Pikëpamje | Politika

Kosova në botë

Nga - 04.04.2025

Një vështrim i politikës së jashtme të Kosovës përtej dialogut.

Marrëdhëniet e Kosovës — apo mungesa e tyre — me Serbinë mbizotërojnë diskutimet rreth politikës së jashtme dhe vazhdojnë t’i ndikojnë lidhjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE). Masat ekonomike që BE ia ka vendosur Kosovës, në vitin 2023, janë ende në fuqi, kurse dialogu nën udhëheqjen e BE mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur qysh nga viti 2023.

Për më shumë, vetëm një njohje e re ndërkombëtare erdhi nga Kenia, në fund të marsit 2025, gjatë mandatit të fundit qeveritar. Para kësaj, njohja e fundit ishte nga Izraeli, në vitin 2020, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Washingtoni, mes Kosovës dhe Izraelit, e cila kulmoi me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në Izrael. Së fundmi, kjo marrëdhënie është vënë nën llupën e opinionit publik, për shkak të pakënaqësisë së shprehur gjerësisht në Kosovë ndaj pushtimit të Gazës nga Izraeli.

Por pavarësisht këtyre sfidave, mënyra të shumta për ta thelluar praninë ndërkombëtare të Kosovës mbeten të pashfrytëzuara. Tani, me SHBA që mund ta reduktojë rolin e saj si garantuese e sigurisë në Evropë dhe me BE gjithnjë e më të mbingarkuar, Kosova duhet gjithashtu t’i hedhë themelet për marrëdhënie të reja dhe njohje të ardhshme në mbarë botën, ashtu që ta sigurojë vendin e vet në skenën ndërkombëtare.

Duke pasur parasysh marrëdhëniet tashmë të tensionuara me disa nga partnerët më të afërt të Kosovës, rendin politik botëror që po shembet dhe interesimin gjithnjë e më të zbehur ndërkombëtar, qeveria e re duhet të synojë ta rimendojë qasjen e përgjithshme të Kosovës ndaj politikës së jashtme, duke punuar njëkohësisht për t’i ripërtërirë marrëdhëniet me partnerët më të ngushtë dhe më të rëndësishëm.

Nga miq të vjetër…

Lidhjet shoqërore dhe kulturore me Shqipërinë mbeten gjithmonë të pranishme, por bashkëpunimi në nivel qeveritar u dëmtua për shkak të një ndërveprimi përplasës të herëpashershëm, mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës që nga viti 2021. Kjo vjen si pasojë e një përplasjeje të vazhdueshme rreth asaj se kush i përfaqëson më mirë shqiptarët në arenën ndërkombëtare, si dhe për shkak të gatishmërisë së Ramës për të bashkëpunuar me presidentin serb, Aleksandar Vučić, në projekte rajonale si Ballkani i Hapur.

Rivendosja e marrëdhënieve mes zyrtarëve qeveritarë për ta siguruar një bashkëpunim ndërkufitar pozitiv dhe të përparuar, duhet të jetë hapi i parë në çdo kornizë të re. Nga ky moment, Tirana dhe Prishtina mund të synojnë thellimin e bashkëpunimeve tashmë të shtrira gjerësisht në fusha si tregtia, kultura, arsimi dhe mbrojtja e mjedisit, duke mbështetur njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit në BE, si dhe duke bashkëpunuar në nisma të mbrojtjes shumëpalëshe.

Teksa anëtarësimi i Kosovës në BE mbetet synim ende i largët, hapa konkretë mund të ndërmerren në vitet në vijim, për të siguruar një anëtarësim në kohë.

Marrëdhëniet e Kosovës me BE janë përkeqësuar po ashtu viteve të fundit. Kjo vjen pjesërisht si pasojë e qasjes shpesh të ashpër të qeverisë Kurti në adresimin e institucioneve paralele të financuara nga Beogradi tek komunitetet serbe në Kosovë.

Nëse Kosova ia del të bashkëpunojë në mënyrë më konstruktive me BE gjatë mandatit të dytë të Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Evropian, vitet vijuese mund të shënojnë një pikë kthese në marrëdhëniet Kosovë-BE. Komisioni tashmë po punon për t’i përgatitur vendet e rajonit — veçanërisht Malin e Zi dhe Shqipërinë — për një anëtarësim të mundshëm në bllok brenda këtij mandati, i cili zgjat deri në vitin 2029. Teksa anëtarësimi i Kosovës në BE mbetet synim ende i largët, hapa konkretë mund të ndërmerren në vitet në vijim, për të siguruar një anëtarësim në kohë.

