Kanë kaluar mbi tre muaj nga zgjedhjet parlamentare, pas një viti të tërë fushate jozyrtare. Që nga viti i kaluar, jeta politike në Kosovë është përqendruar vetëm te zgjedhjet, jo te zhvillimi i brendshëm apo politika e jashtme. Tani, në një cikël të mbyllur vetëshkatërrues, partitë politike kanë ngecur në një lojë akuzash lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kjo është krizë e rreme, që maskon refuzimin e fshehur për të ndërtuar koalicione dhe për t’u përkushtuar ndaj agjendës shtetformuese.
Deri tani, kemi parë tetëmbëdhjetë dështime për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, një cirk politik që ka normalizuar bllokadë tërësisht të panevojshme. Kriza është shkaktuar qëllimisht në një fazë të krijimit të institucioneve, ku nuk parashihen afate të qarta ligjore apo kushtetuese, çka u lejon aktorëve politikë të operojnë në një “zonë gri”, pa pasoja të drejtpërdrejta për partitë e tyre, por me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit.
Pamundësia e konstituimit të Kuvendit
Kosova po përballet me një ngërç politik të thellë për shkak se LVV nuk po arrin ta sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për konstituimin e Kuvendit, një hap kyç për nisjen e funksionimit të institucioneve pas zgjedhjeve. LVV ka propozuar Albulena Haxhiun, ministre në dorëheqje e Drejtësisë, për kryetare të Kuvendit, por deri tani ka dështuar 18 herë të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme në seanca të përsëritura.
Ky bllokim nuk është i njëanshëm. Kriza po nxitet si nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që mban përgjegjësinë për formimin e institucioneve dhe po tenton ta ushqejë narrativën “të gjithë kundër nesh”. Bllokimit po i shërbejnë edhe partitë më të mëdha ish-opozitare, LDK, PDK dhe AAK. Opozitë, e cila po paraqitet në mënyrë artificiale si bllok i bashkuar në opinionin publik. Në realitet, kjo opozitë nuk përfaqëson front të unifikuar, pavarësisht përvojës së përbashkët në qeverisje.
Fakti më dëshpërues është se ky ngërç politik dhe vonim në formimin e institucioneve nuk është shkaktuar nga një nevojë e sinqertë për bashkërendim të politikave, por është produkt i mendësisë së vjetër të politikëbërjes, përmes pazareve dhe kalkulimeve me numra në Kuvend. Kjo ndodh në një kohë kur Kosova ka nevojë urgjente për konsensus dhe për drejtim politik, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Tashmë është e qartë se kultura politike në vend, sidomos rreth zgjedhjeve dhe formimit të koalicioneve, kurrë nuk ka qenë aq e zhvilluar apo e pjekur sa të fokusohet në programe qeverisëse apo në profilizim ideologjik të partive. Në vend të kësaj, skena politike është dominuar nga pazare për ndarjen e pushtetit dhe pozitave, shpesh të udhëhequra nga interesa individuale, duke çuar në një formë të kapjes së shtetit dhe në një vend pa drejtim të qartë politik, ku pushteti thjesht ndahet mes disa partive.
Kosova dhe qytetarët e saj po e paguajnë shtrenjtë refuzimin e klasës politike për ta kuptuar nevojën e kompromisit, në një sistem shumëpartiak që është ndërtuar pikërisht për të funksionuar mbi bazën e bashkëpunimit dhe marrëveshjes mes partive. Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme, dhe kjo nuk është mangësi, por veçori që mbron demokracinë. Sistemi është ndërtuar për ta parandaluar dominimin dhe për ta nxitur kompromisin. Por kompromisi kërkon kulturë politike. Kërkon udhëheqës/e, të cilët/at e kuptojnë se pushteti nuk është qëllim në vetvete.
Edhe më shqetësuese është se kjo qasje po përforcohet nga vetë opinioni publik, nga zërat e elitave, të shoqërisë civile dhe medieve, të cilët përqendrohen jo në përmbajtjen e një programi qeverisës, por në pyetje si: “Kush i ka numrat?”, “Kush do të bëhet kryetar i Kuvendit?”, apo “Kush mund të jetë Kryeministër apo President?”. Kjo e ushqen edhe më tej një realitet të rrezikshëm, ku e vetmja gjë që ka rëndësi është pushteti e jo përmbajtja. Pra, i kontribuon idesë se individi është në qendër, me një insistim absurd në një figurë politike për kryetar/e Kuvendi, e cila dihet qartë se nuk do të votohet, jo për ta zgjidhur situatën, por për ta bllokuar atë.
