzimi i lëndëve narkotike.”

Strategjitë e zbatimit, të përdorura nga Policia e Kosovës, siç është prania e madhe e forcave speciale të policisë në pika kontrolli si dhe bastisjet në lokale e klube, kanë dhënë pak rezultate.

Strategjia i paraqet tre objektiva specifikë të drejtuar kah përmbushja e qëllimit të vet: “zvogëlimi i kërkesës dhe dëmit”, “zvogëlimi i ofertës dhe furnizimit” dhe “bashkëpunimi e bashkërendimi.”

Në praktikë, veprimet e agjencive të zbatimit të ligjit kryesisht janë drejtuar kah reduktimi i kërkesës, dhe më pak janë fokusuar në objektivat e tjerë specifikë. Raporti Sistemet e Trajtimit të Drogës në Ballkanin Perëndimor i publikuar nga Zyra e BE-së për Drogë dhe Krim dhe European Monitoring Centre for Drugs and Drug Addiction (EMCDDA) tregon se mundësitë e trajtimit për kanabis dhe substanca të tjera në Kosovë mbesin të kufizuara, edhe pse ngadalë janë duke u rritur.

Shumica e trajtimeve në dispozicion në Kosovë ofrohen nga Klinika e Psikiatrisë dhe nga OJQ Labyrinth, e cila ofron trajtim në formë të shërbimeve të detoksifikimit, trajtimit psiko-social (si këshillimi dhe psikoterapia) dhe Terapia e Zëvendësimit të Opioidit me metadon. Trajtimi psiko-social i drogës për pacientët e jashtëm kryesisht ofrohet nga Labyrinth, i cili i ka selitë në Prizren, Gjilan dhe Prishtinë.

Strategjitë e zbatimit, të përdorura nga Policia e Kosovës, siç është prania e madhe e forcave speciale të policisë në pika kontrolli si dhe bastisjet në lokale e klube, kanë dhënë pak rezultate. Në rastin më të mirë, janë drejtuar kah shkurajimi i përdorimit të substancave (për shembull zvogëlimi i kërkesës) dhe në disa raste këto masa kanë ndikuar negativisht në strategjitë e tjera specifike.

Policimi i drogës në Kosovë:

Në vitin 2018, gjithsej 1174 operacione në terren u zbatuan nga Policia e Kosovës në lidhje me zbatimin e ligjit për politikat ndaj drogës.

Këto rezultuan me arrestimin e 2171 personave, dhe me 11,697 kallëzime penale kundër 2,005 personave.

Policia ka zbatuar edhe një rend operativ: “Ndalo drogën në shkolla,” e cila i ka përfshirë: 35,463 patrolla rreth shkollave; 18,959 vizita dhe kontakte me shkolla; 293 bastisje/kërkime; 19,721 kontrollime të veturave në pika kufitare; 40,390 persona të kontrolluar; 596 persona të arrestuar, prej të cilëve 127 ishin nxënës të shkollës dhe prej të cilëve 492 në lidhje me posedim ilegal të lëndëve narkotike.

Versioni më i fundit i Kodit Penal të Kosovës (NO. 06/L-074), i miratuar në janar 2019, i përkufizon sanksionet kundër personave që kapen me posedim të kanabisit dhe substancave të tjera psikotropike.

Neni 269 që ka të bëjë me posedimin e paautorizuar të substancave narkotike, psikotropike ose të substancave analoge, parasheh ndëshkime financiare dhe burgosje prej një deri në tre vjet për këdo që kapet me posedim të këtyre substancave. Për shkelësit e ligjit për herë të parë, gjoba e cila aplikohet deri më sot është rreth 250 dhe 300 euro.

Në kuptimin e efektshmërisë, gjatë vitit 2018, përpjekjet e kombinuara të agjencive të zbatimit të ligjit kanë rezultuar në konfiskimin e 119 kg heroinë, 1.7 kg kokainë, 987.3 kg kanabis dhe 259 bimë të kanabisit. Shumica e  konfiskimeve të suksesshme janë kryer nëpërmjet bashkëpunimit me agjencitë rajonale dhe ndërkombëtare të zbatimit të drogës, kryesisht në vendkalimet kufitare dhe/ose përmes operacioneve të maskuara të bazuara në informata inteligjence. Shumica e rasteve të tjera që përfshijnë praninë fizike të policisë kanë rezultuar me shumë raste penale, por sasi të vogla të substancave të paligjshme të sekuestruara.