SHBA ka qenë historikisht mbështetësi më i madh i Kosovës, por kjo marrëdhënie mund të pësojë ndryshim drastik gjatë mandatit të dytë të Donald Trump si president. Trump e ka përmbysur rolin tradicional mbizotërues të SHBA në çështjet globale, duke e tërhequr vendin nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke anuluar mbi 80% të projekteve të ndihmës së jashtme dhe duke ushqyer skepticizëm për gatishmërinë e SHBA për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s.

Rikthimi i ish-emisarit amerikan për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, tashmë në rolin e zgjeruar të të dërguarit të posaçëm presidencial në misione të veçanta, ka nxitur shqetësime në Prishtinë. Favorizimi i pretenduar i Serbisë nga ana e Grenell gjatë negociatave në mandatin e parë të Trumpit, lidhjet e tij miqësore me Vučićin dhe mospëlqimi i shprehur hapur ndaj Kurtit, janë sinjale që dëshmojnë rrugën e vështirë përpara për marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Për më tepër, sulmi i ashpër dhe i papritur i Trumpit dhe zëvendëspresidentit JD Vance ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fund të shkurtit, dëshmoi se Trump është i gatshëm t’i poshtërojë dhe t’i përqeshë udhëheqësit e huaj, të cilët nuk i shkojnë për shtat, duke i shtyrë drejt marrëveshjeve të ngutshme, që mund të paraqiten si fitore. Kjo mund të çojë në propozimin e një zgjidhjeje përfundimtare për dialogun Kosovë-Serbi, që do t’i linte të gjitha palët të pakënaqura brenda vendeve të tyre. Skenarët e mundshëm përfshijnë që Serbia të detyrohet ta njohë de facto shtetësinë e Kosovës, që Kosova të detyrohet ta themelojë përfundimisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ose që të dyja palët të pajtohen për një marrëveshje që nuk ofron më shumë përtej premtimeve për thellim të marrëdhënieve ekonomike — ngjashëm me Marrëveshjen e Washingtonit të vitit 2020, nga e cila shumë pak u zbatua në praktikë.

… në aleatë të rinj

Përtej ripërtërirjes së marrëdhënieve të ngushta me disa nga aleatët më të afërt të Kosovës, qeveria e re duhet gjithashtu të ndërmarrë hapa për të siguruar njohje të reja diplomatike. Një nga dështimet kryesore ndërkombëtare të qeverisë së kaluar ishte mungesa e njohjeve të reja të shtetësisë së Kosovës — deri në njoftimin për njohjen nga Kenia, në mars të vitit 2025. Edhe ajo, megjithatë, erdhi si rezultat i përpjekjeve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe biznesmenit, Behgjet Pacolli. Për më tepër, Serbia ka pretenduar se disa shtete në Afrikë, Oqeani dhe Karaibe kanë tërhequr njohjet e mëparshme.

Shumë nga kjo situatë mund t’i atribuohet faktit se Kosova tashmë është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës; shumë nga shtetet e mbetura ose janë haptas kundër njohjes së Kosovës, ose thonë se nuk do ta njohin atë deri në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por kjo nuk do të duhej të nënkuptonte që qeveria e ardhshme të heqë dorë nga përpjekjet për të siguruar njohje të reja.

Zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike dhe politike të Kosovës me Greqinë është shembull i qartë për rritjen e angazhimit me vendet mos-njohëse.

Normalizimi i marrëdhënieve me të gjitha shtetet anëtare të BE mbetet kyç për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Edhe pse është ende e pagjasshme që Rumania, Qipro dhe Spanja ta njohin pavarësinë e Kosovës para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, Greqia dhe Sllovakia janë mundësi për bashkëpunim në të ardhmen.

Zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike dhe politike të Kosovës me Greqinë është formë e fuqishme për rritjen e angazhimit me vendet mos-njohëse, me potencialin që kjo të çojë eventualisht drejt njohjes së plotë.

Megjithëse kryeministri sllovak, Robert Fico dhe qeveria e tij social-konservatore, me qëndrime të ashpra dhe euroskeptike, nuk kanë ndërmend ta njohin Kosovën, ndikimi i Ficos është në rënie dhe ardhja në pushtet e një opozite më liberale mund të hapë rrugën që Prishtina të sigurojë më në fund njohjen e plotë nga Bratislava.

Të paktën, sigurimi i një bashkëpunimi dhe dialogu i përmirësuar me pesë vendet e BE, që ende nuk e njohin Kosovën, do t’i ofronte qeverisë mundësi të mëtejshme për ta thelluar rrugën drejt integrimit evropian, gjithmonë duke synuar njohjen maksimale nga çdo shtet potencial, kurdo që të jetë e mundur.