Pra, kjo nuk është thjesht krizë politike, është krizë e një modeli të të bërit politikë që nuk po sfidohet. Qëllimi i vetëm është sigurimi i një rezultati elektoral në zgjedhjet e ardhshme, që mundëson qeverisjen me “duar të lira”, që më tepër i ngjan një modeli autokratik e jo plural, me kontrolle të fuqishme të pushteteve.
Shteti në autopilot në prag të hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale
Më 15 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt. Që atëherë, kur ishte e qartë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, një nga skenarët e mundshëm që u parashikua, ishte ai i zvarritjes dhe bllokimit të qëllimshëm. Skenari i zvarritjes, ndonëse ndër më të padëshiruarit, ishte më i parashikuari, sepse krijimi i një qeverie me shumicë të thjeshtë prej 61 votash, nuk shihet si opsion i qëndrueshëm për partitë politike. Një qeveri e tillë vështirë se do të kishte jetëgjatësi, e as mundësi për ta përballuar një proces aq të ndjeshëm politik, siç është zgjedhja e presidentit/es.
Ndonëse, mandati i presidentes përfundon në mars 2026, partitë tashmë po bëjnë kalkulime përtej një marrëveshjeje për qeverisje. Në gjuhën e negociatave të partive politike, posti i Presidentit/es shfaqet gjithashtu si pozitë kyçe për pazare politike. Kjo bën që partitë të kenë pak ose aspak interes të veprojnë drejt krijimit të institucioneve, sepse nëse zgjedhja e Presidentit/es dështon, vendi shkon në zgjedhje në vitin 2026, diçka që do t’i prekte drejtpërdrejt interesat e tyre politike dhe elektorale. Andaj, synimi kryesor i tyre mbetet marsi 2026 dhe menaxhimi i numrave që kërkon zgjedhja e presidentit/es.
Çështja e presidentit/es
Çështja e zgjedhjes së presidentit është kthyer në një çështje kyçe për formimin e qeverisë së ardhshme, pasi përvoja e krizave të mëparshme dhe mungesa e konsensusit politik e bëjnë të vështirë arritjen e kuorumit prej 80 deputetësh, që nevojiten për ta zgjedhur atë. Historia e tensioneve dhe pazareve politike që e kanë shoqëruar këtë proces — përfshirë bojkotet, ndërhyrjet ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese — e ka kthyer pozitën e presidentit në një kartë të rëndësishme në negociatat për koalicion.
Kjo situatë bën që partitë, veçanërisht LVV, të jenë të kujdesshme në përfshirjen në një qeveri të re, pa siguruar më parë një marrëveshje për këtë post, duke shtuar gjasat për vonesa, paqëndrueshmëri dhe mungesë vullneti për formim të shpejtë të qeverisë. Cilado parti që formon qeverinë tash, rrezikon të rrëzohet në momentin kur të vijë koha për zgjedhjen e presidentit, nëse nuk arrin të sigurojë kuorumin e nevojshëm, duke e bërë këtë post kërcënim për mbijetesën e vetë qeverisë.
Prandaj, ngjashëm me “skenarin bullgar”, ku vendi mbetet për një kohë të gjatë nën qeveri teknike apo të përkohshme, Kosova rrezikon të kalojë më shumë se një vit pa qeverisje të qëndrueshme. Pra, kjo është çështja që do ta përcaktojë balancën e pushtetit në skenën politike për vitet në vijim.
Sikur kriza në nivel qendror të mos mjaftonte, partitë politike tashmë kanë hapur fushatën e zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në fund të vitit. Kjo zbeh edhe më tej vullnetin për kompromis dhe zgjidhje të krizës në nivel qendror, meqë çdo lëvizje potenciale atje, do të ishte jopopullore për egon e partive politike dhe narrativat që ato u kanë servirur elektoratit të tyre.