Buxheti i Kosovës i vitit 2018 tregon se 68.7 milionë prej 95.3 milionë eurosh të buxhetit të përgjithshëm të policisë janë shpenzuar në paga. Duke pasur parasysh struktura të shpenzimeve të tilla, dhe faktin se forcat speciale elitare janë më të kushtueshmet për t’i zhvilluar dhe për t’i mbajtur, dërgimi i tyre për ta gjetur drogën në pika kontrollimi është përdorim i pakujdesshëm i asetit më strategjik dhe më të trajnuar të policisë, e cila do të prodhonte rezultate shumë më të mira sikur të orientohej kah luftimi i grupeve të krimit të organizuar.

Rreth 10% prej 5,500 kosovarëve të anketuar raportojnë se e njohin dikë që përdor kanabis.

Kosova është shtet transit për drogë, jo vend i origjinës a destinacion i rëndësishëm për treg, prandaj prania fizike e forcave speciale në pika kontrolli të qytetit ose bastisjet në lokale janë më shumë qasje e paaftë për ta luftuar trafikimin e transitit.

Krimi i organizuar është njëri nga problemet më të mëdha të identifikuara nga BE-ja, si dhe sfida më e madhe që ngelet krahas korrupsionit që nuk po e lejon Kosovën të përfshihet në të ashtuquajturën “Listë e Bardhë Shengen,” e cila mundëson udhëtimin pa viza në BE.

Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën 2018 njofton se “përtej progresit të bërë në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave, përpjekjet e qëndrueshme duhet të vazhdojnë për ta luftuar krimin e organizuar, trafikimin e drogës, trafikimin e njerëzve dhe korrupsionin, përveç përpjekjeve konkrete për të menaxhuar lëvizjet të parregullta të migrimit dhe uljen e numrit të pretendimeve të pabaza për azil”.

Sipas Anketes se Pergjithshme te Popullsise per Perdorimin e Droges dhe per Qendrimet ne Kosove, rreth 10% prej 5,500 kosovarëve të anketuar raportojnë se e njohin dikë që përdor kanabis. Sipas studimit të njëjtë, kanabisi është edhe substanca e paligjshme më e qasshme – 12.6% të kosovarëve të anketuar kanë raportuar se shumë lehtë ose mjaft lehtë kanë qasje në substancë.

Mbizotërimi gjatë gjithë jetës (personat që kanë pranuar se kanë përdorur kanabis së paku njëherë) është i vogël, me vetëm 2% të kosovarëve që e kanë pranuar se kanë konsumuar kanabis. Megjithatë kjo figurë besohet të jetë më e lartë, sepse njerëzit nuk do ta pranonin aq lehtë se kanë përdorur kanabis në një studim, për shkak të qasjeve mbizotëruese dhe mënyrës në të cilën shoqëria i trajton përdoruesit e drogës.

Perceptimi i publikut ndaj kanabisit është shumë paragjykues. Statusi i tij si një drogë e sanksionuar nga Kodi Penal i Kosovës ka qenë njëri ndër faktorët më të rëndësishëm që ka nxitur paragjykimin, ndërsa përdoruesit e substancës trajtohen nga shoqëria si kriminelë. Praktika e përdorimit të fjalës “drogë” për të përshkruar të gjithë narkotikët, nga kanabisi te kokaina e heroina, është njëri nga aspektet kryesore gjuhësore e kulturore që nxit paragjykimin.

Studimi i mësipërm raportoi edhe se të varurit nga droga shihen si kriminelë nga 17.7% të kosovarëve dhe si pacientë nga 35.4%, ndërsa 25.7% i konsiderojnë të varurit nga droga edhe si kriminelë edhe si pacientë. Raporti njofton edhe se për shkak të faktit që posedimi i kanabisit ëshë i jashtëligjshëm, letrat mbështjellëse  – produkt i ligjshëm në Kosovë – po ashtu importohen dhe tregtohen ilegalisht.

Si erdhëm deri këtu?