Për më tepër, qeveria ka ndërmarrë hapa të vegjël drejt thellimit të pranisë ndërkombëtare, me presidenten Vjosa Osmani që udhëtoi në Kolumbi në fund të vitit 2024, për ta hapur ambasadën e parë të Kosovës në Amerikën e Jugut — e vendosur ngjitur me ambasadën e vetme të Kosovës në Amerikën Qendrore, në Panama. Hapja e kësaj ambasade duhet të shënojë hapin e parë drejt një qasjeje më proaktive, për të mos u mbështetur vetëm në marrëdhëniet me Perëndimin, por për t’i diversifikuar dhe thelluar lidhjet dypalëshe me një gamë më të gjerë partnerësh në Amerikën Latine, Afrikë, Azi dhe Oqeani.

Në vende të tjera, politikanë nga Tunizia dhe Sudani i Jugut ose janë takuar me zyrtarë të qeverisë së Kosovës, ose kanë shprehur synimin për ta diskutuar njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës.

Përtej BE, Kosova ka numër të konsiderueshëm shtetesh që mund ta njohin në të ardhmen dhe një varg partnerësh potencialë me të cilët mund ta thellojë bashkëpunimin. Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Kievi ka bashkëpunuar më ngushtë me Kosovën, me zyrtarë ukrainas që kanë shprehur shpresa se Ukraina do ta njohë plotësisht Kosovën pas përfundimit të luftës. Shtetet mos-njohëse, si Armenia dhe Moldavia, më në fund e kanë mundësuar hyrjen për bartësit e pasaportave të Kosovës, me ndonjë lloj të vizës.

Në vende të tjera, politikanë nga Tunizia dhe Sudani i Jugut ose janë takuar me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ose kanë shprehur synimin për ta diskutuar njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës. Zhvillimi i këtyre ndërveprimeve pozitive i mundëson Kosovës t’i shtrijë gjurmët e saj ndërkombëtare në aspektin politik dhe ekonomik, me potencialin për të siguruar mbështetje më të fortë për përpjekjet e saj të vazhdueshme për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare gjatë viteve të ardhshme.

Mirë se vini në klub

Për Kosovën, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare mund të jetë një mënyrë për ta forcuar sovranitetin dhe për t’i zgjeruar hapësirat e dialogut me partnerët botëror. Një synim i qartë është anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), e cila përqendrohet në promovimin e paqes dhe sigurisë përmes arsimit, arteve, shkencës dhe trashëgimisë kulturore.

Kosova provoi për herë të fundit të sigurojë anëtarësimin në UNESCO në vitin 2015, por nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej dy të tretash — 92 vota pro nga 142 gjithsej, ndërkohë që duheshin edhe 95 për miratim. Nëse Kosova do të provonte sërish të anëtarësohej, tashmë me disa njohje shtesë nga vende që kanë të drejtë vote — si Bangladeshi, Barbadosi, Madagaskari, Singapori dhe Surinami — për dallim nga viti 2015, anëtarësimi në UNESCO do të mund të ishte mundësi reale. Kjo do t’i hapte rrugë promovimit më të gjerë të trashëgimisë së pasur kulturore dhe të komuniteteve të ndryshme të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Finalizimi i përpjekjes së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës (KiE) duhet të jetë po ashtu qëllim i realizueshëm për qeverinë e ardhshme. Edhe pse Kosova ishte pranë anëtarësimit të plotë në vitin 2024 — pasi u votua në favor nga shumica dërrmuese gjatë një seance të Asamblesë Parlamentare të KiE — procesi u ndal nga Gjermania, që argumentoi se Kosova nuk kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Së fundmi, në mars të vitit 2025, përpjekja e Kosovës për ta siguruar një “status të veçantë” brenda organizatës u refuzua, pasi një përfaqësues nga Spanja kërkoi që çdo diskutim i mëtejmë për përfshirjen e Kosovës të hiqej nga rendi i ditës. Megjithatë, qeveria e ardhshme duhet të vazhdojë ta shtyjë përpara aplikimin për anëtarësim. Ky hap do t’i mundësonte Kosovës ta forcojë bashkëpunimin me partnerët evropianë në çështjet e të drejtave të njeriut dhe do t’u garantonte qytetarëve të saj qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për t’u anëtarësuar në BE, Kosova përballet me sfida të veçanta dhe të konsiderueshme — specifikisht sigurimin e njohjes së plotë nga të gjitha shtetet anëtare të BE dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjithashtu, sipas raportit vjetor të BE për përparimin e vendeve që synojnë anëtarësimin, vlerësimi i përgjithshëm për Kosovën është më i lartë se ai i kandidatit aktual, Bosnjë e Hercegovinës, i barabartë me Moldavinë — vend me të cilin po zhvillohen negociata — dhe vetëm pak më i ulët se i Gjeorgjisë.