Zgjedhjet lokale, që do të duhej të përqendrohen në çështje konkrete, si planifikim urban, shërbime lokale, buxhete, menaxhim të mbeturinave dhe transport publik, mund të ndodh t’i shpërfillin ato. Kjo për arsye se një propozim që po testohet në mënyrë sporadike në publik, është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në fund të këtij viti, paralelisht me ato lokale. Partive politike iu konvenon që t’i “fitojnë” zgjedhjet lokale, duke i shpërfillur plotësisht debatet lokale, nevojat konkrete të qytetarëve dhe sfidat e komunave.
Zgjedhjet lokale nuk janë levë për garën e madhe politike — ato janë mekanizma thelbësorë për mirëqenien e qytetarëve.
Ata që po e shtyjnë përpara idenë për bashkimin e dy proceseve zgjedhore, duhet ta kuptojnë se pasojat në demokracinë lokale janë të dëmshme dhe afatgjate. Niveli komunal në Kosovë, sidomos pas procesit të decentralizimit që nisi në vitin 2008, ka fituar shkallë të konsiderueshme autonomie dhe ka rol thelbësor në ofrimin e shërbimeve publike dhe në fuqizimin e demokracisë lokale. Kjo afërsi me qytetarin dhe pesha e pushtetit lokal e kanë kthyer atë, për shumicën e partive me qasje transaksionale, në një instrument për ruajtjen e bazës elektorale përmes rrjeteve klienteliste. Në vitet e fundit, marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes nivelit qendror dhe atij lokal, të ushqyera nga një polarizim i thellë politik, kanë penguar funksionimin normal të shumë komunave. Si pasojë, synimi i partive politike nuk është më ndarja e përgjegjësive, por kontrolli sa më i madh mbi të dy nivelet e qeverisjes. Kësaj here duke tentuar t’i ndërthurin dhe instrumentalizojnë proceset zgjedhore, për përfitime të ngushta partiake.
Në këtë kontekst, opinioni publik, ekspertët/et, mediet dhe shoqëria civile duhet të bëjnë presion që këto dy procese të mos përzihen. Zgjedhjet lokale nuk janë levë për garën e madhe politike. Ato janë mekanizma thelbësorë për mirëqenien e qytetarëve për katër vitet e ardhshme dhe për garantimin e një pavarësie funksionale të komunave. Mbajtja e zgjedhjeve lokale njëkohësisht me ato parlamentare, jo vetëm që dëmton legjitimitetin dhe peshën e votës lokale, por shkel njërin prej parimeve themelore të demokracisë: ndarjen e pushteteve dhe të agjendave politike sipas nivelit të përgjegjësisë. Zgjedhjet lokale duhet të jenë për qytetarët, për komunat, për problemet e përditshme — jo për kalkulime të mëdha të pushtetit në nivel qendror.
Kriza politike: dështimi i politikës së jashtme që minon shtetin nga brenda
Kosova ndodhet në një pikë stagnimi të thellë, ku politika e jashtme po përkeqësohet. Humbjet në skenën ndërkombëtare nuk janë më thjesht çështje imazhi: ato po ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e vendit për të qeverisur, për të reformuar dhe për të forcuar pozicionin e vet në procesin e integrimit evropian.
Ndërkohë, funksionet themelore të shtetit mbeten të bllokuara.
Kosova mbetet i vetmi vend në rajon nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian (BE). Në çdo vend tjetër, ky fakt do të ishte alarm politik. Në Kosovë, mbizotëron heshtja. Nuk ka plan veprimi për heqjen e masave, përtej ankesave ndaj BE, të cilat ndonëse mund të jenë legjitime, nuk janë të mjaftueshme për të ecur përpara. Në raport me BE ende mbizotëron një shpresë naive se Serbia mund të gabojë në marrëdhëniet e saj me BE dhe Kosova do të përfitojë si palë më e “besueshme”. Por kjo nuk është strategji, është pasivizim i dëmshëm dhe dorëzim.