Kanabisi ka qenë njëra ndër bimët e stigmatizuara në botë gjatë pesë dekadave të kaluara. Është më së miri i njohur për vetitë psikoaktive, që sot janë arsyeja më e përhapur për përdorimin e tij – por po rritet pranimi i tij nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të shëndetit për potencialin mjekësor.

Përdorimi i tij i dokumentuar nëpër kultura fillon nga prodhimi i fibrave, i ushqimit, i vajit, i ilaçeve  dhe i ushqimit të kafshëve, si dhe përdorimet e ndryshme në aktivitete fetare, spirituale dhe argëtuese. Ka qenë i pranishëm në shoqëritë njerëzore për shumë mijëvjeçarë. Është autokton për Azinë Qendrore dhe nënkontinentin indian, dhe ndoshta kultivohet qysh prej 8,000 deri 10,000 vjetesh. Spekulohet se mund të jetë një nga bimët e para shtëpiake.

Politikat botërore për kanabisin, por edhe për substancat e tjera psikotropike, kryesisht urdhëroheshin prej qëndrimeve dhe politikave të miratuara në Shtetet e Bashkuara.

Kanabisi është dokumentuar të rritet edhe në zonat e egra nëpër Evropë, Azi, Amerikën Veriore, dhe në Afrikë, edhe pse shumëllojshmëria vërtet e egër shumë rrallë gjendet sot. Në vend të kësaj, shumica e asaj që dokumentohet të rritet në të egër sot është formë e kanabisit feral/të egër, që buron nga bimët e kërpit industrial, të kultivuara në të kaluarën nga njerëzit.

Prandaj, si ndodhi që kjo bimë e zakonshme, me një traditë të lashtë përdorimi, u bë ilegale në shumicën e vendeve të globit?

Disa burime tregojnë që kufizimet më të hershme në kanabis të kenë nisur në lindjen e mesme, duke filluar në shekullin XIV. Pasi fuqitë kolonizuese gjithnjë e më shumë ranë në kontakt me vendet që e konsumonin kanabisin në shekullin XIX, kufizimet filluan, shpesh të lidhura me politika racore dhe të klasës shoqërore. Në gjysmën e shekullit XX, bashkëpunimi ndërkombëtar u rrit dhe kjo solli politika më të rrepta ndaj kanabisit nëpër botë.

Politikat botërore për kanabisin, por edhe për substancat e tjera psikotropike, kryesisht urdhëroheshin prej qëndrimeve dhe politikave të miratuara në Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1800, njëri nga prodhimet më të famshme të bimës, kërpi, po garonte në mënyë efektive në shumë industri, duke përfshirë këtu tekstilin, ku përfaqësonte konkurrentin më të madh të pambukut. Nxjerrja jashtë ligjit e kanabisit nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara e anoi industrinë në favor të konkurrentit të kërpit, në këtë rast, pambukut dhe najlonit, në të cilët disa prej bizneseve më me ndikim të kohës kishin investime të mëdha.

Kultivimi i kërpit luajti rol qendror në ShBA në shekullin XVIII dhe XIX. Por ndalesat në kultivimin e kanabisit, distribuimi dhe përdorimi filluan në vitet 1850, me përfshirjen e tij në ligjet për substancat helmuese. Një varg masash kufizuese u vendosën progresivisht në vitet vijuese.

Ishte Marihuana Tax Act e vitit 1937 që në praktikë i nxori jashtë ligjit shitjet ose posedimin e kanabisit në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1971 presidenti i SHBA-së Nixon deklaroi Luftën kundër Drogave, njëra nga qasjet më të ashpra të përballjes me substanca psikotropike, dhe e nënshkroi Aktin e Substancave te Kontrolluara në ligj. Kjo politikë e klasifikoi kanabisin krahas heroines dhe LSD-se  si drogë të Listës 1, duke sugjeruar se substanca ka potencial të lartë për abuzim dhe s’ka përdorim mjekësor të pranuar. Ndalimi i kanabisit shpejt u përhap në vendet e tjera për shkak të rolit me rëndësi të ShBA-së në trupat dhe organizatat ndërkombëtare.