Ndërkohë që disa vende kandidate — përkatësisht Gjeorgjia dhe Bosnjë e Hercegovina — kanë shënuar hapa mbrapa në përmbushjen e standardeve të BE, Kosova ka një mundësi të qartë për ta vënë në pah progresin e saj real në vitet e ardhshme. Nëse Kosova arrin ta ruajë këtë ritëm, do ta dëshmojë seriozitetin në përputhje me standardet evropiane, duke përgatitur terrenin për çdo negociatë të ardhshme anëtarësimi edhe me shtetet e mbetura që ende nuk e kanë njohur atë.

Qeveritë e ardhshme mund ta shtjellojnë  gjithashtu mundësinë e anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL). Kosova aplikoi për herë të parë për anëtarësim në vitin 2015, por përpjekja ngeci dhe u tërhoq plotësisht nga qeveria në detyrë e Ramush Haradinajt, në fund të vitit 2019. Kjo erdhi pas disa dështimeve për ta siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretash, me një numër të konsiderueshëm votash kundër, nën mobilizimin e Serbisë dhe shteteve tjera mosnjohëse brenda INTERPOL.

Njësoj si me UNESCO-n, çdo përpjekje për anëtarësim kërkon miratimin e dy të tretave të shteteve anëtare me të drejtë vote, që mund të arrihet nëse aplikohet një qasje të duhur diplomatike. Anëtarësimi i plotë jo vetëm që do ta forconte luftën e Kosovës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por do të mundësonte edhe bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive me partnerë ndërkombëtarë për t’i zhvilluar më tej institucionet vendore të rendit.

Edhe pse fillimisht i krijuar për ta rritur bashkëpunimin ushtarak mes ish-shteteve sovjetike dhe anëtarëve të NATO-s pas Luftës së Ftohtë, sot PfP shihet gjerësisht si fazë e parë — ndonëse joformale — drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Në fushën e mbrojtjes, anëtarësimi në programin e NATO-s “Partneritet për Paqe” (PfP) do të ishte jo vetëm një hap kyç drejt anëtarësimit të plotë në NATO, por edhe një mundësi për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), që të angazhohet më tej me aleatët e vetë brenda organizatës. Edhe pse fillimisht i krijuar për ta rritur bashkëpunimin ushtarak mes ish-shteteve sovjetike dhe anëtarëve të NATO-s pas Luftës së Ftohtë, sot PfP shihet gjerësisht si fazë e parë — ndonëse joformale — drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Që Kosova të bëhet pjesë e PfP, FSK do të duhej të zhvillohej në një Forcë të Armatosur të mirëfilltë të Kosovës, zotim i dhënë nga qeveritë e njëpasnjëshme, por nuk kanë arritur ta realizojnë plotësisht. Megjithatë, janë ndërmarrë hapa të pjesshëm: janë siguruar fonde shtesë për modernizimin e forcave të sigurisë dhe janë bërë ndryshime graduale ligjore për ta përgatitur bazën juridike për këtë transformim të ardhshëm, që do të kërkonte përditësim të rrënjësishëm të kapaciteteve tokësore të mbrojtjes dhe të inteligjencës. Marrëveshja ushtarake e fundit që Kosova nënshkroi me Shqipërinë dhe Kroacinë tregon qartë synimin për t’i forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për ta zhvilluar industrinë e saj të armëve.

Zhvillimi i tillë i infrastrukturës së mbrojtjes në Kosovë mund të ndihmojë gjithashtu në garantimin më të mirë të sigurisë në vend ndaj forcave të jashtme agresive, duke vijuar njëkohësisht përputhjen me standardet e partnerëve perëndimorë. Edhe kjo mbetet pjesë e një strategjie afatgjate, sidomos marrë parasysh gjasat e mëdha që një vend anëtar i NATO-s që nuk e njeh Kosovën — si Spanja apo Rumania — ta bllokojë çdo përpjekje për anëtarësim në PfP.

Sado që do të ketë sfida përpara, si përmirësimi i marrëdhënieve të tensionuara me disa nga partnerët më të afërt të Kosovës, angazhimi me administratën Trump dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, ekzistojnë gjithashtu mundësi të qarta për qeverinë e ardhshme për ta zgjeruar praninë e Kosovës në skenën botërore.

Thellimi i lidhjeve ekonomike dhe politike me partnerë të rinj ndërkombëtarë do të përbënte një përmirësim të matshëm, krahasuar me vitet e fundit. Nëse Kosova arrin të shkojë edhe më tej, duke siguruar më shumë njohje ndërkombëtare apo duke u integruar më tej në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ajo do të mund të vazhdojë ta forcojë pozitën e saj si pjesë e pandashme e komunitetit ndërkombëtar. Ka hapësirë që Kosova të bëhet partnere dinamike dhe konstruktive në skenën botërore; qeveria e re duhet të sigurohet që kjo të ndodhë.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.