Edhe pse nën masat ndëshkuese të BE, Kosovës i është mundësuar qasja në Planin e Rritjes së BE, duke gëzuar trajtim të barabartë me vendet e tjera të rajonit. Meqë Kosova ende nuk ka kuvend funksional dhe ka elitë politike tejet të papërgjegjshme, duke mos e ratifikuar Planin e Rritjes, këto fonde të rëndësishme për vendin mbeten të bllokuara. Kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur vendi po përballet me pezullimin e ndihmave financiare amerikane dhe mbështetja për zhvillim po tkurret jashtzakonisht shumë.
Institucionet e Kosovës nuk kanë angazhim të njëmendtë as me Brukselin, as me kryeqendrat e partnerëve të saj ndërkombëtarë.
Rasti tjetër më i freskët dhe më domethënës lidhur me dështimin e politikës së jashtme është mosshfrytëzimi imundësisë për të proceduar tutje me anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Kosova nuk arriti të futet në agjendën e vitit 2025, jo për shkak se dera ishte e mbyllur, por sepse udhëheqësit vendorë ishin të përqendruar në lojëra politike të brendshme. Ky dështim nuk është thjesht incident, por simptomë e mungesës së vizionit, e mungesës së agjendës shtetërore të përbashkët dhe e mungesës së pjekurisë politike. Për këtë nuk mund të fajësohet KiE, ndonjë aktor i jashtëm apo edhe mungesa e mbështetjes nga aleatët tanë. Për këtë përgjegjës janë institucionet e Kosovës, të cilët nuk kanë ndonjë angazhim të njëmendtë as me Brukselin, as me kryeqendrat e partnerëve të saj ndërkombëtarë.
Dështimet në politikën e jashtme nuk janë më të shkëputura nga realiteti i brendshëm. Ato po reflektohen në rënie të besimit qytetar, në dobësim të funksionalitetit institucional dhe në humbje të mundësive konkrete për zhvillim dhe integrim. Kosova po e paguan shtrenjtë mungesën e vizionit, shkurtpamësinë politike dhe indiferencën strategjike. Nëse nuk ndodh një kthesë serioze politike, vendi rrezikon jo vetëm të dëmtohet nga brenda, por të harrohet krejtësisht nga jashtë.
Agjenda e shtetndërtimit e braktisur nga elita politike
Edhe pse Kosova ka kaluar kriza politike edhe më parë, bllokada aktuale politike kësaj here dallon. Ajo është më e thellë, më cinike dhe me pasoja më të dëmshme, jo vetëm për qeverisjen e brendshme, por edhe për pozitën ndërkombëtare dhe të ardhmen afatgjatë të vendit, në një kontekst ndërkombëtar që ka ndryshuar ndjeshëm dhe ku Kosova nuk është më ndër prioritetet e tij si dikur.
Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj krize është ekspozimi i qartë jo vetëm i mungesës së kulturës dhe pjekurisë politike, por edhe i zbehjes së ambicies për ndërtimin e shtetit, një agjendë që dikur përbënte boshtin e politikëbërjes në vend, e nxitur fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Por koha kur bashkësia ndërkombëtare kishte agjenda dhe zgjidhje për çdo problem politik në vend ka përfunduar, dhe me të drejtë. Kosova do të duhej të kishte arritur tashmë një nivel të mjaftueshëm të maturisë politike për të udhëhequr vetë proceset themelore të një sistemi demokratik shumëpartiak dhe për ta mbartur mbi supe projektin e saj shtetformues dhe reformues.
Megjithatë, qëndrimi më i tërhequr i komunitetit ndërkombëtar, të cilët shpesh janë akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme, ka nxjerrë në pah një boshllëk të rrezikshëm: mungesën e një elite vendimmarrëse që jo vetëm e kupton rëndësinë e ndërtimit të shtetit, por që është edhe e aftë dhe e gatshme ta menaxhojë atë, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.
Kjo situatë vë në pah një të vërtetë të hidhur. Mungesa e këtij presioni të jashtëm dhe e një drejtimi të qartë të brendshëm, tregon se vetë ideja e shtetësisë është zhvendosur në plan të dytë. Andaj, kritikat që elita politike ia drejton bashkësisë ndërkombëtare për mungesë mbështetjeje dhe për braktisjen e Kosovës duhet të kthehen kah vetja, sepse duket se kemi hequr dorë nga procesi i shtetndërtimit shumë më herët sesa kemi qenë të gatshëm ta pranojmë.
Imazhi i ballinës: K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.