Ndërkombëtarisht, kufizimet në kanabis në fillim u prezantuan nën patronatin e Kombeve të Bashkuara, pas kufizimeve të para në substancat e tjera të prezantuara nga paraardhësi i saj, Liga e Kombeve.

Gjithmonë e më shumë vende po i rimendojnë politikat e tyre ndaj drogës në përgjithësi, e kanabisi është kampion në këtë drejtim.

Ndonëse traktatet më të hershme e kontrollonin vetëm opiumin, coca-n dhe derivatet si morfina, heroina dhe kokaina, Konventa e Perbashket per Barnat Narkotike e vitit 1964 ishte e para që e prezantoi një ndalim botëror për kanabisin. Për t’i zbatuar politikat e reja, strukturat ndërkombëtare të përpjekjeve bashkëpunuese të vendeve u prezantuan dhe agjencive të BE-së u dhanë mandate për t’i monitoruar ato substanca.

Megjithatë, në fundin e viteve 1990-ta dhe fillimin e këtij shekulli, qasja botërore ndaj drogës ka ndryshuar dukshëm. Edhe përmes ndryshimeve të politikave nga vendet individuale, edhe përmes ndryshimit në rekomandime nga institucionet ndërkombëtare. Trendi rreth botës ka kaluar drejt një politike më të relaksuar sa i përket posedimit të drogës, e në veçanti kanabisit.

 raportin e vitit 2016, Komisioni Botëror në Politikën e Drogës, nxiti shtetet aneqark globit që t’i rimendojnë politikat e tyre rreth drogës. Ndër të tjera, raporti rekomandoi që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të vazhdojnë drejt dekriminalizimit të posedimit të drogës. 

Çka po bëjnë të tjerët?

Gjithmonë e më shumë vende po i rimendojnë politikat e tyre ndaj drogës në përgjithësi, e kanabisi është kampion në këtë drejtim. Politikat ndryshojnë prej legalizimit të plotë për përdorime rekreacionale, siç është rasti në Uruguaj dhe Kanada, te zbatimi më i butë i politikave ndëshkuese që është miratuar nga shumë vende evropiane. Duke ia përshtatur kontekstit të veçantë dhe nevojave, vendet kanë zhvilluar kontroll të ndryshëm dhe mekanizma mbikëqyrës për t’i zbatuar politikat e tyre.

Shteti i parë që ka filluar me lirimin e politikës së tij të drogës ishte Holanda. Në vitin 1972, qeveria holandeze i kategorizoi narkotikët në droga të rënda dhe të lehta bazuar në rreziqet e dëmit dhe/ose varësisë, duke e përfshirë kanabisin në kategorinë e dytë. Prandaj, posedimi i 30 gramëve apo më pak, u bë kundërvajtje.

Megjithëse kanabisi dhe substancat e tjera mbesin teknikisht ilegale edhe sot, holandezët e kanë zhvilluar një politikë të tolerimit për përdorimin e kanabisit dhe të drogave të tjera të lehta për argëtim.

Kanabisi ka qenë në dispozicion për përdorim për argëtim në kafeteritë që nga viti 1976. Kafeterive u lejohet të shesin vetëm droga të lehta, dhe jo më shumë se 5 gramë për person në ditë. Janë të vendosura në një zonë gri legale në të cilën dyqanet lejohen të shesin kanabis brenda limiteve ligjërisht të toleruara, por furnizuesit nuk lejohen që ta mbjellin ose ta importojnë atë ligjërisht, a ta shesin në kafeteri. 

Uruguaj konsumatorët duhet të regjistrohen me regjistër dhe pastaj janë të kufizuar të blejnë 10 gramë në javë. Në Kanada, sipas Cannabis Act, në fuqi që nga 17 tetori 2018, të rriturve u lejohet ligjërisht të posedojne deri ne 30 grame kanabis, të blejnë kanabis prej shitësve të licencuar me pakicë dhe të rrisin deri në 4 bimë kanabisi për vendbanim për përdorim personal.

Portugali posedimi i drogës për përdorim personal është kundërvajtje administrative dhe mund të dënohet me gjobë ose me sanksione jofinanciare për përdoruesit që nuk janë të varur, ose sanksione jofinanciare për përdoruesit e varur. Ka gjithmonë masa administrative, si shërbimi në komunitet ose terapia psikosociale, në vend të dënimit. Në Çeki posedimi i drogës për përdorim privat është kundërvatje e dënueshme me gjobë deri në 15,000 CZK (519.91 euro).

Disa gjendje për të cilat është përshkruar kanabisi:

Sëmundja Alzheimer, humbja e apetitit, kanceri, sëmundja e Crohn-it, çregullimet e ngrënies si anoreksia, epilepsia, glaukoma, problemet e shëndetit mendor dhe çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), skleroza e shumëfishtë, spazma e muskujve, dhembja dhe sindromi i tretjes (cachexia).

Një tjetër përmasë e kanabisit është përdorimi i tij për qëllime mjekësore. Ndonëse ka rezistencë të madhe nga profesionistët e shëndetësisë për të miratuar përshkrimin e kanabisit për raste mjekësore, numri i vendeve që po shkojnë në këtë drejtim po rritet. Edhe pse akoma ka pak të dhëna shkencore për efektet afatgjata të përdorimit të kanabisit, ekziston një dëshmi anektodike se përbërësit aktivë (kanabinoidet dhe tetrahidrokanabinoli –THC) janë efektivë në trajtimin e rasteve mjekësore të ndryshme.

Një numër i madh i vendeve e kanë legalizuar përdorimin mjekësor të kanabisit. Të tjerët kanë ligje më kufizuese që e lejojnë përdorimin e ilaçeve farmaceutike të caktuara që rrjedhin nga kanabisi. Në Shtetet e Bashkuara, 33 shtete dhe Distrikti i Kolumbise e kanë legalizuar përdorimin mjekësor të kanabisit, ndonëse mbetet illegal në nivel federal.

Fqinji ynë, Maqedonia e Veriut, e ka legalizuar prodhimin dhe tregtinë e marihuanës mjekësore në vitin 2017, dhe disa raporte tregojnë se industria e vendit i ka tërhequr qindra miliona në investime.

Disa vende me forma të kanabisit mjekësor legal:

Argjentina, Gjermania, Holanda, Australia, Greqia, Norvegjia, Kanadaja, Izraeli, Peruja, Kili, Italia, Polonia, Kolumbia, Xhamaika, Rumania, Kroacia, Lesoto, San Marino, Qiproja, Luksemburgu, Zvicra, Çekia, Maqedonia Veriore, Turqia, Danimarka, Malta, Uruguai, Finlanda, Meksika, Zimbabve.

Prandaj, pse nuk ka ecur përpara Kosova me ndryshimin e politikës për kanabisin? Disa prej argumenteve kundër dekriminalizimit ose përdorimit rekreativ a mjekësor në Kosovë përfshijnë sundimin e dobët të ligjit, kapacitetet e dobëta të kontrollit dhe monitorimit si dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Megjithatë, dëshmia nga vendet e tjera sugjeron se ecja përpara me dekriminalizimin e posedimit për përdorim personal mund të sjellë uljen e kriminalitetit. Grupet dhe trafikantët e drogës kanë zhvilluar modele biznisesh duke u mbështetur në ilegalitetin e substancës; sapo të rregullohet siç duhet, burimit të të ardhurave dhe fuqisë së kriminelëve do t’u vijë fundi.

Sa i përket përdorimit mjekësor, legalizimi do të kishte ndikim tejet të mirë në bujqësi dhe në zhvillimin ekonomik. Madhësia mesatare e fermave në Kosovë është gati pesë hektarë, çka mezi mjafton për mbijetesën e bujqësisë – por nëse mbillen me kanabis, fermat do t’i rrisin fitimet e tyre prej shumëllojshmërisë së tokës, për shkak të të ardhurave relativisht më të larta.

Përderisa publiku në Kosovë nuk është në favor të marihuanës – dhe padyshim edhe ndaj drogave të tjera – politika e tashme është humbje e burimeve tashmë të kufizuara, me rezultate të dobëta përtej adoleshentëve të gjobitur ose të burgosur. Mund të jetë koha për të shqyrtuar nëse një qasje ndryshe ndaj drogave në përgjithësi, dhe kanabisit në veçanti, do të ishte më e dobishme për ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Foto kryesore: Arrita Katona.